
Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/
Teoritë e mëdha klasike gjeopolitike janë globale dhe gjithmonë kanë qenë për një lidhje të ngushtë midis të vërtetave të mëdha gjeografike e atyre historike. Ato e vlerësojnë qëndrimin kontradiktor midis tokës e detit, midis fuqive kontinentale e atyre detare dhe synojnë të përcaktojnë ndikimin e mjedisit mbi njeriun e mbi veprimtarinë e tij, duke filluar nga shoqëria tek institucionet e saj politike dhe nga ekonomia deri te kultura specifïke e çdo populli. Gjeopolitika e re është edhe rajonale edhe lokale. Ajo nuk kundërshton të vërtetat e mëdha, por ndalet në veçoritë rajonale dhe në sensin e hapësirës që kanë grupe të ndryshme kombesh në kërkim të një identiteti, të një afirmimi dhe realizimin e atyre që ato përcaktojnë si “të drejta historike”. Me një nacionalizem që po vjen në rritje, veçimi i pozicioneve të tilla është themelor për të parashikuar konfliktet e ardhshme si dhe për të përcaktuar nismat që duhen marrë për parandalimin e tyre. Në përgjithësi, gjeopolitika e re, e krahasuar me atë tradicionale, i jep një rëndësi të madhe faktorëve gjeopolitikë njerëzorë, të krahasuara këto me faktorët fizikë, ku ndikimi i këtyre të fundit, si rezultat i teknologjive, ka ndryshuar.
Ekzistojnë shkolla e mendime gjeopolitike të ndryshme, shumëllojshmëria e të cilave më shumë është e lidhur me shtete të veçanta sesa me ideologji politike të ndryshme. Sot nuk mund të flitet më për një gjeopolitikë marksiste, socialiste apo liberale, por mund të flitet për një gjeopolitikë; amerikane, gjermane, kineze, ruse, angleze, franceze apo italiane. Pra duhet të flitet për shumë gjeopolitika në vend që të flitet vetëm për një gjeopolitikë. Fundi i Luftës së Ftohtë, zhvillimi teknologjik, çrregullimet e mëdha demografike dhe ekonomike si dhe shtimi i numrit të aktorëve që veprojnë né skenën ndërkombëtare ka ndryshuar thellësisht sistemin e mëparshëm botëror. Globalizmi dhe ndërvartësia e shumë sektorëve (financiarë, teknologjikë, informativë),si dhe shfaqja e qendrave të forta të fuqive transnacionale, jo të kontrollueshme nga shtetet, detyrojnë marrjen e vendimeve qofshin edhe të brendshme. Kështu bëhet e domosdoshme që çdo subjekt të mendojë për vetveten në raport me botën, të ndikojë në ndryshimet e saj dhe të përcaktojë interesat dhe rolet e veta ndërkombëtare, natyrisht në atë masë që e lejon fuqia që ka.
Shekulli 19-të padyshim pa një ekspansion të madh dhe intensifikim të shkëmbimeve tregtare si dhe pushtimin e territoreve të mëdha në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine nga fuqitë evropiane, në betejën për kolonitë. Shpikja e telegrafit si dhe shtrirja e kabllove përgjatë oqeaneve lidhi kontinentet me shpejtësinë e dritës dhe revolucionarizoi komunikimin. Ndërtimi i anijeve shumë të shpejta ndëroqeanike reduktoi së tepërmi kohën e udhëtimeve përgjatë Atlantikut, duke e bërë më pak se një javë. Kështu që, nuk ishte vetëm informacioni që udhëtonte elektronikisht nëpër glob, por edhe shkëmbimi masiv i mallrave përgjatë rrugëve detare të botës, së bashku me lëvizjen e njerëzve. Deri në fundin e shekullit 19, këto lëvizje njerëzish nisën të shterojnë, ndërkohë që udhëtimet me qëllime biznesi dhe turizmi, sidomos mes Evropës dhe Amerikës së Veriut pësoi një rritje të madhe. Amerikanët vinin sepse atëherë Evropa njihej ende si qendra e botës, në kuptimin ekonomik, politik dhe kulturor. Evropianët kishin marrë me kohë angazhimin për të “evropianizuar botën”, shpesh herë përmes depërtimit ekonomik, por edhe përmes forcës brutale ushtarake. Por, nga ana tjetër kish gjithashtu shumë pak dyshim se brenda ansamblit të vendeve imperialistë, Britania ishte fuqia hegjemoniste. Për dekada të tëra pas luftërave të Napoleonit, shumë pak mund të bënin fuqitë e tjera, pa patur të paktën miratimin e heshtur të Londrës.
Me ardhjen e fundit të shekullit 19-të, pati shumë shenja që tregonin se hegjemonia britanike po zbehej dhe ajo po sfidohej nga fqinjët. Në Evropë ishte ambicia e Gjermanisë për të lënë pas Britaninë jo vetëm si vendi kryesor tregtar dhe industrial, por edhe në drejtim të ekonomisë dhe kulturës. Kaizeri gjerman, Uilliami II si dhe këshilltarët e tij më të ngushtë ishin të bindur se Londra do të pengonte ngjitjen e vendit të tyre në statusin e fuqisë botërore, nëse ata nuk do të ishin në gjendje t’i kundërviheshin dominimit të marinës britanike në dete, me një instrument detar të madh dhe eficient, aq sa për të mposhtur britanikët në një betejë vendimtare në Detin e Veriut. Në Luftën e Parë Botërore Londra pati sukses në frenimin e rrezikut gjerman duke angazhuar Berlinin në një garë armatimi që në 1912-1913 Kaizeri tashmë e kish humbur. Pesë vjet më vonë jo vetëm që monarkia gjermane ishte mundur, por kish nisur njëkohësisht de-evropianizimi i botës. Edhe Britania dikur e gjithëpushtetshme doli si një fuqi e dorës së dytë nga katastrofa. Shtetet e Bashkuara dalëngadalë kishin dalë në radhë të parë. Pas Parisit, gjithnjë e më shumë evropianë udhëtuan për në SHBA për të vizituar Washingtonin, New Yorkun ose Çikagon, por edhe për të inspektuar qendrat e punimit të çelikut dhe prerjes së tij në Pensilvani, industritë e prodhimit të veglave apo ato elektrike në Ohajo si dhe të prodhimit të automjeteve në Michigan. Frederik Tejlor dhe Henri Ford në Detroit, kryeqyteti i ri botëror i automobilave, përveç teknologjisë, ata ishin veçanërisht të interesuar për organizimin e punës sipas stilit amerikan, siç rekomandohej nga linjat e montimit.
Nëse Hitleri do t’ia kish dalë të mundte Bashkimin Sovjetik në 1941-in siç ai e kish parashikuar në biseda private, bota do të ishim bërë dëshmitare e një përpjekje për të gjermanizuar Euro-Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine. Edhe përballë këtij rreziku, kundërshtarët evropianë të Gjermanisë sërish rezultuan shumë të dobët për të ndalur agresorin. Vetëm hyrja e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, fshehtas në 1940-n dhe haptas pas sulmit të japonezëve në Pearl Harbour në dhjetor 1941, ndryshe nga situata në 1917-n, bëri që fitorja e aleatëve të sigurohej kundër boshtit të fuqive të Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. Kur ky konflikt botëror më në fund përfundoi në 1945, elitat ekonomike, politike dhe intelektuale të SHBA-së morën dy vendime themelore për rendin botëror të pasluftës. Ata donin të rindërtonin, për të dytën herë një sistem botëror tregtar liberal-kapitalist, të mbështetur nga sisteme politike demokratike parlamentare. Në mënyrë të veçantë Plani Marshall dhe NATO ishin dy komponentë shumë të fuqishëm që shtynë përpara evropianizimin. I pari me mbështetje ekonomike, i dyti me elementët e sigurisë transatlantike.
Fundi i Luftës së Ftohtë zhduku perden e hekurt tradicionale midis lindjes dhe perëndimit. Rënia e sistemit komunist dhe perfundimi i luftës së ftohtë sollën zhdukjen e kësajë perdeje dhe krijuan premisën për ndërtimin e një Evrope të pandarë, të madhe e të lirë, të stabilizuar e paqësore, demokratike dhe të begatë. Rënia e murit të Berlinit u pasua me një shpërbërje shtetesh e federatash edhe në vende të tjera. Tani Evropes lindore jo vetëm nuk i shkon në mënd të mbrohet nga një kërcenim gjerman, por dëshiron të lidhet sa më ngushtë të jetë e mundur me të për të marrë prej saj ndihma ekonomike dhe për të siguruar qëndrueshmëri politike. Por ndërsa në vendet e tjera të Europës kjo shpërbërje ndodhi e qetë dhe pa probleme në Ballkanë dhe ish Federatën Jugosllave prej vitit 1992 deri ne vitin 1999 proçesi i shpërbërjes së saj u shoqërua me luftra të përgjakshme. Këto konflikte që ndodhen në fund të shekullit të XX-të kercënuan përsëri ballancen dhe realitetin e brishtë të pas renies së komunizmit dhe po vazhdojn edhe sot.
Ndërsa të gjithë prisnin që shekulli i 21-të të fillonte me një botë edhe më të qetë, në realitet nuk po ndodh kështu. Konfliktet Rusi-Ukrainë, në Ballkan, në Lindjen e Mesme e kanë trazuar përsëri gjeopolitiken globale. Kohët e fundit ka shumë zëra që mendojn se është zbehur dominimi Amerikan në Europë dhe më gjërë. Edhe nëse Evropa kërkon të krijojë koalicione në formën e “partneriteteve strategjike” me fuqi të tjera si Rusia, Japonia, Kina, Kanadaja apo India, siç theksohet në ‘Strategjinë e Sigurimit Evropian”, për të vënë nën kontroll fuqinë amerikane, një gjë e tillë nuk ka gjasa të ketë sukses, por edhe nëse ndodh, do jetë shumë e përkohëshme. Përvoja historike na mëson se marredhëniet e krijuara vetëm mbi bazën e interesave të rastit mbeten të dobëta, ndërsa marredhëniet që ngrihen mbi bazën e interesave dhe vlerave të përbashkëta kanë rrënjë të thella dhe jetojnë gjatë. Zgjedhjet në SHBA do të jenë një test shumë i fuqishem për të ardhmen e Europës dhe Botës. Dominimi Amerikan ka qënë dhe do të jetë detriminantë sado që në perjudha të vogla mund të pësojë luhatje. Amerika ka ditur të ngrihet edhe në perjudha më të veshtira për të qënë lider botrorë. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një Evropë të Bashkuar, të fortë dhe të vendosur, që të sakrifikojë në mbrojtje të interesave të përbashkëta transatlantike. Në këtë aleancë, Amerikën nuk e shqetëson fakti që Evropa është e forte, përkundrazi, Amerikën e shqetëson fakti që Evropa është e dobët.
New York, Korrik 2024
Foto: Washington.org