Nga Panajot Barka*/
Ne Foto: Panajot Barka,Babis Karathanos,Virona G. Polidhoras/
Zhvillimet mediatike që pasuan inaugurimin e katedrales ortodokse në Tiranë me praninë e primatit të ortodoksisë botërore, konfirmuan në ekstremitet konstatimin e Kadaresë te diskursi “letrar”, “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”. Antishqiptarizmi i këtij segmenti të rëndësishëm për çdo shoqëri të emancipuar në dukje është në mbrojtje të ortodoksisë në emër të kombëtarisë. Në esencë është kundër ortodoksisë, për shkak të përparimit të saj. Duke iu referuar logjikës së Kadaresë, “furtuna” mediatike kundër ortodoksisë nga ekstraortodoksë, ishte në thelb një tregues “i ndjesisë këmbëngulëse kundër Evropës”. Madje, u përdorën mjete që komprometuan keqas moralin intelektual. Një analizë krahasuese, çon në fatin e Voskopojës dhe simetrinë e kontradiktave të fundit të shekullit të 19-të,dhe fillimshekullit të 20-të, në lidhje me Shqipërinë, ku aktorë ishin faktorët me interesa gjeostrategjike të njohura historikisht.
Qëllimi është krijimi i ndjesisë së fajit dhe inferioritetit të komunitetit ortodoks ndaj “përfaqësuesve të kombëtarësisë”. Para disa kohësh dukej sikur këto qarqe e dëshironin veprën primatit të KOASH-it, Kryepeshkopit Anastas, për ringjalljen e Kishës Ortodokse Shqiptare, por duke e mohuar atë personalisht. Reagimet e fundit treguan se më shumë kanë frikë nga kjo ringjallje e kishës ortodokse. Pra nuk duan as Kryepeshkopin dhe as veprën e tij. Një situatë e tillë, ka provokuar midis ortodokseve shqiptarë autocensurën, e manifestuar nëpërmjet heshtjes dhe e keqinterpretuar si përkrahje e këtyre qarqeve, ose si tolerancë. Ortodokset nuk reaguan as kur akuzuan besimin e tyre si më të rrezikshëm se fundamentalizmi islamik. Në thelb, këto qarqe bëjnë sikur harrojnë se duke provokuar tolerancën e vërtetë të vendosur midis besimtarëve të feve të ndryshëm në shekuj, tolerancë e cila ka si thelb të shëndoshë, origjinën e përbashkët fetare, mund t’i shndërrojnë komunitetet fetare në Shqipëri në pllaka sizmike në veprim.
Më 1, në Tiranë dhe në Shqipëri shkruhej një faqe në historinë e saj, që linte pas rëndësinë e inaugurimit të katedrales si monument. U mblodh gjithë primati i ortodoksisë botërore, i cili kishte shekuj të terë që nuk mblidhej. Takimin, qoftë edhe ceremonial, e kryesonte Patriarku Ekoumenik i Kostandinopojës, i cil vjen i dyti pas Papës. Në kushtet e krizës globale, ky takim shënjon nevojën e bashkëpunimit e të mirëkuptimit në plan ndërkombëtar. Dhe ky fakt historikë ndodhi në Tiranë disa javë para se Evropa të vendosë r statusin e vendit kandidat. Kisha Ortodokse dha një mesazh të pashembullt drejt kësaj aspirate të popullit shqiptar. Për këto qarqe, eklipsuan peshën historike të pranisë së primatit botëror të ortodoksisë me prezencën e një njeriu me veladon, i njohur me emrin Nikoll Marku. U promovua si shpëtimtar i ortodoksisë shqiptare nga primati i ortodoksisë botërore, një njeri të cilin rregullat kanunore të ortodoksisë nuk e njohin për prift. U promovua një njeri që mban të uzurpuar një kishë pronë të KOASH-it. Nikollë Marku i ka humbur të gjitha gjyqet për pronësinë mbi të, megjithatë nuk pranon ta dorëzojë kishën. Argumenti se ai për këtë veprimtari ka marrë leje nga shteti, në rastin e hierarkisë fetare ortodokse është i pavlerë, se bëhet fjalë për një OJQ. Ana tjetër e kësaj përbaltjeje të ortodoksisë nga këto qarqe lidhen me ngatërresën e qëllimshëm midis autoqefalisë dhe puritanizmit (shqiptar).
Në emër të traditës kishtare shqiptare pretendohet për një shkëputje puritane nga tradita kishtare ortodokse në përgjithësi. Sebepi kësaj here u gjet te përdorimi i greqishtes nga drejtuesi i meshës, Patriarku Ekumenik Bartholemeu. Primati Ekumenik mëshoi në gjuhën zyrtare të traditës së kishës bizantine, që është gjuha greke. Por u respektua edhe parimi “një besim shumë gjuhë” i zbatuar në perandorinë me jetëgjatë në botë, për të ruajtur harmoninë dhe tolerancën ndërkomunitare të saj. Ndaj, bashkë me greqishten u dëgjua edhe shqipja edhe mbi 10 gjuhë të tjera. Nga ana tjetër, asnjë nga popujt ortodoksë të ish-perandorisë bizantine dhe asaj otomane, pavarësisht nga marrëdhëniet e vendosura me Patriarkanën në momentin e pavarësimit të kishës së tyre, nuk mohuan në vijim tharmin grek. Në raport me Shqiptarinë. Sipas Nathalie Clayer, shqiptarizmi në vitet ’70-të të shekullit 19-të ishte “produkt i helenizmit ose si identifikim ose si reagim”. Konkluzioni i ballkanologes franceze, përbën faktikisht edhe thelbin e marrëdhënieve midis helenizmit dhe shqiptarizmit në formim. Në vitet ’30-të të shekullit të 19-të, kur Shoqëria Biblike i kërkoi leje Patriarkanës për përkthimin e librave të shenjta në gjuhën shqipe, kjo e fundit e pranoi, pasi besonte se ishte një mundësi që elementi shqiptar, nga më të devotshmit në krah të Perandorisë Otomane, të rikthehej te besimi i krishterë. Në atë kohë, me përjashtim të Greqisë, ajo që përvijohej te popujt ballkanas ishte lufta kundër Perandorisë Otomane. Në këtë drejtim çonte ujë edhe përpjekja e shën Kozmait për të ruajtur ortodoksinë nëpërmjet gjuhës së saj zyrtare –greqishtes, ndaj rrezikut të përhapjes së mëtejshme të islamit në tokat e perandorisë otomane. Iluminizmi i tij shkonte përkrah idesë së Riga Fereut për bashkimin e të gjithë popujve të Ballkanit kundër Perandorisë. Po kësaj ideologjie i shërbente dhe Voskopoja, e cila në bashkimin e popujve të krishterë kundër Perandorisë Otomane nuk mund të mos vinte re elementin shqiptar dhe si të tillë nuk mund të mos stimulonte gjuhën e tij, ashtu siç bëri edhe për popujt e tjerë, duke botuar libra e fjalorë me bazë greqishten. Mirëpo, duhet venë re se, nëse Ali Pasha e dogji Voskopojën se konkurronte Janinën, shkatërruesit e mëvonshëm të saj, të shpallur heronj, nuk kishin argument tjetër veçse rrezatimin e saj multietnik ortodoks, zhvillim që trembte shumë Perandorinë Otomane. Duhet thënë a se themeluesit e shqiptarizmit në shekullin e 19-të ishin kryesisht ortodoksë. Aktivizimi i tyre për dekada të tera, solli promovimin e krishterimit ortodoks shqiptar dhe në vijim promovimin e gjuhës shqipe si element bazë të identifikimit kombëtar. Pra, në periudhën e gjatë deri në ditën tona të krishterimit ortodoks, tharmi grek është i pamohueshëm. Nëpërmjet Bizantit iu injektua Perëndimit dhe Lindjes dhe qëndron në themelet e ortodoksive të kombeve e shteteve. Ortodokset shqiptarë, pavarësisht nga arsyet, u treguan punëtorët më të mëdhenj në shërbim të kombit të tyre. Në këtë aksion të gjatë historik ata asnjëherë nuk i pengoi as të qenit ortodoksë e as të pasurit lidhje me traditën helene. Ahmet Zogu u mbështet pikërisht te ata për të ndërtuar shtetin e parë shqiptar. Të njëjtën gjë bëri edhe sistemi komunist. Hoxha, kur i duhej të identifikonte Shqipërinë me Perëndimin, i tregonte asaj pikërisht kulturën ortodokse shqiptare. Sot, kisha ortodokse e ka përparimin e saj të padiskutueshëm. Qarqet që i prodhojnë të njëjta shkaqe historike, janë shfaqur dhe veprojnë kundër saj. Veprimi i parë ka të bëjë me lejimin e shkatërrimit përfundimtar të traditës shekullore të kulturës ortodokse në vend. Veprimi i dytë ka të bëjë me pengesën, diskriminimin dhe zhvlerësimin si antishqiptare të arritjeve të sotme të Kishës Autoqefale Shqiptare.
* Botoi: SHEKULLI, 11, qershor 2014
sending says
“Tharmi grek”, ashtu e pashpjeguar sic eshte lene, kjo eshte nje shprehje pa kuptim ne rastin me te mire ose nje perpjekje tinzare per te perligjur futjen e gjuhes greke ne kishen shqiptare.
Ne qofte se eshte fjala per futjen ne perdorim te gjuhes greke ne kishen Autoqefale shqiptare, duhet then prerazi se ajo nuk ka vend ne liturgjine e kishes ortodokse shqiptare dhe kete e ka pranuar vete Patrikana a Stambollit me nevojen qe te perktheheshin ne shqip librat e shenjta.
Kisha shqiptare varet nga Patrikana aq sa varet edhe kisha ruse, serbe ose greke. Gjuha greke eshte gjuhe vetem e kishes greke. Dihet mire se te gjithe popujt ortodokse, Serbet, Bullgaret, Maqedonet, Rumunet, Ukrainasit, Ruset etj. perdorin vetem gjuhet e tyre kombetare ne liturgjine e kishave te tyre ortodokse. Perse duhet te perdoret gjuha greke dhe jo shqipja, gjuha e ortodokseve shqiptare ne kishen e tyre?
Kjo eshte nje pyetje thelbesore qe do ta shtronte cdo ortodoks i ndershem shqiptar. Per fat te keq, kesaj pyetje i eshte shmangur shkruesi i artikullit.
Shqiperia eshte nje vend sovran dhe sofizmat mbi “tharmin grek” jane te pavlefshme. Themeluesi gjenial i kishes ortodokse AUTOQEFALE SHQIPTARE, Fan Noli nuk e pa te nevojshem kete “tharm grek”. Nga na del ky “tharm grek”, nje shekull pas Fan Nolit?
Historia e kishes ortodokse autoqefale shqiptare nuk fillon ne 1992 me ardhjen e Janullatosit.
Duke folur per kishen ortodokse autoqefale shqiptare, artikullshkruesi nuk permend dhe qellimisht injoron rolin Fan Nolit si themelues i Kishes Autoqefale Sqiptare. Pa Fan Nolin dhe punen dhe gjakun e martireve te ORTODOKSISE SHQIPTARE kjo kishe nuk do te ekzistonte. Ne qofte se artikullshkruesi permend djegjen e Voskopojes, perse ai nuk permend krimet e kishes ortodokse greke dhe te shtetit grek nga e cila varet fort ajo, djegjen e qindra fshatrave te Shqiperise se jugut, therrjen barbare te 200 burrave ne Hormove, intrigat e pafundme kunder prifterinjve shqiptare, shpronesimin e pashembullt dhe perzenien me dhune te 30 mije cameve nga vatrat e tyre shekullore?
Keto krime nuk mund te lahen me ca “tharm grek”, por me pranimin nga kisha greke te fajit.
Autori mund ta kete shkruar kete artikull nga cdo lloj pozite, por nuk me duket ta kete shkruar nga pozita atdhetare. Venia e fese mbi atdheun eshte percarese dhe e rezikshme. Ajo i sherben interesave te shovinizmit grek dhe pretendimeve territoriale te qarqeve te fuqishme antishqiptare.
Une personalisht fene e shikoj ne funksion te interesave e te sigurise se Shqiperise.