• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOKOL MALUSHAGA-TALENTI ARKITEKTONIK SHQIPTAR NË NEW YORK

December 3, 2018 by dgreca

….Prej muratorit të antikuitetit e deri te krijuesit e kohërave moderne, prej Mimarit e deri te Sokoli, talenti i arkitektit Shqiptar vazhdon të pasuroj thesarin botëror./

1 a Ilir R1 c Ilir R1 Ilir Rizaj1 b Rizai I

Teksti dhe Fotografija: Ilir Rizaj/

 

Vala e re e arkitektëve të talentuar Shqiptarë  që jetojnë dhe veprojnë në vende Perendimore është duke u shtuar çdo ditë. Eshtë kjo një dukuri jo e papritur, nësë kemi parasysh se arkitektët kryesorë në Perandorine Otomane kan qenë me prejardhje nga mjedisi jonë, me Mimar Sinanin në krye, që njihet si një nga krijuesit më gjenial në këtë lami.

Arkitekti Sokol Malushaga jeton dhe vepron në New York, është bashkëpronar me Eduard Malushin në Ari Group, kompani arkitektonike-ndërtimore që është e specializuar në projekte ultra-luksoze në Manhattan.

Sokoli ka studjuar arkitekturën në Cooper Union, një nga kolegjet më të respektuar në botë. Punimi që lidhet me tezën e tij të diplomës (1997), është zgjedhur të shfaqet në Cooper Union në ekspozitën Arkiva dhe Objekti – Virtuale dhe Fizike, ekspozitë që ka për qëllim t’i bëj homazh pedagogëve të këtij institucioni, duke prezentuar projektet e studentëve të tyre të 50 vjetëve të fundit.

Prej një numri shumë të madh të studentëve, janë zgjedhur vetem 35 teza të diplomës për këtë ekspozitë. Punimi i Sokolit, që ka si subjekt koncepin e murit dhe tullës, shfaqet në mesin e projekteve nga disa prej arkitektëve dhe pedagogëve të sotëm me fame botërore, që kane studjuar në Cooper Union, si Daniel Libeskind, Diane Lewis, Elizabeth Diller e të tjerë.

Sipas Sokolit, projekti i tij është një studim i kufijve që definohen me prezencën e mureve dhe ri-ndërtimin e tyre të vazhdueshëm: kufijtë e një dhome, shtëpije, rruge dhe qyteti gjithmonë janë definuar me mur…muret jane të gjalla, kanë rrënjë, që te ngritet muri, një sacrificë është bërë.

Sokol Malushaga ia kushton këtë projekt vendlindjës së tij Pejës, duke theksuar në vazhdim se Peja është njohur si qytet i zejeve të shumta, një prej tyre edhe tullë-mbaruesve, kështu që rrjedhimisht tulla dhe muri e simbolizojnë dialogun mes të vjetrës dhe te resë, që mundesojnë struktura qe kurrë nuk kryhen.

Prej muratorit të antikuitetit e deri te krijuesit e kohërave moderne, prej Mimarit e deri te Sokoli, talenti i arkitektit Shqiptar vazhdon të pasuroj thesarin botëror.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Rizaj, Sokol Malushaga, talenti Arkitektonik Shqiptar

Presidenti qё mbylli erёn e Luftёs sё ftohtё dhe udhёhoqi luftёn e parё tё Gjirit

December 3, 2018 by dgreca

bush2

GEORGE H. W. BUSH (1924 – 2018)/

  • Presidenti i 41-tё i Shteteve tё Bashkuara ( dhe babai i tё 43-it) vdiq nё moshёn 94 vjeç. Nё Shtёpinё e Bardhё pёr njё mandat, mbylli erёn e Luftёs sё ftohtё dhe udhёhoqi luftёn e parё tё Gjirit./

1 Familja Bush

-Bushi i vjetёr i humbi zgjedhjet e vitit 1992, i tradhёtuar nga kriza ekonomike e brёndёshme dhe nga qёndrimi i tij, i pёrceptuar nga njerёzia si shumё i ftohtё dhe aristokratik. Duke u marrё me qytetarё qё ndjeheshin tё varfёruar, i ngushёllonte me mesazhe tё shkurtёra e tё ngrira. U mund nga njё guvernator i panjohur i Arkansasit, qё dinte tё arrinte zemrёn e njerёzisё: “Ndjej vuajtjen tuaj”. Deri nё ngёrdheshjen e njohur: “It’s the economy, stupid”. Kёshtu kanguri i vogёl Klinton zuri vendin e drejtuesit tё fundit tё brezit tё luftёs botёrore./

Shkruar nga Massimo Gaggi/ Corriere Della Sera/

NEW YORK 1966: presidenti Lyndon Johnson arrin nё Houston pёr tё mbёshtetur kandidatin demokrat tё Texasit qё kёrkon t’i marrё vendin nё Kongres George H. W. Bushit, deputetit republikan nё fuqi. Bushi dёrgoi gjithё personelin e zyrёs sё tij zgjedhore pёr tё duartrokitur presidentin qё kishte ardhur t’a sulmonte. Njё anekdotё e vogёl qё thotё shumё se sa ёshtё ndryshuar nё pak dhjetёvjeçarё politika amerikane: stil e brendi. Nuk ёshtё e rastit qё  njё personazh, i cili mё parё se tё fitonte presidencёn, kishte qёnё njё pronar i pasur nafte, shefi i Cia-s nё vitet qё e majta shikonte shёrbimet e fshehta me armiqёsi, dhe zёvendёs i Reagan-it tё adhuruar nga e djathta mё konservatore, nё çastin e vdekjes merr nderime mё tё ngrohta nga demokratёt se sa nga republikanёt.

Barack Obama qan “atdhetarin dhe shёrbyesin e pёrunjur tё Shtetit, tё cilit i detyrojmё njё mirёnjohje tё pakufishme”, ndёrsa ёshtё i ngrohtё edhe lavdёrimi i Bill Clintonit (i cili e mundi nё 1992 mbas njё fushate tё ashpёr zgjedhore), ai i Al Gore-t e tё tjerё drejtuesve demokratё. Natyrisht edhe republikanёt i bёjnё nderimet presidentit tё tyre, por nё mёnyrё mё tё thatё. Donald Trump ka vendosur tё marrё pjesё nё funeralin e tij dhe ka lёshuar njё komunikatё nё tё cilёn nderon shtetarin mbasi e ka lavdёruar nё tuitet e para pёr dhuntitё e tij njerёzore dhe lidhjet e tij me familjen.

Me gjasё ёshtё njё pasqyrim i ndryshkut qё ishte ndёrmjet dy presidentёve: Trump-i i arritur nё Shtёpinё e Bardhё duke kriminalizuar drejtimin e vjetёr tё mishёruar, djathtas, pikёrisht nga familja Bush. Dhe Georgi plak qё, megjithёse nё njё stil shumё tё matur, nuk mungonte tё bёnte tё pёrbirohej pёrçmimi i tij pёr mёnyrёn e vrazhdё tё tё bёrit politikё tё Trump-it qё njё herё, duke braktisur urtёsinё tradicionale, e pёrcaktoi madje si njё mitdhёnёs.

Nё njё karrierё publike, tё zgjatur nё gati 70 vite, presidenti i 41-tё i Shteteve tё Bashkuara, i vdekur nё moshёn 94 vjeç, ka qёnё protagonist i njё Amerike tashmё tё fshirё: ajo nё tё cilёn politikanёt , tё djathtё e tё majtё, bashkёndanin tё njёjtat vlera, kishin njё etikё tё pёrbashkёt. Madje ishin t’aftё tё flijoheshin, jo vetёm me fjalё, pёr Vendin e tyre. Ishin mёsuar tё qeverisnin duke mbajtur gjithmonё nё vёmёndjen e duhur kompetencёn dhe urtёsinё.

Ishte njё kushtim qё Bushi tregoi qё nga vitet e rinisё: bir i njё senatori tё Conecticut, i rritur nё kamje e gati pёr tё hyrё nё universitetet mё tё çmuara tё Amerikёs, 18 vjeç braktisi gjithshka, mbas sulmit japonez tё Pearl Harbor-it, pёr t’u rekrutuar nё Marinё. Qe piloti i ri i US Navy. U dekorua si hero i luftёs mbasi u rrёzua me aeroplanin e tij mё 1944.

Mbas mbarimit tё luftёs u diplomua nё Yale e pastaj u shpёrngul nё Texas, ku nё moshёn 40 vjeçare ishte njё milioner i naftёs. Por politika e tёrhiqte mё shumё se sa biznesi: dy mandate nё Kongres, pastaj role diplomatikё si ambasadori i ShBA nё OKB e mё pas nё Kinё, pastaj shef i Cia-s. Mbas viteve pёrkrah Reagan-it si zёvёndёs i tij, zgjedhja president mё 1988. Nё Shtёpinё e Bardhё qёndroi vetёm pёr njё mandat, por nё vite tejet tё ngjeshura pёr politikёn e jashtёme amerikane e botёrore: sot kujtohet mbi tё gjitha pёr Luftёn e Gjirit tё vitit 1991 qё e pa protagonist absolut, por George H. W. Nё Shtёpinё e Bardhё ka mbyllur erёn e “Luftёs sё ftohtё” e ka mbarёshtuar me urtёsi stinёn e rёnies sё Murit tё Berlinit e tё shkёrmoqjes sё BRSS, deri nё ribashkimin e dy Gjermanive. Ka dhёnё njё ndihmesё tё rёndёsishme nё çarmatimin me Traktatin pёr pakёsimin e armёve strategjike mё 1991.

Mbas mёsymjes sё Kuvajtit nga ana e Irakut Bushi i vjetёr dijti tё ndёrtojё njё bashkёlidhje shumё tё gjёrё, pothuajse planetare, kundёr Sadam Hysejnit. Ajo e janarit 1991 qe njё luftё rrufe. Por mbas çlirimit tё Kuvajtit dhe shkatёrrimit tё ushtrisё irakene, presidenti amerikan  e ndaloi marshimin para se t’arrinte nё Bagdad. Mos shfronёsimi i diktatorit iraken nё atё kohё ngjalli mjaft dyshime. Ai e shpjegoi me vullnetin pёr tё mos krijuar njё fuqi pushtimi tё pёrherёshme: nёse do tё kishin pushtuar kryeqytetin amerikanёve do t’u duhej tё qeverisnin Irakun. Atё e bёri 12 vjet mё vonё i biri George i riu, i 43-ti president amerikan, me pёrfundime shkatёrrimtare, qё sё mbrami, i kanё kthyer dinjitet zgjedhjeve politike tё njё presidenti, sot i konsideruar njё drejtues i madh i politikёs sё jashtёme tё ShBA.

Megjithё sukseset e tij ndёrkombёtare, Bushi i vjetёr i humbi zgjedhjet e vitit 1992, i tradhёtuar nga kriza ekonomike e brёndёshme dhe nga qёndrimi i tij, i pёrceptuar nga njerёzia si shumё i ftohtё dhe aristokratik. Duke u marrё me qytetarё qё ndjeheshin tё varfёruar, i ngushёllonte me mesazhe tё shkurtёra e tё ngrira. U mund nga njё guvernator i panjohur i Arkansasit, qё dinte tё arrinte zemrёn e njerёzisё: “Ndjej vuajtjen tuaj”. Deri nё ngёrdheshjen e njohur: “It’s the economy, stupid”. Kёshtu kanguri i vogёl Klinton zuri vendin e drejtuesit tё fundit tё brezit tё luftёs botёrore.

“Corriere della Sera”, 2 dhjetor 2018   E pёrktheu Eugjen Merlika

 

Filed Under: Featured Tagged With: 1924-2018, Eugjen Merlika, George H.W Bush

FIGURA VIGANE E SKENDERBEUT

December 3, 2018 by dgreca

BOTUAR 40 VJET MË PARË NË GAZETËN- DIELLI, 15 SHKURT – 16 MARS, 1978/

1 Idrizi

NGA IDRIZ LAMAJ/

        Në veren e vitit 1977 u mbushen 115 vjet qekur poeti dhe shkrimtari i njohur maqedon, Grigor Perliçev, kurorëzoi veprimtarinë e tij letrare me një poemë të shkelqyer historike prej afër 3800 vargjesh.  Poema mban titullin “Skenderbeu” dhe ka ngel e panjohur deri me 1950, kur dorëshkrimi i saj, origjinal në gjuhën greqisht, iu dorëzue Bibliotekës shtetërore “Vasil Kollarov” në Sofje të Bullarisë.

Edhe pas zbulimit të këtij dorëshkrimi me rëndësi të veçantë, kaloi një kohë e gjatë derisa i hyri punës serioze, shkrimtari i njohur bullgar, Hristo Konov, i cili bëri përkthimin e parë të kësaj vepre në gjuhën bullgare. Më vonë, vepra në vetvete zgjoi kureshtje për përkthim edhe te studiuesit e kritikës letrare maqedone, në republikën e Maqedonisë në Jugosllavi.

Me këte vepër të rrjedhshme poetike, e cila provon qendresën heroike dhe  rritjen historike të Kombit shqiptar me Skenderbeun në krye, Grigor Perliçev mori pjesë në konkursin për poemën më të mirë në gjuhën greqisht, me 1862.

Por, “…plot nëntdhjetë vjet mbeti i panjohur fati i kësaj poeme, e plotë një shekull brendësia e sajë…”, shkruen paraqitësi dhe përkthyesi i poemës në bullgarishtë, Hristo Konov.

Një shkrimtar tjetër bullgar, kritiku dhe letrari i njohur Aleksander Milev, njohës i thellë i jetës dhe veprave të Perliçevit, në një koment që i bëri poemës “O Armatollos”, e cila fitoi çmimin e parë në një konkurs letrar me 1860, lenë për të kuptur se poema “Skenderbeu” nuk e fitoi çmimin në konkursin e vitit 1962 për arsye politike. Poema “O Armatollos”, njëra prej veperave poetike më të përsosura letrare të Perliçevit, bënë fjalë për Serdarin e njohur maqedonas, Kapidanin Kuzman, të cilin e vranë kaçakët e Gegëris.

Dy kritik dhe përkthyes të njohur maqedon, Gregori Stalev dhe Mihail Petrusevski (ky i fundit thonë se ka bë një përkthim dinjitoz të poemës “Skanderbeu” në gjuhën maqedone), shkojnë edhe më larg.

        Të dytë mendojnë se poemen “Skenderbeu”, poeti e paraqiti në konkurs në një kohë jo të favorshme, sepse në atë kohë,  kleri shovenist i Kishës greke “…bënte propagandën e deshprimit për helenizimin e të gjithë Ballkanit…”. Prandej, një vepër e tillë si kjo (është fjala për poemen “Skenderbeu”, IL.), jo që ishte e pamundur të fitonte çmimin e merituar, por “ishte e pamundur të shihte dritën e botimit”. (Shih: Greogri Stalev, Grigor Perliçev “Serdarot”, Misla, Skopje 1973, kapitujtë, “Perliçev vo svoeto vreme” , dhe “Makedonija vo vremeto na Perliçev”).

Sidoqoftë, zbërthimi i kësaj çështje kërkon një studim të veçantë shkencor. Sepse, bullgaro-maqedonët që janë marrë me komentimin e kësaj vepre kanë bërë edhe “punën” e tyre politike. Asnjëri nuk na thotë: Çfarë e shtyri Perliçevin të merret me botën shqiptare? Në çfarë rrethanash është shkruar poema “Skenderbeu”? Si dhe nga e njofti Perliçevi popullin shqiptar dhe pse kishte aq dashuri e respekt për Skenderbeun?

Fundi i fundit, kjo dihet nga të gjithë: Grigor Perliçev lindi me 1831, u rritë, jetoi dhe vdiq (me 1893) në qytetin e Ohrit të Shqipërisë Etnike, ku masa dërmuese e atij qyteti ishin  shqiptar.

        Tani, le të shohim në vija të përmbledhta përmbajtjen madhështore të poemës në fjalë. Që në fillim, ashtu si këngtarët në këngët tona  popullore kreshnike, poeti i tërhjek vrejtjen lexuesit, të përcjell me vemendje secilen lëvizje të ngjarjeve, të cilat zhdërvillen si vargoj, njëra pas tjetrës.

Ky poet gjeni, i paisur me mësimet e poetëve mjeshtër të klasicizmit bizantin, nuk e len lexuesin pezull, përkundrazi, në vargun e dytë, në fillim të poemës e cila është afër 3800 vargjesh thotë:

        “Po bëhem gadi t’iu kendoj për t’famshmin Skenderbeg”.

          Dhe, kështu e fillon këngën e tij me një hyrje të gjatë. Kjo hyrje e gjatë, e gjall dhe e gërzhitshme, pasohet me këngën e parë e cila përputhet historikisht me jetën dhe gjendjen e heroit tonë – me levizjet energjike të Skenderbeut, me vendosmerinë e shqiptarve –“zmiata luta” – shlliga të idhta, dhe me trimrin e kapidanëve, aleat të Krytrimit të Krujës.

Nga një herë, ndjenjatë shpirtërore të poetit dhe relacioni i njohjes së tij me realitetin historik, duket se zbutin e vargun poetik:

        “Filloje ti këngën e muzës gojëmbel, virgjiresh”,

por papritmbas, aty përaty e urdhëron muzën  nevrikisht:

“Këndoj ata trima që tashi kanë me u përlesh”.

          Me elemente homerike, me vargje të rrjedhshme 15 rrokshe, pa i dhënë rëndësi rimës, poeti na sjell në ball të 20 mijë ushtarëve turq Ballaban Pashën, para mureve vigane të Kështjellës së Krujës.

Por, sa arrinë ushtria turke, akoma pa u vendosur nëpër çadratë plisverdha, komandanti i tyre, satrapi renegat Ballaban Pasha, e nis korierin e tij, Eminin,  për në Kështjell të Krujës, me i dërgue Skenderbeut dhuratat dhe me marrë hetime mbi pozitën strategjike të fortifikatës legjendare të Krujës.

Mbrenda mureve të  Kështjellës, Emini pritetë bujarishtë nga sherbyesitë. Ai mbetet i mahnitur nga pritja e shqiptarëve në një lloj ceremonie fetare ku ishte edhe Skenderbeu me  shokët dhe miqët e tij. Pas ceremonisë, Prijsi Shqiptar (kryeheroi i poemës), me anën e Dimkos i dërgon Ballaban Pashës “dhuratat” e veta: Drapnin, kazmën dhe umin e parmendës jetike, që t’i sjell në mend  rrjedhen e gjakut të tij.

        Nga qendrimi i Skenderbeut, Ballaban Pasha tërbohet prej inatit. Në mënyrën më mizore, duke e ngulur në hu, e mbyt  Dimkon e shkret, megjithëse këshilltari plak i Ballabanit u përpoq t’ia mbronte jetën duke i thënë: “Është turp dhe falimentim politik me e vra të dërguarin e Skenderbeut në besë”. Këtë krim të pandërgjegjshëm e mbështeti edhe Jakubi, krahu i djathtë i tij. Ai me fjalë fyese hidhet kundër këshilltarit të mençur osmanli. Në atë ndërkohë ia beh në kamp të ushtrisë turke perç-gjati Sinan, i cili përngjet në një gogol të llahtarshëm. Atë e kishte dërguar Sulltani si pararoje kundër Krujës. Sinani i tregon Ballabanit për masakrimin e tmerrshëm të ushtrisë së tij, në ndeshjen e përgjakshme me shqiptarët, ku kishte pësuar disfatën e plotë. Sinanit në fushën e betejës i kishte mbet edhe i vëllai.

Me një fines prej poeti mjeshtër, Përliçevi përshkruen fatkeqsinë e ushtrisë turke, tronditjen dramatike të shpirtit të Sinanit dhe zemrimin e pakufi e të çmendur të Ballabanit. Ballabani vendos qysh në agim të sulmoj me të gjitha forcat e veta Krujen e Skenderbeut.

        Sipas poemës, muzgu i mbrëmjes bjenë përtokë, ushtria turke është në dieni të plotë që të nesërmen porsa të shkrep dielli, të gjithë si një trup i vetëm do të hidhen mbi muret e trasha të Kryeqytetit të Arbëris. Megjithëse duket një farë shqetësimi në fytyratë e tyre të zbehta si gëlqere, shihet edhe një lloj optimizmi për “fitoren e sigurtë”. Numëri i madh i ushtrisë dhe oficerët trima me Ballabanin në krye i japinë zemër dhe shpresë edhe ushtarit më frikacak.

Në tjetrën anë,  mbrenda Kështjellës të Krujës të rrethuar me mure dhe hendek, mbretëron qetësia, nuk shihet asnjë shqetësim. Skenderbeu ka shtruar një darkë madhështore, me mish të pjekur në hell dhe verë të kuqe, për aleatet e vet. Në darkë është i pranishëm edhe Emini i  cili përpiqet me i mbush mendjen Skenderbeut dhe kapidanëve të tjerë për vendosmërinë dhe suprioritetin  e ushtrisë turke.

Sipas versionit të poetit, ende pa mbaruar darka, njëri prej besnikëve të Skenderbeut, tregon publikisht për vrasjen e shemtuar të Dimkos nga Ballabani. Eminit i dridhet zemra, i zgurdullohen sytë dhe i zbehet fytyra e i bëhet myk. Ai frikohet prej hakmarrjes, por Skenderbeut as që i shkon në mend  një gjë e till. Përliçevi, poeti i Ohrit, tamam si të ishte vet arbëror, i drejtohet Eminit të frikësuar për vdekje:

 

        “Çlirohu dhe uli t’rrahurat e zemrës Emin i pahshëm,

          Dhe qetësohu lirisht si t’ishe në shtëpinë tënde.

          Se ti je në tryezë dhe n’bukë të shqiptarëve të ndershëm,

          Të cilët për besë e nderë s’largohen kurrë prej vdekje”.

        Domethënë, hakmarrja nuk vjenë në vështrim. Eminit i bënë përshtypje të thellë shpirtmadhësia e shqiptarëve, gjakftohësia e komandantit të tyre dhe maturia e çdo bisede. Ai vendos të mbetet bashk me shqiptarët në Kështjell të Krujës por iu lutet që mos t’a detyrojnë të lyejnë duert e tij me gjakun e vëllzërve të vet.

        Egërsohet nata nga të ftohtit, përveç stuhisë gjëmojnë malet e larta të Krujës kreshnike. Ballabanin, që ishte shtri për një sy gjum, e mbulon një djerës e ftohët, e kaplon një ankth i çuditëshëm, një ënderr e keqe i paralajmëron ndeshjen e afërtë dhe kobin e zi.  Gëdhin mengjezi i bardh, rrezet e diellit fillojn me përbi lagështirën e natës, Ballaban Pasha përgaditet për sulm. Ushtria e tij e veshur me çelik është regjimentuar, burizanët e ushtrisë lajmërojnë gadishmërinë.

Ndërkaq, Skenderbeu me shpatë ngjesh dhe pelerinë krahëve, pasi përshendet të shoqen dhe të birin; shaluar mbi gjog të mejdanit, si një shkëmb i gjall, vëhet në ball të ushtrisë shqiptare. Për të dy anët e krahëve të tij janë rreshtuar trimat në zë si Andre Topia, Lek dhe Pal Dukagjini, Tanushi, plaku – Komnen Arianit dhe tok me ‘ta Despoti i Malit të Zi, Cernojeviqi, tmerri i turqëve, i cili kishte lidhur fatin e Principatës të vet me të famëshmin Skenderbe.

        Të dy ushtritë qendrojnë ball përball me njëra-tjetrën. Ushtria shqiptare numerikisht më e vogël, ec me hapa të matur dhe të ngadalshëm drejtë armikut.  Ushtria e madhe turke nxiton hapat drejtë kundërshtarit. Të dy palët zbatojnë përpikërishtë urdhërat e gjeneralëve të tyre.

Por, sa afrohen  në një afërsi që dallon trimi – trimin, del Jakubi nga turma e ushtrisë turke, dhe me një zë të çjerr i kërkon mejdan Skenderbeut.

        Të shpejtë si dy rrufe prej qielli, Tanushi shqiptar dhe Crnojeviqi malazez, i çveshin shpatat për t’i dal në mejdan Jakubit, por Skenderbeu, më i shpejt se rrufeja, goditë me thember të hekurtë gjogun e mejdanit, vërsulet si shigjeta, dhe brënda një afati të shkurtë i qeron hesapet me Jakubin; me një të rën shpate, Ai e hedh për tokë  krahun dhe  kokën e  trimit anadollak – krahun dhe kokën e Jakubit.

        Fillon përleshja e përgjakshme. Ball përball, gjokës përgjokës,  çelik për çelik ndeshen burratë. Ballabani i tërbuar për vrasjen e Jakubit, hiqet me dal në dyluftim me Skenderbeun por nuk e lejon këshilltari plak, sepse vrasja eventuale e tij do të  demoralizonte ushtrinë turke. Nga të dy palët vritën një mori trimash, fusha e mejdanit mbushet me kufoma të këltitura në gjak. Fati luftarak kalon nga njëra anë në tjetrën. Skenderbeu pasi shtrin përdhe edhe Halilin si herkul, duke pre koka armiqësh për të dy anët, si tigër i tërbuar hynë në zemër  të  ushtrisë të armikut.

Ballabani që ruhet prej Skenderbeut, një çast gjëndet para tij. Duke shpresuar se mund t’i shpetonte nga tehu i shpatës, ai nis me ikë, por Skenderbeu me shpjetësi vetëtime kap një gur të madh dhe e qellon. Kështu, i turpruar, aspak trimërisht, humb jetën satrapi mizor Balllaban Pasha.

        Me vrasjen e tij vendoset fitorja e shqiptarëve. Ushtria turke shpartallohet keq, merret nëpër këmbë të ushtrisë shqiptare dhe korret literalisht nga shpatatë e tyre. Përleshjen e hatashme dhe disfaten fatale të turqëve, poeti e përshkruan hollësishtë në disa faqe të librit. Ai e përfundon poemën duke iu lutë Zotit që të mëshirojë ndaj fatit të robëve të luftës dhe i nderpren luftimet.

Në këtë mënyrë përfundojnë edhe  vepratë pavdekshme të Homerit e të Virgjilit. Në veprën e  Perliçevit, figura e Skenderbeut ngritet në olimpin e heronjëve më të mëdhenjë. Heroi i jonë vëhet në ball të njerëzve më të virtytshëm dhe më të drejtë, njëkohësisht edhe në vargun e trimave më të njohur në ç’do kohë.

Duke lexuar “Skenderbeun” e Përliçevt, lexuesit i kujtohen heronjët e Iliadës të Homerit dhe të Këngëve të Rolandit. Ai harron se është duke lexuar për ndeshjen e përgjakshme te  Bedemet e Krujës, dhe i fluturon mendja te ndeshjet e tmershme fyt-përfyt rreth mureve të Trojës dhe të Saragosës; apo, te ndeshjet vigane të Lekës Madh me Darin e Persisë.

Epokën e Skenderbeut, të mbushur me lufta të shumta heroike, e nderoi çdo shekull me vepra historike dhe letrare.

Në qoftë se krahasojmë, si është lartësuar figura e Skenderbeut nga autorë të ndryshëm, duhet shfletuar e komentuar edhe poema e Grigor Perliçevit. Kur të bëjmë krahasimin, padyshim vijmë në përfundim se vepra e tij radhitet në vargun e veprave më të njohura poetike që u janë kushtuar figurave të shquera legjendare Europiane.

Kjo vepër iu bën jehonë ngjarjeve historike të asaj kohe, dhe për më tepër,  vesh famën e Skenderbeut, siç thotë kritiku letrar bullgar – Konov,  me petkun e simbolit të ethnicitetit arbëror.

Filed Under: Politike Tagged With: e Skenderbeut, FIGURA VIGANE, Idriz Lamaj

FLORIDA- PËR MEMEDHENE, PER FLAMURIN KUQ E ZI

December 3, 2018 by dgreca

1 aa Tasim3 Tasim1 aartistet shqiponje1 kecejne1 ana me nje grup vajzash1 edhe kjo1a salle e mbushur

– VATRA dhe “Albania Heritage Foundation of Tampa Bay” organizuan një manifestim të shkëlqyer në Ditën e Flamurit/

– Këngëtarët superstarë Frederik Ndoci, Gëzim Nika dhe Ermira Babaliui e mbajtën të ndezur festën deri pas mesnatës/

– Performancë e shkëlqyer e grupit të valleve “Shqiponja”, pjesmarrëse në Festivalin Folkorik Ndërkombëtar në St.Peterburgs…/

– Recituesit e Shkollës Shqipe”VATRA” përcollën vargje me frymë atdhetare/

Nga Luan Kalana*/

Fotografitë- Gearta A Kraja/(Per me shume fotografi shihni ne facebook-dielli vatra)

Shqiptarët e Diasporës, zemra e Shqipërisë . -Mbrëmje madhështore festive familjare ,Festa e Flamurit në Clearwater -Tampa Bay Florida me pjesmarrjen e këngëtarëve superstar Gëzim Nika, Frederik Ndoci, Ermira Babaliu si dhe një performancë e shkëlqyer e grupit të valleve “Shqiponja”të vajzave shqiptare ,me një repertor të ri vallesh nga të gjitha krahinat e vendit me kostume kombëtare. Pas Himnve Kombëtare,të dy vendeve tona SHBA dhe të Shqipërisë të kënduara nga vajzat shqiptare,në skenë u ngjitën vogëlushët , studentet e Shkollës Shqipe “VATRA” që recituan në shqip, vargje për Shqipërinë.Ata u duartrokitën me emocione nga pjesamarrësit e shumtë që kishin mbushur pallatin e Sportit,të ardhur dhe nga qytete të tjera të shtetit të Floridës ; si nga Naples,Miami,Janksoville, Orlando e të tjerë.

Artistja koreografe Anisa Papadhima “hoste” e mbrëmjes ftoi në shesh palestër grupin e valleve” Shiponja ” të vajzave shqiptare, të cilat erdhën pas suksesit të bujshëm në skenën e Festivalit të 44-Folkorik Ndërkombëtar në St.Peterburgs. Ato ngritën peshë publikun pjesamarrës sikur të ishin shqiponja të vërteta që “fluturonin” në sallë.

Në mes të një entusiazmi të papërshkruar mbajti fjalën e rastit kryetari i degës së “Vatrës” të Tampës, z.Tasim Ruko. Ai theksoi momentet historike të lirisë që nga ngritja e Flamurit 28 nëntor 1912 deri në ditët tona duke përmendur edhe Pavarsinë e Kosovës dhe të përpjekjet për liri, përpjekjet e popullsisë çame për të fituar të drejtat e tyre legjitime për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, tek varret e të afërmëve, dhe njohja e genocidit mbi popullsinë e pavarur çame. Përshëndeti në emër të shoqatës “Albania Heritage Foundation of Tampa Bay,” znj.Ersi Pasko, organizatore e mbrëmjes festive bashkë me degën e “Vatrës”,që vlen të përgëzohen për një organizim të përsosur të këtij evenimenti historik. Hapi siparin e këngëve kantoutori i mrekullueshëm Frederik Nodoci,duke ftuar pjesmarrësi të ngriheshin në kmbë dhe të këndonim së bashku këngën “Për Mëmëdhenë” me vargjet himn “Eja ,eja ,mbidhuni këtu- këtu, bashkë me Ne..”

Këndonin të gjithë njëzëshëm si një kor i përbashkët…Sa bukur…Ishte zëri i Diasporës, zemra e Shqipërisë. Plot emocione dhe me duartrokitje u ndoqën këngët atdhetare të këngëtarit aq popullor Gezim Nika, i cili zbriti nga skena në sallë dhe këndonte live dhe kërcente së bashku me pjesmarrësit. Gaz dhe hare, motra e vëllezërit shqiptarë të gjithë bashkë brohorisnin e këndonin për Shqipërinë “kuq e zi”. Gjatë mbrëmjes festive pati dhe momente emocionale të papërshkruara që lanë mbresa të pashlyeshme tek pjesmarrësit në sallë.Aktivistja e dalluar e komunitetit shqiptar znj Emine Idrizi, i dhuroi një buqetë me lule këngëtares korçare Ermira Babaliu për interprtimine palodhur të këngëve qytetare dhe ato të serenatave korçare. Me duartrokitje u pritën, edhe dhënia e stimujve moralë ,aktivistëve të dalluar të komunitetit shqiptar nga Dr.Ardian Kraja, lideri i komunitetit shqiptar, i cili falenderoi dhe i dhuroi nga një çmim simbolik veteranëve patriotë të palodhur z.Isuf Spahia dhe z.Metat Idrizi. Nuk mund te lëmë pa përemendur fotografen e re profesioniste të talentuar e të palodhur të komunitetit ,Gearta A. Kraja,e cila si një kroniste e vërtetë , shkrepte aparatin duke regjistruar gëzimin dhe mbresat e mbrëmjes. Mbrëmja E Flamurit Kuq e Zi vazhdoi deri pas mesnate mes këngëtarëve, me këngë e valle papushim.Gëzuan shqiptarët e Diasporës, Festën e bukur të Flamurit. Ky eveniment është një mesazh historik për vëllazërimin dhe bashkimin e Kombit Shqiptar. Të rrojë Shqipëria në shekuj!.

* Luan Kalana,-Sekeretar i degës së Shkrimtarëve dhe  artisteve në Clearwater& Gearta A.Kraja,-fotografe dhe dancer e grupit te valleve Shqiponja”

24 nentor 2018 Florida SHBA.

Filed Under: Featured

NIKO KIRKA, PATRIOTI DHE VEPRIMTARI I SHQUAR

December 3, 2018 by dgreca

In Memoriam/

1 Kirka 6

NGA PELLUMB KULLA/

Të Dielën, 2 Dhjetor,  në Nju Jork, në moshën 92 vjeçare mbylli sytë, Niko Kirka, miku im i shtrenjtë, një personazh vërtet i rrallë, shok i këtyre viteve amerikanë.
Nikoja pat lindur në truallin amerikan. Ishte bir i një patrioti shumë të fismë, Kristo Kirkës, njërit nga etërit e Vatrës, krahu i djathtë i Nolit, aktivist i shquar në emigracion sikurse dhe në atdhe pas kthimit familjarisht. Babai i Nikos shërbeu si përfaqësues në parlament dhe në detyra të ndryshme administrative, caktuar nga mbreti. Nuk u largua me ikjen e pushtuesve të huaj. Pagoi vetbesimin e tepëruar se meritat patriotike dhe e kaluara pa njollë ishin kredenciale serioze që do ta mbronin nga keqtrajtimi i mundshëm i “bijve të Stalinit” që erdhën në pushtet. dhe që Kristo Kirka, ashtu si edhe Fan Noli, i njihte mirë. Besim i kotë! Që në ditët e para komunistët atë e burgosën dhe plaku i shquar mbylli sytë në burgun famëkeq të Burelit.
Nuk e kalova masën me një jetëshkrim më tepër, teksa u ula të bëj homazh për birin e tij, Nikon. Por është dicka e veçantë, diçka e rrallë edhe kur tregon për shokun e tij të burgut. Babë e bir u bënë vërtet shokë burgu, sepse që në moshën 19 vjeçare, njeriut që u nda sot nga ne, iu hodhën hekurat. Nga burgu Niko Kirka doli pas katërmbëdhjetë vjetësh. La atje qelinë tok me babanë e tij të varrosur në humbëtirë dhe kaloi një jetë të mundimshme shtrënguar në punë të rënda në kanalet e komunales dhe vështruar shtrembër për ato që pat hequr prapa hekurave.
Nuk gjen dot kollaj një individ që të ketë sjellë kaq shumë histori kombëtare poshtë thinjave të tij të bukura. Në shoqërinë e tij të çmuar, miqtë e tij të ngushtë ku bëja pjesë edhe unë vetë, kemi mësuar më shumë se nga tërë librat e shkruar për vatranët, për autoqefalinë e Kishës Ortodokse, për Bostonin dhe “Diellin”, për pafundësinë e konflikteve shqiptaro-shqiptare mbi truallin e këtij vendi. Ky njeri të mahniste me kujtesën e tij fenomenale, me citimet e sakta me zhdërvjelltësinë e përmendjes së emrave të shumtë, datave të pagabuara që sillte ai në tregimet e tij. Ishin të shumtë njerëzit, që e vërenin me zili, siç e vëreja edhe unë, kulturën e tij historike, atë atdhetare, kulturën letrare dhe kulturën politike.
Niko Kirka është ndjerë i gjallë dhe i shqetësuar për shumë çështje që solli sidomos mënjanimi i komunizmit dhe transformimet që duhet të sillte tranzicioni. E kemi parë atë shumë luftarak, debatues dhe të papajtueshëm në qendrimin ndaj politikave paskomuniste për të përndjekurit, për mosdëshirën në rikthimin e pronave të grabitura, për mbajtjen kyçur pa skrupuj e pa shpjegim të dosjeve me mëkate, për dyfaqësinë e partive kryesore, pasardhëse të asaj enveriste…
Shëmbullor ishte angazhimi i tij pasional në kundërshtimin e përpjekjeve për të dëmtuar trashëgiminë e Peshkop Nolit dhe për mjegullimet e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare.
Dhe në shkrimet e Kirkës, (përmbledhur në vëllimin e tij dinjitoz “Për Mëmëdhenë”) lexuesit mund të venë re zhdërvjelltësinë e argumentimit, elegancën e shprehjes, gjuhën letrare dhe figurshmërinë si pajë e edukimit të shëndetshëm që mori ai në Liceun e Korçës. Aty çdokush shquan lehtësisht konseguencën e tij antikomuniste, përbuzjen ndaj inskenimeve katoviciane dhe keqardhjen për varfërinë e idealizmit, që Kirka nuk rreshtëte pa e nënvizuar edhe në intervistat e tij mbresëlënëse televizive dhe artikujt e mëvonshëm që i janë publikuar rregullisht.
Atdhetarizmi i këtij njeriu ka qenë gjithnjë i pashuar dhe frymëzues për ata që qarkonin rreth tij. Është interesant një episod në një takim me të ndjerin Ibrahim Rugova. Duke biseduar, Nikoja, pa kurrfarë bubullime, i rrëfeu atij se edhepse ishte korçar, e deshte Prishtinën po aq sa edhe Korçën. Rugova e falenderoi. “Falenderimi nuk shkon,” nuk iu ndënj pa thënë Kirkës, “Zotrote të më falenderoje po të isha francez!”
Presidenti Rugova e përqafoi dhe i kërkoi falje. Kjo dashuri e këtillë, shfaqur në brigjet e Nju Inglandit në sytë e të Parit të Kosovës e rriste personazhin tonë në përmasat e një dinosauri.
Dhe nuk kishte si të mos ishte Niko Kirka, një dinosaur nga ata që lindën në viset e Bostonit, nga ata që e morën atdhetarinë me qumështin e gjirit, dhe panë historinë e vendit, një herë që andej, pastaj nga dritaret e Liceut të Korçës, që prapa hekurave të burgut, nga fundi i kanaleve të komunales së Durrësit, nga grumbullimet plot ovacione të ndryshimeve sociale që solli fundi i shekullit… Me lirinë e fjalës si atribut i një njeriu të edukuar ashtu, i janë pranuar, herë me durim dhe herë me pezm, gërnjat kundër të metave të Vatrës së sotme, kundër Janullatosit, kundër figurave madhore shtetërore aktuale, edhepse kjo lloj drejtpërdrejtësie nuk i bënte hiç mirë interesave të tij të përditshme, atyre të këtushme dhe atyre në vendin ku lindi.
Por dinosaurët janë prehistorikë dhe duken pak të marrë, po aq sa dhe démodé duke qenë të rrallë dhe me vlera të padiskutueshme.
Ky dinosaur i vyer na la të pikëlluar me largimin e tij nga kjo jetë. Kolonia e shqiptarëve të Amerikës humbi një nga figurat karizmatike, që do të kujtohet gjatë si shëmbull për t’u ndjekur, si patriot që do të frymëzojë brezat e rinj të shqiptarëve që jetojnë fizikisht larg atdheut, por shpirtërisht nuk ndahen kurrsesi nga trualli arbëror dhe aspirojnë begatinë dhe prosperitetin e tij.
I qoftë dheu i lehtë këtij shqiptari të madh!

Filed Under: Politike Tagged With: Inmemoriam, Niko Kirka, pellumb Kulla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1186
  • 1187
  • 1188
  • 1189
  • 1190
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT