
Mbresa nga libri “ Të fshehta jashtë ekranit” i aktorit dhe regjisorit të njohur, Mevlan Shanaj.
Nga Fuat Memelli
Para disa ditësh më mbërriti nga Tirana libri në fjalë i autorit, Mevlan Shanaj. Këtu në Boston leximi më solli si t’i kisha para syve, aktorë, regjisorë, shkrimtarë, skenaristë e operatorë të shquar. Disa nga “Ikonat e ekranit shqiptar”, siç i cilëson me të drejtë miku im i vyer, Mevlan Shanaj, i pata takuar fizikisht, shumicën në ekran. Biseda shpirtërore mes miqsh të artit, të shkruara me shije të epërme letrare, ndonjë e rrezikshme për regjimin e kaluar, po të gjitha të pastra si ujë burimi.Rrallë ndodh të nënvizoj kaq shumë pjesë mbresëlënëse sa në këtë libër, për dy arsye: së pari jeta e pazakontë e personazheve, së dyti, kualiteti i shkrimit. Më befasuan disa copëza nga jeta e tyre e panjohur mëparë.
KUR ARTISTËT I HAPIN ZEMRËN NJËRI-TJETRIT
Mihal Stefa, ”aktori i madh i roleve të vogla”, autori e pat njohur gjatë xhirimit të filmit artistik “I teti në Bronz”. Kur i shkoi për vizitë, e gjeti të vetmuar në një shtëpi si ahur me Biblën nën jastëk.
Në faqet e librit “takova” Sandër Prosin, aktorin emblemë, herë si Dhaskal Todhri, herë si Ismail Qemali. Dikur me xhirim në një film artistik, Sandri i pati thënë Mevlanit: “Këtej nuk e përdor këmishën e bardhë, e ruaj për Tiranë, nuk kam tjetër.” E pabesueshme , po kështu jetonte aktori legjendë, madje jo vetëm ai, të gjithë artistët kanë bërë jetë të thjeshtë.
Vaçe Zela i thotë Mevlanit vizitor në shtëpi: ”E shikon si më janë bërë duart? Nuk kam lavatriçe, rrobat i laj me dorë.” Dhe kush, këngëtarja e madhe që duhej mbajtur në pëllëmbë të dorës.
ARTISTËT NË OPTIKËN E MEVLANIT
Për 50 artistët e librit, autori nuk ka bërë thjesht CV, por ka skalitur portrete me daltë mjeshtri. Për dikë shkruan më pak, për dikë më shumë, po për të gjithë me të njëjtin stil mjeshtëror, me dashuri e mirënjohje për kontributin e tyre në kulturën shqiptare. Ngaqë ka bashkëpunuar dhe ka mësuar prej tyre, i vlerëson si nxënësi mësuesit, duke u ngritur përmendore prej germash.
Për regjisorin Dhimitër Anagnosti shkruan:” Erdhi e mbeti në majë, e ka vulosur Shqipërinë në çdo vepër.” Sandër Prosin e quan “legjendë e gjallë”, që edhe pas kaq vitesh larguar nga jeta, është midis nesh. Ikjen e parakohshme e quan “humbje kombëtare”. Aktorin korçar Pandi Raidhi, e quan “ copë shkëmbi në skenën dhe ekranin shqiptar, se nuk vjen prej dheu figurë si ai.”
Me dashuri e respekt të veçantë shkruan për regjisorin Viktor Gjika i cili e aktivizoi ende student në filmin “I teti në bronz’. Me filmat “Gjeneral gramafoni”, “Rrugë të bardha”, ”Nëntori i dytë” e tjera, Gjika krijoi imazhin e së shkuarës historike të njeriut patriot, qytetarit fisnik, shqiptarit të pa lëkundur.
“Është shumë pak një statujë në ish Kinostudio, Korçë apo kudo tjetër në Shqipërinë që na i dha përmes ekranit,” – thekson Mevlani.
Me fjalë të gdhendura dalton aktorin e madh Naim Frashëri: ” Të merrje frymë në sallë me të, zmadhohej gjoksi e shpirti, fillonte një drithërimë për të bukurën, të cilën e kishte pronë të vetën. Shqipëria ka humbur gjeniun e aktrimit.”
Ne që nuk e kemi njohur nga afër kantautorin Lukë Kaçaj, çuditemi me talentin e tij të shprehur nga bashkë studenti Zef Çobaj në Universitetin Çajkovski, Moskë:
”Ky artist i madh është shpallur ndër më të mëdhenjtë e shekullit të 20-të.” Vokali tronditës i bëri xhelozë disa kolegë, që e spiunuan për “agjitacion e propagandë”, duke çuar në arrestimin e tij para studentëve të Institutit të Arteve. Kur doli nga burgu vigani që kishte kënduar në disa vende të botës, punoi hamall.
Aktorin legjendë Kadri Roshi me role kryesore te “Dhelpra dhe rrushtë”, “Arturo Ui”, “Hamleti” , “Përballimi”, e vlerëson ”gjeni në interpretim” i dënuan për “riedukim”, një çudi tjetër e asaj kohe.
Kristaq Dhamon e çmon si “burri më i ditur i ekranit shqiptar”, “ dirigjent i regjisë së filmit shqiptar”, mësuesi i kineastëve që erdhën pas tij. Regjisoren Xhanfize Keko e quan “mbretëresha e filmit për fëmijë në konkurrencë me burrat më të zëshëm të ekranit”:” Ti i ke krijuar gruas regjisore monumentin më të bukur, ishe qielli dhe toka e ëndrrave të fëmijëve.” Kësaj regjisoreje i ka kushtuar dokumentarin ‘‘Koha e pelikulës” me skenariste Natasha Lako dhe regjisor Mevlani.
Buqeta, njërën më të bukur e tjetra u ka thurur legjendave Lasgush Poradeci, Pirro Mani, Rikard Ljarja, Pandi Stillu, Saimir Kumbaro, Muharrem Fejzo, Kujtim Çashku, Tinka Kurti, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Margarita Xhepa, Timo Flloko, Sulejman Pitarka, Vangjush Furxhiun, Yllka Mujon, Rajmonda Bulku, Kastriot Çaushi, çiftin Orgocka, Llazi Sërbo, skenaristëve Teodor Laço, Natasha Lako e Nasi Nera, operatorëve Ilia Tërpini, Pali Kuke e Stefan Gajo, poetit lirik Skënder Rusi, etj.
Po e le me kaq të mos shuaj kureshtjen e lexuesit për këtë libër testament të Mevlan Shanajt.
LIBRI I JETËS SË MEVLANIT
Në faqen e fundit mbrita në përfundim se ky është libri i jetës së Mevlanit. Ndonëse ka botuar edhe të tjerë, veç pesëdhjetë figurave artistësh të shquar, këtu bën analiza për artin e kinemasë, pa iu ndarë aktorit si profesion. Teksa vlerëson befasitë e aktorit, dënon imitimin jetëshkurtër.
Një tjetër arësye e këtij përfundimi tim, janë disa pjesë të fundit të librit kushtuar njerëzve të shtrenjtë të familjes, nënës, vëllezërve, bashkëshortes, fëmijëve.
“E çfarë nuk do të jepja të më rivinte nëna ashtu e varfër dhe e pasur në kujtime!” Pastaj monologon me të: ” Çfarë qumështi më ke dhënë që më kë bërë kaq tolerant, duke mbytur smirën, xhelozinë, hipokrizinë.”
Të vëllain, Petritin, e quan “ mësuesi im i jetës”. (Babi e la tre vjet Mevlanin.) Në letrën me rastin e 72 vjetorit të lindjes, bashkëshortes, poetes dhe skenaristes Natasha Lako ndër të tjera i shkruan: ”Më kë bërë krenar në çdo hap të jetës!”
Libri mbyllet me dedikimin që i kushton fëmijëve, Jonit dhe Erës, njëri më i mirë se tjetri, Joni pedagog për regji filmi në Universitetin e Arteve, Era eksperte për mardhënie ndërkombëtare e cila ka punuar në disa vende të botës.