Motive të bardha/Nga Anton Çefa/
Flurore fjolla bore/
zbresin fushoreve./
Nji mori lulesh në xham/
sajojnë puthjet e bardha./
Dikush shpejton të hapë nji shteg
te rruga,/
nën derë të moshës nji plak/
struket n’mendim./
Fjollat e borës flurore/
ngadalë zbresin fushoreve./
* * *
Fije përrallash të bardha
e mallesh
bien,
e nji rënkim i heshtur
stiset diku larg
si nji laureshë
që shkepet nga kaçuba trembshëm.
* * *
E varun në bardhësi
t’panjollë
rri pezull qenia ime
e dhimbja
e fjala
mbështillen me të bardhë.
* * *
Ç’ u banë trumcakët ?
Ndër foletë,
mbi degët e plepave janë strukë
nën mbulesën e bardhë të borës.
Dhe ndër vargjet e mia nxjerrin krenat,
këtu e ndjejnë veten ma ngrohtë.
e lind nji fije të ngrohtë mendimi
herë – herë të hallakatun,
flauri e bëardhë,
ravgim i paqtë prej qielli
si nji bekim i epërm
mbi shtrojet e dhimbjes sonë.
Dimen
Dheun e mbulon
bardhësia e mendimeve të borës.
E flokët e saj
mbi shpirtin e qelqtë të dimnit
me mija forma
lulet i çelin të ngrita.
Andrra dridhshme
të ftohta
puçrrizen mbi gishtat e degëve
që presin pranverën.