• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Beogradi, i gatshëm që t’i viktimizojë serbët e Kosovës

January 17, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi: Serbia po llogaritë në Rusinë për ndarjen e Kosovës/

1-Thaci-300x192

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se provokimet e Serbisë ndaj Kosovës janë pjesë e “skenarit të vjetër për ndarjen e një pjese të Kosovës”.

“Serbia llogaritë në ndihmën e Rusisë dhe kjo ishte arsyeja pse një tren i Rusisë ishte nisur nga Beogradi për në Kosovë. Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka ishte e planifikuar”, ka thënë Thaçi.Kërcënimet e Serbisë me luftë, ka shtuar Thaçi, janë dëshmia më e mirë e ekzistimit të këtij skenari, që si qëllim ka aneksimin, e më pas edhe ndarjen e kësaj pjese të Kosovës (pjesa veriore).“Kërcënimi i vetëm për serbët e Kosovës, është atëherë kur Serbia i përdorë ata për realizimin e qëllimeve të saj”, ka shtuar Presidenti i Kosovës.Beogradi, sipas tij, është i gatshëm që t’i viktimizojë serbët e Kosovës për t’i realizuar synimet e veta politike e ushtarake, ashtu siç ka vepruar në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni dhënë urdhër që të mos lejohet hyrja e trenit nga Serbia në Kosovë, ndërkohë Serbia e akuzoi Kosovën që luan lojëra lufte, madje edhe presidenti i Serbisë ka thënë që është i gatshëm ta dërgojë ushtrinë në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë. Për fillim, kush po luan këtu lojëra lufte dhe a janë serbët aq të rrezikuar siç po thotë Nikoliqi?

Hashim Thaçi: Treni ilegal propagandues është një pretekst i Serbisë për të destabilizuar situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Ky veprim nuk paraqet një risi për sjelljen e Serbisë në relacion me Kosovën sepse Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën si territor të saj. Sigurisht që nga ky provokim i radhës i Serbisë dhe provokime të tjera që do të mund të ndodhin në të ardhmen janë pjesë e një skenari të vjetër të Serbisë për ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës, për të arritur këtë qëllim.

Serbia është duke llogaritur në ndihmën e Rusisë dhe kjo është arsyeja pse pikërisht një tren i dhuruar nga Rusia niset nga Beogradi për në Kosovë. Pra, asgjë nuk është ndonjë skenar i rastësishëm. Është gjithçka e planifikuar dhe e menduar nga Beogradi. Kërcënimi me thirrje për luftë nga ana e Serbisë, me arsyetimin se Serbia është e gatshme t’i mbrojë serbët e Kosovës, që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, është dëshmia më e mirë e ekzistimit të këtij skenari lufte në Serbi që si qëllim e ka aneksimin fillimisht dhe më pas ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës. Serbët e Kosovës gëzojnë të drejtat më të avancuara të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A duhet qytetarët e Kosovës të ndjehen të rrezikuar nga kjo që e flet dhe e bën Serbia?

Hashim Thaçi: Kërcënimi i vetëm për sigurinë e serbëve të Kosovës është vetëm përdorimi i tyre nga ana e Serbisë për realizimin e skenarit për destabilizimin apo ndarjen e Kosovës. Serbët e Kosovës i kanë të garantuara liritë dhe sigurinë e tyre në mënyrë të barabartë sikur të gjithë popujt e tjerë. Asnjë kërcënim nuk iu ka ndodhur në të kaluarën dhe asnjë kërcënim nuk do të ndodhë në të ardhmen qytetarëve të komunitetit serbë në Kosovë nga ana e shumicës shqiptare.

Serbët e Kosovës janë vetëm të rrezikuar nga manipulimi i politikës së Beogradit për qëllimet e tyre ekspansioniste, fillimisht të aneksimit të kësaj pjese të territorit të Kosovës dhe pastaj bashkëngjitjes së kësaj pjese të territorit të Kosovës – Serbisë. Pra, Serbia është e gatshme të sakrifikojë dhe të viktimizojë qytetarët e komunitetit serbë që jetojnë në Kosovë për qëllimet e tyre politike dhe ushtarake, siç i ka manipuluar dhe viktimizuar e sakrifikuar qytetarët serbë edhe në Kroaci dhe në Bosnje.

Radio Evropa e Lirë: Si ndikon kjo retorika dhe e Serbisë kohët e fundit ndërmjet dy shteteve në kohën kur ndodhë të arrihet një normalizim i marrëdhënieve?

Hashim Thaçi: Jetojmë në shekullin e 21-të, dhe kjo është periudha e paqes dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Fjala luftë duhet të hiqet nga fjalori i retorikës nacionaliste në Serbi. Sot, Serbia po e kërcënon Kroacinë, po e kërcënon Bosnjën dhe Hercegovinën, po e kërcënon Malin e Zi, po e kërcënon Kosovën. Është bërë adresa e kërcënimit për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si kryeqytet nxitës, Beogradi si kryeqytet nxitës i trazirave të reja në Ballkanin Perëndimor.

Kërcënimi me luftë nga lidershipi më i lartë në Serbi duhet të jetë shqetësues për çdo njeri të zakonshëm. Duhet të konsiderohet tepër alarmuese edhe për NATO-n edhe për Bashkimin Evropian. Pavarësisht kësaj situate të tensionuar, unë e ftoj Serbinë për dialog, për paqe, për bashkëpunim ndërfqinjësor si rruga e vetme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjërë.

Kështu, nëse Serbia thërret për luftë, Kosova thërret për paqe. Nëse Serbia thërret për ndarje territoriale dhe etnike, atëherë Kosova thërret pët integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni reagimin apo vëzhgimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj kësaj situate, që ka ndodhur?

Hashim Thaçi: Këtë skenar të vjetër të ndarjeve territoriale nga ana e Serbisë, që e ka riaktualizuar, e njeh shumë mirë bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, jam i bindur që nuk do të mund të realizohet sepse ne së bashku me NATO-n, institucionet e Kosovës do të garantojnë sigurinë e qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj.

Radio Evropa e Lirë: SI e shihni ardhmërinë e dialogut? Keni thënë disa herë se duhet të reformohet, sa është i mundshëm suksesi i këtij procesi nëse nuk ekziston një sinqeritet?

Hashim Thaçi: Dialogu duhet të vazhdojë. Në vend të kërcënimit, unë ftoj për paqe. Në vend të konfrontimit, ftoj për dialog. Në vend të raporteve të ndara ndërfiqnjësore, ftoj për fqinjësi të mirë që do të dërgonte drejtë një normalizimi të raporteve tona ndërshtetërore dhe një pajtimi në bazë të vlerave dhe standardeve euroatlantike. Dialogu nuk ka alternativë. Duhet të vazhdojë, pavarësisht krizave dhe incidenteve ditore.

Radio Evropa e Lirë: Sapo jeni kthyer prej SHBA-ve. Keni pasur atje disa takime me zyrtarë të ndryshëm. Çfarë prisni nga administrata e re e Trumpit? A keni pasur mundësi të vëreni çfarë qasje kanë ndaj Ballkanit apo ndaj Kosovës?

Hashim Thaçi: Unë jam takuar me zëvendëspresidentin Biden, me shumë kongresmenë, senatorë, “think-tanke”, me shumë institute të ndryshme. Kam njoftuar për progresin e arritur në Kosovë dhe për hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen. Kam falenderuar administraten e presidentit Obama dhe zëvendëspresidentit Biden. Kosova është në rrugë të sigurtë, është në rrugë të drejtë, në rrugë të ngadhnjimit të vlerave euro-atlantike.

Nga vizita ime e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe relacionet e reja që kemi filluar të ndërtojmë me administraten e re të presidentit Trump, mund të themi lirisht dhe me besim të plotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Trump, administrata e tij, do ta ruaj vëmendshëm kujtesën për Kosovën, për Ballkanin Perëndimor, pra do ta ruaj, do ta ketë në vëmendje të theksuar zhvillimet edhe në Kosovë, edhe në Ballkanin Perëndimor, dhe përspektivën euro-atlantike të këtyre vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Thaçi, nëse mund të kthehemi edhe njëherë në veri, sipas disa shkrimeve që janë dal në media serbe. A ka të drejtë ROSU të shkojë në veri?

Hashim Thaçi: Unë si president i Republikës së Kosovës, si komandant suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës, si përgjegjësi numër një për ruajtjen e rendit, të sigurisë, tërësisë terroritoriale, kam kërkuar prej të gjitha institucioneve të vendit që, në përputhshmëri me Kushtetën, ligjet, hiearkinë shtetërore të shfrytëzohet i tërë potenciali në shërbim të ruajtjes së paqes, stabilitetit, integritetit territorial.

Prandaj, e tëra është, i tërë angazhimi është i bazuar në Kushtetën dhe ligjet e Kosovës. Duke mos vepruar dhe lejuar që të ndodhin gjëra çfarë planifikon Serbia, atëherë nënkupton mos interesim dhe shkelje kushtetuese dhe ligjore. Ndërsa veprimi është respektim i Kushtetuës dhe ligjeve.

Radio Evropa e Lirë: A bën të mundësohet edhe shkuarja e FSK-së në një kohë të caktuar në veri?

Hashim Thaçi:

Unë e theksoj, i tërë angazhimi do të jetë i përbashkët, i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare. Do të jetë i koordinuar vetëm në ato përkushtime që çojnë në forcimin e paqes, në forcimin e stabilitetit, në integrimin e të gjitha komuniteteve, në jetën e sigurt të çdo qytetari dhe i ftoj të gjithë serbët e Kosovës, edhe ata në veri, që ta ndijnë vetën të sigurtë. Ata jetojnë në atdheun e tyre, jetojnë në shtëpinë e tyre, jetojnë në një përspektivë të së ardhmes së sigurt dhe shteti i Kosovës do të kujdeset për të gjithë në mënyrë të barabartë.

Gjithashtu i ftoj që të mos bëhen pjesë e manipulimit për pretekst të destabilitetit të Kosovës dhe të raporteve ndërfqinjësore. Nuk dëshiroi që në asnjë rrethanë që serbët e Kosovës, në veçanti ata në veri të viktimizohen për aspiratat e politikës nacionaliste apo ekspansioniste të regjimit të Beogradit.

Përgatiti: Artan Haraçia

Filed Under: Politike Tagged With: Beogradi, i gatshëm, që t'i viktimizojë, serbët e Kosovës, Thaci

Hoxhaj:Treni, pjesë e politikës agresive të Serbisë ndaj Kosovës

January 16, 2017 by dgreca

-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxha, takon Quintin dhe 16 diplomatë tjerë të BE-së dhe rajonit: Veprimet e Serbisë në raport me Kosovën, kanë treguar se Serbia dëshiron të nisë konflikte të reja. Mirëpo, kurdo që të kemi provokime të reja, Kosova është e gatshme të përgjigjet në mënyrë shtetërore duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj/

1 Hoxhaj

PRISHTINË, 16 Janar 2017-B.Jashari/ Treni ilegal nga Beogradi drejt Mitrovicës është pjesë e politikës agresive të Serbisë ndaj Kosovës, tha sot ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj. Ai ka takuar sot në një drekë pune ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë, si dhe Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Shefen e EULEX-it.Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka thënë se treni propagandues që Serbia ka dashur ta fusë në Kosovë nuk është ngjarje e izoluar por pjesë e një politike agresive dhe të zgjeruar të Serbisë në raport me Kosovën. Por, sipas tij, Kosova do t’i përgjigjet kësaj politike të papranueshme.“Treni nuk është një ngjarje e izoluar, por është pjesë e një politike agresive dhe të zgjeruar të Serbisë në raport me Kosovën, të cilës Kosova do t’i përgjigjet duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, ka thënë Hoxhaj, cituar në njoftimin e MPJ kosovare.Sipas Hoxhajt, Serbia ka zgjeruar gamën e provokimeve në raport me Kosovën dhe institucionet e Kosovës janë të shqetësuara për situatën në veri të vendit.Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i vendeve mbështetëse të Kosovës për provokimet dhe sjelljet destruktive të Serbisë, thekson njoftimi i dërguar.Në një njoftim tjetër të dërguar bëhet e ditur se, ministri Hoxhaj ka vazhduar me takimet informuese me vendet mbështetëse, ku ka takuar mbi 16 diplomatë të BE-së dhe rajonit, të akredituar në Kosovë, për t’i informuar në lidhje me provokimet e reja të Serbisë në raport me Kosovën.Hoxhaj tha se me veprimet e fundit në raport me Kosovën, Serbia ka treguar se dëshiron të nisë konflikte të reja. Ai theksoi se Kosova do t’i përgjigjet çfarëdo provokimi duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial e shtetëror të saj.“Veprimet e Serbisë në raport me Kosovën, kanë treguar se Serbia dëshiron të nisë konflikte të reja. Mirëpo, kurdo që të kemi provokime të reja, Kosova është e gatshme të përgjigjet në mënyrë shtetërore duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, ka thënë Hoxhaj gjatë takimit.Çështja e trenit ilegal, arrestimi i Haradinajt dhe deklaratat nacionaliste të liderëve serbë, sipas Hoxhajt, janë pjesë e një game në rritje të provokimeve, të Serbisë ndaj Kosovës. Ndërkohë, Hoxhaj theksoi se institucionet e Kosovës janë të shqetësuara për situatën në veri të vendit.Hoxhaj ka takuar edhe shefin e UNMIK-ut dhe shefin e OSBE-së në Kosovë, në një takim të ndarë.

Filed Under: Komente Tagged With: agresive të Serbisë, Hoxhaj:Treni, pjesë e politikës

Kosovë-Ministria e Financave prezanton Pakon e re Fiskale para Odes Amerikane

January 16, 2017 by dgreca

-Drejtori Ekzekutiv Arian Zeka tha se Oda Ekonomike Amerikane vazhdimisht ka qenë e zëshme për nevojën e finalizimit të pakos fiskale duke kërkuar futjen në fuqi të pushimeve tatimore dhe zgjerimin e listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore/

1 oda-Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti prezantoi Pakon e re Fiskale dhe njëkohësisht falenderoi anëtarët e Odës Amerikane për inputin e tyre/ PRISHTINË, 16 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Për t’u informuar rreth Pakos së re Fiskale dhe përmbajtjes së saj si dhe rreth programit të reformave ekonomike, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një ngjarje me Ministrin e Financave Avdullah Hoti, Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës Fahri Gashi dhe  Qemajl Marmullakaj Drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik nga Zyra e Kryeministrit.Drejtori Ekzekutiv Arian Zeka tha se Oda Ekonomike Amerikane vazhdimisht ka qenë e zëshme për nevojën e finalizimit të pakos fiskale duke kërkuar futjen në fuqi të pushimeve tatimore dhe zgjerimin e listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore. Zeka përsëriti se Oda Ekonomike Amerikane do të kerkojë me ngulm edhe rifunksionalizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, si një mekanizëm i rëndësishëm për trajtimin e pavarur në shkallë të dytë të ankesave të bizneseve karshi ATK-së dhe Doganës.Ministri i Financave Avdullah Hoti prezantoi Pakon e re Fiskale dhe njëkohësisht falenderoi anëtarët e Odës Amerikane për inputin e tyre. Ministri Hoti theksoi se kjo pako përfshin shtatë masa bazike administrative të cilat kanë për qëllim lehtësimin e të bërit biznes në vend. Pakoja merr parasysh, mes tjerash, kërkesën e Odës Amerikane për zgjerimin e listës së lëndëve të para të liruara nga tatimet doganore, Udhëzimin Administrativ për pushimet tatimore si dhe rregullimin ligjor të çështjes së humbjeve.Drejtori i Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri tha se orientimi i ATK-së është në thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e komunikimit me tatimpaguesit, duke theksuar se ky institucion është duke punuar drejt ofrimit të një kanali të ri të komunikimit me tatimpaguesit e mëdhenj.  Ndërsa, Qemajl Marmullakaj nga Zyra e Kryeministrit prezantoi hollësisht programin e reformave ekonomike të cilat do t’i dorëzohen Komisionit Evropian në fund të këtij muaji./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ministria e Financave, oda amerikane, Pakon e re

REALIZIM I REFORMËS NË DREJTESI KËRKON V. ZHITIN PRESIDENT DHE S. NGJELËN KRYETAR TË GJYKATËS KUSHTETUESE

January 16, 2017 by dgreca

Opinion nga Thanas L. Gjika/
Situata parazgjedhore mjaft e nderë tregon se Partia Socialiste, që kryeson sot qeverinë e Republikës së Shqipërisë i ka kurdisur planet pa marrë parasysh kërkesat e opozitës e në vecanti ato të të përndjekurve të ndërgjegjes, forcës më brilante të shoqërisë sonë. Mirëpo rëndësia që kanë posti i Presidentit dhe ai i Kryetarit te Gjykatës Kushtetuese për ecurinë e reformës në drejtësi, na shtyn të shprehim disa mendime pse personalitete të shquar të opozitës shqiptare nga radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, si shkrimtari i talentuar Visar Zhiti dhe analisti i mprehtë avokati Spartak Ngjela duhet të caktohen dhe të zgjidhen sa më parë në postet e rëndësishme të Presidentit dhe të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.Deri sot të përndjekurit e ndërgjegjes janë mbajtur larg nga pushteti, prandaj Shqipëria është kthyer në një vend prej të cilit duan të ikin të gjithë të rinjtë, sepse aty mungon morali dhe vlerësimi i së vërtetës, sepse këtë mund ta sjellin vetëm ata që kanë vuajtur prej diktaturës komuniste dhe jo ish komunistët, ish sigurimsat e bijtë e tyre që kanë veshur rroba blu ose rozë.
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, nëse do vërtet të realizojë reformën në drejtësi duhet pa tjetër të luftojë për të sjellë në postet e duhura njerëz që do ta ndihmojnë me ndershmëri për ecurinë e kësaj reforme.
VISA ZHITI, është intelektuali i shquar me bindje të thella demokratike, nga radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, shkrimtar shumë i talentuar, i vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Me veprat e tij të shumta letrare dhe gazetareske ka zënë vendin e shkrimtarit më prestigjoz të ditëve tona, është rast ideal dhe i pakonkurueshëm për t’u propozuar dhe zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë.
Visar Zhiti
Zgjedhja e këtij personaliteti shqiptar, që ngjan aq shumë me Vaclav Havelin e Republikës Çeke, do të krijonte një imazh tjetër për Shqipërinë në planin ndërkombëtar, kurse në plan kombëtar do të tregonte se partitë politike, sidomos PS-ja, po ecin drejt emancipimit.

SPARTAK NGJELA është avokat nga profesioni, ka njohuri të thella shkencore në shkencat juridike dhe historike. Ai ka shkruar analizat më të thella në plan juridik e filozofik për të metat dhe krimet e diktaturës komuniste. Ai është një nga analistët më aktivë për ecurinë e reformës në drejtësi. Përgatitja e tij e shumanshme si jurist, historian e filozof e bëjnë këtë personatitet, që vjen nga radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, një person të pakonkurueshëm për t’u caktuar dhe zgjedhur në postin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Duke zgjedhur të tillë personalitete me formim të lartë demokratik në postet që sugjeruam, reforma në drejtësi do të ecë shpejt dhe Shqipëria do të bëhet atdhe i dashur për të gjithë shqiptarët. Edhe në Shqipëri do të mbizotërojë kultura perëndimore europiane e individualitetit dhe e personalitetit të ndershëm.
Attachments area

Filed Under: Komente Tagged With: Gjykates Kushtetuse, kryetar, Spartak Ngjela, Visar Zhiti-President

GËZUAR DITËLINDJEN MARTIN LUTHER KING!

January 16, 2017 by dgreca

  1-frank-300x2121Martin Luther King

Nga Frank Shkreli/- Foto nga fjalimi I Martin Luther Kingu-t me 28 gusht, 1963, në të cilin ai bëri thirrje për dhënjen fund të racizmit dhe për të drejta civile dhe ekonomike në SHBA, para një turme prej më shumë se 250,000 vetash në Washington…/

Në Shtetet e Bashkuara, e hëna e tretë e Janarit është festë federale në kujtim të Martin Luther King-ut, priftit protestan dhe aktivistit të të drejtave civile të gjysëm shekullit të kaluar. 15 Janari i këtij viti shënon 88-vjetorin e lindjes së tij në qytetin Atlanta të shtetit Xhorxhia në vitin 1929.  Përpjekjet për të caktuar një festë federale në kujtim të këtij amerikani të madh të të drejtave civile, kishin filluar menjëherë pas vrasjes së tij në vitin 1968. Por ishte Presidenti Ronald Reagan ai i cili më në fund e nënshkroi ligjin në vitin 1983, duke caktuar të hënën e tretë të Janarit si festën federale kombëtare kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Martin Luther King-ut. Kjo ditë festohet tani në të gjitha 50-shtetet amerikane.    Në Amerikë dhe anë e mbanë botës, Martin Luther King-u njihet si krye-zëdhënsi dhe mbështetsi i aktivizmit dhe i protestave paqësore të Lëvizjes së tij për të Drejtat Civile në këtë vend dhe në mbarë botën.  Ishte kjo një lëvizje — protestat paqësore e të cilës, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara — kishin për qëllim zhdukjen e diskriminimeve ndaj afrikano-amerikanëve, në pothuaj të gjitha nivelet federale dhe shtetërore.   Ishte në përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqsi kryesor i kesaj lëvizjeje, që nepërmjet protestave paqësore të lloj-llojshme, t’i jepte shpresë, dhe më në fund të siguronte pasuesit dhe mbështetsit e Lëvizjes së tij – si të bardhë ashtu edhe afrikano-amerikanë — të pakën mundësinë për të marrë pjesë në të ashtuquajturën, “ëndërrë amerikane.”

Në këtë pëvjetor dhe në të gjithë përvjetorët e mëparshëm të ditëlindjes së Martin Luther Kingut, natyrisht se kujtohen fjalime, momente, protesta e demonstrata të udhëhequra nga prijsi i Lëvizjes paqësore për të drejtat civile, e të cilat janë pjesë e festimeve që shënohen në komunitete të ndryshme, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara.  Por mbi të gjitha këto, gjëja që mbahet mend dhe që shënohet nga historia, si ndër më të rëndësishmit, është fjalimi i vitit 1963 i Martin Luther Kingut në Washington, fjalim që konsiderohet si fillimi i ndryshimeve për gjithmonë të ligjeve mbi të drejtat civile në këtë vend, një fjalim ky që gjithashtu i bëri jehonë kësaj lëvizjeje paqësore, jo vetëm në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës.

Ky fjalim, i cili konsiderohet si ndër fjalimet më të famshme në historinë amerikane u mbajt me 28 gusht, 1963 në përmbyllje të të ashtquajturit, “Marshimi në Uashington”, në të cilin kishin marrë pjesë mbi 250-mijë marshues nga të gjitha shtresat dhe racat e shoqërisë amerikane.  Dr. Martin Luther Kingu mbajti fjalimin e tij të famshëm para monumentit të presidentit Abraham Linkolnit në Uashington. Ky marshimi ishte pa dyshim demonstrata më me rëndësi në historinë e lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, dhe fjalimi i Martin Luther Kingut ishte kulmi i atij marshimi. Thirrja e protestuesve ishte “për punë e për liri” dhe për të drejta të barabarta, por ishte toni i shpresës në fjalimin e Martin L. King-ut ai që, sipas historianëve, e dallon atë fjalim klasik dhe për këtë ai mbahet mend dhe kujtohet në çdo përvjetor të lindjes dhe jo vetëm atëherë.  Thuhet se Martin Luther Kingu e kishte përgatitur më përpara fjalimin me shkrim për këtë rast të rëndësishëm, megjithëse ai rrallë herë, sipas tyre, i shkruante fjalimet dhe predikimet e tija, por fliste gjithmonë pa letër. Por pjesën më të rëndishme, për të cilën ky fjalim mbetet në histori, ai nuk e kishte të shkruar më përpara. Atje nga fundi i fjalimit, thuhet se ai kishte larguar mënjanë fjalimin e përgatitur më parë dhe i drejtohet turmës me këto fjalë: “Unë u them ju sot miqë të mi se ndonëse përballemi me vështirsitë e mëdha të sodit dhe të nesërmës – unë gjithnjë ëndërroj.  Është këjo një ëndërr që i ka rrënjët e saja thellë në ëndërrën Amerikane.  Është një ëndërrë, se një ditë jo të largët, ky komb do të zgjohet dhe do të jetojë sipas nenit kryesor të kushtetutës, se ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si provë dhe dëshmi se të gjithë njerërzit janë krijuar me të drejta të barabarta.

Ishte shpresa biblike e Martin Luter Kingut, shpresë që pothuaj askush nuk mund t’a parashikonte atë ditë të nxehtë të gushtit të vitit 1963. Ishte e vështirë të parashikohej   – ndoshta edhe për vet Martin Luter Kingun — se, sot në Janar të vitit 2017, në përvjetorin e 88 të lindjes së tij, presidenti i tanishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me origjinë afrikano-amerikane, Barak Obama po i jep fund dy mandateve si president i Shteteve të Bashkuara, një ëndërr e Martin Luther Kingut që u bë realitet tetë vjetë më parë.

Fjalimi historik i Martin Luther Kingu-t ishte një fjalim që është vlerësuar nga historianët si plot pasion i cili edhe sot frymëzon njerëzit për t’u aktivizuar në mbrojtje të drejtësisë dhe është si një gjëmim kundër padrejtësisë. Por është njëkohësisht edhe një fjalim shprese, për një ditë më të mire, për të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë kudo.  Është këjo një thirrje e Martin Luther King-ut me një gjuhë biblike që mban të gjallë shpresën se e mira do ta mundë të keqen – fjalë të shqiptuara nga goja e një predikatori baptist protestan, por edhe e një udhëheqsi moral kombëtar, i cili tani me të drejtë e ka monumentin e tij ball për ball me monumentet e themeluesve dhe baballarëve të tjerë të kombit amerikan në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, në mirënjohje të kontributeve të tij në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile në këtë vend i dhe nëmbarë botën.  Ky është një testament historik që kombi amerikan kujton të hënën e tretë të çdo janari, testament, mesazhi i të cilit   nuk vdes kurrë.  Festimi i Ditës së Martin Luther King-ut si një festë federale është gjithashtu një rast për tu kujtuar amerikanëve dhe sidomos enteve zyrtare federale dhe shtetërore – detyra e të cilave është mbrojtja e të drejtave të barabarta për të gjithë — që të mbështesin dhe të ruajnë gjithmonë të drejtat civile të të gjithë qytetarëve pa dallim race, feje ose origjine.

Në të vërtetë sot Dita e Martin Luther King-ut, më shumë se çdo gjë tjetër na kujton gjithashtu se Shtetet e Bashkuara si shoqëri dhe si shtet nuk kanë qenë dhe as nuk janë një vend i përsosur, pa probleme etnike, raciale e tjera. Përkundrazi, por ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të tjera, ashtu siç ka thënë në një fjalim edhe Presidenti Obama para disa vitesh në Moskë, “Është angazhimi dhe mbështeja e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë dhe si rrjedhim, bëhemi më të fortë.  Liria e fjalës dhe e drejta për të protestuar ka bërë të mundur që femërat dhe pakicat të demonstrojnë në favor të të drejtave të plota dhe të barabarta për të gjithë, në një kohë kur ato iu mohoheshin këto të drejta.”  Presidenti Obama theksoi, se “Zbatimi i ligjit dhe administrimi i drejtësisë ka rrëxuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i ka dhënë fund abuzimit të pushtetit.  Media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë edhe qeverinë.”    Zgjedhjet e lira, tha Presidenti Obama, “na mundësojnë që të ndryshojmë drejtimin dhe të mbajmë përgjegjës udhëheqsit tonë për punën e tyre që bëjnë ose nuk bëjnë.  Nëqoftse demokracia jonë amerikane nuk do të mbronte dhe njëkohësisht të avanconte këto të drejta — atëherë unë si afrikano-amerikan nuk do të kisha mundësi që në këtë moment të historisë tu drejtohem ju si shtetas amerikan dhe aq më pak si President i Shteteve të Bashkuara. Sepse në kohën e themelimit të Amerikës, personat si unë (me ngjyrë) nuk kishin të drejta …por falë këtij procesi, unë jam sot para jush si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Presidenti Barak Obama në një fjalim mbajtur në Moskë në vitin 2009.

Gjëja, pra që dallon Amerikën nga vendet e tjera, nuk është së Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht nuk kanë bërë gabime dhe shkelje të të drejtave civile, mbrenda dhe jashtë vendit.  Përkundrazi, por ajo që e dallon Amerikën nga shumë vende të tjera është se ajo i pranon gabimet historike kundër bashkqytetarëve të vet dhe kundër të tjerëve.  Përpiqet të mësojë nga këto, të korigjojë mangësitë dhe gabimet dhe të vazhdojë të mbështesë parimet dhe vlerat universale të të drejtave të barabarta themelore të njeriut, për të gjithë pa marrë parasyshë dallimet raciale, fetare ose të origjinës. Ky mesazh mishërohet gjithnjë dhe më së miri në trashëgiminë e Martin Luther King-ut, në këtë ditë të përkujtimit të veprës dhe jetës së tij.

 

 

                      

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Gezuar ditelindjen, Martin Luther King

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2262
  • 2263
  • 2264
  • 2265
  • 2266
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT