• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shanahan: Jemi partnerë të fortë me Shqipërinë, Rusia rrezik

April 18, 2019 by dgreca

VOA- Vizita në Uashington e ministres së Mbrotjes së Shqipërisë Olta Xhaçka dhe takimi me sekretarin e Mbrojtjes në detyrë Patrick Shanahan, nxori në pah shqetësimin rreth ndikimit rus në rajon. Si përgjigje ndaj pyetjes së Zërit të Amerikës, sekretari Shanahan tha se rreziku që paraqet Rusia në Ballkan është një nga arsyet kryesore të zhvillimit të këtij takimi.

“Kjo është një nga arsyet kryesore pse po takohemi sot. Është rrezik dhe ndaj jemi partnerë të fortë”, tha zoti Shanahan për Zërin e Amerikës.

Në komentet e tij në fillim të takimit, zoti Shanahan vlerësoi bashkëpunimin e fortë mes dy vendeve duke përmenduar ndër të tjera agazhimin e Shqipërisë me trupa në Afganistan apo objektivin e shpallur nga pala shqiptare në kuadër të NATO-s për të paguar 2 për qind të Produktit të saj të Brendshëm Bruto, për mbrotjen.

“Marrëdhënia mes dy vendeve është e fortë. Dua t’ju falenderoj për kontributin dhe faktin që keni qenë një aleat model”, shtoi zoti Shanahan.

Kjo është vizita e dytë brenda një viti e ministres shqiptare të Mbrotjes Olta Xhaçka. Gjatë kësaj vizite u njoftua marrëveshja e arritur me Departamentin amerikan të Mbrotjes në funksion të modernizimit të forcave ajrore shqiptare, e cila parashikon marrjen e disa helikopterëve Black Hawk. Fillimisht Shqipëria do të marrë 3 helikopterë. Një tjetër projekt lidhet me rritjen e aftësive kibernetike të Shqipërisë.

Zonja Xhaçka tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë një mik i madh dhe aleat i popullit shqiptar dhe se pa mbështetjen dhe angazhimin bujar të tyre, siç tha ajo, fati i rajonit do të kishte qenë shumë ndryshe.

“Më lejoni të shpreh mirënjohjen e qeverisë shqiptare për administratën e amerikane për të qëndruar në mënyrë të vendosur me ne, në reformat kryesore që po ndërmarrim për të ndërtuar institucione më të forta demokratike dhe për të forcuar sundimin e ligjit. Veçanërisht për reformën në sistemin tonë të drejtësisë, i cili është vendimtar për procesin e pranimit në BE.

“Së fundi, por sigurisht jo për nga rëndësia, shpresojmë që brenda këtij viti të nisim punimet në bazën e parë ajrore të Aleancës në rajonin tonë, në Kuçovë, një zhvillim që besoj se e njeh rolin e Shqipërisë si një spirancë e stabilitetit në rajon dhe rrit rëndësinë tonë strategjike për Aleancën në tërësi”, tha zonja Xhaçka.

Duke iu referuar bazës në Kuçovë Ministrja Xhaçka tha se ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm për një rajon që në vitet e fundit është bërë një pikë e nxehtë e rivaliteteve gjeopolitike dhe dëshmitar i një përpjekjeje shumë të bashkërenduar për të minuar sigurinë dhe stabilitetin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Olta Xhaçka, Sanahan

TA MBËSHTESIM Dr. REKËN PËR PRESIDENT TË MAQEDONISË SË VERIUT

April 18, 2019 by dgreca

Nga Harry Bajraktari*/

Të Dielën, më 21 Prill, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e kësaj republike. Nga tre kandidatët që ndodhën në këtë garë, është edhe intelektuali dhe diplomati shqiptar Dr. Blerim Reka, përballë dy kanditatëve maqedonas. E mira e këtyre zgjedhjeve presidenciale është se me përfundimin e tyre do të ikë nga presidenca njëri ndër shovenistët më të mëdhenj që ishte pengesë e afirmimit të shqiptarëve dhe pengesë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, Gjorgje Ivanov.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të kujtojnë të kaluarën e tyre të largët dhe të afërt që pa rezervë ta përkrahin kandidatin e tyre të  pavarur Dr. Blerim Rekën. Z. Reka është më së e nevojshme të gëzojë mbështetjen edhe të të gjitha partive shqiptare, qofshin ato pozitë apo opozitë. Nuk duhet të ketë opozitë në këtë rast se ky është kandidati i parë shqiptar që do të përballët me dy kandidatët e dy partive të ndryshme maqedonase.

