• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vend ideal për shtypje

April 19, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/Për çfarë i duhet koha njeriut, kur e humb edhe atë që ka? Megjithatë, e mat kohën dhe harron se ku do të kishte qenë, sa larg do të kishte shkuar, sikur të mos ishte ndalur. Kështu është jeta. Kush e di se me çfarë emri do ta kishim quajtur sikur të mos ishte e vdekshme. Sot s’ke, nesër do të kesh. Por për jetën thuhet e kundërta – “sot je, nesër nuk do të jesh”.
Ekziston një farë ngërçi në zakonin e të menduarit. Njeriu sikur hyn në një proces “gjumi”; më pas, kur ngërçi ikën, atë që s’e mban mend e quan thjesht “kohe e humbur”. Zgjohet me instiktin e një breshke që mbahet fort në tokë me kthetrat që të mos kthehet në shpinë. Ecën ngadalë, me inerci, i reziston reformës në çdo formë; reformë në drejtësi, reformë në zgjedhje, reformë në qeverisje (pa harruar se forma e mëparëshme është aty) me bijtë e shërbëtorëve të diktatorës si drejtues, të cilët e vlerësojnë daljen në krye me “populli na do”. Dhe vërtet, sepse nuk ka asnjë ligj që mund ta parashikojë opinionin publik; opinioni mund të manipulohet lehtë, mjafton të kesh parti-pushtet dhe aktivistë ose patronazhistë në çdo pallat, rrugicë e çdo lagje, si dje kur punohej 7 ditët e javës, dhe Republika Socialiste ishte shtet policor. Këto breshka mbahen fort, e nuk ndjejnë kurrfarë krahësh në shpatullat e tyre. Njerëzit janë të demoralizuar, pa fuqi; tërhiqen a shkojnë nga fryn era. Vullneti është masa e fuqisë, dhe personaliteti është shenja. Thjesht fare: Tregtia, ligji, kushtetuta, parlamenti, mprehtësia e mendjes janë instrumente. Shoqëria është e ngathët, e heshtur, si ai kali i qetë e i mirë që lejon çdo dreq t’i kalojë pranë, por nëse e nxit vrapon si në garë. Populli ka të drejtë në ndjenjën e tij, megjithëse gabon në spekulime. Sistemi shtypës mbijeton në pabarazinë e pronës, në privilegje, në kufizime, në barriera, në kontrolle – dhe Shqipëria i ka të gjitha.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, për shtypje, Vend ideal

GREVA E URISË NË BURGUN E QAFË BARIT ËSHTË PËR SHQIPËRINË

April 19, 2021 by dgreca

– Kërkesa nr. 9, vulnerabile, si plaga e nëntë e Gjergj Elez Alisë –/

Nga Visar Zhiti/

Që një grup (ish) të përndjekurish politikë janë futur në një grevë të re urie dhe ku? – në burgun e tyre të dikurshëm, në Qafë Barin famëkeq, të rrënuar si kujtesa e Shqipërisë, është një lajm tronditës, është një kambanë e rëndë për Shqipërinë.

Grevës së urisë nuk po i japet mbështetja e duhur dhe as jehona e duhut, se qeveria, partitë, deputetët, kandidatët për deputetë, militantët, qytetarët, opinionet, media e gjithë janë të përfshira në fushatën zgjedhore politike të tanishme, të 25 prillit, kështu po thuhet, ndërsa përtej oqeanit, në SHBA diaspora po sensibilizohet dhe bën apelin që grevës së urisë t’i jepet përgjigje. 

Në fakt është kjo që i ka munguar në këto 30 vjet demokracisë postdiktatoriale të Shqipërisë, tranzicionit të pa mbarim, zhgënjyes dhe të trishtë, që edhe pse vendi është hapur, ka pluralizëm partiak, ekonominë e tregut të lirë, pavarësisht se cilët pasurohet dhe si, njeh të drejtat e njeriut, kur ka shumë rëndësi si zbatohen ato dhe sa arrijnë dhe te qytetari më i thjeshtë, kur Shqipëria ka hyrë në NATO, në koalicionin më të fuqishëm euroatlantik, por sa jemi ne në gjendje dhe të vendosur të mbrojmë veten, truallin dhe detin tonë dhe aspirojmë të futemi në familjen e saj të natyrshme evropiane, ishim të parët që e kërkuam me qeverinë e parë deokratike dhe kemi mbetur të fundit në raport me të gjitha shtetet afër dhe larg, që bënin pjesë në perandorinë komuniste, megjithëse vendi ynë kishte diktaturën më të egër dhe më mizore, që ende vazhdon, mashtrueshëm, me forma të përditësuara, etj, etj. 

Futja në Europë kërkon dhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj së kaluarë së saj, diktaturës dhe diktatorit Enver Hoxha me bashkëpunëtorët, se sa janë dënuar ata dhe sa janë integruar në shoqërinë e tanishme të dënuarit e tyre, qëndrimi ndaj isht të burgosurit politikë, të gjallë dhe të vdekur   

   Në fund të fundit në këtë realitet të përzierë janë dhe shkaqet e grevës së re në burgun e Qafë-Barit. 

Ndjej dhimbje dhe shqetësim të madh. Duket sikur na kthen po në atë gjendje. Gjej një nga poezitë e mia të shkruar fshehurazi në Qafë Bari, botuar në posdiktaturë, por e ruaj ende fletën e origjinalit. Ruaj atë vuajtje, ato plagë. Ja, poezia:

GREVË URIE

Edhe brenda në burg 

ka prapë një burg.

Të fusin brenda 

po s’punove për shembull, 

                              e të tjera, e të tjera.

Ti, i shtrirë mbi dyshemenë 

e birucës së arkivoltë, sot s’hëngre bukë.

As dje. As pardje. As para tri ditësh.

Që kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore.

Dhe s’do të hash as nesër, as pasnesër, 

as i vdekur.

– Ngordhsh! – tha polici ditën e parë.

Të dytën u zgërdhi si një çizme e shqyer.

Heshti të tretën.

Njollat e murit i dridheshin mbi fytyrë.

Ditën e katërt: ha! – të tha.

– Ç’ke? – të pyeti ditën e pestë.

Pastaj erdhi dita e gjashtë. Në fakt 

asgjë s’erdhi. Dita e shtatë u fsheh 

pas të nëntës. Viti i parë i Krishtit 

u hodh para festave të Nëntorit.

Ditëvdekja e diktatorit vononte. 

Ngulte këmbë si mushka.

Por erdhën ata të komandës 

                                    në birucën tënde.

Kokëposhtë ishin të gjithë. Se 

pasqyroheshin në pjatën me supë 

                  të ftohtë. Si sy ciklopi – pjata.

Bukën e hanë minjtë që lëvrinin lirshëm – 

nota muzike mbi vijat e … doktrinës.

Muret vallëzojnë. Herë afrohen, 

                                       herë largohen.

Një britmë vrapon zbathur 

                                      nëpër korridor.

Brumbujt u trembën. Shih si dalin 

nga të çarat e kujtesës pa kafkë.

Njolla drite 

                  se nga ranë, 

si të vjellat e ditës së sëmurë.

Dhe u mblodhën rreth teje 

oficerët, mjeku. Byroja politike. Marksi.

Revolucioni kulturor Kinez. Ti hesht. 

Nuk lëviz nga vendi.Ende

di të kuptosh absurdin e atyre 

                          që ta japin bukën tënde 

dhe të marrin jetën.

E shtunë, 4.II.’84

Dhe prapë grevë urie, sikur vazhdon në shekull tjetër, në mijëvjeçarin e ri, në Shqipërinë tjetër, demokratike. Tani, në prag të zgjedhjeve të reja…

S’i kanë dhënë jehonë, mund t’u duket përsëritje, pengesë, e pa kohë, etj.  Ajo mund të politizohet, të përdoret, mund të jetë e nxitur siç nxitet nga çdo opozitë dhe goditet nga çdo pozitë, po ajo, edhe e pas shprehur, është “Nyja Gordiane” e realitetit posdiktatorial shqiptar, në fund të fundit mbart të drejtën e atyre që u përndoqën dhe u burgosën për një Shqipëri antidiktatoriale, demokratike, ka dufin e lirisë, dëshirat dhe idealet për një Shqipëri më të mirë, që dënon krimet e çdo kohe, vendos drejtësinë në shoqëri dhe në pronën e saj e të gjithsecilit.

Pra, sërish në grevë urie futen në burgun e shpartalluar të Qafë-Barit ish të burgosurit politikë të atij burgu e të tjerë, ata që bënë dhe revoltat në burg kundër dhunës komuniste para më shumë se 3 dekada, në Spaç e Qafë-Bari, të vetmet në të gjitha burgjet politike në perandorinë komuniste, kur tani ata grevistë nuk janë më të rinj, janë 60 vjeçarë, madje njeri midis tyre në këtë grevë grevë, bashkëvuajtës yni, ka ende në shpatull vragën e plumbit, që e goditën gjatë revoltës ata oficerë të burgut, që jo vetëm nuk u ndëshkuan, por një pjesë e atyre u lanë të ikin si azilantë politikë, jo në Rusi, Kinë a Kubë, por në Perëndim dhe që andej guxojnë ende të sulmojnë të ish të burgosurit e tyre, ndërsa të tjerë zunë detyra të reja në Shqipërinë Demo(n)kratike, shpesh të larta, madje ndonjë koleg i tyre, ndër më të këqinjtë, u bë dhe president Republike, edhe ai sulmon i pa ndëshkuar ish të burgosurit politikë e tani seleksionoi kanditadët për deputet të partisë më të madhe të opozitës, ku të burgosurit politikë mbështetën shpresat dhe një pjesë dhe iu përkushtuan, pra në këtë kaos, edhe të dëshiruar, greva është e domosdoshme dhe ulëritëse. Ajo është fushata e vërtetë.

Shpesh kërkesat e (ish) të përndjekurve politikë, të mohura në këto dekada, i reduktojnë në kushtet ekononomike, në dëmshpërblimin e tyre, që më së shumti, moralisht i ka ngjarë një shpërblimi-të-dëmshëm. Edhe tani gjej  se kërkesat e tyre në Qafë Bari përmblidhen në 8 çështje:

1. Ndryshimi dhe përmirësimi i ligjit që përjashton, persekuton dhe diskriminon qindra të ish-të burgosur politik (2007-2009 e në vijim).

