Melsen Kafilaj/ Studiues
Nebil Çika-I Vjetri (1893-1944)
Emri “Nebil Çika” Gjindjes nuk i thotë asgjë. Madje, si për çdo mentar tjetër “të përbuzur” prej saj si bën kurrëfarë përshtypje.Ndaj kolosëve të mendimit dhe mendimit “ndryshe” (shpesh edhe ndaj veprimeve konkrete) Gjindja është përherë apatike.Pikërisht për këtë apati të spikatur të shqiptarëve, do të shkruante mes të tjerash në veprën e tij “Njëmëndësija Shqiptare: Studim Politik dhe Psikologjik”(1943) Nebil Çika. Çika, gazetari, publicisti dhe themeluesi i “Minervës”(1932), një prej revistave letraro-kulturore më në zë të Kohës, nuk do të qëndronte duarkryq por do ti kundërvihej fenomenit në fjalë përmes fuqisë së mëndjes dhe të veprimit.Por ç’është apatia, lind pyetja?!
Botimi i Parë i “Njimëndësija Shqiptare” (1943)
Apatia (ἀπάθεια), një fjalë kjo me origjinë greke, nëse i referohemi “Le Dictionnaire grec-français” të helenistit të madh francez Anatole Bailly në dy shpjegimet që ai jep ka kuptimet e mëposhtëme: 1) mungesë ndjeshmërie emocionale dhe 2) pandjeshmëri, indiferencë (Bailly, 1935:199). Por si lidhet kjo mungesë simpatie, pandjeshmërie dhe indiference me ne shqiptarët?! Çfarë përkufizimi i jep asaj dhe si e trajton Çika fenomenin në fjalë?! Ja sesi shprehet Ai:
“Rrethi ynë shoqëror, pjellë e ndikimeve telurike (të tokës) dhe politike gjatë shekujve t’errta robërije, është tepër apathik.Apathi do të thotë pa-aftësi për tu impresionuar, për t’u emocionuar.Kjo paaftësi lind paaftësinë për vullnet, pasi vullneti është përfundimi i një lëvizjeje të ndërlikuar ndijimesh (sensacionesh) dhe idesh që luftojnë brënda nesh njëri me tjetrin për të marrë komandën.Kur s’ka emocion e vullnet jeta merr kuptimin materialistik të saj, që është ta kuptosh shoqërinë njerëzore si shoqëri shtazësh.Por jeta njerëzore s’do të qe më e lartë se ajo e kafshëve po të mos ishte një përpjekje e vazhdueshme kundrejt një frymërije (spiritualitet) sa më të kulluar që të jetë e mundur” (Çika, 2007:21).
Çika jo vetëm që gjurmon arsyen pse shoqëria shqiptare është apatike por gjithashtu ai thekson se paaftësia për të mos u impresionuar, për të mos na bërë përshtypje ngjarjet dhe fenomenet që ndodhin përreth nesh dhe mos ushtrimi i vullnetit për të ndryshuar vetveten dhe realitetin tonë, dmth squllja e këtij vullneti na ul në të njëjtën shkallë dhe na barabit me shtazët. Apatiku ka disa karakteristika specifike, të cilat autori në fjalë kujdeset që të na i përshkruaj dhe jap njëra pas tjetrës.Le ta ndjekim më tej në arsyetimin e tij:
“Apatiku mendon vetëm për barkun e tij, për “bukën e fëmive’ si ç’do thoshte Ismet Toto ose për gradën që ka në hierarkinë zyrtare.Ky njeri i cili varet nga ata që kanë arin dhe fuqinë nuk është gjë tjetër veçse një mishërim (inkarnacion) i kuptimit materialist të jetës (Lexo: Përshtatja dhe Darvinizmi Social- shën. im).Veç kësaj, apathiku është një disfatist në fushën e përparimit kombëtar, ai ka një dokërr t’amshueshme për të mos bërë asgjë që nuk i shërben stomakut të tij delikat: “s’mund të bëhet gjë në këtë vend; s’të lënë të bësh gjë” thotë sot e njëzetë vjet më parë.Por asnjë prej apathikëve nuk u shfaq kurrë me një vepër në dorë.Por ka dhe më: apathiku është edhe mostoleronjës ;një mendim apo ide tënden, të kundërt me të tijën ai ta pret më dysh me ironi a tallje që fshehin ose shfaqin në mënyrë të nënkuptuar akuza kundër teje.Por shkaku i vërtetë i këtyre akuzave është ky: Duke qënë se apathiku nuk punon dhe nuk lëviz aspak, pret gjithashtu që edhe të tjerët të mos punojnë dhe të mos lëvizin si ai” (f.22).
Këto karakteristika të apatikut, sidomos në drejtim të së Mirës Publike kam pasur rastin që ti vëzhgoj nga afër në çdo protestë të Shoqërisë Civile në të cilën kam marr pjesë.Rasti më i fundit qe protesta kundër shkallmimit të Sheshit të Flamurit në Vlorë.Apatikë, të cilët në kaleidoskopin e formave të tyre njerucërore jo vetëm që na dekurajonin dhe përtallnin nëpër rrjetet sociale por madje edhe na filmonin duke na zbardhur dhëmbët pranë kafeneve teksa marshonim përgjatë Bulevardit.Ajo e cila për Ne ishte një detyrë qytetare, një përgjegjësi morale dhe gjithashtu kombëtare, për apatikun disfatist që ankohet e qurravitet Facebuqeve 24 orë në 24 me demek “për të Ardhmen e Kombit dhe Mbarëvajtjen Kombëtare” por që nuk e luan menderen nga karriget e mejháneve dhe se bën qejfin qeder për hir të Kauzës, ishte një kënaqësi dhe spektakël i shkurtër 5-minutësh, për të hedhur në Tik-Tok e Instagram “parakalimin e të Marrëve”…Nuk ka sesi të mos bëj përshtypje dhe të vësh duart në kokë që je pjesë e një shoqërie aq apatike për fatin e së Ardhmes së vet…
Pikërisht, kjo trajtë vepruese e Apatisë të trajtuar nga Nebil Çika më erdh ndër mënd teksa të ashtuquajturit“qytetarë të kafeneve” bënin sehir me Ne dhe shpërfytyrimin e simbolit të tyre qytetar dhe kombëtar; “Sheshin e Flamurit”.Ja sesi e përshkruan mentari sarandiot fenomenin në fjalë:
“Një nga trajtat më vepronjëse të apathisë që sundon rrethin tonë shoqëror dhe që pengon veprimtarinë mendore (vita contemplativa) dhe atë aktive (shën. im) është gogoli i kompromentimit.Kur i shfaqa aty shpejt një shoku se isha duke u përgatitur për të shkruar një libër mbi gjëndjen tonë, ky më tha: “Ç’të duhet ty kjo punë tani?! Pse të kompromentohesh kot?”Këto fjalë i kam dëgjuar shpesh.E kuptoj se ç’do me thënë.Mos të kompromentohesh do të thotë t’i ikësh një përgjegjësie të ndodhshme, të kesh frikë nga ajo dhe të rrish duarlidhur në Vëndin tënd.Eshtë, dmth t’a mohosh vetiakësinë tënde, është të jesh rob, është të vesh pas një ere që mund të fryj nesër, është një hesap egoist dhe paralizonjës që bën për të qënë gati për çdo gjë që mund të ngjasë; është pra, ta mendosh veten tënde të shtrenjtë e të shenjtë dhe ti ikësh detyrës që ke si pjesëtar i një shoqërie e cila pret të ndriçohet dhe të ndryshohet (shën.im) prej teje”(f.22)
“Qytetarët e kafeneve”, në pandjeshmërinë e tyre të ftohtë ndaj Publikes por edhe nga frika e gogolit të kompromentimit zgjodhën që të bënin sehir dhe të na duartrokisnin, tamam si ata spektatorët e lindur për Shoqërinë e Spektaklit.Apatikët, një shoqëri e cila në fakt duartrokiste mbi arkivolin e saj.Edhe artistët më të mëdhenj të Artit Makabër (L’Art Macabre) do ta kishin zili si tablo.Ndërsa, Ne të kompromentuarit…
Por përse vazhdojmë të shkruajmë ende teksa jemi të vetëdijshëm që qarkohemi nga ky rreth indiferentësh?! Përgjigjia jonë shkrihet së bashku me atë të Nebil Çikës: “Nëse pra, unë po e marr edhe sot pëndën në dorë, këtë e bëj sepse më shtyn gaileja e së nesërmes, jo vetiake por kombtare.”
© Melsen L. Kafilaj