• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA NË TAKIMIN ELEKTORAL TË OPOZITËS NË DURRËS

April 21, 2021 by dgreca

-PAS MITINGUT, KREU I DEMOKRATËVE, KANDIDAT PËR KRYEMINISTËR I QVERISË SË NDRYSHIMIT, REZERVOI NJË TAKIM ME DELEGACIONIN E VATRËS/

– PAS NGJARJES NË ELBASAN, VATRA BËN THIRRJE PËR Ç’TENSIONIMIN E FUSHATËS ZGJEDHORE, SHMANGIEN E DHUNES, GJUHËS SË URREJTJES, HEQJEN DORË NGA SHITBLERJA E VOTËS/

  • BASHA: Dua ta nis sot duke falenderuar miqtë e veçantë, që na janë bashkuar në këtë manifestim vullneti për këtë demokraci, për shtetin e së drejtës, për liri, për të drejta e njeriut, kryesinë e shoqatës atdhetare shqiptare-amerikano VATRA….

DURRËS-21 Prill 2021- Mitingun e mbrëmjes të së Mërkurës në Durrës, Kreu i dmeokratëve, kandidati për Kryeministër i Opozitës z. Lulzim Basha, e nisi më njoftimin falenderues për pjesmarrjen e delegacionit të Vatrës. Ai tha: Mirë se ju gjejë vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, rini e Durrësit, në këtë mbrëmje magjepsëse, me zemrën e zemrës së Ilirisë dhe Shqiptarisë. Edhe 3 ditë e gjysmë e ndan Durrësin nga vota më masive për ndryshim, për çlirim, për bashkim, për fitore. Fitoren më të thellë, më të bukur, fitoren më të pastër e të merituar të këtij qyteti që bën krenarë çdo shqiptare e çdo shqiptar. Ndaj dua ta nis sot duke falenderuar miqtë e veçantë, që na janë bashkuar në këtë manifestim vullneti për këtë demokraci, për shtetin e së drejtës, për liri, për të drejta e njeriut, kryesinë e shoqatës atdhetare shqiptare-amerikano VATRA, për kontributin e saj në shekullin e kaluar nuk ka fjalë të shkruhet, po jam i bindur se me ta, me vëllezërit dhe motrat tona shqiptaro-amerikane, me diasporën e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë në Europë, së bashku do të çelim derën e merituar të anëtarësimit në Bashkimin Europian….

Pas mbylljes së mitingut, kryedemokrati Basha, rezervoi një takim me përfaqësuesit e Vatrës dhe kandidatët për deputetë e stafin elektoral të qarkut të Durrësit. Z. Elmi Berisha prezantoi ekipin që e shoqëron gjatë kësaj vizite, me qëllimin e mirë të Vatrës, për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri e tranzicionit të vështirë. Kryetari i Vatrës i tha kryedemokratit se Vatra mbështet demokracinë. Ai theksoi se, edhe pse Vatra në themel është apolitike, që në themelimin e saj e në vijim, në momentet decisive, kur Kombi është rrezikuar nga zhbërja, me politikën e saj Kombëtare, Vatra ka shpëtuar Shqipërinë.

Kryedemokrati Basha e falenderoi Vatrën për pjesmarrjen e saj gjatë këtyre zgjedhjeve, që janë jetike për Demokracinë Shqiptare.

          Redaksia e Diellit u lidhe me Kryetarin Berisha dhe kërkoi prononcim për ngjarjet e fundit,veçanërisht ato në Elbasan dhe ditë më parë në Kavajë. Berisha tha se Vatra kërkon që të ç’tensonohet fushata zgjedhore, të shmanget gjuha e urrejtjes, të hiqet dorë nga shit-blerja e votës dhe të mbahen larg zgjedhjeve të fortët e kriminuar.Shqipëria, theksoi ai, është në provë me vetëveten dhe duhet ta fitojë këtë betejë për të realizuar më pas integrimin Europian.

 Në fakt, këto ditë, duke përcjellë informacionet dhe takimet e delegacionit të Vatrës, ka komente, veçanërisht në rrjetet sociale se Vatra nuk po bën mirë që ndërhyn mes partive politike shqiptare. Vatrës askush nuk mund t’ia heq të drejtën e pjesmarrjes në proceset demokratike në Shqipëri; këtë të drejtë Vatra e ndjenë obligim dhe e ka fituar me kontributet e saj Kombtare.

            “VATRA”, ashtu si gjatë të gjithë jetës së saj 109 vjeçare(28 Prill 1912- 2021) në Shtetin e  madh të Demokracisë Botërore-SHBA,e sheh veten si Shërbëtore të Kombit dhe një urë lidhëse mes Amerikës dhe Vendlindjes.Në këtë pozicion ne përpiqemi të ruajmë asnjanësinë politike, por mbetemi luftëtarë të fortë të progresit Kombëtar dhe integrimit real të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Urojmë që Shqipëria ta fitojë betejën e 25 Prillit, që nuk është betejë me armiq, por betejë mes vetes!

Filed Under: Featured Tagged With: Durres, Elmi berisha-Kryetari i vatres, Takim me lulzim bashen

PERGJAKET FUSHATA NE SHQIPERI

April 21, 2021 by dgreca

Një i vrarë e 4 të plagosur në Elbasan në mes të fushatës elektorale/

– Reagon ambasada amerikane dhe Delegacioni i BE-së/

Nga Armand MERO- Zeri i Amerikes/

Në Shqipëri, Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, i cili mendohet se është angazhuar në mbështetje të fushatës e Partisë socialiste mbeti sot i vrarë në qytetin e Elbasanit.

Policia njoftoi se është vënë në pranga autori i dyshuar i vrasjes, Arbër Papleka, i angazhuar në fushatën e Partisë Demokratike, si pjesë e stafit të drejtuesit politik për qarkun e Elbasanit, Gazmend Bardhi. Papleka, një ish pjestar i forcave speciale të policisë, është vetdorëzuar. Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve dhe një punonjëse e policisë, e cila sipas njoftimit zyrtar, po përpiqej të parandalonte krimin.

Mbetet e paqartë dinamika e ngjarjes. Dyshohet se mbështetës të Partisë Demokratike kanë bllokuar automjetin me të cilin lëvizte Xhuvani, dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë, pasi dyshonin se ai po lëvizte me para për të blerë vota. Sipas të dhënave ende jo zyrtare, dyshohet se mes palëve ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Autori i dyshuar i vrasjes, Papleka, mësohet të ketë deklaruar në polici se ai ka vepruar në kushtet e vetmbrojtjes.

Xhuvani ishte denoncuar më parë nga Partia Demokratike, si pjesë e konfliktit mes mbështetësve të saj dhe atyre të Partisë socialiste në Elbasan gjatë ditës së verës.

Ndërsa pas ngjarjes drejtuesi politik socialist për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla akuzoi hapur Partinë demokratike. “Sot kanë ardhur në Elbasan furgona, prej ku grupe paramilitare, njerëz të armatosur nga qytete të tjera kanë zbritur dhe kanë terrorizuar qytetarë elbasanas për qametet që gjoja i presin pas 25 prillit!”, deklaroi ai për gazetarët.

Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama u shpreh se “dëshpërimi i humbësve nuk duhet e nuk do të na bëjë të humbasim as qetësinë, as durimin, as besimin se 25 prilli do të sjellë bashkimin e shqiptarëve për ta ngjitur Shqipërinë në majën e merituar dhe ndëshkimin kuptimplotë të forcave që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona!”.

Ende deri në mbrëmje nuk ka patur një version zyrtar mbi ngjarjen. Sipas policisë “janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen”.

Reagon ambasada amerikane dhe Delegacioni i BE-së

Në një deklaratë të saj për ngjarjen e ndodhur në Elbasan, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri i bën “thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen”. Deklarata bën të ditur më pas se ambasadorja Yuri Kim “i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.

Nga ana e tij dhe Delegacioni i Bashkimit europian është shprehur se “akti i dhunshëm që ndodhi sot në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente, dhe duhen bërë të qarta përgjegjësitë dhe të ndiqet plotësisht”. Përfaqësia e BE-së bëri gjithashtu thirrje “për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës nxitëse dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Armand Mero, Pergjaket fushata, Pjerin Xhuvani

Konjufca: Të rënët për liri do të kujtohen dhe nderohen sa të ketë komb shqiptar

April 21, 2021 by dgreca

Në vazhdën e nderimeve për të rënët gjatë luftës në Kosovë, anekënd vendit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, qëndroi sot në fshatin Nakaradë të Fushë Kosovës, për të nderuar martirët e familjes Mirena, në 22 vjetorin e vrasjes së tyre nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe.

Pasi bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial, kryekuvendari Konjufca, në një fjalë rasti theksoi se kjo masakër dëshmon përmasat e gjenocidit që ka shkaktuar Serbia mbi popullin tonë.

Kryekuvendari Konjufca ka thënë se përvjetorët e shumtë të masakrave, që forcat serbe kanë kryer në Kosovë, përbëjnë gjenocidin e shkaktuar nga Serbia mbi popullin tonë. Është shumë e dhimbshme, tha më tej z.Konjufca, që kurrë nuk ka pasur një proces të drejtësisë, të vërtetë, për të gjitha krimet e policisë dhe ushtrisë serbe mbi popullin e Kosovës.

“Të gjithë të rënët për liri do të nderohen dhe kujtohen sa të ketë komb shqiptar, Ndërsa, ne si institucione, duhet të jemi pranë familjeve të martirëve dhe të dëshmorëve, të cilët e kanë dhënë jetën për Kosovën e lirë e të pavarur. Po ashtu duhet të bëjmë gjithçka çfarë është e mundur që Serbia të marrë dënimin e merituar”, theksoi z.Konjufca. 

Natën e 21 prillit të vitit 1999, 16 burra e djem të familjes Mirena, forcat serbe i ndanë nga familjarët e tyre për t’i ekzekutuar e masakruar. Edhe pas dy dekadash nga kjo masakër, e urdhëruar nga shteti serb dhe e kryer nga ushtria e policia serbe, drejtësia nuk është vënë në vend.​

Filed Under: Kronike Tagged With: deshmoret-Kombi, Familja Mirena, Fushe-Kosove, Konjufca

DELEGACIONI I VATRËS, VIZITË NË 𝐀𝐈𝐃𝐒𝐒𝐇

April 21, 2021 by dgreca

Tiranë, 21 prill 2021 – Një përfaqësi së Federatës Panshqiptare të Amerikës“Vatra” vizitoi sot Autoritetin për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

[Galleries not found]

Kryetari i “Vatrës”, z. Elmi Berisha, znj. Nazo Veliu, sekretare e Federatës, Dr. Pashko Camaj(Zv.Kryetar),  z. Adriatik Spahiu(Zv/Kryetar), z. Mondi Rakaj, z. Anton Raja, anëtarë të kryesisë, u njohën me veprimtarinë e Autoritetit, shtyllat ku mbështetet puna e institucionit dhe sfidat e përditshme.

Kryetarja e Autoritetit, znj. Gentiana Sula dhe ekipi bënë një pasqyrë të zgjeruar të aktivitetit të AIDSSH, që nga kërkesat individuale, studimore dhe institucionale, te projektet aktuale që institucioni koordinon në bashkëpunim me partnerë dhe përballja me të shkuarën, me të gjitha aspektet e saj që ndikojnë të sotmen e të ardhmen tonë.

Në takim, znj. Sula e vuri theksin edhe në çështjen e mijëra të zhdukurve me forcë në komunizëm dhe veprimtarinë e AIDSSH për qartësimin e fatit të tyre. Përtej hapave konkretë në këtë drejtim dhe projekteve të ndërmarra, po koordinohet me institucionet që të lehtësohet procesi i kërkimit, identifikimit dhe zhvarrimit të viktimave dhe bashkërendohet puna e gjithsecilit.

AIDSSH dhe “Vatra” bashkëpunojnë që kur institucioni u krijua, bashkëpunim që është konsoliduar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit në aktivitete të ndryshme të diasporës në SHBA, të organizuara nga “Vatra”. Po ashtu, zbatimi i projektit të dëshmive gojore mbi përndjekjen e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, të realizuara në marrëveshje me Zërin e Amerikës.

Fusha të tjera u propozuan për ta zgjeruar këtë bashkëpunim, duke përfshirë mbështetjen e studimeve mbi të shkuarën komuniste, bazuar në dokumente arkivore, përkrahjen e nismave për kthimin në vendkujtese të vendeve të vuajtjes së dënimit dhe ndëshkimit gjatë diktaturës, mbështetjen e iniciativave për qartësim të rolit të propagandës gjatë regjimit dhe dizinformimit të shoqërisë përmes mjeteve të komunikimit publik, qasje në arkiva personale dhe institucionale që ndihmojnë plotësimin e kuadrit historik të periudhës 1944-1991, etj.

Për sa më sipër, Autoriteti u ftua të njohë e prezantojë projektet e veta, po ashtu të bashkëpunojë me “Vatrën” dhe komunitetin shqiptar në SHBA, duke u dhënë jetë propozimeve për bashkërendim aktivitetesh.

Autoriteti ka vënë në dispozicion të Vatrës dosjet në tre vëllime të Sigurimit të Shtetit, që e survejoi për gjysmë shekulli organizatën, duke mbledhur mbi 800 faqe informacione për anëtarët e saj dhe komunitetin shqiptar në SHBA.

Një studim i zgjeruar për historikun e Federatës Panshqiptare “Vatra” po përgatitet, i cili do të hedhë dritë në dokumente arkivore dhe ngjarje ku “Vatra” ka luajtur rol të rëndësishëm.

Dosjet për “Vatrën” janë pjesë e fondit të dokumenteve arkivore që përmbajnë dhe trajtojnë informacione e të dhëna rreth emigracionit politik shqiptar, të arratisurve jashtë vendit, grupeve diversante, organizatave të ndryshme politike të krijuara nga emigracioni shqiptar në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Dokumentet ruhen si raporte, statistika dhe informata mbi veprimtarinë e emigracionit shqiptar në vende të ndryshme, relacione dhe raporte mbi bandat e diversantët që operonin kryesisht në Jugosllavi, etj., relacione dhe statistika për të arratisurit, të dhëna dhe dosje për emigrantët politikë e ekonomikë, etj., në arkivat e Autoritetit.

Dokumentet përllogariten të jenë afërsisht 90 mijë dosje e fashikuj dhe i përkasin periudhës 1944-1991; një pjesë e mirë e tyre janë bërë publike për herë të parë për qytetarët dhe studiuesit në konferencën ndërkombëtare shkencore me temë “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990”, të mbajtur më 19 shkurt 2019 nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Muzeun Historik Kombëtar, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europës, ku një pjesë e mirë e tyre u vunë në dispozicion të studiuesve, dhe u ekspozuan për të interesuarit, në bashkëpunim me MEPJ.(AIDSSH)

Filed Under: Featured Tagged With: Aida Repishti, DELEGACIONI I VATRËS, VIZITË NË 𝐀𝐈𝐃𝐒𝐒𝐇

OPERACIONET ORTOPEDIKE PËRMES KAMERAVE DHE INSTRUMENTEVE TEKNOLOGJIKE

April 21, 2021 by dgreca

Dr. Valdet Nikçi, kirurg ortoped, shef i kirurgjisë së dorës në spitalin Montefiore New Rochelle, USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e pandemisë në USA, rëndësinë e bërjes së vaksinës anti covid dhe vazhdimin e mbajtjes së maskës nga secili person, disa nga arritjet më të fundit në teknologjinë e fushës së ortopedisë. Me Dr. Valdet Nikçi bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SITUATA E PANDEMISË DHE VAKSINIMI NË USA

Covid-19 përfaqëson një sfidë të paparë për të gjithë botën. Disa nga ekspertët më të mirë të botës në fushat e sëmundjeve infektive dhe shëndetit publik kanë pasur vështirësi në menaxhimin e kësaj sëmundje. Si kirurg ortoped, përfshirja ime në menaxhimin e pacientëve me covid-19 është shumë e kufizuar, për shembull në situata kur ata kërkojnë kujdes ortopedik. Për këtë arsye, përgjigjet e mia do të jenë të bazuara në përvojat e mia si një qytetar që ndodh të jetë mjek, dhe jo si ekspert në fushën e sëmundjeve infektive ose shëndetit publik. U bë një vit që Sh.B.A po përballet me covid-19 dhe aktualisht kemi numrin më të lartë të vdekjeve në botë. Për një vend kaq të zhvilluar, kjo është një statistikë mjaft shqetësuese. Ndoshta në fillimin e pandemisë gjërat duhet të ishin menaxhuar më mirë, por unë jam i besimit se shumica e mjekëve të ngarkuar me detyrën e shëndetit publik kanë bërë një punë të mirë për ta mbajtur numrin e vdekjeve sa më të ulët. Së fundmi inventimi i vaksinës kunder covid-19 ka dhënë një sasi të konsiderueshme shprese se kufizimet që janë shkaktuar nga pandemia janë një qëllim realist, por është e pamundur të parashikohet se kur këto kufizime do të kenë një fund final. Me identifikimin e varianteve të koronavirusit që duket se po shkaktojnë valë në të gjithë botën, mendoj se është e rëndësishme që politikat e zbatuara të kenë parasysh çdo mundësi.


SHPËTIMI QË VJEN PREJ VAKSINËS DHE MBAJTJES SË MASKËS

Shpesh më vijnë pyetje nga miqtë dhe familjarët në lidhje me vaksinën. Pyetja më e zakonshme është “A duhet ta marr vaksinën?” Përgjigja ime për të gjithë është se unë vetë jam vaksinuar. Unë do të inkurajoja të gjithë ata që janë në gjendje dhe që i plotësojnë kriteret për vaksinim në shtetin e tyre, ta bëjnë këtë sa më shpejt që ti jepet mundësia. Një nga problemet që hasim në lidhje me vaksinat është disponueshmëria. Shtetet e Bashkuara kanë një popullsi prej më shumë se 300 milionë banorësh e kjo e bën prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës sfiduese. Por, gjatë javëve të fundit ka patur një rritje në shpërndarje të vaksinës dhe mendoj se administrimi po përmirësohet. Shpresa ime është që shumica e njerëzve të vaksinohen kështu që ne mund të jemi në një situatë ku kushdo që e merr covid-19 do të ketë një rrezik të ulët për t’ia transmetuar atë dikujt tjetër. Që nga fillimi i epidemisë personalisht kam filluar të përdor dy maska, një N-95 dhe një maskë tjetër kirurgjikale mbi të. Tani jam mësuar me të, edhe pse është shumë e papërshtatshme, do vazhdoj ta bëj. E inkurajoj veten duke i thenë se nëse mbajtja e kësaj maske mund të shpëtojë një jetë të vetme personi, atëherë ja vlen për mua. Të paktën gjysmë milioni amerikanë kanë humbur një anëtar të familjes gjatë kësaj pandemie dhe jam i sigurtë se në qoftë se mbajtja e maskës do ta parandalonte humbjen e personit të tyre të dashur, ata do ta vinin me kënaqësi një maskë. Është e pamundur të dish se kur do të hiqen të gjitha kufizimet dhe përdorimi i maskave të fytyrës në publik. Por unë jam optimist për të ardhmen dhe vërtetë shpresoj se do të kemi një të ardhme ku do kem mundësinë t’i çoj fëmijët e mi në vende publike dhe ata të jenë në gjendje të takohen dhe të mblidhen me fëmijë të tjerë pa asnjë lloj kufizimi. 

KOSOVA DHE SHQIPËRIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

E pranoj se njohuritë e mia për sistemet shqiptare dhe kosovare të kujdesit shëndetësor janë shumë të kufizuara.  Nuk kam përvojë personale me situatën aktuale në spitalet e këtyre vendeve. Kam dëgjuar tregime nga familjarë dhe miq në këto vende dhe ato tingëllojnë të ngjashme me tregimet në vende të tjera në zhvillim. Pa burime për të marrë ilaçe dhe pajisje mjekësore është e vështirë të trajtohen gjendjet më të thjeshta. Kam dëgjuar gjithashtu histori se personeli mjekësor

kërkojnë punë në vende të tjera për shkak të mungesës së punës në trevat shqiptare. Sipas mendimit tim, shëndeti dhe mirëqënia e popullsisë së vendit duhet të bëhet një përparësi reale për qeverinë dhe burimet duhet të derdhen në strukturat e kujdesit shëndetësor, infrastrukturë, trainimin dhe mbajtjen e profesionistëve mjekësorë në trevat e tyre.

TRAJTIMI I KUSHTEVE TË KOCKAVE, MUSKUJVE, NERVAVE DHE TENDINEVE

Fusha e ortopedisë është një fushë emocionuese e mjekësisë për mua. Përparimet në aftësinë tonë për të diagnostikuar dhe trajtuar kushtet e kockave, muskujve, nervave dhe tendineve vazhdojnë të përmirësojnë cilësinë e jetës tek pacientët tanë. Nga arritjet më të fundit në teknologjinë e zëvendësimit të përbashkët deri në përmirësimin e vazhdueshëm në aftësinë tonë për të operuar brenda nyjeve të trupit duke përdorur kamera dhe instrumente të vogla, ne vazhdimisht përpiqemi të arrijmë lehtësim të vazhdueshëm të simptomave për pacientët. Unë personalisht përdor teknika invasive minimale për kirurgjitë e mia. Operacionet e mia përfshijnë lirimin e tunelit endoskopike në kyçet e duarve dhe arthroscopy kyçesh, që do të thotë unë bëj incisione shumë të vogla në dorë dhe kyçin e dorës. Kjo do të thotë që përdorimi i kamerave me lejon të kryej operacione të cilat janë bërë me incisione të mëdha në të kaluarën. Kjo e bën shërimin më të lehtë dhe më të shpejtë dhe rezulton në pacientë shumë më të lumtur. 

KUSH ËSHTE DR. VALDET NIKÇI 

Kur unë isha tre vjeç familja ime u transferua në Shtetet e Bashkuara. U rrita në Yonkers, NY dhe u diplomova në shkollën e mesme si valediktor i klasës. Bëra studimet e para universitare në Universitetin e Nju Jorkut dhe më pas shkollën e mjekësisë e përfundova në shkollën prestigjoze të mjekësisë  të Universitetit të Pensilvanisë. Praktikova kirurgjinë ortopedike në Universitetin Rutgers-Robert Wood Johnson dhe vazhdova ‘fellowship’ për trajnimin e nën specialitetit në Kirurgjinë e Dorës dhe Ekstremit të Sipërm në Universitetin Columbia. Që nga ajo kohë kam qenë duke praktikuar kirurgjinë ortopedike të dorës. Aktualisht jam i punësuar në praktikë “Specialty Orthopaedics” në adresen: 600 Mamaroneck Avenue, Suite 101, Harrison, NY 10528.  Shërbej edhe si shef i kirurgjisë së dorës në spitalin Montefiore Neë Rochelle, ku realizoj shumicën e operacioneve. Shumica e pacientëve të mi përbëhen nga persona me probleme nga shpatulla deri tek dora. Por kam një eksperiencë të gjerë në ortopedi të përgjithshme, kjo bën që shpesh gjithashtu të shoh pacientë me probleme në qafë, shpinë dhe këmbë. Disa nga kushtet e zakonshme që trajtoj janë: sindroma e tunelit karpal (kyçi i dorës), sindroma e tunelit kubital, artriti i dorës, kyçit të dorës dhe bërrylit, bërryli i tenisit dhe bërryli i golfistit, këputja e tendinit dhe ligamentit si dhe thyerjet në të gjithë trupin. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr.Valdrin Nikçi, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT