-U.d. e Presidentes dr.Vjosa Osmani nënshkruan marrëveshje me USAID-in, falënderon popullin Amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës/
-Grant 33 milionë dollarësh për Kosovën nga Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
PRISHTINË, 18 Nëntor 2020- Gazeta DIELLI/ Ushtruesja e detyrës e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës përfiton mbi 33 milionë dollarë nga USAID-i.
Kjo Marrëveshje ndërlidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme. Më të synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.
Objektivi i parë zhvillimor përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike. Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.
U.d. e Presidentes Osmani ka falënderuar popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Investimi i vazhdueshëm i ShBA-ve përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të Qeverisë dhe popullit amerikan kundrejt rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar u.d. Presidentja Osmani. Ajo ka vlerësuar lart punën e USAID-it, ka potencuar se kjo ndihmë përqendrohet në rritjen e llogaridhënies së vendimmarrësve dhe institucioneve, si dhe në gjenerimin e mundësive demokratike dhe ekonomike për të gjithë qytetarët.