• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fillon beteja për koalicione – Kush do ta formojë Qeverinë?

July 9, 2017 by dgreca

Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, ka hapur mundësinë që brenda një muaji, të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës.

1 Koalicioni

Me konstituimin e Kuvendit, bëhet verifikimi i mandateve dhe zgjidhet kryetari i ri i këtij institucioni, i cili do të propozohet nga koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma). Po ashtu, do të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, të cilët do të përbëjnë Kryesinë e re të këtij institucioni.

Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga Presidenti i Kosovës.

Deri më tani, Haradinaj kryesisht ka deklaruar se i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë, por ai nuk ka prezantuar se me cilat subjekte i ka siguruar këta numra. Ulëset që koalicioni PAN i ka siguruar në Kuvend, gjithsej 39, nuk janë të mjaftueshme për formimin e Qeverisë.

Ndonëse Haradinaj ka përmendur si mundësi lidhjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, këto tri të fundit, të mbledhura në koalicionin parazgjedhor LAA, nuk e kanë konfirmuar këtë aleancë pas zgjedhore.

Pjesë e Qeverisë, sipas Kushtetutës, do të jenë edhe komunitetet pakicë, të cilat si tërësi përbëjnë 20 deputetë në Kuvendin e Kosovës.Për formimin e Qeverisë, janë të domosdoshme të paktën 61 vota të deputetëve.

Në analiza të ndryshme rreth rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, është vënë edhe dilema: Çka nëse Haradinaj dhe PAN dështojnë ta bëjnë Qeverinë e re?

– Si konkluzion, zakonisht është dhënë opsioni rezervë, ai i dhënies së mandatit kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për ta formuar Qeverinë.

Por, bazuar në deklaratat e deritashme të presidentit të Kosovës, duket se për mandatin eventual të Kurtit, do të kërkohet edhe një mendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht interpretimit të dhënë më 2014, rreth të drejtës për formimin e Qeverisë.

Andaj, negociatat që do të zhvillohen ditëve dhe javëve në vijim, mund të sjellin formula nga më të ndryshme për formimin e Qeverisë, qoftë me Haradinajn në krye apo Kurtin, apo edhe pa asnjërin prej tyre, duke nxjerrë figura konsensuale.

Sidoqoftë, përderisa Haradinaj dhe Kurti pritet që ditëve në vijim t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për koalicione të reja, për të arritur krijimin e shumicës parlamentare në Kuvend, si kusht i domosdoshëm për formimin e Qeverisë, edhe faktori ndërkombëtar nuk pritet të jetë krejt anash këtyre zhvillimeve.

Nga Brukseli, komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, ka dërguar tashmë mesazhin që Kosova të formojë një Qeveri pro-evropiane dhe të qëndrueshme.

Brukseli do të insistojë që Qeveria e re të jetë e aftë të vazhdoj procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, të përmbyllë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si dhe të vazhdojë agjendën integruese evropiane.

Po ashtu, edhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë janë dërguar mesazhe për themelimin e institucioneve të qëndrueshme e demokratike.

Ndërsa, politika në Kosovë nuk e përjashton as si mundësi as “aventurën” e shkuarjes nga zgjedhjet në zgjedhje, që do të vinte si pasojë e dështimit të formimit të Qeverisë, për faktorin ndërkombëtar, BE-në dhe SHBA-në, zgjedhjet e reja do të shiheshin si opsioni më i padëshiruar.Kosova, sipas vlerësimeve ndërkombëtare, edhe ashtu ka ngecur shumë në proceset integruese, ka mbetur vendi i vetëm i izoluar dhe pa liberalizim të vizave, ndërkaq ngecë shumë edhe në aspektin e sundimit të rendit dhe ligjit.(Kortezi: Zijadin Gashi RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: do ta formojë Qeverinë?, Fillon beteja, për koalicione - Kush

Ta pasurojme dhe ta pastrojme gjuhen e bukur Shqipe

July 9, 2017 by dgreca

Nevoje e domosdoshme gjuhesore e kombetare: Ta pasurojme dhe ta pastrojme gjuhen tone /
1 ShqipjaTa flasesh e ta shkruash bukur, paster gjuhen tende nuk eshte vetem kulture, por eshte edhe atdhedashuri /

2Sadik-Elshani

NGA SADIK ELSHANI/*

Gjuha shqipe eshte pasuria jone me e madhe kombetare, vlera me e madhe shpirterore qe ka krijuar populli yne nder shekuj. Gjuha eshte elementi themelor qe percakton identitetin e nje kombi. Ja si shprehet profesor Çabej per kete element te rendesise paresore: “Gjuha pasqyron nje kombesi, ajo eshte pasqyra me e qarte e nje kombesie dhe kultures se saj. Shkalla e posurise dhe e pastertise se gjuhes eshte nje tregues i nivelit te kesaj kulture. Prandaj, ringjalljet nacionale kudo e ne çdo kohe  kane shkuar hap me hap me pasurimin dhe pastrimin e gjuhes”. Kjo eshte karakteristike edhe per njeren nder periudhat me te ndritura te historise sone, te zgjimit dhe ringjalljes sone kombetare: Periudhen e Rilindjes Kombetare.

Pasurimit dhe pastrimit te gjuhes shqipe i kane kushtuar rendesi te posaçme te gjithe gjuhetaret dhe dijetaret tane per te cilet dime gjer me sot, qe nga Buzuku e kendej. Gati te gjithe shkrimtaret, atdhetaret, veprimtaret e Periudhes se Rilindjes Kombetare: Kristoforidhi, Veqilharxhi, De Rada, Naimi, Samiu e shume te tjere, i kushtuan nje kujdes te veçante pasurimit te gjuhes shqipe, duke e pasuruar gjuhen tone me fjalet: jetedhenes, ndergjegje, pike e prese, dritare, gjithesi, hapesire, fletore, mesim, e shume te tjera. Ndersa poetet tane me me ze: Naim Frasheri, Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta, e shume te tjere pas tyre, vargjet me te bukura ia kushtuan gjuhes shqipe, duke i thurur himne gjuhes sone.

Kur flasim per pastertine e gjuhes sone, vlen te permendet ketu ndihmesa e madhe e profesor Aleksander Xhuvanit, i cili ne vitin 1956 botoi librin “Per pastertine e gjuhes shqipe”, ku ai sjell shembuj te shumte te fjaleve te huaja qe mund dhe duhet te zevendesohen me fjale perkatese shqipe, qe tingellojne po aq bukur – ndoshta edhe me bukur. Edhe profesor Çabej me studimet dhe artikujt e tij u angazhua ne kete fushate per pasurimin dhe pastrimin e gjuhes sone. Ne gazeten “Mesuesi” (28 mars – 4 prill, 1979) ai botoi nje artikull te gjate dhe qe ne fillim te ketij artikulli ai sjell fjale te formuara e te vena ne perdorim nga shkrimtaret tane te hershem: Buzuku, Budi, Bogdani e Bardhi, fjale si: popull, vegjeli, grykesi, pushim, rrefim, vershetar, etj. Sipas prof. Çabejt, dy jane rruget kryesore qe ndiqen ne pasurimin e gjuhes letrare: E para eshte marrja e fjaleve te gjalla ne ligjerimin e popullit dhe e dyta eshte formimi i fjaleve te reja – nologjizmave. Po ne kete artikull prof. Çabej sjell shembuj nga trevat e ndryshme shqiptare, ku fjalet e huaja mund te zevendesohen me fjale te gjuhes popullore. Ja disa shembuj qe jep ai: Çameria zbutjes se nje peme me ane shartimi i thote zbutoj; Myzeqeja grykes se lumit qe derrdhet ne det i thote gojke, d. m. th. “goje”; Zagoria per “qe moti, lashte” thote lashterisht; ne Kosove nje njeriu qe ka te njejtin emer me nje tjeter i thone emnak, ndersa per “kalldaje”, ngrohtore. Ne fund te ketij artikulli prof. Cabej sjell nje liste prej mese160 fjalesh te huaja qe mund te zevendesohen me fjale shqipe pa humbur aspak vleren kuptimore te ketyre fjaleve.

Ne kete shkrim te shkurter, qe nuk eshte nje studim shkencor, do te perqendrohem ne disa problem me te cilat po ballafaqohet, po sfidohet sot gjuha shqipe. Jane keto disa probleme shqetesuese qe jane duke i bere dem te madh gjuhes sone. Duke shfletuar gazetat e shkruara dhe ato elektronike, duke degjuar radion apo duke shikuar televizionin, si dhe ne te folmen e perditshme, degjojme fjale te çoroditura qe e dhunojne gjuhen tone, fjale si: “lluku” (pamje apo dukje, pah), “mazhorance” (shumice), “lidershipi” (udheheqja, udheheqesit, prijesit), “President” (kryetar), “divorc” (ndarje, shkurorezim, çmartese), “bodigardi” (truproja), “killeri” (vrasesi), e shume te tjera qe nuk mund t’i permend tani, sepse fatkeqsisht lista eshte shume e gjate. Duke shfletuar “Fjalorin e Shqipes se Sotme, botim i Akademise se Shkencave te Shqiperise (Tirane, 2002) shoh shume fjale te zakonshme, te perditshme te gjuhes sone qe nuk jane ne fjalor. Ndersa ne fjalor ka shume fjale te huaja qe mund dhe duhet te zevendesohen me fjale te gjuhes shqipe: “aktivitet” (veprimtari), “aktivist” (veprimtar), “transfer” (zhvendosje), “transformues” (shnderrues), “transmision” (perçim), “tendence” (kahje, prirje, anesi), “leksion” (ligjerate) e shume te tjera. Eshte per t’u habitur nje dukuri qe e hasim ne fjaloret e gjuhes sone: botimi i mevonshem i fjalorit ka me pak fjale se botimi i meparshem. Duhet te jete e kunderta: botimi i mevonshem duhet te kete me shume fjale se botimi i meparshem, sepse gjuha vazhdimisht duhet te pasurohet me fjale e shprehje te reja. Siç duket gjuha jone pasurohet vetem me fjale e shprehje te huaja. Te gjitha gjuhet e botes marrin nga njera tjetra, perfshire ketu edhe gjuhet me te pasura qe mbizoterojne ne bote, por jo ne menyre kaq te pakontrolluar siç eshte duke ndodhur sot me gjuhen shqipe.

Jo vetem ne fjalor, por edhe ne sintakse verehen gabime te shumta. Thurja e fjalive, radhitja me vend e fjaleve ne fjali ka rendesi te madhe, sepse ne te kunderten i humbet kuptimi fjalise, mendimit te shprehur. Po ashtu, gabimet drejtshkrimore jane te pranishme ne shumicen e shkrimeve gazetaereske e publicistike, madje edhe ne dokumente zyrtare. Koheve te fundit po verehet nje kahje ne shkrimin e disa emrave te gjinise femerore qe duhet te mbarojne me –nja, por ja qe ne shumicen e shkrimeve mbarojne me –nia: historiania (historianja), politikania (politikanja), republikania (republikanja), e shume fjale te tjera te kesaj natyre. Ka gati dy vite qe ne te gjitha mediet e shkruara dhe ato elektronike, por dhe ne gjuhen e politikaneve tane analfabete e hasim fjalen “vetting” dhe askush as qe e çane koken qe kete fjale te huaj ta zevendesoje me nje fjale shqipe te cilen e kemi ne fjalorin tone. Vetting eshte nje kontrollim, vizite e hollesishme mjekesore.  Pra dicka qe shqyrtohet, kontrollohet me hollesi e ne menyre shume kritike, sidomos per nje kandidat qe eshte emeruar per nje pozite udheheqese ne administraten amerikane apo ndonje organ a institucion te rendesishem. Per kete ne ne shqip e kemi fjalen: shoshitje. Nese dikush e gjen ndonje fjale me te pershtatshme le te ma thote, ama jo “vetting”!

Ne me te drejte mburremi se gjuha jone eshte njera nder gjuhet me te vjetra te botes, se eshte nje gjuhe e bukur, e rrjedhshme e mjaft muzikale, por ja qe nuk kujdesemi per te. Kur perdorim fjale te huaja kur nuk eshte nevoaj, sikur po e mosperfillim gjuhen tone, sikur po turperohemi nga gjuha jone, nga identiteti yne. Kjo te le pershtypjen se ne nuk krenohemi me gjuhen tone, se vuajme nga kompleksi i ultesise (inferioritetit). Duke perdorur fjale te huaj dikujt ndoshta vetja i duket me i kulturuar, me i dijshem, me i qyteteruar se te tjeret. Perkundrazi, njerez te tille e tregojne nivelin e tyre te ulet arsimor, injorancen (paditurine), arrogancen e tyre. Bastardhimi i gjuhes nuk eshte kulture, ashte kunderkulture. Kur e degjon dike duke folur, menyren sesi shprehet, menjehere e kupton se çfare niveli arsimor, kulturor, atdhetar, ka ai njeri. Na mungon kultura gjuhesore.  Bukur eshte shprehur poeti yne, Dritero Agolli, per kulturen gjuhesore: “Kultura gjuhesore eshte e domosdoshme per çdo shkrimtar, per çdo gazetar, per çdo intelektual, per çdo njeri. Ai qe nderon gjuhen, nderon atdheun. Perpikeria, qartesia, thjeshtesia dhe koloriti i gjuhes jane aq te nevojshme per çdo shkrimtar sa gjithe veglat e punes per punetorin.”

Njeri nder gjuhetaret tane qe vazhdimisht merret seriozisht me keto probleme te gjuhes sone eshte akademik Gjovalin Shkurtaj, i cili ka botuar disa libra me studime ne te cilat ai shpreh shqetesimet e tij prej shkencetari per gjendjen jo te mire te gjuhes qe perdoret ne mjetet e komunikimit masiv dhe ne te folmen e perditshme. Per çdo fjale te huaj ai jep edhe fjalet perkatese shqipe.Nje liber te tille e ka  botuar koheve te fundit: “Urgjenca gjuhesore”, ndersa nje doktorante e tij,  Dorina Minga, e ka mbrojtur doktoraten me titull: “Gjuha shqipe ne mjetet e komunikimit masiv” (Universiteti i Tiranes, Tirane, 2015). Siç tregon edhe vete tituli, ky studim ka per objekt gjuhen shqipe qe perdoret ne mjetet e komunikimit masiv veshtruar nga te gjitha anet gjuhesore. Por ja qe edhe profesori i nderuar ne titullin e librit te tij e perdor nje fjale te huaj qe mund te zevendesohet me fjale shqipe.

“Nga se rrezikohet sot gjuha shqipe?” – pyet profesor Shkurtaj dhe vete e jep pergjigjen: “Nga mosperfillja, nga mungesa e kujdesit te organizuar e te drejtuar nga shteti, nga botimet e paredaktuara e te pakorrektuara, si dhe nga njefare ndjenje e pergjithshme nenvleresimi ndaj saj.” Profesori i nderuar e permend rolin e shtetit dhe vertet ne Kushtetuten e Shqiperise, neni 59, pika 1g thote: “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve qe disponon, si dhe ne plotesim te nismes dhe te pergjegjesise private siguron: mbrojtjen e trashegimise kombetare, kultures dhe kujdesin e veçante per gjuhen shqipe”. Por gjendja jo e mire e gjuhes shqipe ne mjetet e komunikimit masiv, ne dokumentet zyrtare dhe ne perdorimin e perditshem, tregon per moskujdesin, mosperfilljen, mosinteresimin e shtetit shqiptar ndaj gjuhes shqipe. Vete kushtetuta, dokumenti me i rendesishem i nje shteti, permban shume fjale te huaja – shikoni citimin e mesiperm. Te shikojme edhe nenin 86 qe e perkufizon te parin, kreun e shtetit: “Presidenti i Republikes eshte Kryetari i shtetit dhe perfaqeson unitetin e popullit.” President eshte fjale e huaj per Kryetar dhe fjala unitet ne gjuhen shqipe duhet te jete:  bashkim. Pra, ky nen nuk eshte i perpiluar si duhet, as nga pikepamja gjuhesore dhe as nga ajo kuptimore. Me duket se nuk ka nevoje te komentohet me tutje, kur eshte fjale per pastertine e gjuhes shqipe, shteti shqiptar nuk e tregon as interesimin me te vogel.

Pasurimi dhe pastrami i gjuhes shqipe nga fjalet e huaja te panevojshme duhet te jete detyre paresore per te gjithe shqipfolesit, posaçerisht e atyre qe çdo dite shkruajne neper gazeta, revista, flasin ne radio apo television, merren me botime te ndryshme. Nje rol te rendesishem duhet te luajne edhe shkrimtaret tane, te cilet ne veprat e tyre duhet te perdorin nje gjuhe sa me te pasur e te paster. Eshte per çdo levdate puna qe ben shkrimtari yne i njohur, Ismail Kadare, i cili ne veprat e tij ka futur mjaft fjale te reja, te krijuara prej tij ose te vjela nga gjuha e popullit. Ndersa institucionet akademike, shkencore duhet te merren me seriozisht me grumbullimin e fjaleve nga gurra e popullit dhe te formojne fjale te reja, duke angazhuar studiusit nga te gjitha trevat e ngulimet shqiptare dhe duke ecur hap me hap me kohen, me zhvillimet e reja teknologjike e shoqerore. Fjalet e huaja te panevojshme, fjale qe mund te zevendesohen me fjale te gjuhes shqipe duhet te hiqen menjehere nga perdoerimi. Gjuha shqipe eshte nje gjuhe me fjalor e gramatike te pasur, eshte e zhdervjellte dhe ka aftesi shprehese te shumta, por siç duket gjuhetaret tane jane te ngurte, indifferent ndaj ketyre dukurive mjaft shqetesuese dhe vuajne nga pertacia profesionale. Nuk duhet te jemi per pastrim gjuhesor te tejskajshem, por kurresesi nuk duhet te jemi per ndotje te pakontrolluar e te panevojshme te gjuhes sone. Duhet te marrim shembull edhe nga popujt dhe gjuhet tjera sesi ata ballafaqohen me keto sfida, me keto probleme gjuhesore. Te marrim shembull nga kroatet, te cilet gati çdo fjale te huaj e kane zevendesuar me fjale perkatese kroate, perfshire edhe fjalet, si: universitet, stacion, atmosfere, biblioteke e qindra te tjera.

Gjerat kryhen vetem atehere kur dikush ngul kembe, vendos se keshtu nuk mund te vazhdohet me. Ka ardhur koha (besa edhe kaluar) qe te themi: Mjaft eshte mjaft! Eshte koha qe te veprojme dhe jo vetem te vezhgojme e te heshtim. Po e perfundoj kete shkrim, kete shqetesim timin me fjalet e prof. Çabejt te marra nga artikulli i cekur me lart: “Sot me fort se kurre me shtrohet detyra qe kete gjuhe, nje nga elementet e kombesise sone, ta pasurojme me fjale te visarit popullor dhe ta spastrojme nga masa e lende se huaj.”

 

Filadelfia, 9 korrik, 2017

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjuha Shipe, Sadik Elshani, Shenja e Kombesise

Kosova, “diskriminim pozitiv” për pakicat

July 9, 2017 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës i zgjdhjeve të 11 qershorit, deputetët me 534 deri 143,621 vota/
1 Prishtina rugov-“Diskriminimi pozitiv” me Kushtetutë garanton 10 vende deputetësh për serbët e 10 për komunitetet tjera pakicë/
  PRISHTINË, 9 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kuvendin e Kosovës të zgjedhjeve të 11 qershorit Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do përfaqësohet me deputetin e saj Allbert Kinolli, i cili ka vetëm 534 vota, më së paku nga të gjithë 120 anëtarët e parlamentit. Edhe deputetë të tjerë të komuniteteve pakicë joserbe shkojnë në 10 vendet e tyre të garantuara në Kuvend me numër të vogël votash, nga 1,211 deri në 2,980.  Komuniteti pakicë serb  ka poashtu 10 vendet e garanduara të deputetëve që kanë nga 2,574 deri në 13,665 vota.
Kushtetuta e Kosovës me “diskriminimin pozitiv” për pakicat përcakton që në Kuvend “20 prej 120 vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë”, 10 për serbët e 10 për komunitetet tjera edhe në rast se numri i vendeve të fituara me votë është më i vogël.
Për krahasim, 100 deputetët e shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës kanë fituar vendet e tyre me më së shumti 143,621 vota  dhe më së paku 5,677 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çertifikoi dje Rezultatet Përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura para katër javësh, të dielën e 11 qershorit 2017, tre vjet pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, të cilat poashtu ishin të parakohshme.
Në 29 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare, sipas të cilave në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh koalicioni i PDK me 33,74% të votave do t’i ketë 39 deputetë,  Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni i LDK me 25,53% të votave – 29 deputetë. 
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti deputetë – 9, me 6,12% të votave, ka Lista Serbe.  I 10-ti deputet serb është nga Partia e Pavarur Liberale, e cila ka 0,49% të votave, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.
Ndërkohë, gjatë javës, si rezultat i rinumërimeve të votave që pasuan ankesat pas shpalljes të rezultateve përfundimatre kishte rirenditje në tre raste – nga lista e deputetëve janë larguar tre emra  dhe janë zëvendësuar me tre të tjerë brenda të njëjtave parti, ndërsa nuk ka ndyshim në numrin e deputetëve të subjekteve politike.
Rezultatet nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës, prandaj tashmë janë zhvilluar kontaktet e para për koalicione të mundshme paszgjedhore dhe takime tjera mes partive priten tani pas çertifikimit të rezultateve.
Në zgjedhjet e 11 qershorit për Kuvendin e Kosovës, sipas të dhënave të KQZ,  votuan  41.30%  e 1,888,059 votuesve të regjistruar.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, në 22 tetor, mban edhe zgjedhje lokale për kuvendet e kryetarët e komunave, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Në Republikën e Kosovës me gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare, ndërsa 10 komuna janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, një nga minoritetet tjera në Kosovë. 
 

Filed Under: Analiza Tagged With: “diskriminim pozitiv”, Behlul Jashari, kosova, për pakicat

Partia e humbësve

July 9, 2017 by dgreca

Opinion nga Ilir Levonja/

Gjithë gjasat janë se, po vazhdoi kështu, debati brenda demokratëve, një farsë e llojit shqiptar, me unë dhe hundëpërpjetër, me elozhe e rrahje gjoksi. Me ironi sysh…, ku sot demokrati urren demokratin më shumë se çdo gjë tjetër. Të jeni të sigurtë se PS dhe Edi Rama kanë të fituara edhe zgjedhjet e 2021. Madje me shumicë absolute. Akoma më të qartë se ky 74-shi i fundit.

Kjo falë demokratëve që janë katërshpërndarë. Në Berishistë, Bashistë. Dhe anti Bashistë e Berishistë. Sa as kokën nuk po ia nnxjerrin sherrit. Po e mbajnë si puna e atij zjarrit të mbytur kur digjen plehrat e lagjes. As afsh, as shpirt, as vrull, po angushti gjoksi. Dhimbje koke. Pak ajër. E për rrjedhoj maraz shqiptar. Të ndarë edhe të grupuar edhe në ithtarë të frymës ku ishe ti kur unë luftoja për Shqipëri. Dhe ku ishin këta që na kritikojnë kur ne me ngjyrën e kuqe të republikës së re.

Çonim Ramën drejt fitores.

Kështu që …

Sa kohë që demokratët i mbushin sallën Lulzim Bashës.

Dhe ia zbrazin Eduart Selamit.

Sa kohë që do qaraviten si kalamajtë me teoritë e zgjedhjeve të vjedhura dhe të shitura. Me denoncimet e tipit Noriega etj.

Me sojin që i lutet Berishës të kthehet. Dhe me sojin që mahnitet pas statuteve të Berishës. Edi Rama i ka të fituara edhe zgjedhjet e 2021-shit.

Të jeni të sigurt për këtë.

Dhe fajin nuk e ka populli. Nuk e kanë shqiptarët.

E kanë humbësit e ricikliuar. Demokratët e grupazheve që ia kanë shkërdhyer nënën demokracisë. Dhe Shqipërisë bashkë. Mjaft të rrinë në pushtet.

Sot demokratët janë gati të hanë të gjallë Eduart Selamin përshembull. Me zbrazëti, me romuze, me tallje. Erdhi ky amerikani etj. Kurse Patozin e përshkruajnë si një siluetë të lodhur nëpër korridoret e selisë së partisë. Me demek që nuk jep shpresë. Nuk fiton. Po dihet që nuk fiton, as Selami e as Patozi. Sepse tallja aty i bie në kokë demokracisë. Kurse mendt e mëdha, pordhët, i bëjnë elozhe pushtetit.

Kështu ishte që kur filloi çadra, atë muaj shkurti…, me skara, e qofte. Me aheng. Dhe kështu u vulos. Që kur morëm 7 ministri dhe qeverisëm me hajdutin për të garantuar mundjen e LSI dhe humbjen tone… Tani marrim përgjegjësitë. Madje po u themi dhe shqiptarëve se na i vodhën zgjedhjet. U shitën prapë shqiptarët. Le t’i shpallim tradhëtarë shqiptarët.

Unë humbësi po marr përgjegjësitë. Që domethënë…. po futem në zgjedhje për kryhumbës. Patozi është i lodhur, si demokracia jonë. Kurse Selami burri i asaj që jep lajmet.., mendësi demokrate a mendësi demode shqiptare.

Këtë do e vertetoj koha.

Unë marr përgjegjësitë e mia politike.

Isha naiv. Isha tutkun. Isha i paaftë. U tregova sylesh.

Po ju lërojani nënën selamistave, patoistave, se ata nuk janë demokratë.

___

Diku në një sallë qyteti, gjatë meshes së faljeve që kërkon Basha. Pashë një demokrat të vjetër. Ma afruan këtë shanc jete kamerat. Sigurisht që pa dashje. Por për suportin e tyre.

Dikur i rrinin qarkas grupe burrash. Ishte vetëm.Kjo ka domethënien se, kur vjetërohen kryetarët…, çvjetërohen demokratët. Eshtë koha e individit, koha që veç Shqipërisë nuk i duhet.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Partia e humbësve

Ardhmëria jonë duhet të flas shqip!

July 9, 2017 by dgreca

1Kaltrina HotiNga Kaltrina HOTI/

Sot hasim në shkrime të ndryshme, kemi opinione nga në të ndryshmet për vepra e ngjarje politike, për manifestime organizime që bëhen për qëllime të caktuara, kjo është bukur por kur të gjithë e dimë se ku duhet të arrimë, apo më mirë për ku jemi nisur. Nuk e di përse por unë sot jam pak sa e shqetësuar  për atdhetarët që janë lodhur nga mall i fjalëve të premtuara. Kjo lodhje ndihet edhe tek ata që vepruan atje në atdhe por edhe gjithandej në diasporën shqiptare. Kjo më detyron që dhe unë të ndihem e pakënaqur më të arrirat tona me një arsye të vetme, shumë projekte të nisura me shumë optimizëm, vullnet e dëshirë disi kanë mbetur për gjysmë. U fol se shqiptarët do ulen në një tryezë, se do ndodh bashkimi shpirtëror, se do mësojnë histori të njëjtë, se do kenë abetaren e njëjtë, se do ndërtojnë institucione të shkencës, artit e kulturës me një synim drejtë bashkimit tonë shpirtëror e fizik. Nuk dua të prek sedrën e atdhetarit të mirëfilltë dhe të pyes përse dështuan këto projekte të filluara me një optimizëm të pashoq. Kam dëgjuar herë pas here ndonjë nga ata që vepruan dhe ishin në ballë të ngjarjeve të thotë; “i kam qua duart nga atdhetarizmi”, a thua deri aty ka shkuar që të mos e ndjejmë thikën e huaj në palcën tonë. Po mërgata jonë? Përse gjithë këto Organizata, Shoqata e Klube nuk kanë një tryezë të përbashkët dhe përse nuk merren me problemet me të cilat sot ballafaqohet familja shqiptare, gruaja shqiptare, nxënësi shqiptar, studenti shqiptar, ekonomia shqiptare, kultura e arti shqiptar… a mos thua se i realizuam që të gjitha dhe duhet të pushojmë. Të jemi real, jo që nuk i kemi realizuar, por edhe kur i realizon duhet që me punë e vullnet t’i ushqejmë që të rriten, të japin rezultate nga ku do korrin suksese gjeneratë pas gjenerate për të pasuruar bibliotekën tonë kombëtare. Mendoj se fjala që thash më parë “i kam quar duart nga atdhetarizmi” dhe që po përsëritet nga veprimtar të ndryshëm nuk duhet të zë vend edhe pse dikush me arsye edhe ndihet i pakënaqur. Duhet të vazhdohet jo vetëm nga gjenerata e kaluar dhe që ende kanë vullnet e fuqi, por edhe nga kjo e tashmja duke bashkuar idetë dhe qëllimet që ne për shumë gjëra që na mungojnë të jemi të bashkuar, të bëhemi faktor që të lëvizim drejtë progresit në shumë drejtime. Mbase mund të kuptohet dhimbja e shpirtit të atdhetarit dhe në një situate të tillë bëjnë edhe deklarata të tilla, por qëllimi i lart është mbi të gjitha, e ai është bashkimi ynë shpirtëror e fizik (kombëtar). Çdo mërgimtar ka një ëndërr, e kjo është ta shoh atdheun të bashkuar, të pasur, të përparuar dhe në fundin e jetës ta kaloj atje e të pushojë sytë e të rehatoj trupin në tokën e të parëve. Kjo dëshirë dhe ky mall i madh e nga ana tjetër ajo që shohim me sy real se çka ndodh atje me çka po përballet populli na bënë të ndihemi pesimist por nuk do të thotë që të heshtim e të mos punojmë. Nëse jemi të bashkuar kemi fuqi të trokasim në çdo derë që mund dhe ka në dorë ndryshimet për një të ardhme më të mirë shqiptare. Të gjithë e dimë se jeta mërgimtare është luftë për ekzistencë dhe nga kjo jetë çdo herë është nda një pjesë për dashurinë e madhe të atdheut, nga kjo duhet të ndihemi krenar. Ne kemi kaluar nëpër shumë sfida, ndonjëherë edhe kemi dështuar në synimet tona, por edhe dështimi është një këngë e bukur jetësore se të hap sytë për aktivitetin e radhës. Unë sot dua të ndalem dhe të mendoj përse ish veprimtarët e kanë humbur shpresën, a thua ato që i thash më lartë janë të parealizuara, mos ka vendua dikush gur e ka bë mur. Jo! Jo se ne kemi aq fuqi, bile kur jemi bashkë shembim dhe perandori. Sot fëmija që rritet në mërgatë, nxënësi e studenti donë të dijë për historinë, kulturën, traditën dhe lashtësinë e vet, a thua do e lejmë që të bëhet një profesionist i mirë pa përcaktim kombëtar?! Mendoj se të gjithë duhet të bashkohemi rreth një qëllimi që ardhmëria jonë të flas shqip.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ardhmëria jonë, duhet të flas shqip!, Katrina Hoti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1919
  • 1920
  • 1921
  • 1922
  • 1923
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT