” Demokracia nuk pret”,Një rikthim i demokracisë edhe pse në libër/
Ngjarje që rrënqethin

Nga Astrit Lulushi/
Romani “Vajza e Gjeneralit” nga Aleko Likaj, ka dy anë; dashuri e dhimbje – shëmti e neveri. Ngjarjet vendosen në Shqipëri e Francë në të kaluarën (vitet ’70 – ‘90 të shekullit XX). Në atë kohë ishte bërë traditë që të rinj shqiptarë të përzgjedhur nga rradhët e elitës komuniste dërgoheshin për të studiuar jashtë shtetit, që një ditë të bëheshin mbrojtës, itharë, trashëgimtarë e pasues të regjimit. Shumica e tyre vërtetë u bënë, mund të thotë dikush që jeton në Shqipëri sot.

Shqipëria ishte vend tmerrësisht i mbyllur nën sundimin e diktaturës, e cila mbi të gjitha, i fuste njerëzve frikën për jetën, dhe krijonte ankthin pambarim. Sistemi ishte ngritur për të kufizuar dhe vrarë lirinë e njerëzve, thotë Bardhi, personazh kryesor në libër. Fatkeqësisht ai e kuptoi këtë shumë vonë, pasi e kishin kthyer nga Franca, dhe tani ndodhej në pritje të turturave në një nga birucat e errëta të hetuesisë. “Faji” i tij kishte qenë dashuria me një franceze kur të dy studionin në univeritetin e Bordosë. Vajza ishte bijë gjenerali, dhe Bardhi akuzohej se ishte rekrutuar për të spiunuar vendin e tij. Kjo ishte puna e “sigurimit”, për të intriguar e krijuar dosje me shpifje sa më monstruoze, sot qesharake. Shkrimtari e përshkruan këtë gjendje me art por edhe vërtetësi. Lexuesi i ngul sytë mbi faqet e librit. Nuk ka mundësi tê ketë ngjarë, thotë, dhe mpihet i tëri kur zbulon të vërtetën.
Njerëzit kishin gabuar për njerëzit me rëndësi, të cilët dolën nga një luftë vëlla-vrasëse dhe pastaj u idolizuan aq shumë, saqë e morën veten po aq seriozisht; u vendosën në vila të vjedhura e të grabitura, zhdukën pronarët, krijuan “Bllokun”, dhe filluan të ngjisnin shkallët, si të tjerë dikur në kullën e Babelit, për të kapur e zëvendësuar Perëndinë. Ata ishin ata, të tjerët ishin krijuar për t’u bërë skllevër të tyre. Të gjitha idetë që shprehnin i quanin të rëndësishme; për zbatimin e tyre prisnin, internonin, edhe pse dëshmonin se vetë ishin injorantë sa herë që hapnin gojën pêr fjalime, raporte e kongrese turmash
Lufta e klasave, vendosja e ligjeve në favor të një pjese dhe paragjykimi e shtypja e pjesës më të madhe ishte politika më e gabuar ndër të gabuarat. Këto masa që krijonin inate, xhelozi dhe armiqësi brenda një shteti (lufta e klasave), sollën edhe pasoja, si intriga e rreziqe, përndjekje, burgosje e vrasje, përmbysje.
Marrëveshje Kosovë – Serbi para pranverës 2019 ?!
Adebahr: BE dëshiron marrëveshje Kosovë – Serbi para pranverës së vitit të ardhshëm/

Nga Kestrin Kumnova/RFL/
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve territoriale përfshin edhe vende tjera dhe jo vetëm Kosovën dhe Serbinë prandaj duhet dëgjuar se çfarë mendojnë ata për këtë çështje, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Cornelius Adebahr, ekspert i politikës së jashtme të BE-së, pranë Qendrës për Hulumtime Politike, Carnegie Europe.
Sipas tij, Bashkimi Evropian pret që një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet para pranverës së vitit të ardhshëm, përderisa thekson se gatishmëria për njohje e pesë vendeve të BE-së varet nga vlerësimi i tyre për marrëveshjen mes dy vendeve.
Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian tashmë ka vënë disa afate siç është viti 2025 për integrimin e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, megjithatë ekzistojnë ndasi në kuadër të BE-së për këtë çështje. Së fundi, presidenti i Sllovenisë Borut Pahor tha se integrimi duhet të shtyhet për shkak të problemeve me BREX-it. Edhe Presidenti i Francës, Emanuel Macron nuk ka shfaqur entuziazëm për anëtarësim të shpejtë të këtyre vendeve. Si mund të reflektojë kjo në Ballkanin Perëndimor?
Cornelius Adebahr: Nuk ekzistojnë afate për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por vetëm kritere ekonomike dhe politike. Këto duhet të plotësohen nga vendet kandidate dhe nuk është ndonjë fshehtësi që këto kritere janë bërë më të ashpra që nga zgjerimi “Big Bang” i vitit 2004, ashtu siç rregulloret e BE-së janë bërë më komplekse.
Pra, pikërisht pse apetitet për anëtarësime të reja janë të ulëta në disa vende anëtare, dhe menaxhimi i daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja është një presion dhe shqetësim kryesor, është qenësore që vendet aspiruese të zbatojnë kushtet e nevojshme. Në fund të fundit reformimi i sistemit të tyre politik dhe ekonomik karshi standardeve të BE-së është në interesin e tyre, pavarësisht se kur mund të anëtarësohen në BE.
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni ju përparimin që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE?
Cornelius Adebahr: Përparimi ka qenë i ngadalshëm në shumicën e vendeve dhe shumë më i ngadalshëm në të tjerat. Janë raportet e rregullta të Komisionit Evropian që japin më shumë detaje në këtë drejtim dhe tashmë është fshirë fjala “progres” nga titujt e këtyre raporteve.
Rusia, Turqia dhe Kina drejt Ballkanit Perëndimor
Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, tha para Parlamentit Evropian se aktorë tjerë mund të shtrijnë ndikimin në Ballkanin Perëndimor nëse BE-ja e lë atë pas dore. Nga kush rrezikohet Ballkani sipas jush në rast se vazhdojnë shtyrjet e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE?
Cornelius Adebahr: E përsëris, nuk është Bashkimi Evropian ai që shtyn afate të anëtarësimeve të mundshme të vendeve të rajonit, por janë pikërisht këto vende që nuk janë ende të gatshme për anëtarësim. Të theksojmë se BE-ja është e vetëdijshme se Rusia, Turqia dhe Kina janë vende që në nivele të ndryshme, kanë bërë oferta për Ballkanin Perëndimor që duken atraktive për politikanë ose qytetarë apo për të dy bashkë.
Megjithatë, asnjë nga këta aktorë nuk mund të ofrojë perspektivë të një mbështetje afatgjate përmes anëtarësimit, dhe as ndihmë financiare të krahasueshme. Pra “të mos neglizhohet Ballkani” është njëri aspekt, dhe tjetri aspekt është të pranosh vendet të reja anëtare para kohe që në fakt është veprim i pamatur.
Radio Evropa e Lirë: Shtetet perëndimore kanë shprehur shqetësim me rritjen e ndikimit turk në rajonin e Ballkanit. Tregtia mes Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë ka shënuar rritje prej 430 milionë dollarë në vitin 2002 në 3 miliardë dollarë gjatë vitit 2016. Cili është interesi kryesor i Turqisë, por edhe i Rusisë dhe Kinës për shtrirje të ndikimit në Ballkan sipas jush?
Cornelius Adebahr: Rritja e tregtisë është e mirë për rajonin, e cila padyshim nuk duhet të mbështetet vetëm në të bërit biznes me Bashkimin Evropian. Megjithatë, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së duhet të përvetësojnë rregullat e qasjes në treg, transparencën, sundimin e ligjit dhe kështu me rradhë. Kjo do të ndihmonte në të bërit e dallimit midis biznesit të mirë dhe të keq pavarësisht se nga cili vend vjen.
Radio Evropa e Lirë: Me 30 shtator në Maqedoni mbahet referendum për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Ditëve të fundit kemi parë vizita shumë të larta të përfaqësuesve të BE-së, SHBA-së dhe NATO-s në këtë shtet për t’i dhënë shtytje votës pozitive në këtë referendum. Sa ka rëndësi ky referendum për rajonin?
Cornelius Adebahr : Zgjidhja e “çështjes së emrit” përmes kompromisit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë do të dërgonte një sinjal të fuqishëm në tërë rajonin, do të zhbllokonte rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian dhe NATO dhe gjithashtu do të shërbente si shembull i zgjidhjes së negociuar të mosmarrëveshjeve. Dështimi i këtij procesi, qoftë në referendumin e këtij muaji ose në ratifikimin më vonë nga ana e Athinës, do të ishte një kthim i madh mbrapa. Kjo është arsyeja pse aktorë evropianë po i japin mbështetje të tillë kompromisit.
Të konsultohen edhe vendet e rajonit për ndryshim të kufijve
Radio Evropa e Lirë: Një proces tjetër i rëndësishëm në Ballkan janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve. Së fundi ka dalë në sipërfaqe edhe ideja e ndryshimit të kufijve si zgjidhje afatgjate. Cili është vlerësimi juaj?
Cornelius Adebahr: Siç është rasti me çështjen e emrit (Shkup-Athinë), nëse të dyja vendet i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes kompromisit, kjo do të duhej, në parim të gjente mbështetje. Megjithatë bën dallim nëse po bëni përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për emrin, që kryesisht shqetëson vetëm dy vende, apo nëse po provoni të zgjidhni mosmarrëveshje territoriale që i përfshin edhe vendet tjera. Përgjatë historisë së ish-Jugosllavisë dhe po ashtu nga luftërat e viteve 90-ta, kjo çështje nuk është shqetësuese vetëm për Kosovën dhe Serbinë.
“Ndërrimi i pozicionit të SHBA-ve e ka ndryshuar situatën”
Radio Evropa e Lirë: Mirëpo, jo të gjithë e përkrahin një ide të tillë. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk kanë vija të kuqe përderisa Gjermania, por edhe Mbretëria e Bashkuar janë shprehur hapur kundër ndryshimit të kufijve? Si e vlerësoni këtë?
Cornelius Adebahr: Deri vonë ka ekzistuar një konsensus ndërkombëtar për të mos ndryshuar kufijtë ekzistues. Ndërrimi i pozicionit të SHBA-ve e ka ndryshuar situatën. Megjithatë pas argumentit tim të mëparshëm duhet të them se nuk është vetëm çështje se çfarë mendojnë fuqitë perëndimore, por gjithashtu se si vendet fqinje që nga – Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe deri të Bullgaria dhe Greqia – i shohin rezultatet e mundshme të këtij procesi.
Radio Evropa e Lirë: Kur prisni që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare? A i siguron ajo Kosovës njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së dhe anëtarësim në OKB, siç po shpresojnë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës?
Cornelius Adebahr: Për arsye të kuptueshme, autoritetet e BE-së do të dëshironin të shihnin një përfundim para pranverës së ardhshme, kur mbaron mandati i tanishëm i Komisionit Evropian. Kjo pasi tranzicioni pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian konsumon shume kohë dhe energji.
Plus që Brukseli do të dëshironte disa lajme të mira pas largimit të Britanisë së Madhe nga blloku në fund të marsit të vitit 2019. Gatishmëria e pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën varet se si ata e vlerësojnë marrëveshjen e arritur, bazuar në shqetësimet e tyre të brendshme. Pra ne mund ta rrisim listën e vendeve mendimet e të cilave duhet të dëgjohen, siç janë këto pesë vende.
HELM E VRER MBI KOL IDROMENON

Nga Kolec TRABOINI/
Lexojmë edhe pse nuk duam ta besojmë: “Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare”. (Gazeta “Shqip” – Kolë Idromeno, i pari i tragjedisë së pikturës realiste shqiptare – Eleni Laperi 15 gusht 2017) Qenka venitur Kol Arsen Idromeno, ky Da Vinç shqiptar, e zeza mbi të bardhë në gazetën “Shqip”.me firmë e me vulë të Eleni Laperit. Ky po që është studim-zbulim me të qorrollis mendjen si nëpër ato humoreskat popullore “fluturon, fluturon…..gomari”. Por le të vazhdojmë ta lëçisim zonjën Laperi: “I ati (Arsen Idromeno- shënimi im K.T.) e ndihmoi djalin e tij të zhvillonte dhuntinë për pikturën, skulpturën, muzikën dhe fotografinë, duke e ditur se ato nuk do ta bënin të pasur, duke mos e ditur se e shtynte të birin në një jetë prej Ferri e Parajse.”, shkruan zonja Laperi. Epo, mbase ajo nuk e di fare se kush ka qenë babai i Kol Idromenos dhe çfarë dhuntish ka pasur vetë ai, dhe pikërisht për këto aftësi te tij politeknike i mësoi të birit të gjitha mjeshtëritë të cilat do ta ndihmonin për ta përballuar jetën. Madje shumë punime që krijuan traditën e arkitekturës të qytetit të Shkodrës, të cilat sot i admirojmë ne dhe të huajt gjithashtu, kanë qenë të Arsen e Kol Idromenos. Vetë Arsen Idromeno ka qenë arkitekt. Me ndërtimet që bënë baba e bir në qytetin e Shkodrës e kthyen paraqitjen e qytetit nga orientale në oksidentale, me fytyrë nga Europa, evolucioni më i madh në këtë qytet bashkë me zhvillimin e zejtarisë që e bënë qytetin më të njohur në Ballkan. Pra përafruan Shqipërinë me qytetërimin europian, shprehje e të cilit është edhe arkitektura. Falë Arsen e Kol Idromenos, kur të huajt vinin në Shkodrën e pas vitit 1905, e ndjenin se ishin në Europë e jo në humbëtirat e Anadollit. Dhe Kol Idromeno nuk ka qenë i varfër, sikur kjo zonjë kërkon ta shesë. Përkundrazi ka qenë një familje në gjendje shumë të mirë, dhe Kola, që bënte çdo lloj punë që përfshihet në artizanat, kishte të ardhura. Ne që jemi të afërt të familjes ( le të flasë dhe Ernest Rini Andrakia se edhe ai të afërt e ka), nuk dimë të ketë vuajtur Kol Idromeno për bukën e gojës, në atë kuptim që kjo zonjë e quan “ferr parajsë” e jetës së Kol Idromenos. Jeta e Idromenos nuk ka qenë ferr, por një pasion i ndritur. Ka pasur fatkeqësi familjare me vdekjen e djalit 2 vjeçar dhe motrës në moshë të re, Motra Tone e shoqja e italianit Andrea Skanjeti, por ai kurrë nuk është mposhtur nga dhimbja. Kish aq shumë pasione e punë sa nuk kishte kohë të rrinte nëpër skena pikëllimi romantike siç fantazon jetën e artistëve Eleni Laperi. Fantazitë kësaj zonje që shkruan çfarë ti vijë për mbarë vazhdojnë: “Me Kolë Idromenon nis historia e tragjedisë së pikturës realiste shqiptare në veçanti, në vazhdën e tragjedisë së kulturës shqiptare në përgjithësi. Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare.” U bëre ti zonja Laperi ta kthesh Idromenon, përpara të cilit mahnitej i madhi Odise Paskali, në një dështak. Më të vërtetë është paturpësi, shpirtligësi dhe e neveritshme. Veç tundimi i madh më bën të reagoj se kësisoj paçavure shkrimesh nuk meritojnë vëmendje. Të njëjtën gjë ka bërë edhe një farë fyelltari me një vrimë e pantallona te shkurta, pikturisti Mustafa Arapi, kur shkroi çmendurinë se portretin e Motrës Tone (nënën e Dadës sime Katrina Skanjeti -Traboini) nuk e ka bërë Idromeno. Po kush e ka bërë, o mendje ndrituri Mustafa? Të parët e tu në Anadoll? Se një shqiptar i vërtetë nuk ka as turpësinë e as paturpësinë të degradojë figurat e kombit të vet. Po edhe ti, moj zonja Laperi, kur e ktheve shqiponjën e Flamurit të Pavarësisë në një qafe pate, çorap e bëre historinë. Nga kanë dalë gjithë këta të çmendur more dhe kanë marrë një revan të cilin nuk e dimë deri ku do të shkojë?! Në ke gjë për të ndrequr në këtë botë, moj zonjë që do të bësh shou me surrogate, rregullo se pari mbiemrin tënd. Jepi një kuptim pak më të bukur se në fjalorin e gjuhës shqipe fjala laperi shpjegohet gojëndyrë. E kjo nuk është ndonjë zbulim. Për me tepër vetë shkrimi yt i çoroditur i jep një kuptim. Zot na ruaj, dalin liliputët të rrëzojnë gjigantët. Nuk keni parë gjë akoma në këtë humbëtirë ku punohet me kazmë natë e ditë. Duan t’ia nxjerrin tabanin këtij dheu që duhej ta kishim të shenjtë. Ndoshta gojë-ndyrja është gjeja me pak e dëmshme në këtë vend, ndaj i shohim të botohen lloj-lloj paçavuresh në gazetat e Tiranës.
Shpëtim Idrizi dhe PDIU hala në sy të Greqisë
Nga Arben LLALLA/
Ka reaguar ashpër partia më e madhe opozitare e Greqisë Demokracia e Re-ND, me anë të Jorgos Kumuçakos për bashkëpunimin e Partisë Demokratike dhe PDIU, duke e quajtur një zhvillim i pakëndshëm.
Ky reagim i partisë greke tregon se Greqia po fut hundët thellë në punët e brendshme të Shqipërisë, gjë që është e ndaluar me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me të drejtën ndërkombëtare. Reagimi i Demokracisë së Re vërteton edhe njëherë se PDIU e Shpëtim Idrizi janë halë në sy të Greqisë.
Kumuçakos me reagimin e tij mundohet të ngatërrojë edhe BE për bashkëpunimin e partive opozitare të Shqipërisë PD me PDIU-në duke e deklaruar: “Vendimi kërcënon, për shkak të një problemi inekzistent, të helmojë marrëdhëniet mes Greqisë dhe Europës”.
Tek e fundit Shqipëria nuk është ende pjesë e BE-së, dhe kështu nuk ka përse bashkëpunimi i partive të Shqipërisë të ketë ndonjë ndikim vendimtar në BE. Por, Shqipëria po përpiqet të hyjë në BE dhe Çështja Çame sipas komisionerit Hahn, jo vetëm ekziston, por duhet të zgjidhet në tryezën e bisedimeve mes dy vendeve.
Dalngadalë po e vërtetohet se izolimi i PDIU-së dhe lufta e paprinciptë e qeverisë për të djegur mandatin e Shpëtim Idrizit në Tiranë në zgjedhjet e 2017, është projekt i ideuar dhe i mbështetur fuqimisht nga Greqia, i zbatuar me zell nga vasalët e politikës shqiptare.
Edhe pse Greqia ka hedhur miliona euro në Shqipëri që mos të ekzistojë Çëshja Çame, të shpërbëhet PDIU, nuk ia ka arritur qëllimit deri më sot. Kjo falë këmbënguljes së vetë shqiptarëve nga Çamëria, të cilët janë të vendosur të mbështesin shoqatën Patriotike “Çamëria” dhe PDIU-në.
Është mirë që Shqipëria me anë të institucioneve të saj shtetërore të bëjë një reagim për futjen e hundëve në punët e brendshme të Shqipërisë nga përfaqësuesi i Demokracisë së Re Kumuçakos, por dhe ngjallakeqas të tjerë në spektrin atavist të politikës greke.


