Nga Astrit Lulushi/Në letërsi, si në dashuri, njeriu habitet nga ajo që të tjerët zgjedhin. E njëjta gjë ndodh edhe në politikë. Objektivi i njeriut në jetë nuk është që të hidhet në anën e shumicës, por të mos gjendet në radhët e të çmendurve. Ky synim humbet. Ka njerëz sot që rendin pas shumicës, jo për t’iu shmangur pjesës së çmendur, por janë të dehur me interesin e tyre. Politika është arti i rrëmbimit të votës, si një ankand sendesh të vjedhura. Partitë premtojnë të mbrojnë secilin nga tjetri. Të shtyrë nga partitë, të përçarë, njerëzit harrojnë qëllimin, energjitë e veta i shpenzojnë në luftë kundër çështjeve pa rëndësi dhe dëshirat e shumicës orientohen kundër pakicës a opozitës. Kjo është historikisht e provuar. Të fituarit sigurojnë për veten e tyre atë që kanë planifikuar. “Demokracia u kry!”, thonë ata. Por kjo gjendje nuk zgjat shumë. Demokracia e tyre shpërdoron, korruptohet, përfundimisht rrëzohet dhe vritet. Sepse nuk ka pasur kurrë demokraci të tillë që nuk ka vrarë veten. Shembulli më i freskët janë të ashtuquajturat republika herë demokratike, herë popullore, pastaj socialiste, fjalë që në thelb shprehin të njëjtën gjë, por përfaqësojnë asgjë nga ato që thonë.