2. Përfshirja e letrave me vlerë në dëmshpërblimin financiar

3. Kthimi i parave të mbajtura në faturën e dëmshpërblimit nga përfitimi

falas i banesave nga shteti për kategorinë tonë

4. Kompensim fizik e material të pasurive të konfiskuara, pronat dhe tokat bujqësore të grabitura nga diktatura e ligjit 7501

5. Njohja me projektligj dhe vlerësimi i punës së papaguar të të gjithë të dënuarve dhe të përsekutuarve politik

6. Status të veçantë pakete ligjesh për pensionet duke u dëmshpërblyer të gjithë të dënuarit pa avokat mbrojtjeje

7. Financa të ligjëruara për sëmundje profesionale të fituar dhe trashëguara nga puna e rëndë e me pasoja në miniera, këneta etj

8. Vlerësimi i krimeve të komunizmit si krime kundër njerëzimit, në përputhje me praktikat ndërkombëtare të shteteve ish-komuniste.

Normale dhe të drejta. Që ato të plotësohen me ndërgjegje e drejtësi, duan përgjegjshmëri shtërore dhe historike, se rrënjë janë më të thella  Kërkesa është bërë herët, e përsëritur shpesh, ku krahas konkretes, është idealja, madje dhe universale. 

Që të kuptohet më mirë, po ripërsëris atë që ka shpjeguar një ish i burgosur në kampin e Aushvicit, hebreu-hungarez Imre Kertész, shkrimtar nobelist, dhe kjo përbën thelbin e krijimtarisë së tij, por dhe ndërgjegjen shoqërore që duhet të kenë të jithë.

Sipas tij “Holokausti është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon… Ai thekson se “holokausti tani ka krijuar një kulturë”… e cila tashmë s’mund të mohohet se ka ardhur dhe vjen ende… mundi të frymëzojë Shkrimet e Shenjta dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane, – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të lindë faljen ose vetë shpirtin dhe katarsisin. 

Kur lexojmë holokaust kam të drejtë të nënkuptoj dhe persekutimin tonë..

“Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin”. (Kupto: persekutimin, shën. imi. “Il secolo infelice”, Imre Kertesz, “Bompiani”, Milano 2007. fq, 54, 258, nënvizmet e mia.)

Ja, pra kërkesa vulnerabile, nr, 9 po e quajmë, por kryesorja e të gjithave, shqetësim dhe kredo e shoqërisë, që duhet të ishte dhe thelbi i fushatës elektorale të tanishme: të përshkuarit nga fryma e vuajtjes së atyre që ëndërruan dhe deshën atdheun të lirë, një shoqëri demokratike, që u ndëshkuan për këtë, të nxjerrjes së përgjegjësive ndaj së kaluarës, me kujtesën historike, dënimin e krimeve, me drejtësinë në themele, ndërgjegjësimin dhe vizionet për një ardhme më të mirë, të shëndetëshme moralisht, etj. 

Një Shqipëri demokratike dhe e begatë, është dëmshpërblimi i vërtetë. Të burgosurit politikë i dhanë Shqipërisë lirinë e tyre dhe rininë, punën e madhe të papaguar kurrë, të gjithë veprat e mëdha të ndërtuara në diktaturë kanë gjakun dhe djersën e tyre, tharja e kënetave, kanalet, taracat, themelet e uzinave e të shumë pallateve, të stadiumeve, aeroportit të vetëm, ku ende s’ka një pllakë memoriale, etj, etj. Ata sollën moralin e munguar, mos-hakmarrjen, bashkëjetesën me paqen, etj.     

Prandaj dhe ambasadorja Yuri Kim, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, superfuqisë së botës, aletatit dhe mbështetësit jetik të Shqipërisë tonë të vogël, tha: “Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshimin. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë.”

Me SHBA duhet bashkëpunuar, jo thjeshtë bindje për të mbajtur rotacionin e pushtetit. Votoni dhe për ata që janë futur në grevën e urisë e bashkëvuajtësit e tyre. Kanë vite kështu, të uritur për drejtësi më shumë e demokraci të vërtetë, jo thjeshtë atë të atyre që bënë dhe diktaturën. 

Kjo grevë e vogël ka shqetësimin e madh për Shqipërinë. Prandaj…

Filed Under: Politike Tagged With: E QAFË BARIT, ËSHTË PËR SHQIPËRINË, GREVA E URISË, NË BURGUN, Visar Zhiti

KRENARI KOMBTARE

April 18, 2021 by dgreca

Kosova, e para në Kampionatin Evropian të Xhudos/

Në Kampionatin Evropian të Xhudos, të mbajtur këtë vit në Portugali, përfaqësuesja e Kosovës është renditur e para në listë.

Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova kanë fituar medalje të arta, Nora Gjakova ka zënë vendin e tretë në kategorinë e saj derisa Loriana Kuka e Laura Fazilu janë renditur të pestat, secila në kategorinë e vet.

Trajneri Driton Kuka ka shpërndarë me krenari rezultatet e garave, që janë zhvilluar ditëve të fundit.

“Xhudo e Kosovës me punë e sakrificë siguroi medaljet e para elitare për shtetin tonë sivjet”, ka thënë ai, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Kosova përmbylli Evropianin më të trofeshëm në histori të sportit të xhudos e mbarë Sportit Kosovar!
Dy medalje të arta një e bronztë dhe dy vende të pesta!
Medalja e parë për të rritur për meshkuj!
Akil Gjakova theu akullin për medalje Elitare,por ai është edhe Kampioni i parë dhe i vetëm Evropian në sporte Olimpike nē historinë e sportit tonë!
Distria Kanpione Evropiane për herë të parë në karrieren e saj,dominimi saj nē Botë po vazhdon….(RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: Akil Gjakova, e para ne Europian, Kosova-Xhudo

VOTA PËR NDRYSHIM NË SHQIPËRI E FORCON KOMBIN SHQIPTAR DHE MIQËSINË ME AMERIKËN!

April 18, 2021 by dgreca

  • Kryeministri i gjerëtanishëm Edi Rama është fatkeqësi kombëtare/

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ */

         Të gjithë ata që ja duan të mirën kombit shqiptar e kanë një porosi për popullin e Shqipërisë sot: VOTONI PËR NDRYSHIM! Këtë e bëri të qartë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim me deklaratën e saj : “Nëse doni ndryshim votoni për ndryshim, nëse doni kriminelë votoni për kriminelë”. Ndryshimet janë të domosdoshme në çdo vend demokratik, që qeverisja të bëhet më e mirë dhe të punohet në interes të popullit dhe kombit. Nuk duhet dhënë më shumë se dy mandate asnjë partie, përveç nëse ka treguar rezultate të jashtëzakonshme, gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri. 

         Në të vërtetë ka ndodhur e kundërta. Periudha tetëvjeçare e sundimit njëpartiak të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste paraqet periudhën më të errët të zhvillimit të shtetit shqiptar pas ardhjes së demokracisë. Korrupsion, krime ekonomike, pasurim i paligjshëm i një klase të privilegjuar dhe varfërimi i shtresave të gjëra popullore. Potencialet ekonomike të Shqipërisë nuk janë shfrytëzuar as për së afërmi. Bashkëpunimi ekonomik me Dardaninë ( Kosovën) dhe Trojet tjera etnike shqiptare ishte minimal. Në planin ndërkombëtar nuk është shënuar asnjë arritje e rëndësishme për shtetin shqiptar, veçse largim i mëtutjeshëm nga Unioni Evropian. Fatbardhësisht, dështuan përpjekjet Rama-Vuçiq-Thaçi për krijimin e të ashtuquajturës zonë Minishengen apo Serbi të Madhe.

         Arroganca dhe sjelljet e pahijshme të Edi Ramës e kalojnë çdo kufi të mirësjelljes së një lideri politik. Urrejtja përçmuese e tij për bashkëkombasit e Dardanisë dhe Trojeve tjera etnike është e papranueshme. Është e pakuptueshme si mund të zgjidhet të qeverisë me shtetin shqiptar një anti-shqiptar. Ngritja e tij brenda partisë socialiste deri te pozita e kryeministrit të Shqipërisë është një fatkeqësi kombëtare.

           Përulja e vazhdueshme e Edi Ramës ndaj armikut të kombit shqiptar, shovenistit Vuçiq është e turpshme. Bisedimet e tij të fshehta dhe të hapta me te dhe Thaçin për ndarjen e Kosovës paraqesin tradhti kombëtare. I gjori ai, ndoshta mendon se “Vuçiq e don shumë”dhe si “internacionalist” që është i ndihmon për tu bërë “i rëndësishëm”. Nuk e kupton fare se ai e përdorë si paçavër për të fshirë pluhur, në planet e tij të errëta për t’a nënshtruar kombin shqiptar. Pas përdorimit dhe shtrydhjes së mirë e hudhë në pleh bashkë me Baton Stanishiqin. Nuk e ka lexuar historinë për ta kuptuar se shovenistët serb, duke të përqafuar, ta futin thikën në shpinë. Nuk e kupton se shovenistët serb e urrejnë atë dhe Batonin njësoj si të gjithë shqiptarët e tjerë, pa marrë parasysh territorin, besimin fetar apo qëndrimin politik të tyre. Arsyeja e shfaqjes së urrejtjes më të hapët dhe më të madhe ndaj shqiptarëve të Dardanisë dhe të Luginës është e thjeshtë, ata janë pengesa e parë në arritjen e qëllimeve të tyre, grabitjen e mëtutjeshme të tokave shqiptare.

         Populli i Dardanisë më 14 Shkurt e dha provimin e pjekurisë, mençurisë dhe demokracisë, votoi për ndryshime në mënyrë të organizuar dhe madhështore. Votoi për kandidat të pakorruptuar, të aftë e të guximshëm, Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. U bë shembull për shtetet tjera të Evropës Juglindore se si mund të mbahen zgjedhjet e lira,se si mund të rrëzohet në mënyrë demokratike klasa e korruptuar. Duhet shpresuar dhe besuar se populli i Shqipërisë do ta bëjë të njëjten gjë me 25 Prill. Kjo mund të arrihet vetëm me votimin e Aleancës për Ndryshim të Partisë Demokratike në krye me Z. Lulzim Basha. Dëgjohet shpesh se Basha është i pavendosur apo tepër i sjellshëm dhe ka gabime. Gabimi më i madh i PD-së të udhëhequr nga Basha ishte djegëja e mandateve. Bojkotimi i Parlamentit është akt jodemokratik i cili e destabilizon shtetin dhe ja bën të mundur kundërshtarit të veprojë sipas dëshirës, pa u trazuar fare. Mendoj dhe besoj se Basha dhe PD kan mësuar nga gabimet dhe kan bërë ndryshimet e nevojshme për ta udhëhequr shtetin shqiptar në drejtim të duhur. Asnjë politikan apo parti nuk janë të përsosur dhe të pagabueshëm. Por në këtë rast, Z. Lulzim Basha me përvojën dhe aftësitë e tij është më i mirë se Rama, e thënë popullorçe, sa prej Shkupit deri në Shkodër.

         Gjatë ditëve të fundit, në media të ndryshme vërshuan kritikat e kuazi politikanëve dhe (ba)analistëve të shumtë kundër Kryeministrit të Dardanisë  z.Albin Kurti, për vizitën e tij në Shqipëri në përkrahje të kandidatëve të lëvizjes Vetëvendosje të Shqipërisë, jashtë detyrave të tij të punës, si dhe për kinse “përzierje në punët e brëndshme të Shqipërisë”. Shihet se nuk i kuptojnë aftësitë e tij për të bërë shumë gjëra në të njëjten kohë, krahas punëve tjera jashtë detyrës së Kryeministrit. Në të vërtetë, ai e zëvendësoi atë kohë me punë gjatë gjithë vikendit. Po ashtu nuk e kanë të qartë se përkrahja e kandidatëve të partive apo çështjeve të rëndësishme në shtetin amë është e drejtë dhe detyrë e çdo shqiptari ngado qoftë, pa marrë parasyshë pozitën e tij. Shqipëria është nëna jonë, pra edhe nëna Albinit. Shumë më pak kritika pati kundër ndërhyrjes së vërtetë, shumë të rrezikshme në punët e brëndshme të Shqipërisë nga Kryeministrit i Maqedonisë Zaev, në përkrahje të Ramës. Dëshiroj të shtoj se, si shumë bashkëkombas të tjerë nga të gjitha Trojet tona, mendoj se Rama është kandidati i preferuar edhe i Vuçiqit dhe i Putinit.

         Edhe unë, si shqiptar i Dardanisë së shumëvuajtur antike, i cili filloi ta donte nënën Shqipëri me zemër që nga momenti që diti për vete, dëshiroj që të “përzihem në punët e brendshme të nënës Shqipëri”. Me kënaqësi të veçantë dhe shpresë të madhe, i ftoj të gjithë vëllazërit dhe motrat shqiptare që kanë të drejtë vote, të votojnë për ndryshim dhe jo për kriminelë. Të votojnë për Aleancën e PD-së për ndryshime dhe tre kandidatët e pavarur të OJQ-së Vetëvendosje. Dëshiroj ta veçoj me emër, kandidatin me numër 33 të PD-së, Z. KORAB LITA. Vlerat atdhetare të tij dhe të mbarë familjes Lita të zbritur në Kamëz nga Kalaja e Dodës heroike, janë admiruese. Ai qëndroi i vetëm opozitë e PS-së në mandatin e fundit të Parlamentit të Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë për sa më shumë politikanë si ai, të aftë, të pakorruptuar dhe sypatrembur.

         Mërgata shqiptare ka luajtur një rol shumë të rëndësishem në zhvillimet politike të Shqipërisë, që nga koha e Nolit dhe Konicës. Përpjekjet politike për ta ndarë dhe izoluar atë, janë të dëmshme dhe anti-kombëtare. Mbjellja e urrejtjes dhe përçarjes në mes të mërgatës dhe vendlindjes ju shërben drejtpërdrejt interesave të armiqëve tanë. Mundësimi i votimit më të lehtë dhe më praktik të diasporës është detyrë me rëndësi shtetërore dhe kombëtare. Në këtë pikë dështuan me qëllim, qeverisjet dhe disa parti politike në të dyja shtetet tona. Mërgata e Dardanisë, me gjithë vështirësitë, ja arriti qëllimit që të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, me telefonata, votime me postë dhe udhëtime të përcjellura në mënyrë madhështore me muzikë, me defa e tupana. Ishte impresionuese. Këtë duhet ta bëjë edhe mërgata e Shqipërisë. Një pjesë e madhe jeton në Greqi dhe Itali, gjë e cila e bën udhëtimin me qëllim të votimit në atdhe më të lehtë. Të tjerët është mirë t’i marrin në telefon familjet e veta dhe të gjithë miqt e shokët për t’i lutur që të votojnë për ndryshime. Po kështu, edhe të gjithë shqiptarët e tjerë, që nga Trojet tona etnike e deri te mërgata më e largët, duhet “të përzihen në punët e brendshme” të nënës Shqipëri, t’i marrin në telefon shokët dhe miqët e tyre atje dhe t’i lusin të votojnë për ndryshime.

         Ardhmëria e sigurt e kombit shqiptar është e lidhur ngushtë dhe në mënyrë të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo gjë daton që nga koha e Presidentit Wilson dhe vazhdon me Presidentët Clinton, Bush dhe Biden. Interesat strategjike të kombit shqiptar dhe atij amerikanë janë të përbashkëta, ndalimi dhe kontrolli i hegjemonizmit ruso-serb në Evropë. Afrimi i qeverisë së Edi Ramës me shtetet si Serbia, Rusia, Greqia dhe Turqia është kundër interesave shqiptare dhe amerikane. Administrata e Presidentit Biden nuk mund të ketë respekt as përkrahje për një qeveri e cila e rrjepë popullin e vet, e dobëson kombin shqiptar, dhe ja mundëson shteteve shoveniste diktatoriale të Serbisë dhe Rusisë dominimin e Evropës Juglindore me dalje në detin Adriatik. Prandaj, vota për ndryshim në Shqipëri e forcon kombin shqiptar, si dhe aleancën me Amerikën dhe shtetet demokratike të Unionit Evropian.          

         Nacionalizmi dhe patriotizmi nuk janë folklor as hobi. Jan nevoja jetësore të pazavendësueshme, të cilat e bëjnë të mundur ekzistencën e një kombi. Bashkimi kombëtar e bën kombin më të fortë dhe më të rëndësishëm në mesin e kombeve tjera botërore. Frika e disa politikajve, veç për ta përmendur bashkimin si një gjë normale dhe të mundëshme është turpëruese. Lejimi i propagandës shoveniste serbe për ta barazuar projektin e tyre qindvjeçar për “Serbi të Madhe”, me dëshirën e kombit shqiptar për bashkim duke e quajtur ate projekt kinse për “Shqipëri të Madhe”, paraqet një idiotizëm politik të klasit të parë. Si mund të barazohet një projekt kriminal i studiuar dhe i përgaditur mirë, i cili parasheh në detale zhdukjen e popullit shqiptar  dhe grabitjen e tokave të tij, i jetësuar me lufta mizore dhe represion, me vrasjen dhe ndjekjen e qindra-mijëra civilëve nga tokat stërgjyshore deri te Molla e Kuqe te Nishi, Toplica, fshatra dhe qytete të tjera shqiptare,  me një dëshirë legjtime të një kombi për të jetuar i lirë dhe i bashkuar?! 

         Kombi shqiptar nuk është as i vogël as i parëndësishem siç tentojnë ta paraqesin armiqët tanë dhe disa politikanë të korruptuar e të shitur, apo qyqana dhe dembela të vendeve tona. Edhe pse i përçarë dhe i ndarë padrejtësisht në gjashtë shtete nga fuqitë e Mëdha të influencuara nga Rusia, por edhe me fajin e tradhëtarëve dhe pjellës së keqe përbrënda, ka arritur të mbijetojë në saje të përpjekjeve dhe flijimit të mijëra patriotëve dhe heronjve kombëtarë. Shembuj të fundit madhështorë janë rezistenca paqësore e udhëhequr nga Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe lufta e lavdishme e UÇK-së me komandantin legjendar Adem Jashari. Kërcënimet e disa liderëve shovinist serb për kinse përdorim të forcës kundër republikës së Dardanisë, janë sa dëshpëruese ashtu edhe qesharake. Me ndërhyrjen e NATO-s në Dardani, luftat në Evropë kanë përfunduar. Edhe po të ishte e mundur një luftë tjetër në mes të shqiptarëve dhe serbëve, Serbia do të humbte prapë me turp. Nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj dëshirën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë në tokat e veta mijëra vjeçare.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, shqiperia, Vota per ndryshim

SHËRIM TË SHPEJTË KOÇO RISTANI !

April 18, 2021 by dgreca

I dashur Prof. Miho ju uroj shendet e gjithe te mirat ne te lashten Athine .Te lutem kame nje porosi nga Donika Ristani bashkshortja e Kocos .Vite me pare keni botuar nje shkrim per Kocon Mjeshtri I Pastelit .A mundet ta ripublikoni ne gazete perseri (Koco nuk eshte mire shendeterisht ka thuajse 2 vite qe eshte ne situata jo te mira nga Alzheimer. )Une flas shpesh ju e dini qe me teoer jame si nje vella me Kocon dhe ju nje mik I vyer Ndihem I trishtuar askerkujt sdo ja deshiroja kto situata .Nuk hahet dot njeriu me fatin e jetes .Profesor I dashur ju uroj te mira per ju e perhere me vitalitet e frymezues ne botimet tuaja Shendet per ju dhe familjen tuaj Te lutem jepi te fala Jani Zhongos .Jame mire familjarisht Ne kto kohe kame ne proces nje film me animation 

Ju perqafoj 

Me respekt Vlash. New York 16/04/2021

I dashur Vlash Droboniku!,Me dhe nje lajm te trishtuar, nderkohe qe po na ikin miqte tane-artista, nga te mirat qe kemei akoma…Do t’ia plotesj dëshirn Zonjës së tij të nderuar, sa kam jetë edhe unë në kete botë të trishtë! Ndofta qe sonte, Te perafoj me shume mall….

“Mbreti” i Pastelit 

***

NË STUDION E PIKTORIT KOÇO RISTANI 

Nuk e pandehja se në njërën nga rrugicat e Korçës do të përballesha pas aq motesh me një mik të vjetër, piktorin Koço Ristani. Ishte po aq i qeshur e qyfyrexhi si njëherë e një kohë. Dikush e pat quajtur atëherë “Mbret të Pastelit” dhe kjo superlativë nuk më kishte pëlqyer shumë. Korça qe mburrur me një piktor të madh, sikundër qe Vangjush Mio dhe në hierarkinë e vlerave, nuk qe dëgjuar dikush tjetër…Pata thënë me vete se ky përcaktim do të ishte si ato “erashkat” që përdoren dendur në shtypin shqiptar. Piktori, përkundër këtij paragjykimi, m’u duk po ai njeri që kisha njohur më parë në bankat e Institutit të Arteve, po me atë humor që bënte me Nellën (Minella Borovën) dhe po me atë vështrim të përzemërt. 

Në studion e tij do të ulesha rehat-rehat në kolltukun e vetëm, me shumë kënaqësi. Atje mbretëronte një kaos i vërtetë, si një “rregull” i përhershëm që u pëlqen shumë piktorëve. Mbi tavolinën e rrumbullakët vura re romanin voluminoz të Dritëro Agollit “Arka e Djallit”. Hapa fontespicin dhe atje, me habi, më zuri syri një shënim të autorit, me disa rreshta që do t’i kishte zili gjithkush: “Koços, mikut tim të vjetër, piktorit të brishtë dhe elegant, mbretit të pastelit”. Dritëro. 

Vegimi 

Kështu u gjenda në mbretërinë e tij të pasur duke harruar gjithçka, Vështrimi im tani përpinte njërën pas tjetrës tablotë e shumta, ca të ekspozuara, shumica stivë mbi njëra-tjetrën. Një raft i shtrembëruar nga pesha e skicave dhe fletëve plot etyde e ide, një tavolinë e mbushur edhe ajo me albume, ku dallohej një shishe e bardhë me raki mani, siç do të mësoja më pas dhe po ai mjedis i hutuar që endej si pa rrugëdalje. Koçoja qëndronte aty buzëqeshur, me një mjekër të shkurtër të zbardhëllyer tanimë nga “Dëbora “ e fundit, sikur nuk dinte se ku të më vinte që të rrija e të rehatohesha e sikur nuk dinte ç’të më rrëfente më parë, pas asaj mungese aq të gjatë, kur gati e patëm harruar njëri-tjetrin. Pastaj, siç dukej, e mori veten, rrëkëllyem të dy gotat me atë lëngun e bekuar të manit dhe nisi të më tregonte punët e fundit, ndërsa unë mrekullohesha ashtu i zhytur në po atë kolltuk ku vinin e uleshin njerëzit e mëdhenj të Shqipërisë si Kadareja dhe Agolli, sa herë që ia behnin në Korçë e donin t’u vidheshin protokolleve zyrtare. 

Duke parë pastaj një e nga një pikturat e stivosura do të gjeja aty, në mbretërinë e rrëmujës, ca punë, të cilat jo vetëm do të më pëlqenin shumë, por do të më ngjallnin edhe kujtime të një moshe më të re. Ja tek me erdhi ndër mend njëri prej studentëve e miqve të mi të mëvonshëm, në papafingon e të cilit, sa herë vija në Korçë, do të bisedonim jo vetëm për teatrin, por edhe për të dashurën e tij. Biseda kalonte tek ajo, sepse Koçoja i kishte bërë një portret të mrekullueshëm dhe ne të dy e soditnim si një vegim, jashtë së zakonshmes. Ia thashë “mbretit të pastelit” këtë fakt dhe ai u vu ta kërkonte portretin e dikurshëm në dëngun e madh të krijimeve të tij të vjetra. Dhe e gjeti. U befasova në një pozicion të kundërt. Dikur, përkrah mikut tim, tek shëtisnim nga” Lëndina e Lotëve”,vija re tinëzisht brishtësinë e saj , të veshur me magjinë e vajzës naive, por tani portreti, në këndvështrimin e piktorit, kishte marrë ngjyrime të një bukurie të ftohtë, duke ekspozuar deri në thellësinë e shpirtit të saj karakterin e paqëndrueshëm të ëngjëllushesdjallushe… 

E pata vënë re menjëherë,-shtoi ai kur pa se unë isha i përpirë i tëri pas portretit,- Ishte një femër gjakftohtësisht e akullt që e bëri shokun tonë të vuante aq tepër. Dhe gra të tilla gjithmonë të braktisin…Të braktisin për një pasuri, për një pozitë më të lartë, për… 

Dhe Koçoja gati e vërtiti portretin sikur ta kishte gjetur në rrugë. Mua më mbeti mendja te miku ynë fatkeq, i cili nga zhgënjimi e marazi emigroi në kontinentin e largët, në anën tjetër të globit. Gjithsesi nuk mund ta harronte, edhe pse kaluan vite. Janë katastrofa shpirtërore që i shkaktojnë gra të pashpirta dhe duhej një artist si Koço Ristani që ta shprehte në telajo gjithë këtë psikologji njerëzore të dyanshme. 

Bota piktorike 

Bota e Koço Ristanit, bota e tij them, është stivosur mes kornizash të vjetra e të reja, ashtu siç e kap ai fluturimthi, siç i ndodh ai “trëk” i fortë që has rrugës, kafeneve, lëndinave, përballë kishave të vjetra, buzë liqenit a kodrinave të blerta që rrethojnë Korçën që ka në sfond Malin e Thatë. Në këtë studjo te rrëmujshme të katit të katërt të një pallati, karshi sheshit të Kinemasë së dikurshme “Majistik” derdhen e fiksohen në telajo mendimet e tij të zymta e të gëzuara, frymëzimi, e bukura dhe e gjithë natyra njerëzore e shprehur në art. Një botë e tërë është po aty me të gjitha ngjyrat e saj. Natyrat e qeta që dalin nga furça e piktorit kanë sjellë peisazhet e rrugëve karakteristike të Korçës, akuarelet e shumta kanë fiksuar brigjet e Liqenit të Pogradecit apo pemishtet ngjyrë ari të vjeshtës dhe nuk ka se si mos të mbushesh me lirizëm. Një lirizëm poetik. Teknika e pastelit e ka ndihmuar piktorin të zhbirojë në thellësi shpirtin e ngrohtë të njeriut dhe të natyrës përreth tij. Qilimi i dëborës të ngazëllen, si një mrekulli e natyrës, po aq sa edhe një vazo me lule shumëngjyrëshe që nuk mund të mos më kujtojnë veprat e piktorit të famshëm Pol Sezan. Pastaj, ja edhe një shtëpi tjetër karakteristike korçare, çatia e së cilës e mbuluar nga dëbora, ndrit aq shumë në mugëtirë sa habitesh me impresionizmin mjeshtëror të piktorit. Mandej, ja edhe tabloja ekspresive që paraqet Kishën e Ristozit në Mborje të Korçës, e cila ngjan se ka mbetur në telajon e madhe si një mrekulli qiellore. Objektin e shenjtë e rrethon një dritë e kuqërreme, pastaj bluja, kafja dhe e zeza, të kombinuara mjeshtërisht krijojnë një mozaik të tillë sa edhe një tablo e Van Gogut. Teknika e Pastelit është më tepër se kushdo tjetër më afër impresionizmit dhe kjo i bën krijimet e Koço Ristanit sa origjinale, aq edhe te bukura. 

Piktorit i interesojnë të gjitha ndjesitë njerëzore, të syrit dhe të shpirtit. Ja tek shoh një kompozim tjetër ku paraqiten dy të dashuruar në përqafimin e tyre të zjarrtë që do të ngazëllente edhe njeriun me ndjesitë më të akullta. I prirur më shumë nga realizmi, për shkak të shkollës që ka mbaruar, Koço Ristani, megjithatë është një artist origjinal që vërtetësinë e figurës njerëzore di ta interpretojë artistikisht, duke vendosur aty frymëzimin e tij, me një etikë estetike bashkëkohore. I tillë është edhe portreti i aktorit Jani Riza, i cili nuk arriti kurrë ta shihte veten të pikturuar nga “mbreti i pastelit”. Sapo kishte bërë disa seanca modelimi në studion e piktorit, ku vinte shpesh për t’u çlodhur në këtë “botë ndryshe” dhe për të soditur artin e këtij piktori, me të cilin e rrëkëllente edhe ndonjë gotë raki mani. .. Po Jani dhe ata që do të vinin pas tij do të magjepseshin me portretin e poetit Lasgush Poradeci. Aty ka një magji piktorike që e ndjen më shumë kur zhytesh në të thella. Poeti vjen para teje si hije e mistershme, si të ishte pjesë e shpirtit të tij liqenor, një njësim i shpirtit të tij me natyrën. Nuk dallojmë asnjë nuancë shprehëse te fytyra e Lasgushit, po njëherësh është po ai, i tëri, me pallton e vjetër që ia merr era, me atë trup të hollë e të kërrusur. I them mikut tim të vjetër se kjo vepër është një nga pikturat e tij më të mira dhe tani e kuptoja studjuesen e huaj Ivanka Gergova kur thoshte se Koço Ristani është si “….ai demi në vijat e bardha!” 

Filli poetik 

Që të jesh piktor nuk do të thotë që të jesh medoemos edhe poet, ndonëse piktura e ka në thelbin e vet poezinë. Edhe piktori. Mirëpo, kur në shpirtin e njeriut vlojnë që të dyja, doemos që piktura del akoma më intime, më e ndjerë , më lirike. Një duf tanimë i dyfishtë shfryn mbi kanavacë, por edhe në letër… 

Miku im poet është megjithëmend një poet i mirë, jo se i ka ndjerë nga afër vargjet e frymëzuara të Lasgushit, të Kadaresë dhe të Agollit, porse lëndën poetike ai e kishte ngjizur qysh në lindje në shpirtin e tij prej bohemi. Duke u endur buzë liqenit edhe ai, Koço Piktori, me trekëndëshin e kavaletit mbi kurriz, i lindin në shpirt vargje të tilla: “Dogja liqenin me flekadan,/ nga dëshira për të gjetur poetin,/ mbi mal shpërthen një vullkan…” Dhe hedh mbi kanavacë, si një trajtë vullkanike figurën e Lasgushit, që zapton të tërë liqenin dhe erërat e forta i rrëmbejnë pallton…Duke pritur dëborën e parë mbi rrugicat e serenatave të Korçës, mbi çatitë me tjegulla të kuqe, mbi pemë dhe mbi supet e statujave, Koço-poeti do të shkruajë: “ I bardhi shirit i borës,/ Diçka më mërmëriste…” Këto dhe të tjera janë lajtmotive që do të përbënin, jo thjesht thelbin e shpirtit të tij poetik, por edhe shprehjen e tablove të tij me pastel. Duke qenë vetë poet, ai i sheh me sytë e mendjes krijimet e Nolit, të Lasgushit e të Kutelit, si vizione të gjalla, të cilat duhet të shihen me sy, sikundër ndihen nëpër vargje. Ndaj ai ka krijuar cikle albumesh të plota me figura të përkryera poetike që ngjizen nëpër ngjyra me po atë shpirt poetik. 

E, ky Koço Ristani, piktori-poet, ka lënë mbresa të forta e të pashlyeshme në të gjitha vendet ku kaloi dhe u ekspozua vepra e tij, si në Rusi, Suedi, Gjermani, Greqi e Maqedoni dhe mbresat e përkufizimet tona nuk janë veçse një shfaqje e thjeshtë e vlerave të tij artistike e njerëzore… ( Botuar në “ Gazeta e Athinës” dhe në librin “ Biseda me Muzat”. Viti 2008)

Filed Under: ESSE Tagged With: Koço Ristani, Miho Gjini, Vlash droboniku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT