• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-77.6% kundër shkëmbimit të territorit me Serbinë

September 28, 2018 by dgreca

-Sondazhi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI): 77.6% e qytetarëve kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë. Shikuar sipas përkatësisë etnike, 80.3% e respondentëve nga komuniteti shqiptarë, 38.4% e respondentëve nga komuniteti serb si dhe 62% e respondentëve nga komunitetet e tjera, janë shprehur se nuk do të pranonin shkëmbimin të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë të marrëveshjeje eventuale në mes palëve/

KDISHTATOR-240x337Harta-Kosova-Kufi1535832934KDI_Jeta Krasniqi

PRISHTINË, 28 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Ideja e shkëmbimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë kundërshtohet nga 77.6% e qytetarëve kosovarë- respodentëve, sipas një sondazhi të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), rezultatat e të cilit u publikuan sot në Prishtinë.KDI ka mbajtur sot  konferencë shtypi, në të cilën janë  paraqitur rezultatet e sondazhit të shtatë të opinionin publik, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Periudha e anketimit ka qenë 05 – 13 shtator 2018.
Jeta Krasniqi nga KDI gjatë prezantimit të të dhënave, bëri të ditur se pyetjet e këtij sondazhi lidhen me zhvillimet e fundit rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi, rreth rolit të Presidentit dhe opozitës, rreth opsionit të shkëmbimit të kufinjve në mes palëve si pjesë të një marrëveshjeje eventuale dhe veprimeve të tyre dhe alternativën më të pranueshme të qytetarëve në mes një asocacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive dhe ndryshimit të kufinjëve të Kosovës.
Krasniqi ka bërë të ditur se qytetarët janë pyetur se sa janë të kënaqur me kahjen që Presidenti Thaçi, po i jep procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Janë 75.1% e qytetarëve të cilët janë shprehur të pakënaqur me kahjen që Presidenti Thaçi po i jep dialogut Kosovë-Serbi, përkundrejt vetëm 20% e tyre janë shprehur të kënaqur më këtë proces.
Sa i përket qëndrimit të qytetarëve nëse do të pranonin shkëmbimin e territorit në mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë të një marrëveshjeje potenciale, një përqindje mjaftë e lartë prej 77.6% të respodentëve kanë thënë se e kundërshtojnë këtë ide. Shikuar sipas përkatësisë etnike, 80.3% e respondentëve nga komuniteti shqiptarë, 38.4% e respondentëve nga komuniteti serb si dhe 62% e respondentëve nga komunitetet e tjera, janë shprehur se nuk do të pranonin shkëmbimin të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë të marrëveshjeje eventuale në mes palëve.
“Duke konsideruar opsionet e diskutuara aktualisht si alternativa të mundshme për një marrëveshje eventuale në mes palëve. Në pyetjes se cilën nga dy alternativat e mundshme qytetarët do të pranonin përkatësisht ndryshim të kufijve të Kosovës apo asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetencë ekzekutive. Shumica dërmuese e respondentëve përkatësisht 82.9% janë shprehur se nuk do të pranonin asnjë alternativë, ndërsa 10.5% e tyre do të preferonin më shumë ndryshim të kufinjve sesa asociacion të komunave me shumicë serbe për të cilën 6.6% e qytetarëve kanë shprehur mbështetje” , ka thënë Krasniqi.
Ajo ka shtuar se vlen të theksohet që alternativa më e preferuar për respondentët e komunitetit serb është asociacioni i komunave me shumicë serbe me 57%, ndërsa për komunitetin shqiptar dhe të tjerët ndryshimi i kufijve si preferencë pas asnjërit opsion.
Sa i përket pyetjes se çfarë veprimi qytetar do të ndërmerrnin nëse presidentët Thaçi-Vuçiq arrijnë marrëveshjen për shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë në baza etnike, rezultatet nxjerrin në pah se 51.5% e qytetarëve do të protestonin kundër kësaj marrëveshje. Janë 20% e qytetarëve të cilët janë shprehur se do të kërkonin referendum dhe 9% e tyre do të pajtoheshin me këtë marrëveshje.
Krasniqi bëri të ditur se në pyetjen rreth kënaqëshmërisë së qytetarëve me rolin që partitë opozitare po luajnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi,  65.6% e respondentëve janë shprehur të pakënaqur përkundrejt vetëm 29% të cilët kanë thënë se janë të kënaqur me rolin që partitë opozitare po luajnë në këtë proces.
Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar në kuadër të projektit , “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: 77.6% kundër shkëmbimit, të territorit me Serbinë

Pentagoni përkrahë ushtrinë dhe popullin e Kosovës

September 28, 2018 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Pentagoni përkrahë ushtrinë dhe popullin e Kosovës. Pritje me nderime të larta ushtarake nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-ve, James Mattis, në selinë e Pentagonit në Washington/

4 ramushi shefi i pentag.jpg1 takim Pent2 hyn shefi1 takimi s3 zbresin shk1 shtyllat

WASHINGTON, 28 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur me nderime të larta ushtarake nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-ve, James Mattis, në selinë e Pentagonit në Washington.

Kryeministri Haradinaj e ka informuar Sekretarin Mattis për të gjitha zhvillimet nëpër të cilat po kalon vendi. Në takimin me krerët më të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, Kryeministri Haradinaj ritheksoi se Ushtria e Kosovës do të jetë garancë e paqes në vend dhe rajon, multietnike dhe e gatshme për të shërbyer krah ushtrisë amerikane në misione paqësore në botë.

Kryeministri Haradinaj e njoftoi sekretarin Mattis për të gjitha të arriturat e vendit, në veçanti për procesin e nisur të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.“Të rinjtë tanë, nga FSK-ja kanë pasur fatin që të mësojnë nga profesionistët më të mirë të ushtrisë amerikane, përmes programeve që na janë ofruar përgjatë viteve. Kjo eksperiencë e fituar është baza më e mirë që e kemi për transformimin e FSK-së dhe Kosova është e gatshme për këtë etapë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e vendit është e fokusuar që të vazhdojë partneritetin me Pentagonin dhe Washingtonin zyrtar dhe ka kërkuar nga Sekretari Mattis përkrahjen e tij, në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat e sigurisë dhe në NATO.“Aleatët më të mirë të Kosovës në kohë krize dhe në kohë paqeje kanë qenë dhe janë ShBA-të. Ajo që kanë bërë ushtarët amerikanë duke shërbyer në Kosovë, është vepër për të cilën ne ndjehemi krenarë, për të cilën ju duhet të ndjeheni krenarë”, ka shtuar Kryeministri Haradinaj.

 Kryeministri Haradinaj e ka informuar Sekretarin e Mbrojtjes Mattis se Kosova është e gatshme të përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë dhe të përfundojë konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit.Nga ana tjetër, Sekretari Mattis ka shprehur konsideratat më të larta për popullin e Kosovës, të kaluarën e saj dhe aspiratat për të jetuar të lirë si pjesë e familjes euro-atlantike.

Sekretari Mattis ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë Amerikane për të ndihmuar Kosovën në procesin e dialogut, por edhe në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Në këtë kontekst sekretari Mattis konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për FSK-në dhe procesin e ndërlidhur me transformimin e kësaj force konform planit strategjik të paraparë. Në këtë plan Sekretari Mattis konfirmoi se ShBA do të punojë ngushtë në implementimin e secilës etapë të këtij plani.Pritja zyrtare me nderime ushtarake në Pentagon nga Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, është një nga takimet e posaçme në kuadër vizitës zyrtare që Kryeministri Haradinaj është duke e zhvilluar në ShBA./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Haradinaj, Mattis, pritje en Pentagon

Përparësitë e sigurisë detare në botë

September 27, 2018 by dgreca

1 Internacional

 Simpoziumi i 23 -të ndërkombëtar për detin, mbajtur në Newport
1 KonferencaNga Shefqet Kërcelli/

Simpoziumi i Fuqive detare { International Seapower Symposium, ISS),  mbajtur në Kolegjin Detar  të Luftës së Shteteve të Bashkuara, U.S. Naval War College (NWC),  ne data 18-21 shtator 2018, është forumi i parë detar në botë, ku mblidhen së bashku Komandantët e Flotave nga gjithe bota, për të forcuar sigurinë detare, nëpërmjet diskutimit të sfidave dhe mundësive të përbashkëta.Admirali John Richardson, {CNO} Drejtor i Operacioneve të Flotës së SHBA dhe Presidenti i NWC, Admirali Rear Jeffrey Harley, bashkëpritën simpoziumin, ku morrën pjesë më shumë se 90 drejtues Flotash në botë. Në këtë simpozium morri pjesë dhe Komandanti i Forcës Detare shqiptare, Gjeneralmajor Ylber Dogjani. Vendi ynë merr pjesë në këtë simpozium të rëndësishëm detar në rang botëror, që nga viti 2003. Qëllimi i Simpoziumit Ndërkombëtar të fuqive detare (ISS), është të sigurojë një forum të lartë ndërkombëtar, për të diskutuar sfidat e përbashkëta detare dhe mundësitë për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar të sigurisë detare. Për tre ditë rresht, zyrtarët më të lartë detarë në botë diskutuan këto çështje dhe dëgjuan personalitete të shquar të kësaj fushe.ISS është unike pasi është forumi i vetëm në botë që mbledh së bashku dhe në të njëjtën kohë drejtuesit e shumë Flotave, për të përmirësuar sigurinë detare dhe operacionet bashkëpunuese. Diskutimet në këtë simpozium  synuan në shtimin e përpjekjeve për të rritur bashkëpunimin në luftën kundër piraterisë, duke ofruar ndihmë humanitare , duke koordinuar kërkimin dhe shpëtimin në det, përfshi atë me nëndetëse, planifikimin dhe kryerjen e operacioneve ushtarake të koalicionit dhe zbatimin e ligjit të përbashkët kundër trafikimit njerzëzor, drogës, armëve, peshkimit dhe ndotjes së paligjshme. Ata diskutuan evolimin e strategjisë detare dhe mënyrat për të përtërirë dhe shfrytëzuar më së miri burimet e kufizuara. Disa shefa të marinës e përshkruan takimin si një mundësi të rrallë për të takuar krerët e tjerë të marinave dhe shkëmbimin e ideve. Tema ishte siguria, rendi dhe prosperiteti.Simpoziumi shënoi nivel të lartë jo vetëm nga niveli i pjesmarrjes, por dhe i lektorëve. Fillimisht për rëndësinë e kësaj cështje ndërkombëtare foli Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, zoti James Mattis, duke i uruar suksese këtij takimi të rëndësishëm. Pastaj referuan Sekretari i Marinës Richard V. Spencer; Admirali në pension Timothy J. Keating dhe Peter W. Singer, Admirali Fitzgerald, i cili ka vizituar vendin tonë në v.2007, strategë dhe ushtarakë të lartë të flotës dhe institucioneve detare të SHBA. “Ne kërkojmë një partneritet të vërtetë, bazuar në konceptin e risqeve të përbashkëta, ndaj duhet të krijojmë shpërblime të përbashkëta”, tha Spencer. “Një partneritet në të cilin asnjë komb i vetëm nuk është eksperti; dhe aftësia për të udhëhequr qëndron brenda të gjithëve ne. Ne mund të prodhojmë një ekuacion ku 1 + 1 = 3, ku të gjithë përfitojnë. ” Gjithashtu panelistët dhe folësit e ISS, shprehën një qëllim të përbashkët për të përmirësuar ndërveprimin midis flotës botërore, bazuar në parimin se “ne jemi më të fortë së bashku”. Duke u stërvitur së bashku, duke marrë vendime të përbashkëta, shkëmbime të personelit, pjesëmarrje në shkolla, akademi e trajnime tek njëri-tjetri, ne rrisim sigurinë globale, u theksua në simpozium. Kështu dhe ky takim i ISS rrit sigurinë reciproke, mbron rendin e bazuar në rregulla e ligje ku përfitojnëtë gjitha kombet duke kontribuar në zhvillimin botëror.Në një krizë detare, aftësia për tu mbledhur shpejt mbështetet në këto lidhje para-ekzistuese ndërmjet flotave, midis vendeve, niset që nga misionet e përbashkëta që kanë rëndësi për sigurinë, rendin dhe prosperitetin ekonomik. “Çdo ditë, aleatët dhe partnerët tanë bashkohen në mbrojtjen e lirisë, duke e penguar luftën dhe duke ruajtur rregullat që garantojnë një ligj të lirë dhe të hapur ndërkombëtar”, tha Spencer. Oqeanet që dikur ishin barriera fizike dhe psikologjike, duke i mbajtur kombet larg, tani janë autostrada detare që i afrojnë kombet së bashku. Flotat e fuqishme detare janë të përshtatshme në mënyrë unike për të ndihmuar në menaxhimin e rritjes dhe kompleksitetit të ndryshimit, në sajë të marrëdhënieve unike produktive që janë të mundshme, si dhe në bazë të historisë së fortë dhe aftësisë për tu sjellë e mirëkuptuar në përputhje me rregullat e ligjet e miratuara ndërkombëtarisht.

“ISS-23, manifestoi dëshirën për të forcuar lidhjet e besimit midis partnerëve dhe për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi, nga të cilat ne mund të mësojmë”, tha Richardson. “Mos bëni asnjë gabim, kjo dëshirë për të lundruar së bashku në mbështetje të bashkëqytetarëve tanë – pavarësisht nga erërat, valët dhe moti rreth nesh – është rryma që na ka tërhequr këtu në Newport.”

“Sa më shumë që bashkëpunojmë, aq më mirë do të jemi në gjendje të sigurojmë prezencë globale dhe rreth meridianit”, tha Keating, një nga folësit kryesorë. Ai vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se komunikimi i sigurt është thelbësor për një strategji efektive detare.

Në panel diskutimet, prezantimet dhe bisedat nga delegatët kishin të bënin me çështjet e përbashkëta të fushës detare, si operacionet e kombinuara, komunikimin në det, trafikimin e drogës, piraterinë, kontrabandën, lehtësimin e katastrofave natyrore dhe metodat e sigurimit të hapësirës së lirë dhe të hapur të oqeanit .

Gjatë fjalimeve të tij, Singer sugjeroi që, për të ruajtur paqen, fleksibilitetin dhe vetëdijen, është e nevojshme të kuptohen ndryshimet që ndodhin në ujë dhe në botë. Është e rëndësishme për të ardhmen e jo vetëm luftës detare, por edhe të politikës kombëtare.

Adm. Sunil Lanba, [Komandanti i Flotës së Indisë} rekomandoi gjatë një seance krijimin e mbrojtjen e “mirëbesimit të ndërsjellë detar”, si një atribut i rëndësishëm që duhet të përfshihet në themelin e të gjithë bashkëpunimit të tashëm dhe të ardhshëm .

Prof. Sally Yozell, Drejtor i sigurisë mjedisore për Qendrën Stimson, ilustroi ndikimin e rrjeteve të paligjshme në burimet natyrore dhe në marrëdhëniet më të mëdha gjeopolitike.”Shtrirja e plotë e peshkimit të paligjshëm, të parregulluar dhe të parroportuar (IUU) shkon përtej mjedisit”, thotë Yozell. “Kjo kërcënon sigurinë ekonomike dhe ushqimore të komuniteteve të varura nga peshkimi dhe ka qenë e lidhur edhe me rritjen e tensioneve gjeopolitike në Jug Detit të Kinës, piraterisë jashtë bririt të Afrikës, dhe tregtisë së drogës në Amerikën Latine. Peshkimi IUU, shpesh përdor të njëjtat rrjete si krimi i organizuar ndërkombëtar të cilët janë të angazhuar në shitjen e mallrave të tregut të zi.Ne duhet të marrim një qasje rajonale dhe të ndajmë inteligjencën në të gjithë marinat dhe rojet bregdetare për të luftuar këto rrjete të paligjshme. “Ndërkohë katër anije të flotës amerikane ishin të pranishme për këtë simpozium: konkretisht, anijet amfibe të transportit USS New York (LPD-21), Destrojeri USS Lassen (DDG-82), transportuesi i shpejtë ekspeditiv USNS “Qyteti i Bismarkut (T-EPF-9), si dhe Rojet bregdetare të SHBA Cutter Lwërence Lawson (WPC 1120). Delegatët dhe bashkëshortët e tyre kishin mundësi të udhëtonin në anije, të nxisin marrëdhënie të mira dhe të përhapnin përvoja për marinarët që merrnin pjesë.Gjatë fjalëve të tij, CNO, Admirali Richardson, shpjegoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit detar ndërmjet aleatëve dhe partnerëve, i cili siguron rrugët kryesore detare që mbështesin tregtinë globale.Simpoziumi i parë i fuqive detare u zhvillua  në v1969 në Newport dhe u krijua për të lejuar liderët detarë nga e gjithë bota të takoheshin dhe diskutonin çështje të përbashkëta me të cilat ballafaqoheshin, si t’i trajtojnë këto çështje dhe në fund të fundit, të gjejnë zgjidhje për to. Simpoziumet e viteve të kaluara kanë rezultuar në një bashkëpunim të shtuar në luftën kundër piraterisë, duke ofruar ndihmë humanitare, duke koordinuar kërkimin dhe shpëtimin në det (duke përfshirë shpëtimin nëndetës) dhe duke luftuar kundër trafikimit të armëve / drogës / trafikimit të qenieve njerëzore dhe shkeljeve të peshkimit / ndotjes.Ndërsa vendi ku u zhvillua simpoziumi, Kolegji Detar i Luftës,{NWC} është  themeluar në vitin 1884. NWC është institucioni më i vjetër i këtij lloji në botë. Më shumë se 50,000 studentë janë diplomuar që nga klasa e parë e nëntë nxënësve në 1885. Përafërsisht 300 admiralë, gjeneralë dhe drejtues të lartë të diplomuar këtu kanë shërbyer në Flotat e Rojen Bregdetare Amerikane.Theksojmë se këtë Kolegj prestigjioz e kanë përfunduar dhe disa ushtarakë detarë nga Shqipëria. Një bashkëpunim që vazhdon.

Filed Under: Featured Tagged With: e sigurisë detare, ne bote, Përparësitë, Shefqet Kercelli

Atë Shtjefen Gjeçovi – dëshmues i fazës arketipale të psikologjisë etnike të popullit tonë

September 27, 2018 by dgreca

1-Gjecovi-300x225Me rastin e 145-vjetorit të lindjes/

Nga Anton Çefa/

Atë Gjeçovi lavroi në disa fusha të dijes e të artit, por kur na përmendet në kujtesë emri i tij, si një lapidar shkëqimtar na përfytyrohet Kanuni, vepra monumentale e kulturës sonë popullore.Merita e tij në kodifikimin e Kanunit qëndron në faktin se ai ka rregjistruar jo vetëm ligjet e së drejtës zakonore, por edhe “ligjet” e etikës”; duke na vijëzuar një hise të dorës së parë të psikës sonë etnike, strukturën morale të shoqërisë kanunore, e cila në të njëjtën kohë është struktura më e hershme e etikës morale të popullit tonë. Tek ajo pasqyrohet gjithashtu qenia dhe qenësia e një ideali të fisëm etik. Duke na dhënë kodin e hershëm juridik dhe ngjizur me të kodin etik të frymëzuar nga ideali etik, Gjeçovi na paraqiti para botës jo vetëm si një popull i lashtë e fisnik, po edhe i qytetëruar. Në primitivizmin e vet jetësor, populli ynë vuri ligje për të rregulluar jetën e vet shoqërore, dhe një populli që krijon ligje dhe që ushqen një ideal etik është vërtet i  qytetëruar.

