

Prof. Dr. Lush Culaj/
Më 4 dhjetor 1918, anija “Xhorxh Uashington”, me delegacionin amerikan në bordin e saj, filloi lundrimin nga Nju-Jorku për ta sjellë delegacionin amerikan në Konferencën e Paqes në Paris. Presidenti amerikan Wilsoni, ashtu siç edhe i shkruante mikut të tij të madh, Eduard Hauz, i cili tashmë ishte në Evropë, nuk mendonte të qëndronte gjatë në Evropë. Ai mendonte të qëndronte në Paris vetëm derisa të vendoseshin kornizat kryesore të zgjidhjes së çështjes së paqes. Planifikimet e tij nuk dolën të sakta, sepse presidenti amerikan qëndroi atje pjesën më të madhe të gjashtë muajve vendimtarë, nga janari gjer në qershor të vitit 1919. Çështja e diskutuar nëse ai duhej apo nuk duhej të shkonte në Konferencën e Paqes, e cila i shqetësoi shumë bashkëkohës të tij, tashmë nuk ishte e rëndësishme. Në vendimin e tij të jashtëzakonshëm, i cili e detyroi presidentin amerikan të qëndronte jashtë vendit të tij, për afërsisht gjashtë muaj e që ishte precedent në historinë e kryetarëve të mëparshëm amerikanë, ishte pikërisht fakti se ai ishte negociatori kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kishte qëllim final që me qëndrimit e tij të imponuar të tentonte ta parandalonte një katastrofë të re, siç kishte ndodhur gjatë Luftës së Parë Botërore.
Për presidentin Wilson dhe amerikanët disonanca ndërmjet filozofisë së tyre dhe mendimit evropian, pasqyronte meritat e besimit të tyre. Distancimi nga parimet dhe përvoja e Kontinentit të Vjetër dhe ideve të presidentit amerikan për një rend botëror mbështeteshin në besimin amerikan në natyrën e njeriut që duhej të ishte në thelb paqësore dhe në harmoninë e brendshme të botës. Sipas kësaj doktrine, kombet demokratike në vetvete janë paqësore; popujve që u jepet vetëvendosja nuk do të kishin më arsye për të zhvilluar luftëra apo për t’i shtypur të tjerët.
Nga të gjitha idetë që presidenti amerikan i kishte sjellë në Evropë koncepti i vetëvendosjes ishte dhe ka mbetur ndër më të kundërshtuarit dhe më të errëtit. Gjatë Konferencës së Versajës, shefi i misionit amerikan në Vjenë disa herë i kishte pyetur Parisin dhe Uashingtonin për ta shpjeguar këtë term. Nga kjo konkludohet se nuk ishte asnjëherë e lehtë të përcaktohet se çka kishte ndërmend, në të vërtetë, presidenti Wilson.
Sa më shumë që shqyrtohej koncepti i presidentit Wilson për vetëvendosje, aq më shumë vështirësi dilnin. Lensingu e pyeti veten: “Kur presidenti flet për vetëvendosjen, çfarë njësie ka ai në mendje? Ka në mendje racë, hapësirë, territore, apo bashkësi? Lensingu mendonte se do të ishte fatkeqësi që Wilsonit i kishte ardhur në mendje kjo frazë dhe do të theksonte: “Kjo do të zgjojë shpresa që nuk mund të realizohen kurrë. Kam frikë se kjo do të kushtojë mija jetë njerëzish. Më në fund, ajo veçse do të diskreditohet, do të quhet ëndërr e një idealisti që nuk arriti ta kuptojë rrezikun deri në atë kohë që u bë tepër vonë për ta mbajtur nën kontroll ata që u orvatën ata ta vënë në jetë”.
Doktrinat e presidentit amerikan për vetëvendosjen dhe sigurimin kolektiv i hodhën diplomatët evropianë në një terren tërësisht të panjohur. Supozimi prapa çdo zgjidhje evropiane ka qenë se kufijtë mund të përshtaten për ta zhvilluar ekuilibrin e forcës, kërkesat e të cilit kishin përparësi ndaj interesave të popujve të interesuar.
