Kosovë-Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli takon ambasadorin e ri amerikan, Greg Delawie
PRISHTINË, 24 Gusht 2015/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot pasdite takim me ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie. Në takim u bisedua për çështjet dhe sfidat kryesore nëpër të cilat është duke kaluar aktualisht shteti i Kosovës. Amabasdori Delawie përgëzoi kryetarin Veseli dhe Kuvendin e Kosovës për lidershipin e treguar në procesin shumë të vështirë të ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të ligjeve për krijimin e Gjykatës Speciale.
Më tutje ambasadori Delawie theksoi mbështetjen e Uashingtonit për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë që ka për qëllim normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.
Kryetari Veseli, duke i uruar ambasadorit Delawie mirëseardhje dhe punë të mbarë në Kosovë, theksoi se ndihma amerikane mbetet faktor i pazëvendësueshëm në ecjen përpara të Kosovës në planin e zhvillimit ekonomik, të integrimeve euro-atlantike dhe forcimin e shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Ambasadori Delawie, duke shprehur kënaqësinë për detyrën e tij të re në Kosovë, theksoi se vendi që ai përfaqëson është e do të mbetet miku më i mirë i Kosovës dhe do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset e saj.
Në takim u bisedua edhe për procesin e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës ( FAK), funksionimin e Kuvendit të Kosovës, raportet në mes pozitës dhe opozitës, si dhe rolin e pakicave etnike në jetën parlamentare dhe politike të Kosovës.
Të premtën pasdite të 21 gushtit, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës, e pastaj u prit në takim njoftues edhe nga kryeministri Isa Mustafa.
Në 22 gusht, para ambasadorit të SHBA-ve në Prishtinë, Delawie, u betuan solemnisht 36 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të grupit të dytë, të cilët përfunduan trajnimin parapërgatitor në komunitete kosovare dhe fillojnë shërbimin për dy vitet e ardhshme në Kosovë. /B.Jashari/