• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUFTA E TROJES NE AMERIKE

April 12, 2019 by dgreca

BISEDE ME AUTOREN E LIBRIT, ELENA KOCAQI/

NGA RAFAELA PRIFTI/

Sa i rëndësishëm është për ju kredibileteti juaj si studiuese?

Kredibiliteti dhe integriteti im si studiuese janë primare për mua. Unë mbaj titullin Profesor e Asociuar – Doktor e Shkencave në Universitetin Aleksandër Moisiu dhe si profesioniste vlerësoj vetëm burimet shkencore në studimin e historisë. Si amatorizmi në cështje historike, ashtu edhe injorimi i historisë nga profesionistët japin rezultate të njëjta. Në këtë rast unë e ruaj integritetin tim profesional duke iu përmbajtur burimeve dhe autorëve antikë sepse faktet historike gjenden të shkruara aty. Tri studimet e mia të mëparshme, pjesë të doktoraturës sime, për periudhën e pavarësisë së Shqipërisë dhe rolit të Austro-Hungarisë kanë shkaktuar ‘revolucion’ në studimet historiografike. Historianët i kanë vlerësuar shumë këto studime. Por kjo periudhë njihet mirë nga studiuesit gjë që dallon nga njohja e ekspertëve për periudhën e antikitetit.   

Libri Lufta e Trojës është publikuar para disa muajve në Shqipëri. Pas botimit të tij në nëntor 2018 libri u përkthye në anglisht nga një studio përkthimi në Shqipëri në fillim të marsit. Në datën 2 prill ju mbajtët një ligjëratë në Melikian Center, ASU (Arizona State University). Cili është mendimi juaj për takimin në Universitetin e Arizonës dhe interesimi i katedrës dhe audiencës për librin?

Pyetjet dhe interesimi nga ana e profesoratit fokuseshin në tema profesionale të fushës së historisë si psh lidhja gjeneologjike midis pellazgëve dhe shqiptarëve. Mbeta shumë e kënaqur nga takimi për promovimin e mendimit historik. Një prej profesorëve u shpreh se për herë të parë marrin në dorë një libër të tillë për historinë e prejardhjes së shqiptarëve. Mendoj se Akademia e Shqiperisë, Institutet dhe universitet në Shqipëri kanë mbetur mbrapa në këtë pikëpamje.    

Sipas të dhënave që sillni ju, lufta e Trojës, e cila është e datuar rreth shekullit 12 dhe 13 para erës së re, i referohet një periudhe konflikti prej tri dekadash midis grupimeve ndërlufuese ku perfshiheshin fise dhe territore, që për nga përmasat mund të krahasohet me një luftë botërore. Ku qëndron vecoria e kësaj periudhe nga pikëpamja historike? Sa e vështirë është ndarja e miteve nga faktet?

Ky është momenti më i rëndësishëm i periudhës para antike. Në dallim nga konfliktet e tjera në periudhën e antikitetit, lufta e Trojës është ngjarja më e rëndësishme për Gadishullin Ilirik dhe Azinë e Vogël dhe një pjesë të Azisë ose Lindjes së Mesme deri në Afrikën veriore pra përfshinte tri kontinente si edhe fiset dhe popullsitë e tyre. Përpara, gjatë dhe pas luftës së Trojës ka pasur lëvizje fisesh që aty paraqiten dhe përcaktohen qartë. Dhe pikërisht aty fillon manipulimi i historisë. Së dyti, lufta e Trojës është më e dokumentuara nga luftërat e asaj periudhe për këtë territor. Është me rëndësi të kuptohet se në Antikitet shpjegimi për një ngjarje historike bëhej në dy forma: në formë mitike dhe atë historike. Autorët antikë e kanë trajtuar luftën në krijime letrare ndërsa historianët si Herodoti, Tukididi, Plutarku, Straboni e kanë trajtuar nga këndvështrimi historik.

Cilat kanë qenë zbulimet e fundit arkeologjike dhe studimet antropologjike në lidhje me luftën e Trojës? Cila ka qenë metodologjia e punës suaj studimore?

Unë nuk i jam referuar burimeve moderne por si historiane kam studiuar vetëm autorët antikë si burime të para të të dhënave historike si edhe kam shfrytëzuar dokumentet arkivale në gjuhët anglisht e latinisht. Për disa terma kam krahasuar tekste të shkruara në Koinenë antike, gjuha e antikitetit sepse në përkthimet moderne jane bërë manipulime të tilla si psh është hequr termi pellazg dhe është vënë termi grek.  Vetëm te Metamorfoza e Ovidit janë tre emërtime të gabuara. Në tekstin origjinal ekzistojnë tri terma Dana, Pellazg dhe Ake ndërsa në perkthimet e mëvonshme janë zëvendësuar me termin grek. Një shembul tjetër i pasaktësive në përkthime e kam gjetur te Eneida e Virgjilit tek shprehja “Frikësohuni nga danajt edhe kur vijnë me dhurata”. Duke krahasuar tekstin latinisht, anglisht dhe shqip kam vërejtur se emërtimi danajt është zëvendësuar me grekët. Homeri tek Iliada ka përdorur vetëm dana dhe akej, nuk e ka përdorur termin helen apo grek.  Nga të dhënat e burimeve të antikitetit, danajt dhe akejt ishin fise pellazge dhe kjo sipas autorëve historianë të periudhës antike.  

Cilat ishin njohuritë tuaja të kohës antike dhe ku e keni bazuar platformën tuaj studimore? A keni gjetur autorë të tjerë që janë të një mendimi me ju? Cilat kanë qenë reagimet ndaj pohimeve të studimit tuaj? A ka pasur kundërshtime nga studiues të tjerë dhe përkatësisht historianët grek?

Si historiane unë nuk jam orientuar për të vërtetuar ose hedhur poshtë këtë apo atë tezë të ngritur apo pranuar më herët.  Duke lexuar dhe studiuar materialin për një kohë të gjatë dhe duke mbledhur të dhënat, kam formuluar argumentin në mbrojte të tezes sime të bazuar në burimet faktike se fiset që kanë luftuar si në anën trojane dhe në atë.Akeje janë të origjinës Pellazgo-Ilire, madje të lidhur ngushtësisht me territorin historik të shqiptarëve, me ilirët kryesisht dardanët dhe frigasit.

Dikti i Kretës (Dictys of Crete) i para tri mijë e dyqind vjetëve më ka frymëzuar për të bërë studimin tim. Dhe i dyti, Dares i Frigjisë (Dares of Phrygia) që është dëshmitar autentik nga krahu trojan. Pastaj kam studiuar burime të tjera dytësore e tretësore. Në lidhje me reagimet, së pari, lajmin për daljen e librit e kanë dhënë më përpara mediat greke se ato shqiptare. Greqisë i “djeg” ky studim për arsye të manipulimit të historisë. Asnjë studiues grek nuk ka dalë ta kundërshtojë. Në histori operohet në këtë mënyrë: një historian boton studimin e vet me fakte historike, dhe një studies tjetër duhet të dal ta kundërshtojë në bazë të paraqitjes së fakteve historike. Historianët grekë kanë heshtur dhe heshtja e tyre është pranim.     

Si është pritur nga studiuesit dhe historianët brenda dhe jashtë Shqipërisë studimi juaj për fiset pellazge dhe ilire? A keni punuar me njohës të lëndës në fjalë dhe a keni pasur mbështetje nga autoritete të fushës së historisë?

Në Shqipëri nuk ka historianë të periudhës së antikitetit vetëm disa arkeolog. Madje edhe në Evropë ka shumë pak studiuesë të antikitetit. Materialet që janë pranuar si burime historike janë shkruar nga studiues të Greqise në shekujt e fundit. Studimet antike historike për këtë pjesë janë të njëjta pra burimet nuk ndryshojne por interpretimi i tyre ka pësuar ndryshime kryesisht në Greqi.

Lufta e Trojës është libri juaj i tetë, të cilin jeni duke e promovuar në Amerikë gjatë dy javëve. Cili ka qenë itinerari juaj? Kush e ka organizuar vizitën tuaj ketu?

Turi ka qenë shumë i mirë. Ka filluar nga Cikago, pastaj Arizona, Florida, Uashington DC. Ka pasur interesim nga amerikanët edhe nga shqiptarët. Nju Jorku është vendi i parafundit, dhe turi do mbyllet me takimin në datën 13 prill në Boston.  

Vizitën time në Amerikë e ka organizuar një grup shqiptarësh. Aty hyjnë Shkolla Shqip e Arizonës drejtuar nga Dr. Elonia Lasku, Kjo shkollë njihet tashmë edhe si Albanian Civic Center of Arizona dhe bashkëpunon ngushtë me Albanian-American Cultural Center, Eagle of Arizona. Drejtoreshë, manaxhere dhe administratore e gjithe turit tim, z. Elonia Lasku dhe zonja Merita Kraja, në bashkëpunim me Vatrën dhe degët e saj në Florida, Uashigton, selia në Nju Jork ku do shkoj sonte dhe Boston. I falenderoj drejtuesit e Vatrës për përkrahjen e tyre si institucion sepse mbështetja e shoqatave është e rëndësishme. Vatra ka një vend të vecantë në historinë tonë për shkak të rolit të saj në shpëtimin e Shqipërisë vecanërisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Për pjesën e vizitës në Cikago dua të falenderoj përfaqësuesin e komunitetit shqiptar në Illinois, z. Zhaneto Arusha, i cili ishte përgjegjës për organizimin e takimit atje.

Pas intervistës sonë ju do të keni takimin në selinë e Vatrës në Bronks. Bisedën tonë e mundesoi Dr. Elton Mara, i cili është anëtar i Këshillit Drejtues të Vatrës dhe vatran i brezit të tretë. Cili ka qenë roli i tij në vizitën tuaj të parë në Nju Jork dhe njohjen me komunitetin shqiptar këtu?

Dr. Mara është përgjegjës për qëndrimin tim në Nju Jork dhe është kujdesur për gjithë aspektin logjistik të vizitës. Kjo është hera e dytë që vij në Amerikë pasi kam vizituar Arizonën vjet, por kjo është vizita ime e parë në Nju Jork. Mendoj se shoqatat dhe mediat në komunitetin shqiptar mund të jenë më të koordinuara dhe më aktive në veprimtaritë e tyre.  
Ju falemnderit dhe mirupafshim në takimet e ardhshme!       

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti-Eleni Kocaqi

MË 11 PRILL, 21 VITE MË PARË

April 12, 2019 by dgreca

Nga Asllan Bushati/

Shumica e shqiptarve të moshës dyte e të tretë, kur përmendet 11 prilli i cdo viti, përnjëherësh kujtojnë ditvdekjen ( ose më mirë ditngordhjen e E.Hoxhës). Unë sot nuk kam ndërmend të merrem me të. Jo se nuk ja vlen te merresh me atë që i ka bërë dëme popullit shqiptar më shumë se cdo pushtues që ka shkelur në këto troje. Por se sot kam për të rikujtuar një ngjarje tjetër të rëndësishme të jetës dhe të familjes time.
Të paktën që nga 6 gushti i 1997-tës (që më shkarkuan pa drejtësisht nga detyra), e deri më 9 prill 1998, në Parlamentin e Shqipërisë, në institucionet e qeverisë, në gazetat e televizionet kryesore, emri im ishte lakuar si kriminel pa bërë asnjë krim e ishte bërë gati dosja për arrestim pa bërë asgjë në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet , rregulloret e detyrat funksionale. Nuk më hiqet nga mendja insistimi disa herë i Spartak Brahos në Parlamentin Shqiptar që të më dërgonin për gjykim në Gjykatën e Hagës si kriminel lufte – pa bërë asnjë lloj krimi .
Kështu në një formë a në një tjetër u vepru edhe me shumë kolegë të mi dhe me masën më të madhe të intelektualve shqiptar të fushave të ndryshme të punës e dijes. Atë që e beri E.Hoxha për dyzet e pesë vite me prerje kokash brenda Shqipërisë, e bënë pasardhësit e tij duke i terrorizuar me arrestim dhe duke i detyruar të largohen në emigracion intelektualët e vendit. Kjo është një vepër mizore kombëtare, pësues i së cilës jam edhe unë e familja ime.
I ndodhur në këto kushte unë (pasi kisha informacion të saktë për një arrestim të shpejtë), më 11 prill 1998 ( i paisur me dokumenta të rregullta të “Llotarisë Amerikane”), zbrita për herë të parë në jetën time në SHBA dhe konkretisht në NY. Ishte ndoshta e shtuna më e rëndësishme e jetës sime. Lashë prapa vendin e të parëve të mi me shumë dhimbje, per të ardhur tek ky vend i lirë dhe i mbrekullueshëm që e ka emrin Amerikë. Ajo më hapi dyert e jetës për familjen dhe për mu, në një moment që vendi im (neokomunistët) mi mbylli ato se më donte prapa hekurave të burgut pa bërë asgjë të dënueshme.
Në këto 21 vite u njoha me shumë shokë e miq të mirë shqiptarë e amerikanë. Punova shumë në dy e tre punë njëkohësisht, për të shkolluar vajzat e për të normalizuar jetën. U ingranova deri ne ngjizje në veprimtaritë e komunitetit shqiptar këtu në SHBA në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën. U lidha fort me Vatrën në gjithë këto vite si antar i theshtë dhe deri Nënkryetar, ndihmova shoqatën “Vendlindja thërret” dhe ngritjen, organizimin e stërvitjen e “Batalionit Atllantiku” emrin e të cilit e propzova unë. Jam takuar me kongresmenë e senator të këtij vendi me qëllimin e vetëm për ti ardhur sado pak në ndihmë shqiptarve në trojet etnike.
Por aktualisht kam një brengë të madhe se shpesh Departameni i Shtetit dhe perfaqësuesit e tij në Tiranë, nuk janë treguar të pa anshëm në raport me forcat politike në Shqipëri. Në gjykimin tim ata janë shpesh të prirur nga ruajtja e stabilitetit dhe jo nga demokracia dhe shteti ligjor. Ka një prirje të dukëshme për të mbrojtur qeverinë dhe Edi Ramen edhe kur e dinë se opozita ka të drejtë. Kjo njëanëshmëri më shqetëson shumë kur e shoh e dëgjoj (të folur e të shkruar) nga përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit.
Unë si shqiptar dhe si amerikan (dhe si amerikanë e si shqiptar), protestoj hapur ndaj këtij qëndrimi të pa drejtë. Mendimet e mia ja kam bërë të ditura kongresmenit të zonës time, drejtuesve të Partisë Republikane madje dhe stafit të Shtëpisë Bardhë. Shpresoj se kjo mënyrë sjellje (herë-herë poshtëruese) ndaj opozitës (vecaverisht PD-se) të ndërpritet dhe të flitet hapur për dëmet që kjo qeveri me Edi Ramën i kanë sjellë Shqipërisë e jo ti behen elozhe per suksese imagjinare. Kur njëanshmeria përsëritet e përsëritet, kthehet në një veprimtari të dënueshme.
Megjithatë, dëshiroj e shpresoj që Shqipëria vendi im i dashur të eci përpara, të pranohet në BE, të zhvillohet ekonomikisht dhe ta gjejë zgjidhjen e ngërcit politik vetë dhe pa ndihmën e ndërkombëtarve. Unë kam pikpamje politike të djathta, por i respektoj tërësisht edhe ato të majta. Shpresoj dhe ata me pikpamje të majta ti pranojnë te mija. Shqipëria është më e rëndësishmja. Të ndalohet zbrazja e saj.
ASLLAN BUSHATI

Filed Under: ESSE Tagged With: ASLLAN BUSHAT

AI DO TË FLASË EDHE ME MUNGESËN E TIJ

April 12, 2019 by dgreca

Kur i japim lamtumirën një miku./
Nga Enver MEMISHAJ/

Teki Gjonzeneli! Po të qajmë me lotë hidhërimi, këtu në atdheun tonë, në pamundësi për të kapërxyer oqeanin për të bërë detyrën siç e pate bërë ti gjithe jetën me fisnikëri ndaj miqëve dhe shokëve të shumtë…
U largua në amëshim edhe një tjetër i burgosur politik, u largua nga mesi jonë. Edhe një luftëtar i pa lodhur që ecte në krye të radhëve të luftëtarve të lirisë mbeti pa zë. Një luftëtar kundër dhunës dhe terrorit komunist po e lë bosh vendin e vet që kishte në shoqëri.
Teki Gjonzeneli shkoi më datën 9 të muajt. Atë burrin e pamposhtur nuk do ta kemi më midis nesh, por na ka lënë kujtimet e tij me të cilat mund të flasim dhe të këshillohemi ashtu siç bënim me të ndierin kur ish gjallë.
Gjatë gjith jetës së tij ai njeri nuk diti të heshtëte asnjëherë, pasi nga heshtja jonë përfitojnë të tjerët, ata komunistët, thoshte ai, që e bënë kombin tonë të vuante për afro 50 vjet.
Teki Gjonzeneli na ka lënë, por unë tek i shkruaj këto fjalë ende nuk më besohet se në behar nuk do takoj atë qëndrestarin, optimistin, luftëtarin, punëtorin e pa lodhur për të denoncuar dhe ngritur aktakuzën diktaturës komuniste.
Ky shkrim është një lule e përvuajtur mbi varrin e vlonjatit, një lule sepse edhe ai kur shkonte në vorreza vendoste nga një lule për gjith të dashurit dhe të njohurit e tij. Këtë lule po e vendos unë njeri prej vlonjatëve të shumtë e sidomos skelarëve që ishin miq të Tekiut.
Ai iku e s’kthehet më, por zu vend në historinë e njerëzve të thjeshtë të Vlorës dhe Tragjasit, vendlindjes së tij, dhe sidomos të atyre burrave vlonjatë që kishin besim dhe kanë ende te deviza: “Shqipëria e shqiptarëve”.
Leon Tolstoi thotë me të drejtë se ka vetëm një mënyrë për të qënë i lumtur: të jetosh për të tjerët. I tillë ishte Teki Gjonzeneli, i sakrifikuar jo vetëm për familjen por edhe për miqtë e shokët e shumtë që kishte. Kush trokiti në derën e tij në Vlorë në Tragjas dhe sidomos në SHBA dhe nuk e gjeti derën të hapur dhe bukën të shtruar.
Miq! Ju ftoj ta kujtoni Teki Gjonzenelin ashtu si qe vital, i qeshur, optimist dhe i pa mposhtur ndaj dallgëve të tëbuara të jetës, që e goditen pa mëshirë.
* * *
Ishim mësuar me Teki Gjonzenelin të vinte çdo behar në Vlorë dhe ne mezi e prisnim me bisedat e tij të pa shtershme, me shakatë dhe barsoletat e pa fundme. Edhe këtë behar e prisnim të vinte në Vlorën e tij të dashur, që ishte pjesë e zemrës së tij, por ai nuk do të vi, nuk do të vi asnjë verë tjetër, kaloi pa u ndier në amëshim.
E donte shumë Vlorën sado që këtu kishte vuajtur shumë ai dhe familja e tij e madhe. Dalip Greca që e vizitoi ditët e fundit të jetës së tij shkruan: “Shkuam ta vizitonim së bashku me dhëndrin tim Latif Sharkën – i shtrirë në krevatin pranë dritares, me sytë e ngulur mbi një tablo të bukur të Vlorës, pamje e mrekullueshme e Ujit të Ftohtë, ku duken kodrat, tuneli, deti, gadishulli i Karaburunit e ishulli i Sazanit. Një pamje magjik. Mendoj se atë pamje nga Uji i Ftohte Tekiu e mori me vete”.
Më tutje Dalip Greca vazhdon: “Na iku një mik i mirë që e deshëm dhe na donte pa interes. Ishte njeri që nuk urrente dhe kishte paqe me vete. Nuk ia donte kujt të keqen sepse vetë kishte hequr shumë. Jeta nuk qe bujare me të, jo vetëm pse ai dhe familja kaluan nëpër ferrin e diktaturës por edhe humbja e vajzës, Internës në moshën 33 vjeçare, më 20 shtator 2012, pas gjashtë vitesh lëngim këtu në SHBA. Ishte një goditje e rëndë për atë dhe bashkëshorten, fisniken e shumëvuajtur Finlanda, që babanë, Pertefin, ia pushkatoi diktatura”.
Ai nuk do të vi fizikisht këtë behar, por ndër ne shokët dhe miqtë e tij ai do të jetë prezent me buzëqeshjen e tij që nuk iu shua asnjëherë edhe në çastet më të vështira të jetës së tij, me bisedat e tij të këndëshme gjithnjë duke ju dhënë një ton humori, me barsoletat e tij, që vinte në lojë pushtetarët komunist. Në verën e vitit 2018 kur u ndava me të më tha me keqardheje:
-Nuk do të vi dot më në Vlorë.
Kështu u ndamë me atë mik të dashur, të shtrenjtë dhe të pa harruar, dhe ashtu ndodhi. Në fillim të këtij viti ai kaloi një operacion të rëndë dhe mjekët i thanë se vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Refuzoi me trimëri vazhdimin e mjekimit dhe e priti vdekjen me guxim në shtëpinë e Monikës, vajzës së tij të mirë.
U largua në amëshim më 9 prill 2019
Ishte nga ata miqtë e rrallë që kishte lënë gjurmë në jetën time dhe të familjes sime, nga ata miq që nuk mund të harrohen.
Pas emigrimit në Amerikë kur u kthye për herë të parë më takoi dhe me tha:
– Nuk mund ta harroj xha Imerin, babanë tim, që kur Murati, im vëlla, në sallën e gjyqit godi me grusht policin shoqërues, policia mori xha Imerin që u ndodh pranë Muratit, por ai me trimëri refuzoi të thoshte se e kish parë Muratin të godiste me grusht policin e shoqërimit. Edhe nënë Malen, nënën time, – më tha Tekiu, – nuk mund ta harroj, kemi punuar bashkë në Ullishte, kemi shkundur e mbledhur ullinj në acarin e dimrit.
Në kujtim të prindërve të mi ai më solli nga Amerika një aparat tensioni. Kështu që unë sapo ngrihem në mëngjes mas tensionin dhe kujtoj Tekiun e paharruar.
Por kujtimet për atë mik janë të pa fundme. Në mur kam të varur një foto të Teutës gruas sime që ma ka bërë Tekiu, po ashtu edhe një foto tjetër të Deas, mbesës 2 vjeçe.
Kështu si me mua ai burrë ishte bujar e fisnik me të gjith shokët e miqtë e tij të shumtë anë e kënd Shqipërisë, por edhe në Europë dhe Amerikë.
* * *
Miq! Unë do të këroja nga ju që të mos pyesni si vdiq Teki Gjonzeneli por tregoni si rrojti ai. Sepse të gjitha qëniet e gjalla vdesin, por ajo që mbetet pas është jeta e tyre, kujtimet, gjurmët që lënë pas dhe Teki Gjonzenli ka lënë gjurmë të pa shlyeshme, fëmijëve, bashkëshortes që e donte dhe e respektone shumë, vëllezërve, të afërmve, ne miqëve dhe shoqërisë.
Teki Gjonzeneli ishte nga ata burra që nuk mposhten e nuk u munden kurrë. Atë burrë e hidhje në det e dilte në stere, nuk mbytej e nuk fundosej sado të ashpëra e të stuhishte të ishin dallgët e jetës që e goditën pa mëshirë dhe pa e meritur.
Ishte trumfator në sistemin mizor të hurit në të cilin shkoi jetën e tij. Triumfator dhe luftëtar në kuptimin e plotë të kësaj fjale. E ku nuk e hodhën dallgët e luftës së klasave: me burgimin e rëndë të babait, me arratisjen e vëllait Qamilit, me burgimin e Memishahut, vëllait, në moshën 16 vjeçare, me burgimin e vëllait tjetër Muratit për 18 vjet dhe së fundi me burgimin e tij dhe me internimin e familjes përjetësisht.
Sikur të mos mjaftonin këto në Amerikë i vdiq vajza Intera në moshën e re 33 vjeçare dhe gruaja Finlanda iu sëmur nga parkisoni, por tek ai njeri nuk u shua asnjëherë optimizmi dhe buzëqeshja. Vajtëm t’i ipnim kurajo, thotë Dalip Greca, por ai na dha kurajo neve.
Të katër vëllezërit kishin lindur luftëtarë, kishin lindur për të jetuar të lirë, nuk u nënshtruan kurrë. Kishin lindur të qëndronin më lart se shokët e sërës së tyre dhe ashtu jetuan truimfator kudo: Qamili u hodh në det dhe me not doli në Korfuz, Tekiu, Memishau dhe Murati nuk u trembën por denoncun në atë kohë terrorin dhe diktaturën komuniste e për këtë edhe u burgosën.
Pas burgimeve vinin internimet dhe pas internimeve vendosja në punët më të rënda si punëtor krahu. Por Tekiu triumfonte kudo, e hidhje në det dhe dilte në stere. Së fundi e internuan në Tragjas në punët më të rënda bujqësore, por kishte difekt mulliri blojes dhe atë e rregullonte Tekiu, donte të vadiste misërin që po thahej Tekiu preu lumin dhe ia ktheu arave me misër, fshati mbetej pa drita në stuhitë që s’dilte njeri nga shtëpia dhe Tekiu shkonte dhe i sillte fshatit të tij dritat e kështu Tekiu jo vetëm që i mundi komunistët e fshatit që e urrenin si armik të klasës, por u bë një njeri me rëndësi në fshat për të cilin kishin nevoj të gjith.
Në kushtet e mjerushme të fshatit ai për tre vjet ndërtoi një shtëpi të bukur në formën e ndërtesës së Pentagonit të Amerikës. Në kushtet e mjerimit ekonomik ai njeri vuri bletë dhe kur fshati vuante fëmijët e tij shijonin mjaltin.
Në burgje, në vuajtje dhe mjerim fytyra e Tekiut qeshte gjithmonë i kishte ngrirë buzëqeshja në fytyrë si për të provuar atë thënien e Russoit se një fytyrë që nuk qesh nuk është kurrë e mirë.
Ne shokët e miqëtë e tij do jetojmë me humorin e tij, me shakatë e tij, me barsoletat e tij, me anekdodat e tij të pa fundme. Ishte i talentuar për të të mbajtur me biseda të këndëshme. Kishte një aftësi të dallueshme aktrimi sa që ne pyesnin njeri tjetrin në verë: Ka ardhur Tekiu? Kur do të vi?
I kishte të pa fundme barsoletat dhe anekdodat. Kam jetur dy jetë thoshte Tekiu: Nga diktatura në demokraci: nga koha e hurit në atë të polemikës…
Kur binte fjala për emigrimin në Amerikë ai thosh: na zuri mallkimi nënës se kur nxehej me ne na thosh:
-Vafshi pas diellit, haku hiqmet, ne të gjith vamë në Amerikë, pas diellit.
Po udhëtoja me një autobus, thoshte ai, dhe fqinji im filloi të më pyeste aq shumë sa në fund i thash: Zotri! E kam bërë hetuesinë në kohën e Enverit!
E pyeta në telefon për Muratin, të vëllan. Sapo bisedova me të, – më tha Tekiu, – Murati pa më pyetur filloi të më tregonte një ndodhi nga burgu i Burrelit dhe unë i thash: Dil nga burgu!
Bisedën e fundit me të e bëra më 20 mars 2019. I dhash kurajo dhe i thash se ke fituar kaq beteja, do ta fitosh edhe këtë. Ai dhe ne ato momente nuk e humbni humorin dhe me sarkazmen më tha: Aha Enver sëmundja qenka me e keqe se komunizmi.
* * *
Tekiu shquante ndër ne shokët e tij nga bujaria dhe fisnikëria. Me shpenzimet e tij ai botoi dhe e ribotoi dy herë librin “Vëllai i pengut”, kujtime të Reshat Agajt, xhaxhai i Finlandës, shkruar në Amerikë dhe e propagandoi atë libër gjerësisht.
Ishte tifoz sporti dhe mik i sportistëve vlonjatë i Kreshnik Çipit, Koto Ziles, Vasil Rucit, trajnerit Bejkush Birçe etj. Po kë nuk kishte mik Tekiu? Ai të bënte mik me pahir, sepse ishte i kudo ndodhur në të mirë dhe në të keqe.
Vëllezërit Gjonzeneli ishin nga ata personazhe që njiheshin në të gjith Vlorën, por mbi ta dallonte Tekiu. Ishte njeri bujar nuk kursehej për mikun dhe shokun, bujari që e tregoi edhe në momentet e fundit të jetës së tij duke dhuruar bibliotekën e tij Federatës “Vatra”.
Në shtëpinë e tij në Tragjas kishin provuar të gjith mjaltin e bletëve të tij dhe jo vetëm miqtë por edhe udhëtrët ai kthente në shtëpi dhe u vinte përpara tasin me mjaltë.
Mjalti bletëve të tij ishte provuar nga shumë njerës që nga Vlora në Tiranë, por kishte mbritur edhe në Korçë e Elbasan ku Tekiu kishte shokë e miq të shumtë.
Më 9 prill të këtij viti Tekiu shkoi pran nënës dhe babait të shumëvuajtur, Interës, Sutës, Marikes Koços, dhe Ambletit. Jeta e kishte lodhur shumë, ndofta atje gjen prehje.
Ai u nda nga jeta në prag te ditelindjes, kishte lindur më 25 prill 1937. Zoteri i vërtetë plot humor e buzagaz, sportdashës dhe artëdashes, do na mungosh. Ngushellime Didit, gruas së tij, Monikes vajzes, Fatmirit djalit, mbeses Anxhela dhe nipit Sebastian. Ngushëllime vëllezërve Memishahut dhe Muratit. Shpiti i tij u prefte ne Paqe.
“Kami humbur një mik, një shok, një vëlla, një njeri që na ka bërë të jemi të fortë në ditë të vështira. Të qoftë dheu i lehtë Teki Gjonzeneli! Na dhe një shembull të rrallë sesi njeriu edhe në kushte çnjerëzore të diktaturës mund të jetë dinjitoz e të respektohet nga të gjithë. Teki: E gjithë Skela qan për ty! Edhe valët e detit edhe pemët edhe lulet edhe gurët e rrugicave ku u linde e u rrite. I veshtirë do të jetë ky behar pa ty…”, shkruan miku jonë Gezim Zilja.
Më tutje Viron Troqe shton se: “ Tekiu do të kujtohet jo vetëm nga të tijët por dhe nga shumë shokë e miq në Vlorë e në të gjith Shqipërinë, në Europë dhe në Amerikë”.
Duke përkujtuar martirin e Vlorës Teki Gjonzenelin i lutem Zotit me vargjet e Patër Gjergj Fishtës, kushtuar dëshmorëve të Vraninës:
Leht u kjoftë rnbi vorr ledina,
butë u kjofshin moti e stina,
akulli, bora e serotina.
///O///

Filed Under: ESSE Tagged With: Enver Memishaj-Teki Gjonzeneli

PROF. AS. DR. ELENA KOCAQI PREZANTOI NË VATËR “LUFTA E TROJËS”

April 12, 2019 by dgreca

NGA  ASLLAN  BUSHATI/*

Më 11 prill 2019, në sallën qëndrore të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, në prani të vatranëve  dhe të shumë  bashkatdhetarve e miqve të saj nga NY, NJ e rrethina , u bë promovimi i librit të Zonjës Elena Kocaqi (Profesore e Asociuar dhe Doktoreshë e Shkencave) me titull:”Lufta e Trojës”, luftë Pellazgo-Ilire.

Para se të niste aktiviteti, autori i këtyre rreshtave e njohu mysafiren  e nderuar me disa nga momentet më kryesore të historisë 107 vjecare të Vatrës.

 Më pas aktivitetin e hapi Nënkryetari i Vatrës Zoti Agim Rexhaj, i cili e falenderoj Prof. Dr. Elena Kocaqin për vizitën në Vatër dhe për angazhimin e saj intelektual në studimet e vyeshme  në fushën e historisë së lashtë të Kombit Shqiptar. Për ti njohur të pranishmit më në detaje  me një CV të shkurtët të Zonjës Kocaqi, Zoti Rexhaj ja dha fjalën Dr. Elton Marës i cili ndër të tjera tha:

“Prof.As. Dr.Elena Kocaqi ka pëfunduar studimet në Universitetit e Tiranës në tri degë: Histori (me medalje të artë), Juridik dhe Shkenca politike. Ka mbrojtur Doktoraturën për histori të marrdhënieve Ndërkombëtare në QSA, mban titullin Profesore e Asociuar dhe punon si pedagoge më kohë të plotë për më shumë se dhjetë vite në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike, Departamentin e Administrimit Publik, në Universitetin e Durrësit.Njëkohësisht është autore e disa librave dhe artikujve shkencor brenda dhe jashtë vendit. Ka ardhur këtu në SHBA para disa ditësh dhe e ka promovuar librin në fjalë në disa Universitete dhe mjedise të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ky promovim kudo është pritur me kureshtje dhe me vlerësime positive për autoren.”

Pas këtij prezantimi, Zonja Kocaqi, me fraza të shkurtëra e të qarta , i futi të pranishmit në konteksin e kohës së Luftës së Trojës  dhe duke u mbështetur në burimet e vjetra (autentike sipas saj), riformuloi disa pikpamje e këndshikime të reja për këtë temë të “rrahur” nga shumë autorë të lashtë e të rinj. Trajtesa  në libër-sipas saj- është bërë vetëm mbi dokumentat e shkruara duke anashkaluar mendimet, dëshirat ose interpretimet personale të autores dhe të autorëve të tjerë. Parë nga ky këndshikimi sipas saj, libri sjellë para lexuesit (studjuesit) një tabllo të re të pa njohur më parë për Luftën e Trojës. Kjo tabllo e re, vecanërisht ridimensionon rolin  pellazg e ilir në vlerësimet e saj në raport me autorët e lashtë. Të qënit ndryshe në formë e përmbajtje e bën studimin më atraktiv (e tërheqës) për lexuesin e thjeshtë  dhe më interesant për studiuesit e historisë së kësaj periudhe.

Zoti Zef Balaj  antar i Kryesisë së Vatrës e pyeti Zonjën Kocaqi në se Qeveria Shqiptare ka ofruar fonde për të lëvruar pjesë të tjera të historisë së Kombit tonë, flas-shtoi ai- për pjesë të errta të historisë e për të cilat deri tani ka pak sudime ose hic fare? Përgjigja ishte shumë shkurt  Jo.

Autori i këtyre radhëve (Asllan Bushati) tha se: intelektualët, madje dhe niveli mesatar i opinionit shqiptar, janë të interesuar të dinë se cili është roli i shqiptarve në kohën e lashtë e mesjetë, në kuadër të sundimit të perandorive greke, romake, bizantine e otomane? Këto nuk mund të bëhen me autorë të vecantë e të vetmuar. Kështu që: a ka ndonjë plan a nisëm për të formuar një institucion të gjërë të studimeve albanologjike nga vetë shiptarët,sepse deri tani kemi mbetur në sferën e studimeve të të huajve për historinë tonë? Përgjigja ishte se: kjo është domosdoshmëri,  por deri tani ska asgjë konkrete as në fushën e organizimit dhe as në fushën e financimit.

Studiuesi Ing. Genc Leka dha opinionin e tij dhe disa vlerësime për gjenezen e shqiptarve dhe shprehu përqasje në disa pika me  verësimet e Prof. Kocaqit duke shtuar se i ndjek me shumë vemendje debatet e saj televizive për problemet e historisë dhe gjen pajtueshmëri me to.

Sekretarja e Vatrës Zonja Nazo Veliu tha se duke qënë nga trevat e Camërisë e me që  kishte studiuar edhe  në universitet për histori,  e gjente vetëm këndëshëm brenda studimeve të Zonjës Kocaqi. Por shtoi ajo  se në qoftë se Qeveria Shqiptare nuk lëviz nga vendi e nuk lëvron fonde për këto lloje studimesh shumë të domosdoshme, atëhere të gjithë shqiptarët  kudo që të jenë ,duhet të paguajnë dicka nga vetja e tyre për të zbardhur të vërtetat historike para nesh e para të huajve.

Prof. Kosaqi shtoi se do të ishte një ide brilante marrja e një nisme të tillë qytetare në menyrë që të dërgohen specialist për studinim e gjuhëve të vjetra, sepse celsi i studimeve janë gjuhët e lashta e të fjetura.Dokumenta të pa eksploruara ka në disa arkiva të vjetër dhe në to flenë dokumenta autentike për historinë tonë, por ata duan studiuesin e specializuarqë ti ekspozojë ato.

Disa pjesmarrës e  pyetën  Zonjën Kocaqi ,në se ky studim a ju është prezantuar institucioneve shkencore të vendeve të tjera dhe cfarë mendojnë ata për këtë studim? Po ashtu dikush tjetër pyeti se a do të ishte në gjendje Zonja Kocaqi të mbante referenca në institucionet e Greqisë për këtë temë e mbi bazën e studimeve të saj? Në këtë vazhdë kishte edhe pyetje të tjera që  në brendi cfaqnin drit-hije e insinuate  për vërtetësinë e studimit.

 Sido që të jetë promovimi u prit mirë nga të pranishmit. U vlerësu me pozitivitet ardhja e Zonjës  Kocaqi në SHBA dhe vecanërisht në Vatër, si dhe  inisiativa e saj për ta promovuar librin “Lufta e Trojës” Luftë Pellazgo- Ilire, në shumë mjedise universitare dhe shqiptaro-amerikane në gjuhët shqip dhe anglisht.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook -Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: ELENI KOCAQI

Kaosi dhe pervesiteti qeverisës “Ha, Grabit, Ik”! 

April 12, 2019 by dgreca

Nga Dritan Demiraj/

Siguria kombëtare është arsyeja e parë e ekzistencës së Shtetit. Grabitja me datën 9 Prill 2019 në Aeroportin e shenjëtores “Nënë Tereza”, tregoi se ku është katandisur Siguria Kombëtare e Republikës së Shqipërisë si anëtar i NATO-s, duke marrë një goditje fatale besimi tek partnerët tanë perendimor dhe jo vetëm. 

Është sfiduar, turpëruar, sfilitur dhe shpartalluar një nga vendet më të sigurta në vend, ku çdo vend i pavarur pasqyron elementet e sigurisë dhe prezencën e funksionimit të shtetit serioz. Kjo ngjarje me siguri do të ngelet sërisht pa përgjegjës real, por do të mjaftohet me ndonjë “kokë turku” duke shpall një “armik”, apo ta përcjellë fajin diku gjetkë tek koncesionari dhe vetë mjaftohet të justifikohet si gjithmonë dhe për çdo gjë, se “shteti reagoi dhe ne nuk jemi si të tjerët…”, “kemi bërë shumë, por kemi akoma më shumë për të bërë” siç ishte rasti i skandalit tek unaza e re….!!! 

Pra mesa duket, Qeveria Pink u paska dhanë kinezëve me konçesion, jo vetëm aeroportin, por edhe Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë.
Kjo është realisht fatkeqësi, ku Siguria Kombëtare është dhënë me koncesion nipërve të Mao Ce Dunit, duke kujtuar kohët e paraardhësve të këtyre që na qeverisin, për të na mbrojtur nga imperialistët e revizionistët, “motrën e vogël” Shqipëri!! 

Në rastin e qeverisjes së socialistëve këto vite të demokracisë, ka rënë poshtë dhe teoria e propabilitetit, pasi nuk janë rastësi që sa herë qeverisin kjo “racë politike”, përveç krimeve, korrupsionit shtetëror, ndodhin vjedhje galopante shtetërore dhe kriminale si psh vjedhja e thesarit të bankës qëndrore, vjedhje 5 herë në zonat më të sigurta të vendit nëpërmjet kompanive të sigurisë private ku pronarët e tyre janë në nivelet drejtuese më të larta të PS-së si Safet Gjici etj…, të cilët kanditohen për t’u zgjedhur dhe shpenzuar parat e vjedhura për të blerë votën e fukarenjve në mënyrë mafioze. Këto skenar do t’i kishte zili edhe Holliwoodi, por regjizori Rama, skenaristë ministrat e tij të brenshëm dhe producente Kodheli, kanë ndërmend të ngrenë lart emrin e kinematografisë “Shqipëria Pink”!!! Këta janë fanatik dhe pasionant te thënies të Leninit; “Një horr mund të jetë i dobishëm për partinë edhe duke qenë horr. Në polikë morali nuk ekziston; nuk ekziston asgjë përveç arritjes së rezultatit”.

Siguria e Aeroportit nuk është vetëm detyrë e koncesionarit që mundohen të përcjellin tellallët e qeverisë, por përgjegjësi reale të një shteti të përgjegjëshëm nëse do të kishim! Mirëpo në Shqipëri nuk ka qeveri të përgjegjshme, ka banda që grabisin në çdo vend, por ka edhe banda që përfaqësohen në qeveri! Nga tellallët qeveritar në momentin kur nënshkruan kontratën me koncesionarin ishin “Azgan”, ndërsa sot ku është zënë ngushtë qeveria nga skandali janë “pehlivan”, duke u mburrur se do marrë masa nga më ekstremet për kompaninë koncesionare, pasi tani “nuk mban më ujë pilafi kinez”, thua se nuk kishte raste të tjera për të marrë masa!!! Nuk kuptohet se kujt duhet ti ankohen në këto momente kjo qeveri e papërgjegjshme! 

Shqiptarët ju kanë “votuar” që të qeverisni dhe jo të “qyravisni” në këto momente ku siguria kombëtare e Shqipërisë ka performancën e “brekëve të Shukriut dhe Shukrinjëve”!!! 
Në datën 2 Shkurt 2011, Qeveria Shqiptare ka ngritur Komitetin Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, i cili është i ngarkuar edhe për sigurinë e Aeroportit “Nënë Tereza”. Me Vendim të Kryministrit Rama Nr.752, datë 13.12.2017, ka qenë i emëruar jashtë detyrës funksionale z. Sandër Lleshi si Kryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe shumë titullarë të institucioneve shtetërore.

Pse ky Komitet Kombëtar nuk bën transparencën e dokumentave që vërtetojnë problematikat, rekomandimet dhe informimin e institucioneve kushtetuese për gjendjen e sigurisë?. Paradoksi është se, ai sot ndodhet në detyrën e Ministrit të Brendshëm, si ish-Këshilltar për Sigurinë i Kryeministrit dhe megjithëse sipas tyre janë njohur me problematikat, nuk morën masa nëpërmjet kopetencave ligjore funksionale të zbatoheshin detyrimet nga koncesionari dhe Policia e Shtetit, apo eksperienca e mëparshme me rastin e kanabizimit të të gjithë vendit, i kishte bërë më të vetëdijshëm që të justifikonin urdhërat e “sulltanit” ?!! 

Por realiteti është se lidershipi i MPB po e transformon Policinë e Shtetit në një trupë që i shërben propagandës politike duke zbatuar çdo urdhër që i jep “Sulltani shtatlartë” pavarësisht kostos! Merr kurrajon e tepëruar dhe etiketon opozitën si parti antiparlamentare dhe parapolitike si dhe protestuesit si të verbër!!!

Prioriteti i punës së Policisë në këtë kohë është: përgjimi dhe ndjekja e eksponetëve të opozitës, krimet kundër popullsisë civile të cilët mbrojnë pronat dhe djersën e 29 viteteve emigracion, të cilët kanë ndërtuar një “kasolle” për të jetuar, përdorimi i gazit helmues kundër fëmijëve, grave shtatzëna, pleqve dhe çdo njeriu që shpreh një pakënaqësi kundër horrave qeverisës, mbrojtja dhe fshehja e bandave dhe krimit të organizuar si dhe ruajtja dhe sigurimi i tregut e parcelave me kanabis që kanë filluar të rimbidhen në çdo vend të Shqipërisë! 

Titullarëve të policisë kanabiste, u duhet bërë e qartë që do të shkojnë në burg nesër me veprimet dhe operacionet e paligjshme kriminale që po ndërmarrin, kur në Shqipëri të zbatohet ligji i ndëshkimit për gjithë këto “zombie”. 

Gjithmonë kam shprehur respekt, mbështetje dhe inkurajim për të gjithë antarët e ndershëm të Policisë së Shtetit të cilët me përkushtim e ndershmëri, të keqpaguar, të keqpajisur dhe me halle të mëdha familjare përballen çdo ditë me elementë kriminal, të cilët kanë mbështetjen politike të bandës kryesore kriminale politike “Rilindje”.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1050
  • 1051
  • 1052
  • 1053
  • 1054
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT