• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

6 DEKADA NGA NDARJA NGA JETA E MBRETIT TË SHQIPTARËVE ZOGU I

April 9, 2021 by dgreca

Ahmet Zogu – Shtetar Reformator për zhvillimin e Shqipërisë në shekullin XX/

Ahmet Zogu Delegatë i Matit (1912;1920),Ministër (1920),Kryeministër (1922-1924),President-Kryeministër (1925-1928) dhe Mbret i Shqiptarëve (1928-1939)/

Nga Kevin HAXHIU/

Ahmet Zogu (Zogolli) lindi më 8 tetor 1895 në Burgajet të Matit në një familje fisnike dhe patriotike.Ahmet Zogu ishte djali i Xhemal Pashë Zogolli dhe Sadije Hanëm Toptani.Ahmet Zogu që në moshë tepër të re ishte një patriot me vlera të rralla për mbrojtjen e atdheut dhe pavarësisë së tij.Ahmet Zogu ishte 17 vjeç kur ishte zgjedhur delegatë i Matit për në Kuvendin Kombëtarë të Vlorës.Ahmet Zogu vetëm 8 vite më pas në 1920 u zgjodh përsëri delegatë i Matit në një nga ngjarjet më të rëndësishme të Kombit Shqiptarë pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878 dhe Shpalljes së Pavarësisë në 1912,Kongresin Kombëtare të Lushnjes.Delegati i Matit Ahmet Zogu me forcat e tij garantoi mbrojtjen për mbarvajtjen me sukses të Mbledhjes Kombëtare të Lushnjes.Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes Ahmet Zogu u zgjodh Ministër i Punëve të Brëndshme.Ahmet Zogu Ministri i Punëve të Brëndshme pas përfundimit të punimeve të Kongresit në 31 janar 1920 u dërgoi çdo prefekture një proklamatë me anë të së cilës populli njihej me vendimet që ishin marrë në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes. Gjithashtu Ahmet Zogu u tregua tepër i gatshëm për të vendosur organet e reja qeverisëse në Durrës.Ahmet Zogu tepër i guximshëm kryesoi udhëtimin për në kryeqytetin e Shqipërisë Durrës por kur u njoh me rezistencën e italianëve që ishin atje,Zogu për të shmangur përplasjen vendosi me zgjuarsi dhe maturi që përkohësisht organet e reja qeverisëse ti vendoste në Tiranë sepse kryesore në atë kohë ishte të fillonin punën institucionet.Më 11 shkurt 1920 institucionet e zgjedhura në Kongresin e Lushnjes hynë në Tiranë ku patën një pritje madhështore nga populli dhe Tirana de facto u bë kryeqytet i përkohëshëm i Shqipërisë.Nga dhjetori 1922-shkurt 1924 Ahmet Zogu ishte Kryeministër i Shqipërisë.Në vitin 1923 kur Ahmet Zogu ishte kryeministër 21 Janari 1920 dita e Kongresit të Lushnjes,do të festohej si Festë Kombëtare.Gjithashtu dhe gjatë gjithë kohës që Zogu drejtoi Shqipërinë,deri në vitin 1939 kur u pushtuam nga Italia fashiste.Kuvendi Kushtetues që doli nga zgjedhjet e dhjetorit 1923 i ndërpreu në mes punimet e tij nga qershori deri në dhjetor 1924 pasi Shqipëria u drejtua nga qeveria ilegjitime me kryeministër Fan Noli-n i cili erdhi në pushtet me mjete jo demokratike,jo kushtetuse.Pas Triumfit të Legalitetit në 24 dhjetor 1924 dhe që në Shqipëri u rikthye qeveria e ligjshme e drejtuar nga Iliaz Vrioni e cila 10 ditë pas rikthimit dha dorëheqjen.Në 6 janar 1925 u formua qeveria e re me kryeministër Ahmet Zogu-n.Kuvendi Kushtetues në 21 janar 1925 do të vendoste që formë qeverisëse në Shqipëri të ishte Republikë Parlamentare dhe më 31 janar 1925 Zogu zgjidhet President.Shqipëria nga ky moment do të ishte për herë të parë në historinë e saj Republikë.De jure Shqipëria ishte Republikë Parlamentare por de facto ishte Republikë Presidenciale pasi Zogu ishte President dhe Kryeministër njëkohësisht.Gjatë kohës së Republikës Shqiptare Parlamenti përbehej nga dy dhoma (Deputetëve dhe Senati) kjo ishte nje risi dhe zhvillim për vendin.Në 17 gusht 1928 u organizuan zgjedhjet në Shqipëri prej të cilave doli Asambleja Kushtetuese me 58 deputetë.Asambleja Kushtetuse më 1 shtator 1928 vendosi që formë qeverisëse në Shqipëri të ishte Mbretëri (Royaume) Demokratike,Parlamentare dhe e Trashëgueshme dhe Mbreti i shqiptarëve ishte Lart-Madhëria e tij Zogu I,nga familja e famshme shqiptare Zogu.Statuti Themeltarë i Mbretërisë u votua përfundimisht në 1 dhjetor 1928 nga Asambleja e cila më pasë vijoj punën si parlament me mandatë katërvjeçarë që fillonte nga gushti 1928.Mbretëria Shqiptare 1928-1939 nën drejtimin e Mbretit Zog I i cili bëri reforma të mëdha si në vëndet e zhvilluara në Shqipërinë që pothuajse 3 dekada më parë kishte shpallur pavarësinë në vitin 1912 nga pushtimi shekullor osman.Ahmet Zogu ishte Mbret i të gjithë shqiptarëve në të gjithë kombin e madh shqiptarë përtej kufinjëve të 1913 të Shqipërisë.Në vitet 1928-1939 në Shqipëri u zhvillua shumë tregtia,infrastruktura,bujqësia,turizmi,kultura,sporti,arsimi,etj.Një nga politikat më të mira të kësaj kohe ishte dhënia e bursave nga shteti për të rinjtë ekselentë që të arsimoheshin në Universitet më të mira jashtë vendit.Sistemi ligjor që në vitet e para të Mbretërisë pati një ndryshim të madh,për herë të parë Shqipëria do të kishte Kodin Civil dhe Kodin Tregtarë.Patriotizmi dhe atdhedashuria për Shqipërinë duket qartë në moton e Mbretit Zog I “Atdheu mbi të gjitha” gjithashtu edhe fjalitë tepër domethënëse që shkruheshin në hyrjen e pasaportës shqiptare në kohën e Mbretërisë.Koha e ka treguar se ishte domosdoshmëri në Shqipërinë e viteve ‘20 vendosja për formë qeverisje Mbretëri Demokratike,Parlamentare dhe e Trashëgueshme pasi krijoi qëndrueshmëri politike dhe Shqipëria nisi rrugën e zhvillimit.Ahmet Zogu në të gjitha detyrat e larta që ka mbajtur si Ministër i Brëndshëm në qeverinë e Kongresit të Lushnjes,si Kryeministër i Shqipërisë,si President i Parë i Republikës në Shqipëri dhe si Mbret i Shqipërisë punoi përherë për Shqipërinë dhe shqiptarët.Ai ishte personazhi kryesor politik në Shqipëri në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit XX.Ahmet Zogu u nda nga jeta më 9 prill 1961 në Francë.

Filed Under: Politike Tagged With: 6 dekada nga ikja, Kevin Haxhiu, Mbreti Zog I

MJEKËT SHQIPTARO – AMERIKANË DHE KONTRIBUTI I TYRE NË KOMUNITETIN SHQIPTAR NË USA

April 9, 2021 by dgreca

Dr. Nora Gashi, Presidente e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro – Amerikane, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon nevojën për organizata të tilla që ka komuniteti shqiptar në SHBA ku diaspora në mjekësi luan një rol kritik në mbështetjen e komunitetit të saj profesional dhe emigrant. Në këtë organizatë ka profesionistë të kujdesit shëndetësor me prejardhje shqiptare me synim ndërtimin e një strukture të njohur ligjërisht të pranueshme për standardet e SHBA. Synimi sipas Dr. Nora Gashit është që anëtarët e bordit dhe anëtarët e organizatës do të ndajnë njohurinë dhe ekspertizën me kolegët shqiptarë kudo në botë duke organizuar seanca mësimdhënie dhe shkencore.

SHOQATA MJEKËSORE SHQIPTARO – AMERIKANE  

Jam zgjedhur Presidente e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro – Amerikane për periudhën 2020-2022. Historikisht jam Presidentja e 5-të. Është nder i madh të jem pjesë e kësaj organizate profesionale, shembull për organizata të tilla në ShBA ku diaspora në mjekësi luan një rol kritik në mbështetjen e komunitetit të saj profesional dhe emigrant. Në korrik 2008, një grup mjekësh me origjinë shqiptare u mblodhën në Boston me ftesë të Dr. Lindita Çoku me qëllim të krijimit formalisht të një organizate të parë profesionale mjekësore. Ky ishte një hap i madh i ndërmarrë pasi kishte diskutime të shumta paraprake midis atyre që ishin integral tashmë në sistemin e SHBA por akoma nuk kishin arritur ne kristalizim të ideve. Në këtë vit Kosova ishte shpallur e pavarur dhe ky ishte një faktor i rëndësishëm në përshpejtimin e krijimit brenda vitit të kësaj organizate në mënyrë që të strukturohej diaspora mjekësore e suksesshme shqiptare në ShBA. Çështjet e adresimit të nevojës për t’u integruar intelektualisht në gjuhën amtare përfshinin ndarjen e përvojave të reja me kolegët në vendlindjen e tyre dhe asistimin e valës së re të pacientëve emigrantë shqiptarë që mbërrinin nga territoret shqiptare të gadishullit Ballkanik të pas viteve 1990. Kjo ishte hera e parë ndonjëherë që profesionistë të kujdesit shëndetësor me prejardhje shqiptare u ulen në një tryezë të rrumbullakët, për të paraqitur idetë dhe sugjerimet e tyre për ndërtimin e një strukture të njohur ligjërisht të pranueshme për standardet e SHBA. Emri dhe formati i organizatës u votuan në mënyrë demokratike nga të pranishmit, dhe në shtator 2008 Shoqata Mjekësore Shqiptaro Amerikane u njoh përfundimisht si një organizatë profesionale mjekësore jofitimprurëse brenda juridiksionit të shtetit së Massachusetts. Brenda një periudhe të shkurtër, kjo organizatë arriti të sigurojë besimin dhe mbështetjen e Dr. Ferid Murad, nobelist në mjekësi dhe fiziologji në 2008. Ai mban titullin e Kryetarit të Nderit prej vitit 2009 dhe në listën e anëtarëve të nderit më tej u shtuan dhe figura të nderuara mjekësh me origjinë shqiptare ose mjekë Amerikanë që përmes kontributit të tyre shembullor të pandalur prej vitesh vulosën fatin e shumë jetëve ose karrierave mjekësore të Shqiptarëve si në ShBA dhe trojet shqiptare. Këtu permendim Dr. Peter Pochi, Dr. Zana Dobroshi, Dr. Anna Kohen, Dr. James Strickler, Dr. Samy McFarland dhe Dr. Shpetim Telegrafi. Shoqata përfshin një rrjet të profesionistëve mjekësorë shqiptarë që punojnë në SHBA, me qëllim të përbashkët të një rrjeti efektiv, në menyrë që të avancojnë njëri tjetrin si dhe brezat e rinj të profesionistëve mjekësorë që synojnë të aplikojnë standartet më të larta në këtë fushë. Unë së bashku me anëtarët e bordit dhe anëtarët e organizatës me kënaqësi do ta ndajmë njohurinë dhe ekspertizën tonë me kolegët shqiptarë kudo në botë duke organizuar seanca mësimdhënie dhe shkencore. Jam po ashtu krenare të ndaj me ju iniciativen e COVID-19 task forcë të krijuar nga shumë disiplina mjekësore të shoqatës që sigurojnë të dhëna dhe burime informacionesh për profesionistët shqiptarë që praktikojnë në territoret shqiptare. Unë falendëroj sinqerisht dhe shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë anëtarët e kësaj organizate që më kanë mbështetur në maksimum për të kryer punën time me dëshirë por dhe me përgjegjësi të lartë. Anëtarët e kësaj organizate operojnë në mënyrë vullnetare dhe mirëmbajnë aktivitetin e saj me kuotat vjetore të anëtarësimeve, donacionet nga komuniteti dhe kompanitë private. Transparenca në çdo nivel të drejtimit është pika më e fortë e jona.  

EKSPERIENCA GJATË  PANDEMISË COVID -19

Unë isha në vijën e parë të kujdesit ndaj pacientit gjatë pandemisë COVID-19 e cila goditi shtetin e NY në fillim të vitit 2020. Ofrova kujdes gjatë gjithë kohës në Spitalin White Plains Hospital  në NY për 3 muaj dhe më pas u vendosa në Hawaii për të punuar në Queens Medical Qendra në Honolulu, ku jam aktualisht në vijën e parë të kujdesit për pacientin COVID-19. Është vështirë të paramendosh krizën derisa nuk e përjeton. Si mjekë ne jemi të trajnuar ti ndihmojmë njerëzve, është shumë vështirë kur nuk mundesh. Fillimi ka qënë shumë i vështirë duke nisur nga mungesa e pajisjeve mbrojtëse personale ose përballja me shumë raste njëherazi të sëmurëve akutë, mungesa e stafit dhe orët e gjata të punës. Kur më kanë pyetur se si po i kaloj ato ditë, unë jam pergjigjur : sikur ushtarët që shkojnë në luftë me mosnjohje se ç’ka po i pret ashtu edhe mjekët e kanë përjetuar, por kjo ishte thirja jonë dhe jam krenare që jam mjeke dhe që kam qënë prezente gjithë kohës së pandemisë. Në shumë raste në mjekësi i pyesim mjekët me ekperiencë se si të trajtohet sëmundja, me COVID është ndryshe nuk ke dije dhe eksperiencë, je para një sëmundje misterioze të pa raportuar më parë në manualet ose revistat mjekësore. Tani situata është pak më lehtë sepse kemi më shumë të dhëna dhe po kryhet me shumicë dhe shpejtësi vaksinimi i popullsisë Amerikane.

SITUATA E COVID NË USA DHE NEW YORK

Pandemia e Covid-19 ka përfshirë të gjithë globin, ku secili shtet është përpjekur që të krijojë mundësi reagimi dhe parandalimi të përhapjes së këtij virusi vdekjeprurës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ju janë përgjigjur kësaj situate pandemie në të gjitha nivelet, duke përfshirë nivelin federal, shtetëror dhe lokal. Kongresi Amerikan ka krijuar politika të reja që iu janë përshtatur gjëndjes së tanishme të virusit, po ashtu, presidenti paraprak dhe ai i tanishëm kanë nënshkruar një seri urdhërash ekzekutiv për ta parandaluar kolapsin ekonomik dhe menaxhimin sa më të përshtatshëm të kësaj pandemie. Nga ana shëndetësore, CDC, prej momentit të shpalljes së kësaj pandemie, e ka informuar opinionin publik në çdo moment me të rejat e fundit, dhe se si duhet të reagojnë insitucionet shëndetësore më tutje. Rekomandimet publike kanë filluar prej momentit të informimit të opinionit në lidhje me mbrojtjen dhe parandalimin dhe masa që duhet marrë për të identifikuar më tutje simptomat dhe shenjat klinike në institucione të ndryshme. Vitin e kaluar, atëherë edhe kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme, numri i rasteve të paraqitura me shenja klinike dhe po ashtu të diagnostikuar me Covid-19 ishte alarmante. Spitalet në të gjitha nivelet ishin të stërmbushura me pacientë dhe sistemi shëndetësor në të gjitha nivelet u detyrua të ndryshojë  mënyrën e përballjes dhe të krijojë priroritet se cilët raste shëndetësore duhet të trajtoheshin. Në fillim, gjëndja ishte e rëndë, kur numri i vdekjeve ishte tepër i lartë, ndërsa tani, me miratimin emergjent të vaksinave si Pfizer, Moderna dhe tani me miratimin e vaksinës së tretë të kompanisë Johnson&Johnson, situata është duke shkuar drejt kontrollit. Mos të harrojmë të përmendim se edhe përvoja tanimë një vjeçare rreth menaxhimit të sëmundjës, ka mundësuar që sistemi shëndetësor në të gjitha nivelet të reagojë në menyrë sa më të drejtë, ku përvoja e profesionistëve ka mundësuar që numri i vdekjeve të jetë më i ulët. Pas një viti, New York dhe shtetet e tjera të SHBA-së, edhe pse ka filluar vaksinimi, ende vazhdojnë që ti respektojnë rregullat e miratuara nga CDC dhe organet e tjera përkatëse në lidhje me këtë pandemi.

