
Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujton në ditën e tij të lindjes veprimtarin e Rilindjes Kombëtare, poetin dhe dramaturgun Andon Zako Çajupi.
Andon Zako Çajupi lindi më 27 mars të vitit 1866, ndërsa vdiq më 11 korrik të vitit 1930. Ai ishte poet, dramaturg dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. U lind Sheper të Zagorisë, i biri i Harito Zakos, një tregtari duhani me tregje në zgjerim e sipër deri në Itali. Mori mësimet fillore në Nivan të Zagorisë, në shkollën greke të atjeshme.
Në vitin 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite tek Sainte Catherine des Lazaristes. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avokatë të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë. Më 1887-n, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, ku kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos përgjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar.
Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare, Çajupi nisi edhe krijimtarinë letrare. Në vitin 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, që dallohet nga fryma luftarake, patriotike dhe popullore në brendi dhe në formë.
Në vitin 1909 bëri bujë me pamfletin “Klubi i Selanikut”, ku satirizonte armiqtë e brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupin në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt.
Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend jo vetëm si poet, por edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij “14 vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes”, me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij zhanri në letërsinë tonë. Penës së Çajupi i përkasin edhe tragjedia “Burri i dheut”, “Pas vdekjes”, “Fshati im” etj, si dhe dorëshkrime të pabotuara.
Komedia e tij “14 vjeç dhëndër” mbetet një krijimtari letrare e vyer falë filmit artistik “Përrallë nga e kaluara”, realizuar me motivet e kësaj vepre nga mjeshtri i regjisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.