Reth krijimtarisë të tij letrare ne vëllimin “Fjala dhe heshtja”.
Nga Skifter Këlliçi.
Aty nga mesi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, gjatë një takimi letrarësh, një poet, asokohe nga më më të mirët e realizmit socialist, u shpreh se Anton Mazreku, (1908-1969), i njohur deri atëherë dhe më pas nga i madh dhe i vogël për komentet aq emocionuse që u bënte ndeshjve të futbollit nga mikrofonët e Radio Tiranës, ishte “shkrimtar i mbetur në rrugë”.
Ende nuk kisha nisur studimet e larta për gjuhë letërsi dhe kjo shprehje më befasoi, sepse, veç komenteve të mësipërme në Radio dhe reportazheve po aq tërheqëse në faqet e gazetës “Sporti Popullor”, ndonëse këto këto më të pakta, gjë tjetër nuk kisha lexuar nga Anton Mazreku.
Madje, edhe kur disa vjet më pas u bëra gazetar sportiv dhe së bashku me Ismet Bellovën dhe me vetë Mazrekun krijuam nje “trio” origjinale komentatorësh radiofonikë të futbollit, ndonëse bisedoja jo rallë me të, kurrë nuk e pata pyetur për krijimtarinë e tij letrare, e nisur qysh më 1925, kur ishte djalosh 17- vjeçar dhe vazhduar, siç dëshmohet në shtypin e kohës, deri në vitin 1944, kur kishte mbushur 36 vjeç.
Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse edhe unë, pasi kisha botuar deri në moshën 20- vjeçare dy tregime, për të cilat nuk ia vlen të zgjatem, sepse ishin skematike dhe të dobëta, për një kohë të gjatë hoqa dorë nga krijimtaria letrare, për t’iu kushtuar emisioneve artitstike në Radio Tirana dhe veçanërisht “Rubrikës sportive”.
Mirëpo, nga filimi i viteve ’70, po të shekullit të kaluar, kur zura të merresha me përgatitjen e librit “ Historia e futbollit’”, që do të botohej më pas, duke shfletuar në Bibliotekën Kombëtare koleksione të gazetave shqiptare, midis të cilave të gazetës “Sportit Shqiptar”, (1935-39), që kishte themeluar dhe drejtuar vetë Anton Mazreku, ndarë pa pritur nga jeta më 1969, hasa dhe në krijimtaënë e mirëfilltë të tij letrare, me skica, tregime, poezi, shënime kritike, shqipërime nga letërsia e huaj, madje, siç do vë në dukje më poshtë, të një niveli të lartë artistik. Dhe, duke qenë tashmë edhe vetë autor i disa veprave letrare, me përvojën e fituar, isha në gjendje të gjykoja mirë se Anton Mazreku, nëse deri atëherë ishte komentatori më i mirë sportiv i mikrofonit shqiptar, në të njejtën kohë, me krijimet e mësipërme letrare, dëshmonte se kishte qenë edhe ndër shkrimtarët dhe poetët tanë rinj më të talentuar të viteve 1930-40-të.
Me fjalë të tjera, në brezin e shkrimtarëve të rinj, të lindur në vitet e para të shekullit të kaluar, duke përjashtuar Sterjo Spassen, Nonda Bulkën dhe Migjenin, që ishin bërë të njohur përkatësisht me romanin “Pse”, (1934), përmbledhjen poetike “ Vargjet e lira” (1936) dhe I fundit me vëllimin satirik “Kur qesh dhe qan bilbili”, (1934), po në atë periudhë Anton Mazreku, me origjinë kosovare nga fshati Mazrekaj, ishte pa dyshim ndër shkrimtarët e rinj më të talentuar, i tillë si Dhimitër Shuteriqi, që deri më 1936, ende 21 vjeç, kishte botuar edhe dy vëllime me poezi dhe Petro Marko, që ishte njohur në shtypin e ditës me skica, poezi dhe shkrime të goditura publicistike. Por që të dy nuk kishin botuar deri atëherë tregime, siç kishte ndodhur me Anton Mazrekun.
Madje, duke gjykuar pas kaq dekadash, kam mendimin se pas tregimeve të Ernest Koliqit dhe Migjenit, që bëjnë pjesë në fondin e artë të letërsisë shqiptare, tregimet e Mazrekut dëshmojnë se po të vazhdonte krijimtarinë letrare, ai do të bëhej nga prozatorët e shquar shqiptarë.
Të njejtin vlerësim do të bëja edhe për krijimtarinë poetike dhe përkthimet e tij në prozë dhe poezi nga letërsia klasike italiane, gjermane dhe franceze, që i hasim jo rallë në shtypin e asaj periudhe.
