• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIRIMI NGA BURGU DHE LIDHJA SHPIRTËRORE ME GJYSHET

November 22, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

LIRIMI NGA BURGU DHE LIDHJA SHPIRTËRORE ME GJYSHET

NGA EUGJEN MERLIKA-

Jeta në burg është një gjymtim për njeriun. Privacionet e të gjitha formave, largësia nga familja, shqetësimi për të, rreshti disa herë në ditë, mendimi i të qenit pa faj aty brenda, të gjitha këto krijojnë një kompleks shpirtëror që e ngrys njeriun, e thinj para kohe, i errëson mendimin. Jo më kot Dostojevski e quante “shtëpi e të vdekurve”. Po ç’forcë e mban gjallë atë, që kur dënohet me njëzet vjet burg, po ta dijë se do t’i bëjë të gjitha çmendet ose vret veten? Ka vetëm një ilaç: shpresa, ajo i mban njerëzit të fortë, i bën t’i bëjnë ballë së keqes me gaz. Shpresa fillon tek njeriu që kur hyn në atë derë dhe e shoqëron gjatë gjithë kohës.

Kështu dhe ne në çdo festë prisnim lirimin, dhe momentit të parë të dëshpërimit për mungesën e tij ia zinte vëndin pritja me shpresë për festën tjetër. Kështu në nëntor 1982, Zoti i dha vullnetin e mirë Enver Hoxhës të dekretonte faljen e parë pas njëzetë vjetësh. Ajo falje më përfshinte dhe mua.

Jeta është një bashkësi e së mirës me të keqen. Gëzimin për lirimin nuk e ndjemë shumë ne që dolëm, sepse lamë në burg shokët tanë, me të cilët kishim kaluar çastet e dëshpërimit, dhimbjen për të afërmit e vdekur, kishim gjetur ngushëllim në fjalën e njëri-tjetrit e tani na dukej se po i tradhtonim duke i lënë aty, brenda telave.

U ktheva në shtëpi atë ditë nëntori të 1982-shit me kokën e qethur (zv.komandanti i kampit kish dhënë urdhër të prerë të qetheshim një javë para lirimit, megjithëse dihej ai vendim i marrë nga udhëheqja) me një trastë në dorë, me shikim të humbur në ato fusha, të cilat më kujtonin çaste pune të lodhshme e nën sytë kuriozë e me shprehje të ndryshme të njerëzve në autobuzë e në rrugë. Më dolën përpara njerëzit e shtëpisë, nëna u ul dhe puthi tokën, fëmijët m’u hodhën në qafë, babai më përqafoi, gruaja, kunati.Lotë, urime e pak gaz.

Dy vjet e gjysëm larg familjes, sa fatkeqësi e dhimbje kishin rënë mbi të, një periudhë tej së zakonshmes mbi shpatullat e atyre fëmijëve e pleqve. Vite të ngarkuara me sëmundje, vdekje, shtypje policore, urrejtje klasore, vështirësish të jashtëzakonshme jetese, mungese përkrahjeje. Më duhej tani të mbyllja shumë plagë, por a kisha fuqi? Veprimi i parë që kreva sapo zbrita nga autobuzi në Lushnjë ishte vizita te varri i freskët i gjyshes sime të mirë. Zoti nuk desh që t’i japë një gëzim në fund, lirimin tim. Para syve të mendjes ajo është e gjallë çdo ditë për mua, e kam dashur shumë, më shumë se prindërit, dhe pamja e fundit e takimit tonë më është ngulitur në tru. Erdhi e më takoi në hetuesi mbas dënimit tim, së bashku me fëmijët e vegjël, babanë e gruan. Më dha kurajo e më përsëriti pak a shumë ato fjalë që më thoshte dikur, kur unë i vogël qaja brenda në qeli, e ajo luftonte me policin jashtë.

Gjyshet e mia të nderuara, objektet e dashurisë, dhëmbshurisë së pafund, sa shumë u kujdesët për mua, sa shumë ndjenjë derdhët mbi mua, sikur deshët të kompensonit, ju, të vetmet, atë që bota dhe fati e jepnin me pikatore. Njëra më rriti me duart e saj, hoqi kafshatën nga goja e s’la të më dhimbte stomaku nga uria, më njohu ajo e para me historinë e tridhjetë vjetëve të paraluftës, me historinë e vërtetë të Vendit tim. Ajo ishte enciklopedi e gjallë, të fliste me detaje për figura të shquara historike, për burra të mençur, trima e fisnikë, të cilëve iu kishte nxjerrë aq shpesh kafe e u kishte shtruar tavolinën. Tregonte ndodhi e biseda nga më të ndryshmet, për Nolin e Ahmet Zogun, Avni Rystemin (kështu i thoshte ajo) e Abdi Toptanin, për Bajram Begun e Hasan Prishtinën, për Ndre Mjedën e Patër Gjergj Fishtën, për Zija Dibrën e Elez Isufm, për Stavro Vinjaun e Qazim Koculin, për Bazin e Canës e sa e sa burra të tjerë që ishin përpjekur t’i vinin themelet këtij kombi në vite të vështira. Por mbi të gjitha në kujtesën e saj spikaste figura e Gurakuqit, një burri që për nga fisnikëria e mençuria i kishte shokët e rrallë. Mua më kanë mbetur në mendje shumë episode e shije të tij që ajo i përmendte shpesh: “Eh moj Caje, ta ka fajin ky, duke treguar gjyshin tim, i kam thanë me kohë mos u marto, në Shqipni nuk bahet politika tue pasë familje”. Sa profetike, sa e mençur, sa e thellë kjo shprehje e atij burri që s’u martua kurrë e që pyetjes në lidhje me këtë gjë i përgjigjej: “Jam martue me Shqipninë”. Sa shumë i vërtetoi ky shekull këto fjalë, sa shtrenjtë i paguam, deri dhe unë pasojat e asaj jete politike të burrit të saj. Sa mbrapa qytetërimit mbeti shoqëria jonë, që shkarkoi tmerrësisht mbi gra e fëmijë të pafajshëm pasojat e pasioneve, ideve e të jetës politike të protagonistëve…

Figura e Luigj Gurakuqit më lidhte dhe me gjyshen tjetër, të venë e Sotir Gjikës, publicist e gazetar, drejtor i gazetës “Kuvendi” që botohej në Romë. Atë natë kobzezë të 2 Marsit 1925 Luigji, mbasi kishte ngrënë darkë në një restorant me një mikun e tij, i kishte thënë atij se do të shkonte te Sotiri, sepse i kishte premtuar vajzës së tij një kukull e do t’ia çonte. Por plumbi mizor nuk e la ta plotësonte premtimin ai burrë shpirtmadh. Mbi varrin e tij do të fliste Sotiri, por në pamundësi që të ngrihej nga shtrati, në vënd të tij foli gjyshja ime, e shoqja.

Gjyshja ime, që nuk mundi të më njihte deri sa vdiq, që gjithë jetën u rropat me mundim për të shkolluar dy fëmijët e saj jetimë, që sakrifikoi gjithçka për të ndërtuar një të ardhme për mua e së fundi vdiq duke ditur se Poçi i saj kishte përfunduar në burg. Mbas një viti ajo mori edhe dajën tim,dhe kështu për nënën time u shua dhe shpresa e fundit për të gjetur një shtëpi të sajën, me të cilën tashmë e lidhnin vetëm kujtimet dhe varret. Diktatura do të peshonte dhimbshëm në ndarjet e njerëzve, nëna ime u largua njëzet e tre vjeçe nga familja për të mos u takuar më me njerëzit e saj. Besoj se duhet të ketë një drejtësi hyjnore, para së cilës të përgjigjen ata që ndërtuan një rend të tillë gjërash…

Kthimi im në shtëpi duhej të rivendoste një minimum qetësie që mungonte gjatë viteve të burgut tim. Në vështirësitë e panumërta të këtyre dy viteve, familjes sime i kishin qëndruar pranë vetëm xhaxhai me të shoqen dhe familja e gruas. Vetëm ata më trokitën pa frikë në derën e Spaçit apo Zejmenit, u munduan me praninë e tyre të lehtësonin sadopak plagët. Në rrethana të tilla, fisnikëria e atij që të gjendet pranë, është një melhem që nuk ka të paguar me gjithë arin e botës. Prindërit dhe vëllezërit e gruas nuk e braktisën motrën në fatkeqësi, nuk i ofruan mundësinë e ndarjes, qoftë dhe formale, siç bënë qindra familje të tjera duke shkaktuar qindra drama me pasoja rrënuese për ndjenjat, personalitetin e botën shpirtërore të të burgosurve, fëmijëve e familjeve të tyre. Ata e mbështetën, e ngushëlluan, i qëndruan pranë motrës së tyre me kurajo e pa përfillur dhe rrezikun e mundshëm, që mund t’u vinte nga zhvillimi me konsekuencë i luftës së klasave prej njerëzve pa asnjë princip moral në vetvete. Këtyre njerëzve që dhanë provat e dashamirësisë në orët më të errëta të natës së gjatë të diktaturës, ju mbetem borxhli përjetë.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, Lirimi nga Burgu, Nje jete ne Diktature

A ËSHTË KY KRYEDIPLOMATI AMERIKAN NË ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT TË ZGJEDHUR XHO BAJDËN?

November 21, 2020 by dgreca

    Nga Frank Shkreli/

Ne foto: Nënpresidenti Joe Biden duke biseduar me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Tony Blinken ndërsa helikopteri i tyre zbret në Aeroportin e Prishtinës në Kosovë, të Premten, 22 Maj 2009./

Portali i lajmeve The Hill, me burime të besueshme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në qeverinë amerikane në Washington — njofton se Presidenti i zgjedhur Xho Bajdën ka emëruar tanimë Sekretarin (e ardhëshëm) Amerikan të Shtetit, ndërkohë që vazhdon përpjekjet për të përzgjedhur antarët e tjerë të administratës së tij të ardhëshme.  

Sipas portalit në fjalë, i cili citon një burim të mirë informuar me procesin e përzgjedhjes së kabinetit të ri, Z. Xho Bajdën ka vendosur të emërojë diplomatin veteran dhe bashkpuntorin e tij të ngusht, Z. Tony Blinken në detyrën e Kryediplomatit të ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara.  Sipas burimit në fjalë, pritet që Z. Bajdën të njoftojë, zyrtarisht, javën që vjen, të preferuarin e tij për Sekretar Amerikan të Shtetit.  

Disa burime të tjera thonë se Z. Bajdën po konsideron ish-diplomatin Tony Blinken edhe për detyrën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, por duket se të gjitha shënjat tregojnë se Z. Blinken do jetë Kryediplomati i ardhëshëm amerikan – një zyrtar që gëzon respekt nga të dy palët në Kongres – duke pasur gjithashtu parasysh se zyrtarët e lartë të administratës së ardhëshme duhet të miratohen nga Senati, i cili mund të kontrollohet nga republikanët për katër vitet e ardhëshme, diçka që do të vendoset përfundimisht me zgjedhjet për Senat, që do të zhvillohen në shtetin Xhorxhia, në janar 2021.

Kush është Tony Blinkey? Sipas biografisë zyrtare botuar në faqën e Departamentit Amerikan të Shtetit kur ishte në detyrë, në mandatin e dytë të ish-presidentit Barak Obama, Z. Antony J. Blinken ka shërbyer si Zevëndës Sekretar i Shtetit — numri dy i diplomacisë amerikane – si zevëndës i Z. Xhon Kerry.  Blinken, Antony J. (state.gov)

Z. Blinken ka mbajtur pozicione të larta të politikës së jashtme në dy administrata, për dy dekada. Ai ka shërbyer si Ndihmës i Presidentit dhe Zëvendës i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Në atë kapacitet, ai ka kryesuar Komisionin Ndër-qeveritar të Kongresistëve, forum kryesor ky i administratës për formulimin e politikës së jashtme. Gjatë mandatit të parë të Administratës Obama, ai ishte Zëvendës Ndihmës i Presidentit dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Zëvendës Presidentit Xho Bajdën.  Z. Blinken ka shërbyer për gjashtë vjet si zyrtar i lartë administrativ në Kongres (2002 – 2008) si Drejtor i Personelit demokrat për Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan. 

Z. Blinken ka qenë gjithashtu anëtar i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Clinton në Shtëpinë e Bardhë nga 1994-2001. Nga 1999 në 2001, ai ishte ndihmës i posaçëm i presidentit dhe drejtor i lartë për çështjet evropiane – Këshilltari kryesor i Presidentit Klinton për marrëdhëniet me vendet e Evropës, me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Nga viti 1994 deri në vitin 1998, Z. Blinken ishte Ndihmës i posaçëm i Presidentit Klinton dhe Drejtor i Lartë i zyrës që merrej me përpilimin e fjalimeve me rëndësi të presidentit mbi politikën e jashtme dhe më pas ka shërbyer edhe si Drejtor i Planifikimit Strategjik: si mbikqyrës i përpilimit të politikës së jashtme, komunikimeve dhe politikës së jashtme në përgjithësi të Presidentit Klinton. Z. Blinken ka filluar shërbimin e tij në diplomaci në Departamentin e Shtetit ku nga viti 1993 në 1994 ai ka shërbyer si Ndihmës i posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Kanadeze. Pas largimit nga Administrata e Klintonit, ai ka punuar si zyrtar i Lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare një qëndër me rëndësi studimesh botërore në Washington. Para se t’i bashkohej Administratës së Presidentit Klinton, Z. Blinken ushtronte profesionin e avokatit në New York dhe në Paris. Ai ka qenë aktiv edhe në fushën e gazetarisë, duke shërbyer si korrespondent i revistës “The New Republic”, ndërkohë që ka botuar artikuj me subjekt të politikës së jashtme, përfshir “New York Times”, “The New York Times Magazine”, “Foreign Affairs”, e të tjera.  Ai është diplomuar në Harvard College, Magna cum Laude dheka kryer jurisprudencën në Universitetin Columbia.

Gjatë fushatës për president, Z. Tony Blinken ishte zëdhënsi kryesor i Presidentit të zgjedhur Bajdën për politikën e jashtme. Është e qartë se  në cilëndo detyrë të lartë të politikës së jashtme ose të sigurisë kombëtare —  si Sekretar i Amerikan i Shtetit ose Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë – që Xho Bajdën do ta emëroj atë, Tony Blinken ka përvojën dhe duket se do të ketë edhe mbështetjen e emërimit të tij në detyrën e kryediplomatit amerikan edhe nga Senati, që mund të jetë në dorë të republikanëve, sesjonin e ardhëshëm të Kongresit amerikan.  

Përsa i përket njohurisë së Z. Blinken për punët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Ballkanit – ai duhet të jetë i informuar shumë mirë për gjëndjen në dy shtetet shqiptare dhe në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi. Mjafton t’i hedhim një shikim të shpejt karjerës së tij në Washington, gjatë dy administrave të mëparshme dhe detyrave tjera të tij të rëndësishme, brenda dhe jasht qeverisë: Të gjitha detyrat e tija të larta kanë qenë të lidhura ngusht me politikën e jashtme të Shteteve të  Bashkuara, duke pasur në fokus të veçanti politikën amerikane karshi Evropës dhe NATO-s gjatë dekadave të fundit. 

Gjithashtu, është interesant fakti se gjatë 1990-ave – periudha më  kritike e politikës së angazhimit amerikan ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi — Tony Blinken ishte pjesë e stafit të Presidentit Klinton në Shtëpinë e Bardhë, gjatë njlë periudhe që u morën vendime me rendësi, sidomos për Kosovën.  Emërimi i Z. Blinken në cilëndo detyrë qoftë, është një ogur i mirë për politikën e ardhëshme amerikane ndaj Kosovës due Shqipërisë, për vet faktin se ai ka punuar për Zevendës Presidentin Xho Bajdën — si këshilltar i sigurisë kombëtare — kur ky ishte numri dy i këtij vendi, ndërkohë që dy vitet e fundit ka shërbyer si zëdhënës numër një i politikës së jashtme gjatë fushatës së Z. Bajdën për president.  Në një intervistë para disa koshë, Z. Blinken e përmblodhi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë nën administratën e Z, Bajdën me tri fjalë: Rivendosja e “rolit udhëheqës” të Amerikës në botë, “bashkpunim dhe demokraci”.

 Z. Xho Bajdën kur ishte senator por edhe më vonë, ishte njëri prej mbëshetësve politik amerikanë më të vendosur të Kosovës, Shqipërisë dhe të të drejtave të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Kështuqë, në cilëndo detyrë të politikës së jashtme ta emërojë Presidenti i zgjedhur, Z. Blinken — qoftë si kryediplomat i Amerikës ose si Këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë – për shqiptarët është një gjë tepër pozitive që Zoti Tony Blinken është një person i mirë-informuar për gjëndjen në Shqipëri, në Kosovë si dhe për gjithë shqiptarët në Ballkanin perëndimor, ashtu siç është i mirë-informuar edhe bosi i tij i ardhëshëm, Presidenti i zgjedhur Xho Bajdën. Kur të vijë puna tek çeshtjet shqiptare, nuk besoj se as njëri as tjetri të kenë nevojë të kërkojnë nga stafi i tyre dosje të posaçme mbi ndonjë problem shqiptar. Joe Biden supporting Albanians early time – YouTube

Frank Shkreli

                                Photo of Antony J. BlinkenAntony J. Blinken, i besuar i Presidentit të zgjedhur Xho Bajdën dhe i përfolur si i emëruar prej tij në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit ose Këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare në administratën e ardhëshme amerikane.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Joe Biden, Tony Bliken

Përplasje në mes të ideve romantike nga diaspora dhe realitetit në vendin amë

November 21, 2020 by dgreca

Elvin Guri: Investimi në atdhe: Përplasje në mes të ideve romantike nga diaspora dhe realitetit në vendin amë /

Në ditën e dytë të konferencës Diaspora Flet 2020, profesionistë e ekspertë nga fusha e ekonomisë, biznesit, teknologjisë dhe filantropisë reflektuan në ditën e dytë mbi angazhimin e diasporës në 20 vitet e fundit dhe sfidat e reja që e presin koorndimin e bashkëpunimit mes vendit amë dhe atyre jashtë vendit.

Hapja e ditës së dytë të konferencës virtuale “Diaspora Flet 20 20”, filloi me diskutimin e investimeve lokale dhe lidhjet e tregut me jashtë. Skender Rama, moderues i këtij paneli nga programi Kosovo Compete, projekt i financuar nga USAID-i, e hapi debatin mbi mundësitë dhe potencialet për t’i rritur produktet e prodhuara në Kosovë, dhe më pas për t’i eksportuar jashtë vendit. Duke analizuar sfidat me të cilat ballafaqohet diaspora kosovare për të investuar më shumë në bizneset kosovare, u përmenden 3 fushat ku do të fokusohet ky program: 1. Identifikimi i agjentëve në diasporë të cilët janë blerës për t’i blerë produktet kosovare; 2. Idenfitimi i personave me ndikim që kanë pozita në koorporata të fuqishme – lobimi për t’i prezantuar dhe integruar produktet e lokale; dhe 3. Krjimi i ndonjë fondi nga Diaspora ose edhe ndonjë iniciative për rritjen e investtimeve direkte të diasporës në Kosovës. Në këtë panel u përmend edhe industria e drurit, si një potencial i jashtëzakonshëm në lidhjen e tregjeve. 

Por, shfaqja e pandemisë globale COVID-19 ka ndikuar në shumë aspekte shoqërore dhe ekonomike. Megjithëse komunitetet e Diasporës kanë qenë të ndikuar nga pandemia në shtetin e tyre rezident, ata kanë vazhduar të dërgojnë shumë më shumë remitanca në vendin e origjinës gjatë kësaj kohe. Prandaj, sa i përket kontributit të diasporës më shumë se sa sjellja e lekëve, panelistët e ketij paneli theksuan nevojnë e strukturimit të remitancave dhe nevojën e zhvillimit kolektiv dhe jo individual. Përtej pasoja ekonomike, u theksuan edhe ndikimet shoqërore të kësaj pandemie. Indira Kartallozi, e pyetur nga Hilmi Gashi se nësë ka ndonjë praktikë më të mirë për të tejkaluar krizën, ajo u shpreh: Industria duhet të ndryshohet dhe strukturat e reja ekonomike duhet të fuqizohen si psh ekonomia qarkore. Përvec rimëkëmbjes duhet edhe të fuqizojmë bizneset se si t’i rezistojnë reziqeve të reja sikurse pandemia, ndryshimet klimatike, pa harruar edhe shëndetin personal dhe ndikimet shoqërore. 

Edhe në këtë ditë nuk munguan edhe fjalimet inspiruese nga Visar Morina, Krenar Komoni, Erila Haska, Mike Bailey. Pas përfudnimit të këtij paneli, në një sesion live në Facebook u zhvillua një bisedë e përqendruar dhe inspiruese me filantropin dhe biznesmenin Elvin Gurin, moderur nga gazetarja e mirënjohur Ilva Tare. 

Në vitin 2019 vendos në investoj në Shqipëri, dhe i pyetur pse kaq vonë ai u shpreh: Nuk isha i gatshëm dhe nuk e kisha gjetur momentin e duhur. Kur mu dha mundësi kam luajtur gjithë gurët e mundshëm që ta shfrytëzoja. I pyetur se si është balanca e investimeve në një vend me problem, z. Guri ofroi disa faktorë që mund ta vendosnin Kosvën dhe Shqipërinë në një destinacion të investimeve. Sipas tij duhet përmirësuar infrastruktura fizike, digjitale, të përmirësohet politikëbërja, ekonomia dhe në fund të rritet cilësia në arsim dhe edukim. Z. Guri theksoi se siguria e investimeve në atdhe lë për të dëshiruar dhe kjo rritë rrezikun (rriskun) për investitorë nga diaspora gjë që i bën ata të hezitojnë të investojnë. Shtetet amë duhet të trajtojnë investitorët nga diaspora me prioritet në aspektin insititucional përtej fjalëve. Si një filantrop i sukeshëm duke dhuruar resurset e tija në edukim, tha se diaspora duhet të investojë në vendin amë përtej ideve romantike dhe patriotike ngase ato përplasen me realitetin aktual. 

Në pjesën e dytë të ditës, u realizua debati Gratë në teknologji. Ky panel shqyrtoi arritjet e grave shqiptare në teknologji si dhe sfidat me të cilat ato përballen në një fushë të mëparshme të dominuar nga meshkujt. Sipas panelisteve, në hapësirat e rajonit të ballkanit vërehët një mungesë e tranimeve dhe certifikimeve të grave në teknologji. Një problem tjetër i potencuar nga paneli ishte edhe mungesa e vetëbesimi dhe kurajos tek gratë dhe ndarja e ideve dhe ambiceve për herë të parë. “Secila nga gratë duhet të kemi një role model që të inspirohemi dhe në cdo konferencë duhet të kemi tregime inspiruese për t’i treguar vajzave të reja që jo vetëm burrat mund të jenë të aftë të fushën e teknologjië, por edhe gratë mund të jenë të afta për të zhvilluar uebsite ejt”, u shpreh Adelina Gojani, njëra nga panelistet. Ndërsa në panelin Teknologjia, inovacioni dhe kontraktimi i jashtëm u potencuan sfidat dhe si bizneset po përdorin teknologjinë si një domosdoshmëri strategjike. Panelisët u shprehën se kontraktimi i jashtëm sjellë sfida të ndryshme, duke u nisur nga pagesat online e deri në tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve brenda kompanive. Edhe në këtë fushë, u theksua roli dhe ndihma e diasporës. Sipas z.Qeliku nga kompania “Frakton” shumë herë pjesëtarët nga diaspora janë zhgënyer me produktet e prodhuara në Kosovë, por githmonë kanë instituar me sjellë tregun në Kosovë, dhe kjo ëshë shumë e bukur. Në fund, z.Demaj drejtoi gishitn edhe ngapolitikëbrja duke kërkuar që të vendoset teknologjia si një prioritet shtetëor. 

Dita e dytë u përmbyll me sesionin me temë “Filantropia dhe roli i OJQ-ve”, i cili u moderua nga Dajana Berisha (FIQ), me panelistë: Shpresa Xhakli (Filantrope), Laura Ivezaj (Ivezaj Foundation), Mark Kosmo (Global Albanian Foundation), Riçard Lukaj (Lukaj Foundation), dhe Taulant Hoxha (Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile). Në këtë panel u theksua se nevojitet të kalojmë nga lloji humanitar / urgjent i donacioneve dhe projekteve në donacione për projekte me objektiva të zhvillimit të qendrueshëm. Riçard Lukaj tha se, nga perspektiva e një donatori, organizatat që implementojnë projekte duhet të dërgojnë më shumë raporte dhe fakte mbi impaktin e projekteve, karshi fotove dhe vizibilitetit të punëve në terren.

Germin sot përmbyll Konferencën Diaspora Flet, me shumë diskutime stimuluese për remitancat, kapitalin njerëzor, edukimin, kulturën  Rreth agjendes, pjesëmarrësve dhe detajeve të tjerave rreth Konferencës klikoni vegzën: https://germin.org/diaspora-flet/sq/, ndërsa rreth detajeve të tjera të Konferecës do ju mbajmë të informuar.

Filed Under: Emigracion Tagged With: diaspora, Elvin Guri, perplasje

Shqiptarët kanë nevojë edhe tani për Amerikën sikur para 101 vjetësh…

November 21, 2020 by dgreca

Gati 101 vjet pas Konferencës së Parisit, shqiptarët, falë përkrahjes së madhe të SHBA-ve, udhëheqin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.

NGA XHYLIJE IBRAHIMI*-

Populli shqiptar, me shekuj ka luftuar për mëvetësi dhe identitet shtetëror. Pa Amerikën, sikur para 101 viteve, edhe tash 101 vite më vonë shqiptarët nuk do të ishin këta që janë dhe këtu ku janë. 

Kërkohet shumë mençuri nga politikanët shqiptarë për ta përballuar edhe sfidën e fundit në rrugën e gjatë të arritjes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Po e përsëris: Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh.

Fati deshi që në Paris, më 1919, ku ishin mbledhur burra shteti, diplomatë, bankierë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë dhe gjykatës nga të gjitha anët e botës për të vendosur për çështje të mëdha, të jetë edhe presidenti amerikan Uilson.

SHBA-ja, me këmbëngulje kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë, që ishte kërkesë e pareshtur e shteteve fqinje dhe Fuqive të Mëdha. 

Presidenti i SHBA-së Uillson (Woodrow Wilson), në fjalimin tij, kishte deklaruar se: ”Është diçka e frikshme të çosh këtë popull të madh paqësor në luftë… Por e drejta është më e çmuar se paqja dhe ne do të luftojmë për çështjet që i kemi ruajtur gjithmonë si më të dashurat në zemrat tona, për demokracinë, për të drejtën e atyre që i nënshtrohen pushtetit, që t’u dëgjohet zëri në qeveritë e tyre, për të drejtat dhe liritë e kombeve të vogla, për një pushtet universal të së drejtës, nëpërmjet një bashkimi të tillë të popujve të lirë, që do t’u sillte paqen dhe sigurinë gjithë vendeve dhe do ta bënte më në fund vetë botën të lirë”.

Kishte zëra për ndarjen e Shqipërisë në mënyrë të atillë që pjesa veriore, përfshirë edhe Shkodrën t`i jepet Malit të Zi, pjesa qendrore, përfshirë edhe Durrësin, t`i jepet Serbisë, ndërsa ajo jugore, përfshirë edhe Vlorën, t`i jepet Greqisë. Kjo arsyetohej me faktin se “shqiptarët janë një popull jo i qetë, malësor dhe pa një shoqëri të organizuar mirë”.

Shqiptarët mbështetën shumë shpresa tek Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uillson. Në një takim me Nolin, presidenti Uilson kishte siguruar atë se do ta ndihmonte Shqipërinë. 

Presidenti Uilson, së bashku me delegacionin amerikan pati ndikim vendimtar në zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë, në kuptimin që me qëndrimin e tij pengoi zgjidhje të parakohshme, të cilat në kushtet e asaj kohe, do të ishin me siguri në dëm të Shqipërisë. 

Në Konferencën e Paqes në Paris, nuk u zgjidh çështja e Shqipërisë së jugut, por suksesi i kësaj konference në favor të shqiptarëve qëndron në faktin se Presidenti Uillson pengoi jetësimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915, i cili nënkuptonte eliminimin e Shqipërisë. 

Presidenti Uillson dhe delegacioni amerikan, me vendimet e tyre në këtë Konferencë penguan fuqitë evropiane të realizojnë propozimet mbi zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, të paraqitura nga shtete fqinje të Shqipërisë, propozime këto që dosido çonin në copëtimin e trojeve shqiptare.

Presidenti Uillson kishte vdekur në shkurt 1924 dhe ishte varrosur pa ceremoni shtetërore.

Konsullata e Shqipërisë në Amerikë e njoftonte përmes një shkrese Ministrinë e Jashtme (shih shkresën zyrtare) për dërgimin e një telegrami ngushëllimi zonës së presidentit Uillson, ku i shprehte ngushëllime në emër të popullit shqiptar. Njëherësh, Konsullata njoftonte se me kërkesën e zonjës Uillson, varrimi nuk u bë me ceremoni shtetërore.

………………………………

*(Autorja është master i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Filed Under: Analiza Tagged With: 101 vjet me pas, Nevoaj e shqiptareve, Xhylije Ibrahimi

E gjetëm edhe tradhtarin, po më tej?

November 21, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/ Si përfundim, tani që Lulzim Basha u shpall ”tradhtar” i UÇK-ës, a ja ulëm vlerën borxhit publik. A e ulëm shifrën 84% në 64%, aq sa e kishim në vitin 2013? A na i fali arbitrazhi në Washington (2019) detyrimet kontraktore të anulluara nga kjo qeveri, si gjoja korruptive nga qeveria e mëparshme. 110 milion euro, jo pak. Borxh i detyrueshëm publik. A u rregullua statusi publik i nëpunësit civil, pasi edhe këtu ka një firo të konsiderueshme rrjedhje parash nga buxheti, për ata që humbin vendin e punës në administratë nga ndryshimi i pushtetit? Një postulat që u rri shqiptarëve si laku i kërpit rreth qafës, aman mos më merr në qafë se kam kalamaj për të ushqyer. Mezi e rregullova këtë vend pune. Pagova sa qimet e kokës. E ropa djalin në Gjermani. Ku di unë, i shkreti. U ngritën pensionet e mjeruara? Po nga përkrahja, a u hoq pyetja se kush ka dush e televizor, nuk i takon gjë. Duhet të jesh i vobektë që të japin 15 mijë lekë. Madje mish me dy sy, ku të ketë mundësi lal legeni dhe Ed shallvarexhiu, të vi me kamerat e ERTV e tu japi ndonjë thes miell. Tu flasi për ”tradhtarin” Lul hollandezin. Tani që e sqaruam se figura morale e kandidadit të ardhshëm për kryeministër është bizarre. Dhe se nuk ia vlen për kryeministër të ardhshëm, a u futëm në Europë? U hapën negociatat apo jo? Se kemi kaq vjet me gërrvërre se kush na fut në Europë, apo jo? Dhe e kaluam refuzimin e para dy ditëve, refuzimin e njëmbëdhjetë, ashtu si pa gajle. Studiot vlonin…, Luli, Luli, UNMIK, UÇK, tradhtari, ka qënë përkthyes apo oficer legal? Europa na refuzoi rishtas, na tha sysh, gjeni gjuhën e bashkëpunimit, vini gjykatat në funksion, por ne kemi hallin se sa i pastër është moralisht kryeministri i ardhshëm. Tani që gjetëm dhe atë që një ish futbollist i kombëtarës, një çfarë të them, ”tradhtar”, ”armik”, një garip që i duket vetja se çfarë ka qënë etj. A e fituam betejën me covidin? A i përmisuam spitalet? I ulëm numrat e infektimit? I shtuam testimet ditore, me qëllim izolimin e vatrave? Po humbim njëri-tjetrin sikur nuk kemi qënë kurrë. Dhe as që po na dhëmb fare. Nuk po kemi kohë të qajmë sikur një minutë, të kuptojmë që jemi njerëz. Nuk e kemi më një familjar, një të afërm, një mik me të cilin ndanim jetën. Jemi bërë grerëza, shifra, gumëzhimë, sende.  Nga që nuk na lënë Edi Rama, Lali Eri, Ilir Meta apo ”tradhtari” Lul Basha. Ka qënë apo nuk ka qënë futbollist i madh Andi Lila? Pika neve… nuk po i shkojmë dot në varrim shoqi-shoqit. Nuk po i gjëndemi dot njëri-tjetrit, të ndajmë atë kafen e hidhur, tymin e duhanit, këtej çirremi për futbollistë e artistë. Të gjitha këtyre figurave, si majtas dhe djathtas, se e drejta e Zotit e do t’i drejtohesh njësoj si këtij Lilës edhe Eli Farës, ndryshe ecim mënjanë. U duhet thënë shkoqur…, ose më mirë juve se ata kanë strategji karriere. Të fashmën i bëri adhurimi jonë, jo plateja e politkës. Që domethënë, nëse je sportist i famshëm falu asaj bukurie fyti e sysh me mijra në shkallët e stadiumit, asaj që të adhuron, që çirret për ty. E nëse je artist i famshëm, falu asaj gjindje që të duartroket se ata të bënë ky që je. Nuk të bëri politika. Boll me poza krah lali Erit apo lali Verit. Ne e dimë që sportisti a artisti është më i madh se Zoti, mos na rrëzoni adhurimin. Se po na mbushni mendjen që jeni të përdorueshëm si prezervativi. Eshtë e dhimbshme. Shenjtëria vjen nga poshtë, jo nga lart. Vëllezër ua kanë futur thellë. Aq thellë ua kanë futur aq sa jeni imunizuar kokë e këmbë. Nuk po ndjeni më asgjë. Jeni bërë engjuj të ndërgjegjshëm të djallit. Mashtroni me ndërgjegje të plotë, pa pikë turpi a sedre, pa pikë përgjegjësie për ato mut titujsh që mbani si medaljone. Madje ju rrofshin hekurosja, kollarja, apo klasi shtresë e ngritur. Eshtë e pabesueshme të dëgjosh në 2020 në një emison televiziv se akoma uji është me orar të kufizuar. Si mund të merresh me tradhtinë e një personi që ka çelsat e kashtës. Eshtë absurd kolektiv. Eshtë budallepsje. Se je akoma me depozita. Dhe për më keq, i pa përdorueshëm, i pistë dhe me mbetje të zeza. Merruni me tradhtinë e Lulit, ju të tredhurit dhe tradhtuarit njëmijë herë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 300
  • 301
  • 302
  • 303
  • 304
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT