• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDËRKOHË QË NË SHBA KUJTOHEN VIKTIMAT E KOMUNIZMIT-NË SHQIPËRI GLORIFIKOHET REGJIMI I ENVER HOXHËS

March 28, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Madje edhe gjatë një fushate elektorale për Kuvendin e ri të Republikës së Shqipërisë – një vendi anëtar të NATO-s, një aleancë ushtarake kjo më e fuqishmja që ka njohur ndonjëherë bota dhe e cila 70-vjet më parë u themelua pikërisht me qëllimin për të luftuar diktaturat e regjimeve komuniste të lindjes, si ai i Shqipërisë enveriste. 

Duhet të flasim me emëra.  Këtë fushatë, të ditëve të fundit, për glorifikimin e komunizmit e hapi Kryeministri aktual, Edi Rama në Parlamentin Shqiptar para disa javësh, me deklaratën e tij famëkeqe dhe të turpshme se, “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Pasuar nga të tjerë, përfshir kohët e fundit, veteranën e kësaj partie Luljeta Bozo — të parën e listës socialiste në Tiranë dhe Ministrin socialist, Damian Gjiknurin në Vlorë, i cili ditët e fundit, po ashtu si Bozo deklaroi se “komunizmi kishte bërë më shumë të mira sesa të këqia”.  Nuk më çudit aspak fakti se brenda Partisë Socialiste nuk ka më njerëz që tu thonë këtyre nostalgjikëve të komunizmit, “ore mjaft me deklarata të tilla të pa përgjegjëshme se jemi anëtar të NATO-s dhe kemi pretendime t’i bashkohemi Bashkimit Evropian…”.   

Është e qartë tani pas 30-vjet post-komunizëm se Shqipëria nuk e ka ndër mend të distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe as nga krimet e atij regjimi – më famëkeqit në Evropë dhe në botë.  Deklaratat e fundit të nostalgjikëve kokëfortë të komunizmit shqiptar dhe të përfaqësuesve të regjimit aktualë të Shqipërisë e bejnë mjaft të qartë se partia në fuqi, shpresat e fitores i ka tek promovimi i vlerave enveriste.  Me këto deklarata, filluan të na mësohen edhe veshët tashti, ç’pret më prej tyre.  Por megjithë pretendimet e tyre se ata ndajnë vlerat amerikano-perëndimore, hipokrizi më të madhe nuk ka, sepse e vërteta është se vlerat e Amerikës nuk janë ato të komunizmit ndërkombëtar dhe të komunizmit stalinist enverist, jo se jo.  Nëqoftse votuesit shqiptarë dëshirojnë një frymë të vazhdueshme enveriste në shoqëri dhe në qeverisjen e tyre – ta gëzojnë – pasi këtë të drejtë ua jep demokracia – ama vetëm nëqoftse fitojnë me vota të lira e të ndershme, sipas standardeve ndërkombëtare.

Por ajo që vërtetë më çudit pa masë është heshtja e përfaqësive diplomatike perëndimore në Tiranë ndaj shprehjeve të tilla pro-komuniste nga udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë, me të cilët diplomatët komunikojnë pothuaj çdo ditë.  Me të drejtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po përpiqen të luftojnë korrupsionin ekonomik dhe të ndërtojnë diçka që deri diku i përngjet një shteti ligjor në Shqipëri. Por megjithë respektin që kam për punën e tyre nuk besoj se do të dalin me sukses në reformën e drejtësisë dhe as në luftën kundër korrupsionit nëqoftse, të pakën, nuk deklaroheni publikisht edhe kundër krimeve të një ish-regjimi kriminal, pasojat e të cilit vazhdojnë të ndjehen edhe sot — jo vetëm në politikë dhe në ekonomi — por në çdo fushë të veprimtarisë së vendit.  Është pikërisht trashëgimia e komunizmit dhe njerëzit që i kanë shërbyer atij sistemi – ish-zyrtarë me disa prej të cilëve kini në mend të reformoni sistemin e sotëm të drejtësisë.   Heshtja e diplomatëve perëndimorë ndaj deklaratave të tilla pro-komuniste të udhëheqsve më të lartë të qeverisë shqiptare dhe të kandidatëve për në parlamentin e ri të Shqipërisë – “flet vëllime të tëra” — 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit.  Vrasja, burgimi, internimi, dënimi — gjyq e pa gjyq — puna e detyruar e njerëzve të pafajshëm në komunizëm besoj se duhej të ishte aq e dënueshme, të pakën të kritkohej, sa edhe vjedhjet e një hajduti sot.

Të nderuar përfaqësues diplomatikë perëndimorë në Tiranë, HESHTJA ndaj këtyre dukurive, në një vend si Shqipëria, nuk u bën nder ju si individë dhe as vlerave të shteteve demokratike perëndimore që ju përfaqësoni në atë vend.  Sa i përket të kaluarës komuniste në Shqipëri, megjithëse vonë, ka ardhur koha t’i thoni të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, ashtu siç kanë bërë ish-vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore.  Shqipëria ka nevojë për ndihmën tuaj që të distancohet seriozisht nga e kaluara komuniste ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që pretendon t’i bashkohet vlerave të botës perëndimore.

Një prej këtyre vlerave është pikërisht kujtesa kushtuar viktimave të komunizmit botëror, përfshir kujtesën e viktimave të komunizimit në Shqipëri.  Në një njoftim për median, Fondacioni i Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington, përshëndet hapat që mori ditët e fundit Dhoma e Përfaqsuesve e shtetit Teksas në Shtetet e Bashkuara, duke organizuar një sesion dëgjimor me qëllim të miratimit të një ligji për të përcaktuar “7 Nentorin si Ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit” në atë shtet.  Megjithëse amerikanët, fatbardhësisht, nuk i kanë përjetuar kurrë “gjërat e shumta pozitive të komunizmit”, siç pretendojnë nostlagjikët komunistë në Shqipëri, Teksasi po i bashkohet 12 shteteve të tjera amerikane që kanë vendsur me ligj tanimë përkujtimin e kësaj date për nder dhe respekt ndaj viktimave të regjimeve të komunizmit  në botë, të gjallë e të vdekur.

          Përfaqësuesi i shtetit Teksas, Tom Oliverson (djathas) me dëshmitaren e Fondacionit të Viktimave të Komunizmit, shqiptaro-amerikanën, Dr. Elida Dakolin (majtas)

Sponsorizuesi i këtij projektligji, Z. Oliverson u shpreh me këtë rast se, “Lartë nga 100-milion njerëz të pafajshëm janë vrarë nga regjimet komuniste ç’prej themelimit të regjimit të parë komunist më 7 nentor, 1917, në Rusi. Kjo është humbja më e madhe në njerëz në krahasim me çdo ngjarje tjetër në historinë e njerëzimit dhe si rrjedhim ne nuk guxojmë ti harrojmë tmerret e komunizmit.  Ashtu siç na kujtojnë edhe memorialet në kujtim të holokaustit që brutaliteti nazi-fashist të mos përsëritet kurrë më, gjithashtu ky memorial shërben si një kujtesë e qartë e premtimeve boshe të komunistëve kudo si dhe e trashëgimisë brutale të vuajtjeve njerëzore, që kanë lënë pas komunistët”, ka thenë ligjvensi i shtetit Teksas, Tom Oliverson.

Në njoftimin për median, Fondacioni i Kujtimit të Viktimave të Komunizmit në Washington, thuhet se ishte një nder për këtë organizatë që të përfaqësohej në sesjonin dëgjimor të Dhomës së Përfaqsuesve të shtetit Teksas, nga Këshilltarja e këtij Fondacioni, shqiptaro-amerikanja, Dr. Elida Dakoli, e cila dëshmoi disa ditë të shkuara para ligjëvensve të Teksasit përvojën e familjes së saj nën regjimin komunist të Shqipërisë.

“Kurë gjyshi im kishte refuzuar t’i dorëzonte partisë komuniste shqiptare pasurinë dhe mallin, ai u burgos, shtëpia e tij u shkatërrua dhe gjyshja ime dhe katër fëmijt e saj të vegjël të moshës 2-12 vjeç – përfshir babain tim – u hodhën në rrugë pa asgjë të tyren. Vëllai i saj tregoi guxim për atë kohë duke strehuar gjyshen time dhe fëmijtë e saj, por gjyshin tim e kishin vrarë në burg. Sot e kësaj dite ende nuk dimë se ku e ka varrin.  Persekutimi i familjes time nga komunizmi vazhdoi, pa ndërprerje, për katër breza”, u tha shqiptaro-amerikanja Dr. Elida Dakoli ligjëvensve të shtetit Teksas të Shteteve të Bashkuara.

Fondacioni amerikan i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit përshëndeti nismën e shtetit Teksas për të njohur, “7 Nëntorin si Ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit”, ashtuqë krimet e kësaj ideologjie imorale komuniste të mos harrohen kurrrë, përfundon njoftimin për media, Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, me qëndër në Washington. 

 Duan a s’duan nostalgjikët e sotëm dhe mbështetsit e djeshëm të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, e vërteta e krimeve të atij regjimi immoral, po del në dritë dal ngadalë për ta parë e gjithë bota. Askush nuk i beson më pretendimet e disa nostalgjikëve të përmendur më lartë se ai regjim kishte më shumë gjëra pozitive se sa negative”, e më së paku ta besojnë vet shqiptarët. Një pretendim i tillë është aq i pa përgjegjëshëm dhe i pa moralshëm, qoftë edhe në zhvillimin e një fushate elektorale, nga udhëheqsit më të lartë të vendit.  Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se kaq nga udhëheqsit e tyre por edhe nga ndërkombëtarët të cilët heshtin përball dukurive dhe prirjeve të tilla arrogante  që sprovojnë keq durimin e një populli tepër të vuajtur, atëherë dhe sot.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, ShBA nderon viktimat e Komunizmit, Shqiperia glorifikon Enver Hoxhen

KUR BOTA FILLOI TE MENDOJE SHQIP

March 28, 2021 by dgreca

“Gjithë atyre që dhanë mundin, gjakut dhe jetën e tyre për liri e pavarësi të Kosovës- Ismail Gashi-Sllovia/

Pas Demonstratave të 1981, shtypjes me dhunë të kërkesave shqiptare nga pushteti serbë. Pranvera e Madhe Shqiptare 1981, sikur pushoi së vepruari. Megjithatë, ringjallja, zgjerimi e këmbëngulësia shqiptare në kërkesa, masovizimi e përfshirja e gjithë hapësirës shqiptare mori rrugën e pavarësimit, më 1988, kur politika serbe në hakmarrje të ngjarjeve te 1968, planifikonte pezullimin e autonomisë së Kosovës, përmes akteve ligjore e “shprehjes së lire” të popullit, filluan “Kuvendimet Kushtetuese” për ndryshimet në Kushtetutën e 1974. Këto kuvendime mundësuan e formësuan kontakte me masat popullore, hapen rrugë që edhe në këto rrethana të niset fjala dhe mendimi i lirë demokratik i masës së shtypur shqiptare. Në këto tubime nëpër gjitha vendbanimet shqiptare në Kosovë, për herë të parë u  ringjall si feniksi shpërthimi e forcës akumuluese e cila shqetësoi politikën serbe. Shqiptarët pas shumë përpjekjeve  për liri në tetor-nëntor 1988 me Grevat e Minatorëve si dhe demonstratat e janar-shkurt dhe të nëntorit 1989  dhe janar-shkurt 1990 u shprehen dhe dolën hapur kundër ndryshime që rrezikonin autonominë e Kosovës.

            Në shkurt të 1989 filluan grevat e minatorëve më këmbëngulëset në kërkesa e më rrezistentët në kohë, të cilat më vonë u përkrahën edhe nga studentët dhe masat e gjëra të shqiptare. Grevat morën jehonë të madhe ndërkombëtare dhe lëkundën këmbët e sëmura të shtetit serbë. Në vjeshtë të 1989 shqiptarët e Kosovës organizuan protesta gjithëpopullore. Turmat e mëdha të popullit kalonin këmbë edhe qindra kilometra, Protestuesit vazhduan me ditë e net të tëra të qëndrojnë nëpër sheshet e qendrave të qyteteve, me pikësynim të përqendruar në Prishtinë. Më 23 mars 1989 Kuvendi i Kosovës me skenar e veprim mashtrues e të  dhunshëm, dha pëlqim për ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës. Ndryshime të cilat më 28 mars 1989 Serbia i aprovoi në Kushtetutën serbe dhe definitivisht arriti të heq atë pjesë të autonomisë së Kosovës të cilën deri atëherë garantonte Kushtetuta e 1974. Në vazhdim shqiptarëve nuk ju mbeti opsion tjetër artikulimi, përveç organizimit politik dhe sakrificës së hapur e të zyrtarizuar me kërkesat e qarta politike, shtetërore e  kombëtare. Më 14 nëntor 1989 u themelua KMDLNJ, subjekti parë shqiptarë në Kosovë që mbrohen të drejtat njerëzore e kombëtare të shqiptarëve të rrezikuar. Në dhjetor të 1989 Veton Surroi në bashkëveprim me Branko Horvatin formuan UJDI, parti politike e nivelit jugosllav. Kurse më 23 dhjetor 1989, intelektualët e atdhetarët shqiptarë, formua LDK-në, parti politike shqiptare, kur zu fill ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në Kosovë. Në vazhdim u formuan disa parti politike, subjekte tjera humanitare e shoqëri civile. Vitin  1990/91,me ligjet diskriminuese serbe që kërcnonin dhe rezikonin sistem arsimor shqiptar, rezikohej shkolla, gjuha, tekstet dhe progamet programet mesimore.,për ta sheptuar nga rezikimi u mor verpim drejte pavarësimit te shkolles shqipe nga sistemi arsimor komunsit serbe.Shkolla shqipe u mvehtësua,shqipatët vet e financonin dhe e drejtoni shkollën shqipe.Pas largimit nga objketet shkollore u mor vendim qe të vazhdohen mësimi në objekte privat”Shtëpi-shkolla”.Kuadrot shqiptare pergatitën materien kombëtare në lëndet me materie mesimore kombetare si,  Gjuha shqipe,historia,gjeofrafia,arti figurativ dhe muzikor, kudrot tona pastruan  tesktet dhe programet mësimore,kreyen pastrimin nga materia ideologjike dhe“vëllazërim-Bashkimit”,filluan reformen me lendë mêsimor të kohë si,informatikë dhe  Edukatë qytetare. Intelegjenca dhe rinia atdhetare shqiptare në vitin 1990 ndëmori veprimin e dytë, pas mvehtëmit  te shkollë shqipe të rëndësisë kombëtare, “Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve”, Lëvizje që kreu pajtimin e disa qindra e mija familjeve shqiptare, të cilat deri atëherë ishin në hasmëri për shkaqe të  ngarkesave e gjaqeve  që kishin pasur gjatë kohës dhe okupuesve nga e kaluara e tyre historike. Kjo Lëvizje e Pajtimit të Gjaqeve barti në vete fenomenin e unitetit kombëtar, disa muajve, sa zgjati Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve, siç e quanim këtë Lëvizje asaj kohe, u mbajtën qindra takime e tubime masive në përgëzim dhe manifestim të pajtimeve të gjaqeve. Praktikisht kryhej një proces integrues shpirtëror  kombëtar. Serbia përkundër masave të dhunshme, nuk arriti të ndal pajtimin kombëtar të kësaj Lëvizje masive kombëtare të shqiptarëve. Pas formimit të subjekteve partiake e shoqërive civile, organizimi politik i shqiptarëve në Kosovë mori formë dhe përmbajtje institucionale, veprim të cilin Serbia e shikonte me shqetësim. Andaj, kundër këtyre veprimeve politike shqiptare administrata e shtetit serb filloi të ndërmerr masa represive të cilat pushteti serb do ti zyrtarizon në shkallë shtetërore e kushtetuese. 

Kështu, më 2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, pas shumë përpjekjeve rezistuese ndaj dhunës serbe, aprovuan Deklaratën Kushtetues, dhe më 7 shtator 1990, pjesa shqiptare e këtij Kuvendi, në Kaçanik  aprovon Kushtetuta e Kosovës, Aktin themelor shtetëror, nga i cili në tetor 1991, mundësoi organizimin dhe mbajtjen e Referendumit për Pavarësi të Kosovës, në mbështetje të të cilit Kosova organizoi dy herë zgjedhjet Parlamentare e Presidenciale, të parat më 26 maj 1992. Parlamenti dalur nga këto zgjedhje, sikur edhe nga zgjedhjet e dyta të 22 marsit 1998, asnjëherë nuk u mbajt. Zgjedhjet e dyta të mbajtura në rrethana jo normale, kur më shumë se gjysma e Kosovës ishte në flakën e luftës.  

            Pas një vazhdimësie disa vjeçare të rezistencës e veprimit politik pasiv të udhëhequr nga  partitë politike. Më 1 Tetor1997, Demonstratat e Studentëve lëkundën çështjen, prishën rehatinë e përgjumjes dhe kthjelluan amullinë nga ai pozicion inert. Paraqitja me veprime ushtarake të UÇK-së, bashkëveprimi i saj me Unionin e Studentëve, ngritën edhe më lartë ndërkombëtarizimin i çështja së Kosovës, me përcaktim bindës e të qëndrueshëm trokitën në qendrat ndërkombëtare politike e ushtarake të vendosjes. Këto ishin ditët kur bota fliste e vepronte shqip për Kosovën, kur ishin shqetësuar jo vetëm okupuesin barbar serbë, por shqetësoi edhe forcat e veprimit politik shqiptar, të cilat i frikësoheshin shkallëzimit të mundshëm nga radikalizmi i formës së veprimit të hapur me demonstrata e veprime ushtarake. Madje, një ditë para daljes në demonstratat e studentëve, doli zëri i politikës paqësore, se për të gjitha këto veprime të organizuara nga Unioni i Studentëve, përgjegjësinë e bartin vet organizatorët e demonstratave, duke u çfajësuar kështu para okupatorit se kjo politikë në vazhdimësi i qëndron besnike parimeve të veta të deri tashme. 

            Fundi i vitit 1997 dhe fillimi i atij 1998, Kosovën e gjeti nën tensionin më të ashpër të dhunës ushtarake e policore serbe. Sulmet e forcave serbe dhe rezistenca e armatosur e UÇK-së në Kullën e Parë të Jasharajve në Prekaz, nga zënë fill e merr kahe historia më e lavdishme kombëtare e cila do ti ndërron rrugë fatit të shqiptarëve në Kosovë. Praktikisht fillon lufta mes forcave të dhunës serbe dhe forcave të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Paraqitja publike e UÇK-së më 28 Nëntor1997, luftimet heroike dhe sakrifica historike në Prekaz e Komandantit të shndërruar në legjendë, Adem Jashari më 5, 6 e 7 mars 1998, luftimet në Likoshan, Qirez e Laushë, ngarkuan me urrejtje të tërbuar lubinë serbe, që ndaj shqiptarëve, popullatës civile, vendbanimeve, përgjithsisht qenies shqiptare t’ia mësyjnë me gjitha forcat. Kështu pasuan ndjekjet gjenocitale të pastrimit etnik duke vrarë, kallur e ndjekur masovikisht popullin nga vendbanimet e trojet e tyre etnike. Nga zonat e luftës u larguan qindra mija gra, fëmijë e pleq, në hapësirat e luftës ngelën vetëm ata që ishin të aftë për luftë me armikun serb. Treva komunale e Lypjanit nëpër vendbanimet e veta pati mbi 20.000 të strehuar për të cilët u përkujdes për strehimin e tyre, ushqimin dhe përkujdesën shëndetësor. Kjo gjendje vazhdoi kështu edhe gjatë ofanzivës së parë korrik–tetor 1998 dhe shkallëzohet tejmase në Ofanzivat e filluara më 24 mars e të përfunduara më 12 qershor 1999, gjatë 87 ditëve të bombardimeve të NATO-së, sulmeve tokësore nga ushtria, policia dhe grupet terroriste serbe në popullatën civile shqiptare dhe në anën tjetër  luftimeve mbrojtëse të UÇK-së.

            Ofanziva e parë serbe në popullatën shqiptare, sikur mori një miratim të heshtur nga qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, e ndihmuar edhe nga disa zëra të mekur të politikës paqësore të shqiptarëve në Kosovë, të cilët veprimin ushtarak të UÇK-së e shikonin për rrezikim të humbjes së prestigjit të tyre, edhe pse atë e thonin me versionin e zbutur paqësor, se nuk janë për luftë të armatosur, por për rezistencë paqësore dhe pa përdorimin e dhunës. Andaj, në programin e tyre e përjashtonin versionin e veprimit ushtarak. Këtë kundërshtim, këto forca politike shqiptare në Kosovë, e ngritën deri në atë shkallë, sa veprimet ushtarake shqiptare në Kosovë ti quajnë krijesa të huaja, të shtyra nga nëntoka serbe dhe të paguara nga spiunazhi ndërkombëtar. Mu për atë, çdo sulm që bënte UÇK-ja, këto forca politike e dënonin politikisht, ashtu siç e dënonte edhe vet pushteti okupues serbe. Madje, për disa raste “paqësorët shqiptar”, kërkuan edhe intervenim ndërkombëtar të Interpolit. Këto kundërveprime e përçarje ndërshqiptare në Kosovë, populli shqiptar i Kosovës i pagoi shtrenjtë, si në ofanzivën e parë, kur serbët për pësimet përjetuar nga UÇK-ja, edhe në ofanzivën e dytë, sulmuan popullatën civile e vendbanimet shqiptare të cilat nga këto pësuan shumë vrasje, plagosje kallje masive të vendbanimeve, vlerave materiale e shpirtërore të shqiptarëve dhe ndjekjen masive të popullatës civile nga ato zona të luftës. Të gjitha këto kryheshin në emër të një mbrojtjeje të shtetit serb dhe integritetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë. Këto veprime ushtarake e policore të dhunës serbe kryheshin në heshtje jo të natyrshme të diplomacisë ndërkombëtare dhe politikës paqësore shqiptare në Kosovë. Ofanziva e parë zgjati deri më 15 tetor 1998, kur Serbia nga vetëkënaqësia e shpalli të likuiduar UÇK-në,  e cila realisht kontrollonte afro 40% të hapësirës së Kosovës, hapësirë që deri në korrik të 1998 mbikëqyrej nga forcat e UÇK-së, kontrollonte akset rrugore  Prishtinë-Pejë dhe Shtime-Prizren e shumë zona,  qytete e vendbanime të Drenicës Qendrore, Drenicës së Epërme, Trevës komunale të Malishevës, Rahovecit, Deçanit, Suharekës, Skenderajt, Gllogocit, hapësira të mëdha të Istogut, Klinës si edhe pjesë nga trevat komunale të Lypjanit dhe të Shtimes. Veprimi ushtarak i UCK-s, kushtëzoi faktorin ndërkombëtar për organizimin e Konferencës ndërkomëtare në Rambuje e Paris, nga e cila doli urrërrtia politike faktorin shqiptar dhe shkaktoi sulmet e NATO-s, nga 24 mars deri më 10 qershor 1999. Kur Kosova u liruar nga okupimi barbar shekollor serb.

 Në këtë ditar të thjeshtë, të mbajtur autentik me ngjarjet dhe kohën, do të shënojmë ngjarjet më esenciale të këtyre vlimeve, që nga fillimi i vitit 1998, të cilat janë mbajtur dhe me të cilat është informuar opinioni lokal i trevës së Lypjanit e më gjerë dhe me të cilat është sensibilizuar popullata shqiptare e kësaj hapësire. Këto janë ngjarje që kanë ndodhur, dhe janë evidentuar ashtu siç kanë ndodhur, nga se në kohën kur mbaja detyrën e personit të autorizuar për informim, gjatë kohës së Ofanzivës së parë dhe ofanzivës të dytë, të cilat janë historia më e re e shqiptarëve të ndjekur dhe tokës së djegur të Kosovës martire të kësaj hapësire komunale.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ismail Gashi-Sllovia, Kur Bota filloi, TE MENDOJE SHQIP

PAK FJALË RRETH RREAGIMIT TË SHTYPIT SERB NDAJ DEKLARATËS SË KRYEMINISTRIT TË SHQIPNIISË

March 28, 2021 by dgreca

Përgatiti Gjon Kadeli/ Washington/

Shtypi i Serbisë reagoi ndaj deklaratës së kryeministrit të Shqipnisë Z.Edi Ramës lidhun me përvjetorin e 22-të të bombadimeve të NATO-s në Serbi, sepse Z. Rama e krahasoi regjimin e Millosheviqit si nacional-socialist.
Pa dashtë me përkrahun Z.Ramën, mënyra se si reagoi shtypi serb duket i pa vend. Faktet se çfarë bani qeveria e Millosheviqit, si gjatë luftës në Bosnjë si edhe ato që bani kundër shqiptarëve në Kosovë, nuk kanë të cilsohen ndryshi, veçse,veprime çfarosjeje në masë të boshnjakëve
dhe të Shqiptarëve në Kosovë.
Përsa i përket Bosnjës, popullsia  muslimane e të cilës përban 45 përqind të popullsisë së përgjithshme prej rreth katër milionë banorë u damtue shumë rand. Mbi njqind mije u vranë e kush e dinë se sa u plagosën. Me qindra e qindra mija u dëbuen nga shtëpitë e tyne. Përveç kësaj në Srebreniçë u ba masakra ma e madhe në Europë që nga L.D.B.dhe ma shumë se 100 mijë shtëpi u shkatrruen.
Përsa i përket Kosovës rreth 12 mijë u vranë,për 1600 të tjerë nuk dihet fati i tyne, gadi nji milionë u dëbuen nga shtëpite e tyne.
Prandaj, siç vejnë në dukje këto fakte, dy popuj të ndryshëm ishin në pragun e dëbimit nga trojet e tyne njiherë e përgjithmon nga rregjimi i Milosheviqit.Për fat të mirë në Bosnjë ndërynë forcat e Kombeve të Bashkueme dhe në Kosovë forcat e NATO-s ndërhynë dhe kështu qëllimi i
Milloshviqit nuk u mbërrijtë.
Shtoi këtu se përsa u përket shqiptarëve, Serbia që nga 1844 dmth mbasi fitoi njifar autonomie nga Turqia, kishte përgaditë nji plan të fshehtë për të coptue tokat shqiptarë, që njihet me emnin NACERTANJE,
të cilin filluen t’a veshin në veprim mbas Luftës Ruso-Turke të 1877,kur filluen dëbimin e popullsisë shqiptare nga
Sanxhaku(Prefektura) e Nishit që ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës.
Gjatë këtij procesi u dëbuen rreth 300 mijë shqiptarë, prej të cilëve rreth 70 mijë u vranë. Plani në fjalë u vazhdue në mënyra të ndryshme deri më 1999.
Më duket mue si i çuditshëm qëndrimi që mban qeveria e Vuçiqit në bisedimet që janë zhviillue deri tashti ndërmjet zyrtarë kosovarë dhe serbë kur thotë se seçila palë duhet të marri diçka, kur njeriu të marri parasyshë ato që Serbia bani kudër Kosovës, pa pasë njifar mirsie, me tregue një farë keqardhje ose me kërkue një faljë, Siç e kanë ba të tjerë në raste të tilla.

Filed Under: Analiza Tagged With: Deklarata e Rames, Gjon kadeli, Shtypi serb

Kosovë-Serbi: Marrëveshja për të pagjeturit mbetet enigmë

March 28, 2021 by dgreca

Nga Bekimi Bislimi/Familjarët e personave të pagjetur në Kosovë dhe opinioni vendor ende nuk kanë arritur të kuptojnë se cilat janë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën zyrtarët e delegacionit të Kosovës në dialogun në Bruksel, qysh në shtator të vitit 2020, kishin deklaruar se është arritur me Serbinë.

Zyrtarët e qeverisë së kaluar, të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, patën theksuar se pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit do të zbatohen vetëm në rast se arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese me Serbinë. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar se çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet i qeverisë së tij. Por, as zyrtarët e qeverisë aktuale, nuk kanë dhënë ende ndonjë sqarim se çfarë përmbajnë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën palët në Bruksel, kishin arritur pajtim.

Makolli: Pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, nuk janë bërë publike 

Sqarime lidhur me pikat, për të cilat ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e të pagjeturve, nuk ka dhënë as kryesuesi i deritashëm i delegacionit për bisedime për çështjen e të pagjeturve në grupin punues të Kosovës, Ibrahim Makolli.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se megjithëse janë arritur pikat e pajtimit për çështjen e të pagjeturve, ato nuk do të zbatohen në rast se nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pikat për të cilat jemi pajtuar, nuk janë bërë publike, përderisa nuk arrihet marrëveshja e përgjithshme sepse janë të paqena në qoftë se nuk ka marrëveshje të përgjithshme”, tha Makolli.

Megjithatë, më 19 nëntor të vitit 2020, në mbledhjen e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, Makolli kishte theksuar se në dialogun e Brukselit është arritur pajtimi për shtyllat, që janë parime, për çështjen e të pagjeturve. Sipas tij, kjo nënkuptonte krijimin e “një komisionit të përbashkët, i udhëhequr nga një i emëruar special i Bashkimit Evropian, mekanizëm ky i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”. 

“Ndërkaq që mekanizmat e tjerë në terren, do të jenë po të njëjtit, të cilët kanë vepruar deri më tash. E dyta, është qasja e pakufizuar në të gjitha arkivat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të ushtrisë, policisë dhe të forcave të tjera të Serbisë, të cilat kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve në Kosovë dhe fshehjen e trupave të të vrarëve dhe të masakruarve”, pati deklaruar atëherë Makolli.

Familjarët dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, pa informacion 

Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, thotë se tash e rreth shtatë muaj, prej kur është thënë se është arritur pajtimi për çështjen e personave të pagjetur, as përfaqësuesit e familjarëve të tyre nuk kanë marrë asnjë informacion lidhur me këtë marrëveshje.

“Askush për asgjë nuk na ka informuar. Vetëm na kanë thënë që është diskutuar, por kurrfarë materiali nuk na kanë dhënë. Na thanë që më vonë do ta diskutojmë, se do ta përpunojnë materialin dhe të na e sjellin. Por, nuk na e kanë dhënë. Ata qe 22 vjet i kanë pasur të njëjtat premtime, por nuk kanë bërë asgjë”, theksoi Grajçevci.

Megjithatë ai ka lavdëruar punën dhe angazhimin e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët, sipas tij, kanë bërë krejt çka ka qenë e mundshme për t’iu përgjigjur kërkesave të familjarëve të personave të pagjetur.

Por, as drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili në vazhdimësi, për dy dekada, ka qenë pjesë e procesit të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, thotë se nuk ka ndonjë informacion lidhur me atë se për çfarë janë pajtuar delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, lidhur me të pagjeturit.

“Për sa u përket takimeve në Bruksel, ju them të drejtën që materialin nuk e kam pasur asnjëherë, por vetëm në bazë të atyre që kam dëgjuar. Nuk kam pasur ndonjë material konkret që ta di se çka është firmosur dhe për çka është biseduar”,theksoi Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Të pagjeturit “prioritet i qeverisë”, qeveria pa përgjigje për marrëveshjen 

Kryeministri Kurti, të premten, më 26 mars, pasi që ka bërë homazhe pranë memorialit në Krushë të Madhe, afër Rahovecit, ku janë varrezat e civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, ka thënë se Qeveria e Kosovës do ta ketë prioritet çështjen e të pagjeturve dhe familjarëve të tyre dhe për këtë do të kërkojë edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

“Duke bërë nderime te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, si dhe duke u angazhuar për të zbardhur fatin e të pagjeturve, ne kryejmë një pjesë shumë të vogël të borxhit të madh që e kemi ndaj sakrificës, humbjeve dhe vuajtjeve të popullit tonë”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë qenë të gatshëm, që të paktën tash për tash, të japin përgjigje nëse kanë parë dosjet dhe nëse e dinë se cilat janë pikat, për të cilat Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtimin për çështjen e personave të pagjetur.

Gërxhaliu: Puna në terren, vazhdon

Por, pavarësisht çështjes së marrëveshjes në Bruksel, sipas Gërxhaliut, puna në terren për zbardhjen e fatit të të pagjeturve ka vazhduar, varësisht nga kushtet atmosferike. Ai thotë se tashmë është paralajmëruar mundësia e një takimi të grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e të pagjeturve, në fund të muajit mars ose në fillim të prillit. Në atë takim, siç thotë Gërxhaliu, do të bisedohet për mundësinë e vazhdimit të punës në Kizhevak të Serbisë, ku në një varrezë masive tashmë janë gjetur mbetjet mortore të civilëve të vrarë.

“Kemi mbetur në gjysmë të punës në Kizhevak, ku janë gjetur të paktën pesë persona. Vendi është i konservuar në Kizhevak, me shtresa plastike dhe presim që t’i qasemi punës me përmirësimin e kushteve atmosferike. Në dy javët e kaluara kemi pasur takime të grupeve profesionale, me palën serbe, në kuadër të dialogut që udhëhiqet nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe kemi diskutuar për mundësinë e fillimit të punës në Kizhevak”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu shtoi se gërmimet apo hulumtimet për një varrezë të mundshme do të zhvillohen edhe në Kosovë, në një shpellë në rajonin e Hasit, ku gjatë dimrit ishte e pamundur qasja për shkak të kushteve atmosferike. Aktualisht, mbeten edhe mbi 1.600 persona që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998 dhe 1999, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.

Filed Under: Featured Tagged With: enigme, Kosova-serbi, te pagjeturit

Të mos ndihemi inferiorë e të kompleksuar

March 28, 2021 by dgreca

–-Vlerat janë arma më e fortë për t’i luftuar urrejtjen dhe paragjykimet/

Nga Sadik ELSHANI/ *

Në bisedat tona të përditshme shpesh e dëgjojmë, e bëjmë pyetjen: Pse ne shqiptarët e ndijmë veten pak si të kompleksuar, më të ulët (inferiorë) ndaj të tjerëve, kur në situata të ndryshme ndodhemi në praninë e të tjerëve, kur i shohim politikanët, udhëheqësit tanë në takimet e tyre zyrtare në praninë e delegacioneve, zyrtarëve të huaj? Fatkeqësisht këtu ka dicka të vërtetë e që nuk duhet të jetë kështu. Fillimisht kjo vjen se trevat shqiptare si rrjedhoje e rrethanave historike katastrofike për ne kanë ngelur prapa në çdo pikëpamje, lëmi të jetës shoqërore, ekonomike,arsimore e shkencore, krahasuar me viset tjera të kontinentit europian. Megjithatë, shqiptarët ndër shekuj kanë arritur që të krijojnë disa vlera të qëndrueshme e të larta morale e njerëzore për të cilat janë të njohur në tërë botën: krenarinë kombëtare, trimërinë, besën, mikpritjen, tolerancën ndërfetare… Ndoshta ne nuk mund të nxirrnim nga mesi ynë një Da Vinçi, Mikelanxhelo, Rembrant, Bethoven, por kur u është dhënë rasti, mundësia shqiptarëve, ata kanë shkëlqyer. (Diçka të ngjashme ka shprehur në vargje edhe Dritëro Agolli në një poezi të tij). Po, edhe populli ynë i vogël nga gjiri i vet nxori figura të përmasave botërore në të gjitha periudhat e qenjes së tij: Perandori Konstatin, Skenderbeu, Leunik Tomeo, Onufri, Aleksandër Moisiu,Shën/Nënë Tereza, Bekim Fefmiu, Ismail Kadare e shumë e shumë të tjerë.

Dikush që vjen nga një vend i zhvilluar, i përparuar, jo domosdoshmërisht do të thotë se ai person vetë është më i ditur, më i përparuar, më i zoti se ti, për të vetmen arsye se po na vika nga një vend i madh, i zhvilluar. Vendi i tij mund të jetë më i zhvillur, më i përparuar, por ai vetë mund të jetë nën nivelin tënd. Përsse Ismail Kadare, Inva Mula, Majlinda Kelmendi e shumë të tjerë duhet ta ndiejnë veten inferiorë?! Cka kanë të tjerët më shumë se ata/ato? Asgjë. Kur i përket një populli të vogël, me shekuj të shtypur, atëherë ndihesh pak i druajtur, i tërhequr kur ndodhesh në mesin e të tjerëve. Kjo ndodh zakonisht në fillim, por me kalimin e kohës e sheh se të tjerët nuk janë më të mirë, më të zotët se ti. Këtë e kam ndier edhe vetë si dhe shumë kolege e kolegë të mi nga të gjitha viset shqiptare që kemi studiuar në universitetet e ish Jugosllavisë: Zagreb, Beograd, Sarajevë, Lubjanë, etj. (Unë kam studiuar në Universitetin e Zagrebit). Në fillim i kemi patur rezervat, druajtjet tona, sepse po vinim nga pjesët më të pazhvilluara të ish Jugosllavisë dhe tani po studionim së bashku me kolegët tanë nga Beogradi, Zagrebi, Sarajeva, Lubjana, Spliti, Rijeka e shumë qytete të tjera që ofronin kushte, një jetë shumë më të mirë se vendbanimet tona. Por, pas pak kohe e kemi parë se në përgjithësi ata nuk ishin më të mirë, më të zotët se ne, dhe se kjo nuk kishte të bënte fare me përkatësinë kombëtare, apo vendlindjet tona. Me punë të përkushtuar, me vullnet të çelikët e me një vendosmëri për të ecur përpara çdo gjë është e mundur, çdo gjë mund të kompenzohet.

Disa e ndërrojnë edhe emrin për ta fshehur kombësinë e tyre, duke menduar, gabimisht, se nëse i pëkasësh një kombi, vendi të përparuar mund t’i maskosh të metat tua. Bota të respekton, vlerëson për atë që je, dhe për atë që mëton të jeshë. Kopja gjithmonë është më e shëmtuar se origjinali. Figurat tona të ndritura të përmendura më lart i ka bërë të madhërishme puna e tyre, talenti i tyre. Ata nuk e kanë mëshehur përkatësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, është i njohur rasti i Bekim Fehmiut kur me këmbëngulje ka kërkuar që në shtypin Italian të korrigjohej përkatësia e tij e gabuar kombëtare, “aktori jugosllav”, me “aktori shqiptar nga Jugosllavia”. Përndryshe ai do të tërhiqej nga projekti i filmit për Odiseun. Edhe një rast tjetër që lidhet me Bekim Fehmiun: Sipas bashkëshortes së tij, aktores, Branka Petriq, gjatë gjirimit të filmit “Avanturistët” Bekimit i kanë kërkuar që ai ta ndërrojë emrin, por ai kurrsesi nuk ka pranuar. Jo rastësisht e përmenda rastin e Bekimit, sepse shqiptarët në ish Jugosllavi për shkak të shtypjes së egër që ushtrohej ndaj tyre, mungesës së të drejtave më elementare, kishin mbetur prapa të tjerëve. Shpeshherë fyheshin dhe bëheshin objekt talljeje. Por, kur shqiptarët i fituan disa të drejta, ata e shfrytëzuan rastin dhe shkëlqyen gati në të gjtha lëmitë: kulturë, shkencë, sport, etj. Kur për magjistraturën time e fillova punën eksperimentale në një laborator të Fakultetit të Farmacisë e Biokimisë në Zagreb, ku edhe kisha studiuar, pas ca muajsh kur u bëmë pak më te afërt me njëri – tjetrin një docente me shumë dashamirësi m’u drejtua: “Koleg, ne nuk e kemi ditur që ka shqiptar që punon kështu.” Ju lutem mos e merrni këtë si një vetëlavdërim, sepse ka shumë shqiptarë që janë më të aftë e më të zotët se unë. E mora vetëm si shembull që më ka ndodhur mua. Jam i sigurt se u ka ndodhur edhe shumë të tjerëve.

Në një takim që patëm me sopranon e njohur, Ermonela Jaho, në shoqatën “Bijtë e shqipes” në Filadelfia, në tetor të vitit 2006, gjatë bisedës ajo na tregoi për një ngjarje që i kishte ndodhur në fillim të karrierës së saj në Itali: Kur paraqitësi i programit e kishte paraqitur atë si, sopranoja nga Shqipëria, salla kishte filluar të qeshte me tallje. Atëherë, ajo na tregoi, se edhe pse nga natyra është pak e turpshme, ajo e kishte mbledhur guximin dhe i ishte drejtuar publikut: “Pse po qeshni? Ju ende nuk më keni dëgjuar duke kënduar. Pasi e mbarova këngën e paraparë në program, iu drejtova përsëri publikut duke u thënë se, tani do t’u këndoja një këngë nga vendi im, këngën “Asaman, o lule”. Salla pastaj shpërtheu në duartrokitje”. Më duket se s’ka nevojë për koment. Janë këto figura që i kanë dhënë nder kombit, emrit të tyre dhe nuk kanë kërkuar lavdi në emrin e ndonjë kombi tjetër të cilit nuk i përkasin. Kombi na nderon vetëm atëherë kur ne e nderojmë atë. Secili komb, i madh e i vogel, i ka veset dhe virtytet e veta, te mirët dhe të këqinjtë e vet. Prandaj, nuk duhet të ndihemi inferiorë, më të ulët, të kmpleksuar ndaj të tjerëve.

Ka edhe nga ata që në ndonjë situatë të caktuar i kanë mohuar, janë fshehur nga prindërit e tyre. Ka raste që ne i njohim personalisht kur nxënësi që ka qenë duke u shkolluar në qytet kur e ka parë prindin fshatar në qytet i është larguar, e ka mospërfillur kur ka qenë në shoqëri të shokëve të tij të shkollës. Për këtë temë, shkrimtari më i njohur slloven, Ivan Cankar (1876 – 1918), e ka një tregim të shkurtër antologjik me elemente vetëjetëshkrimore (autobiografike), “Greh” (“Mëkati”).  Këtë tregim e kemi patur në librin tonë të leximit në një nga vitet e shkollës fillore dhe që nga ajo kohë më është ngulitur thelle në kokën, mendjen time. Shkurtimisht, një nënë udhëton në këmbë për katër orë nga fshati për ta vizituar djalin e saj që shkonte në shkollë në Lubjanë, për t’i sjellur këmishat e lara dhe ca para. Ajo ishte duke pritur djalin e saj para dyerëve të shkollës kur zilja bie dhe nxënësit dalin nga shkolla pas përfundimit të mësimit. Kur djali e sheh nënën e tij të rraskapitur, të veshur me veshje fshatare, me çizmet e baltosura dhe me një boshçe ku i kishte këmishat e tij, djali nuk i paraqitet asaj. Një shok i klasës e pyet djalin se mos ishte ajo nëna e tij. Ai ia kthen: “Jo, ajo nuk është nëna ime”. Djali duke u fshehur në turmën e nxënësve largohet pa e takuar nënën e tij. Nëna pret për një kohë të gjatë dhe kur nuk e sheh djalin e saj niset drejt banesës së tij, duke menduar se mos ndoshta djali është i sëmurë dhe nuk ka ardhur në shkollë. Djalin e gjen në banesë dhe i tregon se e kishte pritur para shkollës, por djali i thotë se nuk e kishte parë. Dikur pasdite nëna niset për t’u kthyer në fshat. Djali e përcjell nënën nëpër qytet, por tani e bren ndërgjegjja për atë që kishte bërë pak më parë dhe dëshiron t’u thotë të gjithëve se ajo ishte nëna e tij. Kthehet në banesë dhe qanë me të madhe, por mëkati kishte zënë vend, ishte ngulitur në shpirtin e tij dhe të gjitha lotët e derdhura nuk mund ta lanin më.

Pra, kjo ndjenja e të qenit inferiorë ndaj të tjerëve manifestohet edhe te disa kombe të tjera. Në vitin 1977 në Qendrën Kulturore Studentore ne Qytetin e Studentëve në Beogradin e Ri, profesori në pension i Fakultetit të Farmacisë, eksperti botëror i bimëve mjekësore, dr. Jovan Tucakov (1905 – 1978) e mbajti nje ligjëratë për bimët mjekësore dhe përdorimin e tyre për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Ishin të pranishëm studentë nga një pjesë e mirë e territorit të ish Jugosllavise, isha edhe une dhe kolegu im i studimeve, Ekrem Guri (tani i ndjerë). (Unë atëherë studioja në Universitetin e Beogradit dhe po atë vit në vjeshtë kam kaluar në Universitetin e Zagrebit). Gjatë ligjeratës profesori e pyeste ndonjë student se prej nga ishin dhe kur ata i tregonin emrin e fshatit ai u tregonte se cilat bimë rriteshin në fshatin e tyre dhe pikërisht në cilin vend. Pastaj u tregonte për disa zakone, tradita të fshatit të tyre, si u këndonin bletëve, etj. Studentët pak si të turpëruar e ulnin kokën, ndërsa profesori pak si me qortim u drejtohej: “Mos u turpëroni nga prejardhja e juaj!”

Rëndësi kanë vlerat njerëzore që ti i rrezaton dhe jo emri yt, kombësia apo vendi prej nga vjen. Sillu mirë, me kulturë e respekt ndaj të tjerëve, tregohu i zoti në leminë, punën tënde dhe të gjithë do të respektojnë. Vlerat janë arma më e fortë për t’i luftuar urrejtjen dhe paragjykimet.

Philadelphia,  mars, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Jo inferiore, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 138
  • 139
  • 140
  • 141
  • 142
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT