• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË TRASHËGIMTAR I SHKRONJËSVE TË “DIELLIT”

January 15, 2019 by dgreca

Ftesë pë lexim të botimit “Demokracia nuk pret”  të Frank Shkrelit/
1 Besnik MustafajNGA BESNIK MUSTAFAJ/

Ata shqiptarë që arrinin ta dëgjonin “Zërin e Amerikës” 30 vjet më parë e tutje, e kanë njohur Frank Shkrelin si gazetar radiofonik.  20 vjetët e fundit qysh kur u largua nga “Zëri i Amerikës”, ai ka ardhur drejtpërdrejt në Tiranë me shkrimet e tij tashmë si gazetar i shtypit të shkruar. Nën kujdesin e Engjëll Musait, gazeta “Telegraf”, që është edhe tribuna e përzgjedhur e Zotit Shkreli, i ka përmbledhur këto shkrime botuar në faqen e veta, për t’i sjellë edhe në librari si libër. Deri tani kanë dalë tri vëllime, me titullin e përbashkët “Demokracia nuk pret”. Gazeta “Telegraf” ka bërë kështu një akt kulturor, që meriton të përshëndetet.  Ajo u ka dhënë lexuesve të vet rastin t’i rikthehen në mënyrë të përqendruar kontributit të njërës nga penat e saj më me peshë për problematikën me rëndësi për interesin e përgjithshëm, që ka shtruar para opinionit publik shqiptar gjatë këtyre dy dekadave.  U ka dhënë po ashtu rastin dashamirësve të Frank Shkrelit të rizbulojnë të parapëlqyerin e tyre, ndër të cilët jam edhe unë, përsëritur, kënaqësinë e marrë njëherë, por duke gjetur në shkrimin e tij vlera stili, interpretime faktesh dhe evokime historike, që nuk na kishin rënë në sy gjatë leximit të parë në gazetë.  Por mbi të gjitha, ky botim përbën një akt kulturor sepse shfaq në plotëri një gazetar të spikatur siç janë sot të paktë në botën mediatike shqiptare.

Shkrimet e botuara në këto tri vëllime mjaftojnë për të kuptuar se Frank Shkreli e ka gazetarinë kauzë personale, gjë që është shumë më tepër se të thuhet që e ka profesion.  Ai ka gjetur te gazetaria personalitetin e tij, i cili në vetvete është një personalitet shumë kompleks, po të mbajmë parasysh burimet kulturore, filozofike dhe politike, nga është ushqyer brumosja e tij.  Frank Shkreli është shqiptar dhe po kaq është edhe amerikan, është qytetar universal i botës së lirë, ithtar jo i rastësishëm, por me bindje të rrënjosura për demokracinë, si e vetmja hapësirë, ku mund të lulëzojë dinjiteti, intelekti dhe emocionet pozitive të njeriut.

Nga shkrimet e përmbledhura në tri vëllimet e “Demokracia nuk pret”, ne shohim qartë se ai e do me zemër botën shqiptare me historinë dhe të sotmen, dhe është plot besim për të ardhmen e saj.  Por kjo dashuri, thënë ndryshe ky patriotizëm i Frank Shkrelit është logjik, me një fjalë i shëndetshëm, pa simptomat folklorizante dhe euforike, që e kanë falsifikuar shpesh me tepri gjatë historisë, por edhe sot, patriotizmin e shqiptarëve.  Kjo shprehet përmes kthjelltësisë që ka Frank Shkreli për t’i parë të metat e njeriut shqiptar, qoftë ky njeri shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi apo në diasporë.  Dhe jo vetëm kaq. Frank Shkreli ka vetëdijen, ka guximin dhe ndershmërinë intelektuale për t’i nxjerrë në pah këto të meta, përmes shembujsh të marrë nga historia jonë kombëtare apo edhe aktualiteti, duke treguar dëmin që ato i sjellin përmbushjes së idealit kombëtar.  Vetëm kështu, beson ai me të drejtë, e kryen detyrën si bir i shqiptarisë, duke vënë plotësisht në shërbim të kësaj shqiptarie armën e vet më të mprehtë, që është gazetaria e tij.

Megjithëse shkrimet e përfshira në këtë botim i drejtohen qysh në zanafillë një publiku ekskluzivisht shqiptar, Frank Shkreli e pohon me tekst dhe nëntekst se ndjehet thelbësisht po ashtu amerikan dhe e shpreh pa asnjë kompleks dashurinë e vet për Amerikën.  Por edhe nga kjo pikëpamje, dashuria e tij amerikane nuk është e verbër. Është një dashuri logjike, pra e shëndoshë, jo shlyerje e një borxhi të madh që ai dhe familja e tij ia kanë këtij vendi dhe populli të madh për mikëpritjen që u dha në kohët më të vështira të fatit të tyre njerëzor.  Nëpër shkrimet e përfshira në të tri vëllimet e botimit “Demokracia nuk pret”, amerikanizmi i Frank Shkrelit shfaqet si një standard i parimeve, një standard i mundëshëm përderi sa është arritur në Amerikë dhe si i tillë nuk ka pse mos jetë i mundshëm edhe nga shqiptarët, që jetojnë në trojet e tyre.  Mjaft që udhërrëfyes të jenë parimet dhe në shërbim të parimeve të vihen vullneti politik dhe morali, cilësi që shqiptarët, sipas bindjes së autorit, i kanë të mjaftueshme në karakterin e tyre kombëtar, por që shpesh i shpërdorojnë. Frank Shkreli e sheh pikërisht këtu detyrën e vet si gazetar: t’ju tërheqë vëmendjen bashkatdhetarëve ndaj shpërdorimit shpesh dramatik, që ata u bëjnë cilësive të veta të larta.

Frank Shkreli me siguri nuk është i pari dhe as i vetmi shqiptaro – amerikan, që i mendon këto të vërteta.  Por, në sajë të dhuntisë së tij si gazetar, ai arrin t’i shpreh ato, për t’i ndarë me sa më shumë lexues në publikun e gjerë. Duke përmendur dhuntinë, sigurisht që kam parasysh atë që quhet “talent i lindur”.   Por, në rastin e Frank Shkrelit ne shohim farë qartë se “talenti i lindur’ është vetëm ajo, që në fizikë quhet energji fillestare, pra shtysa për t’u vënë në lëvizje.   Në vazhdim është dashur që ai të ketë një vullnet shumë të madh individual dhe të kryej një punë shumë të madhe për t’u bërë ky që është.  Po përmend vetëm një etapë në jetën e tij profesionale e që mua më bën një përshtypje shumë të fortë. Frank Shkreli kishte një personalitet plotësisht të formuar si gazetar radiofonik kur vendosi të kalojë te gazetaria e shtypit të shkruar. Nuk ishte pra as në moshën kur eksperimentohet, në kërkim të fushës ku i riu shpreson ta gjejë vetveten.  Ata që e njohin profesionin, e dinë se zhvendosja nga gazetaria radiofonike te gazetaria e shtypit të shkruar përbën një kapërcim shumë të vështirë dhe ku suksesi nuk është paraprakisht i garantuar.  Për t’i shmangur stërhollimet teorike mbi dallimet këtyre dy gjinive të gazetarisë, po them vetëm se është një përdorim krejt tjetër i gjuhës.  Shkrimet e botimit “Demikracia nuk pret” tregojnë më së miri se Frank Shkreli ia ka dalë mbanë ta bëjë këtë kapërcim cilësor.

Dhe, meqënëse jemi te gjuha, e ndjej për detyrë të shpreh edhe një vlerësim tjetër të posaçëm.  Siç thashë, Frank Shkreli është një shqiptaro – amerikan. Shqipen ai e ka natyrshëm gjuhë të nënës, por aspak gjuhë të shkollimit dhe të mjedisit kulturor, ku është brumosur. Megjithatë, të gjithë lëndën e botimit që kemi në dorë ai e ka shkruar në shqip. Më bie në sy se shqipja e tij është krejt e pastër, e rrjedhshme, e pasur, plotësisht e aftë të përcjellë edhe analiza të thella, të karakterit kulturor, politik, historik e herë – herë edhe filozofik. Është një shqipe që duhet t’i bëjë të skuqen nga turpi më të shumtit e gazetarëve të rinj në Tiranë, në Prishtinnë apo në Tetovë, shqipja e të cilëve është e mbushur me fjalë të huaja, kryesisht anglisht dhe fjalia e tyre është shpesh konfuze, si një përkthim i keq.   Parë nga kjo anë, shqipja e Frank Shkrelit ngjan si pasuese e denjë e shkronjësve të shquar të gazetës “Dielli” të gjysmës së parë të shekullit të kaluar.

Sado që të taksuara zanafillisht për një gazetë të përditshme, siç është gazeta “Telegraf”, gjë që parakupton një lidhje të drejtpërdrejtë të brendisë së tyre me aktualitetin, shkrimet e përfshira në këtë botim e ruajnë megjithatë një autonomi të pëlqyeshme nga kronika e zhvillimit të ditës. Kjo do të thotë se kalimi i kohës nuk i ka vjetëruar.  Një mbijetëse të tillë ndaj aktualitetit dinamik, shkrimet e Frank Shkrelit e fitojnë falë temave që trajtojnë, tema këto që burojnë pikërisht nga fakti se gazetarinë ai e ka vërtetë kauzë personale.

Filed Under: Politike Tagged With: "DEMOKRACIA NUK PRET", besnik Mustafaj, Frank shkreli

Një rikthim i demokracisë edhe pse në libër

September 22, 2018 by dgreca

” Demokracia nuk pret”,Një rikthim i demokracisë edhe pse në libër/

1 demokracia nuk pret kNga Marjana BULKU/

Sa e rëndësishme është kronologjia e ngjarjeve dhe kujtesa historike në demokraci?!
Është kjo një enigmë që shtjellohet pak nga pak teksa lexon ” Demokracia nuk pret” një set me refleksione e reagime, analiza dhe opinione , kritika dhe thirrje që e tejkalojnë përmasën e gazetarisë , investigimit, reagimit , dëshmisë , akuzës , duke e lakuar demokracinë në çdo rasë e duke u bërë pishtar i saj , autori Frank Shkreli i bën kështu një shërbim shumë të madh jo vetëm konceptit të saj teorik por e shtjellon praktikisht shumë dimensionalitetin e saj në gazetari, histori, politikë dhe kulturë.
Sot kur demokracia ndjehet më e dhunuar se kurrë ne kemi nevojë ta sjellim në vemendjen e gjithsejcilit se ky sistem të drejtash dhe përgjegjësish është një marrdhënie e dyanshme ku balancohen liritë kur respektohen ato.Sot më shumë se kurrë klasa politike duhet të shikojë se trashëgimnia e gabimeve dhe moskorrektimi i tyre i ka shpierë në gabime të tjera. Kur demokracitë rrezikohen nga demonë politikë dhe jo vetëm , populli ka rastin të kuptojë rolin e vet, fuqinë e mohuar nga paliria, atë që buron nga e kaluara historike plot me të panjohura dhe drithije të qëllimshme, aktet e krenarive kombëtare, reagimi, korrektimi, reflektimi. Në kushtet kur demokracia rrezikohet nga dështimi për shkak të aplikimit të saj nga njerëzit e gabuar, metoda të gabuara të yshtura prej kulturës sonë politike të trashëguar , leksionet amerikane, praktikat amerikane nuk mungojnë në setin e mendimeve tek “Demokracia nuk pret”. Shtëpia e rrënuar e Gjergj Fishtës, pikturat e tmerrit të internimit të Tepelenës , dosjet e pahapura të komunizmit kjo gangrenë nga ku burojnë plagët shqiptare, janë hone të thella gjykimesh por edhe tablosh të një demokracie që afiksohet kur mendimi vdes dhe intelektualët heshtin. Demokracia nuk pret vjen si një vëzhgim i hollë , i vëmendshëm, sistematik, nga jasht por gjithmonë brenda atij realiteti parë me sytë që e duan atë vend, ia duan të mirën, ia dijnë shtigjet se nga buron ajo.
E që demokracia të mos jetë një mision i pamundur , roli i opozitës është oksigjenues , reagimi i qytetarëve është vendimtar dhe zëri i intelektualëve jetëdhënës dhe pa asnjē dyshim Zëri i Amerikës vazhdon të jetë ai i  drutës iluminuese dhe i arsyjes gjithashtu.
Kjo vepër , kronologji ngjarjesh e historish, datash dhe eventesh është një shkollë për gazetarët, politikën dhe qytetarinë. Në demokraci çdo frymë ka rol në jetëzimin dhe vitalizimin e këtij sistemi që nuk dhunon edhe pse dhunohet , ku çdo jetë ka vlerë dhe çdo liri nis nga rregulli dhe vdes nga e kundërta e tij.
Sa herë që një sistem i drejtë kërcënohet nga padrejtësitë , është koha për të kuptuar më mirë demokracinë ku e drejta merr jetë duke ta garantuar atë.

Filed Under: Opinion Tagged With: "DEMOKRACIA NUK PRET", Marjana Bulku

FRYMA E FJALËS SË LIRË

September 18, 2018 by dgreca

1 demokracia nuk pret kNga Frank Shkreli*/2 President Meta

Përshëndetje dhe falënderimet e mia të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj.  Një falënderim i veçantë u shkon folësve për fjalët e tyre fisnike. 1 FrankuE ndjejë veten tepër të nderuar me pjesëmarrjen tuaj në këtë bashkbisedim vëllazëror.  Me disa prej jush, kam pas nderin dhe privilegjin të takohem, kryesisht, në rrethana zyrtare, por edhe shoqërisht, gjatë 30-viteve të periudhës post-komuniste, këtu në Tiranë, në Washington ose në Nju Jork, duke filluar nga marsi e prilli i vitit 1991, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara.  1 BesnikFillimisht, më lejoni të falënderoj, në mënyrë të veçantë, dy individë, miq dhe kolegë të mij të ngushtë, të cilët kanë mundësuar këtë bashkbisedim vëllazëror sot me ju dhe të cilët njëherazi edhe kanë sponsorizuar botimin e tre vëllimeve të librit, “Demokracia nuk pret”:  Botuesin e gazetës Telegraf, Z. Agim Çiraku dhe Kryeredaktorin e kësaj gazete, Z. Engjëll Musai.  1 engjellNë të vërtetë, po të mos ishte gazeta Telegraf dhe udhëheqsit e saj, nuk besoj se do të isha sot këtu para jush. Ishin Ëngjëlli dhe Agimi ata të cilët para më shumë se 10-vitesh më ftuan të bashkpunoja me gazetën Telegraf. 1 SimoniAta më kanë inkurajuar dhe më kanë mbështetur pa ndërprerje dhe pa rezerva, megjithë pikëpamjet e mia politike që shpesh mund të jenë ndryshe nga ato që mbizotërojnë në hapësirat e gazetarisë shqiptare.1 Ciraku

Ishte gjithashtu ideja e Agimit dhe Engjëll që shkrimet e mia, të botuara rregullisht në gazetën Telegraf, të përmblidheshin në këto tre vëllime që kemi përpara. Vëllimi i parë, “Demokracia Nuk Pret” — është botuar para një viti nga Shtëpia botuese, Morava — të cilën gjithashtu e falënderoj sinqerisht edhe për botimin e vëllimeve II dhe III.

1 CikaAgimi dhe Engjelli më kanë dhënë absolutisht dorë të lirë dhe pavarësi të plotë në përzgjedhjen e subjekteve si dhe përmbajtjen e lëndës.  I falënderoj nga zemra dhe u jam mirënjohës për gjithmonë, për miqësinë, respektin dhe kujdesin që kanë treguar ndaj meje.1 grujaSiç e dini shumë prej jush, unë, kam punuar pranë Zërit të Amerikës për 30-vjetë, ku bashkë me shumë kolegë gjatë viteve, jemi përpjekur të japim kontributin tonë modest në shërbim të zhvillimeve demokratike të Atdheut të parëve tanë dhe të forcimit të marrëdhënieve midis dy kombeve tona mike. Në Zërin e Amerikës, për më shumë se 7 dekada të ekzistencës së tij – u përpoqëm t’a bëjmë këtë me fuqinë e fjalës së lirë, në shërbim të së vërtetës.

Është në këtë frymë të fjalës së lirë, të vërtetës dhe objektivitetit, që jam përpjekur të shkruaj edhe për gazetën Telegraf dhe media të tjera edhe pasi kam dalë në pension nga Zëri i Amerikës, përfshirë shkrimet e përmbledhura në këto tre vëllime të “Demokracia nuk pret”.

Gjithë jetën jam munduar t’i paraqes mendimet e mia në frymën e vëllazërimit, pa urrejtje, pa sharje e pa ofendime ndaj askujt dhe gjithmonë duke ndejtur larg përçarjeve të momentit, por duke u munduar njëkohsisht të pasqyroj virtytet më të shëndosha të kombit tonë, në një frymë të promovimit të dialogut dhe të mirëkuptimit midis shqiptarëve.

Ata që mund të kenë ndjekur shkrimet e mia modeste, kanë venë re se në ‘to jam përpjekur të pasqyroj dhe të promovoj, ndër të tjera, dëshirën e shumicës së shqiptarëve për integrim të plotë në strukturat politike, ekonomike dhe ushtarake euro-atlantike — si një komb që ndien thellësisht, në palcën e tij, nevojën e lartësimit moral dhe qytetar, duke theksuar se ai në vetvete, i ka të gjitha aftësitë dhe mundësitë për t’u rreshtuar me kombet më të përparuara.

Por, duhet të jemi të sinqert me veten dhe me tjerët se shqiptarët i ka penguar diçka që të zenë vendin e tyre aty ku u takon, me kombet e tjera, se pranvera e demokracisë shqiptare, si në Shqipëri, në Kosovë, ashtu edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, nuk ka çelë ende lulet që prisnim dikur e për të cilat presim gjithnjë. Prandaj kemi ruajtur gjithnjë titullin, “Demokracia nuk pret” për të tre vëllimet – një titull që në të vërtetë është sugjeruar nga miku im, Dr. Halim Kosova.  Shqiptarët kurrë më parë në historinë e tyre nuk kanë qenë më të lirë se janë sot, por zhvillimi i demokracisë së vërtetë është diçka tjetër.  30-vjetë më parë, Shqipërinë e donim si e gjithë Evropa.Është e drejtë e secilit prej nesh që të interpretojmë, të analizojmë dhe të gjykojmë tranzicionin politik post-komunist, pasi këtë na e mundëson kjo demokraci, sado e brishtë, cilido qoftë mendimi ynë për zhvillimin e saj të deritanishëm.  Edhe unë jam munduar që në shkrimet e mia – në mënyrën më modeste — të them fjalën time – megjithse larg gjeografikisht, me Shqipërinë, me Kosovën dhe me trojet tona në përgjithësi, por shumë afër me zemër — dhe për këtë mundësi gjej rastin të falënderoj edhe lexuesit për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.Përveç zhvillimeve demokratike në trojet shqiptare, ndër subjektet e tjera që jam përpjekur të trajtojë shpesh janë edhe marrëdhëniet historike dhe rëndësia e tyre, midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar. Jam munduar gjithashtu të kujtoj edhe personalitete të njohura politike dhe intelektuale, jo vetëm të diasporës shqiptare, por edhe të tjerë, anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilët ish-regjimi komunist i kishte përjashtuar nga historia, por të cilët, ma merrë mendja mua, se duhen vlerësuar për kontributin e çmueshëm të tyre, në historinë e Kombit shqiptar.Kam venë në dukje gjithashtu edhe veprimtarinë e personaliteteve moderne të politikës amerikane dhe rolin e tyre në historinë e re e të vjetër të shqiptarëve — dhe mbështetjen e tyre të sinqert për të drejtat bazë të njeriut për shqiptarët në trojet e veta.  Miqë të Kombit shqiptar pra, të cilët janë shquar me dekada, sidomos për ndihmesën e tyre historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por njëkohësisht edhe si promovues të forcimit të marrëdhënieve midis dy kombeve tona dhe të integrimit të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike.

Lidhjet shqiptaro-amerikane, për të cilat kam shkruar një numër artikujsh gjatë viteve, janë aq të vjetra sa është edhe diaspora shqiptare atje.  Ato kanë filluar në vitet e para të shekullit të kaluar, në kohën e kolosëve të Federatës Pan-Shqiptare VATRA, Fan Nolit dhe Faik Konicës.  Atëherë, si edhe më vonë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri si dhe para dhe gjatë luftës në Kosovë — komuniteti shqiptaro-amerikan, ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare në Amerikë –pa dallim orientimesh politike — i ka konsideruar dhe i konsideron ato gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat jetike të Kombit shqiptar.Një subjekt tjetër që jam përpjekur të trajtoj, nga koha në kohë, janë edhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se si ato prekin interesat shqiptare, sidomos këtu në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.   Jam munduar të jap alarmin për shtimin në rritje e sipër të përhapjes së influencës së Rusisë së Putinit dhe të Turqisë së Erdoganit në trojet shqiptare.  Në atë mënyrën time, kam paralajmëruar edhe mbi rrezikun e flirtimit të autoriteteve të larta shqiptare me udhëheqsit autoritarë të këtyre vendeve, si diçka që nuk është në interesin afat gjatë të Kombit shqiptar.

Të drejtat e njeriut në përgjithësi, liria e shtypit dhe liria e fjalës në veçanti, jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë popujt e botës, janë një subjekt që më ka interesuar gjithë karierën time.  Viktimat e komunizmit ndërkombetar dhe të atij shqiptar si dhe të drejtat e tyre, atëherë dhe sot, janë diçka që i kam pasur gjithmonë afër zemrës.

Për të gjitha këto subjekte, në mënyrën time modeste, në shkrimet e mia kam pasqyruar mendimet dhe qëndrimet e mia personale por edhe të atyre të cilëve, për arsye të rrethanave historike nuk u është dhënë mundësia as e drejta të flasin për veten dhe të shprehin lirisht mendimet e tyre.

Por, në shkrimet e mia, mos u mundoni të gjeni promovimin e ideve ose të qëndrimeve të shumicës, ose pakicës politike, ose preferencat e të fuqishëmve dhe të autoriteteve qeveritare, të cilës do palë qoftë, sepse nuk do t’i gjeni në shkrimet e mia.  Objektivi im gjithmonë ka qenë dhe është, për të mos qenë kritik ose pesimist, vetëm për hir të qenët kritik, por me qëllim për të qenë gjithmonë i qartë në mendime, ndërtues dhe jo shkatërrues me fjalë as me vepra.

Prandaj, ashtu siç përpiqem të përfundoj shumicën e shkrimeve të mia me një frymë ndërtuese, më lejoni ta mbyll këtë bisedë me një notë optimiste.  Nga njëherë gjatë këtij tranzicioni të tej-zgjatur, shumë vetave u duket, ndoshta me të drejtë, sikur dielli ynë i demokracisë së vërtetë të ketë humbur rrugën në vranësirat e jetës politike shqiptare, ose të pakën ai diell të ketë devijuar nga rruga që duhej të ndiqte në jetën tonë post-komuniste.  Por, megjithë vështirsitë, me të cilat përballen sot shqiptarët, si popull dhe si komb, dhe megjithë kritikat e mia ndaj klasës politike të këtyre 28-vjet post komunizëm, gjithmonë qëllim-mira, e që mund t’i keni lexuar ndonjëherë edhe në shkrimet e mia modeste, sidomos ndaj disa fenomeneve politike shqiptare — unë jam i bindur se dielli i demokracisë shqiptare nuk e ka humbur rrugën, as nepër “vranësirat” politike të këtij tranzicioni, por mendoj se, mbi të gjitha, me besim në vetvete,  nodnëse me shumë sfida përpara, ky diell do udhëheq botën e re shqiptare drejtë një të ardhme më të bukur për fatin e Kombit.

Rrethanat dhe sfidat e sotëme politike, ekonomike, shoqërore e të tjera, me të cilat përballet Kombi shqiptar, mund të duken të ndërlikuara, nganjëherë të rënda dhe kaotike për fisin shqiptar, siç janë mungesa e bashkpunimit dhe dialogut politik, pështjellimi i ideve, dhe grindjet e kacafytjet politike midis partive politike dhe përfaqsuesve të tyre në kuvendin e Shqipërisë dhe të Kosovës.  Por, Ernest Koliqi, në kohën e tij, të gjitha këto probleme dhe sfida i ka cilësuar si, “Dëshmi e një gjallënie të pashueshme në gjakun arbnuer – që shërbejnë si shkas farzues e gratçuer n’errësi të nenvetëdijes së Kombit, të cilat njëkohësisht sajojnë fytyrën e re të tij, në pasqyrë të moteve të reja.”

Një fytyrë e re në pasqyrën e moteve të reja për Kombin Shqiptar, është lutja dhe shpresa ime dhe e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën Kombit të vet, por Demokracia nuk pret gjithmonë, siç sugjeron edhe titulli i tre vëllimeve që kemi përpara.

Por, megjithë sfidat me të cilat përballen shqiptarët sot, ia vlen të jemi optimist për një të ardhme më të mirë e më të bukur, sidomos në këtë vit kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe – se Kombi shqiptar do të dalë ngadhnjyes mbi të gjitha sfidat me të cilat përballet sot. Shkrimtari Ismail Kadare, me rastin e Shënjtërimit të Nënë Terezës ka thënë: “Gjergj Kastrioti, simbol i vullnetit tonë për liri dhe qytetërim evropian, libri i Gjon Buzukut, mëshirimi i etjes së shqiptarëve për kulturë dhe dritë, dhe Nënë Tereza — mëshirimi ynë i madh i harmonisë, përdëllimit dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin mbarë — janë vlerat tona morale ato që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë të madh”, drejt moteve të reja.

Ju falënderoj nga zemra për pjesemarrjen, respektin dhe për durimin. Zoti qoftë gjithmonë me Shqiptarët!

*FJALA ME RASTIN E PROMOVIMIT TË TRE VËLLIMEVE:

DEMOKRACIA NUK PRET

Tiranë, 11 shtator 2018

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: "DEMOKRACIA NUK PRET", Frank shkreli, Fryma e Fjales se Lire, promovim

“DEMOKRACIA NUK PRET”, PROMOVIMI

September 14, 2018 by dgreca

-Promovimi i librit”Demokracia nuk pret” u zhvillua në prani të një publiku të zgjedhur, president, ish-president dhe kryeminister, ish ministra, deputetë, funksionarë të institucioneve-/1 demokracia nuk pret k

Nga Reshat KRIPA/

Në sallën “Antigonea” të hotel Rognerit, u zhvillua ceremonia e promovimit të  tre volumeve të librit “Demokracia nuk pret”, të autorit të shquar të diasporës shqiptare të djeshme dhe të sotshme, të nderuarit  Frank Shkreli,  botuar me nismën e drejtuesve të gazetës “Telegraf”, zotërinjve Agim Çiraku dhe Engjëll Musai.

Ceremonia u zhvillua në prani të një publiku të zgjedhur, president, ish-president dhe kryeminister, ish ministra, deputetë, funksionarë të institucioneve të ndryshme dhe përfaqësues të tjerë të inteligjencës shqiptare u fol për vlerat e librave dhe mesazhin që  përcjellin, duke i çmuar ato.

Frank Shkreli, lindur në fshatin me të njejtin emër më 1969, emigruar në Itali dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arsimuar pranë George Washington University (Washington CD),  Drejtor për Euro-Azinë dhe Shefi i Shërbimit Shqip të VOA-s, USIA (Information Agensy), Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikanë në vitet 2005-2007, fitues i dekoratës “Thomas Jefferson Felloëship Aëard”, dhënë nga USIA dhe fitues i titullit “Qytetar  Nderi” i komunës së Shkrelit, Malsi i Madhe, i paraqitet publikut, në atdheun e tij, me një vepër dinjitoze, e cila duhet të shërbejë si busull për çdo shqipëtar që e do dhe mundohet për Shqipërinë.

Me figurën e zotit Frank Shkreli jam njohur kohë më parë, nëpërmjet shkrimeve të tij realisë në gazetën “Telegraf”, si dhe në mediat online si “Fjala e Lirë”, “Zemra Shqiptare”, “Tribuna Shqiptare, “Dielli’ e plot të tjera. Nëpërmjet tyre krijova bindjen, se kemi të bëjmë me nje peronalitet të shquar në fushat e politikës, analizave dhe komenteve, një personalitet në fushën e gazetarisë së vërtetë dhe mendoj se ky duhet të jetë një shembull edhe për gjithë gazetarët e Shqipërisë.

Libri ka një titull kuptimplotë, ”Demokracia nuk pret”. Po mbushen njëzetetë vjet nga përmbysja e sistemit totalitar komunist. Duke lexuar librin para syve te del pyetja: “A është arritur demokracia e vërtetë?” Përgjigjen na e jep autori nëpërmjet artikujve të botuar. Demokracia nuk ka arritur dhe, ndoshta, nuk do të arrihet as edhe pas njëzetetë vite të tjera. Përse? Autori, edhe unë i mbështetur në konkluzionet e tij, jam shumë pesimist lidhur me këtë pyetje.  Mentaliteti komunist, i ngulitur për dyzetegjashtë vjet rresht në ndërgjegjen e atyre që kanë marrë përsipër drejtimin e shtetit, nuk i lejon të shohin dritën që vjen nga vendet perëndimore dhe ta kthejnë Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë

Demokracia nuk pret, shkruan Frank Shkreli. Në shkrimin e tij “Dëshpërim dhe vetëm dëshpërim”, botuar më datën 16 tetor 2015 autori konstaton:

“Pas 25 vitesh, ç’prej shembjes së komunizmit dhe ç’prej çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës që, me të drejtë, u pritë me euforinë më të madhe nga shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut dhe kur mendohej se mjerimi dhe dëshpërimi po merrnin fund, sot shqiptarët ndihen të ligështuar materjalisht dhe të lodhur shpirtërisht, duke zgjedhur rrugën e mërgimit, si asnjë herë më parë, si të vetmen alternativë për të dalë nga kjo situatë”.

Ndërsa më poshtë vijon:

“Dëshpërim nën komuynizëm, dëshpërim nën sundimin sllav e dëshpërim edhe sot në të ashtuquajturën demokraci. Kur do të marrë frymë lirisht shqiptari?”.

Për analogji të frazave të më sipërme, parasysh më del një shprehje e dramaturgut të njohur Uilljam Shekspir, nga tragjedia “Makbeth”:

“Atdhe i mjerë, trembet kur sheh veten! E kishim nënë dhe na u bë varr, ku s’qesh veç buza e ndonjë të marri dhe ku s’ pyet kush se për kë bie kambana!”

Demokracia nuk pret, shkruan Franko Shkreli. Kur do të bjerë ajo kambanë që do ta zgjojë këtë popull? Kur shqipëtarët do të pushojnë së emigruari, duke ikur nga sytë këmbët, vetëm për një copë bukë sa për të mbajtur frymën? Me këtë ritëm, sipas disa të dhënave të publikuara në shtypin e ditës, në vitin 2030, Shqipëria nuk do të ketë më shumë se 800.000 banorë. Merrni mundimin dhe shkoni në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë. Për çdo ditë atje do të shikoni qindra qytetarë shqiptarë që kërkojnë të aplikojnë për punësim, sipas ofertës së qeverisë gjermane. Para syve më dalin edhe vargjet e një kënge popullore që thotë:

“Kurbeti, shokë kurbeti,

              Kush vate edhe nuk mbeti!”

            Dhe ne, sipas Frank Shkrelit, Shqipëria është vendi i dytë pas Sirisë ku, për shkak të kushteve që ekzistojnë, janë të detyruar të kërkojnë largimin nga atdheu.

Demokracia nuk pret, shkruan Frank Shkreli. Ajo nuk pret kapjen e pushtetit nga klanet mafioze. Ajo nuk pret që drejtuesit e shtetit dhe partive politike ndërsa, nga njera anë, nuk lenë më baltë pa hedhur mbi fantazmën komuniste, nga ana tjetër i shohim të punojnë po me ato metoda të së kaluarës. Ajo nuk pret që nëpër rrugët e atdheut të dalin turma individësh, midis tyre edhe personalitete të vendit, me portretet e dikatorit të rrëzuar. Ajo nuk pret që në ekranet e nje pjese të televizorëve të shfaqen filma shqiptarë të periudhë së komunizmit, ku figurë qëndrore është diltatori apo ndjekësit e tij. Ajo nuk pret kur sheh se në vend ekzistojnë ende shumë simbole të asaj periudhe të errët, si ylli i kuq në varrezat e dëshmorëve, mozaiku i realizmit socialist në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, emrat e shumë drejtuesve të organeve të diktaturës nëpër rrugët dhe sheshet e vendit dhe plotë e plotë skandale të tilla në të gjithë vendin.

Çuditërisht, në këto çaste, nuk m’u ndakan aludimet me shprehje të personaliteteve të mëdhenj. Para syve më del shprehja e princ Hamletit drejtuar së ëmës, në tragjedinë me të njejtin titull të shkrimtarit të cituar më lart:

“ O nënë, hidheni poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe rroni me gjysmën tjetër më të mirë!”

            Siç duket shqiptarve të sipër përmendur nuk do t’u ketë mbetur asnjë gjysmë zemre e mirë. Është e natyrshme që çdokush të ketë një ide të caktuar por, kur sheh se ajo është e gabuar, e hedh poshtë dhe kërkon të gjejë të vërtetën. Por te ne mungon kurajoja civile. Askush, që nga funksionari më i lartë i shtetit, dhe deri te biznesmenët që kanë arritur majat brenda njëzëtekatër orëve, nuk kërkon falje për të kaluarën e tij. Biri i një ushtari gjerman që kishte marrë pjesë në masakrën e Borovës, kërkoi falje në emër të atit të tij, kurse te ne, askush nuk e kryen një veprim të tillë dinjitoz.

Demokracia nuk pret, shkruan Frank Shkreli. Atëherë kur do të bëhet Shqipëria një vend me demokraci të vërtetë. Një miku im më ka thënë se Shqipoëria do të bëhet kur ta marrin në dorë bjtë e atyre prindërve që kanë lindur pas vitit 1990. Do të doja ta besoja një gjë të tillë. por dyshimi nuk më lejon.  A do të arrihet?

Të gjitha këto më dolën parasysh duke dëgjuar lektorët në ceremoninë e promovimit dhe tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta fanderoj zotin Shkreli për këtë pasuri të madhe letrare që na dhuroi. Faleminderit i nderuar!

Filed Under: Featured Tagged With: "DEMOKRACIA NUK PRET", Frank shkreli, promovim, reshat kripa

DEMOKRACIA NUK PRET NE 3 VELLIME U PROMOVUA NE TIRANE

September 11, 2018 by dgreca

41482776_569378273492197_1971573718974988288_n

Nga Lindita Komani/

Demokracia nuk pret. Ky është mesazhi që përshkon publicistikën e Frank Shkrelit, përzgjedhur e përmbledhur në një botim me tre vëllime që mban këtë titull. Dhjetë vjet shkrime mbi problematika shqiptare të ditës, personalitete me rëndësi për botën shqiptare e amerikane, zhvillime në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe efektin e tyre mbi shqiptarët, viktimat e komunizmit dhe kujtesën për ta, për të sjellë një kontribut ndërtues dhe jo shkatërrues ne nje hapësirë të shqetësuar shoqërore-politike si ajo shqiptare. Dhjetë vjet mendim kritik shpalosur në faqet e gazetës Telegraf, botuesi i së cilës Agim Çiraku ishte edhe mundësuesi i këtij botimi libri në kuadër të vitit përkujtimor të Gjergj Kastriot Skënderbeut si dhe i aktivitetit përurues të tij sot më 11 shtator në Tiranë.

Me karrierë të gjatë të ngritur në një mjedis radiofonik si gazetar, redaktor, shef i seksionit shqip, këshilltar i lartë programacioni në Drejtorinë Europiane, zëvendësdrejtor për Bashkimin Sovjetik e drejtor i Drejtorisë Europiane në Zërin e Amerikës, Shkreli në këta dhjetë vitet e fundit ka ndërtuar një profil të spikatur edhe si analist në gazetarinë e shkruar, gjë që u vu në pah nga Besnik Mustafaj në fjalën e tij hapëse si profesionist i fjalës së shkruar. “Gazetaria e ngritur si një kauzë profesionale e thënia e së vërtetës përmes shkrimit”, janë tipar kyç i Shkrelit, i cili është “një gazetar i lirë së brendshmi, gjë e rrallë në kohët e sotshme”, vlerësoi më tej Mustafaj. Për të Shkreli është një pasues dhe pasurues i traditës së nisur si një shkollë nga rilindasit e të ngritur edhe më tej nga vatranët, nga të cilët ka marrë e bërë të vetën sidomos aftësinë për ta parë çështjen shqiptare si një tërësi. Identifikues i problematikave që ka shoqëria shqiptare në Ballkan, tek ai vërehen edhe dy tipare të tjerë të rëndësishëm. Evokimi i historisë kryhet me qëllimin e shquarjes së një trashëgimie të dobishme, të përbashkët e gjithëshqiptare, trashëgimi e cila nuk ka veç vlera muzeale por që është vitale dhe duhet të zhvillohet edhe më tej si e tillë. Pasuria dhe pastërtia e gjuhës është mbresëlënëse, veçanërisht duke pasur parasysh se Shkreli është larguar fare i ri nga mjedisi amtar, trevat shqiptare në Mal të Zi (në kohën e largimit të tij bashkë me familjen – Jugosllavi). Në një kohë kur gazetaria moderne shqiptare vuan nga deformimi i gjuhës së shkruar për arsye ndikimi nga fjalët e huaja dhe nga zhvillimi i saj edhe nëpërmjet ndikimit të mediave sociale, gjuha e Shkrelit është një mësim për gazetarët e rinj. Të gjitha këto e pa hyrë në analizë më të thellë bëjnë që kjo ditë të jetë e shënuar e “të festohet si një rast gëzimi”, mbylli fjalën e tij Mustafaj.

Besimi në Zot, shërbimi për atdheun e të parëve, përpjekja konstante për të mbrojtur demokracinë liberale amerikane dhe përpjekja për të luftuar murtajën komuniste në Shqipëri, janë tiparet kryesore të veprës së Shkrelit, shkruan Sami Repishti me rastin e këtij botimi. “Njerëz si Shkreli na sjellin në mend vargjet e Nolit „Mbahu nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë“”, u shpreh Simon Mirakaj në fjalën e tij. “Demokracia ka nevojë për edukim të vazhdueshëm” dhe shkrimet e Shkrelit shërbejnë plotësisht në këtë drejtim, sidomos në një kohë kur “kompjuterkracia mund të na zëvendësojë demokracinë, me platforma dixhitale ku ne kemi vetëm të drejtë të qajmë hallet tona por nuk marrim pjesë si vendimmarrës”, tha Zamira Çavo në fjalën e saj.

Pavarësisht vështirësive me të cilat ndeshemi sot si shqiptarë, e duke kuptuar që “Pranvera Shqiptare nuk ka çelur ende lulet për të cilat prisnim dikur”, mesazhet e shkrimeve kanë qenë gjithmonë “larg përçarjeve të momentit, në frymën e dialogut, duke ngritur virtytet e kombit shqiptar”, plotësoi vetë Shkreli ndërhyrjet e përshtypjet nga lexuesit e njohësit e punës së tij publicistike. Ndonëse mund të duket ndryshe, “dielli i demokracisë shqiptare nuk e ka humbur rrugën. Ai do ta udhëheqë kombin në rrethana të reja në të cilat kombi do të dalë ngadhënjyes mbi gjithë sfidat”. Duke iu referuar në mbyllje Kadaresë, ai u shpreh se figura ndriçuese si Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe Nënë Terezën na udhëheqin e na orientojnë me veprën e shembullin e tyre.

Në këtë frymë optimiste, mund të përpiqemi si lexues të këtij botimi e si ndjekës të shkrimeve të Shkrelit në faqet e gazetës Telegraf, që të kuptojmë apo më mirë përfytyrojmë se sa shumë është zhvilluar Shqipëria që nga viti 1991, kur në vizitën e tij të parë autori u gjend në Tiranë në kuadër të përgatitjeve për rihapjen e ambasadës amerikane e për pritjen e ish-sekretarit të shtetit James Becker. Ishte koha kur për herë të parë ai ka mësuar edhe për jehonën e rëndësinë që ka patur Zëri i Amerikës në formimin e opinionit politik shqiptar drejt rrëzimit të diktaturës komuniste. Me kujtesën se si përjetohej në shtëpinë tonë dëgjimi i Zërit të Amerikës, me zë sa më të ulët e me vesh sa më pranë radios, me kënaqësi më mbetet që si pjesëmarrëse në përurim e hartuese e këtij shkrimi, t’i jap të drejtë z.Shkreli në gjithë sa ai tha. As ai vetë ndoshta nuk e kish menduar, që një ditë do të ndodhej në mes të Tiranës, në përurimin e librit të tij dhe si ish-gazetar në karrierë në Zërin e Amerikës do të intervistohej nga një korrespondent i Zërit të Amerikës në Tiranë.

Përurimi i “Demokracia nuk pret” u përshëndet në hyrje nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili në fjalën e tij theksoi se demokracia duhet të mbrohet e duhet të fitohet dhe se kjo është koha që të punohet për të rritur identitetin tonë kombëtar. Të pranishëm në këtë aktivitet që u zhvillua në mjediset e Hotel Rogner e që do të mbahet mend gjatë për mesazhet e vlerën që përcolli, ishin edhe shumë personalitete të jetës së vendit, mes tyre ish-presidenti e ish-kryeministri Sali Berisha, politikanë të tjerë nga gjithë spektri politik, diplomatë, përfaqësues të mediave, shkrimtarë e njerëz të kulturës në përgjithësi.

Filed Under: Emigracion Tagged With: "DEMOKRACIA NUK PRET", Frank shkreli, Lindita Komani, promovim

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj
  • #SiSot ndërroi jetë veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe Mësuesi i Popullit Petro Nini Luarasi
  • Koha e Gjenive: Lord Byron dhe Bonaparti
  • Napoleon-i dhe trojet shqiptare… mbi dy shekuj pas vdekjes së tij
  • KOSOVA DHE SERBIA RINISIN DIALOGUN NË NIVEL TË LARTË NË BRUKSEL
  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY
  • U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE
  • V I K T O R G J I K A…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT