Nga Abdurahim Ashiku/Athinë/
Ajo, Anila Jole, mësuesja, gazetarja me një zë të veçantë në emigracion, do të udhëtojë drejt Shqipërisë. …
“Nga Selaniku, për herë të fundit…” u shkruan Anila të gjithë miqëve në facebook…
“Me mall për Shqipërinë, për njerëzit e saj, të afërm e miq, për punën dhe kolegët në News24, kthehem në vendin tim, pas 5 vitesh të bukura në Greqi.
Do më mungojë Selaniku ku lë shumë kujtime, miqtë e këtushëm, njerëzit e mirë që njoha, nxenësit e kolegët e mi të shkollës shqipe, por do të jem sërish në vendin ku kam ngulur rrënjët e nga i cili nuk u shkëputa kurrë mendërisht dhe shpirtërisht.
Jeta ka ciklet e veta dhe për mua u mbyll njëri prej tyre, me kaq vlerë, që më dha shumë dashuri dhe një përvojë të veçantë jetësore e profesionale…”
Po kush është Anila Jole, kjo intelektuale me vlerë të jashtzakonshme për zërin shqip në mërgimin grek, kjo mësuese e pasionuar e gjuhës shqipe, kjo veprimtare në ballë të protestave për të drejtat e shqiptarëve në Greqi?
Unë i shkruajta në facebook se dëshiroj që në Selanik ta takoj më 11 maj, në përvjetorin e 10-të të Shoqatës “Nënë Tereza e Greqisë”, në prezantimin e punës së saj përmbledhur në librin “SHKOLLA SHQIPE E SELANIKUT”, për t’i kërkuar që mos shkruaj “Nga Selaniku, për herë të fundit…”, të jetë zë i mërgimtarëve atje ku do të jetë, të mos e mbyllë ciklin e jetës që i dha “shumë dashuri dhe një pervojë të veçantë jetësore e profesionale…”.
Shpresoj ta takoj dhe t’ia dëgjoj përditë zërin në efir tash ZË VENDLINDJEJE…
Më poshtë po përcjell Anila Jolen në meditimin e saj jetësor, meditim që do ta gjeni në faqet 98-102 të “SHKOLLA SHQIPE E SELANIKUT” që sapo ka dalë nga shtypshkronja…
* * *
Kam lindur në vitin 1970 në Korçë, në një familje, ku babai im piktor, më nxiti dëshirën për artet, ndërsa nëna edukatore në kopësht, dashurinë për profesionin e edukatorit dhe mësuesit të të vegjëlve dhe ndoshta edhe për këtë arsye që në shkollën 8 vjeçare isha e prirur drejt lëndëve shoqërore e arteve si dhe dalloja në to.
Përveç mësimeve me të cilat shkoja shumë mirë dhe aktiviteteve jashtëshkollore, që aso kohe lidheshin me muzikën, vallen, apo recitimin, më pëlqente të shkruaja dhe jam dalluar për krijimtarinë letrare. Në klasën e tetë mora çmimin e parë në konkursin e shkollave të rrethit të Korçës, për dy poezi me titull, ”Qytetit tim” dhe “Fëmijërisë”.
Edhe në shkollën e mesme isha shumë e prirur në lëndët e gjuhës shqipe dhe të letërsisë dhe dëshira ishte që të studioja në këtë drejtim. Dëshira m’u plotësua, falë rezultateve të mira dhe në vitin 1994 mbarova fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë Letërsi në Tiranë, duke realizuar njërën nga ëndrrat e mia.
Menjëherë pas përfundimit të studimeve, u punësova si mësuese e gjuhës në shkollat 8 vjeçare të disa komunave në rrethin e Korçës, nga ku megjithë vështirësitë e rrugëve të gjata në këmbë, në dëborën e dimrit të asaj zone, ruaj kujtime shumë të ëmbla.
Puna me fëmijët për mua është diçka shumë e veçantë, e cila përveç përgatitjes profesionale, kërkon shumë përkushtim, durim dhe mbi të gjitha dashuri për ta. Jam përpjekur t’i reflektoj këto në punën me nxënësit e mi, prej të cilëve gjithashtu kam marrë shumë dashuri.
Ata fëmijë, të cilët në vitet ’94-’95 ishin nxënësit e mi, sot janë rritur, janë bërë prindër dhe mbajnë kontakte të vazhdueshme me mua, duke ruajtur kujtime dhe konsiderata për kohën e shkollës.
Por siç thashë, mësuesia ishte një nga ëndrrat e mia, tjetra ishte gazetaria.
Që në vitet e Universitetit, u punësova si bashkëpunëtore e jashtme në Radio-Korça, dhe 2 vjet pas përfundimit të fakultetit u emërova gazetare me kohë të plotë, në këtë institucion, i cili më pas u bë Radio Televizioni-Korça.
Duket sikur ka një shkëputje nga profesioni im i parë, por nuk duhet harruar se baza e të dyjave, mësuesisë dhe gazetarisë, janë publiku dhe komunikimi, përcjellja e mesazheve si dhe gjuha zyrtare shqipe.
Pas një viti pune në Radio-Korça u zhvendosa në Tiranë ku punova si gazetare në media të ndryshme, duke nisur nga Radio dhe televizioni Koha, News 24 dhe Top Channel. Qëndrova atje deri në vitin 2010.
Por dashuria për mësuesinë dhe fëmijët, flinte tek unë, për t’u zgjuar aty, ku kurrë nuk më kishte shkuar mendja; jashtë Shqipërisë. Në vitin 2010 zhvendosem në Selanik për të jetuar me bashkëshortin tim. Një vit më vonë, mësoj se në këtë qytet funksionon një shkollë vullnetare shqipe, nën kujdesin e Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza”. Ishte rastësi takimi me kryetaren e shoqatës Valbona Hystuna, e cila e mirëpriti kërkesën time për t’u bërë pjesë e stafit të shkollës. Kështu, që prej janarit 2012 jap edhe unë kontributin tim.
Çdo të diele, në orën 11:00, me shumë kënaqësi, ndodhem në mjediset e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” në Selanik dhe së bashku me kolegët e mi, jap mësim për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Eshtë një nga ngjarjet më të bukura të javës mësimdhënia në shkollën e Selanikut. Fëmijët janë aq të mirë, të sjellshëm e të dashur dhe kanë shumë dëshirë për të mësuar mbi gjuhën shqipe dhe Shqipërinë. Fëmijët i kam dashur dhe i dua shumë, por puna me fëmijët shqiptarë në Selanik më sjell një emocion të veçantë, që nuk e kisha provuar më parë. Emocionet dhe përjetimet nga aktiviteti në këtë shkollë i ndaj shpesh me lexuesit e agjencisë Balkanweb dhe shikuesit e televizionit News 24 në Shqipëri, për të cilat punoj si gazetare-korrespondente nga Greqia. Nëpërmjet shkrimeve dhe raportimeve të mia, publiku në Shqipëri mëson më shumë për punën tonë në Selanik dhe të kolegëve në të gjithë Greqinë, që prej vitesh në mënyrë vullnetare japin mësimin e shqipes, me dëshirën e mirë, që fëmijët të mos harrojnë gjuhën e të parëve, të njohin vendin e origjinës, pavarësisht se në cilën anë të Botës do t’i çojë jeta e gjatë …
Maj 2013
miri new york says
shqiptaret te kthhen ne shqiperi se jane dhe do jene skellever te grekeve. Jo vetem qe skan idenitet po ja kan nderruar dhe fene.