Ambasadori amerikan në vendin tonë, Alexander Arvizu deklaroi të hënën se SHBA-të janë të palëkundura për të vijuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Në konferencën ”Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut-SHBA”, ambasadori Arvizu, tha se Karta e Adriatikut kontribuon për një Europë të lirë dhe në paqe.
“Si anëtarë të këtij komunitet ripohojmë përkushtimin tonë të përbashkët politik për të forcuar institucionet demokratike, shoqërinë civile, shtetin ligjor, ekonominë e tregut, për të luftuar korrupsionin dhe krimin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe liritë civile për të gjithë individët në rajo”, deklaroi ambasadori amerikan.
Karta e Adriatikut, sipas Arvizu, mbetet kaq e përshtatshme sot sa ç’ka qënë atëhere, ndërsa rajoni vazhdon në rrugën drejt integrimit më të thellë euroatlantik. “SHBA-të besojnë fortësisht se Karta kontribuon për vizionin tonë të përbashkët, për një Europë që është e plotë dhe në paqe”, tha ai.
Arvizu nënvizoi se anëtarët e kësaj Karte janë të përkushtuar për të forcuar përpjekjet e tyre individuale dhe bashkëpunuese për të intensifikuar reformat e brendshme që përmirësojnë sigurinë dhe stabilitetin e tërë rajonit.
Takimi i kartës të së Adriatikut ofron mundësitë për të theksuar atë që anëtarët kanë bërë drejt integrimit auroatlantik. SHBA-të, vijoi Arvizu, fuqimisht synojnë të ndihmojnë vendet në zbatimin e reformave të nevojshme.
Konferenca ”Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut-SHBA”, e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, nisi të hënën punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e delegacioneve nga vendet e rajonit: Bosnja, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Shoqëria Civile(Sipas ATSH)