Gezim Zilja/
Kanan Seiti, një ish-i dënuar politik po martonte nipin e vet. -Shyqyr që ja arrita kësaj dite! Lermë o zot, të rroj dhe ca kohë,- thoshte me vete, me sytë e përlotur. Pinte nga pak, shikonte çiftet që kërcenin, këndonin, krejt të shpenguar dhe zemra i bëhej mal. Muzika u ngrit deri në qiell dhe në hyrje të lokalit ia behën njerëzit e nuses. U vendosën përballë me krushqit e djalit dhe ahengu u ngrit disa shkallë më lart. I ra në sy një burrë i moshuar me kasketë, por ende i fortë, energjik, shtatlartë, kockëgjerë, trupmbushur, me një hundë të madhe në formën e tehut të sëpatës, me kostumin fringo, këmishë të bardhë, kollare të kuqe dhe këpucët lustrafin, që udhëhiqte vallen. Burri u shkëput nga vallja, nxorri një tufë pesëmijëshe nga portofoli prej lëkure dhe për disa çaste daroviti çiftin, duke tërhequr vëmendjen e gjithë të pranishmëve. Kanani e shoqëroi me sy deri sa u ul, përballë tij, dy-tri karrige më tej. Ishte e pamundur të gabonte. Ai ishte Balil Gozhina, ish partizan, ish prokurori i diktaturës, avokat i njohur tashmë siç i kishin thënë. Balili nxori një puro, i preu me nge majën me biçakun e vjetër me këllëf briri, e ndezi me një çakmak të florinjtë, thithi fort puron, filloi të shpërndaje shtëllunga tymi të bardhë gjithandej, duke parë gjindjen me një lloj krenarie të shtirë. Kananit iu shua gjithë hareja, që e kishte kapluar në fillim…
Në kohën e luftës njerëzit e tij ishin rreshtuar me Ballin ndërsa ata të Balilit me Partinë. Pas lufte komunistët u grabitën gjithçka dhe i lanë të jetonin në një kasolle pranë shtëpisë së tyre. Edhe kaq e keni shumë si armiq të popullit, u kishin thënë. Burrë e grua rropateshin në ndërmarrjet bujqësore. Aty nga vitet shtatëdhjetë hapnin toka të reja sipas udhëzimit të partisë: “Ti bëjmë malet e kodrat pjellore si fushat.” Në pushim, duke ngrënë drekën (sikur më shtyu shejtani, tha më vonë) bukë misri, qepë e ca kokrra ullinj, foli pa të keq: – Pse i hapin këto skërka për tokë buke? Këtu mezi rriten shkurret e jo të bëhet gruri e misri?
Gjashtë muaj në hetuesi, pyetje e tortura nuk pranoi dhe nuk firmosi asgjë. Akuza: Sabotim me qëllim i ekonomisë popullore. Ndërkohë “lajmi’ mbërriti edhe në hetuesi. Gruan dhe fëmijët ia degdisën në fshatrat e Lushnjës… Atëherë vendosi: -Bjemë një letër të bardhë ta firmos. Shkruaj ç’të duash mbi të!- i tha prokuror Balilit. Tashmë e kishte marrë ferra uratën dhe çdo rezistencë ishte e kotë. Dymbëdhjetë vjet u dënua, që i bëri kokërr më kokërr në miniera. Shenjat e torturave dhe mundimeve i kishte ende në trup. Balili kërkonte të shmangte vështrimin e kundërshtarit por Kanani vazhdoi ta shikonte ngultas. “ Si ka mundësi që këta njerëz të jenë në krye përsëri?!” iu drejtua vetes. Kishte parë ish hetues, prokurorë, spiunë, drejtues burgjesh, madje edhe ministra të kohës së diktaturës, që kishin zënë vende kyçe në parlament, ministri dhe në majat e shtetit. “ Të paktën të kishin kërkuar falje për të gjitha të zezat që na bënë, pa për drejtësi nuk bëhet më fjalë.” I hipi gjaku në kokë, por u mundua ta mbajë veten:
– Balili je zotrote? Prokurori që më dënoi me 12 vite burg për një fjalë goje?
– Ai jam. Të dënova se shkele ligjet e shtetit! Vet pranove e firmose… erdhi aty për aty përgjigja harbutërisht. Kajtazi e humbi gjakftohtësinë, u ngrit në këmbë dhe thirri: “ Për ç’ligje e firmë flet?! Po më ngordhe në dru, more kriminel, më more jetën, më le fëmijët jetim me babën gjallë, më internove vëllezër e motra për një fjalë goje…” Vazhduan të grindeshin me zë të lartë, duke qëndruar secili në të tijën. Balil komunisti, u bë si i marrosur. Nuk ishte mësuar ish-prokurori, tashmë avokat i dëgjuar, t’a kundërshtonin e jo më ta akuzonin haptaz me zë të lartë si kriminel e vrasës. Kishte bërë ç’kishte dashur dhjetëra vite me fatin e njerëzve dhe ja tani po e turpëronte në mes të dasmës një hiç, një palo ballist.
-Mba gojën kulish ballisti!- shpërtheu Balili. –Ah, kur s’të vrava atje në hetuesi! Vuri dorën në brez dhe kapi revolverin, relike nga koha e luftës.
“Fute në b… atë o Balil, e mbaje shtrënguar, se mua nuk më trembe dot dje e jo sot! Leri këto, e mos u prish dasmën njerëzve se nuk ta kanë borxh!- u përgjigj ish i dënuari politik, duke menduar se ai diskutim në dasmë duhej mbyllur.
– Ah, nuk ma paske më frikën mua ti more tradhëtar ëë? Shkoi e vate koha ime ë? Po unë të vras tani, ja këtu mu në mes të dasmës. Për ideal të partisë!
Fliste dhe shkumbëzonte, duke përhapur gjithandej nga protezat që i lëviznin, copa të mëdha pështyme, përzjerë me qepë e thërrime buke. E bardha e syve filloi të merrte të kuqen e gjakut, si atëherë kur jepte dënimet me vdekje, e pushkatonte me dorën e tij armiqtë e partisë. Hoqi nga rripi i mezit revolen dhe ia drejtoi. Kanani sa dëgjoi: – Të vras tani!- ngriti vetullën i habitur, por vetëm kaq. Nuk mundi të thoshte asnjë fjalë. Dy krisma njëra pas tjetrës ja bënë kokën copë, duke ja shpërndanë trutë gjithandej. E shpuar tej e tej nga plumbat, koka iu var mbi gjoks dhe gjithë trupi u shemb mbi tavolinë, duke stërpikur me gjak dasmorët e tmerruar. Një njollë e madhe filloi të përhapej dalëngadalë, duke skuqur mbulesën e bardhë të tavolinës. Gratë ia dhanë ulërimës. Balili dyllë i verdhë, me duart që i dridheshin, vendosi koburen në tavolinë, pa nga njerëzit, që pasi dëgjuan krismat, lanë vallen të tmerruar dhe deklaroi: S’jam fare pishman. Këtë gjë duhet ta kisha bërë kohë më parë…