• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prizren-DokuFest hap aplikimet për edicionin e 16-të

December 6, 2016 by dgreca

-Në kërkim të veprave të reja të cilat eksplorojnë kufijtë, e sfidojnë publikun, eksperimentojnë me stil dhe teknikë apo frymëzojnë me kreativitet/1-doku-ok

PRIZREN, 6 Dhjetor 2016/ Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest në Prizren deklaroi sot se ka hapur thirrjen për aplikim për edicionin e  16-të. Afati i fundit për aplikim është dita  e premte, 28 shkurt, 2017. 1-dokufest-prizren“Ftojmë të gjithë autorët e dokumentarëve, filmave të shkurtër, animacioneve dhe filmave eksperimentalë të aplikojnë me filmat e tyre për edicionin e 16-të të DokuFest, që do të mbahet nga data 4 deri më 12 gusht 2017 në Prizren, Kosovë. Ne jemi në kërkim të veprave të reja të cilat eksplorojnë kufijtë, e sfidojnë publikun, eksperimentojnë me stil dhe teknikë apo frymëzojnë me kreativitet”, thekson DokuFest.Edicioni i 15-të jubilar i Festivali Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar në Prizren në verën e këtij viti u mbajt nga 5 deri në 13 gusht. Në DokuFest 2016 u shfaqen 238 filma nga 57 shtete të botës, mes tyre Shqipëria e Kosova, që janë përzgjedhur nga një numër rekord – mbi 5 mijë aplikime.DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: Doku fest, edicioni 16, nisin aplikimet

Regjisori Jotti Ejlli, një yll në ngjitje

December 6, 2016 by dgreca

1-jotti-ejlli

 

Nga Mimoza Dajçi/

M.D – Përshëndetje Z. Ejlli, gëzohem që jemi së bashku në këtë bisedim artistik, për të folur rreth kinematografisë shqiptare. Ju edhe pse i ri në moshë, keni arritur sukses si kineast. Si ja dolët, kujt ja dedikoni këto arritje?

Jotti Ejlli – Përshëndetje Mimoza edhe unë ju falenderoj për këtë bisedë, por është akoma herët për të folur për suksese, janë gjëra të vogla që bëhen të mëdha me kalimin e kohës. Ndonëse mosha më tregon të ri, unë kam mbi 12 vite që jam pjesë e skenës artistike. Ose më saktë prapaskenës artistike. Çdo gjë i dedikohet viteve të gjata shkolle dhe pune.

M.D – Si lindi tek ju pasioni për artin skenik?

– Jotti Ejlli – Kam qenë gjithmonë i tërhequr nga arti, duke filluar që në moshë të vogël me dhuntinë time për pikturën, pasionin për muzikën dhe prodhimet kinematografike me të cilat unë kam ndarë një pjesë të madhe të fëmijërisë dhe adoleshencës. Pavarsisht pasjonit tim për muzikën nuk ishte dëshira ime që të profilizohesha në një fushë të veçantë.Pasioni im dalë nga dalë u shëndërrua duke krijuar mundësitë për të tjerët që të shfaqin talentet e tyre. Unë isha inicjator i shumë evenimenteve artistike në qytetin tim të vogel duke nxjerrë shumë talente që më pas hynë dhe në skenën kombëtare shqiptare. Kuptova që më pëlqente të isha pas skenës dhe të organizoja të tjerët me qëllimin për të argëtuar publikun. Me kohën kuptova që mënyra e shprehjes së artit tim ishte të qëndroja pas skenës, ose në rastin konkret pas kameras.

M.D – Pas shkollës së mesme në Shqipëri, ju ndoqët studimet në Universitetin e Firences (Itali) dega kinematografi. Pse u përqëndruat pikërisht në këtë fushë, menduat se këtu mund të shkëlqenit si artist?

Jotti Ejlli – (Disiplinat e Artit të Muzikës dhe Spektaklit) ishte dega ku unë u magjepsa dhe e ndoqa me shumë interes. Më interesonte të dija çdo detaj të artit në përgjithësi, gjatë viteve të studimeve kuptova që pasjoni im dhe ku gjeja më shumë veten ishte Kinemaja. Pasion të cilin e ndoqa duke ndjekur profilizimin në Kritikën e Kinemasë.Pas diplomimit u regjistrova në një shkollë profesionale për filmmaking, për të thelluar më shumë dijet e mija në këtë fushë.Kinemaja si arti i 7-të është për mendimin tim forma më e madhe e shprehjes artistike.

M.D – Duke mos lënë në harresë muzikën, ju në Itali Jotti studjuat edhe për muzikë, a menduat se muzika do t’ju shërbente për një përsosmëri të bukur mes filmit me muzikën?

Jotti Ejlli – Muzika padyshim më ka skalitur shumë shqistat, më saktë kur unë punoja si DeeJay dhe vendosja muzikën për qindra njerëz që unë nuk i njihja, ishte detyra ime që të argëtoheshin. Ndjesi e emocioneve që të jep kjo punë nuk mësohet në shkollë dhe pothuajse në asnjë vend tjetër. Me kalimin e viteve unë krijova një ndjesi perceptimi të ndjenjave të shumë njerëzve pa komunikuar në mënyrë direkte me to. Dhe ky është ndjesia e ritmit. Dhe është pikerisht ritmi pika ime me e forte ne prodhhimet kinematografike, ritmi i tregimit të ngjarjes, ndërthurja e saj me muzikën dhe sekuencat e imazheve.

M.D – Filmi juaji i parë është “Rosso Fuoco”. Film i cili arriti të mbërthente audiencën pa frymë përballë ekranit të vogël. Si u ndjetë pas këtij realizimi?

Jotti Ejlli – “Rosso Fuoco” ishte një detyrë që duhet të kryeja, praktikisht diçka që po e tregoja prej shumë kohësh me fjalë por që nuk kuptohej mjaftueshëm idea. Kishte nevojë që mendimet të ktheheshin në imazhe. Prodhimi u mirëprit nga audienca e cila është gjithmonë e vëmëndshme kur bëhet fjalë për forcën e kinemasë, për atë emocion që vetëm kjo fushë mund të përcjellë. Unë u ndjeva i kënaqur dhe i konfirmova vetes vazhdimin e përcjelljeve të emocioneve në këtë fushë.

M.D – Shumë të rinj shqiptarë pasi kanë përfunduar studimet jashtë, kanë preferuar të qëndrojnë përsëri atje. Po ju, pse u kthyet në atdhe? A shikonit ndonjë dritë jeshile në horizontin e punës tuaj krijuese? Apo nëse më lejohet arsye familjare?

Jotti Ejlli – Shqipëria është një vend që ka nevojë për njerëz që të vazhdojnë trashëgiminë kulturore. Besoj fort se kinematografia shqiptare ka shumë për të dhënë. Ne jemi një popull me një shumëllojshmëri kulturash. Vetë pozicioni gjeografik i Shqipërisë bën që të jemi pothuajse një nga vendet e veçanta ku ndërthuret kultura lindore dhe ajo perëndimore, por me baza shumë të hershme autoktone.Kthimi në Shqipëri ishte rezultat i shumë faktorëve, po mbi të gjitha është nevoja e zbulimit të brendshëm artistik ku çdo artist me kalimin e kohës duhet ta gjejë dhe ta amplifikojë. Dhe mendoj që unë këtë “un” artistik duhet ta gjeja në Shqipëri.

M.D – Shumë shpejt do të vinte tek ju filmi “Hije”, ku në nëntor të vitit 2015, Qendra Kombëtare Kinematografike në Tiranë do t’ju suportonte në një konkurs me një shumë të konsiderueshme të hollash. Çfarë ishte për ju ky film, sa i rëndësishëm ishte për audiencën shqiptare veçanerisht?

Jotti Ejlli – Hije sjell realitetin shqiptar duke reflektuar në të kaluarën. Unë kam jetuar për shumë vjet jashtë Shqipërisë dhe ndoshta këtë realitet e shoh në një mënyrë më të ftohtë. “Hije” sjell një hishtori shqiptare në një gjuhë filmike të pa exploruar në Shqipëri. Realizimi i një filmi thriller në Shqipëri është akoma një eksperiment i cili do vlerësohet nga publiku.Prodhimi kinematografik kalon në disa faza shumë komplekse dhe ka shumë nevojë për mbështetje financiare. Por kur është dëshira vullneti dhe puna, një zgjidhje gjendet gjithmonë.

Projekti nisi me mbështetjen e Kinostudio “Dardan” e cila propozoi projektin në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë për ndihmë financiare. Dua të them që forca e skenarit e bëri projektin të vazhdonte në hapa të sigurtë, ku aktorët elitë të Shqipërisë pranuan të ishin pjesë e projektit ndonëse buxheti ishte shumë i vogël.

Një ndihmë e madhe erdhi dhe nga bashkëpuntorët e mi në Itali, të cilët iu përgjigjën kërkesës time për një bashkëpunim. Mbështetja e madhe erdhi nga SAE Institute Milano e cila mundësoi disa hapa deçiziv të realizimit të filmit.

M.D – A mund të njihemi me personazhet kryesore të këtij filmi dhe nga kush interpretohen ato?

Jotti Ejlli – Personazhet janë karaktere të veçantë të cilët janë sjell në jetë nga një kastë mjaft prestigjoze aktorësh. Kam patur nderin të bashkëpunoj me profesionistët si Alfred Trebicka, Gent Kame, Eglantina Ceno, Sokol Angjeli, Kastiot Shehi si dhe aktorë të rinj që vijnë për herë të parë në ekran, por kanë surprizuar me talentin e tyre, Antonio Kowdrin, Kol Kunora etj…

M.D – Po artistë të huaj, kanë qenë protagonistë të filmit tuaj?

Jotti Ejlli – Jo të gjithë artistët ishin shqiptarë.

M.D – A mendoni se filmi “Hije” ishte një produksion i mirëfilltë i juaji si regjisor i ri?

Jotti Ejlli – Hije është një film i mirëfilltë indipendend. Ka një gjuhë shumë të qartë kinematografike dhe një forcë të madhe në përcjelljen e idesë. Pavarësisht se më sipër përmenda buxhetin e vogël, në prodhimin e filmit nuk kam bërë asnjë kompromis në humbjen e kualitetit teknik dhe human. Filmi është realizuar në të gjitha parametrat filmike botërore. Ishte një sfidë e përditshme me kohën, por në fund çdo lodhje paguhet.Artisti s’është asnjëherë i kënaqur me punën e tij, por kinemaja ka të përfshirë shumë faktor. Unë e shoh këtë prodhim me këmbë në tokë dhe jam mëse i kënaqur me produktin e realizuar.

M.D – Pak kohë më parë ju Z. Ejlli ishit i ftuar në Javën e Festivalit të Filmit Shqiptar në New York, ku ishit fitues i dy Çmimeve?

Jotti Ejlli – Në Javën e Filmit Shqiptar në New York ishte Rosso Fuoco i cili mori dy çmime. Çmimin e kolonës zanore më të mirë, dhe surpriza ime e madhe, ishte Çmimi e publikut. Them surpriza e madhe sepse filmi ishte në gjuhën Italiane, nuk e prisja të përcillej kaq fort mesazhi. Jam ndjerë vërtet shumë i nderuar dhe i emocionuar, sepse misioni i një filmi është të përcjellë një ndjenjë, dhe kur kjo vlersohet nga publiku mund të them që është vlersimi më i madh që mund të marrësh.

M.D – Cili është regjisori apo regjisoria juaj e preferuar shqiptare, qoftë edhe e/i huaj?

Jotti  Ejlli – Të flasësh për kinematografinë shqiptare është pak delikate, sepse prodhimet para ’90 kanë pasë një ngurtësim në shprehje, pra sado që kanë shumë vlerë për kohën, nuk mendoj që regjisorët kanë dhënë një mendim të plotë mbi perceptimin e tyre.Preferencat e mia janë ato produkte filmike ku regjisorët e kanë kaluar cakun e përcjelljes thjeshtë të imazheve. Më pëlqen kinematografia simbolike dhe metaforike, filmi komunikon në mënyrë direkte dhe indirekte me publikun. Mund të përmend këtu të gjithë fimografinë e Stanley Kubrick.

  1. D – A mendon se filmografia shqiptare ka avancuar, si e sheh prespektivën e saj?

Jotti Ejlli – Mendoj që është akoma herët, kinemaja shqiptare nuk ka avancuar me hapin e kohës. Pas viteve ’90 u ndje një frymë e kthimit në prodhimin e filmave neorealist. Ishin vitet kyçe ku në botë kishte një boom në zhvillimin e zhanerave të ri kinematografik, me mundësitë e teknikave që erdhën në ato vite. Dëshira për tu kthyer në prodhimin e filmave Neorealist që fqinjët tanë i kishin prodhuar para 50 viteve nuk ndihmoi në zhvillimin e kinematografisë. Dhe pasojat ndjehen në çdo prodhim shqiptar të këtyre  25 viteve, sepse janë filma pa identitet. Mund të them në vendin e gabuar në Kohën e gabuar.

Një përgjegjësi e madhe është dhe sistemi arsimor në Shqipëri i cli, në mendimin tim, nuk ka avancuar me kohën por ka ngelur shumë shumë prapa. Unë jam shume dakort që duhet studiuar e kaluara dhe bazat e kinematografisë, por ato principe janë evoluar aq shumë saqë sot nuk i përgjigjen nevojave të prodhimit dhe kreativitetit.

M.D – Sa i ndjekur është filmi në Shqipëri, a tregohen dashamirës shqiptarët ndaj një produksioni vendas, krahasuar me atë të huaj në përgjithësi?

Jotti Ejlli – Fatkeqësisht kjo është pasoja më e madhe e mos-avancimit që përmendëm më sipër. Publiku sot ka një pafundësi zgjedhjesh në mbarë botën dhe nëse do ti tërheqësh vëmendjen duhet të flasësh me gjuhën që bota flet. Në Shqipëri Filmbërësit e kanë harruar publikun, dhe si pasojë publiku e ka harruar filmin shqiptar.

Më vjen shumë keq për këtë, dhe nëse kjo duhet të ndryshojë duhen mbështetur breza të rinj të cilët kanë dëshirë dhe kurajo për të eksperimentuar dhe ndryshuar gjërat. Edhe pse diçka ka filluar të nuhatet, akoma shikohet me skepticizëm ky ndryshim.

M.D – Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Jotti Ejlli – Planet janë të shumta, gjithmonë në prodhimin kinematografik. Një film i ri do fillojë së shpejti njëkohësish po punojmë fort në krijimin e kontakteve që të forcojmë prodhimin në Shqipëri dhe ti kthejmë vëmendjen studiove ndërkombëtare në mbështetjen e produktit shqiptar. Duhet punë dhe mbështetje, uroj të gjejmë gjuhen e duhur në Shqipëri që të kemi një zë më të fortë jashtë saj.

M.D – A e shikoni ju Z. Ejlli se një ditë në duart tuaja, mund të keni një “Oskar” si Dhuratë?

Jotti Ejlli – Nuk dua të tregohem modest, por synimi im nuk janë çmimet. Oskari për mua është çdo njeri që shkon në kinema dhe ndan kohën e tij me mua. Mund të ketë shumë arsye ku ti mund të marresh një vlerësim nga profesionistët, por çmimi më i madh që mund të marrësh është sinqeriteti I publikut të thjeshtë.

M.D – Faleminderit Jotti

Jotti Ejlli – Faleminderit edhe juve Mimoza

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bisedoi, Mimoza Dajci, një yll në ngjitje, Regjisori Jotti Ejlli

250-VJETË LIRI SHTYPI

December 6, 2016 by dgreca

1-frank-300x212Nga Frank Shkreli /1-akti-suedez

FOTO:   Akti suedez mbi Lirinë e Shtypit, i datës 2 dhjjtor,1766 Photo: Regeringen/

Kur flasim për historinë e lirisë së fjalës në botë, zakonisht mendojmë për lirinë e shtypit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku liria e shtypit mbrohet nga artikulli i parë i Kushtetutës së vitit 1791 të këtij vendi, së bashku me liritë e tjera themelore të njeriut.  Historikisht, mbrojtja e fjalës së lirë është përmendur edhe më heret, pikërisht në Magna Kartën britanike të vitit 1215 dhe në kohërat më moderne, në vitin 1948, Organizata e Kombeve të Bashkuara njohu zyrtarisht lirinë e fjalës si një e drejtë e njeriut, përfshirë në Deklaratën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, nënshkruar nga të gjitha vendet anëtare të organizatës botërore.  Ndërsa, ndër të parët që e ka pësuar për lirinë e fjalës thuhet të ketë qenë filozofi grek, Sokrati ai i cili sipas historisë është përsekutuar për një argument të vetëm në favor të promovimit të fjalës së lirë.

Por, pak veta mund ta dinë se është Suedia vendi që megjithse nuk përflitet shumë si vend shembull i mbrojtjes së fjalës së lirë dhe të lirisë së shtypit, por që në të vërtetë ka ligjin më të vjetër në botë, në mbështetje dhe në mbrojtje të lirisë së shtypit.  Megjithëse nuk përmendet shumë, Suedia është vendi i parë në botë — parlamenti i të cilës 250-vjetë më parë — pikërisht më 2 dhjetor të vitit 1766, miratoi   në nivel botëror, Aktin e parë në mbrojtje të Lirisë së Shtypit, duke anulluar njëkohësisht edhe censurën për të gjitha botimet e printuara, përfshirë edhe ato që vinin nga jashtë vendit.  Suedia pra, kishte miratuar aktin mbi lirinë e shtypit, ekzaktërisht 25 vjetë para se Xhejms Madisoni të përpilonte nenin e parë të Kushtetutës amerikane, në mbrojtje të fjalës së lirë.

Po e shënoj këtë fakt për rëndësinë që ky përvjetor ka për historinë e mbrojtjes së fjalës së lirë jo vetëm në Suedi, por në mbarë botën.  Dua të rrëfehem se megjithse përpiqem të ndjeki deri diku historinë dhe fatin e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, disi e kisha harruar 250-vjetorin e Aktit të parë në mbrojtje të Lirisë së Shtypit, miratuar nga parlamenti suedez më 2 dhjetor, 1766, derisa mora një ftesë (pak me vonesë) për të marrë pjesë në konferencën që kishte organizuar me këtë rast, Ambasada suedeze në Washington, në bashkpunim me entin privat amerikan Newseum.  Është ky një institut me qëndër në Washington, që merret me promovimin dhe mbrojtjen e shprehjes së lirë, të pesë lirive të Nenit të parë të Kushtetutës amerikane, përfshirë, lirinë e fesë, lirinë e fjalës, dhe lirinë e shtypit.  Ishte kjo një konferencë për të pasqyruar kontributin dhe ndikimin e ligjit 250-vjeçarë suedez në mbrojtje të fjalës së lirë, si dhe për të diskutuar gjëndje e lirisë së shtypit dhe mbi rëndësinë e rolit që luan sot liria e shtypit në botë.

Pjesëmarrsit në këtë seminar në Washington, ku morën pjesë gazetarë të njohur dhe diplomatë suedezë dhe amerikanë, diskutuan mbi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në fushën e komunikimit gjatë 250-viteve të kaluara, si dhe ndikimin që kanë sot mbi lirinë e shtypit, teknologjia e re dhe platformat e rrjetëve sociale në mbarë botën.

Në seminarin e mbajtur në Washington të premtën që kaloi, mori pjesë edhe Zëvëndës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall, e cila tha se, “Të dy vendet tona janë të vetdijshme se informacioni është si oksigjen për zhvillimin e një demorkacie”.  Pa lirinë e shtypit, shtoi ajo, nuk është e mundur që qytetarët të vlersojnë si duhet dhe të përballen me sfidat dhe alternativat për një qeverisje më të mirë.  Në vendet autoritare, vazhdoi ajo, gazetarët dhe qytetarët e thjeshtë  kanë pak ose aspak hapësirë për të shprehur lirisht mendimin e tyre, ndërsa ata që bëjnë një gjë të tillë, tha ajo, shpesh ushtrimin e të drejtës së lirisë së fjalës e paguajnë me burg ose me jetë.  Ndërsa në vendet në tranzicion ose në demokracitë e reja, theksoi diplomatja e lartë amerikane, Sarah Sewall, “Sfida nuk është nëse shtypi ka hapësirë për veprim ose jo, por se si shtypi në të vërtetë po e përdor këtë hapësirë për të informuar qytetarët e vet, me qëllim për të përforcuar standardet demokratike në vend”, ashtu që media të luaj rolin që i takon në zhvillimin e demokracisë, tha diplomatja amerikane.

Me këtë rast, ajo akuzoi Rusinë dhe Kinën se po përdorin internetin dhe rrjetët sociale për të postuar informacione falso dhe gjysëm të vërtetash, për realizimin e objektivave të tyre të vjetra propagandistike.  Zëvëndës Sekretarja Amerikane e Shtetit paralajmëroi duke thënë se do të vazhdojmë të përballemi me sfidat që paraqet lufta e gjithëanshme tekonologjike kundër lirisë së fjalës dhe të vërtetës, e sponsorizuar nga shteti – siç është rasti i Rusisë dhe Kinës.  Por, ajo shtoi se përgjigja jonë duhet të jetë, “Të luftojmë për të vërtetën, jo me mjetet tona të propagandës, por duke mbrojtur vendosmërisht median e lirë dhe demokratike, anë e mbanë botës.”

Ndërkaq, Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom shënoi 250-vjetorin e miratimit të Aktit në Mbrojtje të Lirisë së Shtypit, nga parlamenti suedez i kohës me një deklaratë të sajen.  Ashtu si edhe dipomatja amerikane, edhe kryediplomatja suedeze shfaqi shqetësimin e saj mbi gjëndjen e lirisë së shtypit sot në botë. “Është tepër shqetsues fakti se të drejtat dhe liritë themelore që ky Akt kishte për qëllim të mbronte, po kërcënohen sot gjithnjë e më shumë, në mbarë botën”.  “Në shumë vende”, shtoi Ministrja suedeze e Punëve të Jashtëme, “Demokracia dhe zbatimi i ligjit po minohen, të drejtat e njeriut po shkelen dhe natyra e tyre universale po mohohet.”  Me rastin e 250-vjetorit të miratimit të Aktit suedez në Mbrojtje të Lirisë së Shtypit, Ministrja suedeze e Punëve të Jashtëme bëri thirrje, “Për dyfishimin e përpjekjeve në mbështetje të shprehjes së lirë, të transparencës dhe të lirisë së medias si dhe për një mbështetje më të madhe ndaj medias së lirë dhe të pavarur anë e mbanë botës.”

250-vjetori i Aktit të Lirisë së Shtypit në Suedi — më i vjetri në botë — është një rast që duhet të na kujtojë se liria e shtypit në veçanti dhe liritë themelore të njeriut në përgjithësi, nuk mund të merren për asgjë.  Shumë veta kanë dhënë jetën në mbrojtje të këtyre lirive, për veten e vet dhe për bashkatdhetarët e tyre.  Këto vlera duhet të vlerësohen, të ruhen dhe të mbrohen si sytë e ballit.   Mbrotja e lirisë së shtypit dhe e fjalës së lirë, në vetvete, është një mbrojtje e vlerave themelore të një shoqërie transparente dhe demokratike.  Suedia është shëmbull në këtë fushë për shumicën e vendeve të botës, sidomos për demokracitë e reja dhe për vendet që janë duke kaluar gjithnjë nepër të ashtuquajturin tranzicion post-komunist!

 

                 

         

Filed Under: Opinion Tagged With: 250-VJETË LIRI SHTYPI, Frank shkreli

Banka Botërore në 16 vjet, 400 milionë dollarë amerikanë për Kosovën

December 6, 2016 by dgreca

Banka Botërore në 16 vjet, 400 milionë dollarë amerikanë për Kosovën/

unnamed-6 PRISHTINË, 6 Dhjetor 2016/ Banka Botërore që nga viti 2000, ka ofruar apo menaxhuar rreth 400 milionë dollarë amerikanë për Kosovën, nëpërmjet mëse 40 operacioneve, përfshirë përkrahjen në shëndetësi, arsim, reformën e tokës, bujqësi, sektorin e ujit, sektorin e energjisë, politikat sociale, sektorin financiar dhe të tjerë.Kështu tha sot në Prishtinë drejtoresha e BB-së për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein, në takim me Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti  dhe Industri të Kuvendit të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari Muhamet Mustafa. “Grupi i Bankës Botërore ka qenë një partner i qëndrueshëm i Kosovës në 16 vitet e kaluara, duke e  përkrahur rritjen ekonomike dhe rimëkëmbjen e pas-konfliktit, përfshirë edhe gjatë pavarësimit tuaj si shtet”, u shpreh drejtoresha Golddstein dhe siguroi për përkrahje edhe në të ardhmen. Ndërohë, gjatë ditës, Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore diskutuan për  Kornizën e Partneritetit të Vendit për vitet 2017-2021./b.j/

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 400 milione, Banka Boterore

Kosova pas njohjes përfiton nga Programi i Bashkëpunimit të Singaporit

December 6, 2016 by dgreca

enver-hoxhaj-vivian-balakrishnan-Kosova nga fuqia ekonomike zhvillimore e Singaporit do të fillojë të përfitojë menjëherë në shumë fusha, veçmas nga Programi i Bashkëpunimit i Singaporit (SCP)/PRISHTINË, 6 Dhjetor 2016/ Njohja e Republikës së Kosovës nga Singapori tashmë ka dhënë rezultatin e parë.  MPJ në njoftimin e dërguar thekson se, prej tash Republika e Kosovës nga fuqia ekonomike zhvillimore e Singaporit do të fillojë të përfitojë menjëherë në shumë fusha, veçmas nga Programi i Bashkëpunimit i Singaporit (SCP). Ky program është themeluar në vitin 1992 për të shërbyer si platformë primare, përmes të cilit Singapori ofron asistencë teknike për vendet e tjera. Singapori do të ndajë përvojën dhe ekspertizën e tij, në mënyrë të veçantë, në zhvillimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin ekonomik me Kosovën, duke ofruar specializime për nëpunësit publikë të Kosovës. Për  fillimin e zbatimit të këtij programi në Kosovë, që nga janari i vitit të ardhshëm,  janë dakorduar ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj dhe homologu i tij nga Singapori, Vivian Balakrishnan.

Nga ky program, Kosova çdo vit do të dërgojë nëpunësit civilë të saj për të marrë njohuri nga përvoja e Singaporit në zhvillimin ekonomik.Deri më sot, SCP ka trajnuar mbi 100.000 zyrtarë qeveritarë nga 170 vende. Çdo vit, Singapori realizon rreth 300 kurse specializimi për rreth 7.000 zyrtarë qeveritarë nga e gjithë bota. Specializimet ofrohen në një gamë  të fushave të tilla si, qeverisja publike dhe administrata, tregtia dhe zhvillimi ekonomik, mjedisi dhe planifikimit urban, aviacioni civil, transporti publik, arsimi, shëndetësia, si dhe teknologjia e informacionit dhe e komunikimit (TIK).Singapori javën që shkoi u bë vendi i 113 që e njohu Republikën e Kosovës dhe me të cilin u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Ministri Hoxhaj së shpejti pritet të realizojë një vizitë zyrtare në Singapor./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosova, perfiton, Programi i Bashkëpunimit të Singaporit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2343
  • 2344
  • 2345
  • 2346
  • 2347
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT