Arvizu përfundon mandatin në Shqipëri.Donald Lu do të jetë përfaqësues i SHBA në Tiranë.
Ne Foto: Ambasadori i ri i SHBA në Tiranë, Donald Lu/
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, merr zyrtarisht njoftimin për përfundimin e misionit të tij në Tiranë. Departamenti Amerikan i Shtetit ka përcaktuar Donald Lu si pasardhës të Arvizusë në Tiranë. Burime nga Ministria e Jashtme bënë të ditur për gazetën “Panorama” se dje në mesditë, ambasadori në detyrë i SHBA ka ngjitur shkallët e Ministrisë së Jashtme, ku është pritur në një takim nga zv.ministrja Edit Harxhi. Megjithatë, burimet nuk saktësojnë se ka qenë ambasadori Arvizu që ka paraqitur në Tiranë emrin e pasardhësit të tij. Aktualisht ai mban postin e zv.kreut të misionit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Nju Delhi, Indi, ndërkohë që më herët ka ushtruar këtë detyrë në vende si Gjeorgjia, Pakistani dhe Azerbajxhani. Në të njëjtën kohë, zyrtarisht ende nuk thuhet se cila është data kur Donald Lu do të nisë zyrtarisht punën në vendin tonë.
Tre vjet më parë, në korrik 2010, Departamenti Amerikan i Shtetit emëroi Aleksandër Arvizunë si ambasador në Tiranë.Diplomati nga Uashingtoni e nisi zyrtarisht detyrën në fund të muajit dhjetor, kur paraqiti edhe letrat kredenciale te Presidenti Bamir Topi. Ai u vendos menjëherë në qendër të vëmendjes edhe për shkak të ngjarjeve të 21 janarit 2011. Arvizu e etiketoi Kryeministrin Sali Berisha si një burrë shteti, pas vendimit që ai mori për të anuluar një miting të mbështetësve të tij pak ditë pas ngjarjeve të dhunshme kur u sulmua Kryeministria. Në zgjedhjet e 8 majit, ambasadori amerikan do të mbahet mend për gjestin e tij kur së bashku me Etore Sekui të Komisionit Europian përveshën mëngët dhe u ulën në radhën e vëzhguesve në shkollën “Vasil Shanto”, kur po numëroheshin votat e Njësisë Bashkiake Nr. 5 për Bashkinë e Tiranës. Vitin e fundit në media është folur për një ftohje të ambasadorit amerikan me Kryeministrin Sali Berisha për shkak të qëndrimeve të kundërta të tyre për çështjen e shkarkimit të anëtarit të LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho. Pak ditë më parë ambasadori amerikan bëri thirrje për gjetjen e konsensusit mes palëve për plotësimin e vendeve të mbetura bosh në KQZ. Përgjigjja e Berishës ishte: “Kur fillojnë të bëjnë gjykatësin kushtetues apo kur bëjnë gjykatësin e lartë apo atë të faktit, unë them se nuk respektojnë veten e tyre. Cilido qoftë. Ky është një shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër. Askush nuk ka mandat të marrë atribute, sepse mënyra se si funksionojnë qeveritë e vendeve të lira është një mënyrë e mrekullueshme, është një mënyrë transparente. Ndaj dhe nuk mund të bëhet fjalë për asnjë variant tjetër, përveçse atë që përcakton ligji i vendit, atë që thonë institucionet e vendit”. (Kortezi; ADI SHKEMBI)