Nga Zaim Kuçi /
Shumë vite më parë Gjenerali MacArthur do të shkruante për Amerikën shumë miljonëshe «Unë jam i shqetësuar për sigurinë e kombit të madh, jo aq shumë për shkak të ndonjë çështje nga jashtë por për shkak të forcave tinëzare që punojnë nga brenda ».
Në se vlerësohen konfliktet e sotme të kudondodhura në botë, ato kanë për bazë dhe vijnë nga shkaktarët e kësaj dhënie të shumë viteve më parë.
Le t’i kthehemi problemit të armëve kimike siriane që ka përfshirë tashmë politikën globale për shkatërrimin e tyre.
Tashmë është hedhur në tavolinë shkatërrimi i tyre jashtë territorit sirian, kjo vetëm për masa sigurie dhe është projektuar një nga shtetet “bamirëse” për këtë operacion dhe RSH me motivacionin se RSH mbështet gjitthmonë aleatin e saj strategjik SHBA dhe duke i shtuar dhe opinionit se ka experience për të bërë këtë operacion. Personalisht, mbetëm vërtet në të parën opsion, të ruajmë aleatin tonë strategjik, por….
Në këtë situatë diskutimesh shtrohet pyetja, a ka skenarë të tjerë për të kryer këtë operacion luftarak?
Për një hapësirë diskutimi, sjell si fakt se, e përgjithshmja e shteteve është se armët kimike janë pjesë të kompletit luftarak të forcave të armatosura, madje me sasi dhe fuqi më të mëdha se këto të Sirisë. Shtrohet pyetja, cili organizëm sigurie botërore do të sigurojë që nesër nuk do të ketë lëvizje popullore në ndonjë shtet tjetër siç po ndodh në Siri? Dhe se, këto armë kimike të këtyre shteteve prapë do kërkojnë terren jashtë kufijve të tyre? A do të ketë zgjidhje të paramenduar nga organizmat botërorë të sigurisë për këtë problem global?
Nesër mund t’i vijë radha dhe Koresë së Veriut, e cila udhëhiqet nga një diktator që kërcënon hapur superfuqinë, SHBA me deklarata absurde për përdorimin e këtyre armeve madje më të rrezikshme se ato siriane (nuklerare). Ky vend është tejvarfëruar dhe nuk është çudi që të ketë edhe lëvizje të tilla të brendshme. Po nuklearet iraniane… po Egjypti i trazuar… e të tjera shtete që janë të tejngopur me armë kimike dhe janë në konflikte të brendshme? Në botë ka zhvillime, paqëndrueshmëri, pasiguri që padyshim kërkojnë angazhimin e organizmave botërore të sigurisë të veprojnë duke parashikuar shmangien për përdorim të lëndeve kimike me ligje imponuese për shtetet bartëse të këtyre armëve që mund të përfshihen nesër në konflikt.
Le të vlerësojmë situatën në konfliktin sirian. Për më shumë se dy vjet në këtë vend ka një luftë të tmerrshme, kaotike dhe e dhunshme. Kuptohet se depot e këtyre armëve janë po në këtë vatër lufte që prej dy vjet. Aq sa jam në dijeni, as dhe një armë kimike nuk është tentuar të përdoret nga forcat të opozitës apo rebele. Atmosfera e helmuar është vepruese, vdekjeprurëse, si për forcat e regjimit dhe për ata që kërkojnë ta rrëzojnë atë, por dhe për terroristët. Është ky argument i mosprekjes të tyre. Është konstatuar se këto armë janë përdorur vetëm nga regjimi dhe jo nga forcat e tjera. Në situatën “sot” largimi i këtyre armëve nga toka siriane do të organizohet nga përdoruesi i këtyre armëve, presidenti i sirianëve, me argumentin mungesë “sigurie” në vendin e tij, që kupton ka kohë për veprim më të arsyeshëm.
Në analizë të situatës shtrohet pyetja a ka alternativë për një shkatërrim të armëve kimike në territorin sirian? Sipas meje është e mundshme, madje do të thoja më e pranueshme, më pak e rrezikshme dhe më pak e kushtueshme.
Në mbështetje të opsionit të shkatërrimit të armëve kimike në territorin sirian, le të analizojmë situatën ashtu siç është. Fakti që këto armë nuk kanë qënë target për “luftëtarët” e dy palëve por janë përdorur me urdhër dhe se ato janë ruajtur me forca të shtetit sirian, sigurisht në situatë edhe më të vështirë dhe për më keq këto forca ruajtëse nuk kanë ose nuk janë të kompletuara me mjete mbrojtëse të nivelit të lartë. Kjo eksperiencë e deritanishme të afron opsionin se këto armë mund të vazhdojnë të ruhen në këtë territor, të demontohen, të groposen aty duke rritur dhe rivlerësuar masat e sigurisë në zonën e veprimit, të përforcuara me armatim dhe logjistikë të sofistikuar. E rëndësishme është marrja e vendimit për shkatërrim të tyre.
Faktori kohë për stabilizimin e situatës. Organizmat ndërkombëtare po bëjmë përpjekje që kjo situatë të marrë fund, për më tepër të dy palët janë të konsumuara dhe të tejlodhura, duket se po kërkohen rrugë negociata, aq më tepër që kemi të bejmë me një konflikt të brendshëm dhe se nuk do të jetë vonë zgjidhja siriane. Koha për të shkatërruar këtë arsenal llogaritet dhe dy vjet. Në rastin e shkatërrimit në Siri, atëherë le të pritet ndoshta deri në një përmirësim apo stabilizim të situatës dhe më pas të fillojë demontimi.
Faktori terren. A ka mundësi që Siria të bëjë këtë operacion? Sigurisht që po. Hapësira siriane është shumë herë më e madhe se sa e shteteve që mendohen të futen në këtë rrezik të shtuar. Në Siri gjenden territore periferike që nuk janë përfshirë në luftën civile.
Faktori transport strategjik. A është parashikuar që, gjatë transportit të tyre mund të ketë aksidente të vet karakterit të natyrës dhe teknike si gjatë fluturimit dhe navigimit dhe kush do të mbajë përgjegjësi për viktimat e pafajshëm të këtij aksidenti qoftë dhe të pavullnetshëm.
I ashtu vlerësuari Faktori ekonomi. Me një Siri të shkatërruar nuk do të ishte më mirë që vet sirianët të angazhoheshin në këtë operacion për përfitime ekonomike (siç gjoja për vendin tonë jepet opsion se fitojmë ekonomi).
Si mund të realizohet Skenari i shkatërrimit të armëve në Siri.
Do ta dëshiroja dakordësine e shteteve elitë apo dhe të organizmave të sigurisë për një transportim, magazinim, demontim dhe ruajtje të armëve kimike në vende të sigurisë brenda territorit sirian me forca dhe mjete të këtyre shteteve dhe ato siriane.
Në se në Irak, Afganistan dhe në vende të tjera u përdorën mjete të shumta dhe më shumë se 100 mijë trupa, në Siri për të kryer këtë operacion nuk duhen më shumë se forcat e një brigade të përforcuar. Forcat e ruajtjes të vendeve kontribuese të këtij objekti do të konsiderohen si forca në luftim, pra do të marrin risk por ato do të jenë më pak të riskuar se forcat luftarake në Mali, Afganistan, Irak etj. Shpallja e zonës, e përcaktuar për këtë objekt si “zonë e ndaluar mbrohet nga OKB” apo ndonjë organizëm tjetër, do të minimizojë veprimet terroriste ndaj kësaj zone. Ruajtja strategjike e këtij objekti të rëndësisë së veçantë e skalionuar, blinduar nuk do të jetë objekt sulmi i terroristëve, me argumentin bindës se tashmë kjo alternativë është e vërtetuar që prej më shumë se dy vjetësh, objekti i të cilit mbrohet dhe sigurohet vetëm nga forcat siriane.
Për më tepër, për këtë operacion janë parashikuar forca sigurie nga vendet e angazhuara, të cilat do të përdoren për transportimin e armëve kimike jashte territorit sirian si dhe do të organizojnë ruajtjen e objektit në vendin pritës deri në shkatërrimin e tyre. Jam i mendimit se grupet terroriste më lehtë do të veprojnë në ato vende ku do të bëhet depozitimi i tyre se sa në Siri, me arësyetimin se grupi terrorist do të veprojë në gjirin e popullatës, kështu ai bëhet më diskret për të vepruar.
Skenari i shkatërrimit të armëve kimike jashtë territorit sirian
A duhet që RSH të bëhet pjesë e këtij skenari? Personalisht mbetëm në atë që përveç se RSH mbështet gjitthmonë aleatin e saj strategjik SHBA, që jam pro, asgjë nuk e detyron RSH të angazhohet, qoftë ky humanitar (RSH duhet të humbase dhe të sakrifikojë për humanizmin sirian) dhe aq më keq se vlerësohemi se kemi experience për të bërë këtë operacion.
RSH nuk është aspak në pozicionin e favorshëm gjeostrategjik për këtë kontribut të servirur sipas meje aspak nga Nato_ja ku aderojnë 28 vende me ekonomi më tepër të zhvilluar, gjeografikisht më afër se RSH me Sirinë dhe me eksperiencë demontimi më të avancuar se vendi ynë, apo nga një organizëm tjetër sigurie. OKB ligjërisht drejton operacionin.
Nato-ja ndjek e shqetësuar zhvillimet në Siri por deri tani nuk ka as dhe një angazhim për të ndarë me vendet e saj. Janë organizmat e tjerë në proces vendimarrje. Çështja siriane duket se po kalon më shumë në dakordësinë e superfuqive SHBA-Rusi- Kinë, se sa një çështje organizme sigurie botërore, në këtë dakordësi shtetesh politika shqiptare duhet të mirëpozicionohet, është një mundësi për t’ju shmangur ndoshta një katastrofe të pritshme.
Edhe në se do të vlerësohet një operacion i Nato-s, RSH nuk ndodhet në zonën e mundshme për mbështetje logjistike, është larg vendit të objektit. Janë disa shtete të tjera më pranë objektit si : Itali, Turqi, Greqi, Bullgari, pranë konsiderohet dhe shtete të tjera evropiane si me rrugë detare dhe ato ajrore etj.
Nuk mund të përkrahet inisiativa ruse e cila edhe pse ndodhet gjeografikisht më pranë Sirisë dhe ka hapësira të pafundme, madje dhe të lira dhe eksperiencë të madhe demontimi pasi këto armë janë të prodhimit rus, ia faturon këtë operacion një vendi të vogël si psh vendi ynë.
Për një parapritje edhe të supozuar, RSH i duhet një studim për një vlerësim të propozimit të pritshëm duke përfshirë elementë nga vlerësime strategjike deri në ato rutinë për pritjen, shkatërrimin dhe groposjen e lëndëve kimike.
Në rastin e supozuar sipas meje, procesi i demontimit të këtyre armëve kimike, vlerësuar në sasi dhe në përbërje kimike janë krejt ndryshe nga lëndët helmuese luftarake shqiptare, ato kërkojnë hapësira të mëdha dhe të papopulluar. Në se shikojmë hartën e popullimit të RSH, ajo është e tejngopur e kudopopulluar.
RSH nuk ka më territor të lirë, hapësirë demontimi (për parrezikshmëri duhet 20-30 km hapësirë bosh), civilizim të shoqërisë (rasti Gërdec), varfëri dhe pamjafueshmëri njohurish për këto armë të reja. RSH vlerësohet si një vend ujor, që kupton, rrjeti i burimeve nënujore është premisë kontaminimi.
Të shprehesh se RSH ka eksperiencë për demontim, kjo është pavertetësi. Po Turqia dhe Italia e të tjera vende, afër këtyre armëve, që kanë ngritur me kohë sisteme demontimi, nuk e kanë fituar eksperiencën e duhur? Armët kimike siriane janë të pas viteve edhe 2000 tepër të rezikshme, shumëllojshme, ndërsa ato shqiptare datojnë pas viteve 60-të me efekte më të dobëta vepruese pasi kishin humbur vetitë kimike, për më tepër specialistët tanë edhe për këto arme u stërvitën nga të huajt.
Shtetet me potenciale radioktive-kimike më të fuqishme, herë herë demontojnë sasi të mëdha të armëve bërthamore, kimike (më të fuqishme se ato siriane) të cilat kanë mbushur vitet në shërbim, pa llogaritur, termocentralet, uzinat të prodhimit kimik, bërthamor/nuclear etj. të cilat dalin nga shërbimi.
Vendet prodhuese dhe poseduese të armëve të dëmtimit në masë, kanë marrë masa të forta sigurie të përhershme në zonat ku kanë prodhuar dhe kanë bërë demontimin e tyre, ato janë apo konsiderohen zona të vdekura për këto shtete.
Do të ishte rast më i pranueshëm që t’u shtohet dhe kjo sasi lëndë kimike siriane, demontimi dhe groposja në këto vende të sigurisë së lartë, ku infrastruktura është e ngritur, moderne dhe e sigurisë së lartë.
Do të shtoja për vendimmarrësit edhe efektin emotiv, psikologjik, opinionin e pasigurisë që tashmë egziston tek ne shqiptarët, pasi pak kohë më parë ne prodhuam një luftë me këtë demontim. Përzgjedhja e largët (RSH), duke kaluar shume shtete aleate, tejmediatizimi nga shtypi më prestigjioz botëror, hezitimi i shteteve që kanë hapësira të mëdha dhe eksperiencë disa herë më shumë se vendi ynë, ka një domethënie që realisht merr përmasa vlerësimi negativ me të drejtë prej shqiptarëve.
Në se aleatëve tanë strategjik u thuhet e verteta se RSH ka vullnetin e mirë por nuk plotëson standardin e kërkuar për pritjen, demontimin dhe ruajtjen e tyre, nuk ka zona të lira për hapësirën e kërkuar, për më tepër kemi tejngopje të ambientit me atë çfarë kemi bërë deri tani. Në këtë rast sinqeriteti ynë do të fitojë respektin e tyre.
“Gjithësesi”, ajo që i duhet kësaj kontrate është studimi racional nga një ekip i përbashkët specialistësh, shqiptarë dhe të Nato_s, për të vlerësuar mjetet tona të demontimit të përdorura në vitin 2007, të dhënat teknike dhe taktike të LHL -ve, me qëllim përcaktimi të venddemontimit dhe parashikimin e pasojave në rast aksidenti të pavullnetshëm apo në ndonjë rast sulmi terrorist ndaj kësaj depoje grumbullimi në vendin tonë (tashmë ne jemi një vend target sulmi i botës islamike për shkak të angazhimeve tona).
RSH konsiderohet si vend islamik dhe si e tillë duhen mirëpeshuar efekshmëria e ketyre armëve, masat e parrezikshmërisë në territorin tonë, groposja e tyre dhe efektet prapavepruese të masës apo lëndës kimike në vitet e ardhshme etj.
Vendimarrësit e RSH (në se u kërkohet) para se të vendosin për të këtë operacion, sipas meje luftarak, duhet të kenë të qartë se praktikisht, teknikisht është një operacion tepër i rrezikshëm deri në kufijtë i pamundur. Ky operacion nuk duhet ngatërruar me atë eksperiencë që ne krijuam gjatë viteve 2007-08,
Ai kërkon një punë dhe ekspertizë ndryshe, hapësirë dhe masa të tjera sigurie, duhen të tjerë specialiste me njohuri të lartë inxhinieriko- kimike- teknike. Vendimarrësit shqiptarë duhet të mirëllogarisin edhe procesin postdemontimit, pasi vëllimi i kërkuar për depozitim i mbetjeve duhet të jetë 2-3 herë më i madh se ai fillestar.
Ky arsenal kërkon të tjera procese pune, hapësirë demontimi ( deri 20 km e më shumë nga zona e populluar), groposje dhe ruajtje të sigurisë së lartë, makineri dhe pajisje të kohës që t’i përgjigjen llojshmërisë dhe rrezikshmërisë së lartë të tyre, ajo që mbetet problem shqetësues është aparatura filtruese dhe përgjegjësia për filtrimin e duhur të ajrit, kjo në aspektin mjete filtrimi modern dhe ndërgjegjësi qytetare. LHL “lozin” në atmosferë.
Më shumë se kaq, RSH duhet të vlerësojë dhe të përcaktojë një kohë zgjatje të konsiderueshme për procesin e shkatërrimit të arsenalit kimik (transport), e cila kthehet dhe kjo një rrezikshmëri e madhe për vendin.
Shqipëria duhet të punojë për një plan veprimi për të marrë një pozicion të ri dominues, të favorshëm gjeostrategjik në rajon, me çmimin “Nobel” që tashmë e kemi marrë pikërisht për natyrën e bukur, kushtet klimaterike, me diversitetin e terrenit, me detet, liqenet, lumenjtë, kështjellat e bukura, duke i shtuar mikpritjes shqiptare që do të thithin turrizmin si lëndën e parë strategjike për zhvillimin ekonomik të RSH, të cilat kanë marrë kohët e fundit rrugën e shpresuar. Shtypi elitar botëror ka bërë komente dhe vlerësime të shumta për këto armë, gjë që memoria e njerëzve nuk do të humbasë lehtë opinionin se ky vend është i kontaminuar; edhe ky është një rrezik që duhet vlerësuar.
RSH i duhet e ardhmja e pastër, territori i së cilës ka filluar të pastrohet dhe të ecë.
Tirane, Nentor 2013