Le ta dëshmojmë këtë me disa shembuj. Po e nis nga proza. “Hajdutët” është një tregim I botuar në gazetën “ Zëri i Korçës” më 1927, kur Mazreku 19-vjeçar, ndiqte Liceun francez të Korçës. Mbase ky tregim është bazuar në ndonjë kronikë të shtypit të asaj kohe, sepse ngjarjet zhvillohen në një natë vere të vitit 1913, në Bullgari, kur sapo kishte mbaruar Lufta Ballkanike.
Eshtë mesnatë e errët dhe përmes pyllit të dendur një makinë po i afrohet qytetit. Autori përshkruan me vërtetësi artistike gjendjen e trazuar shpirtërore të udhëtarëve, që pas pak do të sulmohen, grabiten dhe vriten nga një bandë hajdutësh.
“ Fytyrat e udhëtarëve,- shkruan Mazreku,- janë të zbehta, të hequra, jo nga lodhja, po nga frika… Gazi, qeshja dhe gëzimi janë strukur vetëm në shpellat e hapta të kujtimit. Por prapë kanë një shpresë, një shpresë të vogël, shpresën e një shpëtimi të çuditshëm. Në pyll asgjë nuk pipëtin, asgjë nuk dëgjohet, përveç një zhurme të lehtë që japin gjethet e pemëve të lëmuara nga një erë përkëdhelëse”.
“Kështu desin burrat” është një tregim, përsëri me temë historike, por shqiptare, botuar në gazetën “Demokracia”, më 1933, kur Mazreku kishte mbushur tashmë 25 vjetët. Në qëndër të tij janë vajza fshatare, midis të cilave Kyrana, që kanë vajtur në fushë, për të korrur grurin. Befas sulmohen nga kalorës turq, që kërkojnë t’i rrëmbejnë. Por aty ia behin edhe trima shqiptarë, të prirë nga Vladi, i fejuari i Kyranës. Zhvillohen luftime të ashpra. Vriten turq, të tjerët zmbrapsen me panik. Por plagoset rëndë Vladi. Kyrana ia merr nga dora flamurin kuqezi dhe më të mbulon trupin e të fejurit, tashmë pa jetë.
“ Ishte ende herët, qiellës vezullojshin hyjtë përmallshëm, mas nji kodre zhdukej i mbrami kind i hanës. Prej maleve të largëta e prej valëve të pronit, që gurgullonte, tuj u pshtjellue nëpër ca rranjë e gropa, derdhej gjithkah nji fresk i kandshëm. Vetëm natyra me at pagjë plot andje grishte me u ndrye në vetvedi”.
Me të tilla penelata të mirakandshme dhe fjalor të pasur Mazreku përshkruan në këtë tregim agimin e atij mëngjesi, kur vajzat po drejtohen kah grunishta për ta korrë, pa e marrë me mend se që pas do kohe do të sulmoheshin nga turqit.
Të bën përshypje një dukuri krejt origjinale e këtij shkrimtari. Në krijimtarinë e tij, qoftë letrare, a publicitike, ai ka shkruar në të dy dialektet , gegërishte dhe toskërishte. Madje, në mënyrë të përsosur. Gegërishten e kishte gjuhë të veten, sepse, siç përmeda më sipër, kishte babain nga Kosova, nënën, (motra e atdhetarit të njohur Luigj Gurakuqi), nga Shkodra, vetë ishte rritur në këtë qytet, por vite të rinisë i kishte kaluar në Korçë, ku, siç përmenda më sipër, kishte kryer Liceun Francez dhe më pas e kishte lidhur jetën me një vajzë korçare.
Ja përse edhe toskërishtja e tij është aq e rrjedhshme, thuajse e njejtë me gjuhën e sotme standard, ndonsëe e shkruar më shumë se 70 vjet më parë. Madje, për mendimin tim, më tërheqëse se gegërishtja, që mbart jo rrallë nuanca të theksuara të nëndialektit shkodran, siç dëshmohet në fragmentin e mësipërm, kur shkruan hyjtë për yjet, qiella, për qiellin, mas për mbas , mara për mbara, pagjë për paqe…
Kështu, pas gjuhëtarit dhe atdhetarit të shquar, Kostandin Kristoforidhi, (të kujtojmë vetëm “Gjahun e malësorëve”), Anton Mazreku është i dyti shkrimtar që ka përdorur në krijimtarinë e tij të dy dialektet.
Por të kthehemi përëri te proza letrare e Anton Mazrekut. Më 1937, kur tashmë ishte 29 vjeç, ai botonte në gazetën “Shkolla Kombëtare””, këtë radhë një përrallë, me titull “Gjuha e kafshëve”. Dhe përsëri në një toskërishte të rjedhshme, mbi të gjitha, me dialog të zhdërvjelltë dhe të natyrshëm, siç e dëshmon dhe ky fragment me ngjyrime korçarçe:
“ -Jo, s’është kjo. Xheç ke, por m’a fsheh. Pse jemi kaq miq ahere. N’është ndonjë gjë që nuk duhet ta mësojnë të tjerët, mua mund të m’a thuash, se unë s’ia tregoj asnjeriu tjetër..
-E po më plase, de. Ja, më në funt do t’a them…
Të ndalemi sado pak te krijimtaria poetike e Mazrekut. Po me aq siguri, si në prozë, ndonëse nuk ishte vetëm 17 vjeç, (1925), kur ende nuk kishte shkuar për të ndjekur studimet në Liceun Korçës, ai ka shkruar poemën “Djali dhe nana”, të botuar më 1938 , siç dëshmon vetë në faqet e “Sportit Shqiptar”, ku krijonte hapësira të mëdha, që të botoheshin fragmente nga vepra të famshme të letërsisë së së huaj, por dhe të autorëve të rinj shqëiptarë. Poema ka në qendër një djalosh që pa pasur nevojë, merr rrugët e mërgimit. Dhe pa kaluar shumë kohë, harron atdheun. Më pas kthehet i penduar në qytetin e lindjes dhe mbushet plot hidhërim, kur gjen të vdekur nënën, që aq shumë përgjërohej për të.
Poema përshkohet nga një frymë sentimentale, por dëshmon për dhuntitë poetike të Mazrekut, ende shumë i ri, siç shihet në këto vargje:
“Nuk m’mba fusha, nuk m’mba mali, /T’shkret’ e t’vogël ti m’ke lanë, /Ah, i mjeri unë djali, /Nuk kam nanë, jam nat’ pa hanë…/…Mbi çdo vend ku xen dielli, /Ku ka jetë e njerëz ka, /Mbi dhe ku shkëlqen prilli, /Po mbi nan’ kurkund nuk ka”.
Po citoj edhe vargje shkëputur nga poema tjetër “Dy lott e dy lule”, botuar 16 vjet më vonë, më 1941 në revistën “Shkëndija”, kur Mazreku, tanimë prozator dhe poet, kishte arritur përvojë më të madhe letrare:
“ Medet! Ajo dritore prej kah t’ambël e t’madhnuedhëm e hidhshe ti vështrimin, /N’për t’blertat fusha e kodra edhe prej kahe, /E si prej nji gurre t’pranveruer agimit, /Shpërndahej drita e syve t’tu, tash ajo rri mbyllun…”.
Talentin e vet letrar Anton Mazreku e tregoi edhe në fushën e shqipërimeve nga frengjishtja dhe italishtja . Më 1930, kur nuk ishte vëtëm 22 vjeç, përktheu dhe botoi romanin “Nikoleta dhe Dina” të shkrimtarit Xhorxh Sim; dhe pas disa shqipërimeve të tjera në prozë e dramaturgji , u mor edhe me shqipërime poetike, ku bien në pah vjersha të autorëve të njohur Hygo, Ronsar, Shenie, Hajne, Leopardi, Trilusa etj.
Në artikullin e tij studimor “Anton Mazreku për gjuhën dhe letërsinë shqipë”, (“Sporti Shqiptar”, 21 gusht 1992), pr. dr. Jup Kastrati, midis të tjerash, ndalet te poezia “Lorelei”, shqipëruar nga Mazreku dhe botuar në revistën “Shkëndija” , (janar-shkurt 1942), dhe bën krahasimin e kësaj poezie, përkthyer përsëri nga Arshi Pipa në revistën “Fryma”, ( korrik- gusht 1944) dhe pastaj nga Lasgush Poradeci, në një vëllim poetik, botuar nga Ndërmarrja e Botimeve, (1957).
“ Për mendimin tim,- thekson Kastrati,- shqipërimi i Anton Mazrekut i kësaj poezie të famshme në letërsinë klasike gjermane, është më i bukur dhe më i kapshëm. Ja disa vargje të kësaj poezie me përkthimin e Anton Mazrekut:
“Më e bukura virgjëreshë, /Krenare lart atje rri./ Ka rrobën si mbretëreshë, /
kreh leshërat si flori, /I kreh me gribën e artë, /
Dhe këngës për bukuri, /Ia thotë me zë të lartë, /Të fortë, melodi”.
Së fundi, Mazreku dëshmoi prirje edhe në fushën e kritikës letrare. Për këtë, mjafton të përmendim artikullin “Arsimi kombëtar humbi katër bij të çmueshëm brenda këtyre dy muejve”, ku ndalet dhe në vdekjen e parakohshme të Migjenit, (revista”“Shkolla Kombëtare”, dhjetor 1938 ).
”Në çastet e mbrame të jetës së tij të shkurtë,- shkruan Mazreku,-do të ketë dashtë e ndoshta do të ketë mujtë me shkrue kryeveprën e tij, por “deka ia ngrini ato duer porsi florini e kanga e mbrame e Migjenit u mbyll në vorr bashkë me te”.
Po si shpjegohet që pas vendosjes së regjimit komunist, më 29 nëntor të vitit 1944, shkrimtarin, publicisti dhe shqipëruesi Anton Mazreku reshti së shkruari dhe emri i tij u pa vetëm në reportazhe të gazetës “Sporti Popullor”, dhe zëri tij deri sa u shua, u dëgjua vetën në radiokronikat sportive nga stadiumet tona?
Në parathënien e librit me titullin kuptimplotë “Fjala dhe heshtja”, pr. dr. Adelina Mazreku, bija e autorit, krijimtarinë letrare të të cilit po trajtojmë, ndër të tjera nënvizon: “Anton Mazreku nuk është një fenomen unikal i tkurrjes intelektusle, ai është vetëm një përfaqësues i atij brezi intelektualësh që i përkasin “Botës së moçme” të Cvajgut. Ata, për t’iu përshtatur me dinjitet “Botës së Re”, pemës së tyre që lulëzonte shumëdegëshe, i krasitën, ndonëse me dhëmbje, shumicën e degëve, për të lejuar të mbijetonte vetëm filizi “më i padëmshëm”, por që edhe ai lulëzoi bukur dhe dha frutet e tij, pikërisht se qe pjesë e atij trungu, edhepse me degë të cungura”.
Siç shihet, ashtu si poeti ynë i madh, Lasgush Poradeci, edhe Anton Mazreku ndërpreu përfundimisht krijmtarinë e tij letrare, madje edhe në fushën e shqipërimeve. Dhe kur ishte vetëm 36 vjeç, kur kishte shumë për të thënë, dhe sigurisht më mirë dhe më hijshëm në këto fusha. Arsyeja: Me sa duket, ndonëse në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist edhe pse pati disa funksione sportive, nuk u pajtua me këtë regjim, që për ironi të fatit, u drejtua për dekada nga diktatori Enver Hoxha, për 8 vjet, (1923-1931), shok klase me të në Liceun e Korçës, nga sa duket, nuk u pajtua edhe me parimet e realizmit socialist në letërsi dhe arte. Pra, Mazreku “krasiti degët letrare” dhe mbajti atë më të padëmshmen, degën e gazetarisë sportive. Dhe, megjithatë, shpata e kuqe një ditë ra dhe mbi të.
Më 1966, në peridhën e të ashtuqujturit revolucionarizim i jetës dhe ashpërsimit absurd të luftës së klasave, si intelektual i mendësive “të brezit të vjetër”, ai pa pritur u nxor në pension të parakohshëm, me sa duket edhe sepse kishte qenë në periudhën zogiste kryeredaktor i një gazete, sidoqë sportive, (ndonëse kjo nuk iu tha hapur, ) dhe që, për më tepër, kritikonte hapur “klasat e nalta që nuk interesoheshin për zhvilimin e sportit” .
I mbyllur ne vetvete, pa pritur, tre vjet më pa u ndan ga jeta nga një hemoragji cerebrale.
E çuditshme!… Enver Hoxha, që në raste të tilla dërgonte telegrame ngushullimi edhe për ndonjë fshatar patriot që kishte njohur gjatë luftës, që siç përmenda më sipër, nuk “ u kujtua” ta bënte këtë për shokun e ngushtë të rinisë, figurë kaq të madhe në fushën e sporteve… Po kështu edhe Ramiz Alia, ministër i Arsimit në vitet 1955-58, që e kishte njohur Anton Mazrekun nga afër.
Me vëllimin dinjitoz “ Fjala dhe heshtja”, botuar pas vdekjes së tij më 2008, krahas ndihmesës së tij si publicist në sfera të ndryshme, sidomos të sportit, para lexuesit shqiptar shpaloset edhe profili i tij i harruar, ai i shkrimtarit, i cili, për mëkatet e pafalshme të autorëve të periudhës komuniste dhe të atyretë sotëm të historisë së letësisë shqiptare dhe të autorëve të zërit të tij në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, (2009), mbetet padrejtësisht i injoruar.
Ndaj, atij poeti të “socrealizmit” , siç e përmend në fillm të këtij punimi, që dikur shprehej se Mazreku ishte “shkrimtar i mbetur në rrugë”, unë, me kaq sa përcolla shkurtimisht në këtë punim kushtuar krjimtarisë së tij, i përgjigjem: “Jo, Mazreku është shkrimtar që për bindjet e tij, me ardhjen e komunistëve në fuqi, iu shmang me ndërgjegje rrugës letrare, por, gjithsesi, edhe me aq sa shkroi në vitet 1925-44, mbetet në kuptimin e plotë të fjalës krijues i talentuar”.