Ilir Levonja/Florida/
Aktualisht Kosova gjëndet në ngërç politik. Njëri krah mbahet tek e drejta kushtetuese, por nuk ka votat e duhura për të formuar qeverinë e re. Kurse krahu tjetër, koalicioni post zgjedhor, i ka votat, por formimi i qeverisë është me probleme ligjore. Kjo gjithmonë në bazë të Kushtetutës së vendit, së cilës i referohen përditë edhe palët.
Deri vonë, të gjithë ishim me sy e vesh aty. Por seanca e caktuar për këtë të enjte, (sot) u shty sërish. Deklarata e Flora Brovinës si deputetja më e vjetër e Kuvendit, futi në siklet edhe Presidencën. Sërish bisedime, sërish këmbëngulje. Unë do thosha vetëm kaq, ani Kosovë, u infektove edhe Ti. Nuk i shpëtove dot dheut amë, Shqipërisë. Akoma as majtas, as djathtas, as mespërmes. As veçmas. As tok, të gjithë. As zgjedhje të tjera.
Them u infektove, pasi në krahasim me zgjedhjet në Shqipëri, aty kishte më normalitet. Nëse mund ta quajmë kështu. Të paktën nuk kontestoheshin nga palët. Humbësi njihte fituesin. E uronte. Dhe rezultati dilte krejt në kohë. Kurse në Shqipëri, dalja e rezultatit kap kohën e shtatzanisë. Në këtë aspekt, Kosova qe një version për tu marrë shembull. Edhe në rastin Surroi me ngritjen e përqindjes së pragut elektoral. Mjaft më me parti që i shërbejnë individit. Me kryetarë që mbledhin votat thërrime të ”kryetarëve” në degë, për të qënë përjetësisht kryetar. Shqipëria, në raport me popullsinë është kampione e Ballkanit. Plot 113 të tilla. Shëmbulli i përkryer, Skënder Gjinushi.
Por në Kosovë ka ndodhur ndryshe. Madje edhe në aleanca të forta mes kundërshtarësh të ashpër. Siç ishin ato Rugova, Thaçi. Apo edhe qeverisja Rugova Haradinajn etj. Ndofta atëhere, e deri vonë, trysnia e luftës, e Serbisë ishin si të thuash një lloj shtyse e fortë për të bërë lëshime. Tani më, kjo atmosferë është bjerrur. Kosova ndihet plotësisht e lirë. Për rrjedhojë nisën e çelën tekat. Sepse më shumë se në luftrat e viteve, apo diktaturat, problemi më i madh i yni është Liria. Të jetuarit në Liri. Me njëri-tjetrin. Ne e kemi gati të pamundur.
Në webe të ndryshëm të Kosovës, deri vonë mbrëmë emetoheshin tabela rrugore me emra qytetesh, kilometrat. Për sa të tillë mund të shkosh në Romë, Paris, Vlorë, Durrës, Tiranë, Krujë etj. Kjo i përket së njëjtës frymë si edhe në Shqipëri. Ka kuptimin se njëra palë pengon tjetrën, si e si Kosova të mos bëhet pjesë e Europës. Dhe populli duhet të ngrihet. Sërish në emër të popullit. Nga ana tjetër kur futesh në komisionin zgjedhor të Republikës së Kosovës, vë re se pjesmarrja në zgjedhjet e fundit, 8 qershor 2014, është më e ulta në historinë e re të vendit. Megjithatë Kryeministri foli në emër të Popullit. Se kujt populli? Këtë e di, jo vetëm Thaçi, por të gjithë politikanët tanë.
Ndaj paraqitja e tabelave është logjika e demagogjisë së radhës. Kësaj here lidershipi në Kosovë e ka të vështirë të kapërceka mbi vetveten. Më shumë se popullin në Europë, burrat aty duan pashallëkun e tyre. Njësoj si në Shqipëri, kryetarë të përjetshëm, qeveritarë të tillë. Ani, Kosovë t’i dhembja e bukur. U infektove edhe ti.