Studiues i politikës amerikane, n/kryetar i Vatra Chicago/
Kushtetuta amerikane, e miratuar para më se 235 vitesh, është një nga dokumentet themeltare më të mirënjohura të botës e njëkohësisht më e vjetra ende në veprim. Ajo ka gëzuar vazhdimisht një respekt të thellë anembanë vendit, duke qenë, sëbashku me flamurin, një simbol e mishërim i fuqishëm i përkatësisë kombëtare, sidomos me qendrueshmërinë e saj. Ajo ka frymëzuar gjithashtu edhe një sërë kushtetutash të tjera në të gjitha kontinentet.
Suksesi i debatit publik në vitet 1787-1788 dhe arritja në një dokument të tillë unik (origjinali kishte vetëm 7 nene) ka bërë të lihen shpesh në harresë disa aspekte asokohe thelbësore të atij debati, dhe rëndësia e tyre në formësimin dhe konsolidimin e republikës amerikane.
Gjatë periudhës revolucionare, nga shpallja e pavarësisë më 1776, Shtetet e Bashkuara ishin mbështetur tek një kuadër i përkohshëm kushtetues, i njohur si Nenet e Konfederatës (Articles of Confederation). Të metat e tij ishin kritikuar në vazhdimësi, dhe në ato pak vite që nga fundi i revolucionit më 1783 ishte bërë e qartë se ai ishte krejt i pamjaftueshëm për qeverisjen e republikës së re.
Për këtë arsye në verën e vitit 1787 u mblodh në Philadelphia një konventë kushtetuese ku të 55 delegatët e pranishëm vendosën në parim që dokumenti egzistues të mos rishikohej apo ndryshohej, por të shfuqizohej tërësisht për t’u zëvendësuar nga një kushtetutë e re.
Sipas Neneve në fjalë Shtetet e Bashkuara konceptoheshin si konfederatë ku sovraniteti u takonte në rradhë të parë shteteve anëtare, dhe qeveria qendrore kishte pushtet të kufizuar. Kongresi përbëhej prej vetëm një dhome, ku secili shtet kishte një votë, pavarësisht nga numri i popullsisë. Ndërkaq projekti i Philadelphia-s, me një ndryshim rrënjësor, krijonte një qeveri qendrore të fortë, me sovranitet primar ndaj atij të shteteve. Rëndësia e këtij ndryshimi ilustrohet më së miri edhe nga fakti se druajtja ndaj përmbysjeve të tilla kish bërë që njeri prej 13 shteteve, Rhode Island, të refuzonte deri edhe pjesëmarrjen në konventë, e po ashtu që disa delegatë të braktisnin punimet.
Një çështje madhore dhe fort e diskutuar ishte pikërisht marrëdhënia e lartpërmendur ndërmjet qeverive të shteteve e asaj qendrore. Mes debateve për rolin e madh të kësaj të fundit, në projekt u përfshinë disa mekanizma të reja kufizuese si ndarja e pushteteve në 3 degë të pavarura që kontrollonin njera-tjetrën, apo përfaqësimi proporcional në dhomën e ulët, ku anëtarët do të zgjidheshin sipas popullsisë së çdo shteti. Megjithatë mjaft delegatë i konsideruan ato të pamjaftueshme, prandaj G. Mason, delegat i Virginia-s, propozoi të shtohej një “kartë të drejtash” që s’mund të shkeleshin nga administrata federale. Një kartë e tillë sipas tij “do t’i qetësonte qytetarët”, por kjo ide s’arriti të miratohej.
Pas mbarimit të punimeve, projekt-kushtetuta e nënshkruar prej 39 delegatësh, nga 42 të pranishëm, u dërgua për miratim në legjislaturat e 13 shteteve të atëhershme, me kushtin që do të nevojitej vota e të paktën 9 syresh për hyrjen në fuqi. Mirëpo miratimi s’ishte aspak i sigurt apo i afërmendshëm duke pasur parasysh diskutimet e pasionuara gjatë konventës.
Ashtu siç pritej, debati publik filloi pothuaj menjëherë, me një artikull të botuar në fund të shtatorit 1787 me pseudonimin Cato, sipas zakonit të kohës. Autori, i cili më vonë rezultoi të ishte governatori i New York, G. Clinton, u bënte thirrje qytetarëve ta shihnin me dyshim e ta shqyrtonin me kujdes dokumentin, sepse “edhe më të mirët e më të mënçurit gabojnë, dhe ato gabime, nëse s’ndreqen janë fatale për komunitetin”.
Përkrahësit e miratimit u përpoqën t’i minimizojnë ndryshimet nga kuadri egzistues, duke theksuar se projekti i kishte zgjidhur problemet e ngritura në Philadelphia. Ata ishin në fakt një lëvizje më e organizuar, me figura kryesore etërit themelues G. Washington, A. Hamilton, J. Jay dhe J. Madison. Tre të fundit, me pseudonimin e përbashkët Publius, botuan deri në prill 1788 një seri prej 85 artikujsh pro kushtetutës, duke e pagëzuar veten e tyre si federalistë e duke i cilësuar kundërshtarët si anti-federalistë. Përmbledhja e këtyre artikujve, e njohur si Shkrimet Federaliste, është ndër dokumentet më të njohura e të studiura në detaje në fushën e së drejtës kushtetuese duke u përfshirë gjerësisht në programet e shkollave amerikane, si edhe jashtë vendit.
