
Nga Evarist Beqiri/
Pak ditë më parë, pata kënaqësinë që të rikthehem në Palermo dhe Siçili. Në vende që nuk janë thjesht hapësira gjeografike, por pjesë e memories sonë kombëtare. Në qendrën historike të qytetit, vetëm pak hapa larg nga Quattro Canti — zemra baroke oktagonale e qytetit, e ndërtuar mes viteve 1608–1621 në kryqëzimin e Via Maqueda me Corso Vittorio Emanuele — gjendet Palermo Centrale Palace Hotel. Pikërisht aty ku bujti Ismail Qemali, mbajta në duar librin tim “Themeluesi” (“The Founder”) Ky moment më bëri të reflektoj thellë: sa e fortë ishte atëherë lidhja mes shqiptarëve, përtej kufijve, përtej vështirësive, përtej kohës.
Ismail Qemal Vlora udhëtoi i shoqëruar nga shumë karroca (araba) nga Palermo drejt Piana degli Albanesi. Një pritje që sot duket pothuajse epike, me flamuj kombëtar, këngë, thirrje “Rroftë Shqipëria!”. Aty ishte një popull që e ndiente kombin si fat të përbashkët.
Në maj të vitit 1903, Ismail Qemal Vlora u prit nga arbëreshët jo thjesht si një politikan, por si shpresa e gjallë e një kombi që ende nuk kishte shtetin e vet.
Pyetja që më lindi natyrshëm është, a e kemi sot ne atë nivel ndërgjegjeje kombëtare?
Sepse kombi nuk është vetëm histori. Kombi është projekt. Dhe çdo brez ka detyrën ta ringrejë atë me të njëjtin pasion, me të njëjtën përgjegjësi dhe me të njëjtin vizion që patën ata që e nisën.
Kujtimet e arbëreshit Pietro Scaglione dhe ato të Ismail Qemal Vlorës, përshkruajnë një atmosferë të jashtëzakonshme. Një bashkim emocional mes shqiptarëve të atdheut dhe atyre të diasporës arbëreshe. Ishte një moment kur ideja e kombit tejkalonte kufijtë dhe u bë përvojë e përbashkët.
Sot, më shumë se një shekull më vonë, ajo ndjenjë mbetet po aq e fortë. Sepse historia nuk është vetëm ajo që ka ndodhur në të shkuarën. Historia është ajo që vazhdon të na formësojë.
Prandaj, ky udhëtim nuk ishte thjesht një rikthim në të shkuarën. Ishte një kujtesë se projekti kombëtar shqiptar ka qenë gjithmonë më i madh se kufijtë politikë, dhe se lidhja jonë me diasporën është një nga asetet më të çmuara që kemi.
Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë të vegjël kur kanë qenë bashkë. Dhe nuk do të jenë kurrë, nëse do të dinë të mbeten të tillë.