• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lediana Fratari, një yll në ngjitje në politikën shqiptare

April 23, 2021 by dgreca

 Ish të përndjekurit politikë të diktaturës komuniste tashmë kanë një kandidate dinjitoze, që do t’i përfaqësojë dhe mbi të gjitha do të jetë zëri i tyre i fortë në parlament. Lediana Fratari, bijë e familjes së madhe Fratari, e cila ka vuajtur nën diktuarë në burgje e internime, është një model që thotë se përfaqëson të rinjtë që duan një politikë ndryshe, mbnështetur në ideale. Kandidate e Partisë Demokratike, Fratari u mbështet fort tek ish të përndjekurit politikë, si personifikim i detyrimit që të gjithë kanë ndaj atyre njerëzve që u vranë apo vuajtën në kampet e punës së rëndë dhe pa pagesë. Gjatë ngjithë fushatës, ata garnatuan mbështetjen për kandidaturën e zonjushës Fratari, me besimin e madh se ajo do të jetë zëri i tyre në parlament dhe jashtë tij, për të drejtat e tyre. Në takimin përmbyllës të fushatës, Lediana Fratari ishte pikërisht mes ish të përndjekurve. Shoqata e tyre, nën drejtimin e Nebil Çikës dhe Simon Mirakës, mbështeti edhe njëherë fushqimisht këtë kandidaturë, duke u bërë thirrje të gjithë ish të përndjekurve të votojnë Partinë Demokratike dhe kandidaten Fratari. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtuesit e shoqatës Panshqiptare “Vatra” në SHBA. Kryetari Elmi Berisha, zëvendës kryertari Anton Raja dhe sekretarja e parë e Federatës Panshqipate Nazo Veliu. Aktivitstët e çështjes shqiptare në SBA, bënë thirrje për votë masive për kandidaten Fratari, si një risi në politikën shqiptare. Lediana Fratari, është një vajzë e arsimuar në Itali dhe Britaninë e Madhe në të gjitha nivelet e arsimit, dhe është diplomuar për shkenca politike në Fakultetin Politik të Universitetit “Queen Mary”, Londër, Angli. Ajo është vajza e Hajredin Fatari, një sipërmarrës ndërtimi, i cili krijoi kompaninë e parë të ndërtimit në Shqipëri, kur u shemb regjimi komunist. Familja Fratari është një histori e mbushur me kontribut atdhetar e patriotik, që nga koha e shpalljes së pavarësisë deri në rezistencën antikomuniste. Lediana Fratari, ka shkruar shpesh në media duke thënë se është një politikane e gjeneratës së re, e cila nuk udhëhiqet nga interesat por nga idealet dhe pasioni për politikën. “Unë politikën nuk e shikoj si mjet përfitimi, por si mundësi që më jepet për të kontibuar për vendin dhe popullin tim” – thotë ajo.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ledina Fratari, Ylli ne ngjitje

VATRA, MBËSHTETJE LEDINA FRATARIT NË TAKIMIN PËRMBYLLËS ELEKTORAL

April 23, 2021 by dgreca

– NEBIL ÇIKA: Në emër të të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë  i falënderoj drejtuesit e Vatrës për mbështetjen e kandidates dhe kauzës sonë!

– KRYETARI BERISHA: Është obligim i Vatrës që t’i japë mbështetje përfaqësueses të të përndjekurëve politikë dhe të gjitha forcave që kërkojnë ndryshimin e madh të Shqipërisë.

– LEDINA FRATARI: Ndjehem e vlerësuar të kem mbështetjen e Federatës Panshqiptare në SHBA ‘Vatra’…

VATRA- Votoni nr. 9 PD dhe nr. 34 Lediana Fratari!

Tiranë, 23 Prill 2021- Sipas bisedës telefonike të editorit të Diellit me Kryetarin e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, Z. Elmi Berisha, delegacioni i Vatrës i kryesuar nga ai, shkoi paraditen e  sotme në takimin përmbyllës elektoral të të  përndjekurve politik të Shqipërisë në mbështetje të bijës së tyre, përfaqësuses dinjitoze të shtersës të të përndjekurve politikë të Shqipërisë,LEDINA FRATARI.

          Kryetari i  Shoqatës të të Përndjekurve Politik antikomunistë të Shqipërisë, gazetari Nebil Çika, falenderoi kryetarin e Vatrës z. Berisha, dhe shoqeruesit e tij për mbështetjen. Z. Çika shkroi në statusin e tij:” Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” në mbështetje të Lediana Fratarit.- Te dashur miq, shkroi ai- sot patëm nderin që bashkë me vëllezërit tanë nga SHBA, drejtuesit e lartë të Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra” kryetarit z.Elmi Berisha, sekretares znj. Nazo Veliu, anëtar i kryesisë së Vatrës z. Anton Raja,  të drejtojmë takimin përmbyllës të fushatës elektorale të kandidates sonë Ledina Fratari.Në emër të të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë i falënderoj drejtuesit e Vatrës për mbështetjen e kandidates dhe kauzës sonë !”

            Kryetari i Vatërs z. Berisha dha fuqishëm mbështetjen e Vatrës për kandidaten e të Përndjekurve  Politik, Ledina Fratari. Ai tha se ky ishte përtej mesazhit të kryesis antikomunistë të Shqipërisë, por edhe të gjithë vatranëve, që ndryshimi të nsite nga Kuvendi. Është obligim i Vatrës, tha ai, që t’i japë mbështetje përfaqësueses të të përndjekurve politikë dhe të gjitha forcave që kërkojnë ndryshimin e madh të Shqipërisë.

             Kandidatja për Deputete,që ka mbështetjen e shtresës së saj të mospërfaqësuar deri tani në Kuvendin e Shqipërisë, ka shansin që të marrë votat jo vetëm të të përndjekurëve, por të gjithë atyre që kërkojnë ndryshimin, Ledina Fratari, tha se ndjehej e vlerësuar që ka mbështetjen e Vatrës. Pas takimit ajo shkroi në statusin e saj në rrjetet sociale: Një takim përmbyllës që ishte vërtet emocionues, me banorë të Tiranës, ish të përndjekur politikë, të rinj, përfaqësues të biznesit. U bashkuan me ne, në këtë takim, edhe drejtuesit e shoqatës panshqiptare në SHBA, “Vatra”, një nga shoqatat më të vjetra dhe me aktive të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

   Drejtuesi i saj zoti Elmi Berisha, u bëri thirrje të pranishmëve, por dhe qytetarëve të Tiranës që të mbështesin masivisht Partinë Demokratike dhe kandidaturën e Lediana Fratarit.

Ndjehem e vlerësuar të kem mbështetjen e ish të përndjekurve politikë dhe këtyre njerëzve që janë kontribues të mëdhenj të çështjes kombëtare.

Votoni nr. 9 PD dhe nr. 34 Lediana Fratari!

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Ledina Fratari, Vatra

Shqiptarë, nxirreni Edi Ramën jashtë nga politika

April 23, 2021 by dgreca

Nga Valentin Lumaj/

“Ashtu sikurse dora e majtë dhe e djathta behën bashkë për të shkulur një thikë në trup, ashtu si një trup i shëndoshë që lufton të keqen brenda tij, ashtu pra shqiptarë bëhuni bashkë me 25 Prill dhe nxirreni Edi Ramën jashtë nga politika një herë e përgjithmonë”. 

Në vendet me demokraci të konsoliduar, rotacioni politik është një process i paevitueshëm dhe shëndetshëm demokratik. Në Shtetet e Bashkuara, që eshte një Republikë Presidenciale, Presidenti sado i aftë apo i suksesshëm të ketë qenë, mbas 8 vitesh nuk ka të drejtë kandidimi. Një figurë e re me një ekip të ri dhe një vizion të ri merr drejtimin për 4 apo 8 vitet e ardhshme. Them 4 apo 8, mbasi kjo varet nga realizimi i premtimeve dhe rezultatet e punës së Presidentit.

Ne Shqipërinë tonë, një vend me Republikë parlamentare, po ndodh e kundërta. Qëllimisht nuk po ndiqet praktika e demokracisë Amerikane apo e Evropës perëndimore, por perkundrazi marrin per shembull Turqinë, Rusinë apo Serbinë. Edi Rama, megjithëse asnjë nga premtimet e tij në 8 vite nuk i ka mbajtur dhe rezultatet e tij kanë më së shumti skandale dhe dështime, prapë del para shqiptarëvë ashtu me një krenari të pakuptimtë dhe kërkon një mandat të trëtë. 

Por çfarë premtoi dhe çfarë realizoi Edi Rama në 8 vite?

-Shëndetesi falas. Rezultati: shëndetësia në Shqipëri ka koston më të shtrenjtë në Ballkan. Mijëra mjeke dhe mijëra infermiere të larguar nga Shqipëria

-300 000 vende te reja pune. Rezultati: mbi 700000 shqiptarë të emigruar dhe qindra mijëra të papune. Shqipëria i vetmi bend në botë me një diasporë me numër më të madh se vendi amë. Kjo në kohë paqe dhe jo lufte.

-Negociata të hapura me BE-në. Rezultati: edhe 15 kushte shtesë mbi ato egzistueset

-Rindërtim i shtëpive dhe shkollave të rrënuara nga tërmeti. Rezultati, 90% e të dëmtuarve janë pa strehë, asnjë shkollë apo spital i ndërtuar. Diaspora ka mbajtur peshën më të madhe në këto investime.

-Ulje të taksave të shtetit, të madhrave të akcizes, taksës së bukes dhe ushqimeve, të energjisë. Rezultati: taksat e shtetit dhe ato te pushtetit lokal janë rritur në dëm te biznesit të vogël dhe atij të mesëm. Taksat e tjera nuk jane ulur asnjë qindarkë.

-Naftë falas per bujqit dhe fermerët. Rezultati: bujqit dhe fermerët e blejnë karburantin me çmim të tregut që rezulton më i larti në Ballkan.

-Një polici në shërbim të qytetarëve. Rezultati: policia në 8 vite është përdorur për të mbajtur dhe ruajtur poshtetin dhe jo qytetarët. Aksionet e policisë kanë qenë më së shumti në ruajtjen e arave te kababisit sesa rendin publik, po ashtu ne funksion dhe të vjeljes (vjedhjes) dhe grumbullimit të votave për partinë e tij mavi.

Në kontrast me premtimet, në 8 vite pushtet, kemi thellim të varfërisë, krizë të sistemit shëndetësor e arsimor, emigrim masiv, bllokim të negociatave, depërtim te kriminelëve deri në nivelet më të larta të shtetit, korruspion metastazë te shpërfaqur në dhjetra skandale, mungesë të investimeve të huaja, tendera e koncensione që përpijnë buxhetin e shtetit. Edi Rama renditi Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara në botë. Edi Rama e varfëroi edhe më shumë shqiptaret, te gjithë pasuritë dhe paratë e shqiptarëve i ndau për klientët e tij, te gjithe pasuritë e paluajtshme, tokat dhe bregdetin ua vuri ne tepsi oligarkëve mafioze të tij, ndersa ai vete u pervetësonte përqindjen. 

Historia e 8 viteve në pushtet të Edi Ramës nuk ishin kurrsesi një histori suksesi por një histori dështimesh dhe skandalesh. Edi Rama hyri në politike thonj-paprerë dhe i paturpshëm lakuriq dhe po largohet më paturpshem e i zhveshur komplet nga e vërteta, suksesi, morali, besa e mbajtja e fjalës dhe premtimeve. 

Shqiptarë, kujtoni falimentimin e ekonomisë dhe të prodhimit të brendshem, mungesën totale të eksportit, kanabizimit të territorit shqiptar, kujtoni skandalet e avioneve “mushkonja” të transportit të drogës, skandalin e importimeve plehrave dhe mbeturinave nga Evropa, skandalin e çmontimit të armeve kimike të Sirisë në Shqipëri, vrasjet mafioze e bankerëve dhe gjyqtarëve, vjelljen e serverave të tatimeve. Kujtoni skandalet dhe doreheqjet e ministrave te tij të akuzuar dhe të zënë me presh (drogë) në dorë, Tahiri, Xhafa e të tjerë.  Kujtoni skandalet e ministrisë së mbrojtjes me përdorimin e helikopterëve, aeroporteve dhe bazave të tjera të ushtrisë për trafik droge.

Kujtoni futjen në Parlament e vrasësve, trafikanteve, pengmarrësve dhe emërimi i tyre në poste të larta kyçe të administratës shtetërore. Kujtoni skandalet seksuale dhe ato te pedofilisë, si ajo e sivëllait te tij, Kokëllimës apo Shukrive të tjerë socialiste. Kujtoni dasmën prej sheiku me 2000 të ftuar të Veliaj, abuzimi me i drejtëperdrejtë i fondeve publike. Kujtoni sulmin ndaj medias kritike dhe fjalës së lirë (Agon Channel). Humbja e gjygjit me Becchetin dhe dëmshperblinin nga taksat e qytetarëve prej 110 milionë Euro. Kujtoni refuzimin e kerkeses se Organizaëes Boterorë të Shëndetesisë për testimin në masë te popullsisë për Covid-19. Nuk e bëri testimin me një nënvleftësim dhe arrogancë absurde, duke mos marrë asnjë masë parandaluese, duke mos blerë teste, veshje mbrojtëse, respiratorë dhe duke mospërfshirë mjekun e familjes. Rezultatet e arrogancës së tij ishin fatale për jetën e qindra qytetarëve shqiptarë të cilët u mungojnë sot ju në tryezat dhe rrethin tuaj familjar.

Shqiptarë, mos harroni se Edi Rama jo vetëm që nuk arriti të krijojë një unitet të shqiptarëve si komb, por perkundrazi ka krijuar një përçarje si kurrë më parë veri-jug, mjafton të shikoni kabinetin e tij. Edi Rama ka krijuar një klimë mosbesimi dhe pakënaqësie më të gjithë klasën politike të Kosovës duke u bërë pengesë e qëllimshme për integrimin evropian të saj apo duke ngulur thika mbas shpine asaj. Kujtoni mardhëniet vëllazërore me presidentin Serb, presidentin turk apo atë grek, ata të cilët historikisht kanë synuar gllabërimin e territoreve shqiptare dhe ja kanë arritur në një masë të mirë falë tradhëtarëve të kombit të tipit Edi Rama. Kujtoni idetë e tij sipas këshillave të sivëllait serb Vuçiç për Minishëngenin apo për shkembimin e territoreve (ndarjen e Kosovës), të cilat fatmirësisht dështuan falë jush, njerëzve patriotë e lirisashës në Shqipëri, Kosovë e Diasporë.  Kujtoni Rrugën e Kombit që i madhi Sali Berisha ndërtoi si ftesë për vëllezërit Kosovarë dhe hap të parë drejt bashkimit kombëtar. Edi Rama do ta quante në përfundimin e saj këtë rrugë “Ruga e Asgjëkundit” dhe sapo mori pushtetin me vota të vjedhura apo të blera, si metode e drejtpërdrejtë për t’u refuzuar ftesën kosovarëve dhe për ti zhvatur ata, vendosi taksën e pabesë të Rrugës së Kombit. 

Edi Rama jo vetem dështoi por kurrë nuk pati vullnetin për të bashkëpunuar me shqiptarët nëpeë botë. Ai qëllimisht në 8 vite e la totalisht në harresë Diasporën dhe jashtë përfaqësimit si në parlament ashtu edhe në egzekutiv, dhe me e rëndesishmja, qëllimisht e përjashtoi Diasporën dhe të drejtën e saj si shtetas shqiptarë për të votuar. Kjo është tabloja e një qeverisje, për të cilën Edi Rama ka marrë përsipër misionin e pamundur për ta bojatisur me ngjyrat e ylberit. 

Por lajmi i mirë është se ngado po fryn era e ndryshimit për shqiptarët. Pushteti në agoni i Edi Rames është në grahmat e fundit. Edi Rama e ka humbur tashmë besimin e shqiptarëve, të majtë e të djathtë. Rama e ka brejtur deri në palcë moralin e Rilindjes që ai vete e krijoi. Ai është i pafuqishëm të qëndrojë më në pushtet, po edhe i pafuqishëm për t’u ndarë nga bashkëpuntorët dhe trafikantët e drogës të cilët e mbajnë peng dhe e mbajnë në kembë.  

Thirrja ime shkon për votuesit shqiptarë pa dallim bindjeje politike, të majte, të djathte, demokratë, socialistë, republikanë, LSI-stë apo Ndryshe-istë. Mjaft me Edi Ramën, të gjithë kundër tij, kundër kësaj monstre që vetë ne shqiptarët e sajuam. Dëshira ime për të mundur Edi Ramen shkon përtej interesave te mija personale. Në Amerikë e kam gjetur realizimin e të gjithave që me duhen, përveç realizimit të endrrës për ta parë Shqiperinë zonjë në mes kombeve të Evropës. Prandaj të gjithë bashkë si një opozitë e bashkuar për të rrëzuar Edi Ramen. Ashtu sikurse dora e majtë dhe e djathta bëhen bashkë për të shkulur një thikë në trup, ashtu si një trup i shëndoshë që lufton të keqen brenda tij, ashtu pra shqiptarë bëhuni bashkë me 25 Prill dhe nxirreni Edi Ramën jashtë nga politika një herë e përgjithmonë. 

Valentin Lumaj, Michigan më 23 prill 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: jashte polities, nxirreni Ramen, Valentin Lumaj

SHQIPËRIA, NGA GREMINA TE EMERGJENCA PËR NDRYSHIM

April 23, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA/

Shqipëria gjendet në një fazë kritike. Nevoja për ndërrimin e kursit politik është më i nevojshëm se kurrë. Shteti ka rënë. Shteti ka tradhëtuar interesat e qytetarëve. Pushteti ka shkallmuar themelet e shtetit. E drejta nuk ekziston më në shtetin e së drejtës. Partia-shtet nëpërmjet qeverisjes ka uzurpuar të gjitha institucionet e varuara dhe të pavarura. Pushteti nëpërmjet oligarkisë ekonomike dhe mediatike ka asfiksuar çdo frymë kritike, opozitare, civile dhe qytetare. Të gjitha institucionet e shtetit nën kontroll dhe shërbim të kryetarit të partisë-shtet. Kryeministri pasi shkatërroi vendin nërpërmjet qeverisjes skandaloze, së fundmi ka ndërsyer dhe kriminelët ndaj kundërshtarëve dhe të varfërve me qëllimin e vetëm mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Qeverisja është përkeqësuar frikshëm dhe qytetarët meritojnë një qeverisje dinjitoze jo një shërbesë skandaloze. Varfëria është ulur këmbëkryq. Shteti ecën mbrapa. Qeveria ka harruar qytetarët e zakonshëm dhe njerëzit e ndershëm. Qeveria është vënë në shërbim të të pasurve dhe kriminelëve të veshur me pushtet politik dhe ekonomik që mbajnë qeverinë me oksigjen ekonomik-kriminal në çdo fushatë elektorale. Shqipëria sot gjendet në greminë politike, ekonomike, sociale dhe institucionale. Qeverisja e ka degdisur vendin në një humnerë të frikshme, që duhen vite të tëra rikuperimi. Borxhi publik në stratosferë, krimi dhe rendi publik në greminë, sipërmarrja dhe biznesi në asfiksi, meritokracia në zhdukje, militantët partiakë në qelizat profesionale të shtetit, institucione shtetërore nën presion, qytetarët nën përgjim e survejim, institucione që mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve të përfshira në trafikim të dhënash për interesa të partisë-shtet. Tetë vite ishin shkatërruese për çdo shqiptar me përjashtim të socialistëve që janë shpërndarë në çdo qelizë të shtetit të pushtuar nga pushteti. Pushtimi neokomunist mbi institucionet kanë prodhuar vrasjen e meritokracisë, të garës, të konkurseve, të vlerave, të profesionistëve dhe xhandarët partiake të partisë- qeveri nëpërmjet partisë në pushtet kanë shkatërruar gjithçka në Shqipëri. Në 25 prill 2021 shqiptarët duhet të votojnë ndryshimin që vjen nëpërmjet profesionistëve më të mirë që ka Shqipëria. Opozita ofron shpresë dhe oksigjen në apatinë dhe asfiksinë e socialistëve. Vota për opozitën është nevojë emergjente për ndryshim në Shqipëri. Në tetë vitë të tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, qeverisja e Edi Ramës fatkeqësisht ka sjellë në Shqipëri hapa shumë mbrapa në çdo drejtim: pasurim të tejskajshëm të oligarkëve, varfërim të qytetarëve të thjeshtë, mungesë të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, humbje të gjyqeve të njëpasnjëshme në Strasburg, presion dhe kontroll absolut mbi median, zgjedhje moniste, përndjekje të kundërshtarëve politikë, presion të vazhdueshëm mbi organet e Vettingut, korrupsion alarmant në nivelet më të larta të qeverisjes dhe institucioneve shtetërore, arbitraritet shtetëror në vendimmarrje, dhunë policore, masa të rënda dhe gjoba të pamëshirshme ndaj qytetarëve, shkatërrim shtetëror të pronës private, politizim dhe uzurpim i partisë-shtet të institucioneve të hetimit e parandalimit të krimit, policisë së shtetit, të forcave të armatosura, të drejtësisë, rënie të investimeve të huaja, shkatërrim të klimës së biznesit, rrënim ekonomik nëpërmjet Partneritetit Publik Privat, shpërdorim e vjellje masive të të ardhurave, tendera gjigandë pa garë, tenderat sekretë në pandemi, mungesa e transparencës me vaksinimet, politizimi i fushatës së vaksinimit, strehimi i kriminelëve që nga Parlamenti deri në kryepleqësitë e fshatrave, veshja e të fortëve me pushtet ekonomik e politik, rritje të varfërisë dhe papunësisë, emigrimi masiv i profesionistëve, një qeverisje e lidhur me mafien e betonit dhe pastrimin e parave të pista të organizatave kriminale evropiane, dështim i reformës në arsim, i reformës në drejtësi, në shëndetësi, i reformës së pronave, i legalizimive, i shërbimeve ndaj qytetarëve etj. Qytetarët janë të tradhëtuar nga shteti i tyre. Ndryshimi politik dhe qasja e qeverisjes së vendit në shërbim të qytetarëve duhet të ndryshojnë një herë e përgjithmonë. Vota për Partinë Socialiste është votë për shkatërrimin e Shqipërisë. Vota për Partinë Demokratike është vote për ndryshimin që shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë. Është votë për shpresën e vrarë në vend. Është votë për rigjallërim të qelizave të shkatërruara nga Rama dhe sekti i tij neokomunist. Vota për ndryshim është vote për shtetin, për familjen, për mbarë shoqërinë, për mbarë Shqipërinë. Vota për PD është votë për të çliruar ekonominë, për të kryer reformat që stabilizojnë tregun, sipërmarrjen dhe reformat që afrojnë Shqipërinë me Europën dhe rrisin sigurinë e mirëqënien e qytetarëve shqiptarë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Shqiperia fiton, Sokol Paja

POLITIZIMI PARTIAK NUK I LE KRIJUESI TË EVOLUOJNË

April 23, 2021 by dgreca

(Kujtime dhe meditime për Prof. Kristo Frashërin)

NGA THANAS L.GJIKA/

U gëzova shumë kur mësova se z. Bamir Topi, President i Republikës, e shpalli Profesor Kristo Frashërin Nder i Kombit me rastin e 88-vjetorit të lindjes së tij. Ky vlerësim për mua ishte korrigjim i një gabimi dhe shënjë emancipimi e pushetarëve shqiptarë. Ky historian ka pësuar herë pas here goditje si prej Enver Hoxhës në kohën e monizmit dhe prej Sali Berishës gjatë tranzicionit. E vlerësoja sidomos për interpretimet e drejta që u kishte dhënë shumë problemeve të historisë së popullit tonë gjatë Mesjetës, Rilindjes dhe periudhës së pavarësisë. Para se të lexoja librin e studjuesit Uran Butka “Dritëhije të Historisë – Polemikë me Kristo Frashërin” unë e vlerësoja këtë historian si studiuesin më të shquar midis historianëve tanë të gjallë. Për ta bërë të kuptueshme këtë konsideratë për të, po sjell kujtimet e mia botuar në vitin 2011:

“Në fillim të viteve ’80-të Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë dhe Instituti i Historisë, dy institute të Akademisë së Shkencave, ishin në një godinë të një shkolle 8-vjecare në Rr. Naim Frashëri, Tiranë. Godina ishte krejt e papërshtatshme, por njerzit punonin me përkushtim. Për fat të keq këto dy institute vijojnë të jenë aty.

Dhoma e tij e punës ishte karshi dhomës ku punonim ne studiuesit e letërsisë shqiptare të së kaluarës. Unë e kisha për zemër historinë e Shqipërisë, ndërkohë dhe fusha e studimit tim ishte gazetaria dhe letësia e Rilindjes, gjë që më lidhte me historinë tonë, kështu që shpesh herë shoqërohesha me historianë. Shoqërimet e pirjet e kafes me studjues historianë si Kristo Frashëri, etj i konsideroja si takime pune, sepse ata me përgjigjet që u jepnin pyetjeve të mia, më ndihmonin për sqarimin e problemeve që më delnin në punë e sipër. Shpesh herë i shkoja Kristos dhe në dhomën e vogël, ku punonte i vetëm dhe mund të bisedonim pa i prishur qetësinë ndokujt tjetër.

Ai më jepte herë pas here për të lexuar artikuj shkencorë që kishte botuar më parë e që unë nuk i kisha lexuar. Diskutonim rreth problemesh historike dhe gjithnjë përfitoja. Kur lexova veprën e tij “Abdyl Frashëri 1839-1892” N.B. 8 Nëntori 1984, u entusiazmova sepse kjo vepër i mungonte historiografisë shqiptare. Në fund të bisedës e pyeta:

– Për nga kontributi shkencor ti meriton të jesh profesor, mirëpo prej shumë vitesh ti ke mbetur vetëm “Bashëpunëtor i Vjetës Shkencor” (Docent), pse nuk ta dhanë gradën “Profesor” më 1972, kur ua dhanë kolegëve të tu si Stefanaq Pollos, Androkli Kostallari, Luan Omari e të tjerëve?

– Nuk thua shyqyr që më kthyen nga qarkullimi, ma ktheu Kristoja me të qeshur dhe vijoi: po të mos ngulte këmbë Aleks Buda, kryetari i Akademisë së Shkencave, unë do të isha ende mësues në Përmet. Më 24 Maj të vitit 1969, kur erdhi Enver Hoxha në Përmet për të festuar 25-vjetorin e Kongresit të Përmetit, organizatorët e ceremonisë e pyetën: -Shoku Enver ku ta vendosim Kristo Frashërin?

Organizatorët kishin respekt për mua si një përmetar, si ish-partizan e pjesëmarrës i Kongresit dhe si historian që i kisha ndihmuar për muzeumet e rrethit. Ata mendonin të më vinin në presidium ose në rreshtin e parë të sallës, kur Enveri, në vend që t’u përgjigjej, pyeti: – ‘Pse mo gjallë qënka Kristoja’?

Kjo pyetje e kishte dhe përgjigjen brenda, prandaj më caktuan të rrija nga mesi i sallës.

Më 1968 Kriston e kishin qarkulluar në Përmet sepse e kishte interpretuar kryengritjen e Haxhi Qamilit të viteve 1913-14 si një lëvizje rebele, ashtu si e kishin quajtur patriotët e asaj kohe. Enver Hoxha deshi ta shpallte atë si një lëvizje të ndërgjegjshme fshatare, madje mbas disa vjetësh ai shkroi një artikull vlerësues për të, për të dhënë orientimin e duhur e për të sfiduar pikërisht historianin Kristo Frashëri…

Një herë tjetër duke folur për mungesën e kulturës së anëtarëve të byrosë politike, Kristoja, më tha: Enveri nuk i pëlqen njrëzit që mendojnë me kokën e tyre, ai ka qejf njerëzit që i servilosen dhe që përsërisin mendimet e tij…

Mua nuk më ka pasur qejf kurrë. Unë kam qenë një nga komunistët e hershëm, por në muajt e parë të vitit ’42 udhëheqja e PKSh më ndëshkoi duke më bërë kandidat partie dhe më dërgoi në Peshkopi për të bërë pjesë në njësitet partizane të terrenit. As kur mbaroi lufta, as më vonë nuk u thirra ndonjëherë për të m’u dhënë triska e anëtarit të partisë…

Një të premte në muaj, si të gjithë edhe ne punonjësit shkencorë, bënim format e edukimit politik, ku diskutonim materiale të ndryshme të PPSh-së. Ishte vjeshta e vitit 1984. Një të shtunë, mbasi kishim diskutuar të premte për luftën e klasave, shkova tek Kristoja dhe u hap biseda për këtë temë. Ai duke dashur të më sqaronte për thelbin e luftës së klasave tha: Lufta e klasave nuk është tjetër veçse shprehje e zilisë dhe lakmisë njerëzore. Ç’ të drejtë ka një klasë politike t’ia marrë pasurinë njerëzve që e kanë vënë me mund e djersë. Ky shpronësim nuk e ndihmon progresin.

Mua sikur më ra pika, sepse, ndonse e dija që Kristoja kishte rezerva ndaj diktaturës së proletariatit, por që të shprehej kaq hapur kundër boshtit ideologjik të saj, nuk e prisja. Pata frikë mos më provokoi… Ai duke e parë se unë u nemita, më qetësoi: Këto mendime nuk ia them tjetër kujt…

Të hënë unë mora me vete aparatin tim fotografik dhe i bëra një foto po aty në dhomën e tij ulur para tavolinës së punës, ku i kishte thënë ato fjalë tronditëse dhe ia dhurova një kopje pas disa ditësh.

Në vitin 2001, kur Akademia e Shkencave i festoi Kristos 80-vjetorin, folën për të shumë studiues. Materialet e këtij takimi u botuan në një libër, në kopertinë të të cilit u vendosur pikërisht ajo fotografi. Po të kisha qenë aty do të kisha dhënë edhe unë disa kujtime, që po tregoj këtu, me vonesë.

Në fund të viteteve 80-të, Kriston e kishin nxjerrë në pension pa i dhënë asnjë gradë a titull tjetër përveç grades Kandidat i Shkencave dhe titullit Docent, që i kishte marrë shumë vite para qarkullimit. Ndonse pensionist, ai vinte e punonte disa ditë në javë po tek ajo dhoma e tij. Kur u takuam në një nga javët e para të janarit 1991, i thashë: Të erdhi koha Kristo, tani ti më shumë se kushdo tjetër, duhet të aktivizohesh në këtë lëvizje. Më të pjekur se ty për t’u marrë me politikë nuk ka, ke qënë i nënvlerësuar e i ndëshkuar prej partisë.

Kristoja duke nënqeshur m’u përgjigj: Në vitet 1936-37-të unë e pyeta tim atë: Pse, ti, që je intelektual e patriot më i mirë se shumë prej deputetëve, nuk kandidon për deputet? Im atë më tregoi se një profesor i tij në Stamboll gjatë orës së fundit të leksioneve të së Drejtës u kishte thënë: Ju tani keni një formim ligjor të mirë dhe mund të merreni dhe me politikë, por që të jeni të suksesshëm në politikë duhet pa tjetër të jeni të pavarur ekonomikish të paktën të keni një pasuri me të cilën mund të jetoni nja 20 vjet pa ndihmën e rrogës a të tjetërkujt. Një politikan i varfër korruptohet shpejt. Po të jeni të vatfër mos iu fusni karrierës politike, se do t’ju tërheqin për hunde të tjerët.

Ky leksion, shtoi Kristoja, që i vleu tim eti, mendoj se vlen edhe për mua. Ne po dalim nga regjimi diktatorial shumë të varfër, kushdo që do të merret me politikë, ka për tu turpëruar shumë shpejt. Natyrisht që disa njerëz duhet të dalin për të udhëhequr proceset, por ata, mendoj se do të jenë nga ata që nuk e kanë dëgjuar një leksion të tillë.

Gjatë vitit 1991, udhëheqja e PPSh-së, duke pasur frikë nga disa intelektualë si Kristoja, Sali Berisha, etj, organizoi dhënien e titullit Profesor, për t’i marrë me të mirë, për të krijuar përshtypjen se ata ishin kuadrot e saj dhe se ajo i kishte në konsideratë, etj.

Në mars të vitit 1992, kur fitoi zgjedhjet partia demokratike, u takova përsëri me Kriston dhe i thashë: Mirë që nuk deshe të aktivizoheshe drejtpërdrejt si politikan dhe nuk u fute në Partinë Demokratike e nuk more pjesë në fushatën e zgjedhjeve, po tani të paktën duhet të ndihmosh me njohuritë e tua. Mendoj se presidenti i ri, duke qenë mjek, duhet të ketë pranë një konsulent të aftë si ty për t’i përgatitur e redaktuar fjalimet. A pranon t’ia shtie në vesh Saliut këtë gjë?.

– Për të ndihmuar në këtë mënyrë jam dakord, m’u përgjigj Profesori.

Shkova te selia e Partisë Demokratike dhe takova ing. Petraq Kolevicën, deputet i Partisë Demokratike, bisedova me të dhe i thashë se Prof. Kristo Frashëri është i gatshëm të punojë si ndihmës i z. Sali Berishës për t’i përgatitur, ose redaktuar fjalimet…. Petraqi e pëlqeu mendimin dhe shkoi e pyeti z. Berisha, por ky i qe përgjigjur: Kristoja është një nga personat e dënuar nga partia dhe po na akuzojnë se kemi aktivizuar shumë prej ish-të dënuarve. Në ata detyrë, unë kam menduar të marrr Prof. Bujar Hoxhën.

Më 1997, kur erdhën socialistët në fuqi e emëruan prof. Kristo Frashërin Zv.Kryetar të Akademisë së Shkencave, ndonëse ai ishte personi më i përshtatshëm për t’u emëruar kryetar. Vënia e mjekut Ylli Popa për kryetar të ASH tregonte qartë se ky ishte besniku i pushtetarëve socialistë dhe jo Kristoja. Studiuesi Kristo Frashëri dukej se kishte mbetur i pavarur, ndonëse disa demokratë e kishin sulmuar.

Kur Kristoja botoi monografinë monumentale Gjergj Kastrioti Skënderbeu Jeta dhe Vepra (2002), qeveria socialiste nuk ia dha titullin NDERI I KOMBIT, dhe as u interesua ta botonte këtë vepër në anglisht, sepse ajo nuk ia falte Prof. Kristos faktin se ai nuk ishte një historian servil i saj…

Për herë të fundit e takova në 4 nëntor 2007, kur i shkova me Dr. Iliaz Gogën në shtëpi, një apartament modest me një dhomë e një kuzhinë, pronë e të birit që kishte emigruar në Gjermani me familjen. Aty jetonte i vetmuar, sepse si djali dhe dy vajzat, ashtu si shumicën e ne të ikurve, i kishte dëbuar atdheu me fukarallëkun e skajshëm ku na kishte katandisur diktatura e gjatë. Për fat të keq në vitin 1995 i kishte vdekur edhe gruaja. Ai e mposhtëte vetminë duke vijuar të punonte në kuzhinë ku kishte ngritur studion me tavolinën e punës dhe raftet me libra e dorëshkrime. Dhëmbët e gojës i ishin rralluar tepër, tek karrigeja mbante një bastun, nga sytë nuk shikonte mirë, por në bisedë ishte energjik si më parë.

– Më thanë se ke dhënë një intervistë në television për figurën e Enverit, e pyeta sa për të filluar bisedën.

– Po, më tha, e vlerësova për periudhën e Luftës Antifashiste, sepse pavarësisht nga gabimet, ka merita si komandant i forcave partizane në ato vite kur Shqipëria luftoi përkrah aleatëve. E shava për vitet e mbasluftës, kur u bë çdo vit e më beterr…

Para se të largohesha, i shkrova dedikimin në librin tim Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re, KUMI 2007, të cilin Iliazi ia kishte shpënë dy javë më parë. Më uroi me gjithë zemër:

– Të lumtë ajo dorë, problemin e ke shpënë shumë përpara, por do të më falësh, sytë po më lenë dhe nuk mund ta lexoj dot, vura të tjerë për të më lexuar disa pjesë, ku polemizoje me mua.

–Mirë, mirë, i thashë, ne kemi biseduar kaq herë në telefon, edhe letrën që më shkrove me sugjerime e vërejtje, e kam pasur parasysh, por dhe të kam kritikuar, se ti, si ke thënë shpesh, nuk do lajka.

–Ku nuk ka kritikë nuk ka shkencë, shtoi ai me të qeshur. Pastaj na tregoi vëllimin e parë të veprës së tij më të re Historia e Tiranës. E përgëzuam, ishte mjaft e vëllimshme. Kur e pyetëm se ku ishte me botimin e vëllimit të dytë, na shprehu keqardhjen se nuk kishte gjetur ende sponsorë.

Profesor Kristoja punoi dhe botoi tërë jetën vepra shkencore dinjitoze, por me to nuk kishte bërë para, madje as sa për të botuar vëllimin e dytë të historisë së kryeqytetit tonë, pa lere pastaj për të paguar një përkthyes e për ta botuar anglisht monogrfinë për jetën e Skënderbeut, heroit tonë të lavdishëm…

Para se të ndaheshim, desha të bënim një foto të re, sepse ajo që kisha bërë katër muaj më parë nuk më pëlqente, por Kristoja tha si me përtim:

-E ç’ vlerë ka një foto tjetër, kur tani jam edhe më plak, lere fare.

U ndamë duke uruar të shihemi prapë…”

(Publikuar në Alb-Shkenca më 27 tetor 2009 dhe te libri im “Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit”, DDS Durrës 2011, f. 303-308).

* * *

Gjatë vizitës sime në Tiranë, nëntor 2018, shkova urova studjuesin Uran Butka, i cili ishte emëruar Drejtor i Institutit të Studimeve Lumo Skendo. Mbas bisedës Prof. Urani më tha të merrja dhuratë disa nga librat e tij. Më intriguan dy prej tyre: “Dritëhije të Historisë – Polemikë me Kristo Frashërin” MALUKA 2012, 220 f. dhe “Vetëm një natë … – Tregime e novela” BOTA SHQIPTARE 2016, 288 f. 

Më kënaqën disa tregime, kurse libri polemik më tërhoqi shumë dhe pasi e lexova me vëmendje duke mbajtur shënime, krijova një vlerësim më të saktë për Prof. Kristo Frashërin si historian, i cili në biseda me mua kishte shprehur mendime të guximshme kundër diktaturës dhe diktatorit Hoxha, kurse në shkrime të ndryshme (disa prej të cilave nuk i kisha lexuar se ishin botuar pas largimit tim 1996), kishte vijuar të shprehte ide dhe interpretime të politizuar ndaj mjaft ngjarjeve historike, si ndaj dokumentit të shpalljes së pavarësisë, ndaj Mbretit Zogu I, mbivlerësime ndaj forcave partizane dhe nënvlerësime të forcave nacionaliste e balliste në Luftën Antifashiste, nënvlerësime për figurën e Mid’hat Frashërit, Abaz Ermenjit, etj.

Nga ana tjetër studjuesi Spartak Ngjela ka vënë në dukje se procesverbalet e mbledhjes së themelimit të PKSh-së ishin marrë prej Karabinierisë italiane dhe ruhen në arkivat italiane në dosjen e Zef Malës. Avokati S. Ngjela ka shkruar e ka thënë dhe në TV se udhëheqës i PKSh-së, që nga dita e themelimit të saj, – 8 nëntor 1941 e deri më 16-22 mars 1943, – kur u mbajt Konferenca e parë e partisë, udhëheqës i PKSh-së ishte Miladin Popoviçi. Kurse Enver Hoxha u zgjodh udhëheqës i PKSh-së pikërisht në këtë konferencë. Historiani Kristo Frashëri, ish-anëtar i PKSh-së që në fillim të vitit 1942 e dinte mirë këtë fakt, por nuk e përmendi kurrë dhe nuk tha se PKSh-ja u krijua dhe u manipulua prej emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, të drejtuar prej J. B. Titos. 

Këto dobësi e lëkundje të Prof. Kristo Frashërit, më kujtuan dobësitë dhe lëkundjet e shumë intelektualëve partiakë. Kështu Prof. Pëllumb Xhufit, kuadër që ka moshë të re, por, ashtu si Prof. Kr. Frashëri, ndonëse është studjues shumë i mirë për problemet historike të shekujve të kaluar, për vlerësimet dhe interpretimet e ngjarjeve të shekullit të XX nuk shkëputen dot nga vlerësimet e politizuar të bëra prej studjuesve partiakë gjatë viteve të diktaturës komuniste. Edhe pse ata mund të kenë rezerva dhe mund të kenë shprehur midis shokësh, si Krisua ndaj meje) kritika ndaj aspekteve të ndryshme të diktaturës komuniste shqiptare dhe diktatorit Hoxha, përsëri në shkrimet e tyre publike nuk tregohen objektivë dhe vijojnë të shprehin për shumë ngjarje dhe personalitete historike të njëjat mendime sii patën shprehur gjatë kohës së diktaturës. Nënvlerësojnë përpjekjet europianizuese të Mbretit Zogu I, nënvlerësojnë karakterin atdhetar të nacionalistëve dhe të krerëve të Ballit Kombëtar deri në fund të gushtit 1943. Nuk duan t’ia njohin përgjegjësinë Enver Hoxhës, që duke e shpallur organizatë tradhëtare Ballin Kombëta, pa bërë ende tradhëti, i shtyu shumë forca të Ballit që të gabonin e të lidheshin me pushtuesit gjermanë për të shpëtuar nga pushkët e partizanëve. 

Krijuesit shqiptarë dhe studjuesit e shkencave shoqërore në veprat e tyre kanë shprehur e do të shqprehin vlerësimin e tyre ideo-emocional ndaj dukurive që trajtojnë dhe interpretojnë në veprat e tyre. Kjo është e drejta e tyre për të bërë poitikë. Dhe nuk ka art e shkenca shoqërore jashtë politikës. Kur ata e interpretojnë një dukuri, ngjarje ose personalitet historik sipas ligjeve objektive, bëjnë politikë përparimtare, krijojnë vepra jetëgjata. Kurse, kur interpretimi i tyre është i ndikuar prej interesave të një partie politike, ata krijojnë vepra të politizuara partiake, të cilat nuk janë jetëgjata. 

Krijuesit dhe studjuesit që krijuan gjatë viteve të diktaturës komuniste e pas saj, do të vlerësohen për veprat e tyre të shëndosha, por nuk ka pse të mos kritikohen për veprat e tyre të politizuara, me të cilat shtrembëruan të vërtetat historike. Kur njeriu hesht ndaj një padrejtësie, kjo do të thotë se ai e miraton atë. Mirëpo një ditë secili do t’i japë llogari shoqërisë, qoftë dhe pas vdekjes. Zhvillimi dhe emancipimi i shoqërisë shqiptare do ta sjellë atë ndërgjegjësim kur çdo shqiptar do ta vlerësojë padrejtësinë, që i është bërë ose i bëhet dikujt, si padrejtësi ndaj gjithë shoqërisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Krijuesit, Politizimi, Thanas L.Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT