• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA INFERMIER, NE ZV.SHEF NE SPITALIN UNIVERSITAR NE ATHINE

November 2, 2017 by dgreca

Dr.Begator Llaci nga ndihmës infermier në Greqi sot është mjek i specializuar dhe zv.shef në spitalin më të madh të përgjithshëm universitar në Athinë, Greqi./

1 shqip GreqiBisedë me Dr.Begator Llacin, mjekun e suksesshëm shqiptar në Athinë/

1 dr shqip GreqiBisedoi Keze Kozeta Zylo/1 shqipo grek

Për të shuar kuriozitetin e lexuesve le të hidhemi në fëmijërinë tuaj.  Cila është fëmijëria juaj, origjina dhe çfarë do të kujtoni me shumë prej saj?1 femijeri

Së pari dua t’ju falenderoj juve për intervistën dhe interesimin tuaj. Gjithashtu një përshëndetje të ngrohtë për të gjithë emigrantët shqiptarë në Amerikë. Kam lindur në qytetin e Tepelenës në vitin 1972 nga një familje e thjeshtë punëtore. Nga fëmijëria kujtoj pasionet e mia për muzikën dhe futbollin. Gjithashtu, mbresëlënse kanë qenë pjesëmarrjet e mia në festivalet e fëmijeve si në Tepelenë dhe në Shkodër në rang kombëtar ,në të cilat jam nderuar me çmime të para.

Përveç këtyre dy pasioneve një interes të vecantë kisha për mësimet.

Ju keni mbaruar gjimnazin në Tepelenë, me mësuesë tejet të përgatitur sa ju ka ndihmuar niveli i mësimdhënies se tyre?                      

Kam mbaruar shkollën e mesme “Abaz Shehu “në Tepelenë, në vitin 1990. Stafi pedagogjik kishte një përgatitje të lartë profesionale, ndër ta mund të përmend: mësuesin e historisë Z.Nekim Liçaj ,mësuesin e matematikës z.Jani Dine, mësuesin e fizikës Z.Arqile Peri,mësuesin e fizkulturës z.Mihal Çimi etj…Sigurisht pergatitja e tyre e lartë profesionale luajti rol në formimin tonë të ardhshëm intelektual dhe profesional.

Dhe meqenëse m’u  dha rasti dua ti falenderoj të gjithë për kontributin e tyre ndaj nesh.

Ju mbaruat studimet e larta për mjekësi ne Tiranë dhe ndërkohë njehësuat  diplomën dhe vazhduat specializimin për patologji të përgjithshme në Greqi. 

Çfarë ndryshime pozitive dalloni midis nivelit mjekësor shqiptar dhe atij Helen?                                                         

Siç thatë edhe më sipër kam mbaruar studimet e larta për mjekësi në Tranë. Më pas u ktheva në qytetin tim, ne Tepelenë ku punova për një vit si mjek i përgjithshëm. Pasi emigrova kam njehsuar diplomën në universitetin e Athinës,më vonë u specializova për patologji të përgjithshme në spitalin universitar të  Niqes, Pire të  Athinës. Sigurisht që ka ndryshime në nivelin mjekësor shqiptar dhe atij grek: së pari është tradita që ka  Greqia në fushën e mjekësisë jo vetëm në rang europian, por edhe në atë botëror, gjë që në Shqipëri lë akoma për të dëshiruar .Së dyti si një shtet i ikuadruar më shpejtë në nivelin europian i dha përparësi dhe zhvillimeve në fushën e mjekësisë.

Sa e vështirë ka qenë për të arritur këtë sukses kaq te lartë jashtë vendit tënd në Greqi, ku ju shkuat thjeshtë si emigrant?                                                    

Së pari të emigrosh në një vend krejtësisht të huaj, ku nuk njeh as gjuhën e komunikimit është sigurisht i vështirë integrimi në këtë shoqëri. Dhe unë integrimin tim e fillova pikërisht në këtë pikë: duke studiuar në fakultetin e filologjisë për gjuhën greke në universitetin e Athinës në vitin 2003. Më vonë pasi isha legalizuar fillova si infermier në spitale të ndryshme të Athinës, për periudha të ndryshme. Punësimi si infermier dhe jo si mjek vinte si shkak i mosnjehsimit të diplomës shqiptare në Greqi. Njehësimin e diplomes e kryeva në universitetin e Athinës në vitin 2005 duke dhënë dy provime plotësuese në patologji dhe në kirurgji. Ishte një obligim shumë i madh dhe orë të tëra studimi të përditshme për të arritur këtë sukses dhe njëkohësisht kam punuar.  Më vonë kam ushtruar profesionin tim si mjek në ishujt e dëgjuar të Egjeut Mikono, Tino dhe Siro. Gjithashtu kam punuar dhe në një klinikë private  turistike në Korfuz, në të cilën drejtoja dhe stafin mjekësor.  Më vonë u specializova për patologjii të përgjithme në spitalin universitar të” Niqës”  Pire Athinë, në vitet 2011 -2016.  Gjithashtu në harkun kohor 2014-2007 mbrojta masterin për kancerin e mushkërisë në spitalin universitar” Sotiria”dhe mbarova një specializim një vjeçar për sëmundjet infektive dhe të përgjithshme të mëlcisë,në spitalin periferik infektiiv “Agjia Varvara” të Athinës . Sigurisht për të arritur deri këtu duhej një punë kolosale me përpjekje të vazhdueshme. Sot punoj si zv.shef në klinikën e parë patologjike në spitalin universitar të “Niqes”Pire, Athinë qysh prej një viti.

Ju punoni në një nga spitalet më të mëdha shtetërore te përgjthshme në Athinë, në Niqa Pire dhe çdo ditë  ju përballeni  me pacientë të sëmundjeve të ndryshme . Cili  është qëndrimi juaj profesional dhe emocional gjatë ushtrimit të profesionit tuaj?                                       

  Eshtë më se e vërtetë që unë përditë përballem me pacientë me sëmundje të ndryshme dhe të moshave të ndryshme .  Ndërthurrja e anës profesionale dhe emocionale në përballje me sëmundjen e pacientit janë gjithmonë në shkallën sipërore.  Mundohem gjithashtu të jem sa më afër pacientit  që të ndihet sa më pozitiv nga ana psikologjike për përballimim e sëmundjes.

Ju keni mbajtur disa kumtesa të ndryshme ne fushën e mjekësisë në Greqi. Si jeni prezantuar në këto konferenca akademike mjekësore greke dhe mbarëkombetare?               

Shkenca e mjekësisë është një shkencë në zhvillim dhe si gjithmonë është në kërkime dhe zbulime të reja. Kam qënë i pranishëm në 30 konferenca mbarëkombëtare, në të cilat janë diskutuar tema të ndryshme mjeksësore si psh: studime të reja mbi sëmundjet e sistemit tretës, sëmundje të tensionit arterial të lartë, mjekimi i sëmundjeve infektive të mëlcisë, të rejat bashkëkohore për sistemin kardiovaskular e shumë tema të tjera.  Gjithashtu së bashku me një ekip kolegësh grekë kam marrë pjesë në 10 studime të ndryshme mjekësore në lidhje me ndikimin e hepatiteve në kancerin e mëlçise. Në të gjitha pjesëmarrjet e mia jam munduar të bëj paraqitje sa më të denjë profesionale.

Në shtetin fqinj helen jetojnë dhe shumë emigrantë shqiptarë. Sigurisht, jeni përballur edhe me bashkëkombasit tanë gjatë ushtrimit të profesionit tuaj. Mund të na përshkruani emocionet tuaja si mjek dhe si shqiptar?

Profesioni i mjekut nga vetë natyra e tij eshtë human dhe nuk mund t’i ndajmë pacientët nga përkatësitë kombëtare. Për ne pacientët  janë të gjithë njelloj, megjithatë përballë shqiptarëve është një obligim emocional i natyrshëm sepse jemi bashkëkombas dhe mundohem ti ndihmoj sa më mirë duke komunikuar dhe në gjuhën tonë.

Cila është familja juaj në Greqi?           

Prej 12 vjetësh kam krijuar familjen time nga e cila erdhi në jetë dhe një djalë. Familja ime më ka mbështetur dhe më ka përkrahur në çdo hap dhe është pjesë e arritjeve të mia.

Dhe së fundi, mendoni se një ditë do te ktheheni në qytetin tuaj të lindjes në Tepelenë për të ofruar përvojën tuaj si mjek i specializuar i ardhur nga një shtet europian me mjekësi më të zhvilluar se vendi ynë?                     

E përse jo? Rëndësi ka të na mbështesë shteti ynë, sepse në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar sistemi shëndetësor, sidomos në periferi të vendit. Le të shpresojmë…

Ju falënderoj për intervistën dhe ju uroj suksese të mëtejshme në profesionin tuaj.

Gjithashtu dua të bëj një falenderim të veçantë për emigrantët shqiptarë kudo që janë duke u uruar fat dhe suksese në jetë .

Faleminderit dhe shumë urime Dr.Llaci!

Manhattan, New York

1 Nëntor, 2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: Dr.Begator Llaci nga ndihmës infermier në Greqi, ne Universitetin e Athines, zv shef

3 VJETORI I UNIFIKIMIT TË SHOQATAVE TË SHQIPTARËVE NË SHBA

November 2, 2017 by dgreca

NGA ESAD GJONBALAJ/

5..“Ku gjendën shoqatat sot”/

unnamedShoqatat me origjinë nga shteti i sotëm i Malit te Zi  dhe me veprimtari në SHBA gjatë aktiviteteve të përbashkëta  dëshmuan se janë për bashkimin dhe unifikimin e diasporës shqiptare në një zë të vetëm. Këtë deklarim të tyre shoqatat tona e konkretizuan me 2 nëntor 2014 në Detroit,  ku dhe solemnisht asokohe patën bërë nënshkrimin  e “Marrëveshjes  për Bashkëpunim” në mes të shoqatave.unnamed-1Në këtë solemnitet të një fillimi të mbarë  me 2 nëntori të vitit 2014 që u zhvillua në një nga anekset e kishës katolike shqiptare “Shën Pali,” në Detroit  muarën pjesë thuajse të gjithë kryetarët e shoqatave me veprimtari në SHBA dhe  profesori i respektuar në New York University  zt Shinasi Rama si dhe  aktivistë të dalluar të komunitetit tonë në SHBA . Nikoçir  i këtij takimi ishte Shoqata   Atdhetare Malësi e Madhe nga Detroiti.

Është e rëndësishme të theksohet se trupit koordinues të 8 shoqatave tona atë ditë të 2 nëntorit 2014 iu bashkangjit edhe një shoqatë tjetër, gjegjësisht “Fondi Humanitar Rapsha” me kryetar z. Anton Lajçaj dhe që tani në trupin tonë koordinues të shoqatave arritëm ti kemi 9 shoqata të bashkuara.

Diaspora shqiptare në SHBA gjatë dekadave të fundit në shumë aktivitete kombëtare i ka paraprirë aktiviteteve dhe veprimtarive të shqiptarëve me origjinë nga trojet tona etnike nën Malin e Zi. Në ceremoninë e nënshkrimit muarën pjesë 5 shoqata të cilat u përfaqësuan nga kryetarët e tyre, të cilët bënë edhe nënshkruan në mënyrë solemne “Marrëveshjes  për Bashkëpunim” në mes të shoqatave tona:

  1. “Shoqata  Ana e Malit “ – New York , me  kryetar Ismet Kurti

2.”Shoqata Atdhetare  Malësia e Madhe “  Detroit, kryetar Pashko Gjokaj

3.”Fondi Humanitar  Malësia “ – New York, kryetar Ejllo Berishaj

  1. “Fondacioni Plavë-Guci “ – New York, kryetar Esad Gjonbalaj
  2. “Fondi Humanitar Rapsha” Detroit, kryetar Anton Lajcaj

Në ceremoninë solemne atë ditë për shkaqe të distancës  gjeografike dhe angazhimeve personale të kryetarëve të shoqatave të tjera nuk muarën pjesë mirëpo paraprakisht  kishin dhënë pëlqimin-aprovimin e tyre për t’ iu bashkuar nismës tonë të përbashkët. Në ndërkohë kemi realizuar nënshkrimet e shoqatave vijuese:

  1. “Shoqata Dedë Gjon Luli “ – New York, kryetar Mark Dedvukaj
  2. “Fondacioni Don  Simon Filipaj “ – New York, kryetar Tomë Shkreli

8 “Shoqata Atdhetare Kraja “  New York, kryetar Sal Gjinashi

  1. “Shoqata Ulqini “ – Chicago (kanë përkrahur ne parim por nënshkrimi nuk është vënë  për shkaqe subjektive)

 

U bënë më se 3 vite nga nënshkrimi i  “Marrëveshjes  për Bashkëpunim” në mes të shoqatave tona mirëpo me ndryshimin e kryesive të  shoqatave fatkeqësisht filluan çalimet në  koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe që nga ajo kohë asnjë aktivitet i përbashkët me karakter kombëtar nuk është bërë nga shoqatat tona.

I emëruar nga shoqatat si “Koordinues”i këtij aktiviteti në  mes të shoqatave, post ky  të cilin  e mbajta për më se 18 muaj, shpreh zhgënjimin dhe dëshpërimin tim të thellë për mos vazhdimësinë e bashkëpunimit të ndërsjellët, bashkëpunim ky që asokohe rezultoi në një koordinim të shumë aktiviteteve të fuqishme në SHBA në mbrojtje të interesave të shqiptarëve nën pushtetin e Malit të Zi.

Ne mesin e shumë aktiviteteve po shkoqis vetëm disa qe patën një jehon te madhe:

Konference e Dytë Ndërkombëtare për “Shqiptarët në Malin e Zi” 1 Nëntor 2014, Detrot

Demonstrata e përbashkët e 10 Prillit 2014 ne Washington DC me pjesëmarrjen e mase 1000 bashkëkombësve, Pikniqet e përbashkëteta me pjesëmarrjen e mase 2500 bashkëkombësve etj etj….

Mosaktiviteti kombëtar apo heshtja e shoqatave në fjalë nënkupton aprovimin e heshtur të  gjendjes dhe pozitës jo të  mirë të te drejtave të shqiptarëve që sot gjenden nen Mal të Zi. Heshtja dhe mosaktiviteti i diasporës shqiptare në SHBA,  gjegjësisht të shoqatave u konvenon autoriteteve malaziase sepse të

tillë duan  të na shohin “qytetar lojal” gjersa shteti malazias vazhdon rrugën dhe  kyçjen  e tij në institucione më relevante te botes demokratike.

Shoqatat dhe kryesitë e tyre duhet ta din se mbyllja në oazat e tyre vetanake është mangësi e vetëdijes kombëtare, sepse përtej oqeanit dhe në dhe te huaj nuk mund ta akuzojmë askënd për mos bashkëpunimin tonë përveç vetvetën tonë.

Shoqatat tona përveç aspektit human gjithnjë dhe historikisht kanë luajtur rolin e ambasadorit të denjë vendlindjeve tona dhe të  kombit shqiptar në tërësi.

Andaj koordinimi  dhe bashkëpunimi i ndërsjellë ne në aspektin kombëtar është i domosdoshëm sepse është imperativ i kohës, por edhe obligim moral i çdo kryesie të çdo shoqate aktive në SHBA që ta kryej misionin dhe besimin e marr nga diaspora për te udhëhequr shoqatën në të  mirë të vendlindjes, diasporës dhe çështjes kombëtare në tërësi.

 

Esad Gjonbalaj

2 nëntor 2017, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: 3 vjetori, ne SHBA, Sad Gjonbalaj, unifikimi i shoqatave

Jo, “Trick or treat” me terrorizmin

November 2, 2017 by dgreca

Sulmi terrorist në Nju Jork, s’është fajtor Lotaria Amerikane, për krimin/

1-rafael-floqi

Nga Rafael Floqi/

Halloween-i i sivjetshëm u përjetua, përgjakshëm në Nju Jork ashtu siç e ka dhe namim , “një natë  vdekjeje.Policia në Nju Jork po vazhdon të jetë në gatishmëri të lartë pas sulmit me kamion që shkaktoi vdekjen e tetë personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Autoritetet po përpiqen të gjejnë motivet e autorit.

Ndërkohë Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha menjëherë se nuk kishte prova që autori që duket se ka shprehur besnikërinë ndaj ISIS-it, dhe se kishte pasur ndihmë nga organizata terroriste të huaja, por ishte radikalizuar brenda Shteteve të Bashkuara. Pse ky nxitim?

Ndërkohë sot policia deklaroi se sulmi ë Nju Jorkut, u përgatit në emër të grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS), pasi ishte përgatitur prej disa javësh, njoftoi sot ndihmës shefi i policisë së Nju Jorkut, John Miller.

Sulmuesi i plagosur, Sayfullo Saipov, 29 vjeç dhe me origjinë nga Uzbekistani, u mor në pyetje në spital.

“Sipas hetimit të zhvilluar dje në mbrëmje, del se Saipov e kishte planifikuar këtë prej disa javësh”, deklaroi John Miller në një konferencë për shtyp.

Katër vetë, përfshirë dy fëmijë u plagosën kur autori i sulmit goditi me kamion një autobus shkollash.

Policia hapi zjarr ndaj tij, pasi ai doli nga kamioni me dy armë të rreme. Ai ndodhet në një spital, emri i të cilit nuk është bërë i njohur publikisht, në gjendje serioze. Ndërsa ai ishte në spital, policia punoi gjithë natën, duke grumbulluar prova nga kamioni që u përdor për sulmin. Hetuesit zbuluan shënime në arabisht pranë kamionit që nënkuptonin besnikërinë e tij ndaj Shtetit Islamik, thanë dy zyrtarë të rendit.

Ndërkohë në Nju Jork, parada tradicionale e Hallouinit u mbajt nën masa të rrepta sigurie, por nuk pati ndonjë incident.

Ndërkohë policia po e trajtojne rastin me te ashtuquarin term si “ Ujk i vetmuar”. Një term i krijuar nga administrata e mëparshme. Po a është i drejtë ky term?

Sipas Wikipedia-s, “Një ujk i vetmuar”, një terrorist i vetmuar është një person që vepron vetëm, është ai që përgatit dhe kryen vetëm veprime të dhunshme, jashtë çdo strukture dhe pa asnjë ndihmë nga asnjë grup. Ai mund të jetë ndikuar nga ideologjia dhe besimet e një grupi të jashtëm dhe mund të veprojë në një grup të tillë. Po në kuptimin e tij origjinal, një “ujk i vetmuar” është një kafshë ose person që përgjithësisht jeton ose kalon kohë vetëm jashtë grupit apo kopesë.

Sot në lidhe me këtë term kishte një reagim të tillë në Twitter “Pse i lidhim sulme masive individuale të “ujkut të vetmuar” me myslimanët, por jo sulmet masive individuale të “ujqve të vetmuar” nga jo-myslimanët?  Pse se quajtën “ujk të vetmuar” vrasësin e Las Vegasit?

Ka akuza sikur Presidenti Trump po shmang padrejtësisht myslimanët në përpjekjet e tij për ta bërë Amerikën një vend të sigurtë. Ka gjykatës që kanë bllokuar ligjet e tij të kufizimit të emigracionit Por kur një terrorist vret amerikanët – dhe në atë kohë, thërret  “Allahu Akbar ” në arabisht, zelli i presidentit është i kuptueshëm.

Mund ta kesh mundur ISIS-in nga Raqqa dhe larguar atë nga Siria apo Iraku, por nuk e ke mundur dot. Është e vështirë të luftosh një ideologji.

Mund të fajësosh terrorizmin islamik, refugjatët apo lotarinë amerikane të diversitetit, por kjo është vetëm politikë partiake. Mund t’i mësosh shitësit e makianve me qira siç argumenton policia e New Yorkut, që të bëjnë profilizimin e klientëve, siç bën policia izraelite, mund të përdorësh dronët për vëzhgime, mund të mbikqyrësh qendrat e kultit, etj., por në kohën e Internetit në çdo celular, kjo do të shërbejë deri diku, por nuk i përgjigjet dot pyetjes: Se çfarë duhet bërë që mos ndodhë kjo nesër?

Pas sulmit, Presidenti Trump shkruajti në Twitter “Nuk duhet të lejojmë ISIS-in të kthehet, ose të hyjë në vendin tonë, pasi po i mposhtim në Lindjen e Mesme dhe gjetiu. Mjaft!”  Ai shtoi më pas “Sapo urdhërova Departamentin e Sigurisë Kombëtare që ta intensifikojë edhe më tej Programin për Kontroll të Hollësishëm. Nuk duhet të ruajmë korrektesën politike për një gjë të tillë”.

Kjo është një masë, por nuk ka të munduar në asnjë mënyrë të mbrojë çdo bllok të qyteteve tona, çdo fushë në fermat tona, çdo shkollë në rrethinat tona. Ne jemi mësuar me lirinë tonë për të lëvizur dhe për t’u bashkuar e takuar, me këdo dhe sido që ne të duam.Askush nuk mund ta kishte parashikuar ngjarjen e së martës në një armë vdekjeprurëse me një kamion. Ne ecim nëpër rrugët tona pa i kushtuar vëmendje asaj, për të cilën po flasim, duke u përpjekur të lexojmë apo të dërgojmë mesazhe me tekst ose duke parë video në telefonat tanë. Dhe kur jemi në një rruge te caktuar për biçikleta, supozojmë se nuk do të ndeshim aty automjete me katër rrota. Por problemi është se për terroristët, liria e veprimeve tona  nuk është aq e keqe, është mundësia më e mirë për ta. Por kjo mungesë vigjilence, ky besim i pakujdesshëm që na bën të gjithë ne, pre e lehtë, viktima të buta për keqbërësit e vendosur.

Mund të marrin masa kundër armëve, por pamja e një terroristi me një kamion të marrë me qira për 19 dollarë ora, dhe dy pistoleta me saçme, që ishin armët sa vrasëse aq dhe qesharake të terrorit, e përgënjeshtron këtë si zgjidhjen e vetme. Mund të ndalosh refugjatët nga Lindja e Mesme, por nuk mund të ndalosh çdo amerikan me green card, të natyralizuar, apo të lindur këtu, apo gjetkë që të radikalizohet.  Në fakt, në të gjitha aktet terroriste në SHBA, terroristët nuk kanë ardhur nga refugjatët por kanë qenë në një farë mënyre ” home grown”.

Por si duhet vepruar ?

Së pari, nuk duhet politizuar situata, nuk duhet të shkaktohet panik apo të përdoret ajo për interesa politike të ditës. Siç po shihet, madje para se emrat e terroristit dhe të vdekurve dhe te plagosurve të ishin bërë të njohura nga policia, pati  paralajmërime të mos stereotipizojnë aktin, për të mos dëmtuar reputacionin e çdo besimi apo ideologjie. Paralajmërime që në fakt bëjnë të kundërtën.

Moslidhja e islamit radikal me terrorin, mos përmendja e tij si rrezik siç bëri administrata e kaluar Obama, nuk ndihmon në asgjë. Në fund të fundit, terroristi vrau ne emër të Allahut, madje ai ishte krenar për atë që bëri.

Fakti qe terroristi Sayfullo (Sejfulah) Saipov një fanatik i ISIS që kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara shtatë vjet më parë nga Uzbekistani në kuadër të Programit të Vizave të Diversitetit, bën që detajet e udhëtimit Sayfullo Saipovit, tani të shihen si një shtysë shumë e rëndësishme, si një mjet për Presidentin Trump” për të propozuar rishikime të programin të tij të ” verifikimit ekstrem “.

Në fakt nuk është Programi i Vizave të Diversitetit, një program i Departamentit të Shtetit që ofron një llotari për njerëzit në Shtetet e Bashkuara, i cili tërhoqi zemërimin e Trump herët,në mëngjesin e së mërkurës, fajtori për veprimet e një të indoktrinuari. Çdo vit kjo lotari ka sjellë 50 mijë njerëz nga vende të ndryshme të origjinës, ndër ta dhe shumë shqiptarë. Afërmendsh, po të shkojmë me asosacion, atëherë “faji” i sistemit amerikan të Lotarisë së Vizave, është i njëjtë me “fajin” e kompanisë Huber, ku terroristi punonte, apo me “Home depot” ku ai mori makinën.

Sipas faqes së internetit të Emigracionit të Shteteve të Bashkuara Programi DV siguron deri në 50,000 viza për emigrantët çdo vit dhe aplikantët duhet të dëshmojnë se kanë një regjistër të pastër penal, kanë një diplomë të shkollës së mesme ose ekuivalente, ose kanë të paktën dy vjet përvojë pune brenda pesë viteve të fundit në mënyrë që të kualifikohen.

Programi filloi si pjesë e një projektligji të futur në vitin 1990 nga Sen. Chuck Schumer, Demokrat nga N.Y., në atë kohë kongresmen. Masat e Schumer për të dhënë një numër vizash në dispozicion të “diversitetit të imigrantëve” nga disa vende me më pak emigracion në SHBA, u inkuadruan në një projektligj më të madh të imigracionit, i cili u sponsorizua nga Schumer dhe nga 31 senatorë të tjerë, duke përfshirë disa republikanë.

“Terroristi është një person që ka fituar nga ” Programi i Lotarisë së Vizave të Diversitetit “, një dhuratë të bukur nga Chuck Schumer. Emigracioni duhet të bazohet në meritë,” shkroi Presidenti Trump në Twitter. “Ne po luftojmë shumë për Emigracionin e Bazuar në Meritë, jo më shumë sisteme. si  Lotaria e Demokratëve.” Ne duhet të bëhemi më të ashpër (dhe më të mençur).

” Programi i Lotarisë së Vizave të Diversitetit, apo Lotaria Amerikane e Vizave, fitues të së cilës kanë qenë mjaft shqiptarë, ndër ta edhe unë, mund të ketë mjaft mangësi, dhe personalisht e mbështes presidentin Trump për “emigracionin e meritës”, por nuk është fajtore Lotaria për këtë akt të një individi. Ndaj politizimi i çështjes në kuadër të agjendës të Presidentit Trump, nuk e zgjidh thelbin e problemit. Ndërkohë nga ana tjetër, anulimi i lotarisë do të pengonte jo vetëm të ardhurit e rinj e kjo nuk ka ndonjë pasojë të madhe, por do të pengonte bashkimet familjare aplikimet e të cilave janë bërë prej kohësh.

Zyrtarët fillimisht thanë se nuk kishte prova që të linin të kuptoje se sulmi ishte pjesë e ndonjë komploti më të gjerë, por u pohua se prania e policisë do të shtohet nëpër rrugë:

“Do t’i shihni në aeroporte, do t’i shihni në tunele dhe kjo jo sepse ka ndonjë provë për ndonjë kërcënim të vazhdueshëm, por vetëm për arsye vigjilence dhe parandalimi”, – tha guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo. “Mos lejoni terroristët të ndryshojnë jetën tonë në asnjë formë, mënyrë ose formë”, tha ai vetëm dy orë pasi ndodhi sulmi. Kjo është e drejtë, njujorkezët. Po të dëgjoni vetëm  guvernatorin tuaj. Mos merrni masa paraprake shtesë në mënyrën se si jetoni jetët tuaja. Mos e pranoni se ka njerëz të këqij në botë që duan t’ju vrasin, pastaj për lavdinë e Perëndisë. Mos e përdorni atë fjalë të shëmtuar – luftë – për të përshkruar konfliktin tonë me islamin radikal. Mos u ofendoni. Dhe mos u mbroni. Mund të jetë dikush i mërzitur si Sejfullahi.

Por s’duhet ngatërruar feja, besimi islam me terrorizmin dhe ideologjinë vehabiste, por gjërat duhet të thuhen siç janë. Në fund të fundit “Islam” do të thotë paqe. Ideologjia duhet luftuar me mjete ideologjike.

Ndoshta ka ardhur koha për një reformim të islamit, duke hedhur poshtë radikalizmin, gjë që,  madje edhe liderët arabë, si: presidenti i Egjiptit,  Mbreti i Arabisë Saudite po thonë, se e kanë kuptuar se duhen ndryshime. Ndoshta pa blafsemuar, do të duhej duhet një islam më modern, që jetonte në harmoni me shekullin e sotëm. Ky është islami që i duhet botës sot.

Islami shqiptar e ka vërtetuar këtë, dhe qendrat islamike shqiptare në Amerikë e kanë vërtetuar këtë. Shembulli pozitiv i dialogut ndërfetar të qendrës Islamike Shqiptare në Staten Islamd dhe the Dr. Imam Tahir Kukiqit është një shembull.

Duke e bërë terrorizmin pjesë të luftës politike nuk e zgjidhim atë si fenomen, por bëjmë ashtu siç bëjmë me fëmijët për Halloween, i mashtrojmë duke i dhënë ndonjë sheqerkë.

“Trick or treat”.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “Trick or treat”, Jo, ME TERRORIZMIN, Rafael Floqi

Njoftim i dobishëm për studentët shqiptarë

November 2, 2017 by dgreca

1 ambasadaAmbasada e SHBA-ve në Tiranë ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë studentët shqiptarë, të interesuar për të kryer studime në Amerikë.

Njoftimi është kryer përmes rrjetit social dhe ka të bëjë me programin Global UGRAD, një mundësi e artë për ata të rinj nga Shqipëria, që kërkojnë të studiojnë në SHBA.Për më tepër lexoni postimin e ambasadës së SHBA: Jeni student në nivelin e parë të studimeve, të gatshëm për të sfiduar veten dhe të eksploroni shoqërinë, kulturën, jetën akademike në ShBA dhe të takoni njerëz nga e gjithë bota? Aplikimi për programin Global UGRAD është hapi i parë.

Këtu do të gjeni më shumë informacion: https://goo.gl/m9NtKG

Konkretisht:

Programi Global UGRAD

Programi Global UGRAD, është një program i financuar nga Departamentit i Shtetit. i cili jep bursa për studentë të nivelit universitar në 55 vende të botës. Studentët caktohen në kolegje dhe universitete në të gjithë Amerikën, ku marrin pjesë në një semestër të nivelit parauniversitar pa diplomë. Bursa mbulon udhëtimin, shkollimin, dhomën, siguracionin për aksidente/sëmundje, një pagesë të vogël mujore, dhe shpenzime për libra. Pjesëmarrësit jetojnë në konvikt me bashkëmoshatarët e tyre amerikanë ose në banesa me familje amerikane. Global UGRAD është një program shkëmbimi i pavarur, i konceptuar për t’i ekspozuar studentët ndaj sistemit arsimor, shoqëror dhe kulturor amerikan. Të gjithë studentëve u kërkohet të marrin pjesë vullnetarisht në aktivitetet e shërbimit komunitar, si dhe të marrin pjesë në aktivitete të zhvillimit profesional si pjesë e programit Global UGRAD. Studentët largohen nga Amerika me idenë për t’u bërë udhëheqës në profesionet dhe komunitetet ku jetojnë. Studentët që kanë mbaruar programin Global UGRAD  mund të aplikojnë për programin Fulbright, të përfitojnë specializime të rëndësishme ndërkombëtare, dhe të punojnw në biznese ose administratë në vendet e tyre. Konkurenca për programin është shumë e lartë dhe në bazë merite. Finalistët do të përzgjidhen në bazë të rezultateve akademike, aftësive drejtuese, dhe përgatitjes së tyre për të studiuar në Shtetet e Bashkuara.

FUSHAT E STUDIMIT

Global UGRAD është i hapur për të gjitha fushat e studimit dhe nuk është diskriminues ndaj racës, ngjyrës, gjinisë, orientimit seksual, fesë, etnisë, ose paaftësisë fizike.

KËRKESAT PËR KUALIFIKIM

Progami Global UGRAD është i hapur për këdo që është:

  • Mbi 18 vjeç
  • Shtetas shqiptar, aktualisht rezident në këtë shtet
  • Të ketë mbaruar vitin e parë të universitetit përpara se të fillojnë programin Global UGRAD
  • I regjistruar si student në çdo universitet të akredituar, publik ose privat, dhe ka të paktën një semestër për të kryer në vendin e tij në përfundim të programit Global UGRAD; Programi Global UGRAD nuk mund të konsiderohet si semestër përmbyllës për një student universiteti.
  • Njohuri të mira të gjuhës angleze të folur dhe të shkruar (Një program trajnimi për përmirësimin e gjuhën angleze, mundësohet për disa finalistë); të aftë për të filluar studimet në Shtetet e Bashkuara në Gusht 2018 ose Janar 2019 (kandidatët e zgjedhur nuk mund të fillojnë me vonë se këto data)
  • Të ligjshëm për t’u pajisur me vizën amerikane për studentë (J-1) që nevojitet për këtë program
  • Të ndërgjegjshëm për t’u kthyer në vendin e tyre pas përfundimit të programit

JO TË KUALIFIKUESHËM

Personat në kushtet e mëposhtme nuk kualifikohen për programin Global UGRAD

  • Qytetarë amerikanë dhe banues të përhershëm në Shtetet e Bashkuara
  • Personat që aktualisht studiojnë, jetojnë, ose punojnë jashtë vendit të tyre
  • Punonjës vendas të misioneve amerikane të cilët punojnë për Departamentin e Shtetit dhe/ose për Agjensinë Ndërkombëtare të Zhvillimit (USAID); punonjësit janë gjithashtu të pakualifikuar për një vit pas mbarimit të kontratës së punës;

 UDHËZIME PËR APLIKIMIN

Një aplikim i plotë duhet të përmbajë:

  • Aplikimin
  • Një ese
  • Kopje të pasaportës biometrike ose kartës së identitetit
  • Listë zyrtare të notave të universitetit (të noterizuara)
  • Dy letra reference (të shkruara në anglisht). Një referencë duhet të jetë akademike dhe e shkruar nga një pedagog ose asistent pedagog nga fusha kryesore e studimit. Referenca e dytë mund të jetë jo akademike e cila ka të bëjë me jetën ose punën e kandidatit.
  • Ekuivalentim i notave sipas sistemit amerikan të vlerësimit

Aftësia në gjuhën angleze

Nuk kërkohet të jepet testi i TOEFL gjatë kohës së aplikimit. Kandidatëve të përzgjedhur do t’u kërkohet të japin testin zyrtar të TOEFL. Programi do të mbulojë shpenzimet e testit zyrtar.

UDHËZIMET E APLIKIMIT

Udhëzimet hap pas hapi për të plotësuar aplikimin do t’i gjeni këtu (PDF 791 KB).

Për tu regjistruar për programin Global UGRAD dhe për të plotësuar aplikimin përdorni Google Chrome dhe Mozilla Firefox. Nuk rekomandojmë të përdoret telefon celular ose Internet Explorer.

Kërkohet që kandidatët e interesuar TË APLIKOJNË ONLINE!

  • Nxitoni! Afati i fundit është 31 Dhjetor, 2017 ora 11:00PM (ora shqiptare).
  • Mos përdorni shkronja të veçanta/pikësime. Sistemi njeh vetëm alfabetin anglez.
  • Shiheni me kujdes dhe njëherë aplikimin! Klikoni “dërgo” vetëm nëse jeni 100% të sigurt për ta bërë. Deri në këtë moment klikoni “ruaj”
  • Procesi i regjistrimit kërkon konfirmim të llogarisë tuaj. Do të merrni një e-mail me udhëzime dhe një link për tu regjistruar.

Regjistrohuni këtu.

Përzgjidhni aplikimin Global UGRAD 2018 dhe klikoni “regjistrohu”

Klikoni: Plotësoni aplikimin online

Për pyetje të tjera ju lutemi shkruani në: CultureandEducationTirana@state.gov

(Ju lutem lexoni të gjitha udhëzimet dhe informacionin me kujdes përpara se të plotësoni aplikimin)

{Sh.K. Sipas faqes zyrtare të Ambasadës së SHBA}.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Njoftim nga ambasada amerikane, Shefqet Kercelli, studentet shqiptar

KUR FLET SOVRANI E VENDOS DREJTËSIA TË TJERËT HESHTIN !

November 1, 2017 by dgreca

EPILOG I REPLIKËS ME HAXHI MILETIN, TELLALLIN (IZET HAXHIA)
1 azgan Haklaj

Izet Haxhia po përpëlitet pa shpresë në trekëndëshin e Bermudës ku do mbytet, Klosi-Baze-Muç Nano.

Nga Azgan HAKLAJ/ 

Duke e kuptuar se po i vjen fundi lojës së tij ai ka leshuar sinjalin “Sos” për padronët e tij dhe ju kërkon me deshpërim ndihmë për të sajuar dosje imagjinare kunder kujdo që është rreshtuar në kahjen e kundërt të krimit, të narkoshtetit dhe emisarëve të përçarjes krahinore dhe kombëtare.

Përpjekja për të demonizuar protagonistët e mëdhenj të demokracisë shqiptare Berishën, Hajdarin e së fundmi Liderin e Opozitës Basha, si dhe ish-grupin e deputetëve demokratë të Tropojës, Hysen Osmanaj, Xhevdet Mehmeti dhe mua, të votuar në mënyrë plebishitare nga populli i Malësisë së Gjakovës dëshmon humbjen e ekuilibrit mendor, ç’orientimin logjik e politik të tutorëve të tij, të cilët të verbuar nga urrejtja nuk arrijnë të kuptojnë se populli i Tropojës e ka dhanë masivisht e në vazhdimsi verdiktin e tij duke e nxjerrë me votën e lirë jashtë loje qeverinë e krimit e të bandave zëdhënës e megafon i prishur i të cilës është Izet Haxhia.

Ky tellall në mërgim i Bermundës, ku do të fundoset, akuzon me një fjalor prej shpifësi e njeriu të papenduar për krimet e tij, të cilat paturpësisht kërkon t’ua faturojë të tjerëve.

Ai kërkon të rindezë konflikte dhe përçarje në Tropojë.

Duke qenë megalloman, tërësisht mediokër e injorat me taktikat e strategjinë qa ja servirin arkitektët e skenarit kriminal, si ka mbetur rrugë tjetër veçse të tentojë të pamundurën: Ta fusë pykën në nyjën e lisit, edhe pse është i bindur se pyka në nyje nuk ngulet dot, por ose thyhet, ose kërcen mbrapsht e t’i ban tyrinjtë përshesh.

Për mua si person dhe kolegët e mi ka vendosur sovrani duke na votuar në menyre referendare, duke na besuar përfaqësimin në Parlamentin e Shqipërisë .

Poshtersia e tij arrin deri aty sa të sulmojë edhe profesorin tonē të nderuar Xhevdet Mehmeti. 2.400 vjet më parë Aleksandri i Madh shprehej për mësuesin e tij Aristotelin: “Nëna më lindi në tokë dhe Aristoteli më ngriti në qiell”. Nuk e di si ndihet profesor Mehmeti për ty se çfarë monstre ka pregatitë.

Izet, ju si mjek harruat betimin e Hipokratit të madh për t’u shërbyer dhe për të mjekuar e shëruar edhe armiqtë e tu, kurse ju Izet bëtë një betim tjetër: Asgjësimin e PD-së së Tropojës dhe futjen e vllavrasjes në vendlindjen tuaj.

Keni bërë kaq shumë krime e zullume sa jeni dënuar me burgime të rënda, me vendime të formës së prerë në Shqipëri e Greqi, si vrasës.

Akuzat që mē bëni mua janë të kahershme, të dala boje.

Ju dhe tutorët tuaj bëni mirë të mos harroni se për mua ka vendosur Sovrani dhe Drejtësia njëherësh.

Unë jan një qytetar i lirē dhe nder tê rrallët që kam këmbëngulur vazhdimisht për vetingun në drejtësi, për hapjen e dosjeve të diktaturës dhe demokracisë dhe për pastrimin e politikës, të administratës dhe mediave, nga monstra të tilla si tutorët tuaj.

Ti endërron që njerëzit të besojnë ty, ndërkohë që ju jeni modeli i besëprerjes, i intrigës dhe i shpifjes.

Dosjet janē në Tiranë Izet. Shteti që ju i shërbeni me këto shpifje le ti hapë.

Unë pres qetësisht dhe i gëzuar, sepse jam i bindur se njerëzit do të tallen me ty dhe ustallarët tuaj si me lëkurën e ujkut.

Izet, populli i Tropojës na ka vlerësuar për atë që ne meritojmē:
Mua më ka votuar disa here si kryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit Bajram Curri, si zv/kryetar i Këshillit të Qarkut Kukës dhe së fundmi deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Mē kanë nderuar me disa tituj, çmime e çertifikata nderi në të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptar.

Nuk dekurajohem aspak nga Protestat e Rusisë e të Serbisë për aktivitetin tim të dendur në shërbim të Kombit Shqiptar.

Ndihem krenar që jam “Qytetar Nderi” i qytetit të Bajram Curri, “Nderi i Qurkut Kukës” me vendime unanime, kurse ty populli ta ka venē nofken “rrehan”, pra shqip e shkoqur: njeri i rrahur.

Sigurisht që unë jam krenar për këto vlerësime të larta, por nuk më vjen çudi që dhe ju të ndiheni mirë me faktin që CV-ia juaj është e mbushur me rrahje e dhunē e me faktin tjetër që mburreni me hakmarrjen.

Ju mundoheni të më intimidoni mua me faktin se nuk mora hak ndaj atentatirit për vrasjen e mbetur në tentativë nga njē efektiv policie në Tropojë, koleg i vëllait tuaj Ismetit, dhe miku juaj i ngushtē.

Këtu gabon rëndē!

Modeli im nuk ēshtē modeli i hakmarrësit, i vrasësit politik apo i cubit tē mbështetur dhe sponsorizuar nga pushteti kriminal.

Modeli im ështē Anton Çeta, Binak Alia, Tunxh Miftari, Azem Hoxhë Dollapi, stërgjyshi im Shpend Zeqir Haklaj e burra të tjerë të Malsisë së Gjakovēs, pajtimtarë të mēdhenj, fjala e tē cilëve ka peshuar sa malet.

Modeli politik kombëtar e kulturorē që më frymëzojnë mua janē Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e Ismail Qemali, Mbreti Zog I e Ibrahim Rugova, Nënë Tereza e Ismail Kadare, Ramush Haradinaj e Ali Ahmeti, e së fundmi Kryetari i Opozitës z. Basha.

Modeli juaj ështē dhuna dhe vrasja politike. Ju ju frymēzojnë modelet e Haxhi Qamilit e Napoleon Zervēs.

Badiguardi Izet, gjykatat në tē gjitha nivelet kanë thanë fjalën e tyre të fundit për ty e pēr mua.

Gjykatat e shqiptare mē kanë çertifikuar si qytetar tē lirē, gjykatēsi popull më ka besuar disa herë perfaqësimin e tij nē nivel lokal e qendror.
Kurse për ju ka dhënē vendimin përfundimtar me pushkatim moral për të mos u kthyer më kurrë në sheshet e krimit.

Unë jam këtu dhe shkel i lirē çdo cep të trojeve etnike shqiptare, ndërsa ju ikanak ja mbathët si lepur, për t’i shpëtuar drejtësisë.

Ju ka tmerruar fakti që Azem Hajdari u kthye në vendlindje madhështor. U dogj skenari juaj për të shkaktuar gjakderdhje, për të kryer krime e fshehur dorën, pikērisht nē këtë ditë të shënuar për Tropojën dhe demokracinë shqiptare. Ju si një antivlerë e Tropojēs dhe ustallarët tuaj nuk e imagjinoni dot faktin se kjo trevë heroike e Shqipërisē do të ngrejë përmendore tē tjera bijve të bijëve të saj të shquar Ali Ibrës e Mic Sokolit, Haxhi Zekës dhe Sokol Ramës, Prel Tulit, Col Delisë e Tahir Sinanit dhe heronjve të rezistencēs antikomuniste.

Ju mbetët peng në hipotekën e piratëve të krimit duke u shndërruar nē një skllav të kohëve moderne.

Braktisët mjekësinē për t’u berē badiguard, por pikērisht në këtë profesion u tregove tinzar dhe i pabesë duke dhënē antimodelin e atij të cilit Kreu i Shtetit i beson jetën.

Po të sjell në vemendje se modeli i këtij profesioni të vështirë është ai i Levetēs – badiguardit trim tē Skënderbeut që e shpetoi nga vdekja në betejë duke e mbuluar me trupin e tij dhe major Llesh Topallajn që dha jetën për të mbrojtur Mbretin Zog në atentatin e Vjenës nga plumbat e Ndokë Gjeloshit.

Ti solla në vēmendje këto fakte për të dëshmuar se libri është pasuria ime më e çmuar dhe dija është feja ime e vërtetë.

Nuk kam investuar për palate, vila luksoze, makina të blinduara apo skafe, por për libra. Prapa shpinës në foto nē shtëpinē time janë disa prej tyre.

I kam shkruar katër libra Izet, së shpejti do të botohen edhe dy të tjerë.

Bota mediatike vizive dhe e shkruar më ka tashmë një personazh të përhershēm.

Ju thoni se që herët dija të këndoja dhe të kërceja, edhe për kërcimin kam marrë disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Dhjetra festivale kombëtare i kam organizuar në mbarë trojet etnike që synojnë unifikimin kulturorē e shpirtëror tē Kombit Shqiptar, e sigurisht kam spikatur si producent.

Për këtë aktivitet shumēdimensional jam nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin: “Mjeshtër i Madh”.

Në arkivin e RTSH- së ndodhen mbi 120 orë filmime dokumentarësh, ndërkohē që nē arkivin e shtypit të përditshëm dhe google mund gjesh qindra artikuj të shkruar jo sot por për gjatë 20 viteve.

Unë jam mik i modestisē, por më duhet të ju them se kjo është përgjigja ime për ty, për kulturën time, për të cilën kam investuar një jetë të tërë.

Pikërisht tani që po shkruaj kēto rreshta shpirti i Shotës vrarë nga terrori shtetēror 16 vjet më parë më thotë: Vëlla Azgan tregoi tellallit të krimit Haxhi Miletit se Haklajt kanë dy shekuj që e derdhin gjakun për Lirinë e Pavarësinē e trojeve etnike dhe konsolidomin e Shtetit Shqiptar.

Tregoi renegatit, idhujtarit të Hamza Kastriotit, Napolon Zervës e Haxhi Qamilit se kemi katër deshmorë tē Atdheut, dhe nē qoftē nevoja do të japim dhe të tjerë për kauzën e shenjtë të Lirisë dhe Bashkimit Kombëtar.

Motër Shotë, ti je martire dhe vendi yt ēshtē në paqen e pērjetshme.
Tē jap fjalēn qē kjo do të jetē replika e fundit me këtë bastard, të cilin Tropoja e Shqipēria e kanē flakur me neveri në shkretëtirat e Azisë.

Ai do të ketē tē njëjtin fat si Hamza Kastrioti, i cili vdiq si lypsar në rrugët e Stambollit apo nē variantin e Judës, i cili me 30 asprat që u shpërblye për tradhëtinë ndaj Krishtit bleu një litar dhe u vetëvar.

Izet Haxhi Miletit mund t’i ndodhë me keq akoma, ashtu si Ali Kimikut tē Sadamit t’i këputet qafa në litarin e vet.

Po e mbyll poetikisht këtë epilog tē replikës me ty duke zgjedhur këto vargje të bukura nga “Lahuta e Malësisë” të Homerit të ndjesive Shqiptare, Gjergj Fishta: “S’ashtë për burra hapsi as shkopi/ Për ta a shpata ose konopi”.

Filed Under: Opinion Tagged With: (IZET HAXHIA), Azgan haklaj, EPILOG I REPLIKËS, ME HAXHI MILETIN, TELLALLIN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1703
  • 1704
  • 1705
  • 1706
  • 1707
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT