Sipas Prokurorise dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme në prokurimin e fondeve për ndërtimin e një rruge./*
Nga Ilirian Agolli/Zeri i Amerikes/
Kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, dhe një zyrtar tjetër, u arrestuan nga policia e Tiranës për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Me kërkesë të prokurorisë së Tiranës, gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për kryetarin e bashkisë Kamëz dhe një zyrtar tjetër për shpërdorim detyre.
Sipas konfirmimeve zyrtare nga prokuroria shqiptare, hetimet provuan se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme në prokurimin e fondeve për ndërtimin e rrugës Laknas – Valias i Ri. Komisioni i prokurimit ka shpallur fitues kompaninë “Gj… sh.p.k.”. Kompania ishte skualifikuar nga komisioni i prokurorimit bashkia dhe kishte bërë ankesë. Ndërkohë që shqyrtohej kjo ankesë, sqarojnë burimet zyrtare, rruga kishte nisur të ndërtohej nga një kompani tjetër, e cila nuk kishte arritur ta fitonte këtë tender.
Sektori i krimit ekonomik ka shqyrtuar dokumentat për disa muaj dhe sot është urdhëruar arrestimi i kryetarit të njërës prej bashkive më të reja të vendit, e populluar kryesisht me banorë të ardhur nga zonat periferike të Shqipërisë. Për shkeljet në tendera janë akuzuar edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të administratës qendrore, ish-ministra, ish-drejtorë. Zoti Mziu është ndër të paktët që po akuzohet nga pushtetarët vendorë. Ai është ndër pushtetarët vendorë me disa mandate në atë zonë si bashkiak, dhe më parë ka qenë drejtor në ujësjellësin e kryeqytetit.
Shenimi yne: Media afer opozites kane shkruar se Xhelal Mziu eshte arrestuar sepse nuk i ka dhene tenderin Koco Kokdhimes