-Kuvendi i Kosovës i zgjdhjeve të 11 qershorit, deputetët me 534 deri 143,621 vota/
-“Diskriminimi pozitiv” me Kushtetutë garanton 10 vende deputetësh për serbët e 10 për komunitetet tjera pakicë/
PRISHTINË, 9 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kuvendin e Kosovës të zgjedhjeve të 11 qershorit Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do përfaqësohet me deputetin e saj Allbert Kinolli, i cili ka vetëm 534 vota, më së paku nga të gjithë 120 anëtarët e parlamentit. Edhe deputetë të tjerë të komuniteteve pakicë joserbe shkojnë në 10 vendet e tyre të garantuara në Kuvend me numër të vogël votash, nga 1,211 deri në 2,980. Komuniteti pakicë serb ka poashtu 10 vendet e garanduara të deputetëve që kanë nga 2,574 deri në 13,665 vota.
Kushtetuta e Kosovës me “diskriminimin pozitiv” për pakicat përcakton që në Kuvend “20 prej 120 vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë”, 10 për serbët e 10 për komunitetet tjera edhe në rast se numri i vendeve të fituara me votë është më i vogël.
Për krahasim, 100 deputetët e shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës kanë fituar vendet e tyre me më së shumti 143,621 vota dhe më së paku 5,677 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çertifikoi dje Rezultatet Përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura para katër javësh, të dielën e 11 qershorit 2017, tre vjet pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, të cilat poashtu ishin të parakohshme.
Në 29 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare, sipas të cilave në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh koalicioni i PDK me 33,74% të votave do t’i ketë 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni i LDK me 25,53% të votave – 29 deputetë.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti deputetë – 9, me 6,12% të votave, ka Lista Serbe. I 10-ti deputet serb është nga Partia e Pavarur Liberale, e cila ka 0,49% të votave, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.
Ndërkohë, gjatë javës, si rezultat i rinumërimeve të votave që pasuan ankesat pas shpalljes të rezultateve përfundimatre kishte rirenditje në tre raste – nga lista e deputetëve janë larguar tre emra dhe janë zëvendësuar me tre të tjerë brenda të njëjtave parti, ndërsa nuk ka ndyshim në numrin e deputetëve të subjekteve politike.
Rezultatet nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës, prandaj tashmë janë zhvilluar kontaktet e para për koalicione të mundshme paszgjedhore dhe takime tjera mes partive priten tani pas çertifikimit të rezultateve.
Në zgjedhjet e 11 qershorit për Kuvendin e Kosovës, sipas të dhënave të KQZ, votuan 41.30% e 1,888,059 votuesve të regjistruar.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, në 22 tetor, mban edhe zgjedhje lokale për kuvendet e kryetarët e komunave, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Në Republikën e Kosovës me gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare, ndërsa 10 komuna janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, një nga minoritetet tjera në Kosovë.