• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“SOUNDS OF ALBANIA”, NGA PREZANTIMI DINJITOZ I KULTURËS SHQIPTARE TE NDËRTIMI I URAVE ME PUBLIKUN AMERIKAN

August 29, 2026 by s p

Ilir Rizaj, ideatori dhe producenti i “Sounds of Albania”: “Muzika shqiptare meriton të prezantohet me seriozitet, elegancë dhe në nivelin më të lartë artistik, në skenat e New York-ut”

Intervistoi: Sokol Paja

1. I nderuar Ilir, si lindi ideja për koncertin “Sounds of Albania” në New York dhe çfarë pritshmërie keni këtë vit?

Ideja për “Sounds of Albania” lindi para së gjithash nga dashuria ime për muzikën dhe nga dëshira për ta prezantuar pasurinë e jashtëzakonshme të muzikës shqiptare para publikut amerikan. Vitin e kaluar isha në një koncert ku kompozimet e Ennio Morricone-s interpretoheshin nga një kuartet harqesh. Teksa i dëgjoja, më lindi pyetja: Pse të mos bëjmë edhe ne diçka të tillë me muzikën tonë tradicionale? Angazhova Edmond Xhanin për të bërë aranzhimet dhe, përmes lidhjeve të mia në botën e muzikës, arrita të gjej dhe të bashkoj muzikantët që do t’i jepnin jetë këtij projekti.

Një frymëzim i rëndësishëm për mua ka qenë edhe veprimtaria e Shqipe Malushit, e cila, në atë kohë kryetare e “Motrat Qiriazi”, organizoi në New York, në vitin 1998, një koncert të një niveli të lartë artistik — nga çiftelia deri te Mozart-i — me artistë shqiptarë nga diaspora këtu në Amerikë, nga atdheu dhe nga Evropa, përfshirë edhe kitaristin Ehat Musa, i cili erdhi nga Parisi posaçërisht për koncertin.

Fadil Berisha, ky kolos i kulturës sonë në diasporë, është gjithashtu një frymëzim i përhershëm për mua. Që në vitin 2007, Fadili organizoi një koncert të veçantë bamirës me Aurela Gaçen dhe Edmond Xhanin, ku të gjitha të ardhurat iu dhuruan dy prej ikonave më të mëdha të muzikës shqiptare, Vaçe Zelës dhe Nexhmije Pagarushës.
Kur e konceptova Sounds of Albania, nuk doja thjesht të organizoja një koncert me muzikë shqiptare. Ideja ishte të sillnim së bashku muzikantë të jashtëzakonshëm shqiptarë dhe amerikanë dhe ta paraqisnim këtë muzikë në një formë të re kamertale, duke ruajtur shpirtin dhe autenticitetin e saj.

Pas debutimit tonë të suksesshëm vitin e kaluar në Kaufman Music Center, këtë vit vijmë në Tribeca Performing Arts Center me një program më të përmbledhur dhe më dinamik, me aranzhime edhe më të rafinuara dhe me një identitet artistik gjithnjë e më të konsoliduar. Shpresa ime është që Sounds of Albania të vazhdojë të rritet dhe, mbi të gjitha, që këtë muzikë ta dëgjojnë gjithnjë e më shumë njerëz që ndoshta nuk kanë pasur kurrë më parë mundësi të njihen me kulturën tonë.

2. Çfarë e bën të veçantë koncertin e sivjetshëm dhe çfarë dëshironi t’i përcillni publikut shqiptar dhe amerikan?

Koncerti i këtij viti është në shumë mënyra një vazhdim dhe një evoluim i programit që në bashkpunim me Petrit Pulën, e prezantuam në Kaufman Music Center vjet në Dhjetor. Kemi dashur ta bëjmë më të përmbledhur, më dinamik dhe artistikisht edhe më të rafinuar. Edmond Xhani ka punuar përsëri mbi të gjitha aranzhimet, duke i pasuruar dhe përsosur më tej, por gjithmonë duke ruajtur karakterin dhe shpirtin e muzikës origjinale.
Programit i kemi shtuar Valsin e Lumturisë të Avni Mulës, ndërsa Kaçurrelat e Tua këtë herë merr një dimension të ri: violinistja jonë e parë, Margret Radovani, përveçse luan në kuartet, do t’i japë edhe zërin e saj kësaj kënge kaq të bukur. Ne klarinet e kemi tani virtuozin Ismail Lumanovskin, qe ka master nga Juilliard School. Por për mua ndryshimi më i rëndësishëm nuk është domosdoshmërisht te repertoari. Është fakti se ky projekt po piqet. Pas koncertit të parë, kemi pasur mundësinë ta dëgjojmë muzikën, ta analizojmë dhe të kuptojmë se ku mund ta çojmë edhe më tej. Koncerti në Tribeca është, në njëfarë mënyre, versioni më i rafinuar i asaj që nisëm në Kaufman.

Publikut shqiptar dhe shqiptaro-amerikan dëshiroj t’i përcjell para së gjithash një ndjenjë krenarie — jo thjesht sepse kjo është muzika jonë, por sepse kjo muzikë meriton të prezantohet me seriozitet, elegancë dhe në nivelin më të lartë artistik, në skenat e New York-ut.

3. Sounds of Albania sjell në skenë nga serenatat e Korçës, meloditë nga veriu, këngët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Sa e rëndësishme është për ju që kjo mbrëmje të paraqesë larminë dhe pasurinë e të gjithë hapësirës shqiptare?

Për mua kjo është thelbësore. Një nga mrekullitë e kulturës sonë muzikore është pikërisht larmia e saj. Brenda një hapësire relativisht të vogël gjeografike kemi tradita, ritme, mënyra këndimi dhe ngjyra muzikore jashtëzakonisht të ndryshme.
Programi udhëton nga serenatat e Korçës te muzika e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, nga Kosova te tradita e Arbëreshëve të Italisë, të cilët e kanë ruajtur gjuhën, zakonet dhe muzikën shqiptare për më shumë se pesë shekuj. Për këtë arsye, për mua “Sounds of Albania” nuk duhet të përfaqësojë vetëm një krahinë apo një traditë. Dua që publiku të ndiejë se po bën një udhëtim nëpër hapësirën tonë kulturore dhe të kuptojë se sa e pasur dhe shumëdimensionale është ajo.

4. Queen Teuta Quartet – çfarë përfaqëson për ju figura e Mbretëreshës Teuta dhe si lidhet simbolika e saj me identitetin, qëndresën dhe kulturën shqiptare?

Kur kërkoja një emër për kuartetin, dëshiroja diçka që të mos ishte thjesht një emër, por një simbol. Figura e Mbretëreshës Teuta më tërhoqi pikërisht për këtë arsye. Ajo përfaqëson forcë, qëndresë, dinjitet dhe një lidhje me një histori shumë të lashtë të këtyre trojeve. Emri Queen Teuta Quartet krijon gjithashtu një urë mes së kaluarës dhe asaj që po përpiqemi të bëjmë sot: të marrim një trashëgimi të vjetër dhe ta sjellim atë në një kontekst bashkëkohor, pa humbur identitetin e saj. Dhe më pëlqen shumë fakti që një ansambël ku gratë kanë një prani kaq të rëndësishme artistike mban emrin e një figure historike femërore kaq të fuqishme.

5. Çfarë roli mund të ketë muzika për ta mbajtur rininë shqiptare në mërgim të lidhur me gjuhën, historinë dhe identitetin kombëtar?

Mendoj se muzika mund të arrijë aty ku ndonjëherë fjala nuk arrin. Brezi i dytë apo i tretë në diasporë mund të mos e flasë shqipen në mënyrë perfekte, mund të mos njohë çdo episodë të historisë sonë, por një melodi mund të krijojë menjëherë një lidhje emocionale. Mund të zgjojë kureshtjen: “Çfarë është kjo këngë? Nga vjen? Çfarë historie ka pas saj?” Pikërisht aty mund të filloj lidhja. Por mendoj gjithashtu se, nëse duam që të rinjtë të interesohën për trashëgiminë tonë, nuk mjafton t’u themi se duhet ta duan sepse është shqiptare. Duhet t’ua prezantojmë me cilësi, me kreativitet dhe në një gjuhë artistike që komunikon edhe me botën në të cilën ata janë rritur.

6. A është projekti Sounds of Albania një formë e diplomacisë kulturore shqiptare?

Po, unë e shoh edhe në këtë mënyrë, megjithëse projekti nuk lindi si një iniciativë institucionale apo politike. Diplomacia kulturore, në kuptimin më të bukur të fjalës, ndodh kur njerëzit njihen me njëri-tjetrin përmes kulturës. Një person që ndoshta di shumë pak për Shqipërinë, Kosovën apo historinë tonë, mund të vijë në një koncert, të dëgjojë një serenatë korçare, një melodi nga Kosova apo një këngë arbëreshe dhe të largohet me një perceptim krejt tjetër për kulturën shqiptare. Për mua, kjo është diplomaci kulturore. Dhe fakti që këtë muzikë e interpretojnë së bashku artistë shqiptarë dhe amerikanë e bën mesazhin edhe më të fuqishëm. Nuk po ndërtojmë një mur rreth kulturës sonë për ta ruajtur atë. Po ndërtojmë një urë që të tjerët të mund ta njohin dhe ta përjetojnë atë.

7. Të ardhurat e koncertit do t’i dhurohen organizatës “Motrat Qiriazi” dhe organizatave të tjera bamirëse. Sa domethënëse është për ju që një aktivitet artistik që promovon kulturën shqiptare të shërbejë njëkohësisht edhe për fuqizimin e grave shqiptaro-amerikane dhe komunitetit shqiptar në SHBA?

Kjo ka një domethënie të veçantë për mua, sepse besoj se kultura dhe komuniteti nuk duhet të ekzistojnë të ndara nga njëra-tjetra. “Motrat Qiriazi” kanë bërë një punë të çmuar në komunitetin shqiptaro-amerikan, veçanërisht në mbështetjen dhe fuqizimin e grave, në edukim dhe në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Në rastin e Sounds of Albania, ato na kanë dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme. Prandaj më duket shumë e natyrshme që një projekt që feston kulturën shqiptare të kontribuojë konkretisht edhe në komunitetin që e mban gjallë këtë kulturë. Për mua, suksesi i “Sounds of Albania” nuk matet vetëm me numrin e biletave të shitura apo me duartrokitjet në fund të koncertit. Nëse përmes muzikës mund të krijojmë diçka artistikisht të bukur, ta prezantojmë kulturën tonë me dinjitet, të ndërtojmë ura me publikun amerikan dhe, njëkohësisht, të ndihmojmë komunitetin tonë, atëherë projekti ka arritur diçka shumë më të madhe se një koncert.
@followers @top fans

Filed Under: Kulture Tagged With: Ilir Rizaj, Sokol Paja

SOKOL MALUSHAGA-TALENTI ARKITEKTONIK SHQIPTAR NË NEW YORK

December 3, 2018 by dgreca

….Prej muratorit të antikuitetit e deri te krijuesit e kohërave moderne, prej Mimarit e deri te Sokoli, talenti i arkitektit Shqiptar vazhdon të pasuroj thesarin botëror./

1 a Ilir R1 c Ilir R1 Ilir Rizaj1 b Rizai I

Teksti dhe Fotografija: Ilir Rizaj/

 

Vala e re e arkitektëve të talentuar Shqiptarë  që jetojnë dhe veprojnë në vende Perendimore është duke u shtuar çdo ditë. Eshtë kjo një dukuri jo e papritur, nësë kemi parasysh se arkitektët kryesorë në Perandorine Otomane kan qenë me prejardhje nga mjedisi jonë, me Mimar Sinanin në krye, që njihet si një nga krijuesit më gjenial në këtë lami.

Arkitekti Sokol Malushaga jeton dhe vepron në New York, është bashkëpronar me Eduard Malushin në Ari Group, kompani arkitektonike-ndërtimore që është e specializuar në projekte ultra-luksoze në Manhattan.

Sokoli ka studjuar arkitekturën në Cooper Union, një nga kolegjet më të respektuar në botë. Punimi që lidhet me tezën e tij të diplomës (1997), është zgjedhur të shfaqet në Cooper Union në ekspozitën Arkiva dhe Objekti – Virtuale dhe Fizike, ekspozitë që ka për qëllim t’i bëj homazh pedagogëve të këtij institucioni, duke prezentuar projektet e studentëve të tyre të 50 vjetëve të fundit.

Prej një numri shumë të madh të studentëve, janë zgjedhur vetem 35 teza të diplomës për këtë ekspozitë. Punimi i Sokolit, që ka si subjekt koncepin e murit dhe tullës, shfaqet në mesin e projekteve nga disa prej arkitektëve dhe pedagogëve të sotëm me fame botërore, që kane studjuar në Cooper Union, si Daniel Libeskind, Diane Lewis, Elizabeth Diller e të tjerë.

Sipas Sokolit, projekti i tij është një studim i kufijve që definohen me prezencën e mureve dhe ri-ndërtimin e tyre të vazhdueshëm: kufijtë e një dhome, shtëpije, rruge dhe qyteti gjithmonë janë definuar me mur…muret jane të gjalla, kanë rrënjë, që te ngritet muri, një sacrificë është bërë.

Sokol Malushaga ia kushton këtë projekt vendlindjës së tij Pejës, duke theksuar në vazhdim se Peja është njohur si qytet i zejeve të shumta, një prej tyre edhe tullë-mbaruesve, kështu që rrjedhimisht tulla dhe muri e simbolizojnë dialogun mes të vjetrës dhe te resë, që mundesojnë struktura qe kurrë nuk kryhen.

Prej muratorit të antikuitetit e deri te krijuesit e kohërave moderne, prej Mimarit e deri te Sokoli, talenti i arkitektit Shqiptar vazhdon të pasuroj thesarin botëror.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Rizaj, Sokol Malushaga, talenti Arkitektonik Shqiptar

Bukuria arkitektonike nën kamerën e fotografit Ilir Rizaj

February 15, 2015 by dgreca

NE FOTO: Ura ne Brooklyn Bridge dhe NYC fotografuar nga Ilir Rizaj/
Nga Ermira Babamusta/
Ilir Rizaj është një mjeshtër i fotografisë, i cili me krijimtarinë e tij promovon bukuritë arkitektonike. Fotografitë artistike të tij ilustrojnë objekte me rëndësi historike, etnografike, gjeografike dhe arkitekturale. Kulturën profesionale dhe artistike Ilir Rizaj e kultivoi duke fotografuar kullat klasike të Pejës, mrekullitë arkitektonitke të New Yorkut, pallatet madhështore të Stambollit dhe perla të tjera botërore.
Ilir Rizaj ka lindur në vitin 1960 në Pejë, ku kaloi fëmijërinë deri sa familja e tij u shpërngul në Prishtinë. Ka studiuar Fakultetin Juridik, dhe pak kohe mbas diplomimit shkon në vizitë në New York, ku vendoset përherëshëm. Atje njoftohet me fotografin e njohur Fadil Berishën, dhe fillon bashkëpunimin me të. Me nxitje nga Fadili, Ilir Rizaj i kthehet fotografisë në mënyrë profesionale. Tani meret kryesisht me fotografi arkitektonike dhe fotografi portretësh të aktorëve dhe muzikantëve. (www.ilirrizaj.com).
Iliri është anëtar i përherëshëm i AIAP (The Association of Independent Architectural Photographers) Shoqata e Fotografëve të Pavarur Arkitektonik të Amerikës. AIAP ka në rrjetin e saj fotografët arkitektural më të respektuar dhe talentuar të fushës. Fotografitë e tij të suksesshme janë publikuar në revistën GoStyle në Izrael si dhe në House Magazine të New York-ut.
Pasioni i Ilir Rizaj për fotografi reflektohet nga veprat e tij mahnitëse duke i dhënë një jetë dhe histori interesante objekteve që ai fotografon. Planet e tij të së ardhmes përfshijnë restaurimin e objekteve tradicionale me vlerë kulturore dhe historike në Kosovë me ndihmën e fondacionit amerikan Aventurat në Prezervim (Advetures in Preservation) me drejtoreshë Judith Broeker. Ka dëshirë te realizojë një projekt të ri në Shqipëri, për të fotografuar Kullën e Sendulit në Gjirokastër, restauruar nga Aventurat në Prezervim. Gjithashtu ka në plan të bashkëpunojë me arkitektin e talentuar Përparim Rama, për të fotografuar projektet e tij, dhe së bashku kanë dëshirë të botojnë një libër që ilustron historinë e arkitekturës në Kosovë.
Intervistë me fotografin e talentuar Ilir Rizaj
Kur e zbuluat fotografinë së pari?
Ilir Rizaj: Isha pesëmbëdhjetë vjeçar kur u bëra fotograf “zyrtar” i familjes sime mbasi unë tregova më së shumëti interes të luaj me kamerën e re. Mora një kurs të fotografisë në Prishtine dhe fillova të fotografoj shokët, shoqet dhe natyrën përreth Prishtinës. Dhomën e errët e krijova në bodrum të shtëpisë, krijimi i fotografisë ishte nje proces magjepës për mua. Një vizitë në Stamboll ndikoj shumë që kamerën time ta drejtoj në objekte arkitektonike, ishin këto ndërtimet madhështore si Topkapi dhe Dolmabahçe Sarayi, Xhamija e Kaltërt e të tjera.
Vitet fëmijnore i keni kaluar në Pejë dhe në Prishtinë. Si ju kanë influencuar këto dy qytete në artin tuaj të fotografisë ?
Ilir Rizaj: Peja e fëmijërisë sime ka qenë një qytet që ka ofruar një peizazh natyror jashtëzakonisht të bukur, qytet me famë turistike ndërkombëtare, edhe në atë kohe Peja ka pas shumë turista nga Evropa, sidomos Italia. Arkitektura në Pejë ka qenë një kompozicion i kullave klasike autoktone, shtëpijave dhe dyqaneve me ndikime arkitektonike Otomane, dhe objekte të stilit Austro-Hungarez si Hoteli Korzo. Stili Otoman karakterizohej me një elegancë dhe bukuri tërheqëse, gati misterioze. Stili Austo-Hungarez ishte grandioz, impresionues por më i ftohët. Kështu që “syri” im fotografik u formua në një mjedis tejet të begatshëm natyror dhe arkitektonik. Prishtina në anën tjetër nuk e kishte bukurinë natyrore të Pejës, dhe nga aspekti i arkitekturës së vjetër ishte pak më e varfër, sidomos pasi që qeverija komuniste e shkatërroj qarshinë e vjetër, por kishte ndertime moderne qe ishin mjaft interesante, si ato afariste ashtu edhe shtepija private.
Tani një kohë jetoni në SHBA. Si ndikoj ky ndërrim i mjedisit në fotografinë e juaj?
Ilir Rizaj: Që nga dita e parë, jeta në New York ishte një eksperiencë magjepëse – dinamika e qytetit, jeta e bujshme kulturore – po çka ishte më impresionuese për mua, arkitektura eklektike dhe grandiose e Mollës së Madhe më përcjellte në çdo hap. Me 1993 pata fatin të njoftohem me fotografin Fadil Berisha, i cili menjëherë më ofroj të më bëhet mentor i fotografise, bashkëpunim që u shëndrrua në një miqësi të përjetëshme. Nga Fadili mësova shumë, leksioni më i vlefshëm padyshim ishte si ta zbuloj esencën e subjektit dhe ta regjistroj atë në mediumin e fotografisë. Së shpejti, përveq punës së rregullt në restorana dhe si përkthyes gjyqësor, u merrësha me fotografi te ndryshme, të modës, portrete, fotografoja veprat artistike të artistëve figurativ për portofoliot e tyre. Ishte shumë vështire të depërtohet në laminë e fotografisë arkitektonike. Mbas një kohe punova në një restorant qe ishte dizajnuar nga Bijan Safavi, një arkitekt me prejardhje Iraniane. Ai ma dha shansin e parë të fotografoj dizajnet e tij, dhe kështu kuptova që ajo ishte fusha e fotografisë që kisha pas më së shumëti dëshirë ta specializoj.
Rrethant jetësore bënë që ta lë anash fotografinë për karierë në restorant. Pasi bëra një pauzë mjaft të gjatë nga fotografia aktive, ishte Fadili që më shtyri t’i qasem dhe t’a mësoj tani aspektin digjital të fotografisë. Ne fillim fotografoja portrete aktorësh, por gruaja ime Luljeta më tha se zemrën e kam në foto të arkitekturës dhe se kisha duhur të orientohem në ato. Së shpejti e krijova një portofolio nga fotot e vjetra, i bëra disa të reja të disa restoranave që ishin të shokëve të mij, një nga ta ishte edhe restorani Lumi që ishte pronë e shoqës sime, Lumi Hadri. Krijova një portofolio modest me të cilin arrita te gjejë klientë, arkitektë dhe dizajnerë interieri. Dhe kështu filloi karriera ime e vërtetë si fotograf i arkitekturës.
Fadili gjithënjë vazhdon të më përkrah si mentor i përkushtuar, ai edhepse është fotograf i modës, ka një sy të mbrehtë për çdo lami të fotografisë, është artist i vërtetë, kështu që edhe lidhur me foto të arkitekturës, din të më këshilloj, kritikoj, dhe nganjëherë të më lavdëroj.

Cilat janë disa struktura dhe ndërtime të veçanta që ju kanë bërë përshtypje në New York?
Ilir Rizaj: Në New York përshtypje të veçantë më kanë bërë Muzeumi Guggenheim i arkitektit legjendar Andrew Lloyd Wright, Lipstick Building dhe AT&T Building që janë ikona të New Yorkut të dizajnuara nga Philip Johnson, me të cilin kam pas nderin edhe të takohem personalisht mbasi e kisha mysafir të rregullt në restoranin Remi ku punoja një kohë. Prej arkitektëve moderne kam shumë admirim për Zaha Hadid si dhe Frank Gehry, ndërtesa e tij në 8 Spruce Street është mahnitëse, ku edhe kam pas rastin ta fotografoj një banesë.
Po në Kosovë, cilat ndërtime karakteristike ju kanë lënë më së shumëti përshtypje dhe cilat keni patur mundësi t’i fotografoni?
Ilir Rizaj: Arkitektura është një formë e të shprehurit njerëzor që përveq estetikës, pasqyron rrethanat historike në të cilën është krijuar. Në Kosovë, padyshim kullat janë ndërtime unike ku mjeshtri popullor e ka minimizu dhe përshtatë konceptin e kështjellës për përdorim të familjes apo klanit. Ne si popull gjithmonë kemi qenë te detyruar të mbrohemi nga invazionet e ndryshme, prej Romakëve, Sllavëve dhe Otomanëve, kullat e manifestojnë këtë rrethanë historike me materialin e ndërtimit nga guri dhe me dritare të vogla. Vitin e kaluar i fotografova disa nga kullat në Isniq dhe Drenoc. Fatkeqësisht shumë prej tyre u shkatërruan nga vandalet Sërb gjatë agresionit të vitit 1999.
Një mbresë të posaçme më la shtëpija ku gjendet Muzeumi Etnologjik në Prishtinë, të cilin gjithashtu e fotografova detalisht dhe ku hasa një mikëpritje të vërtetë Kosovare nga kuratorët Valon Shkodra dhe Ilir Sopjani.
Së fundi, në këtë vizitë ishte kënaqësi e posaçme ta fotografoj Hamam Jazz Bar, të dizajnuar nga Perparim Rama dhe kompanija e tij 4M Group në Londër. Ky është një dizajn gjenial që fitoj çmim ndërkombëtar me meritë. Mënyra se si Perparimi i ka bashkëdyzu elementet e drunit, lloqit, kashtës, çimentos dhe hekurit ne këtë lokal është fascinuese.
Në Prishtinë kam parë gjithashtu punët e arkitektëve që më kanë lënë shumë përshtypje për origjinalitet dhe për bukuri të dizajnit, sidomos ato nga Gëzim Puka dhe Ilir Murseli, dizajnet e të cilëve shpresoj do ta kam kënaqesinë t’i fotografoj një ditë.
Si mund ta përshkruani stilin dhe tekniken tuaj të fotografisë të arkitekturës ?
Ilir Rizaj: Si fotograf i arkitekturës, mundohem ta zbuloj dhe të interpretoj identitetin, përmasat dhe estetikën që arkitekti e ka paramendu për një hapësire. Stili im i fotografisë është që sa më pak të ndikoj në keto elemente të dizajnit, pra t’i ruaj dhe t’i shprehi në mënyrë autentike. Gjithënjë nisna nga ideja se gjenialiteti gjithmonë gjendet në thjeshtësi.
Sipas meje, sfida më e madhe është të ruhet ndriçimi origjinal i hapësirës, që e përcakton edhe atmosferën e një dizajni. Prandaj, nësë vendosi të perdori ndriçim shtesë, e bëjë në mënyrë që aspak mos të vërehet, pra të duket si pjesë integrale e ndiçimit origjinal.
Pas ndiçimit, kompozicioni është esencial për ta portretuar një hapësire apo objekt. Sa për fotografi eksteriere të objekteve, specializoj në foto të bëra gjate muzgut kur qielli mer një ngjyrë të kaltërt intensive që shkon tepër bukur me ndriçimin e verdhe të ngrohtë qe vjen nga dritat e interierit.
Me cilët arkitektë dhe dizajnerë interieri bashkëpunoni në New York?
Ilir Rizaj: Si anëtar i përherëshem i AIAP – (The Association of Independent Architectural Photographers) – Shoqatës të Fotografëve të Pavarur Arkitektonik të Amerikës, më bie të fotografoj për një numër të mirë të arkitektëve dhe dizajnerëve të interierit këtu në New York dhe New Jersey.
Nga arkitektët që kam privilegj të bashkëpunoj është Sokol Malushaga, me prejardhje nga Peja, që së bashku me Edi Malushagen e kanë kompaninë ndërtimore Ari Group. Projektet e Sokolit të shtëpive dhe banesave super-luksoze në Manhattan janë të jashtëzakonshëm. Talenti i tij, vizioni artistik dhe syri i tij që nuk lëshon asnjë detal pa e perfeksionu është inspirim i veçantë për mua.
Jam fotograf ekskluziv edhe i arkitektit Jordan Rosenberg, i cili projekton pallate multi-milionëshe në New Jersey, Jason Landau të kompanisë Amazing Spaces LLC, Rinat Tahar që është me origjinë Izraelite dhe me Erik Galiana që është modelues interieri shumë i njohur që përveç në New York, vepron edhe në Miami dhe Los Angeles.
A është botuar fotografija e juaj deri tani diku?
Ilir Rizaj: Po, fotografitë e mija janë botuar në revistën GoStyle në Izrael si dhe në House Magazine të New York-ut.
Çfar këshilla i kishit dhënë fotografëve të rinjë në Kosovë?
Ilir Rizaj: Edhe pse fotografia si medium, me avancimin e teknologjisë digjitale, është bërë më lehtë të zotërohet, aspekti artistik ka mbet gjithmonë i njejtë: talenti duhet të ushqehet me pasion dhe studim të pandërprerëshëm.
Ndoshta do të ju duket sugjerim i çuditshëm, por sipas mendimit tim, krejt çka na duhet që të mësojmë për aspektin artistik të fotografisë, mund të arrihet nga studimi i veprave të ndryshme të artit figurativ, sidomos ato të Renesansës. Se si të kuptojm ndriçimin, relacionin mes dritës dhe hijes, pra efekti chiaroscuro më së lehti mësohet nga veprat e Caravaggio-s dhe Rembrandt-it, kurse kompozicioni, relacioni hapësinor në mes të subjekteve kuptohet shumë lehtë duke studjuar skulpturat dhe pikturat e artistëve të mëdhenjë si Michelangelo, Degas, Van Gogh etj. Shumë mund të mësohet edhe nga shkrimet e autorit Rudolf Arnheim që ka bërë studime të thella në fushën e natyrës së artit dhe përceptimit visual.
Cilat objekte keni dëshirë të realizoni në fotografinë tuaj të ardhshme? Planet e juaja për të ardhmën?
Ilir Rizaj: Dëshira ime e kahershme ta vizitoj Shqipërinë do të më realizohet këtë verë, jam i ftuar ta fotografoj restaurimin e Kullës së Skendulit në Gjirokastër, projekt i fondacionit Adventures In Preservation (Avanturat në Prezervimi) që është një fondacion Amerikan që bën restaurime arkitektonike anembanë botës. Mbas këtij projekti, do ta sjelli drejtoreshën e AIP, Judith Broeker me bashkëpuntorët e saj në Kosovë për vizitë pune ku së bashku do të hulumtojmë objekte potenciale për restaurim.
Në anën tjeter, më arkitektin Perparimin Rama, përveç që do ta kam kënaqësinë t’i fotografoj projektet e reja të tij në Londër, kemi plan të bashkëpunojmë në një libër që perfshinë historinë e arkitekturës në Kosovë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Bukuria arkitektonike, Ermira Babamusta, Ilir Rizaj, nën kamerën e fotografit

Artikujt e fundit

  • ANTON ÇEFA – NJË JETË NË SHËRBIM TË FJALËS SHQIPE DHE KUJTESËS KOMBËTARE
  • Kur dija hesht, konformizmi flet…
  • Albanians for America Welcomes the SRBIJA Act and Calls for Accountability from Serbia
  • “Malësia – studime e hulumtime”
  • Ago AGAJ – Vlonjati që e mori Kosovën me vete deri në vdekje!
  • DRITËRO AGOLLI NË RAPORT DIDAKTIK ME LEXUESIN: POEZIA PËR FËMIJË
  • Hora e Arbëreshëve
  • “Historia e operas Rozafa”
  • HASHIM THAÇI, KADRI VESELI, JAKUP KRASNIQI DHE REXHEP SELIMI – PERSONALITETE TË TRANSFORMIMIT HISTORIK DHE SHTETFORMIMIT TË KOSOVËS
  • SHKËLQIMI DHE RËNIA E SHOKUT AGASI
  • Kujtojmë në ditën e ndarjes nga jeta akademikun dhe ish-kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Shaban Demiraj
  • “Pasqyra” e Kryeministrit!
  • “SOUNDS OF ALBANIA”, NGA PREZANTIMI DINJITOZ I KULTURËS SHQIPTARE TE NDËRTIMI I URAVE ME PUBLIKUN AMERIKAN
  • Nga “Kombi”, tek Kombi – 120 vjetori i shtypit të shkruar shqiptar në SHBA 1906-1926
  • E mbështes fuqishëm dhe e mirëpres projektligjin dypartiak ‘SRBIJA Act’ të prezantuar nga kongresmenët Joe Wilson dhe Bill Keating

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT