STUDIUESI ANTON ÇEFA, NË VITIN E FAIKONICËS-SHPALLË NGA VATRA- SJELL LIBRIN- FAIK KONICA:” PËR SHPIRITËN E VATRËS JAM RESPONSIBLE UNË”/
Poeti dhe studiuesi Anton Çefa, ish editor i gazetës Dielli për 12 vite, sapo ka publikuar librin : Faik Konica: ” Për shpiritën e VATRËS jam responsible unë”. Libri studimor vjen në “Vitin e Konicës”, shpallë nga Federata Panshqiptare e Amerikës ‘VATRA”.
Duhet thënë që në krye të herës që libri sjell studime serioze të autorit rreth figurës eminente të Letrave Shqipe, Faik Konicës. Rrallë studiues të Faikut, kanë gërmuar kaq thellë në shpirtin e tij, sa Anton Çefa, për të nxjerre fisnikërinë e shpirtit konician…
Studiuesi Çefa e hap librin me përsiatje meditative rreth dëshmisë të Faik Konicës”Për Shpiritën e Vatrës jam responsible unë”. Për studiusin kjo”responsible” është një dëshmi e gjallë e një ndërgjegjeje, që pohon, zotohet e merr përsipër pasojat deri në fund e pa asnjë kusht. Kjo përgjegjësi që merr përsipër Faik Konica, është edhe një dëshmi, siç argumentonte hartusi i së parës Histori të Vatrës, editori i ndjerë i Diellit, Refat Xh. Gurrazezi, tek fliste për kontributin parësor të Konicës në themelimin e Vatrës.
Studiuesi Anton Çefa shkruan : Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek mërgimtarët shqiptarë shpirtin e bashkimit në emër të një ideali, ideali të shenjtë Kombëtar. Për studiuesin e Konicës, “Tingëllon si një Kushtrim kundër përçarjes:”Të realizojmë shpiriten e bashkimit që të mos humbasim!”.
Në këndvështrimin e autorit të librit vizioni i Konicës ishte i kthjellët. Faik Konica shpirtësoi tek shqiptarët shpirtin e demokracisë në emër të së ardhmes. Ai e sheh këtë “responsible” si dëshmi “që shkëlqen me virtytin e moralit të veprimit, veprimit të detyrës, detyrës së nganjëdhimit”. Kjo përgjegjësi e bën Konicën luftëtarin më të zjarrtë të evropianizimit të shpirtit shqiptar, që tingëllon aq aktual në ditët tona.
Studiesi komenton pikërisht aktualizimin e parashikimeve të Konicës së madh në ditët tona, duke i etiketuar mësimet e Tij-Profetike. A nuk është profetike shprehja e Konicës?- Shqipëria”U ngjall nga idealistët, U-ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët.” …Studiuesi Çefa komenton rreth kësaj profecie:” A nuk po e vrasin sot politikanët kuqalosha?
Intelektuali e ka për detyrë që të mos serviloset para politikanëve që e nxjerrin Shqipërinë në ankand .Faiku ishte model për kohën e vet.
Studiuesi e trajton me admirim figurën fisnike të Konicës. Madje bashkëbisedon me të në mënyrë të drejtëpërdrejtë, në vetën e dytë, duke ia njohur meritat dhe duke ia zbuluar vlerat:” Përkrah Nolit, me bashkëluftëtarë të përkushtuar si Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Llammbi Çikozi, Elia Tromara, Kosta Vasili,…bashkove shoqatat e Fshatrave dhe themelove VATRËN, këtë Kështjellë Kombëtare, Vatrën e dritës dhe të ngrohtësisë, dritës së shpirtit, ngrohtësisë së zemrës; Vatrën që edhe sot e kësaj dite edhe pse e plakur në moshë, është më e re se kurrë.
Studiuesi ia njeh meritën Konicës si hartues mendjendritur i Kushtetutës së VATRË-Kanunores së saj dhe ndalet në nyjen e parë, ku Faiku shënoi: ” Të rritë në mes të shqiptarëve t’Amerikës, dhe me anë të tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes të tyre dhe të dashurisë për Kombësin’ e tyre….”.
Autori përcjell edhe një mesazh për vatranët e sotëm: Në farkën e Vatrës u kalitën vargane pas varganësh luftëtarë të rinj si Kosta Kotta, Naum Çere, G. Konda Gjoleka, Efthim Natsi, Ilo Zografi, Vani Çekani, Thoma Nassi etj,.brezni pas breznie, deri në ditët tona…..Mesazhi :”Vëllezër, të mos i harrojmë këto emra, por t’i kujtojmë e t’i mbajmë në shpirt se na ndriçojnë, t’i ruajmë në zemër se na ngrohin. Këto janë të madhërishëm, t’u përulemi; janë të shkëlqyshëm, të ndriçohemi, janë të përjetshëm, t’i ndjekim…”.
Ky mesazh zbulon edhe shpirtin e vet studiuesit, konsideratën e tij për Vatrën dhe vatranët, për themeluesit, vazhduesit, breznitë e Vatrës dhe vatranët e sotëm, me të cilët punoi për 12 vjet duke edituar Diellin. Këtë mesazh duhet ta marrin dhe shpirtëzojnë të gjithë vatranët. Në librin e Çefës, kryemjeshtri Konica, që nuk i rreshti përpjekjet për edukimin, civilizimin, europianizimin e shqiptarëve, që punoi aq fort për bashkimin e tyre, zbërthehet në shumë komponentë, dalin në dritë vlerat universale që ai mbartëte.
Në studimin”Konica, shpirti i bashkimit dhe Vatra”, hidhet dritë me argumente për luftën e parreshtur të Konicës për bashkimin e shqiptarëve. Çefa i kërkon dhe i gjenë vlerat e Faikut, që tek Albania në Europë, për të ardhur në SHBA, 9 Tetor 1909, ku e thirri shoqata Besa-Besë për të drejtuar Diellin.
Studiuesi nuk e sheh të veçuar rolin e Konicës; por ua jep vlerat dhe ua njeh kontributet edhe bashkëpunëtorëve të tij, së pari Nolit, por pa harruar edhe të tjerët:duke filluar që tek Shoqata Besa-Besën: Kristo Floqin, Marko Adams, Paskal Aleksi, Kristo Kirka, Elia Tromara,Kosta Vasil,Naum Çere, Kosta Kotta, më pas vjen kontributi i tij në krijimin e Vatrës, ku triumfoi bashkimi, duke lënë pas shoqatat e krahinave apo të fshatrave. Ai ishte një arkitekt me vizion të qartë për bashkimin e shenjtë të shqiptarëve të Amerikës, ide që e pat trajtuar edhe tek Albania, edhe në gazetën Dielli, gjatë kohës që e editoi si organ të Besa-Besës.
Autori i librit studimor konstaton se”Shpirita” që Konica shpirtësoi tek Vatranët dhe për të cilën ai ndjehej “responsible” është shumë dimensionale, por tri janë përmasat më rëndësore e më të shquara: 1- ajo e bashkimit,2- e qytetërimit dhe 3- e demokracisë perëndimore.
Çefa mendon se, fillimisht,Faikut iu desh të frymëzonte”shpiritën” e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar, por ideali mungonte, sepse mungonte vetëdija Kombëtare. Një pjesë e vogël e mërgimtarëve shqiptarë të fillimit të shekullit nuk kishin as konceptin e atdheut, sepse dhe atdheu mungonte, për më tepër, emigrantët tanë të asaj kohe, nuk e dinin se ishin apo jo,shqiptarë. Siç shkruante editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës Refat Xh. Gurrazezi:”Një shumicë shqiptarësh asi kohe nuk e kishin kuptuar mirë se ç’ishin… dhe e quanin veten Grekë e Turqë….”.
Ata ishin vëretët lëndë njerëzore me plot virtyte të fisme, por e papërpunuar në relacion me vetëdijen Kombëtare, komenton Çefa dhe shton: U deshën Sotir Peci, Fan Noli, Konica dhe pak të tjerë që numëroheshin me gishtat e dorës, numri i të cilëve erdhi duke u rritur, që t’i jepnin kësaj lënde shpirtin e nacionalizmit, si një farë e hedhur në një tokë të plleshme-se vërtetë ndërgjegja shqiptare është një tokë e tillë, humus jetdhënës.
Me ineteres të veçantë është edhe studimi”Konica, shpirti i qytetërimit dhe VATRA”. E përsëris: Rrallë studiues të Faikut, kanë gërmuar kaq thellë në shpirtin e tij, sa Anton Çefa, për të nxjerre fisnikërinë e shpirtit konician.Antoni na merr përdore dhe na fut në minierën shpirtërore të Faik Konicës. Natyrisht që Faiku i shkolluar dhe i qytetëruar, i stërvitur me kulturën perëndimore dhe i mbrujtur me vlerat e atij qytetërimi, haste pengesën e madhe të gjendjes reale të pakulturës të popullit të vet. Stdiuesi Çefa shkruan: Konica, personaliteti më i kulturuar i kohës së tij, pa lënë mb’anesh Nolin, e pau me dhimbje krahërori gjendjen e ulët të qytetërimit të popullit tonë dhe të emigrantëve shqiptarë të Amerikës, jo vetëm në rrafshin e kulturës materiale dhe të nivelit të jetesës, por sidomos në atë të kulturës shpirtërore dhe të zhvillimit shoqëror të shoqërisë shqiptare;- e vuri në dukje në shkrimet e tij, e shqyrtoi me sytë e një sociologu, e këshilloi me zemrën e një edukatori atdhetar idealist, dhe e kritikoi ashpër, po me këtë zemër.
Konica shumë nga synimet e tij për edukimin e shqiptarëve të Amerikës i shpirtëzoi në Vatër. Madje edhe në Kanunore,po me këtë qëllim, siç konstaton Çefa,- shkroi se- Qëllimi i Federatës është:”Të përhapë në mes të shqiptarëve t’Amerikës stërvitjen dhe doktrinat morale…”. Konica së bashku me Nolin dhe atdhetarët e tjerë krijuan dhe organizuan”Vatrën” si një Institucion të edukimit kombëtar e qytetar. Studiuesi sjell shumë fakte dhe argumente rreth synimit të Konicës për ngritjen morale dhe kulturore të shqipatrëve, si në rrafshin teorik edhe në atë praktik. Vatra nuk u mor vetëm me punë Kombëtare dhe fushata ndihme për Shqipërinë, por edhe me edukimin dhe ngritjen kulturore të shqiptarëve të Amerikës. Mjafton të përmendet Banda Muzikore Vatra, që u bë themeli i Bandës Muzikore të Shtetit Shqiptar, apo shfaqjen e Tragjedisë “Othello” që me 4 korrik 1923 në Boston, dhe e kupton sfidën që përballuan Konica dhe Noli përmes Vatrës.
Vlerat e Konicës në këtë libër plotësohen edhe me studimin” Konica, shpirti i demokracisë dhe VATRA”. Studiuesi shkruan:” Ndërgjegja koniciane-baltë shqiptare e shpirtësuar në Europë-aq e pasur në përmbajtjen e saj, duket se një ndër dimensionet kryesore pati demokracinë: Demokracinë në ideal, demokracinë në formim, demokracinë në Veprim. Prandaj,- atdhedashës në zemër, liberal në shpirt, dhe demokrat në bindje, siç qe, Konica, e quajti veten të përgjegjshëm për të mëkuar e mbrujtur parimësinë dhe edukatën demokratike në shpirtin vatran dhe në atë shqiptar, në përgjithësi.
Anton Çefa konstaton se: Përgjegjshmërinë për të njëmendësuar shpirtin demokratik në ndërgjegjet shqiptare, Konica e realizoi në dy rrugë: në punën e drejtëpërdrejtë në gjirin e Vatrës, dhe duke ndikuar në gjendjen në Shqipëri. Konstatimi i parë i Çefës është ky:”Vatra” u konceptua dhe funksionoi si organizatë thellësisht demokratike; ajo u formësua si shkollë e mësimit dhe e stërvitjes demokartike. Qe shpirti demokratik i udhëheqësve të saj, sidomos i Nolit dhe i Konicës, që frymëzoi jetën, tharmoi bëmat, jetësoi sukseset dhe skaliti historinë e saj aq të frytshme e pozitive për historinë kombëtare. Më pas autori analizon raportet mes ligjshmërisë demokartike të sanksionuar në Kanunore dhe rregulloren e Vatrës dhe funksionimit praktik të saj në mënyrë demokratike. Çefa bashkohet me mendimin e editorit Gurrazezi, që shkruante në Diellin e v. 1974 ,”Atherë kish vërtetë rregulla parlamentare në Vatër”…
Ky studim përcjell të dhëna interesante, sjell përfundime të logjikshme, rreth demokracisë në Vatër dhe kontributit të veçantë të Faik Konicës për demokratizimin e saj.Një studiues i vëmendshëm do të gjejë lëndë të mjaftë në këtë studim të Anton Çefës për të kuptuar shpirtin demokartik të Konicës dhe funksionimin demokratik të Vatrës.
Me shumë interes është edhe studimi””Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni”, ku lexuesi do të gjejë material të bollshëm për të vlerësuar rolin e presidentit Amerikan Woodrow Wilson për shpëtimin e Shqipërisë, rolin e Vatrës në shpëtimin e Shqipërisë, vlerësimin e Nolit dhe Konicës rreth kësaj figure të dashur për Kombin shqiptar etj. Studiuesi i jep hapësirë kontakteve të Vatrës me presidentin amerikan, sjell takimin e Nolit me Wilsonin me 4 korrik 1918, gjatë peligrinazhit të organizuar nga presidenti në Mount Vernon, vendi historik ku është varrosur presidenti i parë i Amerikës, George Washington, 14 pikat e Wilsonit, që shpëtuan Shqipërinë etj. Autori ndalet gjatë në fjalimin vlerësues të Nolit në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, me 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes të presidentit Wilson. Po ashtu, Çefa sjell edhe vlerësimin e Konicës, i cili kur vdiq presidenti, shkroi “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Wilsoni duhet të ishte i madh për Shqipërinë.” Madje ai, në rolin e Kryetarit të Vatrës, do t’i niste edhe një telegram Kuvendit Themeltar të Shqipërisë për përjetësimin e emrit të Presidentit Wilson:”Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve, pa ndryshim partie: Me vdekjen e ish Presidentit Wilson u cduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtari i Shqipërisë. Proponimi im është t’i jepet emri Wilsonville, ose Shën Gjergjit, ose Sarndës.
Juaji me respekt
Faik Konica
Noli, do t’i përgjegjej më 11 Gusht 1924:” Me vendim minestrial, Shën Gjini, u pagëzua Wilson”…
Nëse Konica, kur mori detyrën e Ministrit në Washington(ambasador), nderimin e parë e bëri tek varri i Presidentit Wilson, duke vendosur kurorën më të veçantë,më të madhe dhe shumëngjyrshe, që ra në sy të medias dhe gazeta The Washington Post, do ta veçonte, ndërsa Qeveria Komuniste, sapo mori fuqinë në Shqipëri, hoqi emrin e Wilsonit dhe ktheu Shën Gjinin!
Me interes në këtë libër është edhe studimi”Faik Konica mes himnizimit dhe kritikës së psikologjisë së popullit tonë”, “Mohimi i Kolosit”, “Shqipëria dhe shqiptarët në penën e Konicës”,”Kanë thënë për Konicën”, si dhe pjesë nga krijimtaria e Faik Koncës.
Studiuesi meriton përgëzime për punën serioze studimore-shkencore, mbështetjen në burime të shumta referuse.
Libri është sponsorizuar nga vatrani Zef Balaj, anëtar I Kvshillit të VATRES.
Zeqir Maliqi says
Si kishte me ardhe Gazeta”Dielli” e Vatres ne Kosove ne emrin tim Zeqir Maliqi,fshati Goshice,61000 Viti,Kosove.
Behet fjale per gazeten ne gjuhen shqipe.
Ju pershendese dhe uroj pune te mbare per ju.