• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Haradinaj: Për Demarkacionin vendosim pasi ta gjejmë të vërtetën

October 6, 2017 by dgreca

“Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën për Demarkacionin dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë do t’i drejtohemi partnerëve politikë në Kosovë por edhe partnerëve ndërkombëtarë”. Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovë Ramush Haradinaj. Ai thotë po ashtu se në platformën e re të Qeverisë së Kosovës për dialogun do të përfshijë të gjithë akterët vendimmarrës në vend. Po ashtu, Haradinaj sqaron edhe arsyet e tërheqjes së Kosovës nga votimi për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL.

1kopertina-haradinaj

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, cilat ishin arsyet që Kosova u tërhoq nga anëtarësimi i saj në dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTEROPL-i?

Ramush Haradinaj: Vitin që po e përmbyllim ishte vit i ndërprerjeve institucionale, pra shpallja e zgjedhjeve, vonesat në ndërtimin e institucioneve dhe në mungesën e një pune konsistente paraprake. Pra një agjendë jo e qëndrueshme ose e të arriturave jo të konsoliduara në drejtim të anëtarësimit në këto dy institucione ka bërë që ne ta rishqyrtojmë strategjinë tonë deri në anëtarësim. Do të thotë sa i takon INTERPOL-it kemi filluar veç punën për vitin që vjen.Ndërsa, për UNESCO është pas dy viteve. Por kërkohet një mobilizim më serioz, pra aplikimi ynë dhe hyrja në votim. Ndryshe, hyrja në votim pa sigurinë e plotë të votës do të ishte një precedent jo i mirë për Kosovën, në planin ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarët në Beograd në vazhdimësi kanë deklaruar se do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata. A mund të ngrihet kjo çështje në kuadër të dialogut të Brukselit, i cili është thënë se ka si qëllim normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi?

Ramush Haradinaj: Besoj, po është me interes të trajtohet qasja e palës në dialog, në këtë rast e palës nga Beogradi. Pse?- Për shkak se ekziston një angazhim i madh, po e quaj ashtu, obstruktiv në perspektivën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mirëpo nuk është e tëra. Por, një pjesë e madhe e punës është e jona, sikurse të kishim një punë serioze në Kosovë, do të ishte një realitet tjetër.

Ka munguar një punë serioze paraprake, nuk ka ekzistuar një mekanizëm ndërministror dhe me organet përkatëse që ka një politikë konsistente dhe është punuar në baza individuale paraprakisht dhe përveç mungesës së një pune të tillë serioze, ka munguar edhe mobilizimi i partnerëve që përkrahin dhe që janë me ne në këtë plan. Kësisoj, pra nuk është vetëm puna ose suksesi i Beogradit në kundërshtim, por është mungesa e një angazhimi serioz të palës kosovare në këto dy procese.

Radio Evropa e Lirë: Kur jeni të gatshëm t’i filloni takimet në kuadër të dialogut politik me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Ne e kemi një proces të dialogut që po vazhdon. Presidenti i vendit (Hashim Thaçi) është pjesë e këtij procesi dhe e përfaqëson Kosovën, por jemi në përgatitje të një platforme të mirëfilltë të asaj se çka pret Kosova nga dialogu. Për këtë platformë do të përfshijmë të gjithë akterët vendimmarrës në vend.

Pra, duhet një diskutim i brendshëm për këtë, në mënyrë që vazhdim i dialogut të jetë shërbim për popujt, pra të mos mbetet dialog vetëm i liderëve dhe këtu na pret shumë punë në ditët që vijnë.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë zoti kryeministër, ju keni takuar dje në Prishtinë, Drejtorin e Komisionit Evropian për Zgjerim, i cili përsëriti se kosovarët do të mund të llogarisin në liberalizimin e vizave kur t’i përmbushin dy kriteret e fundit, ku njëri ndër kryesorët mbetet ai i ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Kur do të procedoni tutje me çështjen e Demarkacionit?

Ramush Haradinaj: Tani ne jemi realist në të gjitha temat. E dimë obligimin që i del Kosovës në reformat e brendshme në rend dhe ligj, në çrrënjosje të korrupsionit. Pra, nuk është vetëm një vlerësim…edhe Sekretari amerikan i Shtetit, po edhe të gjithë na drejtohen me një përkrahje të parezervë, që Kosova të përmirësojë gjendje në rend dhe ligj, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizimit. Ndërsa, edhe tema e Demarkacionit është temë e cila ka filluar dhe po procedohet më tutje. Për ratifikim në versionin që është, Kosova nuk i ka dy të tretat (e votave në Kuvend). Pra, duhet gjetur një zgjidhje, por nuk i ka dy të tretat për ratifikimin e versionit ekzistues.

Radio Evropa e Lirë: A prisni mbështetje nga faktori ndërkombëtar në përpjekjet e juaja që Marrëveshja për demarkacionin të rishikohet edhe njëherë, marrë parasysh kërkesat e faktorit të jashtëm, që marrëveshja të ratifikohet sa më shpejt?

Ramush Haradinaj: Në gjendjen e tanishme askush nuk ka se si të ndërhyjë, për shkak se është një gjendje e atillë, ku Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen dhe e ka kryer obligimin e vet nga një marrëveshje paraprake. Kurse Kosova nuk po arrin ta ratifikojë në Parlament me shpjegimin se të gjeturat janë gabim.

Pra, versioni ekzistues është gabim nga Komisioni (paraprak). Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë po do t’i drejtohem në fillim partnerëve politikë të gjithëve në Kosovë, po edhe partnerëve ndërkombëtarë që të trajtohet kjo temë në përputhje me substancën.

Ekzistojnë proceduara standarde mes vendeve kur kanë konteste të tilla dhe ne nuk bëjmë përjashtim, pra janë vende të BE-së ose vende të NATO-s. Andaj, edhe ne nuk bëjmë përjashtim do t’i respektojmë ato procedura.

Radio Evropa e Lirë: Pra, prisni përkrahjen e faktorit ndërkombëtar?

Ramush Haradinaj: Është disi ta quaj ashtu një angazhim që është në dobi, sepse avancimi i Malit të Zi drejt NATO-s, drejt BE-së, avancimi i Kosovës, zgjidhja e të gjitha temave të hapura, lehtëson agjendën edhe evropiane edhe të NATO-s, po edhe të Amerikës për rajonin. Edhe në jemi të interesuar që të mbërrimë te një zgjidhje. Duhet ndihma edhe mirëkuptimi edhe i palës malazeze.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, nga dita e parë e punës keni hasur në një rezistencë mjaft të ashpër politike në Kuvend nga opozita. Sa e konsideroni sfiduese vendosjen e dialogut me opozitën për çështje për të cilat do të kërkohet mbështetja e këtij tabori politik?

Ramush Haradinaj: Tani është fat i madh se jemi demokraci, ka opozitë dhe kjo është shumë e mirë për qeverisje. Pra, na obligon, jo vetëm në seriozitet në punë, por edhe në kujdes, në ballafaqim të angazhimeve tona. Kuptohet, për mua është interes vendosja e komunikimit me opozitën, me shoqërinë civile. Sot gjatë ditës kam punuar me shoqërinë civile.

Kjo nuk bëhet për hatër të Qeverisë edhe nuk bëhet për shkak se Qeveria nuk mundet që t’i ushtrojë funksionet e veta, por kjo bëhet për shkak të obligimit që e kemi në vend edhe unë e mirëpres një komunikim me opozitën.

Opozita e ka një qasje të kundërshtimit të caktuar opozitar. Ma merr mendja që ata do të evoluojnë në këtë, për shkak se kjo Qeveri është serioze, është vepruese, është kompetente edhe për tu përballur me këtë Qeveri nuk vlejnë praktikat që janë përdorur nga opozita për qeveritë e kaluara . Bëhet fjalë për një kualitet tjetër, për parametra të tjerë dhe është mirë që ata sa më shpejt të përballen me ne për planet qeverisëse që lidhen me zhvillimin ekonomik, me luftën kundër korrupsionit, me forcimin e rendit dhe ligjit.

Nëse vazhdojnë që të përballen me ne me vënien në pikëpyetje të vlerave patriotike, të aspekteve të marrëdhënieve ndëretnike e të tjera, është humbje kohe për ta, për shkak se ne jemi njerëz që kemi rrugëtuar gjatë në interesin e Kosovës, për interesin e Kosovës.

Po ashtu, vet jam njëri prej atyre që kam ndihmuar në partneritetin me miqtë e Kosovës, sidomos me ata që janë aleatë që kanë rrugëtuar me Kosovën në çdo etapë.

Kështu që, më mirë do të ishte për ta që të fokusohen në temat që kanë të bëjnë me hapjen e vendeve të punës, me zhvillimin e jetës. Në tema të tjera, vërtetë janë gabim.

Radio Evropa e Lirë: Do ta ftoni opozitën të jetë pjesë e dialogut me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Qeveria aktualisht dhe unë do ta mbështesë agjendën që ka Presidenti (Hashim Thaçi) për dialogun. Pra, ne jemi mbështetës të kësaj agjende edhe vet roli i Presidentit është një rol si funksion institucional, është unifikues, është përfaqësues i të gjithëve. Unë e mirëpres angazhimin e opozitës në këtë temë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, një prej marrëveshjeve kryesore të dialogut me Serbinë deri në këtë fazë, është themelimi i Asociacionit të komunave serbe. Kur do të procedohet në drejtim të themelimit të këtij Asociacioni?

Ramush Haradinaj: Tash ne kemi një gjendje të qartë, do të thotë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e gjen marrëveshjen për Asociacionin jo në harmoni me Kushtetutën. Ne na mbetet që të veprojmë në një të ardhme në bazë të asaj që parasheh Kushtetuta e vendit, duke respektuar edhe të gjeturat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pra, është një proces në të cilin Kosova mund të veprojë në rrethana të caktuara bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ajo që është po ashtu me rëndësi është që Kosova do të kishte vepruar në plot tema sikurse Kosova të ishte më e sigurt në perspektivën e vet. Një qasje e re e Serbisë që t’i adresohet vendeve të BE-së dhe të bëjë analogji të Kosovës me Kataloninë, nuk i lehtëson këto tema. Pra është një qasje e gabuar. Çdoherë është thënë se duhet të krijohet klimë për zbatim të obligimeve të ndërsjella. Kjo vërtetë e vështirëson klimën e ndërmarrjeve që duhet t’i merr Kosova në përputhje jo vetëm me dialogun por edhe me objektiva e veta që i ka.

Ne nuk jemi kandidat për BE, ne jemi vetëm me MSA, do të thotë kjo është një fazë shumë e vonuar për Kosovën. Liberalizimi i vizave nuk na është dhënë. Ne nuk kemi avancuar drejt NATO-s në shkallën e duhur. Ende nuk e kemi dhënë emrin kushtetues të Ushtrisë së Kosovës dhe mandatin kushtetues.

Pra, disa procese të këtilla e kishin rritë mundësinë, kapacitetin e Kosovës që të ndërmarrë veprime që janë të guximshme në avancim të mëtejmë për plot tema që i ka vendi.

Radio Evropa e Lirë: Kur mendoni se do të bëhet kjo klimë për të proceduar me Asociacionin?

Ramush Haradinaj: Kontribut të madh jep vet Qeveria me mënyrën e punës, me një angazhim serioz në tema që i përmenda më herët. Pra, vet qeverisja efektive, vepruese, e përgjegjshme dhe që garanton funksionimin e vendit ndihmon në këtë klimë.(Intervistoi:Arton Konushevci)

Filed Under: Interviste Tagged With: demarkacioni, Ramush Haradinaj, zgjidhja

SHBA Kosovës pajisje për kontrollin e kufirit

October 6, 2017 by dgreca

-SHBA i dhuron Kosovës pajisje për kontrollin e kufirit në vlerë prej 1 milion dollarëve/

1 ambasadori amerik

-Ambasadori i ShBA-ve, Greg Delawie, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara  për të bashkëpunuar me Institucionet e Kosovës për forcimin e kufijve, sepse sipas tij kufijtë e fortë i lehtësojnë udhëtarëve të ligjshëm të kalojnë kufirin por edhe parandalojnë krimin dhe korrupsionin/

2 ambasad

PRISHTINË, 5 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/  “Ministria e Financave është shumë falënderuese ndaj Ambasadës së SHBA-ve për gjithë ndihmën që ka ofruar për Doganën e Kosovës, duke përfshirë edhe këtë donacion që është me vlerë të madhe për ne, sidomos në këtë kohë kur Dogana po ngarkohet çdo ditë e më shumë me detyra, në veçanti në zbatimin e ligjit për të ofruar një siguri më të madhe për qytetarët e vendit”, tha sot ministri i Financave Bedri Hamza në  ceremoninë e  dhënies së donacionit për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Programi për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurisë së Ndërlidhur Kufitare të SHBA-ve (EXBS) dhe Departamenti i Energjisë (DOE) kanë dhuruar pajisje në vlerë prej 1 milion e 100 mijë dollarë për Ministrinë e Punëve të Brendshme – Policinë Kufitare dhe Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit, Ministrinë e Financave – Doganat, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë – Departamentin për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike dhe Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

Me këtë rast, ministri Hamza tha se “Përfitimet nga ky donacion janë shumë dimensionale, e para Dogana e Kosovës do të jetë e pajisur me informata më të besueshme nga baza e re e të dhënave që po përditësohet në Qendrën Nacionale për Menaxhimin e Kufijve, e që ndikon në rritjen e efikasitetit dhe kualitetit të punës së Doganës. E dyta përfiton Ministria e Financave si dhe bizneset, sepse Ministria e Financave do të ketë të hyra më të mëdha në buxhet nga luftimi i kontrabandës, ndërsa bizneset do të kenë një ambient më të mirë për të bërë biznes.“Por, nga ky donacion përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët e Kosovës të cilët do të ndihen më të sigurt nga përdorimi i llojeve të ndryshme të mallrave të cilat gjenden në tregun tonë, duke përfshirë edhe luftimin e hyrjes së drogave të ndryshme, armëve etj”, shtoi Ministri Hamza.Ambasadori i ShBA-ve, Greg Delawie, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara  për të bashkëpunuar me Institucionet e Kosovës për forcimin e kufijve, sepse sipas tij kufijtë e fortë i lehtësojnë udhëtarëve të ligjshëm të kalojnë kufirin por edhe parandalojnë krimin dhe korrupsionin.“Jemi shumë krenarë për punën tonë në aftësimin e zyrtarëve me metodat më të reja, por edhe për bashkëpunimin që këto agjenci të kenë pajisje që iu nevojiten për të kryer operacione efikase dhe të efektshme”, shtoi ambasadori Delawie.Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, tha se “MPB është e përkushtuar që të punojë së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vlerësoi se ky donacion është shumë i mirëseardhur për Kosovën, me qenë se kufijtë e fuqishëm promovojnë sigurinë e brendshme dhe rajonale”.Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, duke shprehur mirënjohje për ndihmën e SHBA-ve për institucionin që ai drejton tha se ky bashkëpunim shpresoj se do të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe performancës së institucioneve tona në kontrollim më të mirë të kufirit./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: për kontrollin e kufirit, SHBA Kosovës pajisje

Pse Shqipëria u përjashtua nga Samiti i Varnës?!

October 6, 2017 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Shkruan: Enver Bytyçi/Kryeministrat e katër vendeve ballkanike, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë, janë mbledhur sot në Varna të Bullgarisë, në një takim, të cilin Tcipras nuk e konsideron si politik, por që “Huffington Post” e konsideron si praktik dhe të rëndësishëm për gjeopolitikën e rajonit. Nga takimi ka dalë një kërkesë e përbashkët për Presidentin e Komisionit Europian, Junker, që ky komision të financojë ndërtimin e një linje hekurudhore që lidh Selanikun me qytetin bregdetar të Bullgarisë, Varna.
Ndonëse takimi në fjalë është motivuar me axhendën e Samitit të Selanikut të vitit 2003 për integrimin e vendeve të rajonit në BE, Shqipëria dhe Maqedonia nuk janë ftuar të bëhen pjesë e tij, edhe pse këto dy vende ishin asokohe pjesë e kësaj axhende. Ndërsa me shpalljen e pavarësisë së tij edhe Mali i Zi që prej vitit 2006 konsiderohet pjesë e asaj axhende. Pa folur për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Në fakt axhenda e tri prej këtyre katër vendeve është kundër integrimit të Kosovës në BE, sepse këto tri vende, përkatësisht Greqia, Rumania dhe Serbia nuk duan ende ta njohin shtetësinë e saj. Pra, deklarata e kryeministrit grek se takimi na qenka në vazhdën e përpjekjeve që prej Selanikut të 2003 për integrimin europian bie poshtë. Në atë samit nuk ishte vendosur thjesht për Serbinë, por për të gjitha vendet e rajonit.
Ky samit i tri vendeve të BE-së plus Serbia do të rimblidhet herën tjetër në Beograd. Duket kështu se është themeluar një aleancë midis këtyre katër vendeve. Po t’i referohemi historisë, atëherë me samite të tilla asocohet Aleamva Ballkanike e vitit 1912, kur katër vende balklkanike, përkatësisht Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi u bënë bashkë politikisht e ushtarakisht dhe në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane kërcvënuan ekzistëncën fizike të shqiptarëve si dhe ekzistencës politike të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Pikërisht këto dy vende janë përjashtuar nga samiti i Varnës. Eshtë përjashtuar dhe Mali i ZI, i cili tashmë ka ndërruar lokomotivën e lëvizjes nga Lindja në Perendim. Por vendin e Podgoricës e ka zënë Bukureshti, ndonëse Aleanca Ballkanike në fazën e dytë të ekzistëncës së saj para 104 vitesh u drejtua kundër Rumanisë.
A do të thotë kjo se këto katër vende po komplotojnë edhe sot kundër Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë?! Vështirë të bëhet një paralele me situatën e zhvilluar para një shekulli, megjithatë në rend të ditës ishin të njëjtat aspirate, kërkesa dhe probleme për gjeopolitikën ballkanike si edhe sot. Por sot është shtuar në rajon një aktor i ri dhe i rëndësishëm gjeopolitik, NATO dhe SHBA. Ndikimi amerikan dhe prezenca e BE-së në rajon është e fuqishme dhe tri nga këto vende janë anëtare të BE-së dhe NATO-s. Pra politikisht janë në të njëjtin tren si dhe Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi. Por ka një lidhje që shkon përtej politikës, ajo është lidhja sentimentale lindore ortodokse si dhe interesi i përbashkët për një infrastrukturë që kontrollohet prej këtyre vendeve, duke përjashtuar vendet e tjera të rajonit. Nëse dikujt në Ballkan do t’i duhet të dominojë, ai detyrimisht do të duhet të kishte përparësi në ngritjen e vendit të tij si fuqi ekonomike dhe si nyje lidhëse e urave të komunikimit mes kontinentin europian me pjesët e tjera të botës, madje të bëhej urë lidhëse në këtë kommunikim të Fuqive të Mëdha ekonomikë të botës. Serbia e Greqia e preferojnë këtë status, për pasojë është në interesin e tyre që Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja po e po, të injorohen dhe të mbeten në bisht të iniciativave rajonale. Bullgaria dhe Rumania gjithashtu nuk kanë arësye të imponojnë qëndrimet e tyre. Për pasojë më shumë se gjysma e kryeministrave të rajonit munguan në Samitin e Varnës dhe me shumë gjasa do të mungojnë në samitet e ardhshme.
Ajo që bie në sy ka të bëjë me atë se samiti i katër vendeve të mësipërme duket se përballet dhe konkuron Axhendën e Berlinit për rajonin. Kjo arësyetohet me faktin se tri vendet anëtare të BE-së, përkatësisht Greqia, Rumania dhe Bullgaria, duken të pakënaqura për zbehjen e rolit që kishin si “kujdestare” e për integrimet europiane të Ballkanit Perendimor. Selaniku ishte qendra e projekteve europiane për “përgatitjen e vendeve të Ballkanit për në BE”. Axhenda e Berlinit ka mbyllur rubinetin e parave që Brukseli i destinoi për xhepat e Athinës. Prandaj mund të duket si organizim inatçor e si një lëvizje politike me qëllim imponimin e rolit të këtyre tri vendeve për procesin e integrimeve europiane.
Megjithatë fakti që vetëm një nga 6 vendet e rajonit të interesuara për integrime euro-atlantike merr pjesë në këtë samit e bën gjithçka të dyshimtë dhe çon në hamendësime gjeopolitike më të thelluara. Rumania dhe Bullgaria janë vende që kanë pakte ushtarake me NATO-n dhe SHBA-të. Megjithatë në të dy këto vende ka një opozitë të fuqishme proruse. Greqia e Tciprasit dhe vetë kryeministri grek kanë shfaqur hapur prirjen për një lidhje të qëndrueshme në boshtin Moskë-Athinë. Ndërsa Beogradi sapo pranoi dhuratën ruse të avionëve luftarakë, ndërkohë që oficerët e të dy vendeve punojnë me instruksione për përdorimine tyre. Në Moaskë para pak javësh u promovua edhe njëherë iniciativa e Lidhjes Ortodokse, një aleancë e themeluar që në fillimin e shekullit XIX, e cila ka për qëllim grupimin gjeopolitik të ortodoksisë kundër civilizimeve të tjera.
Retorika e këtyre ditëve katalanjase në Beograd është e fuqishme kundër mëvehtësisë së Kosovës, që shkoi deri te një precedent i panjohur më parë, letra që Vuçiç u ka dërguar 22 vendeve të BE-së që ato të tërheqin njohjen e shtetit të Kosovës. Orekset e Beogradit, por deri diku edhe të Athinës, janë shtuar në raportet me Moskën. Athina mund të kërkojë ndryshimin e kursit të saj në vijën e vjetër tradicionale ortodokse edhe për shkak të Turqisë, me qëllim që të mbështetet te ndikimi i Moskës për të neutralizuar qëndrimet e veprimet antigreke të Ankarasë. Të gjitha janë në tavolinë dhe asgjë nuk është më si më parë. Secili bën llogaritë e tij dhe në këto llogari kërkon të përfitojë sa më shumë.
Tirana zyrtare nuk ka reaguar ende dhe nuk pres që ajo të reagojë për këtë përjashtim që i bëjnë vendet e tjera të rajonit. Krerët e shtetit e dijnë tashmë se ky përjashtim nuk ka ndodhur nga frika e prishjes së protokollit të atleteve të kryeministrit tonë, por nga shkaqe madhore gjeopolitike. Megjithatë urojmë që kjo ngjarje të kthjellojë Tiranën zyrtare se është e pammundur të mbështetesh në “sinqeritetin” e politikave serbe për bashkëpunim gjithëpërfshirës me Beogradin. Edhe partizanët shqiptarë më 1944-1948 betoheshin në vëllazërim-bashkimin shqiptaro-serb, por dardha e pati bishtin prapa. Nga vëllezër shqiptarët e serbët u shndërruan brenda natës në armiqtë më të mëdhenj të rajonit. Natyrisht armiq ideologjikë, derisa Kosovën e lanë në mëshirën e fatit nën siglën e bashkim-vëllazërimit!

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, nga Samiti i Varnës?!, Pse Shqipëria u përjashtua

DY DEKADA TË TV KULTURA SHQIPTARE

October 6, 2017 by dgreca

Asllani Portret-66

Nga Asllan Bushati/Ishte prilli i vitit 1998. Problemet ne Kosovë po zjenin . Gjak  shqiptarësh po derdhej nga shtypja, dhuna e reprezaljet e  skadroneve ushtarako-policore  të  Milloshevicit. Diaspora ishte ngritur në këmbë   në SHBA, Europë  e kudo në mbrojtje të Kosovës. Fondacioni “Vendlindja thërret” bënte dy mitingje në dite (si edhe organizma të tjerë të diasporës), për të ndërgjegjësuar komunitetin vecanërisht në tri shtetëshin NY, NJ dhe Kenerika, e  për të mbështetur me të gjitha mënyrat e mjetet,  formacionet e ardhëshme  ushtarake të  Kosovës. Në kuadër të kësaj veprimtarie në disa zyra në Artur Avenue në Bronx dhe  në mjediset e Royall Regency  Hotel  në Yankers të NY,  së bashku me disa kolegë të tjerë, i ishim futur  punës për ngritjen dhe stërvitjen e “Batalionit Atllantiku”. Aty erdhën shumë  reporter televizionesh të cilët donin të filmonin dhe të merrnin intervista, por ne për të mbrojtur punën tonë nga ndonjë keqbërës, nuk pranuam të  publikonim atë  që po bënim (me përjashtim të të autorizuarve të Shtetit Amerikan). Ne si shtaf drejtues , kishim autorizuar( për efekt arkivi)  Zotin Gani Bllaka të bënte foto-portretin e cdo pjesëmarësi të Batalionit Atllantiku dhe të filmonte disa pjesë të ngritjes e stërvitjes së Batalionit, filmime të cilat do ti shërbenin historisë së ardhme së UCK-së.

Por ndërkohë  që po punonim ,erdhi  të na takonte  edhe Zoti Adem Belliu , cili kishte filluar që  në 1997, një program televiziv një orësh në gjuhën shqipe i  njohur me emrin” TV Kultura Shqiptare” . Ishte hera e parë që e takoja  dhe  përnjëherësh më krijoi përshtypjen e intelektualit e  atdhetarit të formuar me idetë  dhe prakticitetin  e kohës, e larg  slloganeve e steriotipeve të  së shkuarës.  Pasi shkëmbyem disa mendime  me  Zotin Adem, ramë dakort se do të ishte një gjë e mirë për të ardhmen që edhe  TV-ja Kultura Shqiptare ta  filmonte këtë veprimtari. Ashtu u bë, dhe që nga ajo kohë e deri më sot  po bëhen dy dekada që shohim, ndiejmë e shijojmë gjithë  programet e TV Kultura Shqiptare së bashku me familjarët, miqt, shokët, vatranët dhe gjithë bashkatdhetarët në SHBA. Ai tashmë midis nesh është një “familjar” shtesë cdo ditë e cdo  natë.

Programi i ketij TV, nisi si një program kulturor një orësh në javë, por  në këto njëzet vite, ai  ka pësuar një evolucion të vërtetë zhvillimi. Ai ka ardhur duke u shtuar në orë transmetimi, është pasuruar në përmbajtje, është përsosur figura, dritëhijet, portreti, këndi i shikimit, titrat, zëri, transmetimi etj. Eshtë bërë jo vetëm kulturor por dhe informues, është bërë jo vetëm hulumtues   por edhe arenë debate për problemet shqetësuese të komunitetit madje dhe të Kombit.Eshtë  bërë  promovues i sukseseve  në biznes,por edhe shumë argëtues për të  gjitha moshat e njerëzve të  komunitetit shqiptar. Ëshë bërë mjet i pa zëvëndësueshëm për fëmijët e komunitetit që ata ta mësojnë e mbajnë gjallë gjuhën e bukur shqipe. Por, mbi të gjitha  arkivi i TV Kultura Shqiptare  në këto njëzet vite,  i  hedhur në shirita e CD, është një enciklopedi e gjallë e jetës dhe e veprimtarisë së komunitetit shqiptar në SHBA.

Me këtë rast , specifikisht do të theksoja se të gjitha aktivitetet kryesore të Vatrës në këto njëzet vite si : Kuvendet e Vatrës, formimi i disa degëve të reja, festimet e Ditës Pavarsisë së Shqipërisë e Kosovës,përvjetore për Nolin, Konicën, Arshi Pipën, Mithat Frashrin,Abas Kupin, Mark Krasniqin, Musine Kokalarin, promovime librash etj, janë filmuar e transmetuar nga TV Kultura Shqiptare. Kjo  ka qenë për ne vatranët ( e vecanërisht drejtuesit), një ndihmesë  shumë e madhe në përcielljen para vatranëve e gjithë komunitetit  të problemeve, shqetësimeve dhe ideve  të Vatrës për të ardhmen. Nuk ka patur aktivitet madhor të Vatrës që drejtuesit e saj të mos jenë  ftuar para mikrofonit të TV Kultura Shqiptare e  intervistuar, duke përciellë kështu nëpërmjet këtij ekrani, jo vetëm frymën e vendimeve të marra, por edhe ndiesitë shpirtërore e qytetare të të zgjedhurve në organet drejtuese. Dhe sic është vepruar me Vatrën, është vepruar edhe me të gjitha shoqatat, organizmat dhe institucionet e tjera të komunitetit. Kam bindjen se  Shoqatat: Liga Civile shqiptaro-amerikane, “Motrat Qirjazi”, ”Kosova”,  “Cameria”, “Dibra”,” Malsia”etj ,do të kishin vënë  në dukje më specifikisht shumë detaje të punës së mbrekullueshme e të  pa lodhur të këtij televizioni.

Tematika rreth ceshtjeve e shqetësimeve  të mëdha kombëtare ka qenë jo vetëm  e pranishme në TV Kultura Shqiptare , por ka qenë boshti dhe  strumullari i pjesës më thelbësore të emisioneve të transmetuara. Forcimi i demokracisë dhe i shtetit ligjor në Shqipëri e Kosovë, zgjedhjet e lira, punësimi, rritja e mirëqenies, frenimi i emigrimit, zhvillimi i arsimit,kulturës, shëndetsisë , e lufta kundër kriminalitetit, janë trajtuar me përparësi nga vetë TV Kultura Shqiptare  (Zoti Adem Belliu) e gazetarët Dalip Greca, Marjana  Zeneli  Bulku etj  dhe personalitetet e komunitetit. Po ashtu me shume vemendje janë trajtuar edhe  problemet e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Maqedoni, në Camëri, Mal të Zi, Luginën e Preshevës etj.

Reportazhet e TV Kultura Shqiptare kanë patur  si dimension hapsinor nga NY në Kaliforni e nga Alaska në Florida. Madje kohët e fundit edhe nga gjithë trojet etnike shqiptare. Por mbledhja e informacionit në këto distance, përpunimi i të dhënave,  përgatija dhe transmetimi, kanë qenë e janë një punë voluminoze dhe shumë e lodhëshme për Zotin Adem Belliu, bashkshorten e tij Mimoza, vajzën Vera, e djalin  Gertold. Për të cilët komunitetit në këtë njëzet vjetor,  shpreh ndjenjat e konsideratës me të lartë. Kudo e kurdoherë është përdorur një fjalor i zgjedhur, gjuhë e kulturuar, larmëni shprehjesh e frazash të dialekteve te ndryshme, por pa cënuar aspak versionin zyrtar të  gjuhes  njesuar . E tashme ky TV pothuaj i ka kaluar brezit te dyte, sepse Vera Belliu pothuaj drejton nentedhjete perqind te emisioneve.

Shumë politikanë, njerëz të artit e kulturës, nxënës e student nga Shqipëria , Kosova, diaspora  dhe trevat etnike, kanë patur rastin të ftohen e ta  përdorin mikrofonin e TV Kultura Shqiptare, që  ndiesitë dhe shqetësinet e tyre t’ja përciellin komunitetit shqiptaro-amerikan e më gjërë. Kjo e ka bërë këtë TV një mik më të mirë e më të besueshëm,  të të gjithë shqiptarëve pa dallim krahine, krahu politik, feje  a dallimi tjetër.

Dhe së fundi, është e pa mundur që në një copëz shkrimi në përvjetorin e njëzetë të jetës së TV Kultura Shqiptare, të rroket e të vihet në dukje gjithë ajo punë kolosale që është bërë, e cila po të hidhej në letër do të ishte mijra faqesh. Pa ashtu, është dashur që organizma përfaqësues të komunitetit, në këtë përvjetor ti propozinin Presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës, dekorimin e këtij televizioni si institucion dhe të Drejtorit të tij  Zotit Adem Belliu me medalje e urdhera të nivelit të merituar. TV Kultura Shqiptare është mjet i fuqishëm i komunikimit dhe edukimit e si i tillë ka nevoje edhe per përkrahjen jo vetëm morale por edhe financiare  të biznesmenëve e organizmave të tjerë të komunitetit. Dhe më e vogla gjë që mund të bëjmë është që më  29 Tetor të marrim pjesë në mbrëmjen gala të njëzet vjetorit të tij.

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, DY DEKADA TË, Tv Kultura Shqiptare

Të shemben muret mentale

October 6, 2017 by dgreca

1 Thaci

nga Hashim Thaçi*/Marrëdhënia e Komisionit Evropian me Ballkanin Perëndimor si edhe vetë politika e zgjerimit ka qenë e ndërlikuar. Të frikësuar nga ndjenjat ksenofobie, të përziera me lodhjen nga zgjerimi përbrenda BE-së, administrata pat nxituar të thotë se nuk do të ketë zgjerim të BE-së gjatë mandatit 2014-2019. Edhe pse të gjithë njohësit e politikave të zgjerimit e dinin se vështirë se do të kishte diçka konkrete për zgjerim deri në vitin 2019,  megjithatë shprehja e kësaj politika në mënyrën më eksplicite ka pasur pasoja shkatërrimtare në rajon, duke minuar përpjekjet reformuese. Fakti që kancelaria Merkel e pa të nevojshme nisjen procesit të Berlinit për gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor, si përpjekje për të mbajtur gjallë perspektivën evropiane pavarësisht deklaratave të Komisionit, është shumë domethënës.

Muajin e kaluar, Ballkani Perëndimor mori edhe një goditje tjetër nga Komisioni aktual. Në letrën e publikuar pas fjalimit vjetor para Parlamentit, Presidenti i Komisionit Evropian premtoi një strategji për pranimin e Malit të Zi dhe Serbisë në BE deri në vitin 2025. Problemi qëndron në faktin se katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë lënë jashtë kësaj perspektive të ripërtërirë dhe të përforcuar. A është e nevojshme të përmendet se tri nga katër prej këtyre vendeve janë vende me shumicë myslimane dhe tri nga të katërtat kanë shumicë ose popullsi të konsiderueshme shqiptare? Ky veprim ngriti spekulime se kjo ishte një përpjekje për t’i bërë qejfin forcave që anojnë më shumë nga e djathta, e që po shfaqen në të gjithë BE-në. Megjithatë, çfarëdo qoftë arsyeja, kërcënimi i rritjes së ndikimit rus në Malin e Zi dhe Serbi nuk duhet të shpërblehet nga BE-ja, ashtu siç nuk duhet të kthehet në disavantazhmungesa e kërcënimeve të ngjashme ose alternativave për Kosovën.

Për fat të keq, për Kosovën komplikimet nuk përfundojnë këtu. Kosova mbetet pa njohje nga pesë shtete anëtare të BE-së. BE-ja ende duket e bindur edhe pse disa nga anëtarët e saj mund të vazhdojnë të mos njohin pavarësinë e Kosovës se  edhe Kosova një ditë do t’i bashkohet BE-së. Ky është përkufizimi i të menduarit të dyfishtë Oruellian, i papërshtatshëm për një institucion demokratik dhe transparent. Zgjidhjet  e pamenduara deri në fund, e të cilat u gjetën për të mbajtur procesin në lëvizje por pa rënduar shtetet jo-njohëse (siç ishte nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim pa qartësi të plotë për hapat e ardhshëm), në një moment do të vihen në test dhe një përgjigje e qartë duhet dhënë: A e gëzon Kosova një perspektivë evropiane, apo jo?

Më lejoni të jem i qartë: nuk ushqej ëndrra se Kosova do të jetë e gatshme për t’iu bashkuar BE-së vitin e ardhshëm. Ne në Ballkan e dimë mirë se sa shumë kohë merr ky proces. Sidoqoftë, ne jemi njëlloj të vetëdijshëm- dhe të shqetësuar – për faktin se procesi është po aq i padrejtë. Liberalizimi i vizave është një shembull i qartë. Përveç që është e fundit në rend, Kosovës i janë dhënë 95 kritere, kur fqinjët e saj i kanë pranuar me përmbushjen e rreth 50 kritereve. Për më tepër, Kosova ka përmbushur plotësisht të 95-tat, nëse interpretohen në mënyrën e paraparë në udhërrëfyesin formal, por qytetarët ende mbesin të izoluar. Të dy kriteret “e mbetura” kanë qenë dhe vazhdojnë të ri-interpretohen nga BE-ja për arsye politike si një justifikim për t’i penguar kosovarët që të udhëtojnë lirshëm. Qeveria e Kosovës është “përpjekur të përmbyllë” demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, edhe pse Kuvendi nuk e ka ratifikuar ende atë. Mirëpo, sa më shumë që Kosova i është afruar fazës finale, aq më e ashpër u bë kjo kërkesë. Mos të përmendim këtu faktin që jemi përballur me një kërkesë asimetrike, pasi që Malit të Zi nuk i është kërkuar të bëjë të njëjtën gjë në udhërrëfyesin e tyre për liberalizim të vizave. Për më tepër, Kosova ka adresuar kriteret që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në një masë shumë më të madhe se sa që ka bërë në procesin e liberalizimit të vizave cilido shtet tjetër që ka përfituar nga ky proces. Neve po na kërkohet vazhdimisht të punojmë “më shumë” në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pa asnjë qartësi se çfarë do të paraqiste përmbushja e këtyre kriteri të mbetura. Arsyetimi i bërë shpesh nga shumë zyrtarë të BE-së se përse Kosova po vlerësohet më ashpër,  është se BE-ja mëson nga përvoja e saj e kaluar. Megjithatë, kjo vetëm e ekspozon faktin se kemi të bëjmë me qasje të ndryshueshme dhe se ky sistem është çdo gjë tjetër përveç se i drejtë. Në rastin tonë, është diskriminues.

Ne e dimë se rruga përpara është e gjatë dhe e mbushur me pengesa, por ne jemi të gatshëm të punojmë. Ajo që ne kërkojmë është e thjeshtë: Të formalizohet perspektiva e anëtarësimit për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Çdo strategji për anëtarësim duhet të përfshijë të gjitha vendet që gëzojnë një perspektivë të tillë. Duke anashkaluar disa dhe duke dhënë data për anëtarësim vetëm për disa prej tyre, automatikisht zvogëlon kredibilitetin e pjesës tjetër. Kjo, nga ana tjetër, është demoralizuese dhe ngadalëson shpejtësinë e procesit dhe rrezikon t’i frenoj proceset reformuese.

Përparësitë e trajtimit të barabartë janë veçanërisht të dukshme në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, ku forca kryesore shtytëse është procesi i integrimit në BE për secilin vend, stimulimi asimetrik është shkatërrues. Si mund të presë dikush që populli kosovar, koalicioni qeverisës dhe opozita të bien dakord për reforma jashtëzakonisht të pakëndshme në favor të një pakice që dikur na ka shtypur, nëse shohin se frytet e një marrëveshjeje të tillë do të jenë vetëm në të mirë të palës tjetër?

BE-ja shpesh na e përsërit se ne duhet të tregojmë lidership dhe të marrim vendime që nuk janë as të lehta dhe as popullore, por që janë në interes të vendit tonë. Epo, tani kanë rastin e mirë për të na dëshmuar këtë. Pavarësisht lodhjes me zgjerimin dhe rritjes së partive të djathta populliste – bëjeni gjënë e duhur!? Zgjerimi është padyshim i mirë për secilin nga vendet e rajonit, individualisht dhe si grup, si dhe do të ishte i mirë edhe për vet BE-në, sepse do të krijonte stabilitet dhe mundësi ekonomike në një rajon të shkatërruar nga lufta që ndodhi me pak se 20 viteve më parë.

Unë ende besoj në vlerat fondamentale të BE-së dhe në atë se vullneti qytetar për një kontinent të bashkuar dhe të integruar, do të mbizotërojnë. Kosovarët janë me shumicë dërmuese në favor të anëtarësimit në BE dhe janë plotësisht dhe tërësisht të përkushtuar ndaj vlerave evropiane. Nëse na jepet një mundësi e drejtë dhe një perspektivë e qartë, ne si popull do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’u reformuar, përmirësuar dhe për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës. Por që kjo të ndodhë, BE-ja duhet t’i japë fund izolimit të kosovarëve dhe të shemb muret mentale, të ndërtuara mbi paragjykime të rreme dhe të rrezikshme.

*editorial i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për portalin  panevoprian “EurActiv”:

Filed Under: Politike Tagged With: Hashim Thaci, muret mentale, Të shemben

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1756
  • 1757
  • 1758
  • 1759
  • 1760
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT