Nga Anton ÇEFA/
Bir i një familjeje dinjitoze për ideale e virtyte atdhetare dhe krenare për traditat kombëtare, Arshiu mori drejtimin e një njeriu të ndershëm e kambëngulës në bindjet e veta, kundërshtar i çdo konformizmi. I ati, Mustafa Pipa, qe njeri me kulturë të gjanë, jurist për nga profesioni, patriot dhe demokrat për kah idealet. E ama, nanë Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye, burrneshë e vërtetë shqiptare, vdiq në internim, me shpirtin plagë. I vëllai, Myzaferi, avokat, me interesa të gjana kulturore, demokrat, kundërshtar i çdo diktature, botues i revistës “Fryma”, ku shprehi pikëpamjet e tij përparimtare politike e shoqënore, u pushkatue në terr nga organet e sigurimit, sepse kërkoi me gjetë drejtësi e rregull në gjyqet e tyne kriminale. Motrat, edhe pse të shkëlqyeshme në mësime dhe intelektuale të formueme, u detyruen me ba punët ma të randa për me fitue bukën e gojës.
U lind në Shkodër, në vitin 1920. Kreu mësimet fillore në qytetin e lindjes dhe po ashtu arsimin e mesem, vitet e para në Shkollën Saveriane të Jezuitëve dhe të fundit në Liceun e Shtetit, Dega klasike. Studimet e nalta për filozofi i kreu në Firence (Itali), ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi, tue mbrojtë disertacionin: “Morali dhe feja tek Bergsoni”
U kthye në atdhe në vitin 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha landën e filozofisë në Liceun Shtetënor të Tiranës, tue dhanë mësim në të njajten kohë në Licetë Shtetënore të Shkodrës dhe të Durrësit. Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Në prill të vitit 1946, e arrestuen për shkak të refuzimit të tij kategorik me veprue në përputhje me politikën e regjimit diktaturial.
Në vitin 1957, u arratis në Jugosllavi dhe, në vitin 1958, emigroi në SH. B. A. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Veprimtaria e tij pedagogjike dhe organizative në fushën e mësimit dhe të edukimit përbën një kapitull të veçantë, të gjanë, të larmishëm e shumë të frytshëm. 1).
Në vitin 1960, filloi punën si mësues filozofie në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas.
Në vitet 61-62, drejtoi Departamentin e Gjuhës Italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira. (Po në këto vite ka dhanë italisht në Columbia University . . .).
Në vitet 63-66, ka qenë Profesor i Asociuem në Departamentin e Gjuhës Italiane, në Universitetin Berkley të Kalifornias, ku dha mësim në kurset e lëtërsisë moderne italiane dhe drejtoi seminaret e kritkës letrare për De Sanctis (1963), Croce-n (1964), Vico-n (1965). Gjatë vitit 1965 dha mësim edhe në kurset e gjuhës shqipe, letërsisë dhe folklorit tonë. Gjithashtu dha edhe filozofi romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D).
Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. 2).
Në vitin 1966, kaloi në Universitetin e Minnesota-s, në Minneapolis, në fillim si profesor i asociuem, dhe ma vonë si profesor i gjuhës italiane në Departamentin e Gjuhëve Romane. Në Universitetin e Minnesota-s, u ba anëtar me të drejta të plota dhe kontribuoi në planifikimin, hartimin dhe ndamjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Qe, gjithashtu, drejtues i Programit Master për këtë gjuhë. Temat e diplomave për master e Ph. D. u shkruen dhe u miratuen nën drejtimin e tij. U ka dhanë mësim, gjithashtu, kurseve extraculiculare të gjuhëve, kurseve të qytetnimit dhe të kulturës dhe, në veçanti, kurseve extraculiculare për shkrimtarët e mëdhaj: Dante, Bokacio, Manxoni, Leopardi, për Poezinë Kalorsiake, Letërsinë Utopike, dhe leksionet krahasuese: Marksizmi dhe ekzistencializmi në tregim dhe dramë; ka drejtue seminaret Ungareti dhe Monatale, Vico dhe Croce. Veç sa thamë, ka ligjërue ciklin e leksioneve: Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinnë Italiane, në kurset e përbashkëta të diplomantëve të gjuhëve frënge dhe italiane. Në Universitetin e Minesotta-s për tetë vjet me radhë mbajti falas nji kurs të gjuhës shqipe.(te plote e lexoni ne Diellin e printuar)
shefqet says
Patriot, erudit, intelektual, gjuhetar, poliglot,filozof, antikonformist, mbrojtes i paepur i disidenteve te regjimit komunist dhe i te drejtave te njeriut ne Shqiperi dhe kudo ne vendet e lindjes, nje nga perfaqsuesit me te denje te shqiptaro-amerikaneve per me teper se gjysem shekulli, njeri i ndershem, fisnik, ku demokracia rreh ne cdo vene e kapilar te ketij njeriu te madh.
Nder i kombit shqiptar!
Ky eshte profesor Arshi Pipa per mua.
urimet me te mira organizatoreve qe nxoren ne drite vlerat e gjithanshme te prof. Arshi Pipes.
Shefqet Kercelli
Resul Bedalli says
Ky shkrim ka stilin e nje publicisti te mirfillte. Autorit te njohur Cefa i lumte pena
Thanas L. Gjika says
Uroj mw gjithe zemer shoqerine VATRA per organizimin e ketij tubimi dhe z. Anton Cefa, nje veprimtar i ppalodhur per vleresimin e shume figurave madhore te botes shqiptare.
Me respekt, Thanas L. Gjika.