Do ta duam gjuhën shqipe, sepse kjo gjuhë për mijëra vjet shprehu mendimin e sa e sa miliona njerëzve të një gjaku me ne, sepse fati i saj qe fati i Shqipërisë, jeta e saj historia jonë, mbretërimi i saj madhështia jonë. Ta duam, sepse fjala e saj na del nga fundi i shpirtit bashkë me çdo njësi tonën, trazohet me mendimet tona që prej burimit të tyre e më thellë, dhe nuk është vetëm trajtë, kumbim, ngjyrë, por krejt jeta e mendimit tonë. Do ta duam, sepse është ushqim mendor yni, fryma e mendjes dhe e shpirtit tonë, sepse është shprehja e vetisë më të madhe të cilësive të veçanta të kombit tonë, fytyra më e gjallë dhe më fisnikja, gati-gati natyra vetë e racës sonë. Do ta duam, sepse është lidhja më e fortë e njësisë sonë si popull, ushtima e së kaluarës sonë, zëri i ardhmërisë sonë, jo vetëm fjala por qenësia e shpirtit të Atdheut. Do ta duam gjuhën shqipe, sepse është e bukur, shumë e vjetër dhe shumë e fuqishme.
K. Gurakuqi, publicist dhe iluminist shqiptar, Dashunija për gjuhën shqipe, 1942
Shkruan: Xhemail Peci
Ardhja e Arbreshës – një ogur i bardhë
Ardhja e saj është pritur sepse është ditur se një ditë ajo ka për të torkitur në portën e madhe të kulturës, ku përhapja e dritës së fjalës përbën një privilegj në vete. Është ditur se herët a vonë, një ditë Arbresha ka për të trokitur në dyert e mëdha të mediumeve të mëdha. Shfaqja e saj në një sfond të tillë, në të cilin mishërohen aq bukur drita e fjalës dhe pesha që ka fjala, është pritur sepse është ditur që moti se një kuadër i tillë, i dalë nga dyert e Fakultetit të Gazetarisë ‘Faik Konica’, nuk e meritonte të qëndronte në prapavijë.
Pra, edhe një arsye më shumë pse ardhja e saj jo vetëm që është pritur por gjthsesi edhe është mirëpritur.
Që në paraqitjen e saj të parë në Klan Kosova, ka rënë në sy dhuntia e saj, aftësia e saj, përkushtimi i saj, profesionalizmi i saj, përmasa e bashkëbisedimit, rrjedhshmëria e të folurit bukur dhe qartë, intuita për intervistën, përgatitja e duhur, si dhe qartësia e artikulimit të ideve në rrafshin e intervistës.
Tek Arbresha fjalia është e thukët, shpesh e menduar mirë dhe e shpalosur bukur prandaj pikërisht fjalia është sinteza e mendimit të saj, kurse fjala me peshën e saj është vetë privilegji i dritës, përkushtimi dhe modestia është trashëgimia që ia kanë falur pararendësit e saj, si në fushën e gazetarisë televizive (Qazim Kelmendi), po ashtu edhe në fushën e fletorarizmës shqiptare (Ramiz Kelmendi), rrjedhshmëria e të folurit qartë dhe bukur në vetvete bart përmasën e një ligjërimi të hollë e përplot takt, shkathtësi dhe tipare këto me të cilat ajo e ka bërë për vete auditorin e saj në rritje e sipër.
Gjithsesi, në sfondin e larmishëm të emisioneve që përgatit Arbresha, vërehet qartë dashuria që ka ajo për gjuhën shqipe dhe për kulturën shqiptare, njohuria që ka ajo për jetën, për veprën dhe për sukseset e bashkëbiseduesve të saj, e që janë njerëz të fushave të ndryshme si dhe të arritjeve të ndryshme, brenda dhe jashtë atdheut. Të ftuarit e emisioneve të saj janë bashkatdhetarët tanë, të cilët në vete mishërojnë misionin dhe vizionin e një brezi që e ka formuar dhe shqiptuar identitetin e tij mjaft zëshëm, kudo që ka jetuar, punuar dhe vepruar.
Secili syresh veç e veç dhe që të gjithë së bashku, pra njerëz të fushës së arsimit, të kulturës, të artit, të letërsisë, të mësuesisë, të muzikës, të diplomacisë apo edhe figura të jetës publike e politike, kanë sa nderin po aq edhe kënaqësinë të jenë të ftuarit e saj, sepse në studion ku ata janë të ftuar, gjejnë jo vetëm mikrpitjen e ngrohtë e sjelljen fisnike por gjithsesi edhe një bashkëbiseduese të denjë, e cila i prin sfondit të bisedës duke e shpalosur ate në rrafshin e sinkronisë dhe të diakronisë, gjejnë një bashkatdhetare e cila njeh mjaft mirë temëm që rrah, bisedën që shpalos, çështjet që shtjellon.
Duke qenë të ftuar nga Arbresha dhe duke qenë të mirëpritur nga ajo, duke e ditur se ajo u gëzohet arritjeve të tyre dhe duke qenë njëlloj të bindur se ajo edhe krenohet me sukseset e tyre, secili syresh veç e veç dhe të gjithë së bashku, gjejnë një hapësirë komunikimi ku përçohen ide dhe shpalosen porosi, ku dëshmohen përvojat dhe ku paraqiten arritjet e tyre të shumta: gjithmonë nëpërmes një bashkëbisedimi të çiltër, të natyrshëm, të dyanshëm, të qartë dhe njëlloj të vetvetishëm në rrjedhat e emisionit që udhëhiqet nga Arbresha.
Po ta kundrosh me vëmendje rrjedhën e emisioneve të saj, po ta shikosh me vëmendje paraqitjen e saj, po ta analizosh me kujdes shpalosjen e bisedës që bën ajo, po ta përcjellësh me kureshtje ritmin e bashkëbisedmit që bën ajo në bisedat e shumta, po të krahasosh personalitetet dhe individualitetet krijuese që ajo fton në emision, doemos që do hasësh një dukuri të rrallë, gati-gati të bjerrur në mediumet e nduarduarta, një dukuri e cila më shumë se kaq në vetvete përbën një fenomen: fenomenin e privilegjit të dritës.
Që në emisionin e saj të parë e deri më sot, që në paraqitjen e saj të parë e deri më sot, që në ardhjen e saj në këtë portë mediale, vetvetiu vërehet një paralajmërim, paraljmërimi se një trokitje e tillë që gjithsesi paraqet edhe një ardhje të rrallë, në vetvete mishëron një ogur të bardhë sepse ajo mëton të shpalos sa një mision po aq edhe një vizion, misionin e së djeshmes në emisionin e të sotmes, si dhe vizionin e të sotmes kundruar nga prizmi i së ardhmes.
Gjithsesi edhe një lajmotiv më shumë, lajtmotivi i të gjitha breznive orëmira: Privilegji i dritës së fjalës! Ndërkaq, e bukura dhe e madhërishmja e një privilegji si ky, nuk është vetëm njëkahëshe, sepse ai shpaloset në plotninë e tij, gjithmonë sipas prizmit të bashkëbisedimit në raport me të ftuarit në emision si dhe me audiencën.
Ky raport, kjo ndërthurje, ky mishërim, kjo ndërvatësi, ky komunikim, kjo veçanti, kjo risi, kjo trini përbën një vlerë në vete dhe si e tillë kjo vlerë lartëson një emision si ky.
Rishfaqja e binomit Parashqevi e Sevasti në sfondin e kulturës sonë kombëtare
Ardhja e Arbreshës domosdo kontribon shumë në sfondin e rishfaqjes së një binomi të njohur në gazetari, si Parashqevi e Sevasti. Pra, ardhja e saj është risi por jo rastësi. Nuk është rastësi, sepse në shtëpinë prej së cilës vie Arbresha, gjithmonë ka pasur një adhurim për historinë, për traditën dhe për artin, një dashuri për kulturën dhe për gjuhën shqipe. Gjithsesi, ky adhurim është shfaqur jo rrallë edhe si pagëzim, herë si Adriatik, herë si Arbresha, e herë si Adonis. Por, po ky adhurim, nuk ka munguar as në shtëpinë ku është Arbresha tani. Ajo është vatra ku Bacë Rexhep Uka-Ramadani, shtratin e të birit-Bacë Hetemit, ia lëshonte Bacë Ademit-Adem Demçit. Nuk ka dyshim se ky adhurim dhe kjo dashuri për shkronjën A, nuk ishte thjesht një rastësi. Më shumë se kaq, shkronja me të cilët fillonte emri i atdheut tonë Arbëria, ose siç do e quanin të tjerët Albania, do të kthehej në një gjakim deri në përjetësi, sërish përmes pagëzimit si një formulë aq e qëlluar e përjetësimit të adhurimit ndaj kësaj shkronje: që nga Arbeni e deri tek Arba dhe Arisi.
Nuk është pra rastësi pse në një sfond të tillë po shfaqet sërish një emër prej një embleme të lashtë ilire. Nuk është pra rastësi, pse në këtë portë mediale në veçanti, por edhe në portën e madhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, Arbresha ka hyrë me këmbë të mbarë.
Lumira & Arbresha
Nuk do mend se kjo portë mediale, në të ardhmen do t’i ofrojë asaj edhe një hapësirë tjetër më të madhe në kuadër të programeve të veta të larmishme, jo vetëm në radio por edhe në television. Nuk do mend se një gjë të tillë do ta kërkojnë edhe teleshikuesit e shumtë të këtij mediumi, sepse si kënaqësia ashtu edhe krenaria është e të dyja palëve, si e udhëheqjes mediale ashtu edhe e auditorit.
Gjithsesi, Arbresha Kelmend-Rramadani, e meriton sa falenderimin po aq edhe respektin, sa mirënjohjen e thellë po aq dhe komplimentet më të mira. Sepse të përhapësh privilegjin e dritës së fjalës, do të thotë ta çosh tutje misionin dhe vizionin e breznive orëmira si dhe të pararendësve tu, sot e mot.
Përmbi çdo gjë, falë Arbreshës, po rishfaqet sërish në sfond binomi i mirënjohur, binomi i nderuar dhe i adhuruar aq shumë në kulturën kombëtare shqiptare: Parashqevia e Sevastia. Pra, Arbresha është motra e Parashqevisë. Edhe një arsye më shumë për respektin dhe mirënjohjen, edhe një privilegj më shumë në sfondin me flatra të fjalës shqipe. Pikërisht ashtu siç do të thoshte doajeni i gazetarisë tek ne, kreshniku i fjalës së ëmbël shqipe Ramiz Kelmendi, me shprehjen e tij të famshme ‘Mbajeni mend këtë emër’:
Arbresha Kelmendi-Ramadani.