Me zgjedhjen e Dr. Rekës për president, do të fitonin për shumëçka shqiptarët, dhe jo vetëm shqiptarët, por edhe Republika e Maqedonisë së Veriut dhe i gjithë rajoni. Z. Reka gjatë fushatës ka shfaqur idetë liberale e demokratike për ta çuar vendin e tij drejtë integrimeve në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Për këto karakteristika që kandidati i pavarur shqiptar ka shfaqur në fushatë bashkë me shumë ndryshime të disa ligjeve diskriminuese, do të duhej të gëzonte një mbështetje shumë më të madhe nga shqiptarët, duke marrë parasysh se ky mund të jetë shans i volitshëm që shqiptarët ta marrin presidencën. Kjo përkrahje do të duhej të jetë më e fuqishme dhe më e bashkuar për gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët në SHBA, e sidomos nga ata që kanë të drejtë vote, e gjithashtu edhe nga shqitarët e tjerë të diasporës Europiane dhe kudo tjetër.

Shembulli më i mirë u tregua nga malësorët e komunës së Tuzit që kur u bashkuan, fituan dhe kur vepronin ndaras, gjithmonë ishin humbës.

Shqiptarët në Maqedonin e Veriut kanë qenë faktorë vendimtarë në të gjitha proceset demokratike të këtij vendi, për një Maqedoni të barabartë për gjithë qytetarët dhe të gjitha etnitë, pa diskriminuar askënd.  Z. Reka, si president, do të ishte një unifikim i një Maqedonie moderne që do të afirmonte vlerat demokratike dhe të drejtat e etnive të shumta në këtë republikë.

                Nëse dalin shqiptarët masivisht dhe votojnë Dr. Rekën, ai me siguri në rrethin tjetër, të dytë do të përballej me njërin nga kandidatët maqedonas, që dy garojnë prej tyre. Prandaj, ta mbështetim se vetëm kështu të përbashkuar mund të bëhemi zot në vendet tona në Ballkan.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria

Filed Under: Analiza Tagged With: Harry Bajraktari-Blerim REKA

RRETH PËRDORIMIT TË GAZIT LOTSJELLËS NË TIRANË

April 18, 2019 by dgreca

Nga Asllan Bushati/

Ka disa kohë që policia shqiptare po e  përdor rregullisht gazin lotsjellës kundër  cdo demostrate të opozitës. Ky përdorim (sipas të pranishmëve), shpesh ka qene  provokues, jo proporcional me  madhësinë e turmës, distancën prej saj dhe shumë shqetësues për individë të vecantë të cilët kanë kërkuar edhe ndihmë mjeksore të specializuar. Por shqetësim i madh ka qenë edhe për gazetarët, raporuesit e medias, kameramanët  që janë penguar të bëjnë detyrën e tyre  për informimin publik. Madje më e keqja ka qenë  për banorët , ku sipas disa pohimeve del se afërsisht  deri në një distancë gati një kilometër (vecanërisht për  të moshuarit dhe fëmijët) është ndierë shqetësimi i përdorimit.  Kurse   bizneset për rreth vatrave të përdorimit  në të gjitha rastet  kanë ulur qepenët  e shitoreve (aktiviteteve) duke pësuar humbje  të konsiderueshme ekonomike.

Kjo është një gjë e pa parë më parë në Shqipëri, e panjohur për opinionin e gjerë dhe kuptohet  shumë shqetësuese për një publik edhe  përtej atij demostrues. Ajo nuk ka ardhur nga faktorë natyrorë  të pa përballueshëm, por nga dora e Qeverisë dhe me dashjen e saj. Nga ajo që është zotuar  e betuar se do ti  mbrojë shqiptarët, do  t’ju sigurojë jetën, pasurinë, punë  e shëndetësi falas.?!

 Marrë shkas nga sa më sipër, shumë miq të mi, shokë, ish kolegë, biznesmenë, demostrues dhe bashkatdhetar, më janë drejtuar si specialist i fushës së lëndëve helmuese luftarake (LHL) dhe ish Drejtori i Kimisë së Ushtrisë Shqiptare të prononcohem publikisht për këtë situatë .

Ajo që unë mund të them që në krye të herës , është se: pajtohem tërësisht me shqetësimin tuaj real. Shqetësim që në gjykimin tim e keni peshqesh vetëm prej Edi Ramës, keq qeverisjes  dhe brutalitetit të tij e të klanit që e rrethon.

Por i ndodhur larg Tiranës (në distancë),  e kam të vështirë  të prononcohem për një dukuri që vetën e shoh në TV. Dukuri në të cilën  nuk kam mundësi të marr kampione në ajër dhe në tokë, pranë burimit lotues dhe në distanca të ndryshme. Nuk di llojin e granatës, vendin dhe kohën e prodhimit e të skadimit, fletë-palosjen shoqëruese të këtij mjeti (malli) nga prodhuesi si dhe rekomandimet që prodhuesi jep për shetqësimet direkte dhe ansore, si dhe ndihmën e parë ndaj të dëmtuarve. Po ashtu nuk kam patur mundësinë të njihem me përmbajtjen e ligjit shqiptar (në se ka një të tillë), për formën dhe mënyrën e përdorimit dhe teknicitete specifike në raport me ligjet e vendeve të tjera.

Por ajo që unë mund të sugjeroj  në këtë moment është  që ky shqetësim i madh publik e qytetar lypset  medoemos ti adresohet zyrtarisht  Avokatit të Popullit, i cili sipas detyrimit kushtetues, duhet  të jap përgjigje për gjithsa informacion  ai ka   për këtë situatë të krijuar nga segmente të Qeverisë.

Po ashtu është një e drejtë qytetare që  ti kërkohet prokurorisë të bëjë publike  gjithcka ajo ka siguruar nga kqyrja e vendit të ngjarjes. Në se ka teprime dhe tejkalime në përdorimin e gazit lotsjellës  në kundërshtim me ligjin nga segmentet e qeverisë, prokuroria  lypset të hapë procedim penal kundër urdhërdhënësit.

Shumica e ndërkombëtarëve në Tiranë  ( rëndomtë e për cdo gjë), janë bërë palë vepruese e mbështetëse e  Edi Ramës,  duke konsideruar fajtor për cdo gjë  vetëm opozitën. Atëherë miqt e mi, verini edhe ata në provë  të prononcohen për përdorimin masiv të gazit lotues kunër demostruesve. Madje jepuni kampione  (të marra në ajër dhe të mbetjeve në tokë) për të vërtetuar se sa të vërtetë apo të manipuluat janë?

Kur Qeveria  Shqiptare dukshëm është e mbushur me skandale të njëpasnjëshme, kur ajo nuk është në gjendje të qeveris, kur ajo është lidhur me krimin e korrupsionin, mos  t’ju duket ndonjë cudi e madhe  që të përdor kundër jush edhe mjete eksperimentale lotsjellëse. Prandaj sygjeroj që beni matjet e nevojëshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asllan Bushati-gazi Helmues

KUJTIME NGA FESTIMI I 100 VJETORI I “DIELLIT”

April 18, 2019 by dgreca

Nga Agron Alibali/

Një mbrëmje të majit të vitit 2009 më përcillet një kërkesë përmes telefonit, së cilës nuk mund t’i thoja JO.

Së pari, ajo më vinte nga Ing. Agim Karagjozi.  Me kryetarin fort të nderuar të Vatrës, kisha ndërtuar një raport shumë të ngrohtë, të drejtpërdrejtë, të hapur dhe miqësor. Ishim njohur dhe kishim pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë qysh nga viti 1996.

Z. Karagjozi vinte me një propozim shumë të veçantë. Ai kishte menduar që të isha bashkë-drejtues apo moderator i programit zyrtar të Konferencës për 100 Vjetorin e “Diellit”, që do të mbahej më 13 qershor 2009 në Monroe College, Bronx, NY. Bashkëdrejtuese tjetër do të ishte znj. Merita Bajraktari McCormack, që në atë kohë jetonte në Virgjininë Veriore.

Filluam menjëherë nga puna. Pa humbur kohë folësit kryesorë më dërguan rezymetë e tyre.

Së pari, më bëri përshtypje niveli i referuesve. Gjeje aty Prof. Dr. Beqir Metën, si dhe kolegun e tij po nga Tirana, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiun.  Por gjeje aty edhe pendën e artë të letrave shqipe, Naum Priftin, studiuesin rigoroz Idriz Lamaj, shkrimtarin e mirënjohur dhe editorin e “Diellit”, Anton Çefën, si dhe studiuesin Sevdai Kastrati e gazetarin Dalip Greca.

Së dyti, më ngjallën interes tematika e larmishme e referateve. Roli i “Diellit”, gazetës historike të federatës historike, trajtohej në shumëanësinë e këndvështrimeve historike, letrare, gazetareske, biografike etj.

Sa shpejt kishin kaluar vitet. Vetëm 10 vjet më parë kisha qenë i ftuar, sërish nga z  Karagjozi, por kësaj rradhe si referues, në 90 vjetorin e “Diellit”. Tema time ishte “Disa aspekte të së drejtës zakonore në faqet e Gazetës “Dielli”, ku sillja jo vetëm një trajtesë të kontributit të “Diellit” në këtë lëmë të çmuar të jus non scriptum shqiptar, por edhe dëshmi gojore të kumtuara nga ish-Kryetari i Vatrës, udhëheqësi legjendar i komunitetit shqiptar-amerikan dhe miku u çmuar, Z. Anthony Athanas.  Në parantezë, mjerisht atë punim e kam vendosur diku në morinë e letrave e arkivës time, dhe ende nuk e kam botuar…

Mbaj mend, gjithsesi, se në atë përvjetor të 90-të udhëtova nga Bostoni për Nju Jork me mikun e prindërve të mij, shkrimtarin e njohur Skifter Këlliçi, i cili sapo ishte ngulur në Boston, dhe ftesën për pjesëmarrje e priti me kënaqësi.

Kurse me rastin e 100 vjetorit do të udhëtoja në Nju Jork me një njeri tejet të veçantë: nënën time Adivie Sharofi Alibali.

Udhëtimin prej mëse katër orësh për 100 vjetorin e kaluam pa ndonjë peripeci, dhe me kënaqësi dhe impjenim të veçantë filluam drejtimin e Konferencës, gjithnjë në bashkërendim e mirëkuptim me bashkë-drejtuesen znj. Bajraktari McCormack.

Konferencën e hapi Z. Agim Karagjozi.

Konferenca u prit me interes të veçantë. Salla përkatëse në Monroe College ishte mbushur plot.  Kishin ardhur edhe të ftuar të tjerë nga gjithë Amerika, ku përmend Kryetarin e Shoqatës për të Drejtat e Njeriut “Çamëria”, z. Ahmet Xhafo nga Kalifornia, shkrimtaren Rozi Theohari nga Masaçusets, etj. etj. Natyrisht ishte dhe mbarë kryesia e Vatrës, ku shquheshin zz. Buçaj, Balaj, Rexha, etj, si dhe anëtarë të “Vatrës”, miq, dashamirës të “Diellit” e pjestarë të familjeve të referuesve.

Referatet e Prof Metës, zz. Çefa, Kastrati e Greca u mbajtën në pjesën e parë. Në pjesën e dytë folën Prof. Dezhgiu, shkrimtari Naum Prifti dhe Z. Lamaj.

Në një moment, midis referateve, do të përshëndeste z. Ahmet Xhafo në emër të Shoqatës “Çamëria”. Gjatë prezantimit të tij, përfitoj nga rasti dhe i tregoj sallës dy dokumente shumë të bukura që lidheshin me “Diellin”, dhe që i kisha gjetur në arkivën e aktivistit të shquar Bill Vasil Gunari.

I pari ishte Thirrja me rastin  e Përvjetorit të Artë të “Diellit”, d.m.th. 40 vjetorit të saj, që i drejtohej lexuesve mbarë, ku ftoheshin kontribute për “nxitjen e përparimit arsimor dhe kulturor të Shqiptarëve të Amerikës.”  Koka e letrës përmbante logon e famshme të “Diellit”, si dhe listën e Pleqësisë së Vatrës {Executive Committee], të kryesuar nga Anthony Athanas, si dhe kryesitë e të gjitha degëve të atëhershme.

Kurse dokumenti i dytë ishte edhe më i bukur, por mjaft i dhimbshëm. Ishte një letër e ngjashme, me logon e “Diellit”, dhe drejtuar lexiesve mbarë, e cila kërkonte mbledhjen e ndihmave humanitare për refugjatët nga Çamëria që ishin vendosur përkohësisht në Shqipëri mbas masakrave të qershorit 1944 dhe pranverës 1945…Një tjetër dëshmi, kjo, se VATRA dhe Dielli, atë kohë të kryesuara nga Noli e Panariti, qëndronin në krah të shqiptarisë edhe në ato ditë të vështira, si kurdoherë…

Konferenca po kalonte shumë mirë. Mbaj mend, në një moment në pushim, bashkë me znj. McCormack piqemi me z. Greca, që në atë kohë punonte në gazetën Illyria. Ishte koha kur editori i Diellit, z. Anton Çefa, ishte paksa i tërhequr, dhe “Dielli” kishte nevojë për mbështetje e ndihmë.

 “Si të organizohemi që të gjithë sëbashku ta ndihmojmë më shumë “Diellin””, i drejtohem miqësisht z. Greca.  Pjesa tjetër, siç thonë këndej, është tashmë histori. Nuk kaloi shumë, dhe z. Greca u emëria editor i “Diellit”, detyrë që e bën sot e gjithë ditën.

Një darkë mes miqsh u shtrua mandej në një restorant atypari, në Bronx.  Midis bisedash të ngrohta më erdhën ndërmend fjalët e Anton Athanasit, si kujtime të vegjëlisë së tij:“Kur erdhëm në Amerikë, familja ime u ngul në New Bedford. Babai punonte tërë ditën, kurse Nëna kujdesej për shtëpinë dhe për ne. Nuk e harroj kurrë babai kur vinte nga puna në të ngrysur, Fjala e parë pas përshëndoshjeve ishte “ku është ‘Diell”, “Ku është “Dielli”. Unë, si i njomë dhe i vogël, nuk e kuptoja… Ç’do me thënë kjo? Ku e ka fjalën Babai? Po Dielli sapo perëndoi? Tani është errur…?!   Mirëpo Babai e kishte llafin për Gazetën “Dielli”…” Dielli i Nolit, Konicës, Omarit, Çekrezit, Panaritit, e shumë editorëve të tjerë shkëlqen sot e gjithë ditën.”

 “Gazetës ‘Dielli’ edhe 100”, i uruam të gjithë njëri tjetrit në atë mbrëmje të paharrueshme të 13 qershorit 2009.

Filed Under: Opinion Tagged With: AGRON ALIBALI-DIELLI 100 VJET

POLITIZIMI I ARSIMIT DUKURI ME PASOJA TË MËDHA SHOQËRORE

April 18, 2019 by dgreca

Ndonëse  jemi  në pluralizëm të gjithë jemi dëshmitar se  centralizimi i  pushtetit është  identik si në kohën e  monizmit, që dëshmohet me emërimin përkatësisht zgjedhjen e kuadrave udhëheqëse në institucionet e ndryshme shtetërore në arsim që është në kundërshtim me normat demokratike sepse nuk zgjidhën kuadrat më të përgatitura dhe me autoritet shoqëror, por me të përshtatshmit e të degjueshmit përkatësisht kandidatët nga partia në pushtet, dukuri kjo e cila ka marrë përmasa shqetësuese në tërë vendët e ish kampit socialist ku as Mali i Zi nuk është përjashtim!

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

Edhe pse në sajë të konkursit të shpallur çdo kush ka të drejtë të konkurojë nëse i plotëson kushtet ligjore,  jemi dëshmitarë se  për t’u zgjedhur kjo e drejt disa konkuruesve  iu është e mohuar, sepse nuk merren parasysh referencat profesionale e ato shoqërore, por disa të tjera.

Me një fjalë nuk është më rëndësi së çfarë nxënësi apo studenti ka qenë, më rëndësi është të plotësojë kushtet elementare, përkatësisht të ketë pesë vjet përvojë pune, e mbi të gjitha të ketë mbeshtetje nga partia në pushtet, dhe çdo gjë është e kryer. Madje është e kotë që të konkurojnë kandidatët e tjerë, sepse çdo gjë është formale, sepse paraprakisht vendimi është marrë më herët. Edhe pse ka pasur përjashtime në këtë aspekt, vendimet e tilla kanë qenë të rralla, varësisht prej momentit dhe vendit, sepse pushteti  preferon të degjueshmit dhe të përshtatshmit për të realizuar objektivat e tyre.

Edhe pse kërkohet paraqitja e një programi të punës për çdo konkurues, çdo kush e di që është një obligim formal, e jo së ai lexohet e analizohet, për të kriuar një mendim më të qartë për konkuruesin, sepse dominon referenca e përshtatshmërisë e sidomos ajo mbeshtetjës partiake. Edhe pse jemi në pluralizëm, që duhet të ishte një qasje tjetër nga ajo e monizmit, fatkeqësisht, në këtë aspekt, kemi rikthim pas, që nuk është në favor të demokracisë funksionale dhe autoritetit profesional.

Injorohet mendimi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve

Ndonëse këshillat kombëtare të popujve pakicë në Mal të Zi, kanë filluar të funksionojnë nga viti 2008, duke qenë risi në sistemin qeveritar, ata janë subjekte pa kompetenca, pothuaj në mënyrë identike si organizatat nga shoqëria civile. Ndonëse sipas ligjit e statutit  kanë mundësi të japin mendimin e tyre për çështje  të ndryshme, që ka të bëjë me pjesëtarët e popujve pakicë, çdo gjë është formale sepse pothuaj në tërësi mendimet e tilla injorohen nga ekzekutivi shtetëror. që kanë të bëjnë  për pjesëtarët e popujve pakicë.

Me këtë rast cekim çështjen e zgjedhjes së drejtorave të shkollave, ku me ligj është përcaktuar së duhet të merret edhe mendimi i Këshillave nacionale. Enkas për këtë çështje Këshillat nacionale kanë krijuar komisionin për arsim, i cili pasi ka marrë regjistrin e kandidatëve të cilët kanë konkuruar për drejtor, në takim të veçantë analizon dhe jep mendimin së cili kandidatë i plotëson kërkesat më së miri dhe se duhet të zgjidhet për drejtor të shkollës. Dhe një mendim i tillë në formë të shkruar me arsyetim i dërgohet ministrit të arsimit. Pra i dërgohet si mendim e jo për miratim definitiv, sepse fjalën e fundit e ka ministri.

Por, edhe pse komisioni përkatës pranë Këshillit nacional, është kompetent, sepse njohin kandidatët më mirë së ministri i cili nuk i njeh fare, ministri nuk përfill mendimin e Komisionit, përkatësisht të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, dhe vendosë sipas dëshirës së tij. Raste të tilla në KKSH ka pasur shumë, duke vënë në pikëpyetje arsyeshmërinë e dhënies së një mendimi të tillë, pasi ai injorohet nga ministri i arsimit. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur për drejtor ka kandiduar vetëm një kandidat, që nuk ka paraqitur ndonjë problem të veçantë për emërtim në vendin e drejtorit të shkollës, qoftë me mandat të plotë apo ushtrues detyre. Por, mendoj se, nëse vazhdon një qasje e tillë injoruese ndaj Këshillit edhe në të ardhmen, nuk ia vlen më për të vazhduar një veprim të tillë formal. Andaj i mbetet Këshillit për të marrë vendim për  të njoftuar opinionin dhe themeluesin për refuzimin e dhëniës së mendimit përkatës, e po ashtu duhet inicuar në ndryshimet ligjore në lidhje me kompetencat e Këshillave kombëtare në rastin konkret në fushën e  arsimit.

Identiteti arsimor kombëtar obligim i shkollave

Deri më tash nuk kemi pasur rast të degjojmë se drejtorat e shkollave në shkollat më mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, kanë urdhëruar mësimdhënësit që me rastin e datave të shënuara kombëtare shqiptare të mbajnë orë përkatëse me nxënësit e tyre. Fjala është për datat dhe ngjarjet në nivel mbarëkombëtar. Kujtojmë me këtë rast vitin e kaluar jubilar të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, apo festen e përvitshme  Ditës së Mësuesit-7 Marsi.

Në lidhje me këto çështje  do të ishte jo vetëm e dëshirueshme por obligative që Ministria e Arsimit të angazhohej, për t’iu përkujtuar drejtuesve të shkollave më mësim në gjuhën shqipe, për tu angazhuar konkretisht në lidhje me datat përkatëse. Por, duke ditur qasjen e këtij institucioni ndaj trashëgimisë  kulturore shqiptare, atëher një veprim i tillë iu mbetet drejtuesve të shkollave. Nuk ka dilemë se një moment i tillë dëshmon në mënyrë transparente identitetin kombëtar të vet drejtuesve të shkollave, çështje kjo e cila nuk duhet trajtuar si personale, por me qasje më të gjerë, sepse kemi të bëjmë me identitetin kombëtar të  nxënësëve shqiptarë në përgjithësi. Edhe pse angazhimi i disa mesimdhënësve në këtë drejtim është për çdo respekt,  ata janë raste të veçanta, për të mos thënë të izoluara, andaj  mbetet obligim i stafit drejtues të shkollave që çështjet e tilla të jenë pjesë e programit vjetor të punës, sepse për vlerat dhe trashëgiminë tonë kombëtare nuk do të angazhohen të tjerët.

Drejtorat e shkollave si ushtarë të partisë

Duke keqpërdorur papunësinë,  si dhe pakënaqësinë e votuesve të ndryshëm pushteti arrin për  të manipuluar masat e tilla përmes premtimeve të ndryshme në fushatën parazgjedhore. Qellimi final është përfitimi i votave, ndërsa a do të realizohen premtimet është çështje tjetër, sepse mandati zgjatë katër vite, andaj edhe mundësitë janë relative.

Dhe premtimet e tilla nuk janë risi, por dukuri e njohur gjatë tërë periudhës pluraliste, ku institucionet e arsimit nuk bëjnë përjashtim, duke marrë përmasat e politizmit, që nuk është në favor të edukimit dhe arsimit, por me pasoja shoqërore në mjedisin përkatës.

Pikërisht në këtë aspekt si rast tipik kemi  zgjedhjet lokale të mbajtura  më 4 shkurti 2018  në Ulqin, ku  drejtorat e shkollave premtuan vende pune në shkolla për kuadrat e papunë. Madje një veprim i tillë ishte rast i panjohur deri më tash në përmasa të tilla, athu se shkollat janë fabrika për punëtor të profileve të ndryshme. Dhe nga premtimet e tilla nuk ka dilemë se u siguruan edhe vota të konsiderueshme, duke u dëshmuar në praktikë, se kemi të bëjmë me ushtarë të partisë.

Thënia e njohur vite me parë nga partia-shtet(DPS) “një i punësuar katër vota” ka mbetur gjithnjë aksiom e veprimit, sepse nuk zgjidhen mjete për arritur qellimin për pushtet! Dhe një veprim i tillë  si duket ka të bëjë në mënyrë të veçantë  me institucionet arsimore, sepse llogariten si bazë e votave të subjekteve politike.

Mësimdhënësit dhe  partitë politike

Pa mohuar së është e drejtë e çdo individi të votojë apo të mbeshtesë përkatësisht të  jetë pjesë e një subjekti politik, kur kemi të bëjmë me aspektin profesional të personave përkatës duhet patjetër të bëhët një diferencim. Pikërisht këtu mendojmë enkas  me profesionin e  mësimdhënësit, e ate të shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Andaj, në këtë kategori diferencimi është i qartë sepse misioni profesional i mësimdhënësit është arsimimi dhe edukimi.

Por, të gjithë jemi dëshmitarë se në këto vite të pluralizmit në spektrin politik kemi partitë nacionale dhe ato malazeze që vetëquhen si qytetare, ku aderon një numër i konsiderueshëm i punonjësëve të arsimit në shqip. Duke e marrë parasysh se profesioni i mësuesit është i veçantë madje lirisht mund të thuhet se më tepër është mision se sa profesion, jo vetëm angazhimi por edhe animi publik politik është kundër parimit të mësimdhënies, sepse iriton nxënësit dhe prindërit e tyre. Ndërsa angazhimi direkt për partitë malazeze, është jo vetëm iritues por edhe kompremetues në aspektin profesional, duke u bërë shëmbëll negativ në institucionin ku punon, në mjedisin përkatës.

Në këtë aspekt duhet thënë publikisht se është për çdo kritikë angazhimi në partitë politike malazeze apo të ashtuquajtura qytetare e  mësimdhënësëve shqiptar e kjo sidomos ka të bëjë me ato   të lëndëve të identitetit kombëtar,  siç janë   gjuha shqipe, historia e kultura muzikore e ajo e artit.

Edhe  pse një veprim i tillë  është personal nuk ka dilemë se  imazhi i tyre mësimdhënësve të nxënësit  dhe prindërit e tyre bie në nivelin më të ulët. Sepse mësimdhënësi i lëndëve të identitetit kombëtar duhet të jetë me dinjitet me mision edukues me vlera arsimore dhe kombëtare, pa qenë peng i politikës ditore dhe interesave  personale.

(Prill 2019)

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr.NAIL DRAGA-Politizimi i Arsimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1042
  • 1043
  • 1044
  • 1045
  • 1046
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT