Monument mësuesve të mërgatës shqiptare/
Nga Kadri Tarelli/
Ndjek me vëmendje shkrimet që publikohen shpesh nëpër faqet e shtypit të shkruar dhe në portalet e internetit, lidhur me arsimin shqip të fëmijëve të mërgimtarëve tanë nëpër botë. Dëshirë e një mësuesi të hershëm, që e nisi dhe e grisi jetën në arsim, që të njoh përpjekjet dhe arritjet e kolegëve mësues nëpër vende të botës ku ka shqiptarë. Çdo herë i përshëndes këta misionarë të dijes e të shqipes, që përpiqen me të gjitha forcat dhe mundësitë që u krijohen. Së pari të mbijetojnë vetë, më pas edhe të mbajnë gjallë gjuhën amtare, te të vegjëlit dhe të rinjtë shqiptar. Është një përpjekje madhore, pasi jo kudo gjen teren të përshtashëm, ku shteti dhe komuniteti vendas janë mirëkuptues, dashamirës dhe ndihmues, pa përjashtuar edhe mundësitë e organizimit të vetë shqiptarëve. Ky një kapitull më vete, sepse është edhe çelësi i suksesit.
Kam takuar e biseduar me shumë kolegë, kur vinë në Shqipëri në periudhën e verës. I admiroj, ndaj diku edhe kam shkruar për ta. Më vjen mirë që shpesh organizohen tubime e kuvende me mësues nga diaspora, përmend takimin e fundit në Gjakovë, këtë verë që shkoi 2017, ku morën pjesë një numër i madh mësuesish. Nuk dua të ndalem tek vështirësitë, që janë të pranishme kudo, që po ashtu janë edhe të ngjashme. Është interesant se, po ashtu të njëllojta janë edhe përpjekjet e tyre, për të kapërcyer pengesat, që: O zot sa shumë që janë! Aqsa vargu i tyre nuk ka fund.
Po qendroj tek “Vepra 2. Arsimi shqip në Suedi”, të autorit Hysen Ibrahimi, vetëm për një arrsye të thjeshtë: Arritjet e atij komuniteti shqiptarësh, në zhvillimin e arsimit shqip në veriun e largët të Europës, në Suedi, si shembull e model për të gjithë dashamirët dhe punëtorët e arsimit shqip në diasporë. Dikush do të thotë i zemëruar: pse me Suedinë po na krahason, ku ndihma dhe kujdsi janë në majën më të lartë dhe s’ kanë të krahasuar me vendet e tjerë, sado të zhvilluar qofshin. Mbase kanë të drejtë, por po të njohin përpjekjet e mësuesve shqiptar, dhe pengesat që hasën në fillimet e tyre, do të binden se edhe ata nuk e gjetën udhën të shtruar. Mjafton të lexojnë këtë libër pak voluminoz, por që vlen shumë. Jo pse ka shumë dokumente, ndodhi, shkrime, proces-verbale, emra mësuesish e plot e plot gjëra të tjera, por se tregohen me hollësi dhe me shumë vërtetësi të gjitha mundimet e shqiptarëve, për të hapur klasa dhe shkolla, ku të flitet e të mësohet shqip.
Ky libër, është më shumë se një dokument, është një monument që u ngrihet mësuesëve të mërgatës shqiptare në Suedi. Ata meritojnë shumë e më shumë. Pikërisht në faqet e këtij libri, do të gjejmë mësëshumti, guximin, zgjuarësinë, durimin dhe qëndresën e shpirtit shqiptar, për t’u përballur, së pari me mbijetesën, një dukuri mëse e njohur e çdo emigracioni. Dhe, njëkohësisht për t’u ndeshur me pengesat, që organizonte Serbia dhe shteti Jugosllav, me njerëzit e vet dhe me politikën bllokuese e përçmuese ndaj shqiptarëve. Kjo ishte beteja më e parë, që duhesh fituar dhe që u fitua falë qëndresës, vullnetit e mençurisë shqiptare, sepse bënë të mundur shpërthimin e atij “bunkieri” të informimit agresiv e dashakeqas ndaj shqiptarëve.
Pas kësaj, një tjetër betejë duhesh fituar. Ishte ndoshta më e madhja përballje në atë vend të largët, zotësia për të bindur autoritetet vendore suedeze, se shqiptarët nuk janë as serb e as jugosllav dhe se gjuha shqipe nuk ka as lidhje as ngjasim me sllavishten. Duhesh përmbysur kjo teori e propogandë e mirëorganizuar nga serbët dhe shteti Jugosllav, me të cilën ishin ngopur autoritetet vendase dhe vështirë të thyheshin. Fatmirësisht ata u bindën në të drejtën e mërgatës shqiptare, pasi për ta, ishte befasi qëndrimi dhe veprimi i intelektualëve dhe në veçanti i mësuesve, të cilët për disa vite me radhë punuan pa pagesë. (Një formë pune shumëvjeçare e shkulur nga veprimtaria arsimore në Kosovë, në kushtet e sundimit serb). Nuk vonoi të çelë “Lulja e parë”. Ishte fundi i viteve 1960-1970. Më konkretisht vjeshta e vitit 1968, kur nga mësuesi Bejzat Beqiri, u hap e para shkollë ku mësohej shqip. Më pas u hapën edhe shkolla të tjera, pavarësisht pengesave të shumta, që s’ju ndanë asnjëherë. Sot veprojnë, 263 “çerdhe” të arsimit shqip në Suedi. Faqe 25.
Vitet rrjedhin. Mërgimtarët shqiptar në Suedi shtohen, sidomos pas viteve 1990, si rezultat i genocidit serb, por që gjejnë forca të organizohen. Kështu krijojnë këshilla të prindërve, pak më vonë themeluan “Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptar”, me emrin “Naim Frashëri”. Aq e dukshme ishte jehona e tyre, sa znj. Maj Bejier, (Drejtoreshë e entit të lartë shkollor në Ministrinë e arsimit të Suedisë), ndihmoi me të gjitha mundësitë, duke filluar që nga financimi dhe deri te përpilimi i teksteve për mbajtjen e gjuhës shqipe në gjithë Suedinë. Kjo është edhe arrësyeja, që Hysen Ibrahimi, autori i këtij libri, i cili është edhe kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, vlerëson këtë personalitet të arsimit suedez, për seriozitetin ndaj detyrës. Ai e përmend këtë zonjë të nderuar me shpirt të bukur, mbushur me humanizëm ndaj mërgimtareve tanë, të cilët gjetën në atdheun e saj, strehë, punë dhe liri me tepri.
Takimet e shumta me mësues dhe shkrimtarë shqiptar, që banojnë në Suedi, më ka dhënë mundësi të dëgjoj shumë ngjarje dhe histori që të habisin. Të gjitha janë pasqyruar në librin “Arsimi shqip në Suedi. Vepra 2”, ndaj po ndalem vetëm te ajo që rrëfen Sadulla Zendel-Daja, të cilit në Prill 2016, munda t’i marr një intervistë të shkurtër. Ai rrëfen dhe emocinohet, kur e rikthen veten në 60-vite të shkuar: “Mësuesi serb po i thotë drejtorit të shkollës, se këta fëmijë vijnë nga Kosova dhe kanë një dialekt të jugut të Serbisë, ndaj nuk më kuptojnë mua. Aty ndërhyra unë, duke ju drejtuar fëmijëve: – Dëgjoni! Dëgjoni! Unë jam shqiptar. – Më tej përmenda shumë emra familjarësh që jetonin në qytetin Nybro. Fëmijët u gjallëruan dhe filluan të flasin, duke thënë: – Po more! Edhe mu ma quajn babën qashtu! …Po pra, ju, ju kuptojmë! – u përgjigjën fëmijët. Ata të gjithë u çuan nga bangat dhe më rrethuan si zogjtë pranë klloçkës”. E kisha shumë pranë këtë burrë të moshuar dhe vura re, se si u gjallërua, kur po fliste për ato ngjarje të shumë viteve më parë. – “Ishte një ditë e shenjtë, një ditë e pritur gjatë”. – Thotë i mallëngjyer me sytë gati të përlotur. Kjo ngjarje me një fotografi të madhe të Dajës u publikua në shtypin vendas, në gazetën “Barometera”. 05. Mars, 1975. Faqe 66.
Këto ndodhi, që tani rrëfehen pranë zjarrit, ishin pika kthese në njohjen dhe ndërgjegjësimin e autoriteteve vendase, për tragjedinë që luhej e jetohej në Kosovë. Veprimtaria e intelektualëve shqiptar dhe shembulli i mësuesve, durimi, këmbëngulja dhe zotësia, bëri të mundur që të fitohet edhe kjo betejë, aqsa qeveria suedese e vuri në ligj arsimimin e fëmijëve mërgimtar, duke siguruar lokal, mjete shkollore, transport, etj, etj. Të gjitha të financuara nga shteti. Ishte një fitore e madhe që i bën nder vendit mikpritës, por edhe shqiptarëve tanë, të cilët, sa herë u jepet rasti, nuk reshtin që të falënderojnë këtë popull dhe këtë komb me shpirt të madh.
Tani të gjithë njëzëri e pranojmë se, pikërisht përpjekja për gjuhë e shkollë shqipe, ishte faktori numër një, që ndërgjegjsoi edhe politikën dhe politikanët, në qëndrimin ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të saj. Kemi parasysh ngjarjet që pasuan në vitet e fundshekullit XX, që sollën luftën çlirimtare, lirinë e më pas pavarësinë e Kosovës. Suedia ishte i pari vend europian, që njohu pavarësinë e Kosovës.
Para katër vitesh, fund nëntori 2013, në kuvendin që u organizua në Durrës, në përurimin e librit “Thesari kombëtar”, volumi 1-2, në përshëndetjn time, mes të tjerave thashë këto fjalë: “Suedezët ju krijuan kushte dhe qetësi, por ju qëndruat dhe vrapuat, duke u treguar vetes dhe të tjerëve, se ç’mund të bëjnë shqiptarët, kur kanë liri”. Besoj se pata të drejtë në gjykimin tim, pasi shkrimtarët, mësuesit dhe artistët shqiptar në Suedi nuk janë ndalur në gjithë këto vite. Nëse në fillim, problemi i parë ishte mësimi i gjuhës shqipe, tani pretendojnë më shumë. Ata së fundi kanë botuar librin “Thesari kombëtar”, volumi 7-8, që është një arritje e mirëpritur në kulturën dhe letrat shqipe. Jo vetëm kaq, kan krijuar dhjetra shoqata atdhetare e kulturore në të gjithë Suedinë. Po përmend vetëm shoqatën kulturore “Migjeni”, që vepron në qytetin e Borasit. Edhe diçka më shumë: kanë themeluar “Lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klementi, XI. Albani””, një organizëm shumë i çmuar, që unë do ta quaja “Shtëpia e intelektualëve shqiptar”, në Suedi. Përmend, se dy shkrimtarë të mërgatës sonë, Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri, janë anëtarë të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë. (Kërkoj ndjes nëse ka edhe të tjerë). Besoj se nuk është pak. Të gjithë intelektualët së bashku, krijojnë mundësinë e njohjes dhe shkëmbimit të vlerave, duke afruar më shumë të dy popujt dhe kulturën e tyre.
Meqënëse jam gjithnjë në kontakt me veprmtarinë letrare të shqiptarëve të atij vendi, më duhet ta theksoj se, krijimtaria e tyre është për t’u admiruar, pasi botojnë shkrime, revista e libra. Përkthejnë në të dy gjuhët shqip e suedisht, krijojnë fjalorë me disa dhjetramijëra fjalë, shqip-suedisht dhe suedisht-shqip. Organizojnë vizita të ndërsjellta me mësues dhe shkrimtarë suedez dhe shqiptarë. Disa vite me radhë në Durrës, kam patur nderin të shoqëroj disa mësues të ardhur nga shkolla “Fjardingskolan” në Boras, drejtor Per Kettsen dhe mësueset Sonja Person e Anette Ekelung, së bashku me mësuesin, shkrimtar dhe publicist Sokol Demaku. Po kështu, grup pune nga shkolla “Demokracia” në Durrës, kryesuar nga drejtor Avdyl Buçpapaj dhe nëndrejtor Zabit Rexhepi, dy herë kanë kthyer vizitën te miqtë e Suedisë.
Në këtë udhë miqësie, kujtoj se, dy punonjëse të bibliotekës publike të Durrësit, drejtore Flora Dervishi, së bashku me Keti Psatha, vizituan Suedinë në kuadër të lidhjes së biblitekave të Durrësit me të Borasit. Në vashdim përmend se Dr. Prof Murat Gecaj, Viron Kona, Nuri Dragoi, Zydi Dervishi, kanë qënë disa herë në Suedi dhe kanë shkruar artikuj dhe libra. Po kështu kanë vizituar Shqipërinë edhe shkrimtaret suedeze, Brita Stenberg, Kristin Bjamdotter, ndërkohë Anna Mattson, vjen tek ne dy vite radhazi, 2016 – 2017. Diku në një shkrim, të korrikut 2016, me titull “Shkrimtaret që na erdhën nga Suedia”, jam shprehur: ……. “Koha rrjedh, ndërsa jeta vazhdon. Nuk di se ç’kanë ndërmend të bëjnë dy shkrimtaret suedeze, (Anna Mattson dhe Brita Stenberg), mikeshat e nderuara të Lezhës, Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit. Është në dëshirën dhe vullnetin e tyre, por unë, si edhe shumë të tjerë që patën mundësi të njihen me to, shpreh kënaqësinë dhe shpresën që t’i kemi përsëri mes nesh, me veprën e tyre të përkthyer në shqip”.
Pak më sipër theksova se, intelektualët shqiptar që jetojnë e veprojnë në Suedi, janë për t’u admiruar, sepse nuk janë kënaqur e velur nga arritjet e para, pasi ka edhe të tjera fusha ku shkëlqen shpirti krijues i tyre. Ata kanë ngritur edhe stacione radioje dhe TV, ku trasmetohen emisione në gjuhën shqipe. Kush ka ndjekur sado pak jetën publike, letrare dhe artistike të shqiptarëve në këtë vend nordik, mrekullohet nga veprimatritë e shumta me tematikë të thekur shqiptarie e atdhedashurie.
“Thesari Kombëtar”, volumi: 1-2-3-4-5-6-7-8 dhe “Vepra 2. Arsimi shqip në Suedi”, janë enciklopedi të jetës dhe veprimtarisë atdhetare, arsimore, letrare e artistike të mërgatës shqiptare në Suedi. Unë nuk di që tjetërkush, në tjetër vend, të ketë bërë një punë kaq të madhe, për pasqyrimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës, arsimit dhe kulturës sonë kombëtare.
Na mbetet vetëm t’i urojmë: Suksese!
Kadri Tarelli
Durrës më 06. 08. 2017