• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

YLBER DAUTI, NË ELITËN E AVOKATËVE AMERIKANË

June 3, 2017 by dgreca

* AVOKATI SHQIPTAR ËSHTË PËRZGJEDHUR NDËR 100 AVOKATËT MË TË SUKSESSHËM NË SHBA/

Mr.YlberDauti2

* DY NGA FITORET MË TË FUNDIT  TË BETEJËS LIGJORE:PËRBALLJA ME QEVERINË AMERIKANE …DHE…SHPËTOI BIZNESMENIN SHQIPTAR NGA HUMBJA E 30 MILIONË DOLLARËVE…/

Mr.YlberDauti1* AVOKATI DAUTI, I PREFERUAR NGA MEDIAT AMERIKANE, PORTALET PËR OPINIONE, PARASHIKIME, INTERVISTA, RRETH ÇËSHTJEVE TË BUJSHME, MADJE DHE CESHTJEVE”TRUMP”….POR EDHE SI LIGJËRUES NË UNIVERSITETET TE NDRYSHME BOTËRORE PËR TË DHËNË LEKSIONE…

Ylber Dauti, avokati

NGA DALIP GRECA/

Avokati shqiptar Ylber Dauti, vazhdon të jetë një model i veçantë për aspiratat e të rinjëve nga e gjithë Bota, që vijnë në Amerikë plot ëndrra. Në 14 vite karrierë ai është ngjitur lart si yll, që shkëlqen, duke u radhitur në elitën e avokatëve amerikanë. Ai është i pari avokat shqiptar në Amerikë që është anëtar i përjetshëm i MULTI- MILLION DOLLAR ADVOCATES FORUM”. Këtë vit avokati Dauti është përzgjedhur në “TOP 100 TRIAL LAWYERS IN AMERICA”. Zyra e tij ligjjore ka regjistruar më shumë se 10 çështje milionëshe të fituara, – më e larta 8,2 Milionë dollarë, e më e ulta 1,2 milionë dollarë….

2017, I FTUAR NGA UNIVERSITET NË HOLLANDË, JAPONI, SHBA dhe KOLUMBI

Nuk është aq e lehtë që ta gjesh një moment të lirë avokatin Ylber Dauti, qoftë edhe për ta intervistuar. Krahas ngarkesës me çështjet gjyqësore që ndjek, ai është i angazhuar edhe si leksiondhënës nëpër universitete të Europës, Azisë dhe Amerikës, dhe jo rrallë, i zënë me median, që kërkojnë opinione e intervista prej tij. Pyetjet për këtë shkrim”u gatuan” që në prill, por avokati ishte larg që këndej, dhe përgjigjet u vonuan pak. Ai ishte i ftuar nga Universiteti i Tilburgut, per te tretin vit radhazi, për të dhënë leksione për studentët e Fakultetit të Drejtësisë, Dega Master në Ligjet Ndërkombëtare të Biznesit. Lënda, ku i kërkohet kontribut avokati titullohet “Negociata Ligjore” (Legal Negotiations). Fokusi i leksioneve që avokat Dauti u përcjell studentëve përqëndrohet kryesisht në negociatat ndërkombëtare në përgjithësi dhe ato të biznesit në veçanti.

Pas kthimit, ai tregon se ishte një përvojë intersante; grupi i studentëve ishte i larmishëm dhe shumë të intersuar për të çështjet që referoheshin. 100 studentët, të cilëve u përcolli ligjërata,  vinin nga 50 vende të ndryshme të Botës dhe sillni kultura të larmishme.

Avokati ndjehet mirë nga kontakti me grupe te tillë divergjente, pasi negociatat ndërkombëtare kanë të bëjnë jo vetëm me aspektet ligjore dhe tregtare por edhe me personalitetet, zakonet dhe traditat kulturore të atyre që negociojnë…dhe duke qenë se stundentët vijnë nga shumë vende të ndryshme me zakone, tradita dhe kultura të ndryshme- kjo i bën diskutimet dhe debatet në klasë shumë më interesante.

Muajin që vjen (Qeshor 2017), avokati është i ftuar që të japë leksione për 10 ditë në Kyushu University në Japoni. Është viti i dytë radhazi që ftohet për të dhënë leksione nga ky Universitet. Fokusi i leksioneve që do të përcjell në këtë universitet janë Negociatat dhe Gjyqet Ndërkombëtare. Edhe ky, tregon avokati është një grup i larmishëm studentësh, mes të cilëve ka qenë dhe herë tjetër. Studentët janë kryesisht Japonezë, por ka ndër ta  pothuajse nga të gjitha shtetet aziatike, madje edhe nga disa vende arabe e afrikane.

Ndërsa në  fund të muajit Qershor, ai është i ftuar për të dhënë një ligjëratë para një grupi studentësh nga mbi 100 vende të botës, në Lehigh University, këtu në Amerikë dhe  në muajin Korrik është i ftuar për të dhënë leksione në Bogota, Kolumbi në Universidad Externado de Colombia.

PËRBALLË QEVERISË AMERIKANE

I propozoj avokatit: Le të kthehemi tek Zyra juaj juridike”DAUTI LAË FIRM,P.C”, që ndodhet në një nga zonat më të lakmuara të Manhattanit, në Wall Street(45 Broadway). Jemi mësuar që të përcjellim rekorde të kësaj zyre juridike, ku klientët tuaj kanë siguruar shuma milionëshe. Kemi ndonjë rekord të ri apo ndonjë çështje interesante për ta ndarë me lexuesit tanë?

