
Nga ANGELO PANEBIANCO/
Në fushatën zgjedhore italiane ka një të ftuar të ngurtë, Vladimir Putin. Sigurisht i është mirënjohës atyre që kanë hequr nga qarkullimi atë që e quante armikun e tij të pathyer (Draghi), i cili, në sajë të prestigjit të tij vetiak , ishte tepër ndikues në rrjeshtimin perëndimor. Putini, me gjasë, pret nga votimet italiane njërën nga dy përfundimet: ose një Itali të kthyer në të paqëndrueshme prej votës ose fitoren e rrjeshtimit në të cilin të kenë peshë e përgjegjësi parti që janë mike të tij, ose sidoqoftë jo armike. Të dyja rastet do t’ishin të dobishëm për Rusinë.
Në kushte krejtësisht të ndryshuara jemi të pranishëm (madje për të marrë pjesë) në një përshembëllim të ri të votimeve të 18 prillit 1948. Edhe sot, si atëherë, Italia është e thirrur të bëjë një zgjedhje fushe. Por me ndryshimin themelor që atëherë fusha perëndimore ishte e pajisur me një klasë drejtuese skajshmërisht të fuqishme, në gjëndje të jepte kompaktësi sistemit të saj të aleancave kundrejt Bashkimit Sovjetik, ndërsa sot fusha është plot vrima, e veshur keq, e ndarë, për arsyet që ka treguar Federico Rampini (Corriere, 23 korrik).
Tashmë i stërdobëti Biden po bëhet një “rosë e çalë” mbasi, me gjasë, në zgjedhjet e mesit të mandatit, do të ketë humur shumicën në Kongres. Shumë hamendësojnë që Putini është duke pritur pikërisht atë çast për të biseduar nga pozitat e forcës, t’ardhmen e Ukrainës me perëndimorët. Makroni nuk ka shumicën në një Parlament të tejmbushur, në të djathtë e në të majtë me miq të Putinit. Nuk është e rastit që putiniania Marine le Pen ka përgëzuar miqtë e saj italianë sepse kanë rrëzuar Draghin. Gjermania është e udhëhequr nga një kançelar i dobët që nuk di kujt shënjti t’i drejtohet, e më përgjithësisht, nga një klasë drejtuese që nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë Vëndi i saj kur të rritet. Një Gjermani e dobët, në pritmëri, do të thotë një Bashkim Evropian të prirur drejt çorientimit. Për pasojë, është e kotë të vazhdojmë të kërkojmë në këtë fazë një Bashkim politikisht të fuqishëm, një ushtri evropiane, e të gjithë argumentet e zakonshëm të repertorit “evropianisht korrekt”. Asgjë e tillë nuk do të jetë nëse Evropa më parë nuk do të ketë përballuar e zgjidhur problemin e saj të klasës drejtuese. Për sot e për t’ardhmen e parashikueshme, kjo nuk duket e mundëshme.
Madje, duhet thënë se, duke mbajtur parasysh kushtet e vështira në të cilat vepron, Bashkimi po bën më të mirën për të mbrojtur pjestarët e tij nga turbullirat. Këtyre vështirësive të Perëndimit mund t’u shtojmë edhe praninë e një shtylle të pestë të Putinit brënda Bashkimit evropian (Orbani) dhe të një Turqie që mbetet në NATO vetëm sepse bëhet fjalë për një letër, ndërmjet të shumtave që përdor, të dobishme për synimet e autonomisë politike të fuqisë, edhe kur ajo politikë konfliktohet me interesat perëndimore.
Të gjithë ata që mendojnë se ajo perëndimore është më e keqja botë, po të përjashtojmë të gjitha të tjerat, janë gëzuar kur, mbas mësyemjes ruse t’Ukrainës, NATO përnjëheresh u gjallërua, qeveritë perëndimore janë kompaktësuar, Suedia dhe Finlanda kanë nxituar të futen nën çadrën ushtarake perëndimore. U tha: Putini ka humbur, vinte bast mbi një Perëndim të pafuqishëm e të ndarë, ndërsa e ka rigjallëruar përjëherësh, i ka dhënë një “mision të përbashkët” të ri. Së bashku me kinezët, thuhej se Putini e jepte për të sigurtë se demokracitë e dobta dhe në rënie perëndimore edhe n’atë rast do të shfaqnin gjithë pafuqinë e tyre. Kjo tregon se, ashtu siç mendon Putini dhe drejtuesit kinezë, bota e ardhëshme u përket pushteteve autokratike, u përket atyre. Por ndodhi e kundërta.
Ndoshta e kemi shitur shumë shpejt lëkurën e ariut. Elementët e dobësisë së demokracive, mbi të cilët venë bast fuqitë e mëdha autokratike, nuk janë një shpikje e tyre, janë në të vërtetë. Shoqëritë e hapura e të lira perëndimore janë tejet të prekëshme. Por është e vërtetë që pikërisht parimet e lirisë mbi të cilët themelohen janë pika e tyre e fuqisë: e bëjnë mënyrën e tyre të jetesës më tërheqëse se ato të lejuara nga fuqitë autoritare dhe lindin një forcë të madhe si morale si ekonomike që nxisin dhe bashkojnë nismat e shumta të individëve. Por edhe fuqitë autoritare kanë, veç dobësive të dukëshme, pika force, kryesorja e të cilëve është se nuk duhet t’i japin llogari askujt për krimet dhe prapësitë e tyre. Ndeshja pra është tejet e hapur dhe nuk është e mundur të dihet për çastin se cilët do të jenë fituesit e cilët humbësit.
Të kthehemi tani tek ndodhitë e shtëpisë sonë, tek fushata zgjedhore. Pothuajse dijmë gjithshka. Nuk do të përballohen “liberistë” e “statalistë” (liberizmi, nëse për të tillë kuptohet një politikë si ajo e Thatcher-it nuk ka gjetur kurrë rrugë në Itali), por mënyra të ndryshme për të mbarështuar praninë masive të Shtetit n’ekonomi e në jetën publike italiane. Do të ketë edhe ndonjë zë të dobët në dobi të konkurrencës (vendimtare në t’ashtuquajturin “rend të ditës Draghi”) përballë një Vëndi tejet të fuqishëm “fashosh e korporatash”: taksistë e kujdestarë plazhi nuk janë të vetmit që përfitojnë nga mundësia për të shkarkuar mbi konsumatorët çmimet e t’ardhurave të rentave të tyre të pozitave. Ndoshta Evropa do të jetë e pranishme në fushatën zgjedhore. Në kuptimin që të gjithë do të thonë se duan të përdorin fondet e Pnrr. Por jo të gjithë do të flasin për reforma (drejtësia, Administrata publike dhe, pikërisht, konkurrenca) të nevojshme për përdorimin e tyre.
Do të jetë një mënyrë e sigurtë për të ditur kush është i rrjeshtuar e me kë, në dyluftimin planetar ndërmjet demokracive dhe autokracive. Shumë prej kundështarëve të Draghit e që nuk miratonin zgjedhjet e tij, gjatë fushatës zgjedhore, do të kërkojnë të flasin sa më pak për politikën ndërkombëtare. Do të kufizohen të thonë ndonjë gjë të rëndomtë për “paqen”, duke i rrëshqitur faktit se luftën nuk e kanë dashur perëndimorët por Putini. Ndërsa do të përqëndrohen mbi çështjet e brëndëshme, ku është më e lehtë të maskohen. Do të bëjnë gjithshka për të mos u dhënë të kuptojnë votuesve se para së gjithash bëhet fjalë për një zgjedhje fushe.
Ndërmjet armiqve të aleancës perëndimore, ndoshta vetëm 5 Yjet do të marrin një qëndrim të qartë, të hapur në dobi të Putinit. Sidomos nëse, në përballimin zgjedhor do të ketë një rol të rëndësishëm Alessandro di Battista. Të tjerët pyetjes “Je n’ujdi me politikën e jashtëme të Draghit”, do t’i përgjigjen”po, por”. Ku “por” qëndron për “por edhe jo”. Me falënderimet e Vladimir Putinit.
“Corriere della Sera” 26 korrik 2022 Përktheu Eugjen Merlika