VAKSINIMI MES FRIKËS, NEVOJËS DHE TEORIVE KONSPIRACIONISTE 

Për shkak se prodhimi dhe shpërndarja e vaksinës është e limituar në SHBA, CDC, është duke i dhënë rekomandime nivelit federal, shtetëror, dhe lokal për menyrën e shpërndarjes, që qasje ndaj vaksinës të kenë kategoritë të cilat preken më rëndë nga kjo pandemi. Ekspertët e shëndetit publik dhe mjekësor në të gjitha nivelet kanë krijuar një plan bazuar në rekomandimet e CDC që në vaksinim të kenë qasje sa më të lehtë gjithësecili individ që është kategorizuar në nivele përkatëse në bazë të prioriteteve. Individët të cilët vaksinohen, monitorohen më pas në fazat e post-vaksinimit për efektet anësore me anë të platformave digjitale dhe mënyrave të tjera të cilat janë të rekomanduara nga CDC. CDC-ja në bashkëpunim me institucionet mjekësore në të gjithë SHBA, janë duke vrojtuar edhe efikasitetin me anë të hulumtiveve shkencore. Bazuar në hulumtime klinike, CDC rekomandon që të gjithë individët të vaksinohen, për shkak se vaksinat të cilat janë të miratuara, janë efikase dhe të sigurta. Sa i përket pyetjes rreth teorive konspirative, unë mendoj që ne si profesionistë shëndetësore nuk duhet të humbim kohë që ta keqinformojmë opinion rreth kësaj dukurie dhe të mundohemi që të reflektojmë në mënyrë sa më situatës së krijuar me virusin corona.

KOSOVA DHE SHQIPËRIA, PROBLEMATIKAT E SISTEMIT SHËNDETËSOR 

Kosova, Shqipëria, por edhe i gjithë rajoni i Ballkanit, ashtu sikurse e gjithë bota ballafaqohet me një virus vdekjeprurës dhe të paparashikuar. Unë nuk e di se si qëndrojnë këto shtete dhe si e kanë të organizuar sistemin e sigurimit dhe menaxhimit shëndetësor, mirepo, duke e patur parasysh që këto vende në përgjithësi ekonominë e kanë më pak të zhvilluar krahasuar me vendet evropiane dhe po ashtu dhe me SHBA-të, besoj që kanë sfida shumë më të mëdha duke u nisur nga aspekti financiar, kushtet nëpër spitale, mënyra e sigurisë së barnave dhe pajisjeve të tjera shëndetësore, që do t’ua kishte lehtësuar profesionistëve shëndetësorë punën dhe mënyrën më adekuate në trajtimin e pacientëve me COVID-19. Kjo çështje është e lidhur në mënyrë zinxhire dhe duhet një angazhim institucional më gjithëpërfshirës rreth menaxhimit të pandemisë globale. 

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT

I përshëndes të gjithë lexuesit e gazetës Dielli të Vatrës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë. Edhe pse jemi në rrugën e duhur, të mos harrojmë se pandemia ende nuk ka përfunduar. Virusi vazhdon të jetë agresiv sidomos në shtetet ku ende nuk e kanë marrë vaksinen. Vetëm vaksinimi këput zinxhirin e të keqes. Derisa të presim që mbarë populli të vaksinohet, duhet të jemi shumë të rregullt, të kemi kujdes maksimal, të mos neglizhojmë asnjë çast dhe mbi të gjitha të ruajmë distancën dhe të mbajmë maskat. Kjo periudhë është shumë delikate. Ju kisha lutur të gjithëve që mundohuni të rrini sa më larg moshave të thyera sidomos ata persona që kanë shumë kontakte me mjedisin rrethues në punë apo shoqëri.  Kujdes maksimal. Ne do ia dalim të gjithë bashkë. 

KUSH ËSHTË DR. NORA GASHI

Nora Gashi, MD është e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Prishtinë, Kosovë. Ajo përfundoi trajnimin e praktikës në Spitalin Kombëtar Universitar të Kosovës dhe u specializua në Mjekësinë Interne në Qendrën Mjekësore Beth Israel në New York, NY në vitin 2009. Për më shumë se një dekadë, Dr. Gashi punon si mjeke e përgjithshme dhe spitalore në disa shtete si NJ, NY, VT dhe HI. Ajo ka fituar kredencialet e çertifikimit dhe licencimit në specialitetin e saj sipas standarteve më të larta të mjekësisë amerikane. Dr. Nora Gashi është një shqiptare e Kosovës e lindur në Beograd, ish Jugosllavi gjatë një kohe që prindërit e saj ishin në specializim. Ajo i kaloi vitet e shkollës së mesme në Durham, North Carolina ndërsa prindërit e saj ishin në trajnime mjekesore për subspecializime në Duke University. Praktika e mjekësisë ka qenë gjithmonë një pjesë integrale e jetës së Dr. Gashi pasi të dy prindërit e saj ishin kirurgë të suksesshëm. Babai i saj i ndjerë ishte një nga kirurgët më të njohur torakal në Kosovë, ku ai mbante tituj si Shef i Kirurgjisë dhe Dekan i Shkollës së Mjekësise në Spitalin Universitar prestigjioz në Prishtinë, Kosovë. Nëna e saj, një OB-GYN në pension është një nga kirurget e para femra në Kosovë. Vëllai i saj, Dr. Valbon Gashi është kirurg vaskular në Prishtinë, Kosovë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Nora Gashi, Sokol Paja

Demokracia dikton ndryshim në Shqipëri

April 9, 2021 by dgreca

Nga Agustin Mirakaj

 6 muaj në Shqipëri pashë një transformim të frikshëm që rilindasit mbollën kudo ku shkelën. Skamja e trishtimi kishte mbytur thellë familjen shqiptare. Shpresa nuk egzistonte më në fjalorin dhe mëndjen e askujt. Të gjithë ishin gati të dezertonin shtëpinë gjënë e vetveten. Tmerri prej neokomunistëve rilindas ishte kthyer në një përbindësh të vërtetë Lypsar në çdo semafor, për sekondën mendova se mos isha në Bangladesh apo fiset e varfra të Afrikës qëndrore. Një dite teksa po kaloja anës lumit lana syt më panë një flamur, flamurin blu të Partisë Demokratike. Për momentin çdo gjë ndaloi. U nisa drejt tij pa menduar se ku do dal apo ku do ndal. Kalova një portë prej hekuri ku përballë shikojë selinë e Partisë Demokratike, shikojë siglën e ndyshimit, të shpresës, të lirisë. Demokracia është ajo që na e dha mundësinë të gjithëve të jetojmë sot të lirë, të barabartë dhe dinjitozë. Të shkollohemi, të krijojmë sipërmarrje, të lëvizim të lirë e të flasim siç na e do e bardha e zemrës. Partia Demokratike është e Partia e aspiratave dhe realizimit të ëndrrave për të gjithë shqiptarët. Dhe pse unë nuk jetoj më në Shqipëri, gjithmonë mendoj për vendin tim ku linda dhe u rrita. Jam i bindur se Shqipëria bëhet dhe besimi më shtynë akoma më shumë të shkruaj dhe për të mbështetur parimet që familja më mësoi në kamp internimi gjatë pushtimit terrorist komunist. E unë sot mbeshtes Partin Demokratike ku shtresa jonë (te persekutuarit) janë më shumë se kurrë pjesë e politikëbërjes e shumë janë kandidat për deputet më 25 Prill 2021. Ne shtresa jonë nuk zgjellim por ne e ndjejmë si detyrë të jemi pjesë e Partisë Demokratike dhe sot më shumë se kurrë duhet të mbështesim fuqishëm fitoren e saj. “Njeriu jeton një herë” por votën e hedh në kuti çdo 4 vjet. Sot Shqipëria ka nevojë për ty, për shpresë, për Lirinë e Demokracinë. 25 prill është kthesa, ndryshimi i një shteti modern i udhëhequr nga misionarë të vërtetë ku parimet dhe fryma demokratike janë motorrët e ndryshimit. Vota juaj është vota kundër gjarpërit të kuq që e helmoi Shqipërinë për shumë dekada. VOTA JUAJ SHQIPËRIA FITON

Filed Under: Opinion Tagged With: Agustin Mirakaj, demokracia, ndryshim me 25 Prill

Kosova shënon Ditën e Kushtetutës, në 22 vjet Liri e 13 Pavarësi

April 9, 2021 by dgreca

-“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 12 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”/

-Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 9 Prill  2021/ Kosova në 22 vjet Liri e 13 Pavarësi shënon sot Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.

 “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 13 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.

Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë për  Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë  – Agjencinë Telegrafike Shqiptare /ATSH/ në 9 Prill 2008.

Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.


“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.

 Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.


Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 13 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 13 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 32 vitesh, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

 Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para tre vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga atëherë presidenti Hashim Thaçi.

Trembëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 22 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

——-

Raportim që bëja  për  Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë  para 13 viteve-9 Prill 2008:

PËRMBLEDHJE – KUSHTETUTA FUQIZON SHTETIN E PAVARUR, SOVRAN, DEMOKRATIK, UNIK DHE TË PANDASHËM TË KOSOVËS

PRISHTINË, 9 prill /ATSH-B.Jashari/ – Kuvendi i Kosovës i mbledhur sot në një seancë solemne të jashtëzakonshme, ashtu si kur shpalli pavarësinë para më pak se dy muajsh, miratoi njëzëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që, siç u tha, fuqizon shtetin më të ri në botë si të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.
“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit.
Gjithçka ishte unanime në këtë seancë, që nga fillimi i saj, kur ishin të pranishëm në sallë 103 deputetë, të cilët aprovuan të vetmen pikë të rendit të ditës: Miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, trupi diplomatik në Kosovë, si dhe përfaqësues të arsimit, shkencës, artit e të fesë, hapi punimet pak pas orës 10:00, nën drejtimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të hap punimet e kësaj seance të jashtëzakonshme dhe solemne të Kuvendit për miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.
“Kushtetuta jonë sanksionon shkallë të lartë të idealizmit të një shoqërie të lirë, të hapur, demokratike dhe sovrane. Ajo promovon dhe u garanton të drejta të standardeve të larta komuniteteve pakicë në Kosovë. Që nga sot, të drejtat e komuniteteve nuk janë më thjesht vetëm vullnet i mirë dhe i deklaruar i shumicës, por kategori e përcaktuar kushtetuese dhe partneritet solemn e publik. Ato janë të mbrojtura dhe të pacenueshme”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Më pas, Kuvendit iu drejtuan presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, e kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, të cilët nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës  e vlerësuan një moment tjetër historik pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
“Në vazhdën e zhvillimeve jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare nga një numër i madh vendesh të botës demokratike, dita e sotme po kështu shënon një moment të veçantë në përmbylljen e ciklit të shtetndërtimit të Kosovës”, tha presidenti  Sejdiu.
”Kushtetuta, me peshën e saj të veçantë, sa mund të quhet me të drejtë përmbyllje e procesit shtetndërtues të Kosovës, po kaq, në të njëjtën kohë, në bazament të qëndrueshëm formal dhe juridik dhe esencial e fut Kosovën në rrafsh të ri të zhvillimeve shtetërore, politike dhe juridike”, shtoi ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë hap horizontin dhe mundësinë tonë për përballje me sfidat e shumta që do të kapërcehen duke e dëshmuar fuqishëm qëndrueshmërinë e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovë, të cilat edhe në rrugën e deritanishme kanë dëshmuar seriozitetin dhe këmbëngulësinë për veprim të sukseshëm në realizimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ”, theksoi presidenti Sejdiu.
Ai u shpreh optimist se mbi bazën e parimeve të Kushtetutës dhe duke pasur parasysh ndërtimin e gjithë strukturës institucionale përgjegjëse për zbatimin e tyre, “Republika e Kosovës do të kapërcejë më shpejt edhe rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.
Kryeministri  Hashim Thaçi tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është evoluim i historisë së përbashkët të kosovarëve dhe garanton liriëtë dhe të drejtat e të gjithëve. 
“
Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Vlerat fondamentale dhe liritë e të gjitha kombeve demokratike janë të mbrojtura me anë të kushtetutës. Prandaj, edhe ne sot kemi vendosur që ta ndjekim rrugën e shteteve të lira dhe demokratike”, u shpreh ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është vullneti ynë, është legjitimiteti dhe vula e shtetit të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.
Kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuqi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.
“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, te shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.
”Sot, në duart tuaja është drafti i Kushtetutës së Republikës se Kosovës si bazë e ndërtimit te sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror në shtetin tonë në të cilën kemi shprehur synimet tona, në emër të popullit të Kosovës, për të ardhmen e vendit tonë të lirë, demokratik dhe paqedashës si shtet i të barabartëve”, është shprehur Kuqi.
“Sovranitetin e Republikës sonë Kushtetuta e përcakton se buron nga populli dhe i takon atij. Ajo garanton integritetin territorial të Kosovës si të pacenueshëm,të patjetërsueshëm dhe të pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e lejuara”, siguroi ai.
”Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e konceptit të barazisë qytetare dhe e përcaktuar si shoqëri shumetnike, e përbëre nga shqiptarët dhe nga komunitetet e tjera ku qeveriset në mënyre demokratike dhe respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve para tij”, theksoi Kuqi.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nënshkruar të hënen pasdite nga Komisioni Kushtetues në një ceremoni zyrtare në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, e ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit e të komunave dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare.
Në dy ditët e para të prillit Komisioni Kushtetues i Kosovës e miratoi me konsenmsus të plotë tekstin final të Projektkushtetuës, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, e certifikoi atë duke vlerësauar se është në përputhje me Paketën Ahtisaari.
Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili është ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 shkurti, dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.
Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi më 15 qershor 2008”./
a.jor.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dita e Kushtetutes, kosova

Konjufca: Beteja e Koshares ishte shigjeta jonë e çlirimit dhe lirisë

April 9, 2021 by dgreca

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial në Koshare, në nderim të 114 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Pas homazheve, kryeparlamentari Konjufca tha se Beteja e Koshares, e 9 prillit 1999, ishte shigjeta jonë e çlirimit dhe e lirisë.    

“Jemi këtu për t’u përkulur para sakrificës së dëshmorëve të Betejës së Koshares. Në vitin 1999, pikërisht më 9 prill, filloi Beteja e lavdishme e Koshares, e cila ishte shigjeta jonë e çlirimit dhe e lirisë. Në krye me heronjtë e Kosovës Agim Ramadani e Sali Çekaj dhe me shumë luftëtarë dhe dëshmorë të cilët e dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares është një ndër momentet më të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“, ka thënë  kryparlamentari Konjufca, duke shtuar se Brigada 138 shembi gurin e kufirit dhe përmes kësaj dha shembullin se kombi shqiptar është një. 

“Fakti që kjo ditë koincidon me ditën e Kushtetutës së Kosovës është simbolikë e çlirimit të Kosovës“, theksoi kryetari i Kuvendit, z.Konjufca. 

Po sot janë përkujtuar me nderime edhe dëshmorët dhe të rënët në Rakoc e Lagje të Re të Kaçanikut.​

Filed Under: Featured Tagged With: beteja e Koshares, Konjufca, Kurti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • 126
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT