Nga KOLEC TRABOINI/
Kam parë në lulishten para Vllezërve Frashëri në qëndër të Tiranës që “kuq e zinjtë” e politikës kishin vënë ca tabela me fotot e 101 personaliteteve të shekullit në kuadër të 101 vjetorit të shtetit shqiptar e thashë mos shoh mes tyre portretin e Martin Gjokës, kompozitorit themelues të muzikës sinfonike dhe i operes së parë shqiptare, si dhe mësues i plejadës së muzikantëve shqiptarë që dominuan gjysëm shekullin që shkoi dhe bene histori. Por jo nuk e pashë. Kish gjetur dikushi edhe ndonjë emër pak të njohur, diku andej nga nahija vet, por Martin Gjokën jo. A thua se nuk merr vesh fare njeriu politik nga muzika apo se nuk e di se në kulturat kombëtare, kombet lavdërohen më së shumti për poetët dhe muzikantët e vet para se atyre që kanë kënduar me dyfek e jo se dyfeku nuk ka bërë punë për kombin, por forca e shpirtit gjithmonë e mbizotëron forcën fizike dhe është më jetëgjatë në histori. Por edhe ngre supet tek shoh se si i bëjmë punët këtu në Shqipërinë tonë. E vetmevete më lind pyetja: Pse nuk e bëjnë këtë muzikant të madh Nderi i Kombit. Apo e kanë bërë e unë nuk e di!!!
Eh kjo botë e marrë ku jetojmë – nuk njeh as vetveten.
Po le të themi dy fjalë kush është Martin Gjoka? I lindur 20 prill 1890 në Tivar, qytet shqiptar në breg të detit, sot në Mal të Zi me emër të ndrruar, bir i kapitenit të portit Filip Gjoka, në moshën 15 vjeçare e çojnë në shkollën e Françeskaneve në Shkodër ku drejtor ishte Atë Gjergj Fishta. Martini 18 vjeçar u dërgua në qytetin e Moxartit Salzburg të Austrisë ku studioj filosofi e teologji, por pasioni i tij për muzikën e shty qe të ndiqte edhe mësimet muzikore në Institutin e Profesorit me famë Hartman. Kthehet në Shkodër pak para shpalljes së Pavarësisë dhe jep mësime në Kolegjin e Fretenve. Në 1922 krijon orkestren “Illyricum” me të cilën do të fitonte konkursin kombëtar muzikor në vitin 1930. Atë Martin Gjoka jepte koncerte nëpër shoqëritë kulturore të Shkodrës, shumë të zhvilluara në atë kohë.
Krijoj në zhanre të ndryshme muzikore, polifonike dhe korale, krijoj opera dhe simfoni si dhe një numër këngësh epike dhe lirike. Martin Gjoka hapi i pari shtegun e artit muzikor shqiptar, krijuesit i të parës simfoni shqiptare “Dy lule mbi vorr të Skanderbegut” (1919) si dhe krijuesi i operas shqiptare “Juda Makabe” me libret të Gjergj Fishtës kompozuar në vitin 1917. Falë punës së Atë Martin Gjokës dhe muzikantëve të tjerë natyrisht Shkodra u bë qëndra më e rëndësishme e jetës muzikore në Shqipëri dhe djepi ku kanë lindur talente të mëdha.
Muzikologu dhe studiuesi i apasionuar i historisë së muzikës shqiptare Tonin Zadeja, në një jetëshkresë të shkurtër të At Martin Gjokës shkuan: “Janë kuptimplotë, dhe një vlerësim i madh i punës së tij, fjalët që Bajram Curri i drejtoi atij kur, në krye të orkestrës frymore, shkoi për ta urue me 1924: “ Ky peshqesh( asht fjala për një sasi të hollash- T.Z.) asht për kalamajt dhe për Ju, uratë. Vazhdoni të punoni pa u lodhun për idealin kombëtar e përparimin e vendit”.”
Për 50 vjet është thënë se opera e parë është krijuar në vitin 1958, por e verteta është ndryshe. Madje shumë prej pjesëve muzikore apo këngëve të Martin Gjokës se ndaluar, kanë arrit të futën në repertore pa emrin e tij.
At Martin Gjoka edhe pse vdiq në moshën 50-të vjeçare nga nje atak në zemër, në moshën më prodhimtare për një kompozitor, na ka lënë një pasuri të madhe muzikore në të gjitha gjinitë.
Simfonia “Dy lule mbi vorr të Skandërbegut” është ekzekutuar nga Orkestra e Operas nën drejtimin e Eno Koços në vitin 1986 i cili e vlerëson: “At Martin Gjoka, mund të thuhet me plot zë, është krijuesi i një gjuhe muzikore specifike shqiptare e cila rrezatoi tek mjaft kompozitorë shkodranë që, të gjithë e dimë, kanë qënë në pararojë të artit muzikor shqiptar” .
Një punë pasionante për nxjerrjen në dritë të veprës së këtij kompozitori të madh ka bërë me librin e vet Robert Prennushi, ku krahas shkrimeve mbi jetën e veprën e Atë Martin Gjoka OFM janë botuar edhe partiturat “Album për harmonium për 24 copa” e tjerë pjesë muzikore.
E kemi “takue” të madhin At M. Gjoka, tek filmi “Skënderbeu”, ku kompozitori Çesk Zadeja, shfrytëzon me mjeshtri temën e këngës së Martin Gjokës e mbështetur kjo në një motiv të vjetër të këngëve malësore.
Motivi i huazuar i filmin “Skënderbeu” nuk është vështirë të dallohet. Është marrë nga kënga “Kenkan mbushun malet me borë” por Martin Gjoka ishte i ndaluar , thjeshtë se qe prift ndaj atëherë u tha se është shfrytëzuar një këngë popullore, vetëm e vetëm që të mos dilte emri i më të madhit muzikant shqiptar, ai që hapi shtigjet e artit muzikor klasik në Shqipëri, ai që mësoi në shkollë e ngjalli pasionin për muzikën tek plejada e muzikantëve të mëvonshëm si Çesk Zadej, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Abdulla Grimci, Pjetër Dungu, Gjon Kapidani e tjerë.
Gjithësesi muzika e filmit “Skënderbeu” është vertetë një mrekulli në të cilën kanë shkrirë talentin e tyre dy artistë të mëdhej mësues e nxenës: At Martin Gjoka e Çesk Zadeja.
Fritz Radovani says
Me ka tregue i Ndjeri Zef Zorba qe At Martin Gjoka, u ka thane nxanesve te vet: “Preke Jakova asht kompozitori i ardheshem i Shqipnise…” At Filip Mazrreku ishte nje pasues i Tij, se mesoi prej Tij. Respekt per Autorin e shkrimit.