Idetë e reja që presidenti Wilson do ta sillte në politikën botërore nuk buronte nga bekraundi i tij ideologjik, ngase ai nuk mbështetej në socialistët evropianë, por buronte nga prirja e tij shumë përparimtare e vizionare për një botë në paqe e në prosperitet dhe për një politikë të bazuar në një moral të lartë njerëzor. Wilsoni qysh në vitin 1916 mendonte se roli i SHBA-ve në Evropë duhej të ishte si mediator ndërmjet palëve në konflikt dhe i bazuar tërësisht në parimet e paqes.
Presidenti Wilson, në vitin 1918, kishte mbajtur një fjalim para përfaqësuesve të Kongresit. Me një elokuencë dhe nivel të jashtëzakonshëm, ai parashtroi qëllimet e luftës së SHBA-ve përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit, duke i paraqitur ato në formën e katërmbëdhjetë pikave, me ç’rast, ndër të tjera, kishte theksuar:
“Ne hymë në këtë luftë ngase shkeljet e së drejtës që u bënë na tronditën dhe e bënë jetën e popullit tonë të padurueshme, nëse ato nuk do të përmirësoheshin dhe nëse bota nuk do të sigurohej njëherë e përgjithmonë nga përsëritja e tyre. Atë që ne e kërkojmë në këtë luftë nuk është diçka qe na përket vetëm ne. Kërkojmë që bota të bëhet e përshtatshme dhe e sigurt për jetesë; që të jetë e sigurt për çdo komb paqedashës, i cili, si kombi ynë, dëshiron ta gëzojë jetën e vet. Të gjithë popujt e botës, në të vërtetë, janë partnerë që kanë interes të përbashkët. E sa na takon ne, e kemi të qartë se, nëse nuk do të ketë drejtësi për të tjerët, nuk do të ketë as për ne. Programi i paqes botërore së këndejmi është programi i ynë dhe ky program i mundshëm, sipas nesh, është si vijon:
- Marrëveshje të hapura të paqes, të nënshkruara haptazi, pas të cilës më nuk do të ketë traktate private ndërkombëtare të asnjë lloji, meqë diplomacia do të veprojë përherë sheshazi dhe para opinionit publik.
- Liri absolute për lundrim në dete, jashtë ujërave territoriale, si në paqe ashtu edhe në luftë, pos nëse detet duhet të mbyllën në tërësi ose pjesërisht për shkak të fushatës ndërkombëtare më qëllim të zbatimit të detyrueshëm të traktateve ndërkombëtare.
- Heqja, sa më shumë që të jetë e mundur, e barrierave ekonomike dhe vënia e një barazie të kushteve të tregtisë ndërmjet të gjitha kombeve që i përmbahen paqes dhe që bashkohen për ruajtjen e saj.
- Garanci adekuate, në mënyrë që armatimet nacionale të reduktohen në nivelin më të ulët, në pajtim me sigurinë e vendit.
- Një zgjidhje, apo rregullim të lirë, të sinqertë dhe absolutisht të paanshëm të të gjitha pretendimeve koloniale, në bazë të respektimit të plotë të parimit sipas të cilit në vendimmarrje për çështje të tilla të sovranitetit, interesat e popujve duhet të kenë peshë të barabartë me kërkesat e qeverisë për të drejtën e së cilës vendoset.
- Evakuimi i tërë territorit rus dhe zgjidhja e atillë e çështjeve që kanë të bëjnë me Rusinë, në mënyrë që të sigurohet bashkëpunimi më i mirë dhe më i lirë me kombet e tjera të botës. Për të siguruar për një rast të papenguar e të lirë për të vendosur pavarësisht për zhvillimin e saj politik dhe të të politikës kombëtare, dhe t’i jepet siguria se ajo, sinqerisht, është e mirëseardhur në shoqërinë e kombeve të lira nën institucionet që i zgjedh ajo vetë. Asaj duhet shprehur jo vetëm mirëseardhje, por edhe çdo lloj ndihme që dëshiron apo që i nevojitet. Tretmani që kombet vëllezër do t’ia japin Rusisë në muajt e ardhshëm do të jetë provim vendimtar për vullnetin e tyre të mirë, kuptimit të kërkesave të saj që ndryshojnë nga interesat e tyre si dhe i dashamirësisë së tyre inteligjente e bujare.
- Belgjika, tërë bota do të jetë dakord më këtë, lypset të evakuohet dhe të rivendoset pavarësia e saj, pa asnjë përpjekje për të limituar sovranitetin e saj që e gëzon me të gjitha kombet e tjera të lira. Asnjë akt tjetër nuk do të vlejë, meqë kështu do të kthehet me ligj besimi ndërmjet kombeve, për të cilat kanë vendosur vetë, ashtu siç kanë vendosur për marrëdhënie mes vete. Pa këtë akt shërues tërë struktura dhe vlefshmëria e ligjit ndërkombëtar do të mbetej e cenuar.
- Mbarë territori francez duhet të çlirohet, kurse pjesët e pushtuara do t’i kthehen asaj, ndërsa padrejtësia që i është bërë Francës nga Prusia më 1871, për rastin e Allzas-Lorenit, e cila e ka trazuar paqen botërore për afër pesëdhjetë vite, nevojitet të korrigjohet, në mënyrë që paqja edhe një herë të garantohet për interesin e të gjithëve.
- Rirregullimi i kufijve të Italisë lypset të bëhet përgjatë vijave të qarta kombëtare.
- Popujve të Austro-Hungarisë, vendin e së cilës dëshirojmë ta shohim të mbrojtur e të siguruar në mesin e kombeve, duhet dhënë liria për zhvillim autonom.
- Rumania, Serbia dhe Mali i Zi duhet të evakuohen; territoret e pushtuara t’u rikthehen; Serbisë t’i akordohet dalja e lirë dhe e sigurt në det, kurse marrëdhëniet e disa shteteve ballkanase në mes vete të përcaktohen me negociata miqësore në saje të vijave të vendosura historikisht dhe të përkatësisë kombëtare; duhet po ashtu të sigurohen garanci ndërkombëtare të pavarësisë politike dhe ekonomike si dhe integriteti territorial i disa shteteve ballkanase.
- Pjesëve turke të Perandorisë Osmane u lypset siguruar e garantuar sovraniteti, por kombet e tjera, të cilat tani gjenden nën sundimin turk, u duhet garantuar një siguri të padyshimtë për jetën e tyre dhe një rast asolutisht të lirë për një zhvillim autonom. Ndërsa Dardanelet lypset që të jenë gjithnjë të hapura për lundrimin e lirë të anijeve e të tregtisë së të gjitha kombeve me garanci ndërkombëtare.
- Duhet të formohet një shtet i pavarur polak, që do ti përfshijë territoret e banuara nga popullata e njëmendët polake, të cilit i duhet dhenë një dalje e lirë dhe e sigurt në det, kurse pavarësia politike dhe ekonomike si dhe integriteti territorial duhet t’i garantohen nëpër mes të një traktati ndërkombëtar.
- Duhet të themelohet një asociacion i kombeve përmes marrëveshjeve të posaçme, më qëllim që të sigurohen garanci të ndërsjellë për politikën e pavarësisë dhe integritetit territorial, njësoj si për shtetet e mëdha, ashtu edhe të vogla.
E veçanta e këtyre parimeve konsistonte në faktin se, përderisa shumë vende besonin se interesi vetjak duhej të ishte pikësynimi kryesor i politikës së jashtme, presidenti Wilson në katërmbëdhjetë pikat e tij ishte prerazi i përcaktuar për atë se morali dhe etika të ishin elementi kyç, si i politikës së brendshme, ashtu edhe i politikës së jashtme, në një shoqëri demokratike. Dhe, pikërisht, duke u mbështetur në këto parime, ai në fjalimin e mbajtur para Kongresit, pas publikimit te katërmbëdhjetë pikave, do t’iu drejtohej atyre:
“Lidhur me këto korrigjime të padrejtësive dhe të vendosjes së drejtësisë, ne ndihemi si partnerë të gatshëm për të gjitha qeveritë dhe popujt e bashkuar kundër imperialistëve. Ne nuk mund të ndahemi në interesa, ose të veçohemi në pikësynim. Ne qëndrojmë së bashku deri në fund. Për marrëveshje dhe rregullime të tilla jemi të gatshëm të luftojmë dhe ta vazhdojmë luftën derisa ti realizojmë ato, por vetëm për arsye se ne duam që të mbisundojë drejtësia, paqja e ndershme dhe e qëndrueshme, dhe si e tillë mund të arrihet vetëm duke i mënjanuar provokimet kryesore të luftës”.
Evropa Juglindore në këtë program të presidentit Wilson trajtohet në pikat nëntë dhe dhjetë, ku doemosdoshmërish kërkohet rikthimi i territore të pushtuar dhe vendosja e marrëdhënieve miqësore në korniza të përcaktuara sipas përkatësisë kombëtare dhe integritetit territorial të shteteve ballkanike, si dhe akordimi i daljes në det i Serbisë duke aluduar në Selanikun si port të mundshëm.
Asnjëherë gjer në atë kohë qëllime të tilla revolucionare nuk qenë paraqitur me kaq pak orientime për zbatimin e tyre. Bota, të cilën e përfytyronte presidenti amerikan, do të mbështetej jo në forcën por në parimet; jo në interesat por në ligjin, si për të mundurin ashtu edhe për fitimtarin, pra paraqiste një përmbysje të plotë të përvojës historike dhe metodës së veprimit të fuqive të Mëdha.
Presidenti Wilson, nëpërmjet katërmbëdhjetëpikëshit, pretendonte të paraqiste një program me një moral të ri në politikën botërore, ta arsyetonte ndërhyrjen e tij përkrah aleatëve evropianë, t’ua afronte të gjithë popujt e Evropës dhe qëllimeve të kauzës së tij. Katërmbëdhjetëpikëshi ishte në fakt një përzierje e disa parimeve shumë të larta të marrëdhënieve ndërkombëtare, me ide të ndërtimit të një sistemi të së drejtës ndërkombëtare si dhe me propozime për zgjidhje konkrete të disa çështjeve territoriale dhe shtetërore, të cilat përbënin për presidentin Wilson një rëndësi të veçantë për sigurimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Katërmbëdhjetëpikëshi i presidentit Wilson shprehte në esencë qëndrimin amerikan kundër konceptit evropian të ekuilibrit të forcës dhe imoralitetit të zbatimit të realpolitikës. SHBA-ja dhe presidenti i saj ishin për një rend të ri botëror të dominuar nga demokracia, nga sigurimi kolektiv dhe e drejta e popujve për vetëvendosje. Këto elemente paraqisnin një lidhshmëri me vetë natyrën që Zoti i ka dhënë njeriut. Paqja është në natyrën njerëzore, demokracia është në natyrën shoqërore, kurse vetëvendosja është në natyrën e popujve, prandaj të tria këto elemente, të shndërruara në sistem vlerash botërore, do ta sillnin rendin e ri botëror.
Mbështetur në konceptet amerikane të presidentit Wilson nuk ishte liria e individit ajo që prishte paqen sociale, por dhunimi i saj; nuk ishte e drejta e popujve për vetëvendosje që prishte paqen ndërmjet popujve, por shtypja e tyre; nuk ishte prishja e ekuilibrit të forcës që sillte luftëra, por rendja mbas tij. “Bota që përfytyronte Wilsoni – shprehet Kissinger – do të mbështetej, jo në forcën, por në parimet; jo në interesat, por në ligjin.”
E ndodhur në qendër të Evropës Juglindore, si gjatë Luftës së Parë, ashtu edhe në periudhën e fillimit të Paqes së Versajës, Shqipëria përjetoi ndoshta modelin më tipik të shembullit ku u përplasën idetë wilsoniane, leniniste, të diplomacisë tradicionale dhe të interesave të shteteve fqinje.
Prof. Dr. Lush Culaj