Por më pak i njohur është ndërkaq kontributi i palës tjetër, pra anti-federalistëve, të cilët botuan shkrime, pamflete e fjalime po aq të shumta, të përmbledhura më vonë si Shkrimet Anti-Federaliste, duke shënuar edhe rivalitetin e parë politik të historisë amerikane.
Në kampin e kundërshtarëve të projektit personalitetet kryesore ishin R. Yates (Brutus), G. Clinton (Cato) dhe S. Bryan (Centinel) dhe atje u përfshinë edhe disa nga figurat më të njohura të revolucionit si P. Henry, S. Adams apo R. H. Lee. Në rradhët e tyre kishte fermerë e pronarë të vegjël tokash, tregtarë, biznesmenë si edhe punëtorë.
Ndërsa secili prej tyre kishte pikëpamjen e tij për atë se si duhej të ishte kushtetuta e re, ata bashkoheshin në disa pika madhore. Kështu p.sh. ata besonin se projekti i jepte Kongresit një pushtet tepër të madh, në dëm të shteteve të veçanta, ndërsa presidentit unitar të republikës kompetenca të ngjashme me ato të një monarku, gjë që do të bëhej shkak për intriga pa fund në kryeqytetin e vendit. Ata ishin të mendimit se liritë personale mbroheshin më mirë nëse pushteti primar u lihej qeverive të shteteve, në krahasim me atë federale. Për këtë arsye, pa një kartë të drejtash, kjo e fundit do të shndërrohej shpejt në tirani.
Këto argumente krijuan në të gjitha shtetet lëvizje të fuqishme kundër miratimit të projekt-kushtetutës. Në legjislaturat anembanë vendit, anti-federalistët vunë fort në dukje kompetencat e gjera të qeverisë federale, duke theksuar ndryshimin jo vetëm nga Nenet egzistuese, por edhe nga republikat e antikitetit. Në Virginia, P. Henry, autori i fjalimit të famshëm “Liri a vdekje”, e quajti projektin “një revolucion po aq të thellë sa ai që na ndau nga Britania e Madhe”. Një autor tjetër shqetësohej se në mungesë kufizimesh serioze, kushtetuta do t’i bënte “qeveritë e shteteve të varura nga vullneti i asaj qendrore për vetë ekzistencën e tyre”. Në tre shtetet vendimtare të Massachusetts, New York e Virginia, anti-federalistët e kushtëzuan ratifikimin me kalimin e njëkohshëm të një karte të drejtash, madje në asamblenë e Massachusetts, debatet shkuan deri në përleshje fizike.
Në këto kushte, duke parë se ndjenjat anti-federaliste mund të çonin në dështimin e përpjekjeve për ratifikim, J. Madison pranoi më në fund të hartonte një kartë të drejtash (Bill of Rights) të pacënueshme nga administrata federale. Ajo u paraqit në seancën e parë të Kongresit më 1789 dhe hyri në fuqi më 1791, pas ratifikimit prej shteteve anëtare.
Bill of Rights, e njohur edhe si 10 amendamentet e para të Kushtetutës, siguron e garanton kësisoj 10 të drejtat dhe privilegjet më themelore të qytetarëve amerikanë. Baza e tyre ishin në disa dokumente historike të mëparshme si Karta e Madhe e Lirive (Magna Carta) e vitit 1215, Karta Angleze e të Drejtave (1689) apo Deklarata e të Drejtave e Virginia-s, e hartuar nga G. Mason dhe e miratuar në qershor 1776, pak ditë para Deklaratës së Pavarësisë. Ato përfshijnë ndërmjet të tjerash lirinë e fjalës, të shtypit, të besimit fetar, të grumbullimit dhe protestës paqësore, si edhe të drejtën për gjykim të shpejtë, për proces të rregullt ligjor, e për mbrojtje nga dënimet mizore dhe të pazakonta. Përkundrejt shqetësimeve të anti-federalistëve lidhur me abuzimet e mundshme të pushtetit nga qeveria qendrore, ligji gjithashtu përcakton se çdo pushtet që kushtetuta s’ja njeh shprehimisht qeverisë federale i përket për pasojë shteteve dhe individëve.
Në analizë të fundit përpjekjet e anti-federalistëve për të penguar miratimin e Kushtetutës vërtet s’patën sukses, por ato ndikuan në mënyrë të jashtëzakonshme në krijimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor. Arritja e tyre kryesore, Bill of Rights, është bërë praktikisht pjesa më e rëndësishme e Kushtetutës për shumicën e amerikanëve. Ndër çështjet që shkojnë deri në Gjykatën e Lartë, ato debatohen shumë më shpesh se vetë nenet e kushtetutës, dhe janë përdorur me sukses për të mbrojtur fjalën e lirë të veprimtarëve të të drejtave civile e të gjithfarë kauzave të tjera. E po ashtu për të kundërshtuar rastet e mbikqyrjes së paligjshme të autoriteteve mbi qytetarët, apo për t’u bërë me dije individëve të drejtat e tyre specifike në rast arresti (të ashtuquajturat “të drejtat Miranda”).
Është pra e pamundur të përfytyrojmë ecurinë historike të republikës amerikane, apo pamjen qe saj të sotme, pa këmbënguljen e anti-federalistëve mbi dyqind vite të shkuara.