(Një revoltë e pashuar)/
Nga Rexhep Kasumaj/Berlin/
Megjithë emblemat e ndryshme ndër vite, kohët shqiptare i njëjtësonte prorë një tipar unik, si postament i shekujve të tyre.
Ishte njëherë turku zotnues me të drejtën e "gjatësisë së shpatës" dhe njeriu i nënshtruar shqiptar, i vogli, i numërti – kishte ankth për bukën, për "katil-fermanin" e andejdetit, për ditën e nesërme të fëmijëve që lindnin njëj Moti statik e obskur, t'pandrrueshëm e të vjetër sa vetë fillimi i botës…
Do t'vinin pastaj monarkistët në gjysmën e atdheut matanë kufijëve, por Indipendenca e varme herë nga Roma e herë nga Belgradi dhe, mbanë tjetër, feudokapitalizmi primitiv, prodhonin sërish atë t'vetmen shenjë të trishtuar: ikonën e përjetshme të ankth-ziut.
Në trojet e jashtme, ndërkaq, kje më keq akoma: shërbëtor tragjik i sllavëve të jugut, veriu i Arbërit vuante, si pat thënë përmbledhshëm Noli, doktrinën "treaktshe të shpronsimit, shpërnguljes e shfarosjes"…
Më vonë, kur Europa u dogj në flakët e Ariozofisë, do të hidhte rrënjë ideja, e fill pas saj, praktika e sistemuar komuniste. Nismërisht një alternativë altruiste në vëndet skamnore që duhej të ndante barazisht varfërinë, ajo, si keqkuptim historie a dështim njerëzie, do të përdhoste shpejt idealin e vet…Absurdi do prekte kulmin kur një simbol i marrëzisë, aziati i quajtur Pol Pot, për të zhdukur borgjezinë desh të bënte rrafsh me tokë qytetet e pafajshme. "Njeriu i ri", jo i Niçes, por i Josifit s'do kishte më trashëgimi biologjike e as rreth ndikues social…Do lindte vetëm si organizëm nul, të cilin Partia do ta kultivonte në agronom, punëtor a kopshtar…Në fakt, këtej në truallin shqiptar, do të shpallej me fuqi religjioni adhurimi i zjarrtë për bashkëkombësin e lodhur, por do vritej njeriu brenda tij, e s'mbetej veçse lëvozhga etnike, e rrudhur, e thatë dhe e mbështjellë hijes së ankthit si fat i parathënë gjenetik.
E Kosova, me vise rreth e rrotull, përveç tiranisë së dogmës, do t'përjetojë krusmën e kohës së dytë serbiane, që do të vente përtej sprovës apokaliptike të "njeriut të ri socialist". Inxhinieringu i saj kolonialist ishte shumë më i errtë e specifik: u rrek të krijonte një "homo-shqiptar" të veçantë. Të ostracizuar. Pa vullnet për lirinë dhe admirues të çuditshëm të robnisë së vet…Dhe ankthi kje, ashtu, sërish qendra e dhimbjes shqiptare…
Së fundmi, demokracia e ligjëruar në "shtetet e shumta shqiptare", e brohoritur si alkimi e lumnisë, nuk arriti ta çlirojë njeriun e tyre nga ankthi kujdestar, nga roja e mizore në shpirtin e tij. Krimi ordinar, tashmë me status të lirë qytetarie, cilësohet – një zotësi e kooperativës politike, kurse dorëvënja në pasurinë publike – një krenari e denjë ekzemplare…Në sferat e epërme, si ana hijesore e diellit, improvizohet pothuajse gjithëçka. Ndërsa të gjithë shkruajnë më shumë se ç'lexojnë, censura e dikurshme politike është pasuar nga një tjetër më pikëlluese: indiferenca ndaj librit të pluhnosur dhe zhvendosja e betejës intelektuale në rrjetët socialë ku, si ankohej Eco, flasin me kompetencë prej nobelisti injorantët më të pështirë…Për pasojë, prapë e gjithnjë, vrujon thershëm apotheoza e një cope buke, në avullin e së cilës (Remark në "Nata e Lisbonës"), ndryhet gjithë shpresa e botës dhe, njëkohësisht, tortura e heshtur e "vrimës së zezë interesante në dysheme", drejt së cilës vështrojnë të poshtëruar sytë e ulur të ankthit…