Përgjigja e avokatit vonohet pak:- Asnjëherë nuk më ka pëlqyer të diskutoj shifra, por fatkeqësisht në profesionin tim suksesi shpesh matet me shifra dhe kjo nuk është e drejtë por unë nuk do futem në një analizë filozofike rreth kësaj dukurie. Përsa u përket shifrave do të veçoja 3 çështje që janë mbyllur gjatë vitit të fundit për shuma milioneshe/ disamilionëshe. Njëra nga këto çështje ishte disi e veçante pasi padia ishte kundër qeverisë Amerikane dhe unë përfaqësoja një klient shqiptar. Ishte një betejë e gjatë dhe e vështirë ligjore. Por në fund arrita që ta kënaq klientin tim shqiptar. Shuma përfundimtare e dëmshpërblimit që qeveria Amerikane ra dakord që të paguaj në prag të Gjyqit, ishte shuma e dytë më e lartë që ata kanë paguar ndonjëherë në shtetin e Nju-Jork-ut për një çështje gjyqësore të rregulluar nga Federal Tort Claims Act (Ligji për Paditë e Dëmshpërblimit Civil kundra Qeverisë Amerikane).

Për ta bërë më të kuptushme për lexuesin këtë çështje ligjore, që tingëllon disi ndryshe, i kërkova avokatit, që të sillte më shumë spjegime, detaje, si funksionojnë këto çështje dhe sa të vështira janë këto përballje ligjore?

Avokati spjegoi se këto çështje janë disi unike pasi gjyqi bëhet me një gjykatës dhe jo me Juri. Veç kësaj duhet të pëballesh me Departamentin e Drejtësisë së Amerikës dhe jo me një zyrë avokatie. Në çeshtjen në diskutim, gjërat u komplikuan edhe më tepër pasi në prag të gjyqit, u arrit marrëvëshja në një kohë jo të zakontë. Marrëveshja u arrit me Administratën e Presidentit Obama, por per shkak te shumes se madhe te demshperblimit, kerkohej qe marreveshja te miratohej nga disa hallka te burokracise shteterore amerikane perfshire ketu edhe Attorney General (Ministren e Drejtesise se SHBA). Edhe pse marreveshja ishte arritur ne parim, ish-ministrja e Drejtësisë (Loreta Lynch), për fat të keq, nuk arriti të firmoste dokumentat para se ti mbaronte mandati më 20 Janar, 2017. Kështu që procesi gjyqësor duhej të vazhdonte në rast se Administrata e Trumpit nuk do biente në dakortësi me marrëveshjen që kishim arritur ne parim por jo zyrtarizuar me Administratën e Obamës. Klienti ishte shumë i kënqur me marrvëshjen që e kishte bërë atë milioner por çeku nuk po vinte, tregon avokati dhe shton se e kishte të vështirë t’i spjegonte klientit situatën e paprecedentë që sillnin rrethanat e ndryshimit të administratës, pasi gjithçka mund të përmbysej në rast se Administrata e Trumpit nuk binte në dakortsi të firmoste marrëveshjen e arritur me Adminsitratën e Obamës. Nga njëra anë ishte Klienti, që priste me padurim Çekun, pasi me të drejtë e konsideronte çështjen të mbyllur dhe ndoshta kishte bërë plane si ta jetonte jetën si milioner. Kurse nga ana tjetër, avokati Dauti, po merrej me avokatët e shtetit Amerikan, që i thoshin se marrëveshja ishte vërtetë në rrezik të mos aprovohej nga Administrata e re pasi shuma e dëmshpërblimit ishte shumë e lartë dhe e paprecedent për një çështje të kësaj natyre. Në fund të fundit, filozofia e Trumpit ishte të rinegocohet gjithçka. Pas shumë peripecish, më në fund marrëveshja u miratua nga Attorney General (Ministrja e Drejtësisë) Sally Yates gjatë ditës së 30 Janar 2017.

Por edhe këtu, ishim më fat, thotë avokati. Rastësitë nuk kanë fund:Si për koincidencë, Paradite u firmos marrëveshja, ndërsa Ministrja e Drejtësisë, në mbrëmjen e 30 Janarit, u shkarkua nga Presidenti Trump!

Natyrisht, që shkarkimi i saj nuk kishte fare të bënte me çështjen e klientit shqiptar dhe avokatit Dauti, por ai,e përmend këtë rastësi, si tregues të mrekullise dhe ironisë së fatit.

                SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE  “DAUTI LAW FIRM,P.C”

Është një pyetje që më pëlqen t’ua përsëris avokatëve shqiptarë: Si janë raportet mes zyrës tuaj dhe shqiptarëve. Sa të pranishëm janë çështjet e tyre ligjore në zyrën tuaj?

Avokati më tregon se ndjehet i kënaqur që vazhdon të përfaqësojë shqiptarët në çështje të ndryshme ligjore. Në dy nga tre çështjet multimilion dollarëshe që zyra e tij ka arritur të fitojë kohët e fundit, klientet ishin shqiptar. Para pak kohësh avokati ka përfaqesuar edhe një biznesmen shqiptar, i cili po përballej me një padi 30 milion dollarëshe dhe kompania e tij e sigurimeve mbulonte vetëm për shumën 1 milionë dollarë. Avokatët e tij Amerikanë e kishin njoftuar se pasuria e tij personale dhe familjare, që ai e kishte ndërtuar me shumë mund dhe djersë, ishte në rrezik të vërtetë dhe se ai do të duhej të paguante një shumë të madhe parash nga xhepi i tij për të mbyllur këtë padi. Biznesmeni shkoi tek zyra e Avokatit Dauti për ndihmë. Avokati, iu fut betejës ligjore, siç di ai, me profesionalizëm dhe me përkushtim. Pas një Odiseje të gjatë, që kërkoi shumë mund, arriti që ta mbyllte me sukses çështjen dhe biznesmeni shqiptar u çlirua nga pesha e madhe e humbjes. Ai nuk pagoi asgjë nga xhepi i tij.

E pyes avokatin: Cila ka qenë çështja gjyqsore më e vështirë e kohëve të fundit?

Ai tregon se  më e vështira mbetet çështja e Norës nga Kosova. “Vështirësia buronte jo vetëm nga fakti se çështje ishte vërtet komplekse dhe se avokatët e saj të mëparshëm e kishin vështirësuar edhe më tepër me mënyrën e tyre të mbrojtjes – por sepse pasojat e humbjes do të ishin vërtet të dhimbshme për Norën për shkak të kushteve në të cilat ajo jetonte. Dhe në rast dështimi, jam i sigurtë që brengosja e humbjes do të qendronte me mua për shumë e shumë kohë pasi Nora do të vazhdonte të jetonte e zhytur në mjerim të vërtetë. Unë vërtet trishtohesha kur e imagjinoja. Jam shumë i lehtësuar që ajo çështje u mbyll me sukses dhe si pasojë kushtet e jetesës së Norës janë përmirësuar dramatikisht”, thotë Dauti.

Një pyetje për dyfishtë për avokatin: Si ndjeheni kur fitoni një betejë ligjore në favor të klientit, dhe e kundërta, si ndjeheni gjatë një beteje të humbur?

Edhe përgjigja ka dy anë: Natyrisht ndjehem i gëzuar dhe mbi të gjitha i çliruar, kur fitoj. Puna e avokatit është të merret me hallet dhe problemet e të tjerëve. Kur je avokat i dikujt, problemi i tyre bëhet edhe i yti. Si avokat, ku arrin të zgjidhësh problemin e klientit ndjehesh jo vetëm i gëzuar, por edhe i çliruar psikologjikisht pasi ke justifikuar besimin e klientit dhe nuk ke nevojë të jetosh më me hallin e tyre.

Kur e humb betejën? E kundërta ndodh kur humb, pergjigjet avokati. Ndjehesh i mërzitur dhe tepër i rënduar. Rëndohesh nga fakti se fillon të mendosh po sikur të kisha ndjek një strategji tjetër? Ndoshta rezultati do të ishte ndryshe. Futesh në një analizë pa fund për të gjetur shkakun e humbjes dhe fillon ta rijetosh çdo detaj të çështjes përsëri….ndryshimi më i madh mes fitores dhe humbjes është se humbjen nuk e harron dot dhe ndoshta për këtë arsye njeriu mëson shumë më tepër nga humbja sesa nga fitorja. Unë kam humbur vetëm gjyqin e parë të nisjes së karrierës time. Ajo ka qenë humbja e vetme deri tani në jetën time dhe, akoma mbaj mend çdo detaj të atij gjyqi të largët që i takon një kohë para 14 vitesh, por unë kam harruar shumë detaje nga çështjet që kam fituar qoftë edhe vitin e kaluar.

Sa mbeten miq me avokatin klientët?-, është pyetja tjetër që i drejtoj avokatit.

Përgjigja e tij: Shumë nga klientët më shkruajnë dhe më urojnë për festat e ndryshme dhe unë bëj të njëjtën gjë. Disa më dërgojnë kartolina dhe mesazhe felenderimi dhe mirënjohje edhe pse çështja e tyre është mbyllur vite më parë. Madje, Nora, klientja për të cilën folëm më sipër, vazhdimisht më shkruan mesazhe që mbarojnë me fjalët “të kam vëlla dhe kurrë nuk harroj çfarë ke ba për mua.” Një kliente tjetër, amerikane, më shkruan çdo vit një kartolinë ku më falenderon dhe shpreh mirënjohje se si mbyllja e çështjes me sukses i ka dhënë asaj një shans të dytë në jetë…

DAUTI,  NJË OPINIONIST I PREFERUAR PËR GAZETAT, REVISTAT, PORTALET

Shpesh, avokatit Dauti i kërkohen opinione, parashikime, vlerësime për çështje të bujshme që zënë faqet e  para të medias.Për çështjen shumë të përfolur të marrdhënieve të Ish Shefit të FBI, James Comey me presidentin Donald Trump, me 12 Maj 2017, Revista Hollywood Life, e intervistoi avokatin Ylber Dauti, lidhur me me ligjshmërinë e veprimeve dhe insinuatave të Presidentit Trump pasi ai kishte regjistruar bisedat telefonike me Drejtorin e FBI, James Comey, si dhe lidhur me mundësinë e fillimit, nga Kongresi, të procesit të shkarkimit të Presidentit. Opinioni i avokatit është botuar nga revista në portalin e saj online Hollywoodlife.com.

I kërkova avokatit, që të spjegonte për lexuesit thelbin e opinionit që i dha shtypit Amerikan lidhur me këtë çështje, që ënde është e dnjeshme dhe shumë delikate.

Përgjigja e tij: Siç dihet, Presidenti Trump shkarkoi Drejtorin e FBI. Ligji ia njeh këtë të drejtë Presidentit. Por ky shkarkim bëri shumë bujë pasi shefi i FBI, James Comey, po hetonte disa prej bashkëpunëtorve më të ngushtë të Trumpit. Arsyeja e këtij hetimi është dyshimi se disa nga këta individë, gjatë fushatës elektorale, kanë bashkëpunuar me agjentë dhe përfaqësues të qeverisë Ruse me qëllim që të sabotojnë fushatën e Hillary Clinton dhe të ndihmojnë Donald Trump të zgjidhet president. Shumë njerëz e akuzuan Trumpin se arsyeja e shkarkimit ishte frika që Trump kishte nga ky hetim. Presidenti Trump iu kundërpërgjigj akuzave me pretendimin se ai nuk kishte frikë nga ky hetim sepse vetë shefi i FBI e kishte garantuar Trumpin se ai nuk po hetohej. Në të njëjtën kohë Presidenti Trump bëri disa deklarata, që u intepretuan si kërcënime indirekte ndaj shefit të shkarkuar të FBI- së, në rast se ky i fundit do të mohonte pretendimet e Trumpit, atëherë Trumpi mund të publikonte kaseta, që do provonin se ai po tregonte të vërtetën dhe Comey po gënjente.

Këto deklarata të Trumpit lidhur me mundësinë e egzistencës së kasetave shërbyen si benzinë për gazin që ishte ndezur që nga momenti që Comey u shkarkua. Shtypi u vërsul të merrte opinionin e juristëve se nëse kaseta të tilla vërtet ekzistonin, ateherë a ishin të ligjshme këto regjistrime që Trumpi kishte bërë? Si dhe cilat ishin shanset që Kongresi të niste procesin e shkarkimit të Trumpit?

Shkurtimisht, opininoni që avokati Ylber Dauti i dha  gazetares së Hollywood Life ishte se është e ligjshme për Trump të regjistrojë bisedën telefonike me shefin e FBI nga Shtëpia e Bardhë ose nga shtëpia e Trumpit në Manhattan – pasi si Washingtoni edhe Nju-Jork-u e konsiderojnë të ligjshëm regjistrimin e bisedës telefonike nga njëra palë edhe pse pala tjetër nuk është në dijeni të faktit se po i regjistrohet biseda. Por në rast se Trumpi,i ka regjistruar bisedat nga shtëpia e tij në Florida, atëherë regjistrimi është i paligjshëm pasi shteti i Floridës kërkon që të dyja palët të jenë në dijeni të faktit se biseda po regjistrohet, përndryshe regjistrimi konsiderohet i paligjshëm.Ndërsa për pyetjen: Nëse egziston mundësia e nisjes së procedurave nga Kongresi për shkarkimin e Presidentit Trump, avokati Dauti i tha gazetares se ai mendon se shanset nuk janë aspak realiste në këto momente. Vetëm në qofte se do të zbulohet evidence e vërtetë që Trumpi ka bashkëpunuar me Rusët për tu zgjedhur president ose ka evidencë se Trumpi shkarkoi shefin e FBI për të sabotuar hetimin FBI po i bënte Shtëpisë së Bardhë – atëherë ekziston mundësia e hapjes, nga Kongresi, të procesit për shkarkimin e Presidentit Trump. Këshilla e avokatit Dauti është kjo: Njerëzit duhet të jenë realistë, se për sa kohë Republikanët në Kongresin dhe Senatin Amerikan i qëndrojnë besnik Trumpit atëherë shanset për shkarkimin e Trumpit janë zero pasi Kongresi dhe Senati kontrollohen nga Republikanët dhe pa votat e një numri të konsiderueshëm kongresmenësh dhe senatorësh republikanë është e pamundur të shakarkohet Presidenti Trump edhe sikur të gjithë kongresistët dhe senatorët demokratë të votojnë për shkarkimin e tij.

Avokati Dauti është  intervistuar nga kjo revistë edhe më parë,ku i është kërkuar të jepte opinione dhe të bënte parashikime për çështje që janë pasqyruar gjërësisht në shtypin Amerikan dhe ndërkombëtar. Kështu psh ishte rasti gjatë Lojrave Olimpike në Brazil, ku notari olimpik Amerikan me fame boterore Ryan Lochte dhe 3 pjestarët e tjerë të skuadrës u përfshinë në incidentin e natës së 14 gushtit 2016.

E pyes avokatin:- Sa i qëndroi kohës interpretimi dhe parashikimi juaj – se atletët olimpik Amerikan do të përballen vetëm me akuzën e “kallzimit të rreme te një krimi dhe nuk do të akuzoheshin  për kryerjen e ndonjë krimi tjetër.”?

Përgjigja: Parashikimi u bë realitet pas një jave. Unë u intervistova me 18 Gusht dhe me datën 25 Gusht autoritetet Braziliane zyrtarisht shpallën aktakuzën e “kallzimit te rreme të një krimi” ndaj Lochte dhe shokëve të tij.

Një pyetje tjetër për një tjetër intervistë që ai ka dhënë për mediat amerikane dhe aziatike:- Avokat, i qëndroni ende mendimit që keni dhënë për portalin Chinatimes.com lidhur me çështjen e pasagjerit që u tërhoq zvarrë dhe u dëbua forcërisht nga avioni i kompanisë United Airlines? Ju jeni cituar të keni thënë se  e kaluara e tij nuk duhet të ketë ndikim në procesin gjyqësor dhe të drejtën e tij për tu kompensuar. Madje ju keni parashikuar se kompania ajrore “United” nuk do ta çonte çështjen në gjyq por të dyja palët do të arrinin një marrëveshje me pajtim.

Përgjigja e avokatit:-E vërteta është se parashikimi im tashmë është vërtetuar. United Airlines ra në dakortësi ta zgjidhë çështjen me pajtim dhe pa proces gjyqesor. Unë u intervistova, 2-3 ditë pas incidentit, që u pasqyrua gjërësisht nga mediat amerikane dhe ato të huaja, sidomos ato aziatike për shkak të origjinës etnike të pasagjerit, David Dao. Në atë kohë disa gazeta dhe portale kishin filluar të përhapnin informacione për të kaluarën kriminale të pasagjerit që ishte tërheqë zvarrë nga avioni dhe njerëzit po hidhnin baltë mbi të kaluarën e tij, që padrejtësisht dhe barbarisht, ishte dëbuar nga avioni edhe pse kishte paguar biletën dhe nuk kishte thyer asnjë rregull. Unë isha i sigurtë që kjo mund të ishte një strategji për të frikësuar pasagjerin që të pranonte një shumë sa më të vogël dëmshpërblimi dhe se pavarësisht se ai ishte dënuar më parë – një fakt i tillë nuk do të influenconte mendimin e jurisë në gjyq pasi videoregjistrimi pasqyronte një skenë barabare dhe të pa tolerushme për shoqërinë moderne amerikane. Prandaj pavarësisht prej presionit dhe zhurmës, kompania ajrore  United Airlines gjithësesi ra dakort ti ofroji atij një shumë të madhe parash dhe ta mbyllë çështjen pa gjyq. Unë isha i sigurtë që një gjë e tillë do të ndodhte pasi sa më gjatë që çështja të vazhdonte të ekzistonte, aq më shumë do të diskutohej në publik për të dhe aq më i madh do ishte dëmi që do vuante United Airlines për shkak të publicitetit të keq. Siç e kemi parë të gjithë në televizor, videoklipi i pasagjerit duke u tërhequr zvarrë nga avioni ishte tepër i shëmtur për tu shfaqur para jurisë dhe jam i sigurtë se do ta emociononte  dhe nxiste jurinë që ta ndëshkonte United Airlines shumë rëndë. Prandaj, më vjen mirë që parashikimi im i bërë në Muajin Prill – 2017, dhe i pasqyruar gjërësisht në gazetat,portalet amerikane, kineze dhe vietnameze – u bë realitet në muajin Maj, pra brenda një muaji.

New York, Maj 2017

Filed Under: Featured Tagged With: Avokati Ylber Dauti, dalip greca, ne eliten Amerikane

Elbasan: Tre shtëpi të zotit – fqinjet e mirëkuptimit fetar

June 3, 2017 by dgreca

NGA LINDITA ARAPI*/

Shqipëria ka shumë probleme, por një gjë e kanë arritur mjeshtërisht shqiptarët: Respektin për fenë tjetër, pranimin si pjesë e mozaikut kulturor. Elbasani është shembulli i tolerancës, por a mund të rrezikohet sot ajo?

Religion in Albanien (DW/Lindita Arapi)Elbasan

Kur Gëzim Karaj, imami i Xhamisë Mbret në Elbasan gjatë rrugës për në shtëpi sheh At Nikolla Markun, priftin e kishës ortodokse në lagjen Kala, ai ndal makinën, e merr me vete priftin e lodhur nga mosha e sëmundja dhe vazhdon rrugën. „Kjo është normale për ne, jetojmë në një lagje. Ne diskutojmë me dëshirë me njëri-tjetrin, sigurisht që kemi mënyrën tonë si besojmë në zot, por kjo nuk ka pse na ndalon që të kemi marrëdhënie të mira ndërnjerëzore.”

Kisha e Shën Mërisë, e ku At Nikolla mban meshën e tij, dhe xhamia, ku predikon imami janë vetëm pak metra larg njëra-tjetrës në lagjen Kala. Kisha ortodokse, një nga objektet e kultit më të vizituara në Shqipëri, kisha e vjetër katolike, si edhe xhamia Mbret e ndërtuar nga fundi i shekullit të XV dokumentojnë historinë e Shqipërisë, ku u ndeshën Perëndimi dhe Lindja. Nga pergola e kishës ortodokse mund të shohësh edhe muret e kishës së vjetër katolike me rite bizantine. Për vite me radhë këtu mbajti meshën Josif Papamihali, nga Papa i shpallur para një viti si martir i kishës katolike.

Religion in Albanien, Elbasan (DW/Lindita Arapi)At Nikolla Marku

Harmonia fetare – Eksporti më i mirë shqiptar

Ish-drejtori i Komitetit të Kulteve dhe njohës i fesë, aktualisht aktiv në fushën e bamirësisë, Ilir Hoxholli thotë se Elbasani është një model i shkëlqyer i tolerancës fetare. “Nuk është e pazakontë të shohësh në Elbasan një prift katolik, një imam apo një prift ortodoks tek pinë bashkë kafe në lokalet e kalasë”, thotë ai. Kjo afri mes feve në Shqipëri “është eksporti më i mirë që ka vendi për të ofruar”, thotë ai. Madje edhe politika shqiptare mund të marrë një shembull nga mirëkuptimi mes feve.

Tradita e tolerancës

Tre shtëpi të zotit jetojnë si fqinje të mira pranë njëra-tjetrës në kalanë e Elbasanit, muret e së cilës të ndërtuara nga romakët, të shkatërruara në shekuj u rindërtuan sërish nga osmanët. Banorët e qytetit ecin të qetë përpara tyre, me natyrshmërinë e atyre njerëzve që diversitetin e shohin si pjesë normale të jetës. Jo larg shtëpive të zotit ka kaluar edhe e famshmja “Via Egnatia”, që lidhte Romën me Bizantin. Në këtë qytet kanë kaluar nëpër histori popuj, kultura, e fe të ndryshme, që kanë lënë gjurmët e tyre dhe mendësinë e multikulturalitetit.

Religion in Albanien (DW/Lindita Arapi)Lagjja Kala

At Nikolla Marku qëndron ulur në bordurën e bardhë nën gjethet e rrushit. Besimtarë hyjnë në kishë, qëndrojnë pak e presin të përshëndesin priftin e sëmurë. Por edhe miqtë myslimanë më pyesin, thotë ai. “Kjo harmoni, ky përqafim i feve është një dhuratë për ne. Por ne nuk bëjmë gjë tjetër, veçse vazhdojmë traditën e të parëve tanë. Unë jam rritur me rrëfenjat e një besimi të thejshtë, të qartë, të pastër.” Sëmundja ka lënë gjurmë tek At Nikolla Marku, të cilit i dridhet zëri kur flet, por kur kujton njërën nga momentet më të bukura të jetës së tij si prift, ai ndryshon. “Kur ra komunizmi e duhej të hapeshin shtëpitë e besimit, njerëzit në Elbasan nuk shkuan veçmas në kishë apo xhami, por të gjithë së bashku i hapën kishën dhe xhaminë. A nuk është mrekulli kjo?”

Kjo harmoni fetare nuk është e re në Elbasan, ajo vjen si traditë nga historia e këtij qyteti. Përgjegjësi për mediat i bashkisë së Elbasanit dhe kreu i Unionit të Gazetarëve të Qarkut, Besim Dybeli thotë se „kjo tolerancë qëndron në rrënjët e Elbasanit, një qytet fillimisht i fesë greko-ortodokse, pastaj iu shtua edhe feja myslimane. Këtë e tregojnë edhe emrat sot. Disa ende kanë emrin ortodoks dhe mbiemrin mysliman. Kjo bashkëjetesëi fetare ka ardhur nga historia e përbashkët. Ne e kemi parë veten njëherë si shqiptarë, pastaj si myslimanë apo të krishterë”, thotë ai.

Religion in Albanien (DW/Lindita Arapi)Imami Gezim Karaj

Nga bashkëjetesa në dialog

Këtë bashkëjetesë pozitive mes katër feve të përfaqësuara, asaj myslimane, ortodokse, katolike dhe bektashinjve, Elbasani e ka ngritur në një nivel tjetër. Në këtë qytet është ngritur e para Qendër e Bashkëpunimit Ndërfetar në Shqipëri (QBNFE). Aty përfaqësohen të gjitha fetë për të çuar përpara dialogun. Koordinatori i kësaj qendre, Sokol Lulgjuraj i besimit katolik është i bindur se „bashkëjetesë ka pasur gjithmonë, por jo dialog.”Kjo qendër e ngre mirëkuptimin ndërfetar në një nivel tjetër, në atë të bashkëpunimit përmes aktiviteteve të përbashkëta”, thotë Sokol Lulgjuraj.

Zyrat e Qendrës ndodhen në ish-hotel Turizmin e Elbasanit, në qendër të qytetit. Kryetari i qendrës, Dr. Arben Ramkaj i besimit mysliman dhe koordinatori Sokol Lulgjuraj bisedojnë për arsyet e marrëdhënies paqësore mes feve në Shqipëri. „Shqiptarët kanë jetuar gjithmonë mes Lindjes e Perëndimit. Kjo është unike, ata janë europianë në shumë tradita, dhe kanë ruajtur urat e komunikimit me Europën. Identiteti ynë multifetar ka karakter të theksuar kombëtar, thotë ai. Prandaj Elbasani si model gati unik, i suksesshëm mund të përhapet në rajon e më tej në këto kohë të trazuara, thotë Ramkaj me krenari.

Religion in Albanien (DW/Lindita Arapi)Kryetari i QBNFE, Dr. Arben Ramkaj dhe koordinatori, Sokol Lulgjuraj

Rreziku ekziston

Por a ka rrezik që kjo harmoni të pësonte krisje? “Nganjëherë vihen re tendenca të elementëve ekstremistë”, thotë Besim Dybeli, „por tradita e tolerancës fetare është shumë më e fortë se këto persona” është i bindur ai.

Dr. Arben Ramkaj kërkon megjithatë që zhvillime të tilla të shihen me vëmendje. “Ne e dimë që njëra nga pesë gjuhët zyrtare të IS-it është edhe shqipja. Kjo tregon për rëndësinë që i jep ai rajonit tonë, ku ka shumë myslimanë. Edhe nga Shqipëria e Kosova ka pasur persona që kanë shkuar në Siri të luftojnë. Prandaj Këshilli i Teologëve myslimanë përpiqet të bëjë të qartë gjithmonë që duhen dalluar zhvillimet gjeopolitike nga feja.” Arben Ramkaj thekson rolin pozitiv të klerit shqiptar për të krijuar një besim me karakter kombëtar. E në Elbasan ky karakter manifestohet në anën e tij më të mirë: Që feja mund të bashkojë  dhe jo të ndajë.(DW)

Filed Under: Featured Tagged With: elbasan, Linda Arapi, Tre shtepite e Zotit

Maqedoni: Qeveri e re, probleme të vjetra

June 3, 2017 by dgreca

Pas një krize të stërzgjatur politike dhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Maqedonia më në fund ka një qeveri të re. Shpresat për një fillim të ri janë të mëdha, por edhe më të vështira janë sfidat për ndryshim./

Nga Boris Georgiveski/

Mazedonien Kabinett von Premierminister Zoran Zaev im Parlament in Skopje (Getty Images/AFP/R. Atanasovski)

Tri të shtëna nga një armë zjarri u dëgjuan në Shkup më 1 qershor, vetëm disa orë pasi ministrat e qeverisë së sapozgjedhur morën përsipër postet e tyre. Kjo ishtë një tentativë për vrasje, personi i synuar ishte Nikolla Todorov, ministër i Shëndetësisë në qeverinë e kaluar të VMRO-DPMNE. Todorov e mbijetoi sulmin i padëmtuar.Në shkurt të vitit 2015 ministri Todorov u kritikua pas vdekjes tragjike të nëntëvjeçares Tamara Dimovska, që nuk i dha leje për t’u kuruar jashtë vendit. Gjyshi i vajzës mori tani armën dhe e shkrepi drejt Todorovit. Tamara u bë si simbol lufte kundër korrupsionit të lartë në Maqedoni.

Shteti i korruptuar

“VMRO e ka helmuar shoqërinë duke ushqyer një nacionalizëm të tmerrshëm etnik. Qeveria e re tani duhet me zgjuarësi të qetësojë situatën në vend dhe jashtë vendit” tha njohësi i mirë i Ballkanit dhe deputeti i SPD-së në Bundestag Josip Juratovic. Ai vazhdoi se “kriza politike tani për tani mbaroi, por kriza ekonomike dhe sociale mbeten ende”. Fakti që disa orë pas zgjedhjes së qeverisë ka pasur tentativë për vrasje kundër një ish-ministri paralajmëron qartë detyrën e vështirë që ka përpara Kryeministri Zoran Zaev.

Mazedonien Premierminister Zoran Zaev im Parlament in Skopje (picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski)

Sulmi ndaj parlamentit dhe ndaj deputetëve më 27 prill, shfaqi edhe një herë që korrupsioni i lartë ka mbërthyer të gjitha instucionet e shtetit duke përfshirë edhe forcat e sigurisë.

Borxhi i lartë

“Kriza e gjatë e formimit të qeverisë tani mori fund. Por që krizat në Maqedoni perfundimisht kanë mbaruar, nuk e besoj dot”, kështu u shpreh për DW, Tobias Flessenkemper drejtori i Programit të Ballkanit në Qendrën Ndërkombëtare Evropiane (CIFE) në Nicë të Francës. Ai gjithashtu shtoi: “Do jetë një detyrë shumë e madhe dhe e vështirë, për të sjellë ndryshime sociale dhe për t’i kaluar problemet që u shfaqën vitet e fundit”.Përveç problemeve shoqërore, askush nuk mund të përshkruajë gjendjen reale ekonomike të shtetit. Deri në 5 milardë euro ka arritur borxhi i shtetit gjatë këtyre tetë viteve të fundit, ku në qeveri ka qenë Gruevski dhe partia e tij.

Mosmarrëveshja mbi emrin

Si pengesë kryesore për integrimet në BE dhe NATO mbetet mosmarrëveshja për emrin me Greqinë. Që nga viti 2008 Greqia vazhdimisht bllokon proceset e Maqedonisë për inegrimet në BE dhe NATO, për shkak të emrit.Raportuesi për Maqedoninë në Bundestagun gjerman, Torsten Frei është i mendimit se çdo gjë tani është në duart e qeverisë së re. “Gjermania dhe BE-ja së bashku mbështesin pozicionin e Maqedoninë, dhe nëse ka progres në bisedime, unë jam i sigurt se presioni ndaj Greqisë për çështjen e emrit vazhdimisht do të rritet” tha Frei për DW. Dhe theksoi që është shumë herët për të hapur negociatat për anëtarësim në BE “pasi gjatë konflikteve politike vendi ka bërë hapa mbrapa në çështjen e integrimit. Së pari Maqedonia duhet të tregojë sinjale ndryshimi” – tha Frei.(DW)

Filed Under: Featured Tagged With: Maqedoni: Qeveri e re, probleme te vjetra

Monedhat virtuale arrijnë në Kosovë

June 3, 2017 by dgreca


1 EURO KOSOVE
Nga Nadije Ahmeti*/Monedha virtuale është shtrirë edhe në Kosovë, thonë ekspertë për çështje financiare. Kjo monedhë e quajtur ndryshe, Bitcoin, ekziston vetëm në rrjetet informatike, por me anë të së cilës mund të kryhen transaksione, sikurse me paranë e vërtetë.Monedhat virtuale, paraqiten në shumë forma, në fillim si monedha brenda lokaleve të lojërave kompjuterike online, media sociale, dhe më vonë janë zhvilluar si mjete pagese që pranohen në jetën reale.Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këto monedha janë paraqitur edhe në tregun e Kosovës.“Në tregun e Kosovës ka marrë përmasa paraqitja e saj dhe blerja nga ana e klientëve të ndryshëm. Dhe, realisht, këmbimi apo blerja me këtë, bëhet vetëm përmes marketeve dhe dyqaneve të ndryshme, ku këmbehet,por jo si valutë e prekshme”.

“Shumë persona apo individë kanë filluar t’i blejnë këto valuta virtuale. Realisht, kjo është një lloji valute që nuk ka një burim të saktë dhe në vetvete përmban rreziqe, sa i përket qytetarëve dhe individëve të ndryshëm”, thotë Keqa.

Në anën tjetër, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, (BQK), në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se në Kosovë nuk ka instrument ligjor që e rregullon përdorimin e parave virtuale.

“Si rrjedhoje e kësaj, nuk ka njohuri nëse ka ndonjë biznes të vendosur në Kosovë, i cili ofron mundësinë e blerjes dhe përdorimit të këtyre llojeve të parave virtuale”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Por, në një komunikatë për media, të enjten Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i ka paralajmëruar qytetarët lidhur me përdorimin e mundshëm të parave virtuale në Republikën e Kosovës.

Në komunikatë thuhet se përdorimi i këtyre parave nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.

Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale i njofton Banka Qendrore se nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura.

Por, Flamur Keqa, thotë përdorimi i valutave digjitale paraqitet si konkurrencë për valutat reale që i përdorim në jetën e përditshëm, rrjedhimisht është sfidë edhe për Bankat Qendrore.

“Kështu që, kjo paraqet një sfidë për rregullatorët, Bankat Qendrore në gjithë botën. Dhe, ata duhet të përqendrohen dhe fokusohen që të përcaktojnë rreziqet e saj dhe mundësisht të punojnë në drejtim që mos të ketë ndonjë pasojë për ata që hyjnë në treg me blerjen e këtyre valutave”, shpjegon Keqa.

Aktualisht, thuhet në komunikatën për media të Bankës Qendrore të Kosovës, është rritur mundësia e përdorimit të monedhave virtuale si mjete pagese për mallrat dhe shërbimet gjatë realizimit të shitjeve me pakicë, restorante dhe lokale argëtimi. Këto transaksione shpesh nuk shkaktojnë ndonjë tarifë ose ngarkesë, dhe nuk përfshijnë bankat.*Europa e Lire

Filed Under: Ekonomi Tagged With: arrijnë në Kosovë, Monedhat virtuale

SHBA, 5 Qershor, Organizohet ceremonia e pranimit të Malit të Zi në NATO

June 3, 2017 by dgreca


1 Mali i Zi NATO
Ne Foto: Një mbështetëse e NATO-s në Mal të Zi me flamurin amerikan/
 Nënsekretari amerikan i shtetit, Thomas Shannon, do të jetë mikripitës i ceremonisë, me të cilën mirëpritet anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, më 5 qershor, ka njoftuar dje Departamenti amerikan i shtetit.Në këtë ceremoni, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, zyrtarisht do ta depozitoj të ashtuquajturin “instrument të pranimit”, duke e bërë Malin e Zi anëtarin e 29 të aleancës.Në ceremoni do të marrë pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i aleancës veriatlantike, Jens Stoltenberg.Pas kësaj ceremonie, flamuri i Malit të Zi do të valojë për të parën herë në selinë e NATO-s, më 7 qershor.“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të mbështes integrim më të madh, reformë demokratike, tregti, siguri dhe stabilitet, me të gjithë fqinjët e vet”, tha Departamenti amerikan i shtetit, dhe ka shtuar se ky pranin, po ashtu, “e riafirmon tek vendet e tjera aspirante se dera e NATO-s mbetet e hapur për ato vende, që janë të gatshme të bëjnë reforma të domosdoshme për arritjen e standardeve të larta të NATO-s, dhe t’i pranojnë rreziqet, përgjegjësitë dhe, po ashtu, përfitimet nga anëtarësimi

Filed Under: Kronike Tagged With: 5 Qershor, ceremonia ne SHBA, Mali i Zi ne nATO

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1971
  • 1972
  • 1973
  • 1974
  • 1975
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT