Nga Astrit LULUSHI- Një nga pasojat serioze të propagandës është se ajo ka bërë që publiku të besojë se arsimi dhe propaganda janë e njëjta gjë, dhe kështu një turmë injorante mendon se po arsimohet, ndërsa vetëm manipulohet.
Edukimi synon pavarësinë e mendimit; Propaganda jep mendime të gatshme për turmën që nuk mendon. Tërheqja e parëndësishme, buja, fanatizmi i vjetëruar, i jep propagandës publicitetin më të madh, duke e bërë karikaturë të thjeshtë vulgare të vetvetes.
Edukatori synon një proces të ngadaltë të zhvillimit; propaganduesi, kërkon rezultate të shpejta. Mësuesi përpiqet t’u tregojë nxënësve se si të mendojnë; propaganduesi u thotë se çfarë të mendojnë. Edukatori përpiqet të zhvillojë përgjegjësinë individuale; propaganduesi synon përgjegjësinë kolektive. Edukatori dëshiron që njerëzit të mendojnë para se të hidhen në veprim; propaganduesi i mëson të veprojnë pa menduar më parë. Edukatori dështon nëse nuk arrin të hapë një mendje; propaganduesi, dështon nëse nuk arrin një mendje të mbyllur.
Mendo tani se çfarë ndodhi nën diktaturën e proletariatit, ku kolektivizmi u shtri në njerëz e bagëti dhe regjimi me ngulm synonte për të mos pasur asnjë analfabet, për të shtrirë propagandën në masë e në shkolla. Pasojat e këtij lloj arsimi të egër ndihen sot; ndryshimi vjen me ndarjen e edukimit nga propaganda; dhe për këtë do të duhen breza.