Refleksion /
DR. EDUARD A. SKUFI – ATHINE

Si pa e kuptuar vjen një moment në finale, kur çdo njeri bënë bilancin përballë pasqyrës së vetvetes. Ku udhëtimit brënda vetes, i jep sensin e jashtëm të manifestimit, mes një dallgë emocionesh, si formë konfesioni që i nënshtrohet një apologjie, duke e parë jetën analitikisht. Eshtë ajo që R.W.Emerson në vizionin filozofik modern, e quan ”Celebrim i individualitetit dhe urtësisë, duke ofruar një imazh me nuanca në aktin e apologjimit, duke e jetuar jetën analitikisht “… Pasi ndërgjegja nuk mund të mbetet gjatë në heshtje. Por kjo apologji ka një vecanti humilitare, sepse është një apologji e “heshtur”, në meditim, që ja drejtoj vetes dhe që flet në përulje dedikimi (kur një “më fal “ nuk e dëgjuam kurrë nga askush, për ata heronj të harruar)… Eshtë në këtë konsensus, një përulje njerëzore para kujtimit të tyre, por dhe një përulje intelektuale. Një reagim empatik, i sinqertë për të kalmuar shpirtrat e tyre. Nuk e di nëse është dhe “apology & defence” për të ardhmen! Le të kërkoj unë falje si intelektual dhe “fajtor pa faj”, për ata të shquar që aq shumë na mungojnë, për ata që u ndëshkuan për të vetmin gabim, që nuk u pajtuan me antivlerat dhe falsitetin konformist. Për ata intelektualë të nderuar, ekselenca të dijes universale, që dikush i ktheu në anonimë… Ata që në vendet perëndimore që studjuan, i konsideronin figura intelektuale të ndritëshme në historikun e atyre universiteteve, ndërsa në vendin e tyre jo vetëm mbetën pjesë e munguar enciklopedike, duke i mbuluar me padukshmërinë, por ju nënshtruan një genocidi mbase unikal. Ato ikona vendosën dijet dhe kulturën e tyre si urë lidhëse mes kombit dhe civilizimit të shquar. Erdhën me aspirata dhe ëndrra dhe atje mbetën…

Ata kishin kapacitetin racional dhe potencialin, për një vizion të ri përparimtar me influencë të plotë në ndërgjegjen sociale. Si një “bypass” midis dijes dhe shoqërisë, duke kultivuar humanizmin. Veç nuk ideatuan duke mallkuar errësirën, por ndezën qirinjtë e dijes për ta luftuar atë me insistim , gjë që i irritoi mediokrët. Sepse drita e dijes me forcën konceptuale që ata emetonin, përbënte “kërcënim” për rendin. Kështu i hodhën pluhurin e harresës asaj pasurie kulturore, duke injoruar faktin se ato figura kishin përmasa të tilla intelektuale, që historia me këmbëngulje do ti nxirrte si diamantet në dritë, për ti vendosur në pavdekësi. Mes represionit, u vranë ëndërrat rinore, i ndanë në mënyrë të pamëshirshme nga familjet dhe fëmijët e tyre, por nuk mundën tju a shuanin shkëlqimin e vlerave…
Ai diskriminim mbeti i fiksuar, si imazhi i shëmtuar, i vëllavrasjes të Kainit në syrin e Abelit biblik, por dhe të hyjnisë, që kurrë nuk e harroi…
Duke mos mundur të privojnë ekzistencën e identitetit të tyre, në kujtesën historike dhe njerëzore. Pikërisht për të rifreskuar atë kujtesë, me aq impresione po endem në këto rreshta, duke u “vetakuzuar”si intelektual në këtë apologji, ndaj atij genocidi me autorë të njohur. Të cilin në ndjenjë mirënjohjejeje dhe nostalgjije e shoqërojnë shpirtërisht, tingujtë e melodisë së dhimbshme dhe sharmi i “Requiem Lacrimosa” të Moxartit, ku drama dhe humanizmi përballet me misterin e vdekjes, në lotin e dhimbjes… Jehona rrënqethëse e asaj tragjedie akoma dhe sot nuk është shuar, por rezonon me shpirtin e hirin e eshtrave të tyre dhe me zemrat tona !

…Nuk e di a ishte “sindroma e Stendalit”, apo psikoza e mosnënshtrimit ndaj ”dhunës Mefistofelike”!..Askush nuk mund të harroj plejadën me figurat e shquara intelektuale që sollën kulturën dhe frymën oksidentale, por edhe fundin dramatik të tyre…Kujtoj poetin më të madh dhe më të fuqishëm të letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzet, At’ Gjergj Fishtën me vargun “Veç ty (atdhe) të shoh andërr, veç se ty të kam në mendim“. Franceskanin gjeni, erudit Pater Anton Arapin me profecinë, ”Gjithmonë tue rrënue nuk mund të ndërtohet”… Sabiha Kasimatin libohovitja fisnike, shkencëtare, ikthiologe e parë shqiptare lauruar në universitetin e Torinos, ku mbrojti dhe doktoratën. Por hijeshia dhe intelekti u dënuan në një vdekje makabër. Duke lënë thënien e saj të fundit si dëshmi historike: “Ideologjia ime nuk pajtohet me tuajën “!
Musine Kokalari intelektualja disidente, poetesha me ide demokratike , me fjalët e zemrës “E dua atdheun dhe pse mendoj ndryshe nga ju ”, Ramize Gjebrea (Ramona), bjondja simpatike me intelekt të vecantë, pre e një “inskenimi moralist”, me epilogun e saj “Mos më qëlloni nga mbrapa”…Mirash Ivanaj publicist dhe personalitet i shquar, reformator në fushën e arsimit me aksiomën: ”Qoftë fatlum dhe me fillim të mbarë indipendenca në fushën arsimore”. Ethem Haxhiademi doktor i shkencave politike që la Berlinin, për tu konvertuar me penën e tij, në “Eskilin shqiptar”, ku mbeti në mes të tragjedive, (duke mos e parashikuar fundin e tij tragjik e fatal) . Zemra poetike e Havzi Nelës në dënime “domino”, përfundoi e varur në litar, duke lënë pas bashkë me ikonën dhe shprehjen e dhimbshme “Lamtumirë atdhe i dashur, po të le me zemër plasur”. Dr.Tahsin Jonuzi, ai “Gjeniu i fshehur “ i universitetit të Insbrugut, i cili doktoraturën e tij në filozofi ja kushtoi studimit të parë albanologjik dhe arkeologjik shqiptar. Një punim shkencor, i mirëfilltë, sintezë e dijeve më të mira të kohës, në një këndvështrim historik dhe filozofik, me referenca prej kulturës antike deri në citimin e opinioneve më me vlerë dhe rezistente në kohë. Që çuditërisht “u rrëmbye”, duke u sakrifikuar dhe martirizuar egërsisht në kampet naziste, por ai la pas definimin unikal se “Atdheu duhet dhe përmes shkencës!” …
Dhe unë pyesja veten, pse nuk i qeshte buza birit të tij, piktorit mjeshtër Nestor Jonuzit, pse nganjëherë i dridhej dora dhe fjala para penelit?!Nuk besoja se ishin vetëm ngacmimet apo impresionet artistike…
Dhe mendimi më çon tek thënia dy shekuj më parë e Mme M.Roland, krenare para gijotinës së Robespierit: “ Oh, Liberté, que de crimes commet-on en ton nom ?”…(Oh, liri sa krime bëhen në emrin tënd).
Ku, jo rrallë dukshmëria bëhej iluzion dhe “kurth” i padukshmërisë .
…Por kulti i intelektualofagisë vazhdonte me ritmin diktatorial, në një kreshendo bulizmi e mohimi, duke mbytur traditën, duke injoruar faktin se një vend pa elitë intelektuale ishte i destinuar në një kolaps kulture, pa histori e pa të ardhme, dhe mbi të gjitha pa dinjitet kombëtar. Ai genocid anti intelektual prezantohej në forma të ndryshme. Ku njerëzit pa dimension, kulturalisht të pa orientuar, nuk pranojnë ekzistencën e të tjerëve “përballë”. Si mund të lihen në harresë për persekutimin e tyre, si dëshmi e gjallë, gjithashtu emrat e Isuf Vrionit intelektual eminent, diplomat, përkthyes i talentuar, mbetur anonim, Dr. Jani Basho, doktori dhe intelektuali i shquar, që shtëpinë e tij e ktheu në klinikën e parë gjinekologjike, ku shërbente me humanizëm. Më vonë të tjerët asaj godine me arkitekturë klasike, i zhveshën romantizmin dhe transformuan në “shtëpinë me gjethe”, me aq mister. Dr.I.Hysenbegasi një kapitull ekselent i mjekut humanitar, të përkushtuar dhe me kulturë poliedrike, Dr.A,Aroni intelektual dhe okulisti i shquar, kreativ, i papërkulur, në një karakter dhe etikë për tu admiruar. Pedagogu Tanush Frashëri historian analitik, eseist, në një jetë pa diell, Maks Velo arkitekti dhe piktori modern, me guximin për ti shprehur idetë e tij mes ngjyrave abstraksioniste. Por në vecanti, Fatos Lubonja, nga një familje funksionarësh të rregjimit, por antirregjimit, disident, shkrimtar, përkthyes, në kalvar dënimesh dhe një “Lirie të kërcënuar“. Emrat e tyre janë aq të shumtë sa mund ta veshin perimetrikisht globin, me dhimbje dhe lot ( kaq vend i vogël me kaq shumë Mandelë, me aq netë të panumërta të “Shën Batolomeut“. Nëse kjo nuk është paradoksale, çfarë mund të jetë!)… Dhe ata që mbijetuan, u detyruan në vitet e mbetura, në një jetë të zymtë, pa shpresë, pa buzëqeshje, me psikozën e persekutimit. Por me imazhin e përhershëm me librin në dorë, në një lidhje “transvitale”. Ata emra të shquar që ne i kishim të pamundur dhe ti artikulonim, njerëz “pa emër”, por mbi ta u mbështetën epokat. Besnik në idealet, që nuk i modifikuan idetë sipas “modës”. Një format intelektualësh “modelë”, që u sintetizua në koshiencën tonë, “iluministët” me misionin të ndriconin errësirën … Vetëm mjeshtëria alegorike e F.Kafkës, mund të vizualizonte metamorfozën e gjëndjes shpirtërore të tyre në ato momente, përballë absurditetit të inskenuar, në një pejsazh dantesk aq ekstrem… ku autorët dhe qiellin po të mundnin, pa yje do ta kishin lënë!
Ajo “etnogjenezë intelektuale” përbënte një pasuri të veçantë dijesh dhe kulturash dhe një rrezik të pafund, që të tjerët e survejonin me cmirë e xhelozi. Dhimbjen, vuajtjet e tyre, hijet e natës i shijonin me kënaqësinë e një telenovele, që e plotësonte qeshja cinike, demonike, mes ndijimit të egër, të ftohtë aq çnjerëzor, ndaj “qënies ontologjike”. Ku mediumet e “ëndërrthyesve të shpresës” e shtrinin absurditetin, nga ndëshkimi i ëndrrës deri në atë të mendimin intim.
Sot kur mjegulla e doktrinimit dhe hypnoza e saj duket se janë pakësuar, mund të fitohet kthjelltësia e rifokusimit, kur akoma dhe sot vjen një rezonim i kobshëm nga historia! E kam të vështirë të shpreh ndjenjat dhe emocionet e mia para kujtimit të tyre, kur për disa vite të jetës me një pjesë të tyre isha bashkëudhëtarë. Sentencat e kësaj apologjije “faljeje” janë dhe falenderim për rolin që ata idealistë luajtën, në formimin që jam sot. I ndjeva nga afër, dimensionet e tyre dhe kornizat ku i vendosën, gjë që serviri jo pak momente të dhimbshme dhe regreti, por “vala e rrezatimit” nuk na la të paprekur… Kështu ai sentiment u kthye në detyrim për një apologji të sinqertë, duke fituar momentin. Por që e shpërtheu citimi i Molierit, “ Nuk jemi përgjegjës vetëm për atë që bëjmë por dhe për atë që nuk bëjmë ”, dhe e kristalizoi më tej filozofi modern dhe profesori i Bioetikës, Peter Singer “ Jemi pergjegjës jo vetëm për atë që bëjmë por dhe për atë që mund të kishim parandaluar ”…
Veç më fatalja ishte se genocidi mbi elitën intelektuale, u shoqërua me një kultivim brezash pa interes intelektual e kulturor. Mungesa e kulturës, me gjykim të amputuar dhe pa shpirtin e tradicionit krijoi brezin me një dizmorfi për të mbushur vakumin. Zëvendësimin me “pseudoelitën e re”, që nuk ishin vecse një “mendje e skllavëruar”, si një tip i vecantë i antropologjisë intelektuale. Prandaj apologjinë time dhe rifreskimin historik i pashë në aspektin e një vizioni të ri, por dhe si një mesazh, duke u përulur me respekt, para kujtimit të martirëve të dijes. Por për analizën e fakteve duhej pena e fuqishme e Dostojevskit apo Tolstoit në një trilogji…Vërtetë ky fenomen intelektualofagik kishte karakter endemik, por për nga lloji , tek ne dallohej për përmasat dhe format mizore. Ky fenomen sot, në skenën e kohës moderne, ku liria krijon dimensione të reja por dhe dilema, ka marr formën e diktuar, alkimike të “hemoragjisë intelektuale”, të pa ndalur, me të njëjtët element patogenetikë, në mizaskena të reja , mbase me konseguenca të pa konceptueshme dhe tepër misterioze ,,,
Nëse mëshirimi i figurës dhe veprës të intelektualëve të shquar, si heronj të kulturës në obeliskë, monumente, apo muze të ekselencës intelektuale është detyrim moral epokal, studimi i vlerave të tyre përbën domosdoshmëri. Kurora qoftë dhe me diamante mbi hirin e tyre nuk përbën vecse një imazh dekorativ, ndërsa lavdia e vendosur mbi emrin dhe veprën e tyre shpreh vlerësim, Që ata tempuj të kulturës të mos mbeten në harresë, por të kthehen në një zgjedhje preferenciale frymëzuese, për riformimin dhe rimodelimin e kulturës historike.
Historia e kulturës është esenca dhe promotori i një shoqërie vibrante. Lënia jashtë të vërtetës apo vonesa historike, e kushtëzuar nga një “vonesë rikonceptuale”, të lënë jashtë ritmit evolutiv. Ata janë konsulentë pervers, destruktiv ndaj qytetërimit, me impakt në një prognozë regresive të pashmangshme!
Drejt të ardhmes nuk mund të shkohet duke i injoruar faktet e pamohueshme historike, duke fshirë traditën. Koha nuk pret,“koha e vërtetë është katërdimensionale“, (është horizonti i mundshëm për çdo kuptim të qënies, ka deklaruar filozofi M.Heidegger). Pa kujtesë historike reale nuk ka memorje kulturologjike, ajo inspiron momentin e reflektimit. Investimi në të përkthehet, në investim për të ardhmen…