Nga Ilir Levonja/
”Duro o zemër, duro…/
Siç duron bora në male”/
Jeronim De Rada/
Natën e mbrëmshme shikoja një emison për ruajtjen e traditës arbërore bash aty në jugun e Italisë. E ndofta nga kjo më çukiti kokën ky dy vargësh ”duro e zemër, duro/ siç duron bora në male.”, i De Radës. Poetit që përfaqëson atë, të ashtuqujturën letërsia e arbëreshëve të Italisë. Kjo histori e vjetër shqiptare, që njihet në analet europiane. Si historia e njerëzve me atdhe të humbur. E gjitha kjo nga rënia e Bizantit dhe triumfi i osmanllinjëve. Shqiptarët e asaj kohe, i kishin dhënë europës një ëngjull mbrojtës. Ky quhej Gjergj Kastrioti. Por shuarja e prijësit, vrulli osman, do i binin për së pari në kokë atyre vetë. Ndaj memoria mesjetare u njeh shqiptarëve shtatë eksode të mëdha. Rreth dyqind e ca mijë njerëz që u detyruan të linin vendin. Për t’i shpëtuar reprezaljeve, shfarosjes etj. Dhe që sot veç historisë së uzurpuar, kanosjeve ideologjike, shpirtrave të frymëzuar nga devotshmëria fetare etj. E flatron ajrin shqiptar vetëm një këngë e kohës. Ajo me titull, ”Moj e bukura More”. Të tjerat janë një kapitull i lënë pas dore. Ndofta për neglizhencë. Apo dështimeve të njëpasnjëshme për mos bërjen e një shteti të qëndrueshëm. Ndofta për shkak të eksodeve moderne që solli disfata e ekonomisë së planifikuar etj. Ku ka gjetur terren të hatashëm sponsorizimi i besimit nga lindja. Por edhe për shkak të konfliktualitetit politik të vazhdueshëm. Sa që çështjet kombëtare duken si një luks i largët për shqiptarët. Shkurt, nuk ka as interesin më të vogël. Përshembull shqiptarët aktualë janë të ndarë në erdoganistë ose gylenistë. Në orthodoksë grek ose nolistë. Duke ua lënë dhuratë atë orthodoksinë bizantine arbëreshëve të Italisë.
Megjithatë është një fakt i gjallë, që ne, nuk na shqetëson fare.
Por mjaft bërrtitës për të kuptuar identitetin tonë në lidhje me tabiatet (zakonet) e orientit. Një lloj simboli i njeriut që humb atdheun. Dhe që kthehet në një ishull diku. Për shkak se atdheun real e ka mbërthyer ekstaza e kalifatit dhe e sulltanit. Kështu, sot shqiptarët aktualë janë më shumë të shqetësuar për ata që i dëbuan. Se sa për njerëzit e tyre të dëbuar.