(Marr leje të bëj një “ndërkllapa”. Atë që bëri Gjeçovi në fushën e së drejtës zakonore, e bënë më vonë në fushën e artit folklorik mbledhësit dhe botuesit e parë të këngëve të kreshnikëve, At  Bernardin  Palaj dhe At Donat Kurti,  të cilët i  “kodifikuan” ato, duke i  dhënë formën e plotë të një eposi. Ky monument i dytë madhor dhe madhështor i kulturës  sonë popullore mbas Kanunit pasqyroi në fushën e artit psikologjinë etnike të popullit tonë, atë psikologji  që kishte pasqyruar Gjeçovi tek  Kanuni.)

“Ligjësia” psikologjike në veprën e Gjeçovit është fryma, shpirti, virtyti, ndërsa kanunësia e së drejtës është lënda, trupi, ligji. Nga virtyti lind ligji, virtyti është fryma që i jep jetë ligjit. Ligji pasqyron karakterin, virtyti e dëshmon atë. Kështu, nga Gjeçovi ne mësojmë përbërës me vlerë të psikologjisë sonë etnike drejtpërdrejt dhe tërthorazi; drejtpërdrejt nëpërmjet parashtrimit të tij të lëndës dhe tërthorazi nëpërmjet ligjeve kanunore.

Ndryshimi mes ligjit kanunor dhe normës morale qëndron në pasojat e tyre. Pasojë e shkeljes së ligjeve të së drejtës është gjyqi, dënimi; ndërsa shkelja e “ligjeve” të virtytit, mosrespektimi i tyre nuk ka gjyq, ndëshkim, por ka thjesht dënimin moral: turpin. Gjeçovi në KLD e ka sqaruar këtë çështje, duke e cilësuar shkeljen e virtyteve si shnjerëzim ose duke folur për “të falmen”, kur thotë: “Je i lirë me mbajtë burrninë tande, je i lirë me u shburrnue”.

         Për ta sqaruar më mirë këtë çështje, po marrim si shembull besën, ku duket i  qartë dallimi mes ligjit kanunor dhe normës morale.Gjuhësisht, leksema besë është një fjalë homonimike; ajo emërton dy dukuri krejt të ndryshme nga njëra-tjetra: besën si zakon i së drejtës kanunore dhe besën si normë morale.

Si normë e së drejtës, “besa asht një vade (periudhë kohe) lirije e sigurimi qi shpija e të vramit i ep dorërasit të tij, tuj mos i ndjekë për gjak perkohsisht e mje (deri) në vade të caktueme” . Ndërsa si virtyt ajo është thjesht mbajtja e fjalës së dhënë.

Besa si doke kanunore nuk funksionon vetëm, ajo kërkon të shoqërohet me benë. “Beja asht nji sjellje besimtare, per mjet së cillës nieri, tue dashtë me dalë së keq prej nji zhgarkimi të dhunshem, do të përkasë me dorë nji shej besimi, tuj e grishë emnin e Perendis në dishmi të së vertetës.”. Ndërsa si fjalë e dhënë, ajo është e vetëmjaftueshme; nuk ka nevojë për benë e as për ndonjë kusht tjetër. Me fjalë të tjera, për  ngrënien e fjalës së  dhënë  nuk  fajësohet e ndiqet tjetri penalisht. Pasojat janë vetëm shpirtërore: turpi a koria, a në mënyrë metaforike: faqja e zezë.

*

         Përballë Çabejt, Konicës, Anton Harapit, që kanë bërë objekt të veçantë studimi psikologjinë etnike të popullit tonë; Barletit, Bardhit, Bogdanit dhe pothuajse të gjithë shkrimtarëve e publicistëve të Rilindjes dhe të Pavarësisë,  dhe mjaft të huajve, prej të cilëve po përmend Valentinin, Cordignano-n, studiuesin dhe përkthyesin në anglisht të Kanunit, Leonard Fox, studiuesin  japonez Kazuhiko Yamamoto, studiuesin amerikan George Fred Williams, e ndonjë tjetër që kanë dhënë mendime në këtë lëmë studimore, Gjeçovi zë një vend të veçantë, si dëshmues i strukturës etike të popullit tonë në fazën e saj arketipale, në një hapësirë të gjerë kuptimore, dhe duke u bërë kështu refernca e parë dhe më e rëndësishme për këtë fushë shkencore.

Kjo strukturë etike arketipale përfshin virtyte të tillasi burrëria, nderi, besa, ndorja, falja, mikpritja, dhe, për rreth kësaj bërthame, një varg tiparesh humane të tjera si ndjenjat e ngrohta e të pastra familjare,kulti i prindërve dhe, përgjithësisht, i të parëve, bujaria, nderimi i veçantë për të vdekurit, dashuria e pakufishme për vendin, ndjenja e mosnënshtrimit ndaj të huajit, armikut,një dëshirë e etshme për të jetuar të lirë, gatishmëria deri në vetmohim për t’i mbrojtur trojet dhe lirinë prej të huajve, karakteri luftarak, trimëria, heroizmi, nderimi dhe një ndjenjë e veçantë për armën, qëndresa në sprova të vështira përballë armikut, krenaria kombëtare, individualizmi, konservatorizmi, që profilizojnë identitetin shpirtëror të popullit tonë.

Natyrën arketipale të strukturës sonë etike e kanë vënë në dukje edhe shumë studiues të huaj. Leonard Fox ka shkruar: “Shumica e ligjeve të pasqyruara në Kanunin e Lekë Dukagjinit janë në fakt arketipe legale, që janë ruajtur nga periudha  ekstremisht arkaike të qytetërimit njerëzor”. Ai e ka vlerësuar Kanunin si “shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, karakter që mishëron një moral të pakompromis të bazuar në drejtësi, nder, dhe respekt për veten  dhe për të tjerët”. Ndërsa studiuesi japonez Kazuhiko Yamamoto, i pari studiues nga kontinenti aziatik që ka bërë objekt studimi të drejtën zakonore shqiptare dhe i pari që, duke e shqyrtuar në rrafsh krahasues me traditën mitologjike japoneze dhe me strukturën etike të shoqërisë homerike, të pasqyruar tek “Iliada” dhe “Odisea” dhe tek tragjeditë e Eskilit e të Sofokliut, e ka trajtuar atë si sistem vlerash etike të një shoqërie pagane transhendentale  dhe, duke polemizuar me hipotezat e mëparshme për problemin e zanafillës së etikës në shoqërinë njerëzore, e ka cilësuar atë si fazën fillestare të organizimit shoqëror të një shoqërie ku mungon shteti.

Lashtësinë e sistemit të vlerave etike të Kanunit tonë, natyrën e tyre arketipale, Yamamoto e ka çuar deri në pragun zanafillor. Mbasi ka kritikuar teoritë e Hobbes-it, Rusoit, Niçes dhe Gerardit për origjinën e rendit shoqëror, dhe, lidhur me të, për stadin më të hershëm të psikologjisë njerëzore, ai ka shtruar hipotezën që struktura etike shqiptare e pasqyruar në Kanunin e Lekë Dukagjinit përbën fazën e parë të etikës njerëzore.

*

Ku qëndron vlera aktuale e trajtimit të strukturës etiko-morale arketipale të shoqërisë së hershme shqiptare nga Gjeçovi? Ndërsa kanunësia e së drejtës ndryshon me ndryshimin e rrethanave shoqërore, kështu që sot nuk mund të bëhet fjalë për zbatimin e së drejtës kanunore, gjë që perëndoi që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, psika e pasqyruar tek kanuni dhe sidomos ajo hise e saj që ne e quajmë strukturë etike është më e qëndrueshme, më konservative. Sadoe dobësuar nga rrethanat historike të pavolitshme, ajo është ruajtur në vetëdijen dhe nënvetëdijen tonë.

Historikisht  ka qenë kjo traditë që e ka mbrojtur shqiptarin nga tëhuajsimi, ky  synim i përgjithmonshëm dhe kjo përpjekje e vazhdueshme e pushtuesve të huaj, dhe do të jetë sot e kësaj dite fondi shpirtëror me të cilin do t’i rezistojmë rreziqeve që paraqesin tendencat globaliste  të kohës së sotme.

Në mënyrë të veçantë, në periudhën e regjimit komunist, me imponimin e ideologjisë komuniste, kjo trashëgimi e vyer u sulmua nga diktatura me të gjitha format e mundshme, jo vetëm me plane e programe të planifikueme, pleniume e kongrese të bujshme, por edhe me dhunë. Siç ka shkruar Sami Repishti: “Pushkatohej ai që shtëpinë e konsideronte të Zotit dhe të mikut, burgosej e vritej ai që ruante nderin më shumë se jetën, torturohej mizorisht ai që burrnisht nuk pranonte me shpifë për shokun ose të panjohurin, internohej  shqiptari që mbajti besën e dhënë ose bashkëshorti, sidomos gruaja, që nuk tradhëtonte burrin.”
         Është në natyrën e shqiptarit që ta ndjejë veten më të lirë, më të plotësuar, më të realizuar, në gjirin e këtij tradicionalizmi instinktiv e njëheri gjallërues që priret gjithnjë nga e reja, drejt një perspektive premtuese të së ardhmes.

Sot e kësaj dite, është kjo traditë sa e fisme aq origjinale që na jep mundësinë të paraqitemi denjësisht para popujve të tjerë.  “Pohimi ‘Jam shqiptar!’, ka shkruar Koliqi, mbetet pa veshtrim kur nuk mbështetet themelisht në pasuni të dokeve jetike. Po nuk lidhem krenín e emnit shqiptar me besë, nderë, burrní, mikpritje, d.m.th. me trashigim stërgjyshuer, sa për vetina tjera, cilado qofshin, na radhitemi në bisht të kombeve t’Europës. Në qe se në historín e qytetnimit europjan kemi shkrue ndonji kapitull, ndoshta të shkurtë e të zbetë, por që dishka vlen, kjo i detyrohet atyne vetive gojdhanore.”

Problemi i njohjes, i ripërtritjes dhe i kultivimit të vlerave pozitive të traditës dhe i shmangies së tipareve negative është faktor i nevojshëm dhe i domosdoshëm në zhvillimet e jetës shpirtërore dhe po aq një mjet i rëndësishëm në strukturimin e jetës politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore, artistike, etj., të një populli. Njohja e substancës etike përbën një vlerë imperative. Njohja e kodit etik popullor dhe, në rastin tone, ripërtritja e tij është parakusht për ndërtimin e një filozofie të jetës kombëtare, të një edukate kombëtare të breznive të reja dhe, po ashtu, një parakusht për t’i vënë themele të sigurta ligjshmërisë shtetërore.

Në rrethanat tona të sotme, është e nevojshme dhe e domosdoshme të synojmë dhe të përpiqemi për një ripërtritje shpirtërore të popullit, në funksion të vetëdijësimit të tij lidhur me detyrat për ndërtimin e një jete qytetare të qëllimshme të frymëzuar nga idealet e larta atdhetare  e shoqërore, dhe sidomos të një demokracie të shëndoshë, të cilën klasa politike nuk ka arritur dhe nuk ka dashur ta vërë në jetë. Pa këtë ripërtritje, pa këtë vetëdijësim, nuk mund të bëhet fjalë për një integrim në qytetërimin perëndimor, për t’i bërë tonat ato vlera të shëndosha që e karakterizojnë atë dhe që konsistojnë në ndërgjegjësimin e çdo qytetari për përgjegjësinë ndaj vetes, shoqërisë dhe atdheut, për çdo gjë që ndodh me të dhe rreth vetes së tij.

Është detyrë e ditës që në gjithë veprimtarinë tonë shoqërore e kombëtare të shkëlqejë gjithnjë ideali etik i etnosit tonë i mbrujtur ndër shekuj. Sepse ideali etik është atributi shpirtëror qenësor, njësia që e ushqen dhe i jep formën e njëmendtë idealit kombëtar; ai nuk është thjesht jehonë e një realiteti të dikurshëm, e një të kaluare historike, por, dhe kjo është kryesore, ai është e duhet të jetë një synim i dorës së parë për të ardhmen, një ideal që duhet të vezullojë gjithnjë mbi hapësirën shpirtërore shqiptare dhe, sidomos, mbi atë ngastër të saj të shenjtë që ne e quajmë shkurt ndërgjegje kombëtare dhe që është aspiratë dhe njëheri krenari, vetëmohim dhe njëheri heroizëm për secilin prej nesh. Kur misionari aktiv i Foreign Office-s, Edmund Spencer, që vizitoi Shqipërinë në vitin 1847, shprehej:“Shqiptarët tregojnë çdo virtyt social që dallon banorët e vendeve më të qytetëruara” ose kur F. S. Douglas që, si shoqërues i lordit anglez Frederik North, vizitoi Ali Pashë Tepelenën , më 1811, shkruante: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh”, ata sigurisht kishin parasysh ndërtesën fisnike shpirtërore të popullit tonë dhe, në vijë të parë, atë ideal që i jep dritë asaj ndërtese, idealin e lartë etik të popullit tonë, si faktor parësor për ekzistencën e një kombi, njëmendësinë shpirtërore që përbën njësinë e matjes, etalonin që formëson dhe përcakton dimensionet e një kombi. Një popull që e humb atë shkon drejt shkombëtarizimit; dhe, në ditët tona, e përpin globalizmi ndërkombëtar. “Shpirti dhe gjenia kombëtare, ka shkruar Noli, janë ato që e ndajnë (dallojnë) një komb nga tjetri, dhe këto duhen mësuar dhe lëruar, në qoftë se një komb s’do vdesë. Orën që i humbi, është i vdekur”, sepse “pas vdekjes morale, vjen vdekja fizike.”  Prandaj, problemi i strukturës morale etnike, i idealit etik që e përshkon atë, si përbërës i qenësishëm i një ndërgjegjeje të shëndoshë kombëtare, është i lidhur ngusht me fatet e popullit dhe të atdheut.

Duhet të pranojmë që populli ynë sot po përjeton një krizë të thellë morale tepër të rrezikshme për të sotmen dhe sidomos për të radhmen. Nuk mund të çlirohemi prej saj, nëse nuk përpiqemi të përtrijmë atë çka ka mbetur prej tharmeve shpirtërore të së kaluares, të ripërtrijmë ato çka janë venitur apo shuar krejt dhe të hedhim sytë drejt së ardhmes, duke u përpjekur për  fisnikërimin e njeriu tonë.

Megjithëse edhe në këtë periudhë që po futet në histori me etiketën e një tranzicioni deshtak drejt një demokracie të vërtetë, shoqëria shqiptare nuk arriti të jetësojë një ripërtëritje aq të dëshiruar të traditave të vyera shpirtërore, populli ynë, që i ka bërë ballë përpjekjeve shekullore asimiluese të të huajve shumë më të fuqishëm se ai; ky popull që ka ruajtur gjuhë e zakone, ky popull që ka plazmuar një individualitet etnik original, duke u kapur me xhelozi pas traditave, ky popull është i aftë për një zgjim shpirtëror të tillë që, duke bërë të veten atë çka të mirë na ofron qytetërimi perëndimor, i filtruar gjithnjë në filtrën e psikës  sonë, të ripërtërijë atë substancë etike të fisme të trashëguar prej të parëve dhe të dëshmuar nga Gjeçovi. Është pikërisht kjo traditë e qenësishme shpirtërore kushti ekzistencial i mbijetesës  dhe i afirmimit tonë me dinjitet në gjirin e kombeve të tjera.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Ate Shtjen Gjecovi, dëshmues i fazës arketipale

Protesta në Prishtinë – shansi i humbur i LDK-së…

September 27, 2018 by dgreca

….fitore e pastër e Vetëvendosjes!/29 Shtator proteste

Nga Enver Bytyçi/ Pasnersër, me fatën 29 shtator 2018 në orën 14.00, Lëvizja Vetëvendosja do të organizojë në kryeqytetin e Kosovës protestën e parë kundër presidentit të vendit Hashim Thaçi. Disa elementë të kësaj proteste, e ndryshme nga të gjitha protestat e derisotme të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, mund të jenë: 1. Organizatorë të protestës – Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti. 2. Pjesmarrës në protestë: Anëtarët, simpatizantët dhe gjithë shqiptarët që e kanë të shënjtë atdheun dhe territorin e tij. Pjesmarrës do të jenë edhe anëtarët e Lidhjes Demokratike, të partive në koalicionin qeverisës, përfaqësues të shoqërisë civile, por jo krerët e tjerë të opozitës ose të pushtetit. 3. Protesta adresohet kundër planeve të presidentëve të Serbisë dhe të Kosovës, përkatësisht Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi, për ndarjen e territorit të vendit. 4. Qëllimi i protrestës është të ndalohet çdo mundësi për bisedime për të ashtuquajturin “korrigjim të kufijve”, gjë që përkthehet në ndryshim kufijsh. 5. Vendi i protestës është sheshi kryesor i kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Por në këtë protestë ka edhe disa risi: 1. Opozita e Kosovës e ka lënë Vetëvendosjen të vetme në organizimin e saj. Ndërsa Lidhja Demokratike i ka shpall luftë kryeministrit të vendit, Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur papajtueshmërinë e saj me presidentin e Republikës, Hashum Thaçin, për (mos) ndryshimin e kufijve dhe mbrojtjen e territorit të vendit. 2. Lidhja Demokratike nuk i është bashkuar protestës për mbrojtjen e territorit, sepse kërkon të shfrytëzojë situatën dhe konfliktin midis kryeministrit dhe presidentit me qëllim marrjen e pushtetit! Kjo do të thotë se LDK bëhet mbështetje e presidentit Thaçi për ndarjen e vendit! Pra për LDK-në ka rëndësi pushteti, për Vetëvendosjen e Albin Kurtit ka rëndësi tërësia territoriale e Kosovës! 3. Lidhja Demokratike e Kosovës me qëndrimin e saj kundër ose asnjanës ndaj protestës potencon se “Institucionet e shtetit janë të rëndësishme” dhe beson se Kosova mund të ketë institucione pa territor! Absurde! Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë del në mbrojtje të shtetit të Kosovës e njëkohësisht territorit të saj, ndërkohë që vitet e shkuara ka zhvilluar disa protesta me moton e mosnjohjes së institucioneve të vendit! Ky është një kapërcim i madh në vetëdijësimin e saj! 4. Këto zhvillime në opozitën e Kosovës dëshmojnë se LDK dhe Vetëvendosje po ndërrojnë rolet, po zhvendosen në pozicione të panatyrshme ose të kundërta me atë çfarë ato janë proklamuar në të kaluarën! 5. Nga protesta e të shtunës del e fituar Kosova, pas saj Lëvizja Vetëvendosje dhe do të humbasin presidenti i Kosovës dhe aleatët e tij në Lidhjen Demokratike! LDK-së do t’i duhet shumë kohë t’i bindë qytetarët se nuk lufton për pushtet, por lufton për shtet e mbrojtjen e atdheut. LDK nuk mundi të kapë trenin e për pasojë do të vonohet! Çdo vonesë e saj do ta rrënojë besimin që ka te zgjedhësit në Kosovë. 6. Kam qenë kritik i Albin Kurtit, por me protestën dhe qëndrimet e qarta e të drejta të tij në mbrojtje të territorit të Kosovës ai nuk meriton kritika, përveçse vlerësimit maksimal të qytetarëve! Nëse Albin Kurti vazhdon ta përmbushë detyrën e tij në këtë objektiv, ai do të tejkalojë çdo vështirësi që mund t’i vijë për të qenë së afërmi kryeministër i Kosovës! Atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës do ta kuptojë se treni i humbur është edhe shans i humbur! Tirane, 27.09.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Protesta në Prishtinë, vetevendosja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1255
  • 1256
  • 1257
  • 1258
  • 1259
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT